More
    KreuIn memoriamVilma Proko: Atë Ndon Belushit në 90-vjetorin e lindjes

    Vilma Proko: Atë Ndon Belushit në 90-vjetorin e lindjes

    Rrugëtimi i një misionari: model përkushtimi për Arbërorët dhe Arbërinë

    Arbëria e Arbëreshëve ngjason me një grua, e cila mban veshur një fustan të sajuar nga fijet e mitit e të historisë, të stolisur me perla “të gjakut të shprishur”, të zbukuruar me lule të egra, ku dielli dimëror derdh pikëza të arta. Flladi i kujtimeve vjen si një serenatë me motivin e Moresë dhe koha vijon të lërë gjurmët e saj.

    Arbëreshit i veshën tipare greke, por në ofshamën e zërit të lodhur rrëfehet historia e tij e largët, e lashtë, ku shpirti mbledh në amforën e vet antike arbëreshët madhështorë.

    Një “stoli tinëzake” është asimilimi i tyre; një piton, që po i tkurr, duke i shndërruar ata në një fragment jo më të madh se një pullë poste, por të mos harrojmë: janë ende 50 kartolina, plot 50 puzzle-a gjigantë arbërorë në tokën italiane*.

    *Marrë nga libri Rrugëtim në ngulimet arbëreshe (50 kartolina gjigante arbërore në tokën italiane). Antonio Bellusci & Ornela Radovicka. Botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Tiranë 2020, 452 f.

    Më 15 shtator Atë Ndon Belushi (Antonio Bellusci), një nga Patriarkët e fundit të mëdhenj të Botës Arbëreshe do të festonte 90-vjetorin e lindjes. Me plot kontribute të jashtëzakonshme si rrallëkush Ai ka qenë dhe do të mbetet jo thjesht një udhëheqës shpirtëror për Arbëreshët në Itali e gjetkë, por edhe për Arvanitasit në Greqi, për të cilët la pas të dhëna thelbësore. Papas Ndoni ishte një dijetar, kërkues e studiues me zemër e shpirt të madh! Si prift famullitar, mësues, shkrimtar, publicist, etnolog, gazetar dhe historian prej më shumë se gjysmë shekulli, me urtësi, pasion dhe përkushtim kontribuoi për njohjen, ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës, historisë, gjuhës dhe zakoneve të popullit arbëror dhe u shqua për veprimtarinë e paepur në përçimin dhe forcimin e identitetit kombëtar shqiptar.

    Kam pasur fatin që të komunikoj personalisht me të nderuarin Zoti Belushi dhe kolegen e tij, Znj. Ornela Radovicka gjatë periudhës përgatitore për realizimin e Kuvendit të Parë të Studimeve Arbëreshe[1], që nga fundviti i 2020-ës e deri në ditët e fundit para zhvillimit të punimeve të Kuvendit, si edhe më 27 dhe 28 shtator të 2021-it (data në të cilat u mbajt ky Kuvend i organizuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA).

    Gjatë një seance Papas Belushi e përshëndeti Kuvendin dhe të pranishmit përmes kamerave, pasi në atë periudhë të vështirë pandemie nuk e pati të mundur të merrte pjesë fizikisht. Citoj më poshtë studiuesin Kristaq Jorgo në statusin e tij të  face book-ut më 20 qershor 2024, me rastin e ndarjes nga jeta të Atë Belushit (19 qershor 2024), i cili na mundësoi tanskriptimin e fillimit dhe të fundit të përshëndetjes së mrekullueshme të Papas Belushit dhe së Motrës, znj. Rina, që nisi e u mbyll me këngë e ngjalli emocione të rralla tek të pranishmit në sallën e Muzeut Kombëtar në Tiranë ku organizohej ky kuvend i parë arbëresh.

    ———-

    Papas Antonio Belushi:

    Faleminderit të gjithëve juve, vëllezër të dashur!

    Ju kam në zëmrë e ju falënderoj shumë-shumë për këtë nderim të madh që më jipni sot. Fatkeqësisht nuk pata mundësi të vij në Tiranë.

    Po këtu, te shpia ime, bashkë me motrën time fillomi kështu këtë bisedë me ju:

    Është kënga e mërgimtarëve të Diasporës që një prift, Pietro Kamodeka nga Kastërneçi më 1890 bëri për ne Arbëreshët, për ne Arbëreshët:

    Me vërté të mirat tona,

    Na i kemi te Korona.

    Ështnjë vend e mirë me ne,

    Moj e bukura More.

    Dhe unë pjas me lot në sí

    Oj Arbresh, oj Arbëri.”

    Kjo këngë vë kështu përpara sívet vendet tanë, varrezat e Atërve tanë të paharruar, atje në tokën e Moresë…

    ………………….

    Na jemi gjallë!

    Ju përshëndesim e ju urojmë shëndet të gjithëve dhe me motrën time ju lshomë (ndahemi prej jush – K.J.) me një këngë:

    Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

    Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

    Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

    Bashkë me ne.

    Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

    Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

    Eja mblidhuni këtu, këtu, këtu,

    Bashkë me ne…

    Rroftë Shqipëria e Zëmrës! Për shumë vjet!

    Mirupafshim!

    Mirupafshim!

    Shumë të mira!

    [Duartrokitje]

    Ndoshta fjala e fundit publike e Tij, apo amaneti i Tij drejtuar Botës Shqiptare”.

    Atë Antonio Belushi do të kujtohet si një atdhetar i madh, i cili, edhe pse i lindur në një ditë shtatori të vitit 1934, në një vend të bukur rrëzë Malit Pulin, në Frasnitë (Frascineto) të Kozencës dhe i rritur në Kalabri, me gjuhën e bukur shqipe, të përzier edhe me variantin e vjetër të saj, arbërishten, dha njoftime për historinë e këtij kombi të ndarë, duke pasur në mendje sidomos arvanitasit. Më 1962 Atë Belushi kreu studimet për filozofi dhe teologji në Universitetin Pontifik Gregorian të Romës dhe në vitet 1965–1973 shërbeu si famullitar në fshatin arbëresh Shën Kostandin (San Costantino Albanese) në krahinën e Potencës (në Jug të Bazilikatës), ndërsa në vitet 1973–1979 në Fallkunarë (Falconara Albanese), duke e rikthyer këtë Kishë Arbëreshe nga riti latin në ritin bizantin. Prej vitit 1979 deri në vitin 2000 shërbeu si famullitar në kishat arbëreshe të Kozencës dhe prej vitit 2000 në Kastrovilari. Krahas angazhimit baritor, Atë Belushi u përkushtua gjatë gjithë jetës për mbrojtjen, promovimin dhe vlerësimin e trashëgimisë arbëreshe. Duket se dëshira e Tij më e madhe ishte të rilidhte Arbëreshët e shpërndarë nëpër botë. Atë Ndoni është autor i 25 veprave shkencore mbi kulturën, etnografinë dhe historinë arbëreshe, ndët të cilët: “Këngë fetare arbëreshe” (“Canti sacri tradicionali albanesi”) 1971; “Magjia, mite dhe besime popullore” (“Magia, miti e credenze popolari”) 1983; “Fjalor Frazeologjik i Arbëreshëvet në Itali dhe Arbërorëve në Greqi” (“Dizionario fraseologico degli Albanesi d’Italia e di Grecia”) 1989; “Blegtoria e Frasnitës në tekstet origjinale arbëreshe” (“La Pastorizia a Frascineto nei testi originali arbëreshë” (“La pastorizia: – Ricerca etnografia tra gli albanesi di Frascineto”, 1991; “Arbërorët-Arvanitë” (“Gli Arbërori-Arvaniti–Un popolo invisibile–Ricerche etnografiche nell’Ellade (1965-2000), 2004; “Kërkime dhe studime ndër arbërorët e Helladhës”, 1994, 2005; “Antologji arbëreshe” (Prozë dhe poezi gojore/Tekste në të folmet arbëreshe), 2009 etj.

    Interesi i hershëm i Papas Belushit për punë kërkimore në terren vihet re qysh nga vitet e shënimit kur janë mbledhur këto vlera etno-folklorike dhe katundet ku janë regjistruar. Në bibliotekën e QSPA-së gjenden një numër i konsiderueshëm i librave të Atë Belushit[2] si edhe dhe botime të autorëve të ndryshëm në nder të Tij,[3] dhuruar nga biblioteka e Tij personale.

    Atë Belushi qe nismëtar e luftëtar i betejave që kanë shenjuar një hulli të fortë: ruajtjen e vlerës unike të trashëgimisë arbëreshe. Në vitet 1966–1970 themeloi dhe drejtoi revistën e parë arbëreshe në krahinën e Bazilikatës “Vatra jonë” (“Il nostro focolare”); që nga prilli i 1980-ës themelues i revistës periodike “Lidhja” (L’Unione)-organ gjashtëmujor informativ, kulturor e shoqëror i qytetit të Kozencës dhe drejtues i saj. Me 4 vëllimet (Nr. 1, 1980 – nr. 20, 1988; nr. 21, 1989–nr. 36, 1996; nr. 36, 1998–nr. 54, 2005 dhe nr. 56, 2066–nr. 60, 2009) revista përbën një pasuri kulturore me vlerë të përhershme për gjithë Arbërinë, për Diasporën, për Shqipërinë, për Kosovën dhe për vëllezërit arbërorë-arvanitë në Elladhë. Në faqet e saj gjen informacione për të gjitha udhëtimet dhe reportazhet shqip të Papas Belushit me takimet dhe bisedat e tij me personalitetet më të shquar shqiptarë në botë. Në këtë vështrim kjo revistë shërben si një arkiv historiko-kulturor-etnografik e gjuhësor për t’u hulumtuar. Belushi është autor i artikujve e shkrimeve me tematikë të gjerë edhe në periodikë të ndryshëm: “Zgjimi”, “Katundi ynë”, “Studime filologjike”, “Përparimi” etj. Si mik, sivëlla e bashkëveprimtar i Ernest Koliqit kontribuoi me materiale arbëreshe në pasurimin e përmbajtjes së revistës albanologjike “Shêjzat”, e cila që nga themelimi (1957) shërbeu si tribunë dhe si dritare informimi mbi aktivitetet shkencore albanologjike në botë, duke vijuar traditën kulturore të Rilindjes dhe sidomos të revistave të periudhës mes dy luftërave botërore në Shqipëri.

    Atë Belushi që nga viti 1962 ka kryer udhëtime, studime dhe kërkime etnografike në vende të ndryshme dhe ka marrë pjesë në veprimtari shkencore në kuvende, kongrese në Itali, Shqipëri, Kosovë, Itali, SHBA e Australi. Ishte i vetmi pjesëmarrës arbëresh në Kuvendin I të Studimeve Ilire që u mbajt në Tiranë më 15–20 shtator 1972, (edhe pse u ndalua të hynte në Shqipëri me avion, udhëton me traget për në Tivar e prej andej hyn në kufirin shqiptar përmes Hanit të Hotit).

    Arkivi i Atë Belushit përmban me dhjetëra kaseta të incizuara tek Arvanitasit (parapëlqente t’i quante Arbërorë të Greqisë) dhe rreth 2500 foto gjatë hulumtimeve në terren për pothuaj 40 vjet tek Arvanitasit e Greqisë. Është autor i listës së 920 fshatrave arvanitase (arbërore) me toponimet e tyre origjinale, ku janë regjistruar dhe incizuar më tepër se 3000 vetë. Ai ka bashkëpunuar me studiuesit Aristidh Kola (Kollja), Vangjel Ljapis, Jorgo Mihas Marougas e shumë arvanitas të tjerë në përpjekjet për ruajtjen e identitetit të tyre arbëror. Për kontributin e Belushit në mbledhjen e lëndës etno-kuturore ndër Arvanitas Aristidh Kola do të shprehej: “Për studiuesin shkencor të ardhen, materiali që ka “fotografuar”, Papas Ndoni (siç e thërrisnin) do të jetë burim me vlerë të madhe studimi. Kërkuesi i ardhem do të mund të ndiekë zhvillimin e folklorit Arvanit për një kohë të gljat, ato të mund të benjë krahasime dhe referime, tuke ditur se nuk është bënë asnjë gjë e gënjeshtert, asnjë perpunim, asnjë ndërhyrje nga mbledhesi në këtë material”[4].

    Si mbrojtës i Çështjes së Kosovës Atë Belushi ishte i pari që në vitin 1989 hodhi idenë e Kosovës Republikë. Në vitet 1998–1999 e konsideroi luftën ndaj Kosovës “gjenocid” dhe i dedikoi kësaj tragjedie ndaj popullit kosovar (po këtë vit) një numër special me artikuj dhe kapakun e revistës “Lidhja”.

    Në vitin 1961 Atë Belushi themeloi Bibliotekën Arbëreshe Ndërkombëtare “Antonio Bellusci” që numëron mbi 10.000 tituj. Në vitin 1980 krijoi Qendrën e Studimeve Albanologjike dhe Kulturës Arbëreshe “Gjergj K. Skënderbeg” (Centro Studi Albanologici e Cultura Arbëreshe), duke qenë edhe drejtor i përgjithshëm i saj deri në fund të jetës. Në vitin 1994 çeli shkollën e parë për fëmijët shqiptarë në Diasporë pranë bibliotekës së tij të veçantë që të sjell më tepër ndër mend arkivat e pasura e të njohura, se sa një bibliotekë të thjeshtë ku mahnitesh me arkivimin e shtypit shqiptar gjithandej globit me aq saktësi e respekt dhe pa asnjë përjashtim[5]. Në raftet e saj, mbushur plot e përplot me libra qëndron në vendin e merituar e me hijeshi busti i Skënderbeut.

    Atë Belushi kishte shumë miq e dashamirë intelektualë, burrështetash, studiues e krijues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe nga vende tjera të hapësirave shqiptare. Shtëpia e tij me kohë ishte bërë qendër “pelegrinazhi” për të gjithë ata që e vizitonin Kalabrinë e Sicilinë. Ndërkaq, në kasetat e incizuara rrëfen vështirësitë e pengesat që kish hasur nga autoritetet greke, me rastin e vizitave të vëllezërve shqiptarë, për qëllime studimore në hapësirat e shtrira që nga Morea deri në kufirin verior të Çamërisë[6].

     Në shenjë mirënjohjeje për të gjithë veprimtarinë e tij për ruajtjen e identitetit arbëresh është nderuar nga komuna e Çiftit me titullin “Kalorës i Skënderbeut” (“Cavaliere di Skanderbeg”). Ndërkaq, për kontributet e dhëna në përhapjen, njohjen, studimin, ruajtjen dhe pasurimin e historisë, gjuhës, zakoneve dhe kulturës së rrallë arbëreshe, si dhe asaj arvanitase ka marrë vlerësime të larta e të merituara nga Presidenca e Republikës së Shqipërisë: Medaljen “Naim Frashëri” dhe Dekoratën e Lartë “Nënë Tereza”; Medaljen “Lidhja e Prizrenit” nga Presidenti i Kosovës asokohe Dr. Ibrahim Rugova; “Medalja Presidenciale” nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Prof. Vjosa Osmani. Më 15 maj 1995 Akademia e Shkencave e Shqipërisë e ka vlerësuar me titullin e nderit “Doctor honoris causa” për veprën Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët e Elladhës (Ricerche e Studi tra gli Arberori dell’Ellade)[7]me motivacionin: “Për ndihmesën e veçantë që ka sjellë me mbledhjen, sistemimin dhe botimin e etnologjisë dhe folklorit të arbëreshëve të Italisë dhe arbërorëve të Greqisë”.

    2. Kanë kaluar plot katër vjet që kur Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), botoi veprën “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe”, (50 kartolina gjigante arbërore në tokën italiane), e hartuar ngaPapas Antonio Belushi në bashkëautorësi me znj. Ornela Radovicka. Me 452 faqe, të ndara në dhjetë kapituj, kjo vepër mbulon të gjithë tematikën që lidhet me historinë, jetën dhe të ardhmen e komunitetit arbëresh të Italisë, duke qenë një pasqyrë e përgjithshme për të njohur tërësinë, por njëkohësisht për t’u thelluar në interesa të veçanta, si: prejardhja e emrit, historia e ngulimeve të para, ndarja midis legjendave dhe fakteve, mozaiku i dialekteve, veçorive etnografike, personaliteteve historike e kulturore, vendbanimeve, por edhe problematikave aktuale të mbijetesës e ruajtjes së identitetit etnik e kulturor.

    Ngulimet arbëreshe të shkëputura prej shekujsh nga trungu mëmë, të vendosura dhe të shtrira në disa rajone të Italisë, janë  histori dhe realitet i prekshëm. Atë Belushi, si një personalitet i vërtetë i komunitetit të vet, me këtë studim në të shkuarën, duke u ndalur në mundimet dramatike e plot kthesa, por dhe në arritjet më të ndritura deri më sot, synon vazhdimësinë: që në këto ngulime edhe më tej duhet të jetohet arbërisht, të flitet arbërisht, të mendohet arbërisht.

    Duke u ndalur te secili ngulim të dy autorët veçojnë karakteristikat e mjedisit, tipare të klimës, të bimëve, të drurëve monumente të natyrës, të malit, të pjellshmërisë së tokave, të rrjedhave të lumenjve, të krojeve – të poetizuar nga folklori e poetët – kroje dikur me ujin aq të nevojshëm për jetën e përditshme. Kjo i ka dhënë librit ngjyrë e njomësi, për kundër një përshkrimi të thatë e të rrafshët.

    Si klerik Atë Belushi qëndron te kishat, te roli i tyre, te historia e ndërtimit, te arkitektura, te dekorimi, e për faktin se kisha e ritit bizantin ka rolin e saj të madh në mbrojtje të identitetit arbëresh, ndërsa ngulimet që e humbën këtë rit të origjinës dhe morën atë latin, me kohë e kanë humbur gjuhën e të parëve. Vëmendjen e tij, si vizatues i apasionuar dhe krenar i vetëdijes arbëreshe, e tërheqin gojëdhana, legjenda deri anekdota që lidhen me tipare të veçanta kulturore të ngulimeve. Kostumi i gruas arbëreshe, endja e pëlhurave, e qilimave, ndryshimi në ngjyra dhe në prerje nga një krahinë në tjetrën trajtohen me hollësi. E plotësojnë përshkrimin dhe të dhënat mbi ritet e dasmës, të vdekjes, të lindjes së fëmijëve, festat, vallet, gatimet. Shtëpia dhe “gjitonia”, lagjia janë në qendër të vëzhgimeve për çdo ngulim, se janë tipare aq dalluese arbëreshe në krahasim me fshatrat e vendasve italianë.

    Libri është pasuruar edhe me aspekte të jetës shoqërore. Arbëreshi e filloi me shtëpitë e bëra me baltë e kashtë dhe krijoi qyteza që jetojnë edhe sot. Arbëreshët ndërtuan kolegje që prodhuan mësimdhënës në nivel dijetari, klerikë të lartë, peshkopë. Studimet në shkollat më të mira italiane nxorrën ushtarakë, poetë, mendimtarë, politikanë e revolucionarë. Garibaldinët arbëreshë u bënë dhe ministra.

    Një tjetër aspekt në libër është mënyra se si u arrit krijimi i identitetit arbëresh nga zbrazëtia, pa një ndihmë nga shteti amë që atëherë nuk egzistonte. Dihet që për shkak të ritit në fillim ata i quanin grekë. Dijetarët arbëreshë, ndryshe nga Arvanitasit në Greqi që e humbën vetëdijen e origjinës, e pajisën me mendim qenien e tyre ndryshe nga Grekët dhe Italianët. Në fillim u mbështetën te gjuha, gjaku, besimi i ritit ortodoks, te historia, mitet, këngët e baladat mbi Skënderbeun. Kjo lëvizje e një vetëdijeje si Arbëreshë çoi dhe te kërkimi i origjinës pellazgjike, te Moti i Madh, te Skënderbeu, te shkrimi i gjuhës arbëreshe, mbledhja e botimi i folklorit, te trajtesat shkencore dhe në të tjera ide që u morën dhe nga Rilindja Shqiptare.

    Një galeri e tërë personalitetesh arbëreshe hasen në libër pas të dhënave mbi historinë e çdo vendbanimi. Edhe pse një punë e mundimshme, autori ia ka dalë që të vizatojë në mënyrë sintetizuese shumë portrete ushtarakësh, klerikësh, poetësh, publicistësh dhe mendimtarësh arbëreshë, ku ndër të cilët disa përshkruhen me një material të ri dhe vizatime nga këndvështrime të panjohura në literaturën tonë, e madje me rëndësi për gjithë historinë dhe kulturën shqiptare. Libri është i mbështetur mbi një material të pasur bibliografik, rezultat i një pune të gjatë kërkimore dhe hulumtuese.

    Ky libër përbën një thesar të trashëgimisë arbëreshe dhe, siç përmend prof. Sadik Bejko në recensionin dërguar në QSPA para botimit, “…libri ka vlerën e një monografie mbi atë që mund ta quajmë Botë Arbëreshe e më tepër se një histori, është një hetim i imët mbi ato dukuri që e bëjnë të veçantë atë që mund ta quajmë qytetërim arbëresh…..dhe përmbledh shumë lëndë mbi trashëgiminë arbëreshe, me vlera të mëdha njohëse, ……libër që herë-herë bëhet tërheqës dhe për stilin e rrjedhshëm e plot ngjyrim”[8].

    Libri “Rrugëtim në ngulimet arbëreshe” (50 kartolina gjigante arbërore në tokën italiane) shërben si një enciklopedi e mirëfilltë e Botës Arbëreshe, duke qenë në të njëjtën kohë një studim i thelluar, një vademekum i dukurive të asaj bote, sa edhe një guidë për të gjithë ata që duan të vizitojnë virtualisht, apo fizikisht katundet arbëreshe. Në të jepen metodologji dhe mënyra të ndryshme të trajtimit të çështjeve të veçanta.

    Ky libër, më shumë se një monografi, është testament i një Arbëreshi që ia ka kushtuar gjithë jetën ruajtjes së thesarit që e depoziton përmes fjalës. Janë shprehje e këtij testamenti frazat e Parathënies së shkruar prej tij: “Të jesh ndryshe, por i integruar, është një vlerë, një element i pasurisë dhe i rritjes morale para të qenurit civil[9]… Arbëreshi nënkupton një vazhdimësi dhe po jeton[10]…”.

    Në përfundim: Atë Antoni Belushi do të mbetet i gdhendur në kujtesën tonë si një personalitet dhe një veprimtar i shquar e i palodhur i jetës dhe lëvizjes kulturore shqiptare në shkallë kombëtare, një shembull i madh frymëzimi se si përpjekjet individuale, plot idealizëm, përkushtim dhe patriotizëm, i shërbejnë kombit dhe kulturës, jo vetëm arbëreshe, por edhe shqiptare, italiane dhe europiane.

    Dëshëroj të falënderoj Shtëpinë Botuese “Onufri”, që përgatiti këtë botim cilësor, si bartëse e një emri që do ta tumirnin e do t’i gëzoheshin simotra dhe sivëllezërit Dora, Dhimitri, Eftimi – “heronj” të monografisë “Dhimitër Kamarda–Për një shqipe “të gjithakushme edhe të gjithakundme” & të tjera vepërza”, të studiuesit skrupuloz, prof. Dhori Q. Qirjazi, botuar po nga QSPA, ShB “Onufri”, Tiranë 2021.


    [1]Gjendja aktuale e studimeve për Arbëreshët”, Aktet e Kuvendit të Parë të Studimeve Arbëreshe. Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA), Tiranë 2022.

    [2]  Botime të tjera në bibliotekën e QSPA-së sipas klasifikimit të vetë Atë Ndoni Belushit: 1-1971

    A. Bellusci, Canti sacri tradizionali albanesi/Kalimere Arbëreshe, – Raccolti a S. Costantino Albanese, S. Sofia d’Epiro e in alcune comunità albanesi di Grecia e trascritti in musica – /Arbërishst dhe litalisht-Presentazione di Mons. Giovanni Stamati, vescovo di Lungo, Edizioni Centro Ricerche, S. Costantino Albanese 1971, pp.80; II Edizione, Cosenza1991.

    2-1977

    A. Bellusci, Il telaio nei testi originali arbëreshë con traduzione italiana/Argali andër tekstet origjinale arbëreshë*Arbërishst dhe litalisht- Ricerca etnografica tra gli albanesi di Calabria, Basilicata e Grecia – Presentazione del Prof. Giuseppe Trebisacce – Nota bio-bibliografica di Carmelo Candreva, Edizioni Centro Ricerche – Cosenza 1977, pp. 160 * II Edizione, 1990 .

    3-1983

    A. Bellusci, Magia miti e credenze popolari/Magjia Mite dhe Besime Popullore*Arbërishst dhe litalisht-Ricerca etnografica tra gli albanesi d’Italia*, Edizioni Centro Ricerche, Cosenza 1983, pp. 136 * II Edizione, 1992- Testi nelle parlate arbereshe con traduzione italiana.

    4-1989

    A. Bellusci, Dizionario fraseologico degli albanesi d’Italia e di Grecia/Fjalor Frazeologjik/* Testo originale nella parlata albanese * Traduzione in lingua italiana, inglese e francese – Ricerca sul campo in 115 comunità albanofone Indice analitico di oltre 3000 voci riguardanti proverbi, detti e modi di dire – Edizioni Centro Ricerche, Cosenza 1989, pp. 262.

    5-1989

    A. Bellusci, Vatra Jonë/Il nostro focolare * Periodico di cultura italo-greco-albanese/ Arbërishst dhe litalisht e anglisht- – Ricerca etnografica tra gli albanesi di S. Costantino Albanese in Basilicata- Edizioni Centro Ricerche, Cosenza 1991, pp. 215 * ( 1966, 1967, 1968, 1969/’70).

    6-1991

    A. Bellusci, La Pastorizia a Frascineto nei testi originali arbëreshë / Arbërishst dhe litalisht- * Ricerca Etnografica tra gli albanesi di Frascineto in Calabria * Edizioni Centro Ricerche, Cosenza 1991, pp. 142

    7-1994

    A. Bellusci, Ricerche e studi tra gli arberori dell’Ellade * Kërkime dhe studime ndër arbëroret e Helladhes /Tekste në të folmet arbërore* Da radici arbëreshe in Italia a matrici arberore in Grecia

    Testi e documenti * Introduzione in greco dell’Avv. Aristidhis Kolljas (Atene) – Presentazione in albanese del Prof. Gjovalin Shkurtaj (Tirana) – Edizioni Centro Ricerche, Cosenza 1994, pp. 506.

    8-2003

    A. Bellusci, Antologia Arbëreshe–Tekste në të folmet arbëreshe me perkthimin italisht – Ninnananne, strambotti, filastrocche, indovinelli, formule augurali, presagi fausti e infausti, giochi, usanze e credenze popolari-Trascrizione nelle parlate arbëreshe con traduzione italiana, Edizioni centro ricerche “G.Kastriota”, Frascineto 2003, pp.220.

    9-2004

    A. Bellusci, Gli Arberori-Arvaniti–Un popolo invisibile – Ricerche etnografiche nell’Ellade (1965-2000)/Tekste në të fomet arbërore në Elladha, Edizioni Centro ricerche “G.Kastriota”, Frascineto 2004, pp.360.

    10-2007

    A. Bellusci/ R. Daniele – Manoscritti d’archivio nella Biblioteca Internazionale “A.Bellusci” di Frascineto dal 1\522 al 1966 – Segmenti di vita giuridica, sociale, economica, politica, storica, religiosa e letteraria a Frascineto, comunità albanofona calabrese di rito bizantino-greco dal secolo XV – Premessa di Tommaso Bellusci, Edizioni Centro tricerche “G.Kastriota”, Frascineto 2007, pp.448.

    11-2008

    A. Bellusci, La Biblioteca Arbëreshe Bizantina “A. Bellusci”,Tekste në shumë gjuhë sipas vizitatoret në Bibliotekë – Editore Centro G. Kastriota, Frascineto 2008, pp. 485.

    12-2009

    A. Bellusci, Antologji Arbëreshe – Prozë dhe poezi gojore /Tekste në të folmet arbëreshe, Editore G. Kastriota, Frascineto 2009, pp.230.

    13-2009

    A. Bellusci, La Parrocchia Bizantina S. Maria Assunta du Frascineto, Editore Centro G. Kastriota, Frascineto 2009, pp. 230.

    14-2019

    A. Bellusci–Burigana Riccardo, Storia dell’Eparchia di Lungro–Le comunità albanofone di rito bizantino in Calabria dal 1439 al 1919, , v. I, Centro Storia Ecumenismo in IItalia, Venezia 2019, pp.78.

    15-2020

    A. Bellusci– Burigana Riccardo, Storia dell’Eparchia di Lungro–L’Eparchia di Lungro degli Italo-Albanesio dell’Italia Continentale, , v. II, Centro Storia Ecumenismo in IItalia, Venezia 2020, pp.299.

    16-2021

    A. Bellusci, La cultura tradizionale a San Costantino Albanese /Kultura tradicionale në Shën Kostandin Arbëresh /Tekste në të folmen e katundit, Ricerca sul campo 1965-1973, Ed.Squilibri, Roma 2021, pp. 250.

    [3]  178-2000

    A. Kolljas, Antonio Bellusci e la magia della tradizione popolare, Tekst në gjuhën greqishte, Edizione Dodoni, Atene 2000, pp. 147.

    18-2019

    O. Radovicka, Antonio Bellusci – Rrugëtimi i një arbëreshi – Jeta vepra kujtime, Ed. Malika, Tirana 2019, pp.228.

    [4]  Shih Hyrje nga A. Kola, f. 7, në: A. Bellusci, Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët e Elladhës (Ricerche e Studi tra gli Arberori dell’Ellade), – Tekste dhe Dokumente në të folmet arbërore-arvanite me përkthimin në gjuhën italiane-Hyrje nga/introduzione di Gjovalin Shkurtaj (Tirana) e Aristidhis Kolljas (Atene). Shtëpi botuese/Casa editrice “Shoqata kulturore Gjergj Kastrioti”, Frascineto 1994, pp. 500.

    [5]  Në QSPA më 13 qershor 2021,ka mbërritur koleksioni i revistës arbëreshe “LIDHJA/L’UNIONE” e themeluar në vitin 1980 nga Antonio Bellusci (me nënshkrimin e Tij). Vëll. I përmban Lidhja 1, 1980 – n.20, 1988; Vëll. II përmban Lidhja n. 21, 1989 – n. 36, 1996; Vëll. III përmban Lidhja nr. 36, 1998 – nr. 54, 2005; Vëll. IV përmbanë Lidhja nr. 56, 2066 – nr. 60, 2009.

    [6]  Shih më gjerë A. Bellusci, Kultura tradicionale te Arbërorët e Greqisë (Epika dhe lirika popullore), në: GJENDJA AKTUALE E STUDIMEVE PËR ARBËRESHËT”, Aktet e Kuvendit të Parë të Studimeve Arbëreshe. QSPA, Tiranë 2022, f. 44-57.

    [7]  A. Bellusci, Kërkime dhe Studime ndër Arbërorët e Elladhës (Ricerche e Studi tra gli Arberori dell’Ellade). “Shoqata kulturore Gjergj Kastrioti”, Frascineto 1994.

    [8]  Kopja origjinale e këtij recensioni ndodhet në arkivin e QSPA-së.

    [9]  Po aty, f. 17.

    [10]  Po aty, f. 19.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË