Përktheu nga kinezishtja Iljaz Spahiu
Shkrimtari bashkëkohor kinez Yu Hua, një nga shkrimtarët më të njohur dhe më të preferuar aktualisht në Kinë, gjatë një takimi me sinologun Iljaz Spahiu, i cili ka përkthyer në shqip nga origjinali dy romane të tij “Të jetosh dhe “Njeriu që shet gjak”, ka rrëfyer edhe për takimin që ai ka pasur me shkrimtarin tonë të madh Ismail Kadare. Madje historinë e këtij takimi, ai e ka përmbledhur si parathënie të romanit “Ora e Gjermanishtes” e shkrimtarit gjerman Siegfried Lenz.
Verën e vitit 1998, jam takuar me shkrimtarin shqiptar Ismail Kadare në Torino të Italisë. Ulur në një restorant të Teatrit të Torinos, bisedonim nëpërmjet përkthyesit, ndërsa në mungesë të tij shijonim ushqimet e pijet. Atë kohë, Kadare kishte emigruar në Francë, kështu që mund të quhej shkrimtar francez me origjinë shqiptare. Në fillim të viteve 90-të, Shtëpia Botuese e Shkrimtarëve në Kinë kishte botuar romanin e tij “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, dhe unë për fat e kisha lexuar këtë libër. Me shumë gjasa ai është shkrimtari më i rëndësishëm bashkëkohor i Shqipërisë dhe ashtu si shkrimtarë të tjerë të Evropës Lindore që kishin emigruar në perëndim, për disa kohë nuk mund të kthehej në vendin e tij. Kur u takuam ne, nuk ekzistonte më ky problem dhe ai mund të kthehej sa herë të dëshironte. Megjithatë ai më tha se nuk kthehej shumë shpesh dhe kjo për shkak se sa herë kthehej, lodhej së tepërmi. Më tregoi se çdo herë që kthehej, shtëpia e tij në Tiranë gumëzhinte si një pijetore, njerëz të njohur e të panjohur vinin për ta vizituar dhe gjithmonë në shtëpi do të kishte minimumi njëzet vetë.
Duke qenë se dikur Kina dhe Shqipëria megjithëse larg njëri tjetrit kishin përjetuar një miqësi të ngushtë si fqinjë të mirë, si unë edhe Kadareja ndjeheshim shumë të gëzuar e të emocionuar në bisedë me njëri tjetrin. Unë i përmenda Hoxhën e Shehun, ai më përmendi Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain. Kadareja e kishte vizituar Kinën gjatë Revolucionit Kulturor dhe shqiptonte shumë saktë emrat e tyre. Një kritik letrar italian aty pranë, përpiqej herë pas herë të përfshihej në bisedën tonë, por pa sukses, pasi ai nuk kishte përjetuar historinë tonë. Të zënë me kujtimet tona plot emocion, ne nuk kishim kohë të merreshim me të, megjithëse ai njëherë tentonte të më provokonte mua duke përmendur dënimin me vdekje në sistemin ligjor të Kinës, një herë tentonte të tërhiqte vëmendjen e Kadaresë duke i përmendur Kosovën dhe persekutimin e serbëve ndaj shqiptarëve.
Më pas biseda jonë kaloi tek letërsia dhe nuk e di për çfarë arsyeje, filluam të flasim për shkrimtarin gjerman Siegfried Lenz, ndoshta nga që të dy ne e pëlqenim romanin e tij “Ora e Gjermanishtes”. Ky roman, i cili mund të cilësohej si një libër antifashist, ishte botuar edhe në vendet socialiste të asaj kohe.
Kadare më rrëfeu historinë e tij të “Ora e Gjermanishtes”. Ai më tregoi se si një herë, pasi përfundoi së shkruari një libër që ishte e pamundur ta botonte në Shqipëri, mendoi ta kalonte ilegalisht në perëndim për botim. Përdori një mënyrë tepër fine e të zgjuar, e fshehu dorëshkrimin brenda librit dhe e nxori jashtë ilegalisht, pasi i kishte vënë me kujdes kopertinën e librit “Ora e Gjermanishtes” dhe e ngjiti mbi librin e tij, si kopertinë të librit. Në këtë mënyrë, gjermani Lenz e ndihmoi shqiptarin Kadare, të kalojë me sukses kontrollin doganor të këtij libri sipas mënyrës “Var kokë qengji e shit mish qeni”, duke e çuar atë në Francë dhe shumë vende të tjera, deri sa më vonë erdhi edhe në Kinë.
Edhe unë rrëfeva historinë time të “Ora e Gjermanishtes”. Libri i parë i Lenz që unë kisha lexuar ishte “Bukë dhe Lojëra”, i dyti ishte “Ora e Gjermanishtes”. Atë kohë studioja në Institutin Letrar Luxun dhe më kujtohet që ky libër më tronditi së tepërmi. Në rrëfimin e pafajshëm të një fëmije, unë përjetova gjatë leximit emocione të forta tronditëse. Ai ishte një roman që pasi e ke lexuar, nuk dëshiron ta humbasësh më, kështu që unë nuk ia ktheva më bibliotekës së shkollës. Ky libër është përkthyer në gjuhën kineze dhe është botuar në vitet 80-të. Atë kohë sektori i botimeve funksiononte sipas ekonomisë së planifikuar, shumica dërmuese e librave botoheshin vetëm një herë, nëse arrije ta bleje mirë, në të kundërt nuk e bleje dot kurrë. Kështu që unë e dija se po të ia ktheja bibliotekës, ndoshta do ta humbja atë përgjithmonë. E mbajta pranë vetes, deri sa kur përfundova duhej të ktheja të gjithë librat që kisha marrë në bibliotekë, përndryshe do të gjobitesha me trefishin e çmimit të librit. Sigurisht që zgjodha gjobitjen, duke thënë që e kam humbur librin. E mora me vete në Zhejiang dhe sërish e mora me vete edhe më pas kur u vendosa në Pekin.
Dhe ja në vitin 1998, një kinez dhe një shqiptar, takohen në vendin e quajtur Itali dhe secili prej tyre rrëfen historinë e tij që ka lidhje me një gjerman. Atë moment mendova se letërsia është vërtet një bukuri pa kufi. Ajo, ashtu siç iu ngulitet në mendje njerëzve nëpërmjet leximit, po ashtu mbahet mend prej tyre nëpërmjet mënyrave nga më të ndryshmet.
Tetor 2004