More
    KreuLetërsiBibliotekëEsmeralda Shpata: Rasti për të këmbëngulur (katër tregime)

    Esmeralda Shpata: Rasti për të këmbëngulur (katër tregime)

    RASTI PËR TË KËMBËNGULUR

    Nean është tërhequr shumë këto kohë. Nuk e vret mendjen në është i pëlqyeshëm për veten  dhe miqtë e tij. Dhe ata si Nean, tani janë zbutur, janë shtruar shumë. Jeta u ka rënë në një monotoni të rrafshët dhe kanë ngecur brenda shtëpisë dhe rutinës.

     Ka ca kohë  që atij  i është kthyer një fiksim i vjetër. Në fillim dukej se shpëtoi, i ishte larguar, por jo, Nean vuan. Vështrimi i tij është i zbrazët dhe tronditës. Ai është përqendruar tani mbi lisin që ka para jermit të vet.

    Nean ka një hall të madh.  Flutura që e josh pa pushim në hijen e lisit ka një këmbë më të shkurtër se tjetra.

    Ç’po i duhen këmbët fluturës?

    Asaj nuk i duhen fare këmbët. Po i duhet rasti. E ul poshtë të tashmen. Për një çast ajo është një larvë dhe po shpërndan një tharm të çuditshëm. Ka dy sy të qelqtë. Ajo qesh. Të qeshurën Nean ia ka marrë, ia ka mbyllur në një sferë të zbrazët dhe ia ka ngrirë mbi buzë.

    Flutura ka ngrirë. E tashmja i ciflos çastet. Nean vuan.  Nuk mund ta pranojë  fatin e mangët të një fluture. Vdekja ka dritë. Shpirti lëviz degët. Lisit i kërkëllitin rrënjët.

    Nean sot përplasi kokën. Pësoi një shurdhëri të madhe dhe një verbëri të plotë. Pas këtij aksidenti mbeti në vend, prani trupore me tepricë.

    Ç›pamje tronditëse!  Një flutur e vogël dhe e çalë i rri mbi krye.

    ME QENË VETËM

    Po ngjitet shkallëve. Kishte dalë nga puna si zakonisht. I ishte dorëzuar monotonisë dhe deri në çastin që po shkonte për tek apartamenti i vet as nuk e kishte vënë re, ç’kishte bërë  e kë kishte takuar përgjatë atyre 1000 metrave e gjysmë ore rruge.

    Në duar kishte zarfin që kishte marrë në postë. Dy qeska me fruta e perime, kos e qumësht që i bleu te shitorja e lagjes, një pako me letra A4, çantën e punës dhe xhupin e lehtë. Dhe këto ngarkesa nuk i ndjeu, as kur i bleu, as kur i mbajti. I lëshoi para portës së tij. Shikoi majtas-djathtas si i ngarkuar me një mision të fshehtë. U shtri sa gjatë e gjerë mbi rrugicën e vogël që shërbente për të fshirë këpucët. Vuri veshin në hapësirën e padukshme midis pragut dhe derës dhe filloi të përgjonte. Nuk ka fjalë.

    Ajri i ngrohtë dhe i ndenjur që vinte nga brenda po i mbushte flegrat e hundës. Ndiente ca pëshpërima të largëta, ndaj e rriste edhe më tepër përqëndrimin e veshëve mbi çimenton e zezë.

    Parë nga lart gjithçka qe komike.

    Nga kati i mësipërm po kalonin këmbë njerëzish, të cilat i dhanë një të shtyrë në ije për të hapur rrugën që të zbrisnin shkallët. Ia dhanë të qeshurit me të madhe dhe thanë: “Zot na ruaj mendjen!”.

    As e prishi terezinë fare. Madje, as e çoi mendjen  që ua pa të mbathurat  në rrëzë të këmbëve, këmbëve të mbuluara deri në nyjë me fustane shumëngjyrëshe. Dramatike.

    Si ndejti gati dhjetë minuta ashtu shtrirë para derës së tij, u ngrit. Shkundi pluhurin nga rrobat, futi duart në xhep, nxori çelësin dhe hapi derën.

    Mori gjërat që kishte lëshuar në tokë dhe e mbylli derën nga brenda.

    I hodhi një vështrim sallonit. Mendimet e tij ishin rehatuar dhe ishin ulur të shtendosura nëpër karrike. Ndjesitë ishin zbutur dhe prisnin të qeta mbi tryezë. Një merimangë, e veshur për merak me saten e kamosh nga këmbët e nyjëtuara, kujdesej që mos ta shqetësonte asnjë insekt. Drita e verdhë që kishte mbuluar dhomën ndonjëherë dërgonte ca sinjale të mekura të bardha.

    Eci në majë të gishtave pa ia prishur rehatin askujt. Hyri në banjë, hapi rubinetin dhe futi kokën në ujin e ngrohtë. E shkumëzoi kurrizin duke e fërkuar me një furçë me bishtë të gjatë. U kujtua që kishte pjesë të tjera për të larë, megjithëse po i digjte vendi i skuqur mbi shpinë. I filloi me radhë, nxitoi se uji po ftohej. Nuk ishte i çmendur.

    Këto ndodhën sot. E vendosi qumështin dhe kosin në frigorifer. I lau me ujë të bollshëm perimet dhe frutat, bëri një sallatë të lehtë, pjesën tjetër e rregulloi në vasketa. Me merak dhe rregull i vendosi edhe ato në frigorifer. Kutinë  e letrave e çoi te tryeza, do të shkruante, do t’i mbushte plot me përjetime. Hapi zarfin, mori në duar certifikatën e çregjistrimit nga kjo jetë. Mori kutinë e ndihmës së shpejt me shenjën e kryqit. Nxori prej saj bisturinë dhe filloi t’i priste trupit gjithçka. Dhimbja nuk kishte të sosur, megjithëse asnjë bulë gjaku nuk dilte, gjithçka kishte ngrirë. Tani e kishte të qartë, kishte një jetë të tërë që kishte vdekur.

    LËRENI TË LIRË

    Kur një grua gjendet e lumtur në një cep të harruar të botës. Kur pasi ka marrë dy qetësues të fortë në një shtrat spitali me pamje si të para tetëdhjetë vitesh, lëreni dhe pranojeni si të lumtur pa e gjykuar cilat shkaqe e bënë të ndihej ashtu.

    Kur nuk dini si ta shpjegoni se ç’e mban gjallë atë lumturi në dejet e saj. Kur ka ditë të tëra që nuk i afrohet një “linku” për të mësuar gjuhë tjetër, për të ikur atje ku është ajo gjuhë tjetër, mos e pyesni pse. Ka arsyet e veta për të mos ikur.

    Kjo grua për herë të parë dëgjon që bullgarishtja është një gjuhë e bukur. E për herë të parë hamendëson si mund të merresh vesh me fqinjin që di vetëm rusisht. Është çudi që vazhdon të jetë e lumtur.

    Nëse lumturia merr guximin e shfaqet si e ndien të jetë, jepini fytyrën e kësaj gruaje, sidomos kur e lë veten të shkruajë pa e ndërprerë këtë gjendje për orë të tëra.

    Që lumturia të mos jetë e rëndomtë, popullore, me fjalë dhe rrahje të zakonshme zemre, shikojani hovin e hedhjes së kraharorit kësaj gruaje. Me hamendje ia vini pëllëmbën mbi gjoks dhe lëshojeni veten si mbi ujë.

    Kur të zgjoheni nga dehja, se patjetër do të humbisni në krendjet e shpirtit të saj, ulërini me sa të keni në kokë:

    – E kujt është kjo grua?!

    Thurni me mendje të gjitha planet e Zotit e të njeriut për ta ndier tuajën, por jo, duhet të jeni pastrues me kuptimin e plotë të fjalës të mbërrini te pjesa më e larë e shpirtit të saj.

    Dhe kur ta shihni të lumtur, ikni që të mos ia prishni për asnjë çast këngën e shpirtit.

    Le të shkojë në dreq bota me rregullat e veta, ne kemi fjalët, ato kanë lëndën e tyre që është mbrujtur ku ngjizet jeta, mu në eks të shpirtit.

    NGJITEMI TË DY LART?

    – Mirë, kushti është të jemi të zhdërvjellët dhe të hareshëm si dikur. Mua më janë ngurtësuar këmbët, as në të përpjetën, as në të shkuarën nuk mbërrijnë dot, por nuk do të dorëzohem, do t’i vë në punë me mendje.

    – Të kujtohet kur të ndiqja pas dhe m’u bënë shputat tërë kallo? Ime më bleu qepë Korçe, i grinte për çdo natë dhe m’i vendoste në çorape, fjeta dy javë rresht me to.

    – Po, kur t’u shëruan ma tregove ç’të bëri derman. I hoqe çorapet dhe ngrite këmbëzat e pantallonave deri në gju. Më përndiqje me sy si do t’reagoja ose për arsye të tjera, s’e di.

    – Ha-ha, po ç’është kjo hamendje?!

    Këmbë janë, kanë marrë përsipër të ecin. Të ngjitin  kodra e kohë për të mbërritur në fund të një mendimi ndoshta të arsyeshëm.

    – E drejtë! Kemi lindur këtu dhe ngatërrohemi, ca vetë, ca nga erërat që fryjnë e na shtyjnë nga duan.

    – E shikon?!

    – Po më drejtojnë poshtë. Ti më dukesh si tjetër njeri. Unë të afrohem me frikë, dua ta di cili je. Për një çast m’u duke si bukë vale, pak e ngrohtë dhe e lyer me mjaltë. Të afroj te hundët, thjesht për të marrë erën e brumit të sapopjekur. Ti më shkrin nëpër duar dhe m’i njom llërët gati deri në bërryla.

    – Ç’paske qenë për trille, hiq dorë nga përshkrimi dhe ha, hë të lutem!

    U plakëm, asgjë s’e kuptuam kur e patëm. Tani lëri fjalët dhe më bëj pak vend të dremis në fund të shtratit. Më mbulo pakëz gjunjët me batanije, ka kohë që më rrinë të ftohta dhe më tregojnë ç’ka ikur.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË