More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBesnik Mustafaj: Parathënie për vëllimin poetik "Ekspozitë me ëndrra" nga Lulzim Tafa

    Besnik Mustafaj: Parathënie për vëllimin poetik “Ekspozitë me ëndrra” nga Lulzim Tafa

    Këtë përzgjedhje të veprës poetike të Lulzim Tafës e lexova në dorëshkrim. Mendimi i parë, që më erdhi, ishte se parathënien mund ta bëja thjesht duke shkëputur vargje apo strofa nga poezi të ndryshme dhe t’i bashkangjisja njëra me tjetrën, diçka e ngjashme me punën e artistëve bashkëkohorë për të krijuar instalacionet. Ishte një mundësi që ma jepte vetë lënda poetike, që kisha në dorë, përzgjedhur nga tetë libra të autorit, botuar në Prishtinë gjatë një periudhe 30 vjeçare. Këtë punë e ka kryer Sali Bashota, i cili meriton një përgëzim të veçantë. Me përzgjedhjen e tij, Sali Bashota ka arritur të nxjerrë në pah një cilësi shumë të çmuar, të cilën sigurisht që e ka gjetur në krijimtarinë e Lulzim Tafës, por që, e shpërndarë në tetë botime të shtrira në një kohë historike me përmbysje rrënjësore për Kosovën, siç është robëria, çlirimi kombëtar e politik dhe ndërtimi i lirisë, me shumë gjasa do të mbetej pa u vënë re nga lexuesi. Fjala është për koherencën, një cilësi kjo fort e rrallë te poetët në përgjithësi e posaçërisht te poetët shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX e këndej.

    E përmenda qëllimisht kohën historike të Kosovës, në të cilën shtrihet jeta si poet dhe si njeri e Lulzim Tafës. Poezia e tij ka një lidhje ombilikale të pakëputshme me atdheun, domethënë me kombin e vet. Duke pasur parasysh tronditjet tektonike që ka pësuar koha historike e Kosovës gjatë kësaj periudhe, duket paraprakisht shumë e vështirë që poezia e tij, si pasqyrë dhe pasqyrim i këtij realiteti të atdheut ta ruaj koherencën e vet organike. Sepse vetë kjo kohë historike, në diagramin e saj, nuk ka vazhdimësi. Përkundrazi, ka thyerje dhe përmbysje rrënjësore. Poetit i është nevojitur një shqisë e caktuar, krejt specifike, përtej anatomisë së tij njerëzore për ta ndier, një sy po ashtu i veçantë, i cili nuk rri në ballë për të parë çfarë kanë së brendshmi të përbashkët këto copa të kohës historike, në sipërfaqe secila monolitike dhe përjashtuese të njëra – tjetrës. Poetit i është nevojitur edhe zotërimi i mirë i një gjuhe, do të thosha apokrife, për ta shprehur pikërisht këtë damar të brendshëm, të cilin doemos që e tendosin, e çojnë madje në zgrip, por nuk e këpusin dot ngjarjet e mëdha historike, sado dramatike të jenë ato.

    Ky damar përbën shpirtin identitar të shqiptarëve të Kosovës në këtë rast. Vepra poetike, që kemi në dorë, na dëshmon më së miri se Lulzim Tafa është i pajisur me atë shqisën specifike për ta ndier gjallimin e këtij damari. Ai është i pajisur edhe me atë syrin e veçantë për ta parë atë damar dhe zotëron gjuhën apokrife për ta shprehur. Kapja me besim pas një damari të tillë e mbron poetin Lulzim Tafa nga rënia në pozita ahistorike, gjë që do ta dëmtonte kauzën e tij si poet mirëfilli shqiptar. Po aq, kapja pas këtij damari ruan, përtej trumhasjeve të kohës historike, një tipar aq të qënësishëm, siç është koherenca. Nisur nga poezia e tij, ne, si lexues, mund t’i identifikojmë pa zor të madh fjalët kyçe, që do të na çonin te ky damar e që janë: ëndërr, dhimbje, dashuri, hero e ca pak të tjera të kësaj gjinie, të cilat, për nga qëndrimi i poetit, e bashkojnë gjenetikisht një poezi të shkruar nga ai në vitin 1989, me një poezi të shkruar në vitin 1999 e një tjetër të shkruar në vitin 2019. Nuk është pak kjo që ka arritur poeti Lulzim Tafa. Janë shumë të rrallë poetët shqiptarë, bashkëkohës të tij, që e kanë arritur, edhe pse kanë filluar të shkruajnë njëherësh me të apo edhe më herët dhe vazhdojnë ende të shkruajnë e të botojnë.

    Koherenca, për të cilën po flas, është sigurisht çështje stili. Madje, burimin e ka te vetë thelbi i stilit, në kuptimin që i jep Aristoteli stilit, kur thotë se stili është vetë personaliteti i poetit. Pra, përftimi i një kohezioni të tillë nuk mund të reduktohet kurrsesi në një aspekt teknik apo formal të shkrimtarisë. Thënë në mënyrë të përmbledhur, aty përmbushet aliazhi i qëndrueshëm i botëkuptimit të poetit përkitazi me filozofinë, historinë, identitetin vetjak dhe kolektiv, moralin, etikën dhe estetikën, politikën dhe gramatikën me përvojën e drejtpërdrejtë jetësore dhe kulturore po ashtu vetjake dhe të bashkësisë, të cilës ai i përket me vullnet të lirë. Sa më në moshë të hershme të ngjizet ky botëkuptim, aq më e qartë bëhet rruga, nëpër të cilën do të ecë poeti gjatë viteve të ardhshme me imagjinatën dhe gjuhën e tij letrare.

    Poezitë e kësaj përzgjedhjeje na dëshmojnë mjaftueshëm se Lulzim Tafa e ka hedhur themelin e botëkuptimit të vet shumë herët, kur nuk i kishte mbushur ndoshta as 20 vjet. Kjo nuk do të thotë se botëkuptimi i një poeti si Lulzim Tafa është një strukturë mendore e ngurtë. Jo, kurrsesi. Nga poezitë e tij mund të sillja shumë shembuj që nxjerrin në pah si ky botëkuptim është zgjeruar pareshtur, diçka e ngjashme grafikisht me rrathët e lisit, pra pa ikur nga boshti zanafillor. Ndërsa përvoja jetësore dhe kulturore edhe te poeti Lulzim Tafa si te çdo njeri është pas définition evolutive, dinamike, e mbushur me të njohura e të panjohura, me përsëritje të mërzitshme dhe me zbulime befasuese. Instikti i poetit dallohet tek aftësia e tij për të zgjedhur grimcat e arta në vandakun e përvojës së vet jetësore dhe po aq në përvojën e bashkësisë, ku ai bën pjesë. Pikërisht këto grimcëza të arta digjen së brendshmi për të energjitizuar përfytyrimin dhe gjuhën e tij si poet. Nuk po flas për një rregull universal, por për poetin Lulzim Tafa. Kështu, pra, në veprën e tij ruhet koherenca nga një krijim te tjetri, ani pse janë të shkruara nëpër vite të ndryshme, kur Lulzim Tafa ishte djalosh apo tani që është akademik.

    Botimi në fjalë shoqërohet në përmbyllje me një lloj apendiksi të dobishëm për lexuesin, ku janë përfshirë shumë vlerësime të larta e të merituara nga poetë të shquar shqiptarë dhe të huaj për veprën poetike të Lulzim Tafës. Po përmend vetëm njërin nga këto vlerësime, ardhur nga i paharrueshmi Ali Podrimja. “Këtë poet e shquan guximi intelektual”, thotë korifeu i poetëve.

    Çfarë ka parasysh ky mjeshtër me “guxim intelektual”,kur është fjala për tërhequr vëmendjen mbi veprën e një poeti? Në dijeninë time, ende nuk ka në literaturën botërore një përcaktim të pranuar pak a shumë unanimisht lidhur me çfarë është një intelektual, prej nga ne, në këtë rast, do të mund të niseshim për të nxjerrë si deduksion ato cilësi të Lulzim Tafës, të shfaqura në indin e tekstit të tij poetik, të cilat e kanë shtyrë Podrimjen drejt një vlerësimi të tillë vërtet të pazakonshëm për një poet. Në një pjesë të madhe të kulturave kombëtare nëpër botë, poetin nuk e rendisin në familjen gjithsesi laramane të intelektualëve. Madje, në epokën më të artë të poezisë, në Greqinë e vjetër, Platoni nuk u jep poetëve të drejtë qytetarie në Republikën e tij, duke i quajtur shthurës të mendjes së njerëzve me imagjinatën e tyre të molepsur. Por, në “Republikën” tonë shqiptare, poeti ka qenë gjithmonë i pranuar, madje ka patur vendin e vet të nderit, me kushtin që ta meritojë këtë vend. Sipas Podrimjes, përveç mjeshtërisë së lavdërueshme të të shkruarit poezi, Lulzim Tafa e meriton këtë vend nderi edhe në sajë të guximit intelektual.

    Unë bashkohem plotësisht me mendimin e Podrimjes dhe po e sqaroj fare shkurtimisht ku e shoh këtë guxim intelektual të shprehur në poezitë e kësaj përmbledhjeje. Më kryesorja më duket shfaqja e poetit si njerëzisht krejt i çliruar nga tabutë. Dhe, në këtë gjendje mendore prej të çliruari nga tabutë, qofshin ato morale apo politike, më i spikaturi është qëndrimi i tij ndaj konceptit të “heroit”. Lulzim Tafa ka një numër poezish me këtë temë, a thua se do t’i shkojë sa më thellë dekonstruksionit të figurës folklorike, domethënë arkaike të heroit si epiqendër e jetës së shoqërisë së sotme shqiptare. Lulzim Tafa, në këtë rast, nuk mbetet në lojën sipërfaqësore të një poeti provokativ. Ai sillet si një poet i vërtetë ikonoklast, i cili është i vetëdijshëm se heroi i folklorizuar, i cili mbart të pushtuar mendësinë e shqiptarit, në të vërtetë po pengon modernizimin e shoqërisë shqiptare bashkëkohore të Kosovës, rrjedhimisht po e pengon këtë shoqëri ta ndërtojë e ta gëzojë lirinë kombëtare dhe politike, fituar me gjak e sakrifica të mëdha. Poezia e kësaj përmbledhjeje jep arsye për një analizë shumë më të gjerë të shpalosjes së poetit Lulzim Tafa si i çliruar nga tabutë, apo, thënë me fjalët e Podrimjes si guximtar intelektual. Por nuk është kjo parathënie vendi për një analizë të tillë. E rëndësishme për t’u mbajtur mend është se poeti ikonoklast Lulzim Tafa e ka krejt të qartë çfarë po bën: ai synon ta përcjellë sadopak çlirimin e vet në mendësinë e shoqërisë, të cilës i përket me vetëdije, por pa cënuar kurrsesi nderimin e vërtetë për heronjt, të cilët kanë vendin e tyre të adhurimit në panteonin monumental të kujtesës kombëtare.

    Pra, kush është poeti Lulzim Tafa? Në vend të një përgjigjeje me hamendësime nga ana ime, po sjell dy vargjet përmbyllëse të poezisë së tij “Poetët”: Fëmija i tepërt i secilës nënë/ Bëhet poet. I bie kështu që ai është fëmija i tepërt i nënës së tij, për të cilin, domethënë, për këtë fëmijë të tepërt të nënës së vet, në poezinë “Letër Bujar Tafës” ai thotë: “U bëra zot ose vetja m’u duk”. E ka fjalën për veten e tij.

    Priskë, tetor 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË