More
    KreuLetërsiBibliotekë"Konferencë shkencore në lugjet e verdha", tregim nga Mehmet Elezi

    “Konferencë shkencore në lugjet e verdha”, tregim nga Mehmet Elezi

    1.

    Erenik D. po kotej dhe u habit jashtë mase, kur vuri re se taksia u ndal në Lugje të Verdha, në një log me bar të vonë, mes pishash. Nëpër degëza flinin copëza bore, qafë për qafë me hënën e bjeshkëve. Në aeroport ia pat dhënë taksistit adresën, siç ia kishin çuar me postë elektronike ata të Institutit Ndërkombëtar të Eposit, organizatorë të konferencës, pa i këqyrur me vemendje të dhënat. Kurrë nuk mund ta kishte çuar ndër mend se po shkonte me bujtë bash aty, ku Ajkuna kish marrë gjamën T’u shkimtë drita, o mori hanë! Dhe ku Muja e Halili me agët e Jutbinës dilnin me gjuejtë e me vrojtue kufirin me krajlinë, për ndonjë lëvizje të dyshimtë të armiqve të moçëm.

    Arkitekti kish punuar me shije, në oborr derdhej një rigë drite me pikla mjegulle e yjesh. E ftohtimtë, e kaltër, e ëndërrt. Një djalë më uniformë ia mori valixhen e i tha diçka për kristalet e natës. Sa çeli derën e fjetës, mbeti shtang. Krejt faqja e murit, qelq i gjallë. Matanë, një shkëmb i bardhë si deltaplan, qysh mbahet ashtu në ajër? Përreth shpatinat me gdhenj, lugjet me borë, qetat, të gjitha përkundeshin paqësisht nëpër dëlirësinë qiellore të natës së maleve. Po ata pishtarë? Tri-katër flakëza fektuan nëpër trungjet e bredhave, krahneza u ndez nëpër hala. Qenkan dhi të egra. Ruajnë fuqinë e zanave në brirët e artë.

    Qe shtrirë, kur nëpër qiell u lakua një fiskël e blertë, që kullonte njomështi. Nuk jam fiskël shelgu, jam hënëz. Nuk jam hënëz, jam ndjenjë. Ndjenjë e një vajze shtalb të dashuruar. Të dashuruar me ty.

    Ndoshta je ylli i valles, po kërkon Arnaut Osmanin?

    2.

    Ç’është ky hotel si kështjellë? Muret dy pashë të gjera. Gur, vetëm gur. Dhe terr, vetëm terr.

    – Është urdhër nga lart, thotë zëri. Nga i madhi.

    – Kush është i madhi?

    Zëri se ç’thotë për liqenin, që fle përmbys në krahun tjetër.

    – Liqeni këtu s’ka të fshehta, thotë Erenik D. S’ka Loknes as lokdreq. Është i kthjellët, sy drenushe. Kush më pruri këtu? Ky është rrëmbim, dhunë.

    Balta gurgullon deri në brez, era e dheut të mykur ia zë frymën. Dhe prangat kërr-kërr. Të akullta, i përvëlojnë duar e këmbë.

    – Je dymbëdhjetë pashë nën tokë, thotë zëri. Në burg. Të ka marrë peng krajli!

    – Si mund të mbahet peng i vdekuri, thërrasin shokët, që vuajnë bashkë me Erenik D. Qe tri ditë e tri net kemi nisë gjamën për të. Merreni këtë vig, në besofshi në Perëndi. Me e shti në dhé robin e shkretë. Po prishet.

    – Ky mashtron!, thotë zëri. S’ka vdekur.

    Një fishkëllimë dhe ia behin nëntë shigjeta të helmëta, nëntë gjarpërinj shullani i turren Erenik D. Dy e zënë në vetulla, dy e zënë në buzë, dy në cica të burrit. Tre të tjerët nuk merret vesh ku e qokatin.

    Atij nuk i luan ashkëza e syrit.

    – Djali ka mbaruar, a keni sy me pa!, bërtasin me një zë shokët e tij.

    – Ky mashtron!, thotë zëri.

    Jep urdhër me i pru njëzet kunja pishe të hollë si gjilpëra, lyer me peshkve. Të njëzet kunjat ia ngulin thellë në gishtat e duarve e në gishtat e këmbëve, ndërmjet mishit e thoit. As ëh!, as oh! nuk ndihet. Ua venë flakën kunjave, njëzet pishtarë në njëzet gishtat e tij. As ëh!, as oh! nuk ndihet.

    – Ka ndërruar jetë qyshkur, piskatin shokët e burguar. Nuk paske arsye, o njeri?

    – Ky mashtron!, thotë zëri.

    Me një hukamë ndez dy zjarre flakadanë. Qet shpatën, e ngul ndërmjet dy zjarreve. Çeliku i shpatës kuqet, djersitet, nis me u shkri. E vini këtë vig në mes!, urdhëron zëri. Aty ku zjarret po e shkrijnë çelikun e shpatës.

    Erenik D. ndien si i plasaritet e i kop lëkura. Mishi po i piqet. Po i digjet, shkrumb i zi.  Po u vjen me vjellë gurëve prej erës së rëndë.

    – Është i vdekur, bubullojnë shokët e përthekuar në pranga, rrasur deri në fyt në baltë. Nuk ndien më shtati i tij, edhe në e grifshi grima-grima.

    – Ky mashtron!, thotë zëri.

    Një lëvizje dore, derdhen tridhjetë vajza.  Fituese të konkurseve të bukurisë në tridhjetë metropole. Jeni çika, flokça ujërash a zana bjeshke?

    – Vallëzoni rreth këtij vigu!, urdhëron zëri.

    Muret me lëmyshk bëhen sy për të vëzhguar. Do t’i zdritë djalit ajo mollëz e tretur kur t’i shohë, do t’i njomet buza rreshkë me musht dashurie? Nuk e mposhtën mundimet e skëterrës, do ta trazojë kjo ëmbëlsi, që sjell rrotull një botë?

    Dhe vajzat vallëzo e fryj si fllad.

    Dhe vajzat valëzo e çelu, lule. 

    Dhe vajzat velëzo e derdhu, dritë.

    Dhe vajzat vezullo e zdritu, ditë. 

    Në ballë më e bukura prin, ujvarë prej kupës së qiellit, rreze e hollë e yllit. Është bash bija e zërit, që ndihet, por nuk shihet. E atij që vëzhgon vigun e jep urdhër për torturat. Vajza paskesh qenë e dashura e Erenik D.!

    Qielli i bërë ujk, uluron prej padurimit. Një xixë gazi e malli zdrit nën musteqet e djalit. Buza shkrumb i shkretë, burbuqe i bëhet. 

    – Uah!, nuk përmbahen vajzat.

    Një piplimë ajri. Dhe vajza shtojzovalle, ajo që prin në valle, ia lëshon të dashurit rubën e vet mbi fytyrë.

    – Zoti ju mëshiroftë, moj motra. Me nëntë shpirt në pastë qenë ky trim, tash s’e ka asnjë. Qielli ia fali mëkatet, sapo ia çeli derën e parajsës. Prandaj ajo rreze i rrëshqiti nën musteqe.

    – Ky mashtron!, thotë zëri. Ky s’ka vdekur!

    Rrah pjekët e syrit. Në burg ia beh harapi me shpatën mizore, me një të sjellë me e ça buallin dyzash. 

    – Ndaja kryet prej shtatit. Le të kalbet dymbëdhjetë pashë nën dhé!

    Syri i të parës së valles pingul mbi djalin. Krah dallandysheje, qerpiku i saj.

    – O ti sy qiellor, ma zbraze në shtat tërë energjinë e botës!, piskat zemra e Erenik D.

    Dhe hov, si penj i këput zinxhirët, me një të rënë ia pret kryet harapit, çohet dallgë përpjetë e i turret të parit të kështjellës.

    E rojet në ar peshuar, si gjethe vjeshte bien.

    E zëri – zoti i kështjellës, bëhet brymë e shkrin. 

    Erenik D. mbështjell qafën me një shall dhe mësyn bjeshkës fluturim. Nuk është shall, është më e hijshmja e ballit të valles. Është çika zanë, hanë e zemrës së tij.  Qafë në qafë me gruan që do, ku është më e ëmbël jeta?

    – Po ne?

    Sytë e tridhjetë të bukurave përlagen. Përloten e përluten.

    – Djemtë e gjakut tim do t’ju marrin nuse. Tridhjetë kreshnikë, tridhjetë agët e Jutbinës!

    3.

    Përmbi majat e borme shkrep një qerpik i artë, rrezja e agut përflak pishat përkrye Lugjeve të Verdha. Erenik D. çel sytë. Lëviz duart, jo, nuk paskam pranga. Shtyp verbëtazi një çelës drite. Faleminderit o Zot!, nuk qenka e vërtetë. Ç’përçartje mizore!  

    Dikush troket butazi në xham, u zgjove? Është një tufalak me njomëza pishe. Një fluturim zogu ndoshta.

    Në pasqyrën përballë përvijohet një hije. E nëpërtymtë, s’i dallohet fytyra. Në parzëm i zbardh badge-ii konferencës.  

    – Përjetove në gjumë një hero të Eposit. Arnaut Osmanin.

    – E kanë tjetërsuar. Arnaut Osmanin e kanë bërë Krajleviç Marku.

    – Ndodh. Mbi njëmijë vjet fqinj, përzihen mite e doke.

    – Dhe thonë Eposi është yni. Duan ta përvetësojnë.

    – Margaritë Jursenari ka një novelë vezulluese. Iliadës i mungon një buzëqeshje e Akilit,  thotë. Një buzëqeshje si e Krajleviç Markut. 

    – Letërsia nuk është shkencë.

    – Letërsia ka magjinë. Edhe sot i referohen Homerit për Trojën.

    – Jursenari s’kish dijeni për eposin shqiptar.  Ishte njohur me eposin sllav. Variant i përshtatur i eposit shqiptar.

    – Edhe ata kështu thonë për eposin shqiptar. Variant i tjetërsuar i eposit sllav.

    Kristalet e borës çukitin në dritare.

    – Eposi është qenie e gjallë, thotë Erenik D. Ka trup, ka shpirt. Sidomos shpirt. Ka qenie të gjallë me dy etër? Në qofshin dy etër, njëri është birësues.

    – Edhe ata kështu thonë.

    – I përgënjeshtron ADN-ja. Eposi shqiptar dhe eposi sllav kanë ADN të ndryshme.

    – ADN-ja e eposit? Metaforë. Në shkencë nuk ecet me metafora.

    – Te eposi sllav është një vrimë e zezë. E përshkruan edhe Jursenari. Kjo vrimë e zezë e çmitizon Krajleviç Markun. E gëlltit!

    4.

    Erenik D. shtyp sythin e power point. Shpalohen dy ekrane.

    Ekrani i parë:

    Arnaut Osmani. Po e torturojnë si në skëterrë. Duan të binden se s’ka vdekur. Se po shtihet. Është as i gjallë as i vdekur. Ashtu as i gjallë as i vdekur, përcjell një buzëqeshje me hijeshi hyjnore. Ia dhuron vajzës në krye të valles. Nuk është vajzë e panjohur. Ai e njeh vajzën. Është e dashura e tij. E zgjedhura për jetë.

    Ekrani i dytë:

    Krajleviç Marku. Po e torturojnë si në skëterrë. Duan të binden se s’ka vdekur. Se po shtihet. Është as i gjallë as i vdekur. Ashtu as i gjallë as i vdekur, përcjell një buzëqeshje me hijeshi hyjnore. Ia dhuron vajzës në krye të valles. Ai nuk e njeh vajzën, s’e ka takuar kurrë. I buzëqesh thjesht se është femër e bukur. 

    Ekrani terrohet.

    Ekrani ndriçohet rishtazi. Krajleviç Marku. Nuk po e torturojnë atë. Është ai që torturon dikë. Ai po masakron një grua. E ka pasur të dashur. Nuk e ther me thikë. Nuk ia pret kryet me shpatë. E kryqëzon të gjallë. Ia nxjerr sytë me pyka guri. Ia gozhdon gushën, ballin (largojini fëmijët, skenë tmerri!).

    – Dy Krajleviç Markë në një, thotë Erenik D. Njëri i buzëqesh plot hijeshi një gruaje. Tjetri torturon si përbindësh një grua. Cili është i njëmendti?

    (Ai në pasqyrë vetëm dëgjon).

    – I njëmendti është krimi. Krimi përshkruhet me tonet e një akti heroik.

    (Ai në pasqyrë vetëm dëgjon).

    – E njëjta hijeshi në buzëqeshjet e të dy burrave, thotë Erenik D. Të Arnaut Osmanit e të Krajleviç Markut. Por nuk janë njësoj.  Në thelb janë të kundërta. 

    – Buzëqeshjet ose janë buzëqeshje ose nuk janë buzëqeshje, thotë ai në pasqyrë. Si mund të jenë të kundërta?

    – Ka buzëqeshje shpirti, thotë Erenik K. Por ka edhe buzëqeshje trupi.

    – Qasje intriguese. Si mund të ndahen?

    – E Arnaut Osmanit është buzëqeshje shpirti. Është blatim për gruan e jetës. Vetëm dashuri dhe kurrfarë dhune mbi femrën. Në Eposin shqiptar nuk dhunohet gruaja. Ajo pyetet. Ajo dëgjohet. Në kodin dokesor gruaja nuk vritet kurrë, për asnjë arsye. Kodi e sheh gruan si qenie më afër Zotit. Ajo mbrohet, njësoj si prifti.

    E Krajleviç Markut është buzëqeshje trupi. Është gjakim për gruan, si femër shtrati. Me atë lehtësi që e josh, me atë lehtësi ia nxjerr sytë. Gjakftohtësisht, sikur po qëron një kokërr mollë. Me pyka guri, për së gjalli. Kjo skenë e përbindshme është e gjallë në baladën sllave. Njësoj e gjallë vjen edhe te novela e Margaritë Jursenarit. Pikërisht në këtë skenë zbërthehet ADN-ja e eposit sllav.

    (Ai në pasqyrë nuk ndihet).  

    – Mund të thuhet se është bindëse një buzëqeshje me hije hyjnore, në një fytyrë cubi?, thotë Erenik D. Se përligjet, se rri natyrshëm në fytyrën e një vrasësi sadist? Buzëqeshja e Krajleviç Markut del e huajtur. E përshtatur sipas një modeli tjetër. Modeli është Arnaut Osmani.

    Cingërron telefoni. Cingërrima bëhet gjithnjë e më ngulmuese.

    – Alo.

    Prej larg vijnë do zhurma të paqarta. Dhe frymëmarrja e shtrënguar e dikujt, që rreket me e përmbajtë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË