Kritikë mbi librin “ Shtëpia ime rrotulllon qiellin” të poetit Dhimitër Pojanaku, botuar në Bukuresht.
Në dyndjen e sotme të vëllimeve poetike, në këtë uragan letre të shtypur që sikur synon ta çmallë shpirtin e sa më shumë shkrimtarëve me këtë botë, – thua se na pret një tjetër shumë më e egër – duket marrëzi të përpiqesh të zbulosh cila nga qindra llojet e poezisë do t`i qëndrojë kohës dhe cila do bjerret bashkë me ata që e shkruajnë.
Nga kjo pikëpamjë, roli i kritikur është tejkaluar ose është ngushtuar po aq sa roli i lexuesit të thjeshtë.
Megjithatë, po të mos lëmë mënjanë “ fatin” dhe misterin me të cilin librat e vërtetë arrijnë të ngrihen mbi pjesën tjetër të letrës, mund të themi me bindje se vepra e poetit shqiptar Dhimitër Pojanaku përfaqëson një përjashtim befasues jo vetëm në letrat shqipe.
Ajo që tek shumica e poetëve të tjerë është thjesht mungesë sistemi poetic, – me ravgime të dukshme për ta paraqitur si liri tematrike e stilistike, – tek Pojanaku është vepër e hapur.
Kjo vepër e hapur, duke përfituar nga hapësira e pamatë që i ofrohet nga vetë hapja, por edhe nga forca, me të cilën një vepër e hapur pastron mëkatet e veta, të kujton një shpërthim ngjyrash e tingujsh antikë, ose një mozaik të gjallë, që plotësohet vetvetiu qysh nga lashtësia.
Jo rastësisht poeti i shquar kosovar Azem Shkreli , në një letër, e cilësonte lirikën e Pojanakut si një lirikë që shkruhet vetë, rrjedh vetë . Kjo vërejtje, pas leximit të lirikës në fjalë, na bind se autori dhe uni i tij poetik shndërrohen në Zë.
Një zë që nuk mbart fort parasysh gjeografinë, shtypjen e ushtruar nga tekat e histories, dhe që zgjatet deri në kufijtë e mbramë të shqipes, aty ku rrijnë të ngujuara fjalët e ndaluara dhe hapësirat e këtyre fjalëve.
Të rrallë janë poetët e shqipes, të cilët e shohin botën me një shqetësim kaq të rafinuar, me një ndjeshmëri që shpeshherë kap paroksizmin dhe që kanë më Vdekjen një afëri kaq të natyrshmë. Nga kjo afëri ngjizen imazhe poetikë drithërues dhe me një fuqi të rrallë.
Bjemë ndesh me një harmoni të epërme ku ngjyra tingulli dhe kuptimii fjalës rrjedhin njëheresh dhe mbeten të paharrueshme.
Pojanaku nuk di të qahet, nuk di të ndërkryhet sipas kanuneve letrare tashmë të mykura, nuk synon të shndërrojë këtë botë të ndërtuar keq, apo të rrënuar mirë.
Hidhërimi i tij krejt i veçantë, thelbësisht poetic, e fton lexuesin në fortesën e Poezisë dhe, që brenda saj, i hap një sy nga ku bota mund të shihet vetëm nëpërmjet shpirtit të poetit.
Me këtë lloj të pari dhe të flijuari mes lexuesit dhe realitetit, Pojanaku shkëputet jo vetëm nga poetët bashkëkohës por edhe nga një pjesë e mirë e paraardhësve.
I vetëdijshëm për rolin shndrrues që mund të ketë sot poezia e vërtetë, Pojanaku nuk e honeps as vetëvrasjem metaforike, – dhe kjo padyshim ngaqë metafora vendoset në shpirtin e të gjitha poezive të tij, – as murgimin elegjiak më pamundësi. Ai thotë, thuhet dhe njësohet me verbin poetik.
Një nga pikat kyçe të kësaj poezie është çiltërsia fund e krye çarmatosëse dhe aftësia për të mbetur e vetvetishme gjer në shenjat e pikësimit.
Çiltërsia e poetit prek maja të cilave shumë poetë u ndruhen, se mos u sëmur imazhin që ata vetë stërmundohen ta ngjizin nëmendjen e lexuesit.
Pojanaku e pranon haptazi se akti i krijimit poetic, sikurse qëllimi përligj mjetin, e merr përsipër edhe dështimin, edhe zhgënjimet e përbindshme, edhe kanosjen e përditshme të harmonisë së vrarë, edhe shkëlqimin e veçantë të dhembjeve të pathëna, të plagëve të parrëfyera, madje gjer edh etjen paranoika për lavdi.
Në krijimtarinë poetike, çdo paranojë dhe çdo flijim janë pjesë të së tërës, domethënë janë veti mëse të natyrshme, të lindura të poetit. Fshehja ose arrnimi i tyre, e shpjenë lexuesin në qorrsokak.
Vetvetia e lirikës së Pojanakut jo vetëm që nuk e cënon mozaikun fillestar, lindës, por e plotëson dhe i lehtëson frymëmarrjen.
Po i mbyllim këto radhë me një falënderim për kritikun Luan Topçiu, i cili po ia dhuron këtë poet shqiptar lexuesit rumun në një përkthim të denjë për çdo lëvdatë dhe me bindjen se Dhimitëqr Pojanaku, poeti të cilit i kërkojnë një epitaf për vete, qysh tani shkon nëpër botë I mbytur në shkëlqim*, ndonse syri i kritikës letrare, ndofta për faj të askujt, po as pë faj të ndokujt, mbërrin jo rrallë me mjaft vonesë tek poezia e vërtetë.
Poezi nga libri “ Shtëpia ime rrotullon qiellin”
VAJ QIELLOR
Yjet hungërijnë mbi gurët e varreve.
Qajnë të vdekurit e tokës dhe të qiejve.
Qajnë.
Lëmojnë gurët pafaj,
Ndezin për qirinj iskra farfurie nga trupi i tyre,
Dhe duarmbledhur,
I ruajnë ndezur nga natë e marrë.
Hungërijnë,
Gërvishtin dhenë e ftohtë,
Ciflosin thonjtë,
Dhe lënë mbi varre
Si djaj,
Fanepsje blu.
PRITEN TE DALIN YJET
Seç ka një mister ky qiell
Si grate nën këmishë
Po si`a dogjët gurkalin mantel
U dogj nga stolitë.
ZOGJTË E KORBIT
Ushqyer me thelpinj nate,
Edhe të fundmet, të bardha pendë të gushës,
U nxinë,
Sterrosën.
Tash, u rritën.
Bojë u bënë për zift e për katran.
Tash,
Krak – krak ,
Do krokasin duke përtypur eshtrat e vdekjes.
Tash,
Nënqielli i madh,
Sqepin e kasaphanës,
Djallëzisht u përkëdhel.
EROS
Pika mavi
Llërës shëtit.
Sa një lajthi
Pika mavi
Aty dhimbje
Ato stoli.
ZHVIRGJËRIMI I MURGUT
Strofkës së çelsit sa të ketrit sy,
Zana e avullt, i shfaqet trup, shpirt.
Flokëpërndezur,hedh cingëla kangjellat e qelës,
Gjinjndërkryer, tylon muret e trashë.
I vë biblën nën jastëk.
Buzë-e-gjuhë,
Trondit mbretërinë e lëmyshkut të kofshëve.
Duarhark, ja stis vithet rrumbulak.
Me gishtin e madh, dinak,
Nga mesi i zverkut të listë,
tek thembrat,
Nga thembrat, tek dhogat e dyshemesë,
I rrëkëllen një rrëkezë, e ja fringëllon trupin ,
Si vesa e shkrirë damarët e gjethit të plepit.
Murgu s`pipëtin.
Llërëplotë,
E puthos pas vetes si rrathët kaden,
Bymen kashtën e shtratshkretit,
E shtrin,
Plandos.
Nuhat triumf!
Nëpër metrotë e nënlëkurave,
Murgut po i hakërrohen qen të tërbuar,
Qen të ndërsyer,
Gati, për t`i shqyer,
Shenjtërinë.
KTHJELLTËSI VERE
Hiqmani këtë qiell, u përgjërohem!
Ka tërë verën s’më lë të vë gjumë në sy
dhe s’mund të kap dot një ëndërr.
Ky qiell ndien dobësinë time pë të bukurën dhe luan me mua,
Edhe më zbukurohet,
Bëhet i tejpashëm si gjeth në muzg,
I tejkqyrshëm si vesë,
Çjerr këmishën e më lë ta lexoj gjer në fund,
Ta dashuroj gjer në ind!
Hiqmani,
Ky qiell braktisi kubenë e vet,
Nga dritarja hyri në dhomë,
U shtri mbi mua,
Po më mbyt!
Askush nuk më dëgjon?
Të gjithë qenkan shurdhuar këtë natë?
Epo në është e thënë të vdes prej këtij qielli,
Ashtu u bëftë!
UDHËKRYQ
Rrugë të verbra,
Dete të verbër.
Edhe qiellin,
Të vetmin sy,
Si qikllopin,
Ma qorruan.
Dhjetëra piratë
Me nishane të zinj prej gjaku të zi,
Me kafka të gjalla për hajmali,
Po zbresin thellë brenda meje,
Dritën e vobektë të shpirtit tim
E paskan marrë për
Perlë,
E vinë ta vjedhin,
Grabitin.
Jam tkurrur si iriq e,
Dridhem.
MACJA NË DIELL
Dremit.
Barkun, si torbë e zbrazur,ja ka lëshuar tokës.
Ka braktisur gjuhët e njomështa të koteleve,
Dhe thithkat e gjirit,
Nga dëshpërimi,
Skuqin si thana mbi miell.
Herë-herë,
Shtrin këmbët e drobitura,
Dhe me gishtrinjtë brisk,
Gërvisht dhe shtie në ngasje lëkurën zhguall të tokës.
DO EDHE SHUMË TË ZBARDHË
Kam një thelë hëne, pjepër, të butë.
Netëve,ngrihet si somnambul,
Me ajkën e squfurt,
Llaptin pjesën e errët.
Zbut kujtimin e ëmbël,
Cimbis kujtimin e hidhur,
Platit mëkatin e bërë
Nxit mëkatin që pret të bëhet.
Si syploti të verbërin,
Shëtit të vdekurit e mi
Nga mbretëria e hijeve
në hemisferat e dritës.
Kujtime të hidhura,
Mëkate të pabëra
Të vdekurit e gjallë,
Përsillen brenda meje
si tymi brenda dhomës,
Qorruar,
Ulërijnë,
Kërkojnë shpëtim,
Përplasen katakombeve të shpirtit tim,
Një pjesë prej përplasjes,
Kthejllohen,
Gjejnë shteg,
Marrin udhë.
Një pjesë, shushatur vërtiten dhe vërtiten.