More
    KreuLetërsiBibliotekëYlli Pango: Dy tregime

    Ylli Pango: Dy tregime

    E QUAJTI BUDALLAÇKA

    Ajo shtypi butonin e ashensorit dhe priti. Prapa saj dëgjoi ca zëra të flisnin si fshehtas në gjuhën e vendit…duhet të ishin një çift italianësh të rinj që po i çuçurisnin ëmbëlsisht njeri tjetrit. Ktheu paksa, me delikatesë kokën. Një biondine lozonjare e një djalosh bojalli paksa i ndrojtur por simpatik. Dukeshin moshatarë. I buzëqeshën. Edhe ajo u buzëqeshi. Dera e ashensorit u hap dhe në të gjithë kuadratin e ashensorit të vogël, u duk si në ekran një figurë…asaj ju duk si një fytyrë e njohur mashkulli…ishte me flokë të gjatë e fytyrë të zeshkët tipike indiane. Tek dilte, ai ju buzëqeshi të treve, i përshëndeti me kokë e pothuaj njëherazi edhe alla orientalçe me dy duart kryqëzuar mbi gjoks…Në hollin e hotelit e prisnin dy goxilla bodyguard-ë më shtatlartë se ai.

    Ajo e ai çifti  i ri italian, hynë në ashensor.

    …E zhytur në mendime të saj jo fort të gëzueshme atë mëngjes, ajo papritur ndjeu bezdi nga çifti që i ish dukur simpatik aty poshtë…pak më parë…

    “Che cosa? Che cosa?” ( “çfarë-çfarë?!” ju përkthye asaj), po i përsëriste për të disatën herë mu pranë fytyrës, biondina të dashurit…Dukej sikur po i frynte në buzë…aq afër…sikur nga çasti në çast do ja merrte frymën, do ta puthte… “o Dio…” shtoi biondina, kësaj radhe duke rënkuar. Ai diçka i pat thënë pak më parë në vesh…e ajo sikur nuk donte ta besonte…

    “Çfarë tyrylyçke” mendoi Ajo duke kuptuar se kundër dëshirës, po ndjehej e eksituar paksa…”Dhe sa e ëmbël e e dashur i ish dukur aty poshtë…Kushedi sa e bezdisur do i bëhej me kohën atij djaloshit simpatik, që buzëqeshte me ndrojtje pas çdo pasthirrme të së dashurës, duke parë fshehtaz e si me turp nga ajo…femra e huaj. Ishin pothuaj ngjitur ata të dy e ajo…

    Ajo me mend, e quajti vajzën bionde Budallaçka…

    …Patën rastisur të ngjiteshin në të njëjtin kat…Ashensori nuk kish ndaluar mirë akoma kur ata të dy u hodhën gati me vrap jashtë në koridor. Ajo përpara e ai pak si me turp nga pas. U varën në parmakët e hollit të atij kati e po shihnin, me kërshëri poshtë…sidomos ajo…ish varur krejt e dukej sikur do binte nga çasti në çast poshtë…

    …Dhe befas asaj i vetëtiu në kokë e kuptoi gjithçka.”Ai që patën parë…ai që doli nga ashensori, duhet të kish qenë ai… aktori i famshëm indian i filmave me xhungël…me tigra e me elefantë…ai që u merrte zemrat lady-ve angleze…ai me ca sy si të verdhë në të gjelbër…me gjarpërin e hipnotizuesin brenda tyre njëheraz…

    …Ajo.. po digjej edhe ajo nga kureshtja për ta parë edhe një herë…po nuk po e lejonte veten të shkonte edhe ajo… si ajo Budallaçka te parmaku…gjithmonë nuk i kishte duruar dot fetishet, të famshmit, aktorët sidomos…kish një përbuzje për ato turmat idiote të fansave që çmendeshin për një autograf a selfie… Pat arsyetuar shpesh herë me veten për efektin mediatik të të famshmëve tek mediokrit…çmendurinë zënë fill a arritur kulmin në Amerikën holliwudiane ndofta…Në fund të fundit është efekti magjik i medias më shumë se vetë i famshmi…aktori ….aktori sidomos…në pjesën më të madhe thjesht imitator…me ndjenja të cekta e fluturake, i paqëndrueshëm e fundja mediokër në fundjetën e vet…

    …pat pasur përsiatje të gjatë për aktorin…

    …pat qenë e lidhur për do kohë edhe ajo me një aktor…”nuk është se nuk i njihte edhe nga afër…” mendonte…

    Ajo ishte a e konsideronte veten, një lloj virgjëreshe karshi dhunimit a përdhunimit mediatik të cilit nuk i rezistonin dot femrat…e jo vetëm kokëboshet…edhe ca të tjera inteligjente…Ajo e dinte, e ndjente që nuk ishte snobish, ndjehej e veçantë, e dinte me siguri…ishte mospërfillëse, …së paku e kish provuar se nuk ish si të tjerat. Edhe atë aktorin ajo e pat lënë.. torollakun…

    … i shpëtoi si kurdoherë tundimit( sado të vogël…njeri ishte edhe ajo)…a joshjes së famës…u largua për gjatë koridorit…hapi derën e dhomës… I shoqi (i dashuri) e priste në dhomë, i shtrirë në krevat, me të dy këmbët ngritur lart mbi dy jastëqe… po shihte tv…

    “Hej” i tha ajo… dhe papritmas sikur diçka e shkëputi nga  dera që porsa hapi…kërceu pas, e tërhoqi  prapë derën me forcë nga jashtë..,” ku shkon moj”  i briti ai nga brenda…vrapoi e shkoi u var edhe ajo te parmaku për të parë poshtë…krah për krah me “budallaçkën” italiane e boyfriend-in e saj…

    …Poshtë në holl aktori ish rehatuar në një kolltuk të madh, rrethuar në një farë distance nga dhjetëra njerëz që prisnin të bënin selfie a të merrnin autograf…Bodyguard-ët nuk i linin njerëzit të afroheshin shumë…i shtynin disi me kujdes…aktori  nuk ish ende në gjendje tu jepte fansave dashamirësinë e duhur, sado formale( fansave do u mjaftonte edhe ajo)…Ai po intervistohej. Kamerat e kishin kryqëzuar e ai ndjehej si jo më mirë rehat…këmbë mbi këmbë në kolltukun principal…

    …Pat mbrritur dhe policia( i patën parë policët në hotel që të djeshmen kur mbërritën, po nuk patën kuptuar pse, ndofta ndonjë kriminel i kapur aty “ patën menduar)…

    …Aty nga nata e vonë, kur të shoqin (a të dashurin), e pat zënë gjumi me kohë, Emy Principal, kështu quhej gruaja e re, e gjallë dhe e re edhe sot, vazhdonte kundër principeve të saj, të endej në holl si rastësisht. Ulej e ngrihej kohë pa kohë nga kolltuku ku pat qenë ulur ai, dilte jashtë në ajër të pastër… pinte cigare, kthehej brenda…Pat ardhur një orë kur në holl kishin mbetur vetëm recepsionisti i përgjumur që i hidhte herë herë vështrime kurioze e ajo…

     …Derisa më në fund…vonë fare, ndoshta ndaj të gdhirë… indiani “mediokër” u shfaq mes dy bodyguard-ëve duke ju marrë këmbët. Dukej të kish pirë…

     Ajo e ndjeu veten zonjë të situatës e i mori atij autograf. Gati si me urdhër. Ai pati dashamirësinë të bënte me të edhe selfie. Madje aktori pati kënaqësinë ta përfshinte për beli tek selfionin. Patëm harruar tu themi se për rastësi gruaja e re, Emy Principal, ishte edhe e bukur. “Edhe sexy” do të shtonte aktori. …Ajo e shoqëroi aktorin duke u ngjitur së bashku me këmbë dy kate më lart, e duke biseduar paksa anglisht…vetëm paksa për tema të lehta a të cekta. Kështu deri në derën e dhomës së tij. Aty ajo i tha atij natën e mirë e bëri të largohej. Gjysëm a krejt i dehur, aktori e kapi për krahu e tentoi ta fuste disi me delikatesë brenda. Ajo u ngrys pak, e tërhoqi krahun pa delikatesë dhe u largua pa e kthyer kokën pas. Në fund të fundit për aq i ishte dashur ai. Një selfie (thjesht për qejf të saj, jo si ato budallaçkat që binin rrëshqanthi)…Ai autografi kot…sa për ti bërë qejfin…dhe si mbyllje… një bisedë e vogël sa për të rikuptuar a vërtetuar edhe një herë atë që ajo e dinte prej kohësh, e kishte të sigurt… se çfarë ishin këta…shkurt “tip i lehtë”…dhe aq…

    …Pasi ai pat mbyllur derën e dhomës e bodiguardët ishin larguar, ajo siç e pamë ish kthyer e tani po hynte  lehtaz e pa u ndjerë në dhomën e saj dhe natyrisht edhe të të dashurit… apo ndoshta edhe të burrit të saj( kjo ende edhe sot ka mbetur e pasqaruar). Mashkulli i dhomës së saj gërrhiste në gjumë të thellë e të patrazuar. Dukshëm pa e ndjerë mungesën e saj…

    Ajo hezitoi pak…u pa shpejt në pasqyrë …pastaj doli nga dhoma, mbylli derën lehtë nga pas…dhe u ngjit sërish në katin më sipër…Trokiti lehtaz në derën e dhomës së aktorit që u hap pothuaj menjëherë…

    …Aty brenda ajo ju dha atij, natyrshëm…(natyrisht) e pavirgjër dhe jashtë çdo principi a paragjykimi të mëparshëm negativ për aktorët a njerëzit e mëdhenj…

    LAJM I KEQ – LAJM I MIRË

    …Më pat mbetur merak që në shoqërinë time të kafes së pasdites, askush nuk mi lexonte poezitë. Ndonëse unë nuk jam poet profesionist e as poet me çmime. Thjesht një veteriner me një dell modest poetik. Gjithsesi më është thënë se poezitë për barin e gjelbër, jonxhën, viçin e palëpirë…e natyrisht poezitë kulmore mbi lopën e bulmetin…nuk i kam të këqia.

     Gjithsesi  ndër miqtë e mi, me të cilët pi kafen e pasdites, asnjëri syresh nuk më ka lexuar askurrë, as edhe një poezi. Në fillim kam qenë i keqardhur por pastaj e gjeta rrugën e paqtimit e mora vet-ngushëllim.

    -Së pari ata nuk kanë faj, sepse në kohrat e sotme nuk para lexohet poezi.  Madje as poetit të njohur Barbun, ndonëse ish-spiun e fitues i sa e sa çmimeve, nuk i lexohen më poezitë. Natyrisht e kam fjalën për “lexuesit”, që ai u a fal vëllimet poetike…Sa për shitje vëllimesh poetike as që bëhet fjalë. Pastaj nuk duhet harruar: kjo mosshitje a ky moslexim, është bërë tashmë një vuajtje mbarëkombëtare e poetikës sonë. Thuhet edhe mbarëbotërore. E ky është mbingushëllim…

    -Ngushëllimi i dytë vjen ngase askush nga miqtë e mi nuk ka lidhje me letërsinë jo më si profesion, por as si prirje…madje as si ksehasje(qejf). Njeri nga miqtë fjala vjen është  merceolog. Tjetri gjykonjës… Një tjetër ka prirje të thekur për poker e sado që gjithnjë humbet, cilësohet si asi kombëtar i bllofit. I katërti ksehaset me raki…dhe teori konspiracioni, …natyrisht me të dëgjuar se leximi ka kohë që e bezdis..

    …Kam natyrisht edhe lehtësime të tjera; ndër të cilat faktin që nuk mund të pres që miqtë të lexojnë poezi të mia, kur e di mirë se ata janë gjithnjë të zënë me punëra. Ata nuk gjejnë dot kohën as të lexojnë në celular, në rrjetet tona sociale, ndonjë vlerësim pozitiv, qoftë edhe dy-tre rreshta për poezitë e mia baritore. Madje as “like”-t e ndoca dashamirësve, nuk u a ze syri asnjëherë. Madje as atëhere kur një shoqatë veterinare, mobilizoi gjithë anëtarët e saj,  e në shenjë solidariteti profesional, më siguroi nja 100 like në facebook…prapë, as këto, asnjë nga miqtë e kafes së pasdites; nuk i pat vënë re…

    …Kësisoj u magjepsa kur tek pinim kafen atë ditë, njeri nga miqtë, ai merceologu, më tha duke u rrufisur, se…e pat …jo lexuar por përpirë, një kryeshkrim në faqe të parë gazete, ku unë shahesha me rrënjë e me degë, madje dhe nga nëna e nga baba, gjyshi e gjyshja, …shahesha nga një pensionist-profesionist, lidhur me një poezi timen, ku siç shkruante ai, denigrohej qumështi i Gramshit në raport me çka prodhonin lopët në Librazhd. Madje ai e cilësonte poezinë time jo veç fyerje lokale, por mbarëkombëtare dhe propozonte padi penale se edhe Gramshi siç thosh me të drejtë ai, pjesë e kombit qe apo jo.

    Nuk pat mbrritur mirë ky miku të më jepte kurajën e ngushëllimet, kur mbrrini i dyti, ai i pokerit që më tha se pat humbur një parti pokeri, pasi i ish dashur një kohë jo e shkurtër për të dëgjuar të bijën ti lexonte shkrimin kundër poezisë time e pastaj për të analizuar ai vetë….E më pas për të arritur në konkluzionin se ai nuk qe një shkrim dokudo i një pensionisti pa rëndësi, por punë e një grupi të tërë, që “donte të ma fuste thellë e më thellë”. “ po po të ta fusin…” përsëriti ai me entusiazëm, duke fërkuar duart ndërkohë që porosiste një dopio raki.

    I treti ndër miqtë,  nuk di pse mungonte atë ditë( ai i ka pasur gjithmonë merak biografitë e këqia)…

    …I katërti si zakonisht erdhi. Erdhi dhe ma bëri zemrën mal. Ai bashkëjetonte prej kohësh me një bionde ardhur nga Myzeqeja me të cilën i bashkonte mbi të gjitha përbetimi për të mos  lexuar kurrë…kurrëfarë gazete e as shikuar kurrfarë televizioni. Veç atë ditë nuk dihej pse qe bërë përjshtim…

    …E patën dëgjuar lajmin mbi poezinë time të mallkuar në TV, në pasqyrën e shtypit të ditës…e ai pat rendur vrikthi të blinte gazetën te qoshku, në qosh të sheshit para shtëpisë. Pastaj e patën lexuar; Në fillim e pat lexuar ai, e ajo pat dëgjuar; pastaj e pat lexuar ajo e pat dëgjuar ai…më pas e patën lexuar në duet të dy. Së fundmi i kishin gjetur një melodi e e patën lexuar-kënduar…” me trishtim së toku”…siç tha ai…

    Nuk po ju them, veç këtij informacioni dhënë nga ay vetë, se si më ngushëlloi a ç’më këshilloi ky mik me vlera. Veç vura re me kureshti se ndryshe nga zakoni i përditshëm i kafes së pasdites, atë ditë ai porositi verë dhe i kërkoi kamerierit ti sillte nga ëmbëltorja aty pranë, një tri leçe…për ta shoqëruar…

    …Tek pinte verën miku shtoi, se kish harruar të më thoshte…që për gazetën me shkrimin anti-poetik kundër meje, patën porositur me bashkëjetuesen një kornizë. Për ta kryqëzuar atë shkrim në mur. Ndërkohë bashkëjetuesja pat vrapuar poshtë për të blerë edhe një kopje të dytë të gazetës. Ata kishin menduar ta vendosnin atë në një tryezkë të vogël poshtë kornizës…në mënyrë që vizitori i rastit, pasi të arrinte ti zinte syri gazetën me titullin e madh me emrin tim në faqe të parë…të mundte pastaj, pa qenë nevoja të hapnin kornizën, të lexonte në brendësi, shkrimin në faqen përkatëse..të gazetës së dytë…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË