Nën ndriçimin magjik të ngjyrave që kombinoheshin në pjesën ballore me rrezet që mbulonin dyshemenë e skenës, diku midis lejlasë e portokallisë, skena e Universitetit të Arteve krahas akustikës përherë të admirueshme, dukej se shkëlqente pas konstruksionit. Sa herë ngjiteshe të interpretoje në të, provoje të njëjtën ndjesi lirie, hapësire, që ofronte padyshim salla më e mirë. Çdo shfaqje ka specifikat e saj, sa të ngjashme dhe njëkohësisht të ndryshme njëra prej tjetrës, ndikuar nga përjetimet, veprat, bashkëpunimet, emocionet, publiku. Më kish pëlqyer gjithmonë ajo ndjesi madhështie që ofronte skena e hapur, segmenti i udhës nga pas kuintave dhe mungesa e asaj perdeje ndarëse që edhe pse të afronte me publikun dukej se merrte një pjesë të sipërfaqes së skenës. Për këtë arsye ishin lënë të dukshme podiumet e koncertit simfonik që pritej të realizohej pas disa ditësh. Pothuaj gjithë instrumentat e perkusionit gjendeshin në skenë mbi ato podiume, a ndoshta rastësisht shfaqeshin si një dekor i paramenduar që i përshtatej koncertit të asaj mbrëmjeje. Në heshtje dukej sikur trumbetonin diçka të veçantë. Veprat që do interpretoheshin ishin të gjitha të krijuara në kohën që jetonim, ndoshta pak vite më pare, madje disa nga pjesët vinin premiera enkas për koncertin. Zakonisht ai termi “premierë botërore” që përdorej shpesh më dukej si i ekzagjeruar, ndërsa fjala premierë ngjan më e përshtatshme. E veçantë ishte ideja se në disa pjesë pianistja me të cilën interpretoje ish dhe kompozitore, krijuese e veprës. Një raport ndryshe ky krijues- interpretues krahasuar me koncertet e tjera ku instrumentisti është performues, e mundohet ti japë shpirt veprës, brenda kornizës së krijuesit. Këtë herë në skenë luaje dy role dhe këto ndryshonin gjatë koncertit. Fillimisht interpretoje me një pianiste duon e krijuar disa muaj më parë, më pas pianistja tjetër ishte krijuese e veprave. Koncerti ish ndërtuar nga kjo veçanti, ku herë violinisti e herë pianisti shfaqeshin në dy role njëkohësisht, të krijuesit dhe interpretuesit. Ish një traditë e bukur e kohëve të vjetra të mjeshtërve të mëdhenj, ndërsa ideja se në skenë interpreton bashkë me krijuesin e veprës, apo ti vetë je krijuesja të emocionon fort. Gjithsesi janë dy role të vështira për një sërë arsyesh, disa të përbotshme e disa shqiptare.
E ftuara speciale ish pianiste, kompozitore dhe midis roleve të skenës luante dhe një rol tjetër të rëndësishëm, atë të themelimit dhe udhëheqjes së “Swiss Female Composer”, festivalit dinjitoz që promovon me koncerte, botime, krijimtarinë e femrave kompozitore në Zvicër. Kohë më parë kisha dëgjuar disa herë tingujt e mrekullueshëm të veprave të Katharina Nohl, e sidomos ”Rapsodinë për piano” të shpallur fituese të “Global Music Award 2022”, apo veprën “By the Baltic Sea” me orkestër, ndërsa videon e pjesës së saj më popullore që interpretohet me instrumenta të ndryshëm e kisha shijuar teksa admiroja tingullin e ëmbël të violinistit dhe artistit të famshëm Aleksey Igudesman në një duo me Katharinën. E prita me padurim ardhjen e saj në Tiranë, si një eksperiencë unike jo vetëm e lojës në skenë me kompozitoren, aq më tepër kur do interpretonim për herë të parë pjesën e saj të saposhkruar për violinë e piano, po gjithë atë atmosferë provash, bisedash që do i pagëzoja me termin “ aromë zvicerane”. I mbështjellë me një copë me lule, instrumenti i veçantë i quajtur “rainmaker”, imitues i shiut, u bë pjesë e veprës së fundit të koncertit, u shndërrua në një instrument komunikimi me publikun madje me një brez fare të vogël që talentin për muzikën dhe skenën e shfaqi rastësisht në koncert. Kjo pjesë e fundit e shkëputur nga vepra e saj “Piano Brodgar” për piano, violinë , rainmaker dhe triangolo improvizoi këtë përfshirje të publikut në skenë .
Bashkë me pianisten kish ardhur pa kuptuar, pa menduar një krijim i ri të cilin e quajta “Sonatë për violinë e piano”, një vepër e plotë prej tre kohësh. Dashuria për pianon më kish mbetur nga fëmijëria e largët, që atëherë kur mundohesha të shndërroja një fizarmonikë në një të tillë, ndërsa ndër vite ato tinguj të magjishëm që vinin nga ai instrument bardhë e zi, ishin orkestra e fëmijërisë, e çdo kohe, që i visheshin gjithë veprave dhe të bënin të besoje se muzika e ndërthurur e dy instrumentave është magjike. E nëse dikur pianoja kish veshur me petk unik koncertet më të bukura të repertorit violinistik, nëse dikur çdo vepër apo koncert kish magjinë dhe të bashkëpunimeve, veçantinë e dy duarve, tingujt e të cilave ja ndryshonin rrjedhën, intensitetin, ekspresivitetin, vibraton interpretimit, këtë herë më çuan shumë larg. Ideja e ardhjes dhe bashkëpunimit me pianisten e kompozitoren zvicerane me emrin Katharina më frymëzoi të shkruaja këtë sonatë për violinë ku parti i pianos fillimisht kish kaq shumë solo, sa ngjante me ato sonatat e vështira të shkruara për piano e violinë ! Pianistët frymëzonin të luaje bukur, me Elvinën pianisten shqiptare interpretuam së bashku këtë duo të sapo shkruar. Koncerti filloi me këtë sonatë për të vazhduar me krijimtarinë e Katharina Nohl për piano solo, instrumentit të saj të dashur ku si performer composer në katër pjesët solo shfaqej herë medituese plot ndjeshmëri e herë plot temperament siç ishte “ Germanentanz”. Shkollimi në vende të ndryshme nga Gjermania në Angli, përvojat në Itali, jeta në Zvicër, kontaktet dhe udhëtimet në shtete të largëta nga Skocia në Afrikën e Jugut, njohja e muzikës së shumë vendeve, frymëzimi nga kulturat e bën muzikën e saj shumë dimensionale, si një muzikë filmi ku shfaqet gjithë kjo lidhje me botën. Premierat dhe interpretimi i muzikës ndërkombëtarisht në koncerte dhe festivale si në Gjermani, Zvicër, Britaninë e Madhe, Rusi, Turqi, Çmimi i vitit 2022 për kompozimin “Spices” një rapsodi për piano dhe orkestër, Premiera e vitit 2023 e “Rave’ vepër e porositur për orkestër simfonike, janë disa nga sukseset e saj të fundit . Si themeluese dhe drejtuese e festivalit “Swiss Female Composers” në vitin 2023 botoi vëllimin e parë “Piano Collection” me muzikë nga kompozitoret e sotme femra të Zvicrës në bashkëpunim me “Universal Edition”
Është e rrallë të ndash skenën me të, e rrallë të luash me kompozitoren, e më tepër me një artiste që krijon, interpreton dhe i përkushtohet një kauze të rëndësishme, asaj të krijmtarisë së femrave kompozitore, e shfaqet me organizimin e festivaleve, siç është dhe festivali të cilin e drejton me pasion e përkushtim. Koncerti kish mbështjellë ndjesi, emocione, pjesë por dhe kauza, për të cilat ai timpani aty në fund të skenës në podium dukej se nuk ish dëgjuar asnjëherë. Krijueset femra në muzikën shqiptare ishin e janë të rralla, mund ti numëroje, ndërsa veprat e vëna nga institucionet kombëtare thuajse mungonin që në kohë të vjetra. Fakti se prej 23 vitesh Festivali i Hardfordit në Connecticut trumbetonte, përzgjidhte këtë krijmtari, se në Amerikë realizoheshin disa festivale të tilla në shtete të ndryshme, ndoshta më pak të njohura se Hartfordi, se e njëjta gjë ndodhte në Zvicër, Kanada dhe mjaft vende të tjera tregonte qartë se kudo edhe sot krijimtaria e femrave kompozitore përballet me situata më të vështira, dëshmi e të cilave është historia e muzikës në të shkuarën gjatë gjithë historisë, ku emra talentesh femërore të rralla kanë qënë e janë akoma të panjohuara, ndërsa veprat më pak ose aspak të interpretuara. Tingëllon çuditshëm në këtë epokë që jetojmë, në këtë kohë të përparimit, teknologjisë. E nëse në vendet e zhvilluara organizimi i festivaleve, gjithë përpjekjet janë intensive për ta përkrahur, interpretuar këtë muzikë, në Shqipërinë tonë kjo është një kauzë gati e panjohur.
E nëse timpani në podiumet në fund të skenës qëndronte si simbol i kauzave,” rainmaker” një instrument muzikor që imitonte shiun tërhoqi vëmendjen e publikut. Rainmaker, triangolo, violina dhe piano mbyllën koncertin me dy pjesëmarrës nga publiku në skenë, për të dhënë në fund të eventit mesazhin e madh se muzika është për publikun, se raporti i publikut me artistin është një marrëdhenie dashurie, se rrugët për të shkuar drejt tij e për të edukuar me muzikë janë të shumta. Katharina dhe instrumenti interesant imitues i shiut udhëtuan drejt Zvicrës, për të vazhduar itinerarin e koncerteve në shtete të tjera duke lënë “aromë zvicerane’ në sallën e Universitetit të Arteve.