More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBegzad Baliu: Epoleksikoonomat e prozës së Rexhep Qosjes

    Begzad Baliu: Epoleksikoonomat e prozës së Rexhep Qosjes

    Prej relacioneve ekuivalente deri te qarku resemantik

    Një prej mënyrave me të cilat Profesor Rexhep Qosja i ka ndërtuar prozat e tij “Vdekja më vjen prej syve të tillë”, “Një dashuri dhe shtatë faje” dhe “Bijtë e askujt” I, II, “Nata është dita jonë” dhe “Të fshehtat e treguara”, është edhe struktura e veçantë e rrafsheve kuptimore të toponimeve dhe antroponimeve.

    Në këto vepra numri më i madh i personazheve vetshpjegohën sipas emrave dhe sidomos mbiemrave të tyre. Përmes kësaj veçantie të emërtimit autori ka realizuar efekte të shumta semasiologjike. Struktura e tyre gjuhësore e artistike reflektohet qoftë atëherë kur këto identifikohen si antroponime, patronime e mikrotoponime, qoftë atëherë kur këto paraqiten të organizuara si sisteme më vete: eponime, leksik dhe onoma. Mes tyre autori ka krijuar raporte të shumëfishta motivuese e rimotivuese, konceptuale e kodifikuese, estetike e semantike, sistemesh, fushash e dimensionesh gjuhësore e letrare.

    Rexhep Qosja është njëri prej krijuesve të rrallë, i cili ka shfrytëzuar mundësitë që përmes sistemit onomastik të arrijë efekte estetike, të krijojë një galeri personazhesh dhe të sugjerojë përmes tyre një botë po ashtu komplekse dhe sugjestive. Ai ka treguar prirje prej onomaturgu të vëmendshëm kur ka shenjuar dhe shënuar në detaje tipizimin e ambientit ku zhvillohet ngjarja, cilësitë e individëve dhe nofkat zbunuese të cilat reflektojnë kuptimin e brendshëm të tyre. Personazhet e romanit të tij, pothuajse pa përjashtim, kanë nyje të paravendosur, karakteristikë kjo e traditës sonë etnografike, prej të cilave autori arrin efekt të dyfishtë: onomastik, leksikor dhe estetik njëkohësisht. Madje tash së fundit, studiuesi Shaban Sinani ka tërhequr vërejtjen për nevojën e “hetimit të një nyjeje me funksion aristokratik që del edhe në ligjërimin etnografik”[1], që në projektin tonë hap fushën e kërkimit, nga struktura familjare e personazhit drejt trashëgimisë kulturo-historike të botës materiale dhe shpirtërore të personazheve dhe ambientit të qytetit të Vajazanit.

    Le ta shohim këtu vetëm shembullin e qytetit të Vajazanit, që sikur është thënë shumë herë përfaqëson qytetin e Prishtinës.

     Vajazani: “Në atë kohë, të lashtë, përmes Vajazanit kalonte një lumë i vogël, gati përroskë, të cilit vajazanasit i thoshin Lumi i Mullenjave, sigurisht, për arsye se në verrishtën, që ia kishte pushtuar brigjet, kishte shumë mullenja, të cilat ata i mbanin për të shenjta. (5); Qyteti ishte shtrirë në luginë, i larmë, i gjatë dhe i gjerë, i mjegullisur prej tymtarëve djathtas e i pastër si xhami majtas dhe merrte frymë me një ritëm të rregullt si farë këmbëshumëzi i qetësuar në fund të detit. (37); Në Vajazan jetojnë gjithsej njëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë banorë, prej të cilëve shtatë mijë janë pleq dhe plaka shtatëdhjetë e shtatë vjeçare, shtatëmbëdhjetë mijë janë burra dhe gra të moshës dyzet e shtatë deri pesëdhjetë e shtatë vjeçare, kurse gjithë të tjerët kapin moshën shtatë, shtatëmbëdhjetë, njëzet e shtatë dhe tridhjetë e shtatë vjeçare. Po Vajazani nuk është i dëgjuar vetëm pse e ka planifikuar popullatën në këtë mënyrë unike; ai është i dëgjuar pse ka një traditë kulturore prej shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjetësh dhe pse banorët e tij janë të dhënë shumë pas arteve të bukura e, në mënyrë të veçantë, pas vjershërisë. Vajazanasit tanë nuk kujdesen të vishen posaçërisht mirë; gratë e tyre nuk e ndjekin modën me aq përkushtim si gratë e qyteteve të tjera dhe thonë se veshja është vetëm një lustër e jashtme që, herët më të shpeshta, e fsheh varfërinë e brendshme. Vajazanasit nuk janë as hamës të mëdhenj siç janë qytetarët e tjerë të shtetit të tyre dhe thonë se njerëzit e dhënë pas qejfeve të gojës, zakonisht, e lënë pas dore shpirtin, kurse shpirti i lënë pasdore keqet, xhindoset, sëmuret dhe vdes një ditë. (263); Në qendër të Vajazanit është ngritur një godinë monumentale, e vetmja godinë aq e madhe në këtë qytet, që ka shtatëmbëdhjetë kate, që është e ndërtuar para shtatëdhjetë e shtatë vjetësh dhe që ka një emër të bukur: Tempulli i Letërsisë. Ta them menjëherë se në këtë Tempull janë shkruar të gjitha veprat e mëdha të letërsisë kombëtare, që sot adhuron gjithë shteti dhe, madje, gjithë bota e qytetëruar. Në katin e parë të Tempullit të Letërsisë është Biblioteka e Madhe e Vajazanit, e pajisur me shumë e shumë vepra artistike dhe shkencore, të shkruara qoftë prej vajazanasve, qoftë prej krijuesve të tjerë të shtetit dhe të botës. Të gjitha këto vepra gjenden në dy ekzemplarë: i pari është në origjinal, kurse i dyti është i përkthyer në gjuhën letrare të Kombit. Vajazanasit thonë jo pa ndjenjën e krenarisë, se në botë ka biblioteka më të mëdha dhe më të pasura, por asnjëra prej tyre nuk i ka të sistemuara veprat letrare dhe shkencore ashtu sikundër janë të sistemuara në Bibliotekën e tyre të madhe. Dhe shtojnë: aty gjenden disa vepra, të vjetra dhe të rralla, në botimin e tyre të parë që nuk gjenden bashkërisht askund tjetër. Po vajazanasit krenohen posaçërisht pse askund tjetër në shtet apo në botë nuk u janë krijuar shkrimtarëve kushte pune dhe jete siç u janë krijuar në Tempullin e Letërsisë dhe askund tjetër në botë nuk është bërë hierarkia e tyre historike ashtu sikundër është bërë aty. (267); Nuk ka shumë banor, nuk ka ndërtesa posaçërisht të larta, jetojnë gjithsej njëqind e shtatëdhjetë e shtatë mijë banorë, ka një traditë kulturore prej shtatëqind e shtatëdhjetë e shtatë vjetësh, nuk e ndjekin modën. (271); Banorët e Vajazanit hanë vargje, figura, piktura, shtatore. Nuk ja kushtojnë kujdesin e duhur trupit por shpirtit. Shkrimtarët janë të çmuar dhe të adhuruar. (272); e pat goditur një tërmet rrënimtar. (277); kalonte një lum i vogël të cilit vajazanasit i thoshin Lumi i Mullenjave, gati përroskë, kishte mullenja, shteronte në zhegun e gushtit” (277).

    Në prozë dhe në dramë – ka thënë në një intervistë Profesor Rexhep Qosja, “gratë (si dhe meshkujt) mendojnë, flasin, sillen, veprojnë vetë, varësisht prej rrethanave jetësore, varësisht prej situatave konkrete”[2]. Ndërsa kryepersonazhi i prozës “Laneti”, që këtu del në rolin e narratorit, duke shpjeguar mënyrën e shkrimit të tij, thotë: “shënoj emrat dhe mbiemrat e protagonistëve, profesionet e tyre, lidhjet familjare ose shoqërore, tiparet themelore të karakterit, emrat e vendlindjeve dhe të vendeve, qyteteve e fshatrave ku janë gjetur si dhe fundin e çdonjërit prej tyre”.[3]

    Brenda romaneve dhe sidomos në kuadër të temave që trajtohen në prozat veç e veç, shumë personazhe, me sjelljen e tyre vetetimologjizohen si antroponime dhe patronime dhe vetshpjegohen si verbalizime, ndërsa një numër tjetër i tyre zbërthehen edhe nga vetë autori:

    për Xhaferin e Nallbanit thuhet se “punonte shalaxhi”[4];

    për Arifin e Hamallit thuhet së është i “fortë si demat e Aqifit të Kasapit”;

    për Arifin e Tëhuajzimit thuhet se ishte “njeri i sëmurë prej nervave”, pra ishte njeri i tëhuajsuar, i rrënuar nga dhuna pushtetare;

    për Nadi Sitaxhiun thuhet se ishte “zejtar që punonte kalanica”[5];

    për Skeren e Vidhaxhiut thuhet se ishte i prirë për të shikuar vithe;

    – Për Trashen thuhet se: “Emri që kishte u përgjigjej jashtëzakonisht mirë vijave të jashtme aq sa edhe cilësive të saj shpirtërore: ishte e trashë, si thesi i mbushur miell; i kishte këmbët si shtylla e Teqes së Madhe; i kishte llërët më të trasha se qafa e buallicës së Makes; i kishte vithet e gjera, si të mushkës së Ramizit të Nurës;i kishte cicat e mëdha si të lopës së Canit të Kastratit”[6];

    Një numër tjetër i personazheve vetshpjegohen më për së afërmi përmes patronimeve të tyre që në fakt janë toponime ose mikrotoponime të antroponomizuara.

    Siç mund të shihet, jo për shkaqe formale e aq më pak historike, por para së gjithash për shkaqe simbolike, autori krijon edhe trajta të ndryshme të emërtimeve duke antroponomizuar leksikun, duke patronimizuar antroponimet dhe toponimet dhe duke i zbunuar e madje eponomizuar ato veç e veç, përmes këmbimeve të rregullta fonetike e morfologjike, që kryesisht nuk dalin jashtë normave gramatikore të sistemit të gjuhës shqipe. Kuptohet, asnjëherë kjo nuk është e rastit, sado formal të duket motivi denominues antroponimik ose patronimik i demiurgut. Përmes simbolikës së emërtimit të personazheve, autori sintetizon karakterin e klaneve politike, shprehitë e grupeve kulturore e shkencore dhe pamjen feudale të tyre në jetën e një qyteti, që sigurisht për shkak të tyre dhe për shkaqe të tjera si këto edhe qyteti është emërtuar Vajazan, që po të verbalizohet, merr kuptimin e qytetit që ka zënë vajin. Kjo “është vepra në të cilën jeta shikohet me sytë e dhembjes”, ka thënë në një intervistë Profesor Rexhep Qosja.[7]

    Si paraqiten këto raporte ndërmjet leksikut që ngrihet në shkallën e nocioneve e simboleve dhe leksikut të antroponoimizuar. Një strukturë e pasur dhe e ndërtuar mbi “paradigma përmbajtësore e semantike”,[8] është arritur në tregimin “Horostati”, në të cilën Astriti paraqet kod në vete, pra paraqet kodin esencial (X), ndërsa personazhet e tjera rreth tij, sipas funksionit artistik dhe gjedhes linguistike, paraqesin kodin e përbashkët formal (x1, x2, x3, x4, x5, përkatësisht X = x1 + x2 + x3 + x4 + x5). Në anën tjetër qëndron kodi esencial i Xhezairit të Gjikës (Y), por ai, meqenëse është i vetmuar (Y=Y’), ndaj tij personazhet e kodit x1, x2, x3, x4, x5 sillen edhe flasin veç e veç duke plotësuar mendimin e kodit (personazhit) esencial Y (y1’, y2’, y3’, y4’, y5’, përkatësisht Y= y1’+ y2’+ y3’+ y4’+ y5’.

    Kjo do të thotë se Xhezairi i Gjikës (Y) me konceptet e tij etike e estetike (të mirën, të madhërishmen, të moralshmen etj.), vetvetiu në mënyrë simbolike u kundërvihet koncepteve të X-it (x1 të së keqes, x2 të së shëmtuarës, x3 – dhunës, x4 – urrejtjes etj.), që x-i i paraqet përmes personazheve me emra simbolikë, prej nga edhe mund të krijohen relacionet ekuivalente: x1=x1’, x2=x2’, x3=x3’, x4=x4’, (….)xn=xn’.

    Në formën e një skeme këto raporte do të mund të ndërtoheshin edhe kështu:

    Mirëpo kompleksiviteti i këtij raporti, në leksikun e prozës së Rexhep Qosjes është edhe më kompleks. Me leksikun e prozës së tij mund të krijohen edhe raporte të tjera më të ndërliqshme semantike dhe resemantike, një prej të cilave mund ta ndërtojmë duke u nisur nga qarku etimologjik, të cilin ne këtu po e përplotësojmë dhe po e quajmë qark resemantik:

    Në këtë rast, Astriti është referenca e parë, fjala e parë, është spektër konceptual, por bartësit e mendimeve të tij janë antroponimizuar dhe këtu janë personazhet e tipit antropozoomorfik dhe zbunues, që e rrethojnë: Dashi, Ujku, Meli, Besniku, Kajmaku dhe Galani, ndërsa Xhezairi i Gjikës, drejtpërdrejt bëhet rrezatim i kuptimeve dhe koncepteve etike e estetike, përmes të cilave dialogon me konceptet e “antroponimizuara” të Astritit.

    Personazhet e tilla, prej situatave në të cilat gjenden, në të vërtetë prej strukturës përmbajtësore të prozës, fillimisht paraqiten si eponime, për të mos thënë eponomizohen, pastaj iu referohen dy rrafsheve: rrafshit leksikor dhe onomastik, kur veç e veç e kur njëkohësisht. Në të dy aspektet fjala është për resemantizimin gjuhësor dhe estetik të tyre. Fillimisht këtë strukturë e kisha parë më të thjeshtë, prandaj raportet e këtyre personazheve (me paradigmë eponimesh leksikore apo kuptimore) i quaja raporte konvencionale dhe lineare. Këtë strukturë të resemantizimit, Profesor Shefki Sejdiu, në një studim në fushë të gjuhësisë tash së fundi e ka quajtur qark etimologjik, një nocion që më së miri i përgjigjet edhe kompleksivitetit gjuhësor dhe estetik të ndërtimit të këtyre personazheve. Fjalësi onomastik i prozë së tij është një kompleks raportesh gjuhësore, letrare dhe semantike, prej të cilit mund të ndërtohen qarqe të tëra të resemantizimit jo vetëm gjuhësor po edhe estetik.

    Në disa pjesë të tekstit, prania e onomastikës (antroponomisë dhe patronomisë) del aq e theksuar, saqë personazhet në një masë, jo vetëm bëhen pjesë konstituive e funksionit dhe strukturës së veprës, por krijohet bindja se ato me emrat dhe mbiemrat që mbajnë, nuk kanë funksion tjetër, më shumë se sa të zgjerojmë funksionin emocional përmes rrafshit fonetik, leksikor e stilistik. Në këtë mënyrë, antroponimet dhe toponimet, synojnë të bëhen gjuha poetike e kësaj proze. Natyrisht, emërtimet e tilla të personazheve kanë funksione dhe domethënie të caktuara: ato, në leximin e parë përballë situatave në të cilat paraqiten, shpjegojnë gjendjen shpirtërore të personazheve, botëkuptimin e tyre, karakterin vetjak, vetitë fizike, morale, psikologjike, ëndrrat dhe realitetin, prirjet mendore dhe synimet largvajtëse, prejardhjen krahinore, qytetare apo familjare, statusin shoqëror, pra botën materiale dhe shpirtërore të tyre. Ato shfaqen në vepër si në skenën e teatrit: si hiena, si statuja, si botë kulturore, si fitonime dhe zoonime, si bashkësi politike etj., me funksione që nga proza në prozë plotësojnë imazhe, ambiente dhe qasje autentike, nëpër të cilat udhëton imagjinata e autorit.

    Le ta diskutojmë në këtë rast vetëm epoleksikonomin e njësisë leksikore dash, duke iu referuar skemës së qarkut, të cilin ne po e quajmë qark resemantik.

    Rrafshi i parë: mikrosistemet gjuhësore – estetike

    A: Njësi leksikore   

    B: Njësi estetike

    C: Njësi onomastike

    D: Njësi etike

    Rrafshi i dytë: sistemet semantike

    A: Referencë gjuhësore – leksikore, koncept estetik: dash-i (shenjë gjuhësore, frymor, numër i përveçëm, gjinia mashkullore, -‘njeri i shëndosh’, ‘i bukur’, dhe ‘i hijshëm’ – sidomos për fëmijët etj.)”[9]

    B: Referencë gjuhësore, koncepti estetik: kryemadh (model i veçantë, ‘flokdredhë’, ‘kaçurrel’ etj).

    C: Referencë onomastike: Dash-i (zoonim, emër njeriu, patronim i regjistruar, veç tjerash në komunën e Gjakovës, emër i përveçëm etj).

    Dashi i Mukailit: Vrau babain e Xhezairit, Shpendin (90); kasap (97); Dashi i Mukailit, pasaniku më i madh i gjinisë së kasapëve të Vajazanit, i cili i paska përzier, duart në gjak edhe disa herë të tjera gjatë luftës kurse sot është shëndoshë e mirë dhe s’i ka hyrë as therra në këmbë, përkundrazi. (97); Ishte miku i Astritit. Kishte thënë: Propozoj t`ia thyejmë njërën këmbë Monumentit të Xhezairit. (329); Ishte në grupin e Kapllanit të RrospihesmeGalanin, Ujkun, Melin, Besnikun dhe Kajmakun për rrëzimin e shtatorës së Xhezairit. (292).

    D: Referencë gjuhësore, koncepti etik: ‘njeri kokëfortë’; ‘që mban qëndrim të pandryshuar’, ‘kokëfortësi’ etj.

    Raporte semantike

    Rrafshi I:

    Rrafshi gjuhësor leksiko-onomastik: boshti X – X’ (dash- Dash)

    Rrafshi semantik (estetik dhe etik): boshti Y-Y’ (kryemadh – kokëfortësi)

    Rrafshi II:

    AB: Raporte estetike. Nga koncepti gjuhësor (emër i përgjithshëm – dash-i), në emër të përgjithshëm (kryemadh), respektivisht nga koncepti linguistik në koncept letrar – estetik (kryemadh).

    BC: Raporte gjuhësore. Nga njësia leksikore e përgjithshme mbiemri (kryemadh-i), në njësi leksikore onomastike (Dash), respektivisht nga koncepti letrar – estetik në koncept linguistik (në antroponimin Dash).

    CD: Raporte etike. Nga koncepti onomastik (Dash) në konceptin etik (kokëfortë), respektivisht nga emri i gjinisë mashkullore, zoonimi Dash, në mbiemrin kokëfortë (kokëfortësi).

    DA: Raporte eponimike. Nga një koncept etik (kokëfortë) në njësi gjuhësore eponimike (‘ai sipas të cilit e merr emrin’), respektivisht nga koncepti etik në konceptin gjuhësor.

    ABCD: Qarku resemantik. Tërësia tetragonale e raporteve leksikore dhe kuptimore, e ndërtuar mbi bazën gjuhësore dhe e konceptuar mbi bazën semantike.

    Përfundime

    Në skemën e paraqitur më lart mund të ndërtohen, rindërtohen e mbindërtohen një varg strukturash, relacionesh e raportesh gjuhësore, leksiko-semantike e resemantike të onomastikonit të romaneve të Profesor Rexhep Qosjes. Onomastikoni i romanit të tij është aq i pasur sa të kontribuojë në formimin e shumë strukturave kuptimore, njëherë në rrafshin e shenjës gjuhësore: si topos dhe si tipologji; e pastaj edhe në raportet e tyre leksiko-semantike: gjuhësore, shtresore, kulturore, kohore, hapësinore, komunikuese etj.

    Pra, në prozën e Rexhep Qosjes, në të cilën antroponimet dhe patronimet paraqesin vlera filologjike dhe koncepte estetike e etike njëkohësisht: Dashi (kryemadh, kokëfortë), Ujku (forcë, i pabesë), Besniku (besë, njeri), Kajmaku (lakmi, gjalpë), Galani (i zi, emër) etj., mund të ndërtohen relacione a raporte të plota etike dhe estetike, si ndërmjet Xhezairit të Gjikës (Y) dhe Astritit (X) ashtu edhe ndërmjet personazheve të tjera. Mbi strukturën dhe raportet gjuhësore e semantike të vetëm këtij shembulli mund të ndërtohet një sistem kompleks gjuhësor e (re)semantik tjetër me përmasa dhe raporte shumëdimensionale.

    Me këtë rrafsh strukturor e semantik, gjuhësor e letrar, Profesor Rexhep Qosja e ka pasuruar fjalorin onomastik të letërsisë bashkëkohore shqiptare.


    [1]  Shih, Shaban Sinani, Kur miti është ngritur në dëm të tjetrit, në librin, “Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës”, Argeta-LMG, Tiranë, 2006, f. 10.

    [2]  Rexhep Qosja, Nocione të reja albanologjike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1983, f. 247.

    [3] Rexhep Qosja, Vdekja…, f. 82-83.

    [4]  Po aty, f. 195.

    [5]  Po aty, f. 65.

    [6]  Po aty, f. 21-22.

    [7]  R. Qosja, Nocione, ….. f. 247.

    [8]  Shefki Sejdiu, Rreth disa motiveve denominuese në antroponimi, në “Gjurmime Albanologjike – seria e shkencave filologjike”, nr. 21 – 1991, Prishtinë, 1992, f. 63.

    [9]  Grup autorësh, Fjalor i gjuhës së sotme shqipe, Akademia e Shkencave e Shqipërisë – Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, Tiranë, 1980, 294.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË