Njeriu, në fëmijëri-adoleshencë, lidhet me të afërmit, me motrat dhe vëllezërit dhe me të tjerë radhazi, nëpërmjet asaj që quhet lidhje “gjaku”, e cila shpesh ruhet edhe pas saj, gjatë gjithë jetës. Nuk përjashtohet gjenetika, e padukshme, “lidhja e gjakut”, prejardhja, familjare e fisnore, e përbashkët, me rolin e vet ndikues, të vetvetishëm. Rëndësi përcaktuese, ka të jetuarit e përbashkët, marrdhëniet e afërta, ngjarjet e shënuara të kësaj periudhe, sidomos përjetimet dhe kujtimet e përbashkëta. Edhe në faza të tjera të jetës, ngjarjet, kujtimet dhe përjetimet e përbashkëta i afrojnë dhe i lidhin njerëzit. Me shkrimtarët, aq më e fortë me më të pëlqyerit, lidhja është tjetër lloj, më e brendshme, zakonisht, pa komunikime a marrdhënie të drejtpërdrejta dëgjimo-pamore. Ajo përftohet së brendshmi, nëpërmjet komunikimit psiko-emocional dhe intelektual, edhe, nëse me ta nuk kemi pasur komunikime a marrdhënie të drejtpërdrejta, sikurse, nuk kemi pasur me Eskilin, Danten, Shekspirin, Servantesin, Naimin, Fishtën, De Radën, Lasgushin. Me Ismail Kadarenë, një pjesë e lexuesve shqiptarë, kanë pasur edhe komunikime dhe marrdhënie të drejtpërdrejta: miqësi e kolegëri, takime, biseda, debate, shëtitje, foto. Sidoqoftë, me veprën letrare dhe bëmat qytetare, ai ka qenë dhe mbetet në qenien intelektuale dhe shpirtërore të shqiptarëve, duke i shoqëruar përherë në jetë, mendërisht dhe emocionalisht, ndriçuar, qytetëruar dhe europianizuar në breza, prej viteve 1960, kur, mes shkrimtarëve të tjerëve, u shfaq mjaft i dallueshëm me mendime, botëvështrime, shprehësi sintetizuese, origjinale, të panjohura në letërsinë shqipe.
E shkuara, e pandashme
Në epokën e rrafshimit të personalitetit njerëzor, qytetar e profesional, institucionalisht nuk bëheshin veprimtari për përvjetorë të shkrimtarëve dhe të artistëve, për sa ishin gjallë, me arsyetimin, se krijohej kulti i tyre, si në Perëndim, me anë të të cilit, punëtorët dhe fshatarët, që ishin heronjtë e kohës, ktheheshin në qenie inferiore. Fare rrallë mund të gjendjen, vetëm urime telegrafike, në përvjetorë datëlindjesh për shkrimtarë dhe artistë, edhe ato nga vitet 1960-fillimvitet 1970, pa mbërritur fryma e Revolucionit Kulturor Kinez. Datëlindjet e tyre nuk diheshin, për t’i uruar, tek e fundit, gojarisht. Për kolegët, miqtë e afërt dhe punonjësit e Lidhjes dihej datëlindja e Dritëro Agollit (13 tetor 1931), për të cilën ndjente krenari, sepse, sikurse thoshte, kishte lindur në të njëjtin muaj dhe datë me Migjenin (13 tetor), dhe, po në atë muaj, që pat vdekur Naimi (20 tetor), duke lenë të nënkuptohej, se ishte vazhdues i tij. Dhe kjo, dihej, nga që, ai, e festonte në shtëpi, me vizita e urime nga kolegë, miq e të afërt, aty-këtu, edhe figura të larta politike. Datëlindja e Ismail Kadaresë, thuajse, nuk dihej. Edhe, nëse e kishim dëgjuar ndonjëherë, nuk na ishte ngulitur në kujtesë. Shkruesi i këtyre radhëve e ka mësuar, dhe i u ngulit në mendje, nga libri Ftesë në studio, në të cilin, Kadareja ka shkruar: «Kur në letra të ndryshme (anketa, kërkesë për vizë, etj.) shënoj datën e lindjes, 28 janar 1936, vetëtimthi më shkon nëpër mend fjala «e mërkurë». Ti ke lindur të mërkurën, më thoshte shpesh im atë, thua se kjo kishte një rëndësi më vete. Kur ishte në qejf, çka ndodhte rrallë, shtonte se atë të mërkurë, usta Vasili, që e kishin fqinj dhe që na riparonte pullazin e pjesës perëndimore të shtëpisë, porsa e kishte lënë punën për të ngrënë drekë, dhe, ndërsa zbriste nga shkalla, e kishte uruar babanë: me një djalë! Disa minuta më pas, në dhomën e dimrit, që ndodhej pikërisht në atë pjesë të shtëpisë, pullazi i së cilës riparohej, linda unë. Ndonëse nuk e shpjegonte, kuptohej që babai i jepte një kuptim të jashtëzakonshëm urimit të mjeshtrit, që ishte duke vendosur pllakat e gurta, krejt si një mburojë sipër meje, në kohën që unë vija në jetë.» (Ismail Kadare Ftesë në studio, Shtëpia Botuese Naim Frashëri, 1990, faqe 314.)
Në datëlindjet, pas 1991, miq dhe kolegë, lexues të shumtë rendnin ta takonin, të ishin e të ndjeheshin pranë tij. Ata, që, nuk mund ta takonin, i uronin me zë, në telefonin e shtëpisë, ndërsa, në kohën e modernizimit teknologjik, me WhatsApp dhe Email.
Për kundërvënie psikologjike dhe veprimi, për të plotësuar diçka në mungesat tona të kulturës letrare e qytetare, nga një shtytje e vetvetishme, më 1996, me nisjativën time, dhe përkrahjen e disa kolegëve, profesorë e studiues, organizuam një Sesion Shkencor me rastin e 60 vjetorit të tij të lindjes, në sallën e Piramidës. Bërthama e shtytjes ishte bibliografia e botimeve të tij në gjuhë të tjera, e cila, më kishte befasuar dhe më kishte dhënë kënaqësi të madhe, sepse pata mbledhur, aq të dhëna, sa nuk më shkonte ndërmend. Bibliografia e atëhershme, e cila doli në Drita, në vite u pasurua dhe u shumëfishua. Krahas shkrimtarëve, miqve, studiuesve dhe profesorëve, ishin të ftuar njanshmërisht, edhe deputetë, figura politike të Partisë Demokratike: Pjetër Arbnori, atëherë, kryetar i Kuvendit Popullor, Neritan Ceka, deputet, etj , një lloj servilizmi politik i ri i kohës, ende i pranishëm në ndërgjegjen tonë, pasojë e frikës ndaj pushtetit, pasi Partia Demokratike zotëronte Kuvendin dhe qeveriste.
28 janari i këtij viti, 2025, për herë të parë, është pa shkrimtarin njëmendësisht të madh, edhe më i madh për Shqipërinë dhe krejt botën shqiptare, që mbetet e vogël, edhe duke qenë tërësore e me gjithsej. Ai nuk është më fizikisht, nuk bisedojmë dot me të. Nuk dëgjojmë as hapat me këpucët e rënda dystabane, që, pesëdhjetë vjet më parë, kërcisnin kumbueshëm, në oborrin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, te Rruga e Kavajës, saktësisht në orën 12.10-12.20. Pasi mbaronte orarin e të shkruarit, në studion në shtëpi, vinte atje. E kishte orar pushimi dhe shlodhjeje. Donte të dinte, se ç’bëhej në redaksinë e Dritës dhe të revistës Nëntori, në Lidhje, në botime, përkthime, shtëpinë botuese Naim Frashëri, për këtë dhe atë shkrimtar e artist, shoqëruar, të dhënat, që merrte, dhe me mendimin e vet. Herë-herë hynte dhe në redaksi, më tepër, për t’u hedhur romuze redaktorëve, që, rrallë i shihte të aftë, prandaj, i ironizonte “Edhe, ju …!”, “Mjerë, ju!”. Meqë nuk ishte i kafeneve, atje, në oborrin e Lidhjes, e linte të takohej me Lasgush Poradecin për kënaqësi bisede, me Jusuf Vrionin, apo, Vedat Kokonën, që sillnin përkthimet për revistën Les Lettres Albanaises, të cilën e drejtonte prej themelimit të saj. Me kolegët e afërt bënte humor, çuditej me të madhe nga ato që i tregonin, ose, qeshte. Takohej dhe me shkrimtarë dhe artistë të tjerë, më pak të njohur, që i “zinin rrugën”, dhe rrallë, me dashje dhe pa dashje, pranonte, që fotografi i gazetës Drita, Fatos Maliqi, t’i bënte foto me ta.
Edhe në ditët e vështira, të mosafrimit ndaj tij, pas goditjes, që i dhanë, më 1975, (për poemën e pabotuar Pashallarët e Kuq/Në mesditë Byrojë Politike u mblodh), vinte në Lidhjen e Shkrimtarëve, ndonse, rrinte në oborr, përshëndetej dhe e përshëndesnin ftohtë, dikush edhe me një tundje koke, ndonjë ndalej dhe këmbente disa fjalë me të. Lart, në zyra, nuk ngjitej. Shfaqej sa për të marrë rrogën, në zyrën e Llogarisë, ose, në mbledhjet e Kryesisë së Lidhjes, dhe, në to, që mos t’ia merrnin për kundërvënie. I heshtur dhe fjalëpak, edhe në mendimet, që shqiptonte në mbledhje të Kryesisë. Vinte vetëm dhe kthehej vetëm në apartamentin te Rruga e Dibrës, sot Muzeu Kadare, duke kaluar përmes sheshit të madh Skënderbej, i shoqëruar nga hija e vet dhe kumbimi i hapave me këpucët e rënda, në kontrast të madh me më parë, kur, shkrimtarë, të rinj e të vjetër, nuk i shqiteshin pa mbërritur te hyrja e ndërtesës, ku banonte.
Intimizëm në takim me lexuesin e vet, të natyrshëm
Pas 1992-it, në ecje për te Kafe Piazza dhe Juvenilja, hapat nuk i kumbonin, se këpucët e dysta ishin me lëndë sintetike të butë. Njerëzit të njohur dhe të panjohur, kolegë dhe pa qenë kolegë, intelektualë të profesioneve më të ndryshme, i rrinin para e mbrapa, majtas e djathas, i zinin shtëpinë me orë të tëra, në biseda e diskutime të pandërprera deri në mesnatë. Dhe, i pranonte me durim e tolerancë të pazakonshme për të. Ankohej: “Vijnë me orar e pa orar, dhe shtrohen në muhabet deri vonë! Harrojnë që të tjerët (për veten dhe familjen) kanë edhe punë! Nuk u them dot mos ejani!” Bisedat dhe diskutimet ishin krejt të lira e për gjithçka.
Gjatë qëndrimeve në Tiranë, në fillim më shpesh, institucione të ndryshme e ftonin në takime me lexues. Rrallë nuk kam qenë i pranishëm. Nga më interesantët ka qenë takimi në tetor, 2000. Disa pjesë nga shënimet e asaj kohe: “E premte, 27 tetor, ora 17.00, 2000. Qendra Ndërkombëtare e Kulturës (Piramida). Salla e madhe Odeoni kishte më shumë njerëz se në janar për librin Kohë barbare dhe Ra ky mort dhe u pamë, në të cilin kishin ardhur, që nga presidenti i Republikës, ambasadorë, kryetarë partish, deputetë dhe ministra. Takimi qe i ftohtë dhe me pak pyetje, biseda eci me vështirësi, sa Ismaili tha hapur, duke i fyer ata, se ky ishte takim me lexuesit, pjesëmarrja e politikanëve e zyrtarizoi atë.
Në bisedën e sotme vazhdonin të vinin të tjerë, sidomos studentë dhe nxënës. Ismaili i u kujtoi takimin e paradisamuajve, që nuk kishte qenë i gjallë, duke u thënë, se ky takim është thjesht për të biseduar me ju. Mund të pyesni për çfarë mendoni. Unë jam i kënaqur që jam këtu, sepse, ju jeni lexuesit e mi të natyrshëm. Unë shkruaj në gjuhën që flisni dhe lexoni ju, dhe unë jam shkrimtar i këtij vendi. Përveç kësaj, edhe pse kam biseduar shpesh me lexues në shumë vende të tjera, gjithmonë e kam thënë, dhe jam i mendimit, se lexuesi shqiptar është lexuesi më i kulturuar, më i mençur. Ai gjykon me mençuri të madhe për letërsinë. Ca kohë u duk se po lëkundej dëshira për të lexuar, siç ndodhi në të gjitha vendet e Lindjes komuniste, por fakti, që ju jeni këtu, tregon se tek shqiptarët është kthyer dëshira për të lexuar. Prandaj, unë jam midis jush për të biseduar. Mos të thoni pastaj, pse nuk e pyeta, kur ishte këtu. (Salla qesh).
Në fillim pyeti një zonjë: Romanin nuk e kam lexuar, por, me që jam grua dhe, që, 8 marsi është Dita e Gruas, dhe unë kam shkruar diçka për të, mos ka lidhje me gruan? Së dyti: pse lulet e ftohta?
Ismaili: Të them të vërtetën, që të jem i sinqertë, kur kam shkruar romanin, vetëm kjo nuk më ka shkuar në mendje, 8 marsi i grave! (Salla qesh. I pëlqeu shumë sinqeriteti, miraton këtë lloj bashkëbisedimi). Po të nisesh nga titulli, marsi në simbolikën shqiptare është muaji i trimërisë. Marsi vjen nga perëndia mars, perëndia e luftrave, por, romani nuk ka lidhje me këto. Ju pyesni, pse lule të ftohta. Si t’ju a them, ashtu janë lulet e marsit, lule të ftohta, se dhe muaji është i ftohtë, janë lule të ngrira, prej akulli.
– Titulli lulet e ftohta, mos ka ardhur nga që është shkruar në Francë?
– Jo. E vërteta është, se romani është shkruar në Paris dhe në Tiranë. Me që më pyetët për këtë, po ju them, se diçka është shkruar edhe në Japoni. Në Japoni është shkruar përmbytja e qytetit, që sheh personazhi në ëndërr. Ndoshta, nga që, në Japoni, bien shumë shira, atje pata nxitje më të madhe, dhe shkrova për përmbytjen.
Një lexuese: Pse nuk jetoni në Tiranë, tani, që Shqipëria ka nevojë për intelektualët e saj, pasi shumë prej tyre janë larguar?
– Ismaili: Edhe më përpara kam thënë që do vij të jetoj në Tiranë. Këto kohë, siç e keni parë, kam ardhur më shpesh. Por, natyrisht, herë pas here do të shkoj në Paris, sepse kam punë me botuesin tim, që ka edhe të drejtën e botimit në gjuhët e huaja. Për këtë duhet të kem një banesë të përshtatshme. Sapo të rregulloj punën e banesës, do të rri më tepër në Tiranë.
Një gjuhëtar: Gjuhën shqipe, ju e rendisni tek gjuhët kryesore të Europës. Nga niseni që e vlerësoni kaq shumë?
– Ismaili: Shqipja, dihet, që hyn te gjuhët kryesore të Europës. Këtë renditje nuk e bëj unë, por e bëjnë gjuhëtarët, studiuesit e gjuhësisë së përgjithshme. Në çdo libër themelor të gjuhëve, në çdo atlas serioz, shqipja renditet krahas gjuhëve kryesore, krahas gjuhëve neolatine, anglo-saksone, sllave, baltike, etj. Shqipja, greqishtja dhe armenishtja quhen gjuhë jetime, janë të veçanta dhe të pangjashme me të tjerat.
– Nuk jeni lodhur, duke pritur, Nobelin? – ishte një pyetje.
– Ismaili: Ju, ndofta, më merrni inat, me që ju prisni, dhe unë nuk e marr Nobelin, sikur unë nuk dua ta marr, e filloi përgjigjen. (Salla qesh). Po, sigurisht, nuk jam fajtor. Të them, që nuk kam dëshirë ta marr, nuk ju them të vërtetën. T’ju them, se mendja më rri te Nobeli, edhe kjo nuk është e vërtetë. Natyrisht, të marrësh Nobelin është një vlerësim i madh, është zyrtarizim i vlerave, kur vepra ka vlera të vërteta. Edhe vlera e Nobelit është kur u jepet shkrimtarëve që e meritojnë, se kur u jepet shkrimtarëve të panjohur nuk ka vlerë. Vjet, që e mori Gunter Gras, dhe, parvjet Saramago, Nobeli u është dhënë shkrimtarëve, që e meritojnë. Megjithatë, kur e merr Nobelin asgjë nuk ndryshon, as te vepra, as te shkrimtari. Ka vende, që janë indiferente ndaj Nobelit, sikurse ka dhe vende, që e mbiçmojnë. Ju duket si diçka qiellore. Para se të vija në Shqipëri, isha në Kore. Me që ishin të pakënaqur, pse nuk e mori Nobelin një koreanojugor, duke e ditur se jam pretendent, pyetja e parë, që më bënë, ishte, pikërisht, për Nobelin. Ata, thuajse, ishin të sëmurë për Nobelin. Përgjigja ime i çuditi, sepse u thashë, që, nuk është fatkeqësi të mos e marrësh Nobelin.
Një pyetje tjetër. A jeni i kënaqur nga përkthimi i veprës suaj në frëngjisht prej Jusuf Vrionit. Po nga përkthimi në gjuhët e tjera, jeni i kënaqur?
– Ismaili: Jam shumë i kënaqur nga përkthimi i Jusuf Vrionit në frëngjisht. Ai është përkthyesi i veprës sime. E ka filluar përkthimin me nisjativën e tij, dhe nuk e ka porositur askush, p. sh. , Gjenerali i ushtrisë së vdekur. Në fillim e përktheu thjesht për kënaqësinë e vet. Vetëm Viti i mbrapshtë nuk ka qenë i suksesshëm. Për këtë nuk është faji i përkthyesit, por është lloji i veprës. Siç e dini, atje përzihen tre stile: një stil i lartë, kur flitet për shtresat e larta, një stil tjetër për komitët, dhe një stil i përzier me barbarizma, kur flitet për shqiptarët e çoroditur dhe të prapambetur. Për t’ju përgjigjur këtyre stileve, përkthyesit do t’i duhej të studionte, p. sh., një herë frëngjishten mesjetare, e kështu, me radhë. Kjo është punë e gjuhëtarit dhe jo e përkthyesit. Me aq kohë, që ka përkthyesi në dispozicion nuk mjafton për këtë lloj përkthimi, as nuk ia vlen t’i hysh një studimi të tillë vetëm për një përkthim. Lulet e ftohta të marsit, p. sh., në frëngjisht, është përkthyer Lulet e ftohta të prillit, sepse, marsi për francezët ka kuptim tjetër, dhe, do ta merrnin me atë kuptim, pra, do ta keqkuptonin. Prilli për francezët ka atë kuptim, që ka për ne marsi. Unë vërtet jam me fat, që kam një përkthyes si Jusuf Vrioni.
Edhe në gjuhë të tjera, përkthimi është shumë i mirë: spanjisht, gjermanisht. Tani, edhe në anglisht ka përkthime të mira. E quaj veten me fat në përkthime, sepse jo rrallë janë të dobëta e me probleme. Ka përkthime të dobëta, që nuk të vete mendja të përkthehet ashtu. Kundera, kur pa në frëngjisht përkthimin e romanit Shakaja, u trondit sa u stresua, pasi mendimet ishin përkthyer tjetër për tjetër.
Në anë të sallës, Bujari (Bujar Hudhri, botuesi i veprave të Ismailit) kishte vendosur një stendë me botime të reja të veprave në gjuhë të huaja, të cilat nuk i kisha parë gjetkë. Ishin të viteve 1999 dhe 2000. Kur po i shikoja me vëmendje erdhi dhe Ismaili.
– Shikoi, se për ty janë, – më tha.
– Më interesojnë vërtet, se këto botime nuk i di.
Fotografi Agron Kruti lëvizte sa atej-këtej. Merrte në fotografi Ismailin me ata që takohej dhe bisedonte. Ndoshta, më ka fotografuar dhe mua me të.
Bujarit i këshillova t’i regjistronte biseda të tilla të Ismailit me lexuesit. Më shpjegoi, se e kishte marr përsipër ta regjistronet Agron Kruti. Uroj ta ketë regjistruar këtë bisedë shumë interesante.»
Viteve të fundit, vendi i takimeve dhe bisedave, tanimë, të shkurtra dhe me pak veta njëherësh, ishte Kafe Juvenilja, te fundkodra e pyllit të Liqenit Artificial, i shoqëruar përherë prej të respektueshmit, Bujar Hudhrit. Shumë shkrimtarë dhe artistë, shqiptarë e të huaj, kanë marrë foto atje, një pjesë të publikuara në gazeta e rrjete sociale.
Në Paris, mes librave, kulturës, historisë
Mungesa e tij fizike, është, së pari, në shtëpi dhe në familje, pastaj, te Kafe Juvenilja, në Tiranë, dhe Café Rostand, në Paris, në Akademinë Morale e Politike të Francës, te Fayard, shtëpia botuese e veprave, ku shkonte shpesh, si dhe në shtëpitë e tjera botuese dhe institucione me të cilat kishte marrdhënie letrare e miqësore. Por, Parisi, miliona banorësh dhe miliona të tjerë turistë, vizitorë e kalimtarë në vit, është i pandjeshëm, se nuk është sentimental. Pandjeshmëria, përftohet edhe, për arsye, se, në të, shkrimtarët e vet, të njohur botërisht, disa prej tyre nobelistë, francezë dhe të huaj, të natyralizuar në francezë, nuk janë një e dy. Megjithatë, mediat, thuajse, të gjitha, madje, dhe lokale, për humbjen e tij, shkruajtën dhe folën gjerësisht, me vlerësime të larta. Nga një kërkim i paplotë, doli, se, njoftimi dhe vlerësimet për të ishin në 32 revista, gazeta, portale, ndër to Le Monde, Le Monde des Livres, Radio France, Le Figaro, Le Parisien, La Croix, Éditions Fayard, L’express, Le Matin, Le Telegramme, Le Progrès, TeleRama, Courier International, France 24, Centre Europeen, France TV Info, Livres Hebdo, Paris Match, etj. Përveç frëngjishtes, për veprën dhe personalitetin e tij kishte edhe në anglisht, spanjisht, italisht, gjermanisht, apo, të marrë prej mediave të tjera jo franceze. Service de Presse e Elysée-së, Zyra e Shtypit e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, në emër të tij, publikoi e para një vlerësim të gjatë për jetën, personalitetin, veprën dhe rëndësinë e saj në kohët e sotme moderne.
«Sot vdiq një shkrimtar, që, me jetën, me veprën dhe personalitetin e vet, mishëronte pasurimin e dialogut, forcën e frymës europiane dhe prirjen pritëse të Francës. Shkrimtari franko-shqiptar, Ismail Kadare, na la këtë të hënë. Ai ishte nga ata, për të cilët të shkruarit ishte një betejë… Ai na ndërmend parreshtur se si Europa është kontinenti i përbashkët, se si historia e saj është një histori e përbashkët. …..»
* * *
Në vitet 1992-1996, Ismail Kadareja ka jetuar në 40, Rue Violet 75015 Paris, pranë Avenu Émil Zola. Pjesën më të madhe të jetës pariziane e ka kaluar në apartamentin e një pallati, në krye të boulevard-it Sait-Michel, n o 83. Lart portës, anash, në një tabelë mermeri, është e shkruar: Paul Mounet/ tragédien né le 5 octobre 1847 à Bergerac/ mort dans cette maison le 10 février 1922.
Vendndodhja e atij pallati, tanimë, historik për shqiptarët dhe kulturën shqiptare, është në të djathtë të Place Édmond Rostand, me rrethqarkullimin e automjeteve, përbri Jardin du Luxembourg-ut, më i njohuri dhe më i shëtitur prej vizitorëve, me skulptura të perëndive të lashta e mbretëreshave. Në të është Senati i Francës. Ajo pjesë e lagjes është një nga qendrat kryesore, kulturore e urbanistike, të kryeqytetit francez, në mos parësore, edhe në se konkuruese e saj do të vihej, Champs-Elysée-ja, shëtitorja e famshme, shekullore, disa kilometra e gjatë, me vepra arti, arkitekture, parqe dhe sheshe të ngjarjeve historike tronditëse. Njëmendësisht, qendra e atjeshme është zemra kulturore dhe historike e Parisit. Pas pallatit, disa dhjetra metra, në Rue Soufflot, është Panteoni, dhe, ngjitur me të, biblioteka, e veçantë për nga pasuria dhe ndërtesa karakteristike qindravjeçare, Sainte-Geneviève, dhe, Faculté de Droit à l’Université Paris. Në anën tjetër, djathtas, ndërtesa madhështore e hijerëndë e universitetit Sorbonne, me Rue des Écoles, përshkuar në breza nga këmbimi i përjetshëm i liceistëve dhe i studentëve. Më tej Quartier Latin, lagjja e parë, zanafilla historike e Parisit, me rrugë e rrugica marramendëse, me restorante të kulturave më të ndryshme, europiane, aziatike, latino-amerikane, afrikane, me përjashtim të asaj shqiptare, ku gëlojnë në çdo stinë dhe muaj, natën dhe ditën, turistë nga e gjithë bota. Një nga rrugët spërdredhse të asaj lagjeje të ngucur në çdo gjë, është dhe Rue de la Huchette, në të cilën ndodhet Le Théâtre de la Huchette, me një sallë fare të vogël, që të ndërmend kinema Agimi-n, në Tiranë, madje, më e vogël dhe më modeste, si teatër familjar. Pa reklamat e zakonshme, me oraret e shkruara me shkrim dore, ose, të printuara, në të janë luajtur për herë të parë (1952) dhe vazhdojnë të luhen pandërprerje, dramat La Cantatrice chauve/Këngëtarja tullace/, La Leçon/Mësimi, dhe drama të tjera të Eugène Ionsco-s dhe të autorëve të tjerë bashkëkohorë të poetikës së absurdes, ndër më risueset e teatrit modern europian të gjysmës së dytë të shekullit XX. Jo larg, buzë Senës, është Notre-Dame de Paris. Përqark pallatit, majtas e djathtas, janë disa shtëpi botuese të njohura: José Corti, Flammarion, Odile Jakob me të cilat Ismail Kadareja kishte lidhje botimi dhe njohjeje.
Në fund të boulevard Saint-Michel, tej kryqëzimit me boulevard Saint-Germain, nga perëndimi, po aq i njohur, dhe me lëvizje të madhe automjetesh e njerëzish, ka pasë qenë Librairie Gibert Jeune. Në kohërat e leximit, tërhiqte me qindra e mijëra lexues, sidomos studentë dhe profesorë, sepse ishte e specializuar për librin universitar të fushave më të ndryshme, ndërsa, sot, në kohërat e braktisjes së leximit, prej vitesh është e mbyllur, e kthyer në gërmadhë keqardhse. Më lart, për nga Jardin du Luxembourg, është Librairie Gibert Josèph, dikur shemër e fortë e Gibert Jeune. Duke mbetur e vetme, në përmasa të tilla, të mëdha, është fuqizuar, pa ndjerë rrezik rivalizmi. Në anën tjetër, të Saint-Michel, te Place de la Sorbonne, ka qenë Presses Universitaires de France. Sa herë shkoja në Paris, vrapi i parë ishte të shihja librat e rinj të fushës së letërsisë, psikologji-psikanalizës e të dijeve, që lidheshin me letërsinë. Në të kam marrë shumë libra. Ishte e mirëorganizuar, me shërbim shembullor si të kohëve, kur libri lexohej, madje, nderohej e çmohej edhe nga ata që nuk lexonin. E pësoi më keq, se Gibert Jeune, gërmadhë. Nja njëzet vjet më parë, me krejt fondin e pasur të librave, e dogjën turmat e irrituara, ngritur në demonstrata të pa kontrolluara. Pas djegies nuk u bë më kurrë librari. E kthyen në dyqan xhinsesh (!). Sot është një lloj gjellëtoreje moderne «europiane». Klientët, me laptop përpara, duke ngrënë, njëkohësisht, rrëmojnë në Internet.
Në këtë pjesë lagjeje, gjeshur e ngjitur, me universitete, biblioteka, teatro, librari, shtëpi botuese, muze, në mes tyre, ndodhet Place de la Sorbonne. Sheshi duhet të jetë po i vjetër, qindravjeçar, ndoshta, që nga themelimi i Sorbonne-ës, apo, diçka më pas, sepse, emërtimi i tij është në vartësi të emrit të vet universitetit. Shesh i vogël, me disa vepra arti, me dy librari, edhe sot, një e librit filozofik dhe tjera e librit të shkencave të natyrës, nuk është as njëqind metra nga banesa e Ismail Kadaresë. Hapësira e tij, mbyllur, me ndërtesa vazhdim i njëra tjetrës nga tri anë, zotërohet nga monumenti i filozofit Comte Auguste-it, i cili përbëhet nga tri skulptura. Lart është busti i Comte August-it. Anash, në të djathtë, më poshtë bustit, është skulptura e një femre në madhësi natyrale. Në dorën e djathtë mban një fëmijë, në të majtën ka një pendë shkrimi. Djathtas është skulptura e një mashkulli me libër. Përballë është Café-Bar-Restorant-i i famshëm L’écritoire. Deri nga vitet 2000 vazhdonte të ishte kafe e parapëlqyer e shkrimtarëe, filozofëve, profesorëve, shkencëtarëve, aristokracisë intelektuale. Punonin, atje, me orë të tëra, edhe gjithë ditën, diskutonin mes tyre, drekonin e darkonin, pinin kafe, çaj, birrë. Kishte një interier të këndshëm, klasik, me mobilie druri, ngjyrë kafe e errët, me tryeza larg njëra tjetrës dhe me qetësi, sikur nuk kishte njerëz. Bisedohej me zë të ulët. Prej vitesh interieri tradicional është shndërruar në një interier Bar-Restoranti të zakonshëm. Hyn e del kushdo. Të hapësh letrat e të shkruash a të lexosh është e pazakonshme.
Tirana në Café-Rostand dhe Dalloyau
Café Rostand, tanimë, e mirënjohur nga libri i vet Ismail Kadaresë Mëngjeset në Kafe Rostand, motive të Parisit, nga pikturat, që kanë bërë piktorët shqiptarë dhe fotot e publikuara, është, sapo kalon boulevard Saint-Michel, në anën tjetër të tij, në Rue de Mèdicis, përbri Jardin du Luxembourg. Parakafja, në trotuar, është e zakonshme, si shumë e shumë të tjera në Paris. Mjedisi brenda është i madh, përsëgjati, me tryeza e karrige cilësore për dy dhe katër veta, me ndriçim të fortë. E qetë, ku secili është më vete, dhe në punën e vet, të jep dhe të detyron qetësi. Në ato karrige, ai ulej edhe dy-tri herë në ditë, dhe, në ato tryeza ka shkruar qindra faqe, sikurse ka pohuar në libër. «Në këtë kafe kisha shkruar qindra faqe dhe po aq shënime për motive e sinopse, pa u kujtuar asnjëherë për atë vetë, kefenenë.» (Ismail Kadare Mëngjeset në Kafe Rostand, motive të Parisit, Onufri, Tiranë, 2014, faqe 26). Sigurisht, atje kanë pasë shkruar dhe shkruajnë edhe shkrimtarë të tjerë, s’dihet se sa, të shquar e nobelistë, francezë dhe nga vende të tjera.
Në kafe, në Paris, për herë të parë, e kam takuar jo te Rostand, por te Dalloyau, ngjitur me të, në vitin e mbrapshtë1997, siç u quajt në përngjasim me titullin e romanit të tij Viti i mbrapshtë. Ka qenë një takim i rastit, tepër i rënduar pskologjikisht nga ngjarjet, që kishin ndodhur në Shqipëri. Kemi folur me sinqeritet të plotë nga dhimbja e madhe, e përbashkët. Po japim disa pjesë nga biseda, sipas shënimeve të asaj kohe.
“Paris, 13 maj 1997, ora 19.30
Mora krahun e djathtë të boulevard-it Saint-Michel, për të kapërcyer rrugën për në Jardin du Luxembourg. I lëshuar nga lodhja, se kisha ecur dhe ndenjur gjatë në këmbë, duke kërkuar libra te Gibert Jeune dhe Hachette, që nuk ishin shumë larg njëra tjetrës, me një qese (sac) me libra, mendoja të çlodhesha te ndonjë ndenjëse e parkut. Pa kapërcyer për te Jardin du Luxembourg, befas, te kafe Dalloyau më zuri syri Ismailin, ulur, bashkë me Helenën. Thuajse, në të njëjtën kohë më panë dhe ata, të cilët u çuditën, sikurse dhe unë, për shfaqjen time të papritur, e, sidomos për takimin e rastit, që është tepër e rrallë të ndodhë në Parisin e madh, me lëvizje perpetum. Buzëqeshja e lehtë te të dy ishte shenjë e mirëpritjes së një takimi të tillë. Në dhjetor kisha qenë në shtëpinë e tyre. Kishim biseduar gjatë për letërsi dhe politikë, për ngjarje e bëma, dramatike e qesharake, dashakeqëse e cinike, me emra konkretë të «personazheve» të njohur në Tiranë. Mirëpo, prej shkurtit të atij viti, të zi, shqiptarët, kudo që ishin, qenë tmerruar nga ngjarjet e rënda në Shqipëri, që përmbysën pushtetin, qeverinë, dhe shkatërruan Shqipërinë. Kështu, që, biseda kundër politikës dhe politikanëve, ishte e hapur midis nesh.
Karriget e tyre ishin ngjitur te dera e kafes, fare afër njëra tjetrës dhe në rresht. Terrasa ishte e ngushtë për tryezat dhe karriget që kishte. Në një tryezë nuk mund të rrinin më shumë se dy veta, prandaj, u ula edhe unë në rresht, i treti, në tryezën përbri, e cila çalonte, se dyshemeja prej çimentoje ishte me gropa dhe gunga. Përballë nuk mund të rrija. Në atë anë ishte korridorthi i ngushtë në të cilin qarkullonte kamarieria dhe njerëzit, që hynin dhe dilnin.
I pyeta për shëndetin. Ismaili, as nuk u përgjigj, dhe as nuk bëri pyetjet e para të mirësjelljes në çdo takim. Ende pa u ulur unë, tha:
– Ç’bëhet atje?! – sikur ajo, atje, t’i përkiste një bote tjetër lloj, të shenjuar nga e keqja, ku s’mund të shkonte dot, ose, ata, që vinin prej andej, të ishin ndryshe, të dalë prej vorbullës së saj.
Tepër i trishtuar, madje i stresuar, nga ngjarjet tragjike të janar-shkurt-marsit 1997, fola shumë e papushim. Ismaili, herë pas here, bënte pyetje të shkurtëra, duke më nxitur të flisja për ato që i interesonin, e, po ashtu, shprehte shkurt mendimet e veta.
Unë: Lëre, mos pyet se ç’bëhet! Më e keqja është bërë! Ndodhi, ajo, që as në mend nuk na shkonte të ndodhte!
Ai: Të gjithë janë tradhëtarë! Të gjithë do t’i dënojë historia! Filluan kush e kush të shante më shumë vendin dhe njëri tjetrin, dhe e sollën në këtë gjendje.
Unë: Një tradhëti, që nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e Shqipërisë.
Ai: Vetë e bënë. Erdhën forcat e huaja në Shqipëri të vendosin rregull e qetësi! Turp i madh! Japin televizionet e huaja, si kalojnë, në sheshin Skënderbej, tanket e huaja, me snajper!
Unë: Ushtarët grekë, të vendosur në Kombinat (në lagjen e ish Kombinatit të Tekstileve Stalin) , “ruajnë” Tiranën!! Njerëzit nuk dinë ku të shkojnë. Kur hapet ndonjë shteg nisen nga sytë këmbët.
Ai: Edhe aviatorët tradhëtuan. Asnjë nuk ka bombarduar. Gënjejnë, që të justifikojnë arratisjen. Vajtën në Itali për më mirë, por Italia po i torturon në burgje. Edhe ata tradhëtarë janë. Dhe pa e ndërprerë fjalën: – Ç’janë këto komitete të Shpëtimit Publik? Kush është në to? Po, socialistët i përkrahin? Po Forumi për Demokraci ç’rol luan?
Unë: Për ato kam dëgjuar të përmenden në Televizion dhe në gazeta, por nuk di se cilët janë në to dhe çfarë bëjnë.
Ai: Forumi për Demokraci ka për heronj miqtë e Hysni Kapos. Ata që besonin tek Hysniu se do t’i shpëtonte nga Enver Hoxha! Lexo për ta, të marrësh vesh cilët janë! Edhe politikanët nuk janë më të mirë.
Ai: Po Nanua, ç’thotë tani?
Unë: Nanon nuk e kam simpatizuar asnjëherë. Madje, më duket i rrezikshëm dhe egoist. Mbase, e teproj. Për mua është kozmopolit. Mendjen e ka te Greqia, prej nga mund të na vijë e keqja më e madhe. Sa doli nga burgu ia mbathi në Greqi. Thanë, se ka fëmijët dhe familjen atje. Po pse e ka, pikërisht, atje?! E ndihmon Greqia familjen e tij dhe atë?! Pse e ndihmon? Korrespondenti i BBC-së atje, thoshte, se ruhej me blind, sa grekët habiteshin me superruajtjen e tij. Pse ruhej? Ai nuk u kërcënua në Shqipëri, që të ikën koka kot, jo më në Athinë. Të gjithë hanë ku të mundin. Ky është një stres kombëtar, një marrëzi e përgjithshme! Saliu duhet të kishte dhënë dorëheqjen.
Ai: Po nuk do të ishte më keq? Nuk do të destabilizohej më shumë vendi?
Unë: Jo, nuk do të destabilizohej më shumë. Do binte qetësi. Ka urrejtje masive për të. Nga frika, para se të vinin forcat e huaja, nuk ruhej nga Garda e Republikës, por nga mercenarë, kryesisht, nga krahina e vet. Në muajt e parë, kaloja çdo ditë para Presidencës për të shkuar në Fakultet. Nuk më besohej, kur i pashë për herë të parë! Vinin qark Presidencës, të parruar e të paqethur, veshur me rroba ushtarake, pa kapele dhe shenjat e ushtrisë, një lloj me ushtarët e liruar dikur, që ktheheshin në shtëpi. Për të m’u ngulitur në kujtesë, që më vonë mos të dyshoja, se qe vegullia/shajnia ime, kaloja për t’i parë në ishin të vërtetë/realë. Ishin realë, mercenarë të vërtetë! Ai armatosi PD-në. …..
Ai: Këtë e dinë të gjithë, që armatosi PD-në.
Unë: Flisni, se kanë nevojë të dëgjojnë dikë të mençur dhe me mendje të kthjellët.
Ai: Jo. Tani nuk kanë nevojë për asgjë dhe nuk duan të dëgjojnë.
Unë: Jo. Ka shumë që dëgjojnë. Shqiptarët e ndershëm, sot, janë si një familje e madhe, që u ka rënë gjëma dhe e kanë humbur toruan, prandaj kanë nevojë për një mendje gjakftohtë, të mençur, që t’i ndihmojë të vijnë në vete, të përmenden e të kuptojnë se ç’po bëhet dhe ç’po bëjnë.
Ai: Më duket, se nuk kanë më nevojë për mendje.
Për të ndryshuar bisedën për politikën, e cila ishte aq stresuese, e kalova bisedën tek letërsia.
Unë: Kujtoj shpesh veprat tuaja në të cilat keni ngritur lart vetitë e shqiptarit, të kthyera në virtyte. Ndërsa, këto kohë, sa herë kam thënë me vehte: “Mirë ke shkruar, o Ismail, i ke bërë shqiptarët perëndi, por, a je i ndërgjgjshëm se si janë katandisur?!”.
Ai: Unë nuk jam dakord me ata që thonë, se e keqja shqiptarëve u ka ardhur nga që në letërsi janë lavdëruar. E keqja nuk vjen nga lëvdatat, nga himnizimi. Në kohën e Gëtes, gjermanët ishin bajgë, ishin mizerje, as dinin të jetonin mirë, as kishin. Gëtja shkroi dhe krijoi shpirtin gjerman. Muzhiku rus, në kohën e Pushkinit, ishte bajgë fare. Pushkini shkroi dhe krijoi shpirtin rus. Prandaj, janë ngritur e janë bërë të tillë, si janë sot.
Unë: Ju uroj për Spiritus. Vazhdim dhe plotësim i linjës së Koncertit.Kam bërë një shkrim për të.
– Del ndonjë gjë atje? Ç’pyes kot! Atje është mbyllur çdo gjë.
– Drita rifilloi të dalë. Dhe revista Universi Shqiptar i Librit.
– Dhe prapë me atë fjalor, që akuzojnë njëri tjetrin, të ngjallin urrejtje.
……………….
Unë: Keni shkruar ndonjë gjë të mirë, këto kohë?
Ai: Asgjë nuk kam shkruar. Kush të lë të shkruash?! Ku të shkruash me këto që ndodhin!?
– Ngrihemi, – i tha Helenës, se zuri shiu. Dhe këto (pëlhurat e hapura të tendave) i mblodhën. – Edhe ti, ik, tani, m’u drejtua mua, se të zuri shiu. Faleminderit, dhe mirupafshim!
U habita. Pse më tha “faleminderit!?” Kafen e pagoi ai. Ishte i hutuar, apo, më falenderoi për bisedën?! Ndërkohë, midis kaloi një vajzë, që erdhi dhe i takoi. U puthën, këmbyen disa replika me të, pastaj, u ulën përsëri.
Vazhdimësi e ribotimeve
Në nëntor 2024 isha në Paris. Nga forca tërheqëse e përhershme ndaj librave shkova përsëri edhe te Gibert Joseph. Në katin e letërsisë ishte këndi kushtuar Ismail Kadaresë, kulturë nderuese për çdo autor të njohur, që ndërron jetë, veprat e të cilëve i kanë në librari. Ishte foto e portretit të tij, CV-ja me disa nga çmimet e mëdha botërore, që ka fituar. Ishin dhe disa nga ribotimet e fundit të veprave në frëngjisht:
1. Qui a ramené Doruntine?
Zulma/Z, 2022
Livre de Poche
Në ballinën e parë, një fashetë e gjelbër mbështjell librin, me shënimin “Një tregimtar mjeshtër//Un magistrat (?) conteur», marrë nga Libération, shkruar vite më parë.
2. Les tambours de la pluie
Fayard, 2023
Collection Folio Livre de Poche
3. Le Palais des Rêves
Fayard, 2024
Biblio Livre de Poche
4. Chronique de la ville de pierre
Gallimard, 2024
Folio Livre de Poche
Në faqen e Fayard-it gjenden edhe këto ribotime të reja:
1. Disputes au sommet/Grindje në kulm//19. 01. 2022
2. Avril brisé/11. 10. 2023
3. Palais de Rêves/30. 10. 2024
Edhe pse këto të dhëna nuk janë të plota, ribotime me ritmikë të tillë, tanimë, pas gjysëmshekulli, apo, dyzet e tridhjetë vjetëve të botimeve të para, janë shenjë e leximit në vazhdimësi të veprave të tij nga brezat e rinj të lexuesve dhe të studiuesve, prani e pandërprerë e përjetimeve të tyre prej saj.
Kujtesa, domosdoshmëri qeniesore/ekzistenciale e identitetit kombëtar
Në pallatin, ku ka banuar Ismail Kadareja, sipas shënimit te porta, mes shekujve XIX dhe XX, ka pasë jetuar një tragjedian. Të shënuarit e banesave, ndërtesave të vendeve të punës, dhe, brenda në to, të zyrave, laboratorëve, etj. është në kulturën e francezëve, mënyrë e nderimit dhe e ruajtjes së kujtesës kombëtare. Me të gjitha gjasat, është e natyrshme, dhe plotësisht e mundshme, që, te porta të shkruhet, që ka banuar edhe Ismail Kadareja. Po, ashtu, në traditën e kulturës franceze, është, që, me emra figurash të shquara botërore, emërtojnë sheshe dhe vendosin buste të tyre. Për të gjitha gjasat, edhe emërtimi i një sheshi dhe vendosja e bustit të tij, është i natyrshëm dhe plotësisht i mundshëm. Qeveria shqiptare, me institucionet e veta përkatëse, në mirëkuptim e bashkëpunim me institucionet franceze, ta marrë këtë nisjativë misioni, para se ta kryej Franca pa e përfillur Shqipërinë.
Figurë të letërsisë botërore Ismail Kadarenë e kanë bërë kultura dhe institucionet franceze, që e interpretuan dhe propaganduan, pandërprerë e dendurisht, veprën e tij gjatë një gjysëmshekulli. E përkrahën, e mbrojtën dhe i dhanë strehim politik, kur, në Shqipëri, jeta e tij ishte tepër e rrezikuar. Akademia Morale dhe Politike e pranoi anëtar të saj dhe disa presidentë të Republikës e kanë nderuar me Urdhëra nga më të lartat të shtetit.
Presidenti Emmanuel Macron, në Fjalën, që mbajti, në Pallatin e Brigadave, në Tiranë, 17 tetor 2023, pati theksuar: ”Që atëherë, nga kryeqyteti i Francës, në kryeqytetin e Shqipërisë … ju keni ndarë ekzistencën tuaj mes fjalëve dhe gjërave, njerëzve dhe vendeve, në një lëvizje luhatëse mes dy kombeve tona drithma e fundit e së cilës nuk rresht së afruari e së ndërtuari. …. Për këtë rol, si poet i Ballkanit, rapsod i Europës, lajmëtar i lirisë, për këtë lidhje drithëruese, që ju mishëroni kaq çmueshëm mes Shqipërisë dhe Francës, kam nderin, sot, t’ju ngrej në gradën e Oficerit të Lartë, në Urdhërin e Legjionit të Nderit.» Prandaj, ai, tanimë, i përket edhe kulturës franceze dhe vet Francës. Në njoftimin e Zyrës së Shtypit të presidentit Emmanuel Macron, dhe në shumë gazeta, revista e portale informative Ismail Kadareja përcaktohej shkrimtar franko-shqiptar. Edhe në të dhënat biografike qytetaria e tij përcaktohet: shqiptare, franceze, ose, Shqipëri, Francë, dhe anasjellas. Ismail Kadareja ligjërisht e kulturalisht mbetet edhe francez.
Tiranë, 10. 01. 2025