More
    KreuIntervistaSally Rooney: “Rënia në dashuri kur isha shumë e re ma shndërroi...

    Sally Rooney: “Rënia në dashuri kur isha shumë e re ma shndërroi jetën”

    Sally Rooney mbi romancën, të shkruarit për seksin, fenomenin Normal People dhe romanin e saj të ri, Intermezzo

    Nga Lisa Allardice, The Guardian

    “Ndihem sikur sa më shumë rritem aq më shumë liri kam për të shkruar për një gamë më të gjerë përvojash jetësore”, thotë Sally Rooney kur takohemi për të diskutuar romanin e saj të ri Intermezzo, i cili qendrën e ka në dy histori dashurie me diferencë të madhe moshe. “Sepse kam jetuar pak më shumë, jo dhe aq shumë, por pak vite më tepër”.

    Ato pak vite më tepër e bëjnë atë 33 vjeçe, jo më zëri njëzetecavjeçar i ankthit të të lindurve në këtë mijëvjeçar. Rooney mezi pret ta heqë etikën “Salinger i brezit të Snapchat” që e ka ndjekur që prej botimit të romanit të saj të parë Conversations with friends në 2017 (ajo as që e dinte në atë kohë se çfarë ishte Snapchat). Suksesi i romanit të saj të dytë, Normal People, pa përmendur përshtatjen televizive në 2020, e transformoi marksisten e vetëdeklaruar nga County Mayo e të turpshme ndaj publicitetit,  në Taylor Swift-in e botës së librave. “Ndihem vërtet sikur nuk po gënjej kur them se jam mjaft e prirur që t’i lë pas të gjitha këto”, thotë ajo “Nuk doja në fakt të isha ‘romancierja e re’; thjesht doja të isha e mirë”.

    Veshur me fustan kaf, këpucë kafe të sheshta dhe flokët në një bisht të rregullt, autorja është pothuajse qëllimisht e pazbukuruar, si njeri, po ashtu edhe në prozën e saj. Takohemi në dhomën e shkrimtarëve të rezidencës te Museum of Literature Ireland (me nofkën MoLI sipas Molly Bloom të James Joyce te Uliksi), në ish ndërtesën e University College Dublin me pamje nga St Stephen’s Green. Joyce ka bërë fotografinë e diplomimit te kopshtet jashtë ku romancierja romantike Maeve Binchy pëlqente të lexonte dhe ku poeti anglez Gerard Manley Hopkins vdiq nga tifoja. Rooney ka lexuar Hopkins së fundmi pas një basti për të mësuar përmendësh një poezi në ditë.

    Në të njëzetat e hershme, ajo ishte “debutuesja konkurruese numër një në Europë” (tema e esesë së 2015 për Dublin Review, Edhe nëse ti më mund, që kapi fillimisht syrin e agjentit), dhe nuk është e vështirë ta kuptosh pse: ajo jep përgjigje të gjata, të arsyetuara me kujdes, shpesh të ndjekura nga një kundërargument poaq i fuqishëm. Megjithëse mjeshtre e vetëzhvlerësimit dhe maturisë së çeliktë, ajo angazhohet me ngrohtësi dhe flet me pasion për gjërat që kanë më shumë rëndësi për të (letërsia, politika, dhe lufta Izrael-Gaza). Shkurtimisht, ajo nuk është vetmitarja me gjemba që mund të sugjerojë fiksioni ose reputacioni i saj.

    Rooney po viziton Dublinin, që shfaqet në të gjithë romanet e saj, për të takuar ca miq. Pas 10 vitesh në qytet dhe një kohe të shkurtër në New York, ajo me të shoqin, John Prasifka, janë shpërngulur në fshat, vetëm pesëmbëdhjetë minuta me makinë nga qyteti i vogël tregtar i Castlebar ku u rrit Rooney. U njoh me Prasifka, tani mësues matematike, në vitin e saj të fundit në Trinity College, dhe u martuan – “shumë, shumë, qetësisht” – gjatë karantinës. Pas përpjekjeve të mundimshme me romanin e saj të tretë, Beautiful World, Where are You, që kur janë shpërngulur, ka punuar e lumtur me Intermezzo, të vendosur mes Dublinit dhe një qyteti të trilluar rural në perëndim të Irlandës.

    Titulli është një lojë e zgjuar me një term të përdorur në muzikë dhe në shah, të dy qendrorë për romanin (në muzikë, do të thotë interlud, në shah, një lëvizje e papritur). “I adhuroj fjalorët specifikë”, thotë Rooney. Gjatë karantinës ajo me të shoqin iu futën shahut online dhe, megjithëse ajo vetë nuk luan, filloi të shihte video udhëzuese në YouTube me të. “Fillova ta shoh më shumë si një formë arti, elegance matematikore; kur njerëzit bëjnë lëvizje brilante, mund të shohësh një ide tek zbulohet disi mbi tavolinë.” Si shkrimtare, ajo e kupton shahun si fiksim. “Jam e njohur me të qenit e fiksuar mbi gjërat që dua në jetën time”. Te Intermezzo, si me gjithë romanet e saj, personazhet lëvizen me mjeshtëri – më afër, dhe pastaj sërish larg – në një lojë të dhimbshme fuqie dhe lëvizjesh të papritura.

    Romani është historia e dy vëllezërve në pasojat e vdekjes së babait të tyre: Peter, një avokat i ri 32-vjeçar me vetëbesim, dhe Ivan, një kampion shahu 22-vjeçar, i zgjuar dhe me tela dhëmbësh. Peter krijon diçka me një studente të re, ndërkohë që është ende në dashuri me ish të dashurën e tij, një mësuese që po përballet me efektet afatgjata të një aksidenti, njëri prej të cilëve që s’mund të bëjë më seks. Ky trekendësh dashurie vendoset kundrejt historisë prekëse të Ivan dhe Margaret, 14 vite më e madhe se ai, e cila punon në qendrën rurale të arteve ku u takuan.

    Të gjithë elementët e zakonshëm të Rooney-t janë këtu: marrëdhënie intensive e disi të padrejta; baballarë që mungojnë, digresionet në tregun e qirave të Dublinit si dhe feminizmi dhe kapitalizmi i vonë. Si kronikane shumë e dashur e miqësive femërore, ndryshimi më i madh i Rooney-t në këtë roman është vendosja e fokusit te dy vëllezër. “Nëse je mjaftueshëm vëzhgues dhe mjaftueshëm kritik, mendoj se mund të kuptosh se si funksionon gjinia nga kudo ku qëndron brenda asaj loje shoqërore që e luajmë të gjithë”, thotë ajo. Por siç vë në dukje, nuk ka dëshmuar kurrë një bisedë mes dy burrave pa praninë e një gruaje. “Pra isha shumë e vetëdijshme që po dilja jashtë realitetit tim shoqëror”. Kjo vjen me paralajmërimin e saj të zakonshëm – jo, kjo nuk do të thotë se romanet e saj të kaluar janë të bazuar në përvojat e saj apo se personazhet femërore janë si ajo. “Thjesht dua ta qartësoj se nuk është kështu”.

    Tema e madhe e Rooney-t është dashuria, në veçanti dashuria romantike dhe erotike, dhe Intermezzo nuk bën përjashtim. Siç thotë Anne Enright, Rooney arrin të shkruajë me detaje seksuale pa qenë e banale, “Me koreografinë e saj dalluese të vështrimit, të frymëmarrjes si dhe me një saktësi të fuqishme për çfarë-shkon-ku”.

    Si një shkrimtare e dashurisë moderne, ajo mendon se do të ishte “paksa shmangëse po të mos shkruaja për asnjë prej këtyre, të thoja: ‘Duhet thjesht ta imagjinosh në kokën tënde’”. Në fakt, ajo habitet se sa pak shfaqet tema e seksit në bisedat për veprat e saj. “Erotikja është një motor gjigand në historitë e të gjithë librave të mi”, thotë ajo. “Nuk do të thotë se personazhet janë gjithmonë gati që të shkojnë në shtrat me njëri-tjetrin tani, por në shumë marrëdhënie, drejtuese është tensioni erotik ose ndjellja. Kështu, është interesante që nuk pyetem më shpesh për këtë”.

    Pastaj ishte seriali televiziv Normal People – një sukses i madh gjatë karantinës – seriali më i vëzhguar i BBC në 2020, por i përshkruar nga një kritik si “më shumë si pornografi me klas të lartë se sa dramë”. Personazhi Connel luajtur nga Paul Mescal, shkaktoi aq shumë debate sa zinxhiri i tij i argjendtë, që me sa dukej qe e  vetmja gjë që mbante veshur shumicën e serive, u bë me llogarinë e vet në Instagram, dhe tani ka 132,000 ndjekës. Çfarë mendimi pati Rooney për serialin? “E vetmja arsye për të bërë një përshtatje të çfarëdo vepre është mundësia për t’u bërë diçka e re dhe interesante në vetvete”, tha ajo. “Dhe mendoj se këtë ka arritur e gjithë skuadra me Normal People. U bë diçka autonome në vetvete.”

    Ajo bashkëshkroi gjashtë episodet e para nga dymbëdhjetë me Alice Birch, dhe punoi si producente ekzekutive për pjesën tjetër. Megjithëse ndihet “e bekuar” nga e gjithë përvoja, nuk dëshiron ta bëjë më. “Nuk kam pasur kurrë ëndrra për t’u bërë skenariste, dhe padyshim, nuk kam as tani”, thotë ajo. “Jam romanciere. Dua vetëm të shkruaj romane”.

    Ishte tërësisht e papërgatitur për shkallën e suksesit të tij. “Më dukej sikur çdokush në Britani dhe Irlandë po fliste për të këtë shfaqje televizive, dhe e gjithë ajo doli nga koka ime”, thotë ajo. Megjithëse mbulimi i medias për Rooney-n nuk ishte asgjë në krahasim me atë të personazheve kryesorë Daisy Edgar-Jones dhe Mescal, “Prapë u duk e tepërt”, thotë ajo. “Nuk dua të jem më në qendër të vëmendjes në atë mënyrë”.

    Siç thotë personazhi i saj Alice, që po merrte veten nga një krizë nervore pas suksesit të romanit të saj të parë te Beautiful World, Where are you, Rooney merr vendin kontradiktor të “romancieres së famshme, gjerësisht të urryer” – një rol i ndarë edhe me talente të tjera të hershme si Zadie Smith dhe Lena Dunham, të cilave gjithashtu iu vendos si barrë etiketa “zëri i brezit”. Rooney ndihet sikur përfaqësimi i saj mediatik si autore e ka lidhur shumë me rininë, “dhe përvoja e të qenurit një grua e re në syrin publik nuk është gjithmonë tërësisht e këndshme apo e lehtë; ka kaq shumë gjëra për të thënë, për të menduar dhe për të debatuar kur vjen puna te roli i grave të reja në kulturën tonë”, vazhdon ajo. “Por do të doja të mos isha pika e fokusit ku qëndron ndonjëherë ky diskutim. Do të doja të mos isha unë”.

    Shumë prej këtyre anktheve dhe stereotipeve mblidhen nën fashën e “letërsisë për vajza të trishtuara” – rrëfime për introspektivën, kryesisht prej grave të reja të privilegjuara (kulmi televiziv i kësaj është seriali “Fleabag” i Phoebe Waller-Bridge), për të cilin Rooney është bërë padashur përfaqësuese si të jetë ajo vajza në posterin e saj. Ndjekësit e Rooney-t në faqen Goodreads, ku janë rreth 50,000, mezi kanë pritur “shtatorin për vajza të trishtuara” me botimin e Intermezzo. Por vetë autorja nuk njeh këtë shprehje. “Nuk mendoj se librat e mi janë të trishtë, apo janë?” pyet, e hutuar. “Librat e mi më duken tejet optimistë për gjendjen njerëzore si dhe për marrëdhëniet.” Vërtet, siç e vë në dukje, kritikët feministë janë ankuar se vepra e saj është tejet pozitive në këtë front.

    S’mund të fitojë – dhe është e vështirë të shkruash për Rooney-n dhe veprën e saj pa dëgjuar zhurmën që ajo ka rreth e përqark. Pak shkrimtarë provokojnë reagime kaq emocionale. Për disa, të lexosh Sally Rooney-n ose të bën fans të madh ose një njeri që e urren, polarizim ky për të cilin autorja mendon se ndizet pjesërisht prej publicitetit të ekzagjeruar: “I bën njerëzit që pëlqejnë veprën time të ndihen sikur u bëhet pjesë e identitetit kulturor, janë njerëz që u shijojnë gjëra të tilla, dhe po njëlloj, ata njerëz që nuk e kuptojnë se pse po bëhet gjithë kjo bujë, i bën të ndihen të izoluar.

    Te Beautiful World, Where are you, romanicerja Alice tall stilet ekstravagante të jetesës së shkrimtarëve në top-lista “të cilët hapin laptopët e vjetër MacBook për të shkruar një roman të vogël me vëzhgime të bukura për ‘jetën e vërtetë’”. A shqetësohet ndonjëherë që i ka lënë pas “njerëzit normalë” të fiksionit të saj? “Jetoj ende të njëjtën jetë dhe njoh të njëjtit njerëz. Nuk kam shkuar gjëkundi”, përgjigjet. “Kështu që nuk mendoj se përvoja ime me suksesin, megjithëse ka qenë një pjesë shumë e madhe e jetës sime, më ka larguar nga jeta normale në një mënyrë që ma bën të vështirë të shkruaj për njerëz që përjetojnë probleme të zakonshme”.

    Ashtu si me seksin, ajo e ndjen si detyrë të mos turpërohet as prej çështjeve të ndyra të parave,. “Po të mos isha e përgatitur për tu përballur me atë çka është fare hapur pjesë e realitetit material të grupit për të cilin po shkruaj, do të ndihesha sikur, thuajse në termat e formës së romanit, po rrefuzoja përkushtimin tim ndaj realizmit.” Dhe kjo do të thotë të shkruash për krizën e strehimit, që është sërish si nënsubjekt te Intermezzo.

    Conversations with Friends u shkrua te tavolina e kuzhinës, ose në krevat, në një seri apartamentesh të marrë me qira, paguar nga një grant nga Këshilli i Arteve i Irlandës. Mund të ketë zyrë tani, por ende shkruan kudo dhe kurdo që ndjen një shtysë, më e lumtur “nën një batanije, përkulur mbi laptopin tim në një pozicion shumë joergonometrik”. Ekzistenca e saj ideale do të ishte të mundte të shkruante dhe pastaj ta linte veprën e saj të shkonte drejt botës pa u përfshirë aspak. “Jam bekuar me dashurinë ndaj të shkruarit”, thotë ajo. “E dashuroj punën”.

    Ajo i jep merita bashkëshortit të saj, Johnny-t, që ia mundëson të shkruarin, dhe jo vetëm duke i sjellë filxhanë me çaj apo duke i zbrazur koshin e plehrave. “Të paturit e kësaj përvojë të rënies në dashuri në moshë të re, me dikë që ma shndërroi tërësisht jetën, dhe ma shndërron çdo ditë, më ka lejuar të shkruaj histori për njerëz të cilëve u transformohet jeta prej dashurisë”, thotë ajo. “Pa atë, nuk mendoj se vepra ime do të njihej. Vetëm prania e tij në jetën time ma ka bërë të mundur të shkruaj gjithçka që kam shkruar ndonjëherë.”

    Edhe pjesa tjetër e familjes së saj është gjithashtu mbështetëse. Babai i saj punonte për një kompani telefonike, dhe e ëma drejtonte qendrën lokale të artit (si Margaret te Intermezzo); u ndanë kur ajo ishte e re, ka një vëlla më të madh dhe një motër më të vogël, dhe të dy janë lexues të mëdhenj të veprës së saj. “Kur përfundoj një libër, është thuajse sikur po bëjmë thashetheme për personazhet dhe jetën e tyre.” Edhe kur ishin fëmijë, kishin biseda po aq të gjalla në tavolinë për librat dhe politikën. Por kujtimi i saj më i fortë është që donte të ishte e rritur. “Mendoja, ‘sa e hijshme dhe e sofistikuar të jesh i rritur’. Pakashumë ashtu ka dalë për mua. Ia kam arritur ëndrrës sime të fëmijërisë”. Nuk ka asnjë interes të shkruajë për vetë fëmijërinë. Miqtë i kanë thënë se do të donin të lexonin diçka nga perspektiva e një fëmijë. “Dhe unë u them: ‘nga perspektiva e kujt?’. Nuk e mbaj mend atë”.

    Në një rresht shumë të cituar nga Beautiful World, Alice i shkruan mikes së saj Eileen: “A nuk jemi foshnje të pafata që kemi lindur kur mbaroi bota?”. Dy gratë në prag të të tridhjetave shqetësohen për të pasurit fëmijë përballë shkatërrimit të mjedisit. “Është diçka që më mban absolutisht zgjuar natën”, thotë Rooney. “Nuk jam prind, por ka foshnje dhe fëmijë në jetën time të cilët i kam shumë përzemër, dhe është e vështirë të jesh në harmoni me këtë botë që po u dorëzojmë. Sigurisht që nuk jam vetëm në këtë ndjesi përndjekëse. Përkushtimi im është të bëhet një botë ku gratë mund të bëjnë fëmijë, jam apo s’jam një prej tyre.”

    Në 2021 u ndie e detyruar të refuzonte t’i shiste të drejtat një shtëpie botuese izraelite për përkthimin në hebraisht të Beautiful World,në mbështetje të lëvizjes Boycott, Divestment, Sanctions (BDS), pas raportimeve që përshkruanin trajtimin e izraelitëve ndaj palestinezëve si aparteid. “Në Irlandë, historia e bojkotimit të Afrikës së Jugut në përgjigje të aparteidit afrikano-jugor, është diçka për të cilën ndihemi shumë krenarë, si pjesë e trashëgimisë sonë kombëtare”, thotë tani. “Nuk mund ta justifikoja veten time për të bërë gjithë ato gjëra që këto grupe civile shoqërore më kërkonin të mos bëja.” Ndihet njëlloj për të drejtat e përkthimit për Intermezzo.

    Ajo dëshpërohet prej sistemit global që po “lehtëson dhe mundëson” luftën në Gaza, ndërkohë që nuk po bën asgjë për të shmangur “kolapsin e plotë të ekosistemeve të planetit brenda jetëgjatësisë sonë”. Duke cituar rreshtin e vjetër të Gramsci për pesimizmin e intelektit dhe optimizmin e vullnetit, ajo ndjen një detyrë morale për të mos hequr dorë nga besimi për një botë më të mirë. Dhe pjesërisht kjo bie mbi përkushtimin e saj për një botë të bukur, të cilën arti e bën të vlefshme për t’u jetuar.

    “I kam dedikuar jetën time shkrimit të romaneve. Nuk e di nëse janë të mirë, por edhe nëse janë shumë të mirë, nuk do ta shpëtojnë planetin”, argumenton. “Është ideja se ndoshta artistët kanë një rol, i cili është t’u japin njerëzve një arsye për të ecur përpara në një kohë kur këto arsye duket sikur po shterojnë.” Por, si gjithmonë, e ka gati antitezën: “Është gjë e mirë për ta besuar. Nuk e di nëse është një gjë e vërtetë për ta besuar. Ndoshta duhet ta kaloj kohën time duke bërë diçka më produktive. Dhe me shumë mundësi, është rast i tillë.” Një argument me të cilin do të ishin kundër miliona fansa të saj.

    Përktheu: Enxhi Hudhri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË