More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVangjush Ziko: Rudolf Marku - rapsodi i emigrimit bashkëkohor

    Vangjush Ziko: Rudolf Marku – rapsodi i emigrimit bashkëkohor

    Kam përpara ciklin dinjitoz poetik “Kujtim i largët” të poetit Rudolf Marku botuar në “ExLibris”

    Tematika e këtij cikli është mjaft e gjerë dhe e pasur.

    Unë po përqëndrohem në temën e emigrimit, një temë komplekse bashkëkohore mbi heroin apo heronjtë e tij të dënuar të bredhin nëpër botë për të siguruar mbijetesën e vet dhe të ëndrrave të tyre për jetën:

    O miq të fëminisë që shumë e shumë vite më vonë,

    Do ju shihnja një natë të ftohtë dimri, tek silleshit të hutuar

    Burra të vrarë jete, emigrantë, rreth Arenës së Koloseut në Romë”.

    Ata jetojnë në “vathën” e cila “ka formën e grataqieleve prej betoni”.

    Ata janë “të disiplinuar, blegërijmë në kor,/ kurrë nuk kemi shprehur mosbindje tekanjoze” dhe “ Dhe askush nuk e di se der’ kur do jemi gjallë”/megjithëse:“E drejta e kafshëve mbrohet me ligj,/Madje dhe ujqërit vetë do  dënoheshin  nga gjykatësit e rreptë të Hagës”.

    Bëhet fjalë për një dramë kolektive që e përjeton edhe vetë poeti:

    “Dhe lotët e mia që i fsheha në një lakrimore,

    të cilën e marrë me vete, fshehurazi, kudo që shkoj “

    Filozofia e jetës së këtij heroi është: “të mos kesh kujtesë/Shoqëruar me harrim”, sepse vetëm kështu mund të përballohet antikapi shoqëror bashkëkohor i betejës së emigrimit:

    pa asnjë plagë në trup

    Asgjë heroike për t’u kujtuar, asnjë kronikë për t’u përmendur,

    As dhe daten e rënies nuk ka se kush ta thotë,

    Sepse në fakt nuk kishte asnjë rënie,”

    …………………………

    betejë e mashtruar dinakrisht nga Historia.”

    Dhe kori i emigrantëve vazhdon:

    E megjithat’, në çastin e fundit, në qytetet tona,

    Kthehemi  thjesht po ashtu si trupat e ushtarëve të vrarë,

    Anonimë, pa datën e lindjes a të vdekjes”.

    Teksti i poezisë së Rudolf Markut është i ndërtuar sipas historisë së emigrimit bashkëkohor botëror.

    Kordinator i vargut të tij është përemri vetor në njëjës dhe në shumës (“ne” dhe “ata”), i cili pasqyron botën shpirtërore individuale dhe atë kolektive.

    Për Rudolf Markun poezia është forma e veçantë e komunikimit intim të poetit me lexuesin e vet nëpërmjet këtij bashkëbisedimi.

    Ky bashkëbisedim prek tema të ndryshme, nga intime deri në ato më të mprehtat shoqërore.

    Subjekti lirik i poetit bën të vetat nostalgjinë për të kaluarën dramatike bashkë me shqetësimin për aktualitetin botëror.

    Poezia lirike e Rudolf Markut, poezi e shkruar me varg të lirë, është sa meditative, po aq dhe bashkëbiseduese me lexuesin.

    Intonacioni i vargut të tij është i larmishëm plot variacione dhe gjendje të ndryshme emocionale e psikologjike të kësaj “mbijetese” dramatike dhe epike, njëkohësisht.

    Vargu i tij i përshtatet denjësisht trajtimit të historisë, gjë që e bën atë jashtëzakonisht të veçantë.

    Subjekti lirik përcjell shqetësimin e shoqërisë bashkëkohore në luftën e saj për ekzistencë.

    Poetika e poetit është një gjuhë plot antiteza ambivalente, plot kontradikta të mprehta jetësore, të cilat i përcjell nëpërmjet alegorisë sarkastike të një “deleje të lumtur”: “ushqimi është i dobishëm, askush nuk pyet për shijen”; “kasapët janë të sjellshëm dhe profesionistë”; “shtëpia është e rehatshme, çmimet rriten çdo ditë”; “e drejta e kafshëve mbrohet me ligj, madje dhe ujqrit vetë do të dënoheshin nga gjykatësit e egër të Hagës”.

    Semantika dykuptimshe e zërit poetik shndërrohet kështu në një zë të fuqishëm në “korin e kohës sonë”.

    Teksti poetik i tij kthehet në një fakt historik kuptimplotë.

    Rudolf Marku me këtë cikël dëshmon jo vetëm vitalitetin e tij të pashterur krijues, por dhe ngjitjen e poezisë së tij në një lartësi realiste dhe artistike të re. Ai shndërrohet në një Rapsod lirik dhe epik i emigrimit bashkëkohor.

    Portreti nga Ina Lajthia

    NJË KOMENT

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË