More
    KreuArte pamoreArtur Spanjolli: Një ekspozitë e artistit durrsak Krist Dimo në sallën e...

    Artur Spanjolli: Një ekspozitë e artistit durrsak Krist Dimo në sallën e Kryeministrisë

    Kontaktin e parë me pikturat e artistit Krist Dimo, e kam patur ndërsa endesha virtualisht nëpër faqet e Facebook-ut. Kovidi sapo kishte filluar dhe i mbyllur në shtëpi, si e gjithë bota, vrisja kohën duke u kotur nëpër rrjetet socjale. Sapo e vura re, më tërhoqi në radhë të parë stili abstrakt, minimalist, por herë herë edhe figurativ i këtij artisti tepër interesant durrsak.  Krejt kurjoz, fillova të thellohesha tek vepra e tij piktorike. Herë herë, tek i vëreja, më dukej sikur po gjendesha përpara ca vizatimeve naive bërë nga një fëmijë, ose përpara atyre pikturave rupestre nëpër shpellat parahistorike, por kur i vëzhgoja me kujdes, atëherë ndihej qartë se ato ishin të medituara thellë, nga një artist tejet i përgatitur dhe tepër i kujdesshëm. Ato më shtynin të meditoja mbi nevojat më të thella shpirtërore që ka njeriu. Dukja e tyre naive, pra, nuk ishte veç një trill. Kur thellohesha, aty ku unë mendoja se gjithçka ishte një zgjidhje e thjeshtë, e pamenduar, linja të hedhura ashtu si nëpër gjumë, sikur të zhgarravisnim për të kaluar kohën, në të vërtetë fshihej gjithmonë një mesazh filozofik, një gjendje emocionale e mirë menduar, një dialog i thellë me vetveten. Gjurmët që Krist Dimo lë mbi telajo, janë sa origjinale aq edhe të shumë interpretueshme. Jane sa në dukje ‘naïve’ po aq edhe të koklavitura dhe të “rrezikshme”, apo të ‘vështira’ për t’u kapur, ndonjëherë. Ndaj, punët e këtij artisti, kanë nevojë për një përgatitje intelektuale, për një rimodelim shijesh, kanë nevojë siç shprehet ai vetë, për emancipim. Një emancipim, si në formën e shprehjes, të cilën ai e ka arritur, mbas vëzhgimesh të gjata dhe të thella, po ashtu edhe në përthithjen e mesazhit. Tek ai e ‘shëmtuara’ bëhet estetikisht e bukur, ‘naivja’ bëhet meditim i thellë, ‘thjeshtësia’ trasformohet në sintezë. Silueti i tij i shqetësuar shndërrohet gati në një ankth ekzistencial. Thjeshtësia, ironia dhe origjinaliteti, janë vetëm tre nga tiparet kryesore që unë vë re në veprën e tij.

    Zgjidhjet e tij estetike me sfondet e zeza, të bardha, krejt të thjeshta, linjat e hedhura në një zbrazëti plot enigma, pikëpyetjet, gjëegjëzat me ngjyra; nuk japin përgjigje, por e shtyjnë shikuesin të futet në reflektime, të meditojë, të lodhet për të kapur esencën, thelbin e domethënjes. Kristi punon me atë pjesë të ndërgjegjes së tij e cila nuk mund të konkretizohet, as të deshifrohet me fjalë. Ajo i drejtohet shtresës së pandërgjegjes. Aty lind, aty zhvillohet, aty ndalet gati me këmbëngulje. Është ajo zona e ëndërrës, e imagjinatës, e intuitës, lënda bazë e shqetësimeve të brendëshme, ku pulsjonet e artistit hidhen direkt mbi telajo dhe transformohen në një meditim të thellë mbi vetminë bashkëkohore, kaosin, deformimin e saj pse jo, edhe shpirtëror.

    Ai don të flasë thellë mbi njeriun dhe e arrin atë. Arrin të evidencojë pjesën më të errët të qenies dhe të gjendjes njerëzore, e cila është vetëm një degëzim në pemën tematike të artistit Dimo. Pemë, ku thelbësorja, trungu pra, është kërkimi i pandërprerë i tij filozofik mbi ekzistencën.

    Duke u marrë vetëm me figurën njerëzore ai don të ndalet tek dialogu- monolog që artisti bën mbi fenomenin jetë dhe e  bën këtë në një mënyrë disi të pandërgjegjshme, ku ai arrin të denoncojë atë shkatërrim ‘moral’ jo vetëm të vlerave tradicionale, por edhe të vlerave të vetë qytetërimit të sotëm. Parregullsia e formave, antikonformizmi i linjës në serinë e portreteve të Dimos, tregon qartë shpirtin e sotëm, frymën bashkëkohore. Kjo shumllojshmëri profilesh psikologjike, shpall gjithashtu edhe dështimin e vetë njeriut. Duket sikur, njeriu i Dimos, sillet në një qark të mbyllur, të errët, ku shumë pyetje mbeten pa përgjigje, shumë përgjigje nuk janë të nxjerra nga pyetjet racjonale, por nga intuita e tij artistike; ku  shumë kërkime nuk të shpien asgjëkundi dhe shumë hulumtime dështojnë. Por dështimi i njeriut të Dimos, është dështimi i vetë njeriut, ndërsa orvatet të gjejë të vërtetën e tij. Dështimet e Dimos në planin ekzistencjal, duke u ndalur dhe duke reflektuar mbi fatin e njeriut të sotëm, janë dështimet hulumtuese të një artisti, i cili nuk pret konkluzjone, zgjidhje. Ai veç konstaton, vëzhgon, vë në dukje, atë çrregullsi, kaos, shqetësim që është edhe magma e brendëshme e krijuesit. Linjat e tij plot zhdërvjelltësi, janë rebele. Ato nuk respektojnë as anatominë e natyrës, as ligjet e fizikës. Janë linja të cilat kanë një domethënje shpirtërore. Deformimet e Dimos, janë akti i parë i rebelimit të artistit, i cili ndjek humorin e brendëshëm, ndjek pulsin e emocioneve të tij. Interpreton pra njeriun, pasi e ka hulumtuar atë thellë dhe me kujdes. Ai, siç e thashë, nuk jep zgjidhje. Ai nuk është filozof me paketa të gatshme filozofike i cili pretendon të zbulojë të vërtetën. Ai me siluetat e tij provokuese, veç ngacmon dhe nxit reflektimim.  Tek linjat agresive të figurave, tek sfondet e thjeshta dhe të errëta, tek ekspresiviteti i tyre shpesh i pakapshëm, qëndron edhe limfa jetësore e vërtetësisë së artit të tij. Është një art, ky i Dimos që komunikon direkt me pandërgjegjen, një gjuhë që i drejtohet emocjoneve, ndjenjave, iracjonales. Ai është një hulumtues i mprehtë i vetmisë, i braktisjes, i boshit të madh të njeriut.  Tek vepra e tij mungon njeriu i Madh, i cili mbizotëronte me rregullat tradicionale trashëguar nga paraardhësit e tij. Këtu na vjen njeriu i shekullit tonë. Njeriu me misteret e tij, njeriu kompleks, njeriu i cili e ka humbur fillin dhe nuk orientohet dot, pra, ku ai e ka humbur edhe strukturën e tij. Do të bëja një anologji me tregimin e Franc Kafkës “Metamorfoza”. I pari shkrimtar i cili me antenat e tij të mprehta vëzhguese, ka kapur kllapinë, ankthin, tmerrin dhe frikën e njeriut moderrn i cili do të shfaqej më pas. Jo rastësisht, tek vizitoja muzeun e Franc Kafkës në Pragë, gjeta disa vizatime të gjeniut nga Boemja, të cilat, përnjëherësh më kujtuan tablotë e artistit durrsak në fjalë. Tek tabllotë e tij, unë gjej njeriun skllav të teknologjisë, të një moderniteti dhe konsumizmi, i cili ja ka marrë frymën krejt. Gati gati, skllav i një lirie aq të madhe që ai nuk është ndoshta në gjendje as ta zotërojë, as ta kuptojë dhe as ta përdorë atë siç duhet. Por gjithashtu, skllav edhe i një boshi të madh. Një bosh intelektual, që Dimo e ka perceptuar me shqisat e tij prej artisti.

    Ai me artin e tij na vjen fuqishëm, drejtpërdrejtë. Dimo ka arritur të ketë një stil krejt origjinal, të tijin. Një stil që aludon, provokon, thellohet, mediton, ëndërron. Një stil plot pulsione jete, ku Dimo filozof me ngjyra dhe linja, na flet me poezinë e tij. Një poezi minimaliste, gati e padeshifrueshme, por gjithmonë e pranishme dhe e aftë të na nxisë në reflektime.

    Ekspozita është hapur me 11 janar në COD, salla qendrore e kryeministrisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË