More
    KreuLetërsiBotime të rejaGëzim Basha: Biografemat lirike si Ode, Litani dhe Ekloge Urbane

    Gëzim Basha: Biografemat lirike si Ode, Litani dhe Ekloge Urbane

    Përmbledhja e poezisë së zgjedhur të Preç Zogajt, Në Çdo Pasqyrë na Sheh Mëkati – një kaskadë gjuhësore mahnitëse dhe manifestim i plotë i maturisë estetike – konfirmon jo vetëm vendin e autorit në hierarkinë kanonike të poezisë shqipe, por edhe kapacitetin e sotëm të shqipes për ta mbërrirë sublimimin poetik me spontanitet fluid. Them kapacitetin e sotëm të shqipes, me drojën se mos vulgu pseudokulturor i epokës digjitale, i aftë vetëm për ta shfytyruar këtë cilësi, e kthen shqipen e së nesërmes nga një gjuhë e vdirë në një gjuhë të vdarë…

    E shkruar me seriozitet maksimal, spiralja poetike e Zogajt vjen si sprovë sipërore estetike plot vitalitet kuptimor dhe elokuencë shprehëse për këdo që ka interes serioz mbi artin e poezisë. Poezitë e këtij vëllimi mbeten ndër arritjet më origjinale të poezisë shqipe në katër dekadat e fundit. Ato janë performanca dhe akte magjike, në të cilat përfytyrimet e lira konvertohen në realitete me furi të brendshme, i imponohen hierarkisë, por pa impozime.

    Përmendja e hierarkisë kanonike në poezinë shqipe më duket me vend për dy arsye: e para teorike, e dyta më praktike.

    Globalisht, në studimet letrare dhe debatet akademike të dekadave të fundit, veçanërisht pas publikimit të Kanonit Perëndimor nga Harold Bloom, ka pasur një reaksion anti-kanon, një tendencë për t’i relativizuar vlerat estetike në favor të politikave kulturore që fitojnë vëmendje duke e shpërfillur hierarkinë. Ky është shkaku pse Bloom, për të mbrojtur pozitën e vet, shprehet, “një kritik nuk mund të jetë profet e, megjithatë, konceptimi im për kritikën (letrare) e përfshin kanonbërjen, një gjë jo aq popullore së voni.”1

    Së dyti, nga një shtysë më praktike, por që reflekton klimën tonë letrare: kur përpjekjet për sanksionim të Kanonit letrar nuk janë popullore në ShBA, konsideroni Shqipërinë e sotme, ku çdo përpjekje për të përvijuar hierarkinë letrare provokon një kakofoni agresive reagimesh, të cilat të kujtojnë shpërthimin e Mujit në epos, “shtatëqind vjet do t’i shemb kullat…” Harrohet se hierarkia letrare nuk është rezultante e pasionit për vetëpromovim dhe as e promovimeve përmes grupimesh, shpesh, (anti)kulturore; hierarkia është konsesus që përftohet përmes argumentimit dhe synon ikjen prej kaosit.

    Kjo parathënie është edhe përpjekje modeste në këtë kah. Një Kaos-Mos!

    II

    Prej debutimeve të para te përmbledhja më e fundit, Preç Zogaj, pavarësisht respektit të shprehur ndaj traditës, e ka shkruar poezinë me termat e veta. Modelet e poezive të tij u afirmuan si hibride komplekse varietetesh formale dhe epifanish kuptimore, përherë duke ushtruar një sintaksë elastike dhe elegante, e aftë për të thënë gjithçka me një balancë të përkorë. Me përkujdesjen e tij për diksionin (me diksion nuk kam parasysh tonin, por përzgjedhjen e fjalëve) dhe sintaksën poetike, krijimtaria poetike e Zogajt të kujton përkufizimin e njohur të Coleridge- it për poezinë si “vendosje e fjalëve të duhura në rendin e duhur”. Gjuha e bukur mbetet synim i përhershëm i Zogajt, ngaqë ai e konsideron poezinë art evokativ me ndikim imediat mbi mendjen dhe shqisat.

    Ndjeshmëria e tij gjuhësore e mban poezinë si një formë të butë hipnoze, e aftë të tërheqë vëmendjen dhe të temperojë kujtesë. “Poezia”, thotë poeti dhe kritiku amerikan, Dana Gioia, “e përdor (qëllimshëm) ëndjen estetike si formë instruktimi, ka forcë magjike dhe ushtron efekte të forta. Kujtoni Orfeun, këngët e tij mund të ndryshojnë realitetin duke krijuar komunitete” 2. Poezia lirike e Zogajt – ngjashëm me konceptin e Gioia-s – i reflekton përndritjet e saj të brendshme me vibrime kuptimore, të afta për ta vënë në punë (vë)mendjen e lexuesit.

    Lirizmi i lindur dhe përkujdesja gjuhësore e kultivuar bëjnë që në vargun e Zogajt edhe gjërat më të zakonshme, kaluar në një filtër lirik defamiljarizimi, të krijojnë një festë letrare të pazakontë, larg tonit deklarativ, angazhimit të drejtpërdrejtë dhe “erudicionit” skolaresk.

    Magjikja dhe logjikja kontaktojnë përtej sipërfaqes së dukshme; mënyra se si poezitë e Zogajt e bëjnë kuptimin e tyre, jo rastësisht, përkon me përkufizimin e nobelistit meksikan Octavio Paz, “poezia është këngë dhe kënga nuk është as diskurs dhe as shpjegim” 3 . Për të shkrimi i poezisë nuk është as akt i lehtë, as krijim krejt misterioz; mbërritja te precizioni përmes presionit mbi gjuhën përkufizohet nga vetë Zogaj si moment i një çlirimi të mundimshëm. Në poezinë e tij të hershme, Afrohu Orë e Lumtur e Poetit, e cila shfaqet në librin e tretë, A Thua do të Vish Duke Qeshur, duke medituar mbi natyrën e poezisë së vet përmes përdorimit të teknikave poetike, Zogaj shpjegon:

    Ka disa kohë që shkrimi i poezisë

    më shkakton vuajtjen dhe dehjen

    e dhurimit të gjakut.

    Një qasje e tillë të sjell ndërmend pikëpamjen e Michael Weigers, sipas të cilit, “të shkruash mbi poezinë do të thotë, së pari, mundësi e gjetjes

    së disa përgjigjeve edhe për pyetjet që poetët kanë rreth natyrës dhe origjinës së artit të tyre.” 4

    III

    E parë si complete oeuvre, përmbledhja voluminoze, Në Çdo Pasqyrë na Sheh Mëkati – e para përmbledhje e këtij formati nga poetët e brezit të Zogajt – për nga relievi i saj estetik dhe kuptimor është ndër përmbledhjet më të plota dhe më dinamike në dekadat e fundit. Botimi i një përmbledhjeje, në përmasa të tilla cilësore dhe sasiore, nuk është fort i zakontë ndër lëvruesit e poezisë lirike, ngaqë pak autorë ia dalin ta mbajnë përgjatë tërë karrierës, atë intensitet të veçantë formal dhe emocional që kërkon poezia. Edhe më i rrallë është ky fenomen në letërsinë shqipe ku, historikisht, shumica e poetëve i shkruajnë veprat më të mira fare të rinj dhe gjatë një periudhe të shkurtër shpërthyese, pa mundur ta mbërrijnë ekuilibrin e maturimit.

    Profesor A. Pipa hyn ndër ata studiues që jo vetëm njohin përhapjen e këtij fenomeni në poezinë shqipe, por ai përpiqet ta shpjegojë atë me terma kulturorë dhe të psikanalizës. Në librin e tij Letërsia Shqiptare, Perspektiva Sociale, ai shkruan, “kordoni umbilical që e lidh autorin shqiptar me folklorin e mban atë në kryqëzimin e ID-së me superegon, ndaj, kur ai përballet me krijues nga kombe civilizimesh të larta, (shpesh) e braktis misionin, tërhiqet, ngaqë i mungon vetësiguria që mëkohet vetëm nga një kulturë superiore”5. Profesor Pipa evidenton qartë dominimin e modelit pastoral të jetës në poezinë shqipe e cila, edhe në shekullin e njëzettë, me pak përjashtime, sillej brenda infrastrukturës së poemës epiko-lirike, duke shkruar masivisht pastish shpesh anakronike mbi platforma të njohura folklorike. “Letërsia Shqiptare ka një aromë të fortë rurale”, vazhdon A. Pipa, “pasioni i realizmit socialist për folklorin motivohet nga një dëshirë e ndërgjegjshme për t’i mbajtur rrënjët në traditën kombëtare; e ka të vështirë t’i gjejë koordinatat estetike jashtë kontekstit shqiptar edhe për shkak të pasojave të krijuara prej shtypjes së gjatë politike dhe izolimit ekstrem”. Fakti që edhe në dekadën e katërt të lirisë sonë politike, epitetet qesharake të llojit “patriark i poezisë shqipe” apo “bard modern” përdoren dendur si ndajshtime komplimentuese në shtypin letrar dhe në media, e bën profesor Pipën të tingëllojë po aq aktual sa në vitin e largët 1978.

    Për kontrast, te Preç Zogaj, për shkak edhe të formimit kulturor dhe letrar, në vend të kordonit të vetëm umbilical perceptohet qartë një vetëdije estetike e aftë për t’u informuar nga çdo praktikë e suksesshme poetike, pa e injoruar as poezinë më të mirë orale. Në këtë venë, përmbledhja  Çdo Pasqyrë na Sheh Mëkati e formon tërësinë e saj me parimin e harmonisë së mozaikut, është shumësi teknikash poetike8 dhe larmish tematike, të cilat konturojnë qartë një ndarje radikale me traditëne fiksuar pas imitimit mekanik të platformave të gatshme.

    Me ndarje radikale, kam parasysh refuzimin e adaptimit mekanik të folklorit, (kuptimisht si pikëpamje mbi botën dhe stilistikisht si rrugë e lehtë vjershërimi) dhe jo injorimin e plotë të disa prej teknikave të provuara të poezisë më të mirë orale për të mbërritur sublimimin poetik.

    Preç Zogaj ka një marrëdhënie estetike të vetëdijshme, funksionale dhe komplekse me modelet më të mira të poezisë orale. Në një përpjekje të ndërgjegjshme për t’i bërë lirikat e tij më të çliruara, ai jo rrallë përshtat tonin e lirikës popullore veriore, inskenon për shembull momentin e njohur arketip kur tjetërsimi fizik i së bukurës përjetohet keq tek i përvuajturi, por në një mënyrë krejtësisht të vetën. Konsideroni vendosjet e kujdeshme të vargjeve, “Kur ma ktheve shpinën, vera u bë dimër…” apo “Në t’u thinjtë floku, më keq do ta kem!” Edhe toni adhurues, i shprehur shpesh me vargje si, “o e bukura ime, më e mirë se unë” – ton që i shkon aq shumë për shtat odesë – në mjaft raste vjen si kultivim i bazuar mbi konstruktet e lirikës orale, ku dorëzimi përpara bukurisë shprehet me një emfazë të matur.

    IV

    Zogaj debutoi së pari si produkt i grupimit letrar lezhian, i cili nisi si një counterculture, por shpejt u bë epiqendër e një poezie ndryshe – më saktë, njëra nga epiqendrat e poezisë shqipe, e cila edhe për shkak të represionit politik në qendër, pati marrë karakter të qartë regjional.

    Poezia e Grupimit Letrar të Lezhës u shqua nga pasioni për ballafaqim me modelet më të emancipuara të poezisë europiane. Herë përmes dëgjimit ilegal të emisioneve për poezinë në valët e Radio Italia, dhe herë përmes botimeve të huaja të gjetura me vështirësi dhe të përkthyera me elegancë të përkorë nga R. Marku, ky grupim kërkonte informim estetik përtej kontekstit shqiptar, i cili at’herë ishte, siç aludon Zogaj me një varg, “(një) stinë e thatë për poezinë”. Për një lexues të informuar të poezisë, koordinatat estetike të Preç Zogajt luhaten herë midis Pessoa-s dhe Quasimodo-s, herë në hapësira ku dallohet prania e surrealizmit francez me fuzionin e njohur të realitetit me ëndrrën. Në jo pak raste, në procedimet e tij poetike ndihet edhe atmosfera e surrealizmit sui generis grek me enumeracionet e panumërta të efekteve të dritës. Në kërkimin e koordinatave të tij estetike, Preç Zogaj, ashtu si edhe Rudolf Marku – zëri tjetër i fuqishëm i poezisë shqipe të dalë nga epiqendra lezhiane e poezisë – e hap tremenë e tij origjinale përmes agon-it të vet të papërsëritshëm. (Agon, term i Harold Bloom në teorinë e tij për poezinë; është ai moment tensioni, kur poeti i vërtetë merr prej mjeshtrave paraardhës teknika poetike dhe komplikime kuptimore për të mbërritur një cak të ri estetik krejtësisht të vetin6.) Ky proces kompleks është sa i ndërgjegjshëm po aq intuitiv, prej tij përfitojnë jo vetëm poetët aktivë, por edhe vetë mjeshtrat që s’janë më, ngaqë mbahen në qarkullim rivitalizimi poetikat e tyre. Këtë proces ndërlidhjesh estetike indirekte, Anna Akhmatova e quante “korrespodenca përmes ajrit”7. Në poezinë shqipe, prej gjysmës së dytë të shekullit të 20-të e në vazhdim, ka edhe mjaft raste kur “tensioni” Agon nuk ka çuar në caqe origjinale, por në epigonizëm – shpeshherë në vend të “korrespondencës përmes ajrit” haset një transliterim mekanik modelesh të mjeshtrave të mëparshëm.

    Shembujt janë të shumtë, por listimi i tyre nuk hyn në qëllimet e kësaj parathënieje.

    Poezia e Preç Zogajt në katër dekada, organizohet si natyrat e qeta të Modigliani-it, vendos pranë e pranë vibrime idesh, peizazhe sociale, siluetime personale dhe hije metafizike. Për shkak të shqetësimit të tij të brendshëm mbi ndikimin e poezisë në jetën e të tjerëve, në vargjet ë Zogajt zotëron empatia; nuk gjen aty, as midis rreshtave, kurrfarë cinizmi. Edhe kur fokusohet në padrejtësitë sociale dhe politike, ai e modelon heroin lirik si një alter ego dhe përmes tij, padit së pari vetveten pastaj komunitetin. Preferenca e Zogajt për të marrë mbi vete çka nuk i takon, të kujton thënien e famshme të Lasgush Poradecit, “Poeti është përgjegjës për gjithçka!” Kjo vetakuzë – formë e lartë empatie për absurdin e fatit kolektiv – ndihet qartë në poezinë Çasti i Rrezikshëm, shkruar dhe botuar në fundin e viteve ’80,

    Oh, ç’fjalë të ëmbla për bukën thatë,

    Për rrenat pompoze, oh, ç’heshtje e gjatë.

    Ç’kujdes në të ecur dhe… nuk na shtyp makina,

    Ç’fuqi për të qeshur, shembullore për vitrina.

    Jo, jo, nuk them

    Pse dhëmbët më ranë,

    Pse gishtat m’u pakën

    E kërcet m’u thanë

    Se dua të rroj sot e pastaj

    Dhe rroj pa faj…

    Mbushur stihi, etje shpërthyes,

    Çast i rrezikshëm mbetet mbrapa,

    E shkuara dridhet

    Si fushë e minuar.

    Strofa përmbyllëse e poezisë së mësipërme përçon një frikë thuajse fataliste përmes një pulsimi gati profetik, duke e ngritur poezinë në nivelin e një intrigimi provokues. Kjo prirje e lëvizjes drejt kompleksitetit kuptimor e bën Zogajn një profil krejt të dallueshëm krahasuar me mjaft poetë të cilët, edhe në fund të viteve ’80, vazhdonin të shkruanin, në mënyrën më jo propocionale të mundshme, ato “poezitë e tagrit” që nxijnë edhe sot si vraga kulturore…

    V

    Përmbledhja Në Çdo Pasqyrë na Sheh Mëkati dëshmon se poezitë e Zogajt, si lloje letrare, bëjnë gjestet estetike të odesë, ekloges moderne dhe elegjisë, ndërkohë që, varësisht nga përmbajtja, ato mund të lexohen edhe si poezi dashurie, lutje, protesta, momente meditimi, vaje dhe litani.

    Siç dëshmon edhe kjo përmbledhje, Odeja, si lloj letrar, mbetet ndër format më të parapëlqyera të poezisë lirike, e pakohë dhe në evoluim të përhershëm. E rivitalizuar fillimisht prej romantikëve europianë, ky lloj i lashtë letrar që daton me antikitetin latin, u masivizua në shekullin e njëzettë, duke u bërë njësoj atraktive si për modernistët edhe për eksperimentuesit postmodernë. Në poezinë lirike për dashurinë, Odeja mbetet lloj letrar i pashmangshëm sepse, siç shprehet poeti bashkëkohor amerikan Robert Has8, “çdo poemë dashurie, pavarësisht nëse është përshkruese apo meditative, në thelb të vet përpiqet të bëjë gjestin e odesë”, ç’ka do të thotë: ka ton të theksuar adhurimi, diksion elokuent, dhe përdorim të ndërgjegjshëm të efekteve poetike.

    Tradita jonë letrare nuk ka pasur lirika dashurie të ndertuara mbi skena vizive, jo më pastaj skena surreale që vijnë si fuzion i ëndrrës me realitetin, ku ëndrra përshkruhet në detaje konkrete. Ka pasur orvatje – kujtoni vargjet e Kadaresë, “…pastaj si në rrugica parqesh/ shëtit mes cirkovolucionesh” – por jo realizime të njëmendta siç ndodh me odenë e Zogajt, Baladë.

    Po flija poshtë lisit hijerëndë

    Kur erdhën e më zgjuan, “ngrehu të do Ana,

    Muzikë më të bukur s’më kishin ndier veshët.

    U hap mbi kodrat e verdha një deriçkë,

    Kraharori im kërciti si dërrasë

    Mes lulesh e gajtanash hapi sytë

    Ajo që nuk u bë më shumë se vajzë

    Kjo poezi-ode, vjen si ekzemplar i qasjes retorike Carpe Diem, përdor me finesë elemente dramatike për ta afruar lexuesin në atë çast skenik ku dëgjohet dialogu i heroit lirik me folësin e padukshëm.

    O ti që flet e s’dukesh, a vërtet,

    Më do ajo tani apo jam n’ëndërr?

    Përse më fshihesh o zë kaq i sinqertë

    Syri lirik i një mendjeje në punë e bën këtë poezi kampion të shkrimit imagjinativ; i ofron audiencës një moment të ngarkuar me skenografi detajesh, duke bërë një prerje prej traditës sonë të lodhshme të sublimit sentimental platonik, pa detaje konkrete, i cili, fatkeqësisht, vazhdon dhe shpesh, edhe ne rastet kur virtuoziteti teknik nuk mungon, e dënon lirikën shqipe të dashurisë me anakronizëm.

    Ndonëse sillen qartë rreth motivit të dashurisë, odet e Zogajt e rrisin përmasën e tyre kuptimore nëpërmjet aluzioneve të shumta, veçanërisht të referencave indirekte nga Bibla. Metaforat e tipit, “Një mollë e përjetshme” apo vargjet aforistike të llojit “Në çdo pasqyrë na sheh mëkati,” nuk ndalen thjesht në evokimin e mëkatit primordial, por shtillen si përsiatje të thella mbi natyrën njerëzore dhe pamundësinë tonë të brendshme për një katharsis përfundimtar. Amour, një ode e shkurtër, por me një thellësi të pazakontë, vetëm në katër vargje ia del të inskenojë krijimin e femrës, duke e kthyer heroin lirik në karakter biblik.

    Një brinjë më ikën e shkon të ngulet në rërë,

    Era fishkëllen në anën time të djathtë…

    Në duar mbaj

    Zgavrën dhe mallin.

    Teknika Carpe Diem – shijo çastin – dhe vizualizimi i çastit me  imazhe konkrete e të qarta, e trondit lexuesin duke ngritur një luzmë pikëpyetjesh, përgjigjja e të cilave përbën të vetmen mënyrë për të zbuluar mënyrën se si ky shkurtim e bën kuptimin e vet. Në poezinë, Ne na njohu një e tretë, Dashuria, marrë nga vëllimi me titull homonim – botimi i fundit i autorit – në strofën e parë, Zogaj shkruan:

    Ajo qëndronte mes heshtjes sonë

    kur shiheshim gjatë si dy të pagojë

    dhe e dinim më parë çfarë ka në mendje tjetri,

    dhe flisnim dyshe edhe kur flisnim me vete…

    Strofa e sipërpërmendur të kujton konceptin e Ezra Pound-it, Logopoeia, “dancin e intelektit midis fjalëve”9, ngaqë përmes personifikimit e thekson fort idenë e dashurisë si një prani të domosdoshme te njeriu, si një forcë e natyrës e aftë për të kryer modelimin tonë shpirtëror. Kjo poezi manifeston edhe një marrëdhënie fine me traditën e poezisë lirike në shqip, ngaqë evokon thuajse padukshëm filozofinë e Naim Frashërit për dashurinë si dimension humanizues. “Që ta bënte njeri baltën Zoti shpejt / nga yt det një pikë hodhi, mbi të drejt’,” shkruan Naim Frasheri në librin e tij të parë, Ëndërrimet.

    Odet e Zogajt për dashurine të kujtojnë odet e Pablo Neruda-s, ato i prin synimi për të celebruar atë që Kriticizmi i Ri e quan the significance of the insignificant apo rëndësinë e gjërave në dukje të parëndësishme10. Ato e kërkojnë formën si struktura të hapura, janë levizje drejt formës, por pa u bërë formë strikte. Ndonëse plot melankoli, ato ndahen qartë prej elegjisë me një membranë transparente, përmes së cilës zhanret shihen dhe ndahen.

    Poezia moderne, prej viteve ’60, e rivitalizoi edhe eklogen si një model fleksibël për të sjellë në fokus gama larmish tematike, duke shmangur skenat skematike të traditës poetike pastorale. Ky lloj riaktualizimi i modelit të hershëm solli kultivimin e vjershës kuazi- dramatike, ku mbizotëron soliloquy — (monologu i unit lirik) syri dhe mendja e të cilit bëhen skena ku zhvillohet gjithçka. Veçanërisht në postmodernizëm, u eksperimentua shkrimi i poezisë si mënyrë e të folurit me veten, por me një un lirik përherë të ndërgjegjshëm për praninë e nënkuptuar të audiencës. (Midis shembujve të panumërt veçoj librin e poetit të shquar amerikan, Ed Roberson, City Eclogue apo poemen e Robert Hass, Berkely Eclogue. 11 ) Kjo tendencë solli ripërqëndrim të vëmendjes ndaj detajit viziv, fragmentarizim të tërësisë për të kuptuar më qartë koherencën. Dy nga poetët më të shquar shqiptarë të afirmuar në vitet 60-të, Kadare dhe Arapi, e adaptuan herët këtë prirje. “Jetoj i tëri nëpër fragmente” shkruan në njërën nga poezitë e hershme Fatos Arapi, duke sjellë guximshëm një estetikë të re.

    Poeti bashkëkohor amerikan, Edward Hirsch, në përpjekjen e tij për të përkufizuar eklogen si lloj letrar modern, citon George Puttenham- in i cili në librin e tij, Arti i Poezisë Angleze, shkruan, “Ekloge u mundëson poetëve marrjen me ‘temat e mëdha’ të cilat, në llojet e tjera (poetike), nuk do të mund të adresoheshin në mënyrë direkte”12. Në pikëpamjen time, një nga këto tema është empatia, veçanërisht sot kur cinizmi po e dominon kulturën popullore duke u bërë, globalisht, përherë e më tepër kërcënim real për kohezionin social. Poezia e Zogajt, në një masë të madhe, hyn në atë që quhet Letërsi e Empatisë, dhe për të qenë më konkret po citoj disa fragmente nga poezia, Sa Herë Mësoj, nj soliloquy e shkruar edhe me teknikën e vajit,

    Sa herë mësoj se vdes një bashkëfshatar

    Ulem në një kënd të natës dhe qaj…

    …Si shkoi ashtu, pa kërkuar gjë?

    U shkul nga toka dhe humbi sysh,

    Borxhet i fali….

    Ah, ta kisha parë njeherë nëpër riviera

    Me kapele të bardhë, gjyslykë, këpucë të reja.

    Ta kisha parë pezull, kapur në një ëndërr

    Rrugës së mistereve, disa herë dhëndër.

    …Atje në harrim

    Ndoshta hija do ta tradhtojë,

    Në fund të botës do të më gjejë

    E do të më thotë: pse s’më solle ilaçe?

    Në jetë gjithnjë më shumë më dhimbsen gratë.

    Por vdekja e burrave ma ha zotin.

    Kjo poezi ngrihet si shembull i empatisë së thellë dhe pa impostim artificial, uni lirik e sheh veten në lëkurën e atij që s’pati zë për të kërkuar gjë, që iku prej jetës si një ushtimë mbijetese pa pretendime, duke lënë pas në një vend ku, siç shprehej Fatos Arapi, njeriu shqiptar ecën “dorë për dorë me tragjedinë” e vet. Poezi të kësaj natyre ia lehtësojnë lexuesit të kuptuarit e dozës së dhimbjes te poezitë e tjera, ku poetizohen pa patetikë marrëdhëniet e heroit lirik me vendlindjen.

    Konsideroni vargjet,

    Megjithatë zilikote prapa mbetet Fildana,

    Jeshile, tmerësisht jeshile,

    Si ta ketë helmuar dhembja ime.

    Zogaj hyn ndër ata poetë që e konsiderojnë poezinë art mnemonik, për të mbijetuar i duhet cilësia e të mbajturit mend; prirje e natyrshme, ngaqë poezia është një art origjinal që i paraprin shpikjes së shkrimit, ka lindur si një teknologji e kujtesës dhe vazhdon të ekzistojë si e tillë. Zogaj e konsideron poezinë, në thelb, një art formal; ai është i qëllimshëm në përdorimin e diksionit, metrit dhe rimës, si mjete që i shërbejnë krijimit të efekteve që e lehtësojnë kujtesën duke i vendosur thekset semantike aty ku duhet. Kjo tendencë e shkrimit të poezisë të kujton R.Frost kur shprehej, “poezia është në thelbin e vet mënyrë për të mbajtur mend ato sende, ngjarje, imazhe dhe tinguj, harresa e të cilave do të na varfëronte pa masë » 13 . Thekset semantike të Zogajt kanë shpesh edhe natyrë tingullore, janë rimim fjalësh me marrëdhënie kuptimore kontekstuale, të cilat kanë potencën për të mbetur në kujtesë. Konsideroni rimat në strofën e mëposhtme, nga një lirikë dashurie.

    Ne bëmë dhe braktisëm një çudi

    Tani në fusha bares zemërvrarë,

    Aty ku je s’vij dot se më sheh ti,

    Këtu ku jam s’më rrihet pa të parë.

    Rimat, çudi / ti dhe zemërvrarë / pa të parë, shenjojnë njëherësh subjektin e adhurimit dhe atmosferën, gjendjen emocionale të unit lirik dhe shkakun e saj duke shmangur çdo rrezik proliksiteti. Në teknikën poetike të evokimit, përsëritjet, veçanërisht anafora, epifora dhe epistrofa, janë mjete stilistike që aplikohen gjerësisht për të krijuar marrëdhënie dinamike ekspresive midis fjalisë si njësi sintaksore e plotë dhe vargut si unitet metrik jo i mëvetësishëm (me përjashtim të rasteve kur poezia përbëhet nga një varg i vetëm.) Fragmenti i mëposhtëm, hyrje e poezisë Falje, me dy anafora dhe një epistrofë, arrin të krijojë ritmin si mjet të fuqishëm të ekspresionit evokativ, i cili përforcohet edhe më nga adresimi i thirrorit, shpresë / mall i zi, me disa fjali pyetëse,

    Ku më çon? Ku më mbyll, o shpresë, o mall i zi?

    Ti më fsheh prej njerëzisë, midis njerëzisë.

    Me një yll që as ikën, as vjen ti më rren.

    Si nuk kalon asgjë!

    Si nuk afron asgjë!

    Unë jam këtu si vajza me lulen e kujtimit,

    Fytyrë e pikur në metal unë jam…

    Organizimi ritmik i vargjeve të këtij fragmenti ndikon qartë mbi orkestrimin e tingujve, duke ilustruar prirjen e Zogajt për përdorim koshient të kapacitetit melodik të gjuhës.

    Duke sqaruar përkufizimin e Wordsworth-it mbi përdorimin sensitiv dhe imagjinativ të gjuhës prej poetit, Andrew Welsh, shprehet,“Gjuha lirike synon të sjellë aureolën e imagjinatës teksa dëgjuesi (lexuesi) i poezisë percepton lëvizjen vibruese të tingullit në kohë, krijon një imagjinatë vizuale që synon efektet e pikturimit mbi shqisën pamore”14 . Preç Zogaj, ngjashëm me përcaktimin e A. Welsh, nuk e shkruan poezinë vetëm ngaqë ka diçka për të thënë, poezia e tij synon të gjejë mënyra të reja të të thënit, është kërkim vizual dhe sonik drejt skenash imagjinative si komplekse kuptimore.

    VI

    Grafika më përfaqësuese e evoluimit të Preç Zogajt si poet mund të konceptohet lehtësisht si një spirale me pikënisje librin e tij të parë, Emrat Tuaj, botuar në vitin 1985, por përmbledhja, Në Çdo Pasqyrë na Sheh Mëkati, edhe po të kompozohej me një rend kronologjik invers – aplikuar së pari nga poeti amerikan R. P. Warren – prapë do t’i krijonte lexuesit mundësinë që prej arritjeve të vona të nisej drejt jehonave të para për të parë qartë atë proces kompleks krijimi përgjatë të cilit autori, nga një talent premtues u bë premtim i përmbushur.

    Prej librit të parë, i cili për kohën më shumë sesa natyrën e autorit reflektonte kufizimet e redaktorit, nga libri në libër, teksa autori fiton më shumë hapësira botimi dhe për pasojë më shumë autoritet, hasim një zgjerim të shpejtë të rrethit tematik ndjekur nga një pasurim progresiv dhe i vetëdijshëm i repertorit të mjeteve shprehëse. Emrat Tuaj, pasohet nga E Pakryer dhe A Thua do të Vish Duke Qeshur, dy libra në të cilat ndihet qartë orientimi i poetit drejt një realizmi lirik. Termi realizëm lirik më duket i përshtatshëm, ngaqë Zogaj fillon të shfaqë një interesim të ndërgjegjshëm ndaj poezisë së rrethanave, lirikat e tij tashmë kanë një setting, (kohë dhe skenë fizike), ku endet uni lirik në recitale soliloquy- sh. Kjo prirje e Zogajt përmbush atë që Iris Murdoch në esenë e saj të njohur, Kundër Përtharjes, e quan “dëshirë të lexuesit për ngushëllim”, mundëson endje modelesh të cilat, përmes filigranës gjuhësore, brenda prarimit pranojnë edhe detajet më të imta të finesës. 15

    Qielli i Gjithkujt, i botuar në vitin 1990, libri i tij i katërt, vetëm pesë vjet nga botimi i librit të parë, është padyshim libri poetik më i mirë i kohës në krejt hapësirën shqiptare, një libër që markon qartë maturimin e shpejtë të autorit si poet prirës, jo vetëm i brezit të vet, por i krejt poetëve aktivë në atë kapërcyell pasigurish. Ky vëllim hapet me poezinë Pa Cak, një Ars Poetika, ku manifestohet jo vetëm tendenca e autorit për të mbërrirë caqe të reja estetike me prioritet përfyryrimet poetike si formë e shkrimit imagjinativ, por dhe përdorimin e imazhit konkret si mjet për të mbërritur te kuptimi. Kjo praktikë të kujton prirjen e Walt Whitman-it, shkrimin e poezisë si një album masiv fotografish. Konsideroni vargjet,

    Magjistrat e përrallave hapin fletët dhe ikin,

    Edhe unë ikij sipër metaforave.

    U mërzit lumturia këndej enigmave,

    Tani e ngriti figurativisht spirancën,

    Kam vizë nga Homeri, mbreti ynë demokrat,

    Për t’u ngjitur pa cak.

    Ç’hapsirë e rrafshtë, e pandalshme,

    Limane qiellore me emrin, Nëna Jote,

    Shpirtra shëtitës në qiell të gjithkujt,

    Pasqyrë që s’pasqyron por i mton tokës,

    Fytyrën e vet…

    Në shkrepat e Velës do ta pres shpirtin tim,

    Endacakun që mbledh andej-këndej figura.

    Atmosfera e poezisë e manifeston qartë synimin estetik të autorit për ta shkruar poezinë si kërkim tropesh të freskëta, native dhe inovative.

    Në vitet ’90, Zogaj boton librat Këmbësor në Qiell dhe Kalimi, ku, në aspektin kuptimor, reflektohet mbi lirinë si iluzion dhe zhgënjim ku subjektet, edhe pse shpesh reflekse të traumës politike, prapë trajtohen me lirizëm fluid. Dy strofa, e para dhe e fundit, prej poezisë, Këngë e parregullt, nga libri Këmbësor në Qiell, e ilustrojnë qartë këtë prirje,

    Asgjë s’ka ndryshuar dhe gjithçka është tjetër,

    Çdo gjë është njëlloj dhe asgjë si më parë,

    Epoka është re kurse jeta e vjetër,

    Prapë qajmë duke qeshur e qeshim duke qarë.

    Por dreq si më mban hovin në çastin e guximit

    nijeti kokëfortë i një ëndrre flu,

    Ajo shanse nuk ka që t’i shpëtojë tërbimit

    se vetëm epopera ne dimë të bëjmë këtu!

    Në vitet 2000-2010 boton librat, Pas Erës së Re, Gjallë Pashë,dhe Nuk Ndodh Asgje Veç Dashurisë, të cilët jo vetëm ruajnë kuotat e arritura, por e bëjnë edhe më të dukshëm virtuozitetin, pa e lënë aftësinë teknike të eklipsojë përmbajtjen. Tre librat e fundit, Ushtrimet e Melankolisë, Fundi, Një Fëmini Tjetër dhe Një e Tretë, Dashuria, janë vazhdim i kreshendos dhe, për shkak të lidhjes me fije më të dukshme tematike, lexohen si një triptik, ku poezia duket sa e kthjellët po aq kriptike.

    VII

    Kur Eqrem Çabej, në një review për librin e dytë dhe të fundit të Poradecit, Ylli i Zemrës, shprehej se poezitë e Lasgush Poradecit lexohen si “tragjedi të vogla” me sipar apeks dhe fund tragjik, ai nënkuptonte prirjen e autorit për t’i ngritur poezitë si struktura poetike të mirë- organizuara. Në Letërsinë e Re Shqipe, pak poetë e kanë vetëdijen e strukturës poetike, shpesh edhe poezi me mjaft potencial tejzgjaten, vazhdojnë për inerci, duke shtuar fragmente të tëra pas atij momenti që do të ishte mbyllja e natyrshme. Preç Zogaj, ngaqë e konsideron poezinë si akt letrar polisemik të përfshirë në zbulimin, eksplorimin dhe interpretimin e eksperiencave, e shkruan poezinë me një sens të fortë të strukturës. Me një qasje mimetike, të fokusuar në marrëdhënien e poezisë me atë çfarë pasqyron, do të eksploroj në vijim disa nga modelet dhe mjetet e të menduarit poetik të Zogajt në disa poezi, jo për sintetizim, por për ilustrim.

    Poezia Shikim, një poezi jo e gjatë, por antologjike për mënyrën e saj të lëvizjes nga imazhi në imazh dhe nga ideja në ide, një abstraksion poetik i ngritur mbi detaje konkrete, hapet me një distik të çlirët, ngaqë në vend të rimës preferon asonancën,

    Aty në trishtoren e diellit që u shkreh,

    Aty po qajnë dhe askush s’thotë pse…

    Vargu i parë bën për skenë të poezisë një pamje surreale, pa koordinata të qarta, ndërsa vargu i dytë e mbush atë skenë me kujë dhe enigmë.

    Distikun e ndjek një strofë-kompozitë e cila, ngarkuar me efekte poetike që ndërtojnë përmbajtjen kuptimore, zë pjesën më të madhe në strukturën e poezisë,

    Sumbulla, sumbulla dritaret e shtëpive

    Emblemë e brishtë e trishtim arrative

    Aty po vajtojnë dhe të vdekurit mungojnë

    Të vdekur nuk ka e zilja ra

    Dhe askush s’thotë pse!

    Dhe askush s’thotë pse!

    Dhe askush s’thotë pse!

    Edhe kjo strofë nis me një distik, por me rimë të plotë si shenjë sonike e kalimit në një gjendje më racionale. Në vargun e parë skena bëhet më realiste, ambienti rustik i një peizazhi tipik shqiptar, kurse në vargun e dytë i rikthehet abstragimit të ngarkuar me aludime. Në leximin tim, “emblema e brishtë” s’është gjë tjetër veçse heraldika apokrife e një shteti që u përmbys si ngrehinë letre, duke e futur krejt komunitetin në krizë identiteti, kurse “trishtim arrative” shenjë metaforike e eksodit masiv të shqiptarëve. Dy vargjet pasues rrinë secili më vete, në funksion të së njëjtës gjendjeje. Efekti kryesor poetik në këtë pikë është zëvendësimi i rimave fundore me rimat brenda vargut, një thyerje sonike e cila synon të theksojë absurdin me oksimorone kontekstuale(Atje po vajtojnë – dhe të vdekurit mungojnë / Të vdekur nuk ka – e zilja ra…)

    Përsëritja tri herë e vargut, “dhe askush s’thotë pse,” përforcon me elegancë enigmën.

    Nga pikëpamja formale, strofa përmbyllëse e poezisë është një tercinë e cila lexohet si fragment sestet-i, tri vargjet e fundit në sonetin Petrarkian, duke marrë funksionin e një volte – ndryshim drejtimi për të gjithë poezinë.

    Me rrënjë nëpër këmbë,

    Unë bredh nëpër erë,

    S’më nxë Asnjë derë.

    Imazhi ka një lloj makthi që të kujton sa pikturat e Chagallit po aq Dream Songs të John Barryman, veçanërisht Dream song nr. 10, hyrjen e unit lirik në një marrëdhënie metonimike me vetveten, kalimin nga metafora në metamorfozë, ku çrrënjosja bëhet vuajtje e përhershme dhe përplasja me një derë që nuk nxë – metaforë e mospranimit.

    Ky lloj leximi niset prej prerogativës së njohur sipas së cilës, në artin e shkrimit të poezisë imazhi përdoret ndërgjegjshëm për të ilustruar konceptualen, jo kuptimin, ngaqë imazhi, shpesh, është vetë kuptimi, funksioni i tij estetik është të kthejë në përmbajtje kuptimore eksperiencat sensore. Poezia, Vetmia e Gruas, e shkruar si shpjegim i një koncepti abstrakt në një fjalor termash, ilustron së pari prirjen retorike të Zogajt për kompozime jokonvencionale.

    Vetmia e gruas sime është sinjifikative…

    Me të rënë mbrëmja mblidhet si mjellmë,

    Ka shumë frikë, shumë dhimbje në sy.

    Unë e kuptoj: me një bishë të egër

    kufizohet vetmia e gruas sime.

    Vetmia e zbrazur, vetmia vetmitare

    e gruas sime në vitin në vazhdim,

    vizitohet natën nga pemë të përgjakura,

    toka të rroposura, det i rënë përmbys…

    Pastaj vijnë me radhë fëmijë që ngjallen

    në prehrin e burrave dhe kërkojnë sisë.

    Miliona shenjtorë me lot nëpër faqe

    dalin nga pendimi njerëzor…

    Përdorimi i epitetit formal “sinjifikative” në vargun hyrës krijon tensionin e parë gjuhësor, ngaqë hyn në një kontrast toni me imazhin imagjinativ, por joformal të “mjellmës që mblidhet”. Më tej pason një enumeracion përfytyrimesh poetike të përshkruara si simptoma, ndjekur nga shpjegimi i tyre, çka të krijon jo vetëm ndjesinë e përshkrimit të vetmisë si neuroze e përhap ur e njeriut modern, po mund të lexohet edhe si një lloj vetëdiagnostifikimi, në mos self-therapy e vetë heroit lirik, në fund të fundit autor i këtyre përfytyrimeve, ku gjuha e efekteve poetike nga medium bëhet medicinë, hipnozë e butë, ku bota, edhe pse së prapthi e thuajse haluçinante, prapë ka një harmoni estetike, e cila më shumë sesa me mend perceptohet me sy. Shpesh poezitë me ton elegjiak kanë karaktere të portretizuara me detaje, portrete të njohurish – veçanërisht prindërit – ligjet e të cilëve janë herë-herë apostrofim i autorit. Vargjet përmbyllëse në njërën nga poezitë më prekëse të Zogajt për Nënën, ilustrojnë qartë një finesë poetike të hasur rrallë në lirikën shqipe me këtë temë,

    Aty…aty…rrohet pa çorape,

    O shpirti im,

    Që të dhashë rrugët.

    Prej elegjisë tradicionale, Zogajt i mjafton vetëm adaptimi i tonit elegjiak, e merr atë si mjet për të rindërtuar të humburën apo përmasën e ikjes, pafuqinë njerëzore përpara trilleve të fatit apo, me tropet e njohura të Cavafy-t, atë dorëzim emotiv përpara “veprës së keqe të vdekjes.”

    Pendimi nuk Gjen Një Gjë ku të Falet, kushtuar Ndoc Gjetjes, bën një me tonin elegjiak ritmin jambik të ecjes drejt varrezës,

    E kishte gati një akuzë për ne

    Pararojën e funeralit të tij aspak skenik.

    Por s’ka lënë gjë të shkruar dhe s’ka folur.

    Në të kundërtën, u ka thënë gruas dhe mbesës

    “shokët më të mirë i kisha ata…”,

    “që më harruan” shtoj unë duke qarë…

    Ky pasazh poetik shënon kalimin prej simpatisë në empati, skicon me impresion portretin asketik të Ndoc Gjetjes tek i cili mënyra e të shkruarit pati përputhjen më të mundshme harmonike me mënyrën e të jetuarit. Parafytyrimi i momentit të ikjes e ngre poezinë nga elegji për dikë, në meditim elegjiak për vetveten duke e bërë atë një ekzemplar të transferimit të eksperiencave.

    Pushon të menduarit e pastër dhe bujaria,

    Pushon ndërshmëria që e kishim frikë

    si pasqyrën e engjëllit që na tregon vetiu

    çfarë s’duam të kemi por kemi në shpirt.

    Lirikat personale të Zogajt distilojnë në trajtë imazhesh ngjarjet e së shkuarës, veçanërisht fëmijerisë. Janë kontemplacione mbi konstelacione eksperiencash sensore, të cilat të kujtojnë termin e Roland Barthes-it, biographema,ato kroki të shpejta jetësore të cilat mblidhen si copat e thyera të xhamit për t’u vendosur pastaj kujdesshëm brenda unitetit të poezisë, me synim rikrijimin e një tërësie të kthyer në impuls nostalgjie16 . Për ta bërë më konkret këtë aplikim, po sjell tri fragmentet e poezisë Jubilare e cila, edhe pse e botuar në vitin 1989, prapë reflekton qartë një emancipim estetik sipëror prej një talenti vërtet superior. Në dy strofat e para, një skenë e rëndomtë native, vetëm ngaqë është thellësisht personale, kthehet në një sekuencë pothuaj filmike që i zë vendin, (e ndoshta e rivalizon,) lajmit ndërkombëtar më sensacional të kohës. Tensioni poetik në këto dy strofa krijohet përmes kthimit të dhembjes për rënien e një ushtari anonim në emocion dominues,

    Si sot njëzet vjet kur nga Toka

    U nis për në hënë Apollo 11,

    Im atë ka blerë kapelë me strehë,

    Një ushtar të ri kemi varrosur,

    E sollën në fshat me makinë nga kufiri,

    Plagët nuk ia pashë, dekoratën po.

    Atë natë kemi shkuar për darkë te motra

    Në një fshat të Mirditës, unë dhe babai.

    U festua kapelja

    Dhe mbesa ferishte,

    Dhe kalorësit e hënës,

    Dhe anija kozmike…

    Mua prapë më është kujtuar ushtari:

    Sa keq, sa keq, ai nuk dinte gjë!

    Strofa përmbyllëse, me një enumeracion detajesh personale, bën që mungesa e ekzaltimit në dy strofat e para t’ia lehtësojë heroit lirik hyrjen e shpejtë në një marrëdhënie metonimike me vetveten; fëmija i dikurshëm, ai që regjistronte detajet, më shumë se prani fizike, tani është “fati i tij” i vënë midis reticencash dhe heroi i dikurshëm ka lënë pas vetëm një viktimë – nënën e vet.

    Tani motra është ndarë nga burri i parë,

    Babai e hodhi më në fund kapelën e vjetër;

    E ëma e ushtarit qan gusht për gusht në varreza,

    Kurse fati im… Kurse fati im…

    Sy për sy me një hënë pesëmbëdhjetëshe

    merr pjesë në jubiletë

    e ngjarjeve botërore.

    Kjo poezi – model i shkrimit fluid – të kujton atë pesimizmin e njohur ekzistencialist mbi human conditions, mbërrin te kuptimi përmes efekteve poetike të matura, shmang tonin deklarativ duke adaptuar ndërgjegjshëm një zë thuajse elegjiak.

    VIII

     Prej kohës kur libri, falë Gutenbergut, nga artefakt unik u bë commodity – produkt per tregun – çdo botim nuk i shmang dot më dy pyetje:

    -Përse duhet lexuar?

    -Kush e pret?

    Ada Limon – aktualisht Poetja Laureate e ShBA-së – e pyetur për rolin e poezisë, shprehet, “Poezia na ofron heshtjen, atë këndin e qetë për të cilin kemi përherë nevojë»17. Ky “kënd i qetë” i Limon është, veç të tjerash, metaforë për dalje nga kaosi kakofonik i përditshmërisë dhe hyrje në sanctuary – strehimoren shpirtërore më të lashtë të njerëzimit – poezinë. Në këtë sens, përmbledhja Në Çdo Pasqyrë na Sheh Mëkati, duhet lexuar si balsam i duhur jo vetëm për entuziastët e poezisë lirike, por edhe për këdo që ende beson te libri dhe marrëdhënia personale me të.

    Borges e përfundon esenë hyrëse për librarinë e tij personale, me një paragraf që vlen për pritjen e çdo libri me apel estetik, “Një libër nuk është veçse një send mes sendesh të tjera”, thotë ai, “një volum i humbur mes volumeve të panumërta që popullojnë universin tonë indiferent…derisa i vjen çasti të takohet me lexuesin e vet, personin e destinuar për simbolet e tij. Kur vjen ky çast, at’herë kemi atë emocionin e rrallë të cilin nuk e shpjegon dot as psikologjia dhe as kritika.

    …Arti ndodh.

    Shpresoj se ti do të jesh lexuesi që ky libër pret”18 .

    Pas këtij pasazhi të jashtëzakonshëm, të shkruar me teknikën e psallmit, cilido besimtar i zakonshëm i leximit të poezisë, duke mbajtur në duar përmbledhjen Në çdo Pasqyrë na Sheh Mëkati, mund të shtojë vetëm një fjalë,

    Amen!

    Maj, 2024

    1             Harold Bloom: Afterword of Selected Poems of Jay Wright. Princeton University Press. Princeton, New Jersey. 1987

    2             Diana Gioa, Can Poetry Matter. Graywolf Press. 1992

    3             Octavio Paz: Convergences: Essays on Art and Literature. Harcourt Brace Jovanovich. 1987

    4             Michael Weigers, This Art: Poems About Poetry. Copper Canyon Press. 2003

    5             Arshi Pipa. Albanian Literature: Social Perspectives. Munchen, R. Trofenik. 1978

    6             Harold Bloom. The Anxiety of Influence. New York, Oxford University Press. 1978 7

    7             The Ecco Antology of International Poetry. Editit by Ilya Kaminsky and Susan Harris. Ecco an imprint of Harper Collins. 2010

    8             Robert Hass. A Little Book on Form: An Exploration Into the Formal Imagination of Poetry. Ecco an imprint of Harper Collins. New York. 1978.

    9             Ezra Pound. Literary Essays of Ezra Pound. New Directions. Norfolk Conn. 1954

    10           Miranda B Hickam & John D. McIntyre. Rereading New Criticism. Ohio University Press.

                    Ohio State University Press. Columbus Ohio. 2012

    11           Ed Roberson. City Eclogue. Atelos. 2006

    12           Edward Hirsch. A Poet’s Glossary. Houghton Mifflin Harcourt. Boston & New York. 2014

    13           James M. Coks. Robert Frost: A Collection of Critical Essays. Prentice-HallInc, Englewood Cliffs. New Jersey. 1962

    14           Andrew Welsh. Roots of Lyric: Primitive Poetry and Modern Poetics. Princeton University Press. 1978

    15           Iris Murdoch. Against Dryness në Existentialists and mystics : writings on philosophy and literature. Edited by Peter Conradi. Allen Lane/The Penguin Press, New York. 1998

    16 Roland Barthes. A Barthes Reader: Edited and with an Introductio, by Susan Sontag. Hill & Wang. New York. A division of Farrar, Straus and Giroux. 1982

    17           Ada Limon. Poets.org. American Academy of Poetry

    18           Jorge Luis Borges. Selected Non-fiction. Edited by Eliot Weinberger. Viking. Penguin Group. New York. 1999

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË