More
    KreuLetërsiShënime mbi libraLili Sula: "Çështje të marrëzisë" dhe "Kisha e Shën Sofisë": vepra-alegori të...

    Lili Sula: “Çështje të marrëzisë” dhe “Kisha e Shën Sofisë”: vepra-alegori të ringjalljes së religjionit

    Romani Çështje të Marrëzisë dhe tregimi Kisha e Shën Sofisëmurale pikëtakohen për filtrin e përpunimit artistik të shpërfaqjes së përkatësisë së krishterë të shqiptarëve. Rrafshi i substancës së përmbajtjes e bart këtë problematikë të rrafshit identitar në tri shtresa historike: e para, te rrënjët e hershme identitare kristiane; e dyta, një cak i një gjendjeje të ndërmjetme, që lidhet në më të shumtën e herës me konvertimin, gjendje që bashkë me luhatjet e mjegullitë do të bartë me vete tharmin e ringjalljes, e lajmërimit të rimishërimit të krishterimit (e treta), siç i shkon për shtat simbolikës së Shën Markut, jo më kot përzgjedhur nga Kadare në simbologjinë e miteve biblike.

    Përkatësia religjioze e identitetit shqiptar del në pah nga loja rrëfimore e personazheve që i sendërtojnë ato estetikisht. Të dyja veprat e zbulojnë mekanizmin e kthjellimit të perspektivës historike nëpërmjet procesit të analizës psikologjike të personazhit: fati i personazhit vendoset në kushtet psikanalitike të anomalisë, duke kërkuar dhe gjetur shpjegime në rrafshin e fatit identitar të rrjedhave të historisë shqiptare. Nga pikëpamja e realizimit formal, përvijimi i dukurisë së shpërfaqjes së përmasës kristiane shpërfaqet herë e mbështjellë me trajta simboliko-alegorike e të aluzionit, me një petk mistik, te Çështje të marrëzisë, e herë përmes introspeksionit te Kisha e Shën Sofisë.

    Udhëtim në viset psikike të marrëzisë

    Dy rrëfimet kadareane sendërtojnë një gjendje të turbullt, të amullt, dëliri e mëdyshëse për të realizuar më pas kalimin në alegorinë e ringjalljes së shtresave të thella të kujtesës, një konstelacion shenjash, me forcë graviteti drejt qendrës së përbashkët të përkatësisë religjioze.  Një gjendje e vagullt, dehëse dhe e ëndërrt, plot shëmbëllime e fanepsje simbolike karakterizon rrëfimtarin gjimnazist të Çështjeve të marrëzisë, i cili si në terapi psikanalitike nyjëton forma ligjërimore mes hapsanës së prekshme, që kishte ndryrë histori të lashta e të reja dhe të fshehtës mistike të mjegullta dhe të padukshme. Nga sytë e tij, duket se do të zbardhet misteri mbi vëllanë e Babazotit, të cilin nuk e kishte parë askush; për të nuk flitej, por edhe kur zihej në gojë, kjo ndodhte me zë të mekët e fare shkurt. Procesi i zhvendosjes ndodh në një rrafsh psikanalitik të interpretimit të ëndrrave, gjendje që karakterizon personazhet e të dyja veprave. Frojdi na kujton sepërgjigjet që personazhet kërkojnë në anomalitë e marrëzisë dhe artit, janë përgjigje që lexuesi, nëpërmjet mekanizmit të zhvendosjes, kërkon dhe gjen në rrafshin e historisë.Përgjatë një zinxhiri asociativ hasen dy raste të shkëmbimit të shprehjes gjuhësore dhe i njëjti proces zhvillohet në nivele të ndryshme psikike. Si rezultat i kësaj zhvendosjeje ndodh:zëvendësimi i një elementi me një tjetër ose shkëmbimi i formulimit verbal të një elementi me atë të një tjetri (S. Freud,  L`interpretazione dei sogni, Edizione del Kindle, p. 388-389).

    Filli i rrëfimit romanit Çështje të marrëzisë mund të kapet nga dy faqet e fundit të veprës e të ndiqet për kah fillimi duke ndjekur e shpleksur gjithë dëshpërimin që ka pllakosur të pranishmit për ikjen nga kjo jetë të Babazotit, rrëfyer me dromca humori dhe autoironie, naiviteti fëmijëror dhe ngjyresa mistike, ku duket se për t’i dhënë lamtumirën e fundit të vëllait, merr pjesë edhe Dom Zef Dobi, dalë si nga një kohë-hapësirë tjetër, me zhgun të zi e me kryq të madh në kraharor. Kjo linjë e zbehtë rrëfimore nyjëton linjat e tjera të romanit, ndodhi të pazakonta e të mistershme mes personazhesh që shtegtojnë nga një vepër në tjetrën (Iliri, Babazoti, Nesibe Karagjozi, hallë Xhemoja, Shtinot, Kokobobot etj.) në një qytet e kohë të marrësh, mes njerëzve që jetojnë në dëshpërim, pezëm, broçkulla, habi, mëri të mbartura si ajo e Zekatëve me Babametot mbi treqindvjeçare, qysh nga koha kur këta të fundit kishin qenë të krishterë e të tjera përthyerje të forta ideologjike vetjake, familjare e shoqërore. Të çuditshme, plot me marrëzi e befasi dhe shëmbëllime shfaqen të gjitha situatat, të errëta, të ngatërruara dhe enigmatike, prej syve të djaloshit që rreket t’i shpjegojë nga një pikëvështrim naiv, që përligj pështjellimet e kohëve dhe personazheve të historisë me ato familjare. Dom Zef Dobi nuk kishte bërë asnjë turp për të qenë i mbuluar me mister, thjesht ai jetonte gjithmonë larg, në veri të Shqipërisë, i veçuar nga njerëzit, që janë si “të lojtur mendsh”; ai mban një tjetër gjuhë e një tjetër fe, në shprehje të ruajtjes së identitetit parak. Një degë e trungut të Dobatëve kishte mbetur katolike, siç kishte ndodhur edhe me disa shtëpi të tjera…

    Në prozën tjetër, Kisha e Shën Sofisë, zëri i narratorit të gjithëdijshëm ndërkallet me zërin e arkitekt Arhond Kaur efendiut. Arkitekt Kauri që thirret efendi, shpreh një lloj hibridizimi në rrafshin acociativ, të përafrimit të një trajte të krishterë dhe një myslimane, përfiguruar në zanafillën e tij biologjike, njerëzore, e profesionale sa dhe në përcaktime, të tilla si: deledash, sanatadita, dykahs, midisës.

    Edhe dyzet e dy orë, tha me vete arkitekt Kauri. Ishte i shtrirë në shtratin e fortë, as i fjetur, as i zgjuar. Ca pamje, me të cilat fare lehtë mund të ndërtohej një ëndërr dhe po aq lehtë të rrëzohej, i rrinin në sy. Përpiqej të merrte me mend se cilat ngrehina ishin rroposur ndërkaq dhe ç’do të shkatërrohej ende… (I. Kadare, Kisha e Shën Sofisë, Onufri, 1999, f.83-84).

    Gjendjet mëdyshëse të paralajmëruara që në datëlindjen e arkitektit, në përkatësinë gjinore të tij sa dhe në dilemën midis zbatimit të urdhrit të sulltanit për të kthyer kishënxhami, si mëkat që s’do mund të shlyhej kurrë apo ruajtjes së përkatësisë fetare katolike të arkitekt Arhondit, krijojnë tension narrativ në tregim, botuar më 1994-n, në vite të diskutimeve dhe ndryshimeve të fuqishme politike e kulturore. Ndërkaq, forma hibride shfaqet qartazi tek emërtimi i personazhit arkitekt Kauri, mishërim i procesit të konvertimit, i cili në gjendje dëliri e makthi u vu para provës së ndërrimit, të shkuljes së krishterimit – për të groposur rrënjësisht Kishën e Shën Sofisë, që të ngadhënjejë islamizmi, një nyjëtim mes ligjërimit verbal dhe asaj bote shndërrimesh simbolike të kondensuar në një imazh të shumëfishtë vlerash.

     Roja e arkitektit u shfaq me fytyrë të llahtarisur.

    – Arhond, arkitekt efendi, sovrani të kërkon.

    Mëdyshjet e arkitektit mes kryerjes së urdhrit dhe përkatësisë së tij kristiane, që ia vështirëson përmbushjen e detyrës, vihen në sfond të gjindjes, shikimet e së cilës e përcillnin me kureshtje (për shfaqjen e rrallë teatrale e, mbase më unikale, të konvertimit), dashakeqësi apo mosbesim (për sfidën e ndërmarrë nga një i krishterë katolik). Përveç atyre që mezi ç’prisnin që tempulli të ndërronte shpirt, dalloheshin dhe ata që luteshin se më mirë Kisha të rroposej fare sesa të shndërrohej në xhami. Gjenden në këtë sfond edhe të tjerë njerëz që duket se s’dinin ç’të bënin: të gëzoheshin që s’u shemb apo të brengoseshin për përdhosjen.

    Zhvendosja në rrafshin e anomalisë historike

    Realizimi plastik i idesë, në vepër është alegorizimi i përmasës fetare në sistemin e marrëdhënieve mes dy botëve që krijon vepra dhe që korrespondojnë në nivel narrativ me një rrjedhë të dyfishtë e të shumëfishtë kodimi e leximi prej alegorisë e anasjellas.

    Te Çështje të marrëzisë, një nga mënyrat e depërtimit në kohët kristiane shënohet përmes njësive ndërtekstore që integrohen në rrëfim dhe bëhen motiv eksplorimi për rrëfimtarin, duke u kundërvënë me forma standarde të realitetit imponues e të dhunshëm të periudhës së diktaturës. Cilësori në trajtën gege e mnershme e patër Anton Harapit, një tingëllim dyfish madhështor verbal e muzikor – që kundërvihet me fjalën standarde e tmerrshme që kishte përdorur Tito në shenjëforce e dhune politiko e shtetare –zgjon bashkëshoqërime kristiane të gjurmëve artistike, religjioze e kulturore, të kontributit të klerit katolik në Shqipërinë e Veriut, të asaj zone të vendit që i pat mbijetuar më së shumti trysnisë së konvertimit prej praktikave të ligjërimit në shërbesa fetare e njëherësh lavrimit të saj si gjuhë librore e kulture identitare, po pikërisht në atë skaj verior që kishte mbështjellë me mister largimin dhe jetën e izoluar të Dom Zef Dobit.

    Misteri i historive familjare, i figurës së Dom Zef Dobit dhe gjithë ai entuziazëm popullor, që vërshonte rrugëve dhe institucioneve (ndërkohë që hebrejka e bukur Graciela Jokoel, si shëmbëllim i Helenës së Trojës për të cilën ishte bërë gjithë ajo luftë e mnershme largohet, kthehet për në Izrael) e mbushte me shpresë djalin rrëfimtar, që strukej në mbretërinë e vet, njëfarë kthine e veçantë, gjysmë dhomë e gjysmë mesore, midis dy kateve e bashkë me Ilirin ishin zotër që sajonin kalin e drunjtë për t’i ngrënë kryet Trojës.

    Nga ana tjetër, tejqyra e gjyshes për të vështruar të gjallët e varrezat e Vasilikoit, do të zhbirilojë në thellësi ligjërimore alegorike kujtime të fuqishme të kodeve ikonografike të njohura për të bashkuar në një rrjet të gjitha dijet e për të fiksuar, në këtë mënyrë, disa vlera që transmetojnë kujtesën e një kulture, atë gjuhë të shenjtë që po hiqej nga shkollat e fëmijët s’do kishin më mundësi të mësonin. S’do të mësonin më latinisht, gjuhën sakrale, as frëngjisht, shenjuesen e identitetit perëndimor, ndërkohë, që greqishtja e vjetër ishte hequr prej kohësh e tashmë të gjitha këto ishin zëvendësuar me rusishten dhe “Britmat: rroftë gjuha ruse! rroftë Stalini! dëgjoheshin përherë e më shpesh”, ndërkohë që gjëmonin thirrjet poshtë papa i Romës.

    Një sferë kodesh që lidhet me religjionin, periudhën antike, ligjërimin sakral e mitologjik, që depërtojnë thellë në kohëra të hershme politeiste e në ato të besimit të mëparshëm, simbolizuar prej Dom Zef Dobit dhe jehonave religjioze, kulturore e ideologjike të procesit të konvertimit, siç i aludon në çelësa psikanalitikë Domi të nipit, “…të gjithë ne kishim vrarë diçka ose dikë dhe e kishim mbyllur pastaj thellë…” – një përthyerje identitare midisëse, në rrafshin ligjërimor edhe…edhe për t’u mbushur me realitetin socio-ideologjik të shtetit totalitar të ndryshimeve, mohimeve, përthyerjeve ideologjike, fetare e kulturore në nivel individual, familjar, social e institucional. Edhe pse në plan të përkatësisë së besimit fetar, ruhet një vatër thuajse misterioze në Veri me Dom Zef Dobin, ndihet asgjësimi i imponuar, ateizmi, për t’u kapërthyer me përmbysjet politike që ndryshojnë kahun nga Perëndimi në Lindje, që na përçohet përmes instrumentit muzikor, të vijës melodike të violinave që bien natën nën ritmin e librave turqisht, që lexohen ditën (Çështje të marrëzisë, Onufri, 2009 , f. 115).

    Në rrëfimin Kisha e Shën Sofisëmurale arrihet një tjetër kulm i ligjërimit simboliko-alegorik me ngjyra religjioze e njëherësh aluduese mbi këto ndryshime, shenjat e të cilave i mjegullon rrëfimi mbi një prej kryeveprave të artit religjioz dhe njëherësh shënjues i lulëzimit dhe rënies perandorake. Ndërsa për Shën Sofinë, dilema e arkitektit sendërtohet alegorikisht në frymën e shenjtë të figurave biblike, që nuk ia pret kush rrugën qiellore, të rrënjëve që mund të mbulohen, por jo të shndërrohen: Përveç atyre që mezi ç’prisnin që tempulli të ndërronte shpirt, ishin ata që luteshin që më mirë të rroposej se të kthehej në xhami, e të tjerë që s’dinin ç’të bënin, të gëzoheshin që s’u shemb apo të brengoseshin për përdhosjen (Kisha e Shën Sofisë, f. 90).

    Edhe lyerja e mureve të kishës me gëlqere të tejpashme, që lejonte të përtejmen të ishte po aty me frymë e figurë, si qe në krye të herës, përmes simboleve biblike të Krishtit, nënës së tij, kurorës dhe plagës së kryqëzimit, përcjell përfytyrimin e rrënjëve që mbulohen përkohësisht po nuk shpërbëhen sa dhe thirrjen për ngadhënjim mbi fazën tranzitore të konvertimit – ringjallje të krishterimit – e rikthim në identitetin e besimit të parë.

    Walter Benjamini teksa flet për veprën e artit në epokën e teknologjisë, thekson karakterin unikal të objektit estetik, që na shpie pas në rrënjët magjiko-simbolike. Çdo rifunksionalizim e distancon të riprodhuarin nga sfera e traditës dhe e përditëson atë duke vendosur “një seri sasiore ngjarjesh në vend të një ngjarjeje të vetme, duke bërë të mundur që objekti i riprodhuar të takohet me personin që e përdor atë në situatën e tij të veçantë… gjë që çon në një përmbysje të dhunshme të traditës”, e nga ana tjetër, shpreh krizën aktuale (W. Benjamin: L’opera d’arte nell’epoca della sua riproducibilità tecnica, Einaudi, 2000, p. 23). Me fjalë të tjera, ajo që mungon në objektin e riprodhuar është aura e veprës artistike, origjinaliteti i saj përkundrejt përdorimit të imponuar të riprodhimit. Shkatërrimi i aurës së veprës së artit synon shkëputjen e saj nga tradita dhe integrimin në një tjetër traditë të huaj, e cila mund të zgjasë edhe pesë shekuj, duke mbetur gjithherë e përkohshme.

    Lëndimthi ata kalonin furçat me gëlqere mbi fytyrën e Krishtit e të nënës së tij. Por gëlqerja ishte aq e hollë, saqë pas tharjes, rishfaqeshin, në krye, kurora me gjemba, që dukej se e griste e para pengesën, pastaj plagët e kryqë­zimit e pas tyre gjithçka. Mjeshtrit vinin për t’i kumtuar me pyetjen e heshtur në sy: a do ta trashte, më në fund, gëlqeren?… Tani Krishti dhe Shën Mëria dukeshin si prapa një hukatjeje në qelq (Kisha e Shën Sofisë, f. 94).

    Kisha e Shën Sofisë për t’i dhënë peshë të posaçme ligjërimit që karakterizon krizën e identitetit në fazën e konvertimit si pararendës dhe shkak qenësor i kësaj krize, njëherësh thërret rrënjët më të thella identitare. Arti i Kadaresë, i referohet një gjendjeje “arkaike” antropologjike për të na çuar në thellësi të kohës njerëzore. Ajo që merret nga bota e jashtme, sendërtohet në konstelacion shenjash simboliko-alegorike, për të kondensuar në një imazh të shumëfishtë vlerash përfytyrimin e një përkatësie shpirtërore.

    Shumica, ashtu siç pritej, e kishin kuptuar këtë ndërrim si ngadhënjim të islamizmit. Një pjesë, më e vogël, përkundrazi, si qëndresë të krish­terimit. Kurse disa të paktë kishin kapur në të një kumt të ri: kapërcimin e të pamundurës… Së fundi, e kishin kuptuar se e gjithë kjo ishte e kotë dhe asgjë s’mund t’i shkulte as dyshimin, as pyetjen nëse të dyja fetë e mbyllura në të njëjtin burg do të jetonin të dyja apo do të vdisnin të dyja (Po aty, f. 94).

    Në këtë udhëtim të shkurtër në linjën rrëfimore religjioze me Dom Zef Dobin e arkitekt Kaur efendiun,na përcillet thellësia e artikulimeve lakonike, të cilat pikëtakohen në shtresën arkeologjike të narracionit kadarean. “Humbja dhe rigjetja e kontinentit nënë” (Identiteti evropian i shqiptarëve, f. 59), siç e përcakton autori eksplicisht, përbën boshtin strukturor të veprave mes heshtjes dhe jehonave ideologjike e religjioze nga brenda e jashtë vendi.

    Së fundmi, t`i kthehemi sërish idesë së riprodhimit të veprës së artit sipas Benjaminit, për të cilin edhe pse funksioni magjiko-ritual i objektit artistik zhvendoset në një praktikë tjetër, mbi themele të politikës, për ta shndërruar në një gjendje të re antropologjike, megjithatë, vepra origjinale nuk e redukton të kaluarën e thjeshtë, atë rrënjësoren, as nuk e anulon atë brenda nesh. Zanafilla e saj – sado e ndërmjetësuar- është e dukshme qartësisht, ashtu si historia jonë zhvillohet në kohë të ndryshme të cilat mbivendosen në rrjedhë të përhershmërisë dhe arti jeton dhe na e dëshmon këtë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË