More
    KreuKinematografi“100 vjet vetmi”, përsiatje: Një adaptim magjepsës i një romani “që nuk...

    “100 vjet vetmi”, përsiatje: Një adaptim magjepsës i një romani “që nuk bëhet dot film”

    Nga Keith Watson, Telegraph

    I atillë është nderimi ndaj romanit fitues të çmimit Nobel “100 vjet vetmi” të Gabriel García Márquez-it, saqë sigurisht përpjekja për t’i kthyer temat e tij gjigante dhe imagjinatën magjike dhe realiste në seriale televizive do të ishte një ndërmarrje prej budallai.

    Të paktën, këtë mendova ndërsa episodi i parë i këtij adaptimi epik nisi dhe klani Buendia, fatet e të cilëve pësojnë ulje, ngritje dhe sërish ulje në rrëfimin porsi labirint të Marquez-it, filluan të tregonin veten. Megjithëkëtë, si të dorëzohesha në aftësitë e fshehta të një hipnotizuesi, bota ime butësisht u ndërkall në botën Buendia.

    Ajo çka merr nga kjo qasje besnike por jo deri në ekzagjerim ndaj Márquez-it është një histori njerëzore e thurur mbi një pëlhurë që mbulon tema të përjetshme. Lufta mes besimit dhe logjikës, racionales dhe besëtytnisë, përshkon përvojat e familjes së madhe Buendia që, nën udhëheqjen e patriarkut José Arcadío, themelojnë qytetin e Macondo-s në një skaj të harruar të Kolumbisë. Këtu mund të fillojnë një jetë të re, secili me nga një fletë të bardhë.

    Temat universale që Márquez-i trajton – korrupsionet e fuqisë, sa për të filluar, por ka gjithë ato të tjera – shfaqen gradualisht si dëshira, fe, zili dhe politikë, por jo domosdoshmërisht në këtë rend, dhe fillojnë të përbaltin ujërat ideale të Macondo-s.

    Është një rrëfim historik i vendosur në Amerikën e Jugut, por nuk të duhet të gërmosh shumë thellë për të parë paralelet bashkëkohore. Macondo, një qytet i lindur nga pafajësia dhe shpresa, shkërmoqet teksa historia shpaloset, duke u bërë fokusi i një shoqërie intensivisht të ndarë ku duhet të vendosësh në cilën anë je ose të paguash çmimin.

    Por teksa kjo është tabloja e përgjithshme, ajo çka mbetet në ballë të narrativës është kostoja individuale njerëzore. Nuk ka retorikë haptazi politike, vetëm ndjenjë të dhimbshme nostalgjie përzierë me zemërim të zbehtë për pafajësinë e humbur.

    Për shikuesit britanikë, ajo që u vjen në ndihmë jashtëzakonisht shumë është se kasti është i shkëlqyer dhe përgjithësisht i panjohur, duke krijuar kështu një botë bindëse e cila është njëkohësisht e njohur dhe prapëseprapë, e çuditshme. Fantazmat përndjekin ndodhitë, por nuk kemi të bëjmë asnjëherë me një histori horror; priftërinjtë ngrihen në ajër, por për këtë ka një shpjegim racional. Ajo çka bën aq mirë ky adaptim është marrja e imagjinatës së Márquez-it ashtu sikurse është dhe na lë ne ta kuptojmë vetë atë.

    Aktorët janë të shkëlqyer. Marledy Soto Rivas, si versioni i moshuar i matriarkes Buendia, Ursula si dhe Claudio Cataño, djali që studion i cili kthehet në revolucionar, Aurelianoja pra, performojnë në mënyrë të jashtëzakonshme si gurë themeli: Ajo, mbrojtëse e fuqishme e familjes; ai, mishërim i kotësisë së neutralitetit përballë padrejtësisë. Por e tillë është atmesofera e krijuar, aq e fuqishme sa vështirë ta dallosh që në ekran po sheh performanca.

    Nëse ka një paralele, ajo është ndjenja që merr kur sheh Roma të Alfonso Cuaron apo Boyhood të Richard Linklaster, vepra me të cilat ka ngjashmëri ky adaptim mahnitësh. Kërkon ama goxha angazhim: Tetë episode, secili më tepër se një orë si dhe pjesa e dytë që do të sjellë edhe tetë të tjerë. Por është një angazhim që ia vlen.

    Përktheu A.D.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË