More
    KreuLetërsiBotime të rejaDoli nga shtypi libri i akademik Vasil S. Tole “Dhora Leka, kompozitorja...

    Doli nga shtypi libri i akademik Vasil S. Tole “Dhora Leka, kompozitorja e parë”

    Dhora Leka është kompozitorja e parë në hapësirën mbarëshqiptare, e në një lloj kuptimi kompozitore që e bëri historia. Në mënyrë të veçantë, këngët e krijuara prej saj, gjatë viteve të pushtimit fashist e nazist, konsiderohen si një kulminacion i krijimtarisë së saj e po ashtu etapa e fundit e repertorit muzikor patriotik shqiptar, ku përfshihen këngët për liri dhe pavarësi (1878 – 1912), ato të luftërave çlirimtare si të Vlorës më 1920-n dhe, më së fundi, këngët e Luftës Antifashiste (1939 – 1944).
    Këto “këngë të luftës për liri”, si vazhdim i muzikës sonë patriotike, mbajnë në notat dhe pentagramet e tyre frymën liridashëse të shqiptarëve dhe aspiratat legjitime për të qenë si të gjitha kombet e tjera të Europës. Këngët e kësaj periudhe (dhe vetë Dhora si Këngëtare e zjarrtë e Luftës për Liri ), çmohen dhe janë tashmë një nga format unikale të trashëgimisë sonë artistike, bartëse të këtij shpirti të lirë shqiptar, të denja për të qenë në fondin më të mirë të kësaj muzike në nivel ndërkombëtar.

    Krijimtaria e Dhora Lekës nuk kufizohet vetëm te këngët, pasi ajo, pas përfundimit të studimeve në Konservatorin “Çajkovski” në Moskë, në vitet 1948 – 1953, u perfeksionua muzikalisht dhe u shumua në lloje. Vepra të tjera muzikore, vokale dhe instrumentale ajo shkroi pas viteve 1990, edhe pse jo të shumta. Por asgjë nuk është e ngjashme me atë periudhë krijuese, kur kompozitorja e parë e muzikës shqiptare nuk e dinte që arma e saj e vërtetë në luftën për çlirim nuk ishte pushka, por kënga.

    Dhora Leka do të mbetet në muzikën e gjysmës së parë të shek. XX si kompozitorja më e njohur e këngëve patriotike, që me fuqinë e artit të saj do të pohonte vlerat që mbart lufta e drejtë e një populli për liri dhe dinjitet. Për këtë arsye, në 100-vjetorin e lindjes së kompozitores dhe në prag të 80-vjetorit të çlirimit të vendit nga pushtuesit nazifashistë, po i përcjellim ato përmes këtij botimi në nderim dhe vlerësim të kësaj trashëgimie muzikore unikale.

    Me Dhora Lekën dhe krijimtarinë e saj në fushën e muzikës, posaçërisht atë të këngës, ka ndodhur diçka e pangjashme në krejt historinë e muzikës botërore: këngët dhe meloditë e kompozuara prej saj këndoheshin tej e mbanë Shqipërisë e më gjerë, ndërsa autorja e tyre, për gati 40 vjet, gjatë diktaturës komuniste nuk u përmend fare, thuajse nuk ekzistonte. Me sa duket, ky fat i trishtë i jetës së saj njerëzore, për fat të mirë nuk ndikoi në përhapjen dhe transmetimin e muzikës së saj në popull, muzikë e cila, në fakt, mbart shpirtin e vërtetë të Dhora Lekës. Ndoshta për këtë arsye, ende sot, kjo muzikë patetike dhe patriotike, e mbështetur në traditën më të mirë të muzikës kombëtare dhe asaj botërore, e krijuar prej idealizmit të saj dhe të rinisë shqiptare të atyre viteve, bash mu në zemër të popullit, rreth vatrës familjare dhe majave të maleve, mes shiut, borës dhe ngricave, do të mbetet një rast i jashtëzakonshëm i trashëgimisë sonë shpirtërore në fushën e këngës, për rrethanat si u krijua dhe rolin e jashtëzakonshëm që luajti.

    Ende është e pashpjegueshme se si Dhora Leka, një partizane e re, pa përvojë muzikore krijuese dhe profesionale, në vitet 1942 – 1944 ia doli të krijojë, përmes këngëve antifashiste, jo vetëm pjesën më të ndritur të krijimtarisë së saj muzikore, por njëkohësisht, të ndikonte me peshën e kësaj krijimtarie në popull, duke përndezur dhe frymëzuar përsëri (ashtu si dikur këngët patriotike të Rilindjes Kombëtare), ndjenjat e një populli të tërë për liri, gjatë Luftës II Botërore.
    Këngët e saj, që në çastin që u krijuan, u bënë shumë shpejt zëdhënëse të frymës së rilindjes dhe aksionit popullor ndaj pushtuesve fashistë e nazistë. Në këtë vështrim, muzika e Dhora Lekës është vazhdimi i natyrshëm i muzikës dhe i këngëve patriotike shqiptare të Rilindjes Kombëtare dhe të Pavarësisë, të cilat formësuan në muzikë jo vetëm reagimin popullor për liri dhe pavarësi, por kulmuan duke krijuar njërin prej simboleve tona kombëtare, Himnin Kombëtar, me njërin prej atyre krijimeve, pikërisht me këngën Rreth flamurit të përbashkuar.
    Ajo vetë besonte se ishte vetëm një përcjellëse në melodi e asaj fryme popullore për liri, pasi këngët, në një lloj kuptimi, gati-gati u krijuan vetë, por ama ajo diti t’i “lindte” ato siç duhej. Në këtë kuptim, këngët e Dhorës janë fëmijët e saj. Jeta e privoi që të kishte familje dhe fëmijë, por a nuk janë krijimet e saj edhe një arsye më shumë për të kuptuar dashurinë dhe vlerat artistike që ajo mbartte?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË