Prurje, ndihmesa dhe vlerësime
Gjatë verës, kur shkoj për verim në Durrës, mëngjeseve duke ecur te Këmbësorja që bashkon Xixat me Golemin apo në breg të detit,shpesh shihem me miq nga Kosova që vijnë në hotelet ose kanë banesat e veta dhe, natyrshëm, ashtu si duhanpirësit që ndërrojnë nga një cigare, ulemi në ndonjë bar dhe pimë kafe e shkëmbejmë të rejat, po edhe kujtojmë “monë e shkuar”, kujtojmë miqtë e kolegët e dikurshëm, me të cilët jemi njohur shumë vite më parë, kur shkonim në Kosovë me vizë të lëshuar nga ambasada e ish-Jugosllavisë.
Takohem çdo verë me disa studiues e shkrimtarë kosovarë që kanë shtëpi për verim ose që pushojnë disa dit në bregdet, si me Ibrahim Kadriun, Xhevat Sylën, Muharrem Gashin, Nexhat Malokun, që është nga Gjilani, por ka shumë vite që jeton e vepron në Zvicër dhe është një nga pedagogët e drejtuesit meritorë të LAPSH-së Naim Frashëri, që ka plot 34 vjet që organizon mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në Zvicër. Ndonjëherë vinte edhe Profesor Basil Schader, metodisti e mbështetësi i palodhshëm e dashamirës i shqiptarëve e veçmas i diasporës kosovare në Zvicër, njohës i mirë i shqipes dhe autor i shumë studimeve e librave për mësimin e shqipes nga nxënësit shqiptarë, si dhe ka përkthyer disa vepra të autorëve shqiptarë në gjermanisht.
Herë pas here vinte e më gjente edhe i ndjeri profesor Zeki Morina bashkë me zonjën e tij Selvijen dhe, sigurisht, jo vetëm çmalleshim, po edhe shkëmbenim ide e vlerësime për punë e botime të njëri-tjetrit.
Vitet që shkojnë bëjnë të vetën…Zekiu e disa prej kolegëve e miqve janë ndarë së gjallësh, por i kujtojmë me mall e respekt.
Mall e vlerësim për Fazli Sylën
Sa herë takohemi me Xhevat Sylën, mbas pyetje-përgjigjeve të para për shëndetin e punët, biseda shkon dhe te i vëllai, Profesor Fazlli Syla, të cilin e kam njohur qysh në vitet ‘70 të shekullit të kaluar, kur ai ishte dhe funksionar i Arsimit të Kosovës dhe i ndiqte me interesim shkëmbimet arsimore e shkencore të ndërsjella që kryheshin asohere mbi bazën e marrëveshjeve ndërmjet dy universiteteve të Tiranës e të Prishtinës.
Kujtoj vitet kur dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës ka pasur marrëdhënie e bashkëpunim shkencor me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë dhe me institutet e tjera, që kanë qenë në varësi të Akademisë, sidomos nga viti 1972 deri në 1980. Përveç pjesëmarrjes së disa prej studiuesve të atij Instituti në Kongresin e Drejtshkrimit, gjatë atyre viteve janë organizuar edhe kërkime të përbashkëta gjuhësore dhe etnofolklorike, si dhe kërkime arkivore me fryte shumë të mira, kemi përfituar nga njohjet dhe shkëmbimi i përvojës dhe sidomos i librave studimorë. Tradita e dhurimit të librave nga kolegët e miqtë kosovarë vazhdon. Edhe në banesën që kam në Durrës më janë bërë aq shumë botime të Kosovës, sidomos libra të disa prej miqve që vijnë në Durrës për plazh, si Xhevat Syla, Ibrahim Kadriu, Bahtiar Kryeziu, Martin Berishaj, Shefkije Islamaj, Faik Shkodra etj.
Një pjesë të mirë të botimeve të kolegëve e miqve kosovarë të viteve ‘70-‘80 i kam edhe me autograf nga autorët e paharrueshëm si librin e Ibrahim Rugovës “Kah teoria” (Rilindja, 1978), që ma ka dhuruar dhe e ruaj me kujdes se e kam me autografin e tij. Shfletoj me mall një vëllim me poezi që ma ka dhuruar poeti i madh, akademiku Ali Podrimja. Ruaj me kujdes dhe e shfletoj nganjëherë vëllimin me poezi të akademikut Besim Bokshi.
Sa herë vjen në Durrës Ibrahim Kadriu më dhuron romane a vëllime poetike të tij, të cilat i lexoj me kënaqësi e, sipas “vesit të gjuhëtarit”, i nënvizoj dhe nxjerr prej tyre fjalë e kuptime të rralla.
Në fakt, rafti i librave të bibliotekës sime, ashtu për shumë si unë, është edhe burim përmallimi e përdëllimi. Një sy, sado i shpejtë, kur kërkoj çfarë më duhet, më vetëtin emrat e miqve e kolegëve gjuhëtarë si akademikët e ndjerë Idriz Ajeti, Besim Bokshi, të studiuesve të pasionuar të dialekteve të shqipes si i ndjeri Abdullah Zymberi, fjalorëve dialektorë të të cilit u jam referuar shpesh. Po ashtu vëllimet e studimeve të akdemikëve e miqve të nderuar Rexhep Ismajli e Mehmet Halimi; monografitë kushtuar onomastikës së Kosovës nga Rexhep Doçi, fjalorët dhe vëllimet me studime për kulturën e gjuhës etj. të prof. Qemal Muratit, monografitë dialektologjike të profesor Latif Mulakut, Naser Pajazitit, librat studimorë të profesoreshës Shefkije Islamaj, të Begzad Baliut apo serinë e vëllimeve me studime gjuhësore e onomastike të Bahtiar Kryeziut, po edhe të Bajram Kosumit të Universitetit të Gjilanit. Po mund të përmendja dhe botime të shumë të tjerëve,si Isak Shema, Latif Mulaku, Isa Bajçinca, Murat Blaku, Imri Badallaj, Xhafer Beqiraj, Flamur Shala, Muharrem Gashi.
Është pikërisht koha që shkëmbime të tilla të shtohen e të marrin përmasa e kahe të reja, sidomos duke siguruar hulumtime e punë të përbashkëta si ato që ka projektuar Akademia jonë: Fjalori i Madh i Shqipes, Fjalori Enciklopedik Shqiptar dhe Historia e Shqipërisë. Janë vepra madhore për të cilat tashmë është siguruar e po jetësohet pjesëmarrje sa më e gjerë e realizim cilësor siç kërkohet për botime të tilla madhore e gjithpërfshirëse e mbarëkombëtare.
***
Me ëndje, po natyrisht dhe me përmallim, lexova librin e Fazli Sylës “Në rrjedhat e kohës dëshmi dhe përjetime”(Prishtinë, 2015), në të cilin autori, arsimtari, veprimtari i dalluar dhe studiuesi i njohur i folklorit, i paharrueshmi Fazli Syla, me sqimën dhe vetëdijen e lartë qytetare e atdhetare, ka rrëfyer për veten ashtu si ka qenë në jetën e tij, në mesin e të tjerëve, të kohërave, personaliteteve dhe ngjarjeve nëpër të cilat ka kaluar.
E kam njohur relativisht shpejt zotin Fazli Syla, në vitet tashmë të largëta, kur shkonim në Kosovë për ekspedita dialektologjike dhe ai, me shumë fisnikëri, edhe pse ishte në detyrën e lartë të sekretarit për arsimin, kulturën dhe shkencën e krahinës së Kosovës, gjente rastin e na ka pritur në zyrë e bisedat me të ishin shumë të vyera. E kam takuar edhe në Tiranë, kur vinte si i ftuar nga Instituti i Kulturës Popullore, ku e prisnin dhe ndodhej gjithmonë i rrethuar nga folkloristët më të njohur, si Zihni Sako, Qemal Haxhihasani etj. Jemi takuar disa herë dhe mbas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe kam në bibliotekën time disa prej botimeve të tij prej të cilave kam lexuar me përfitim monografinë “Poezia popullore shqiptare e kaçakëve”, botim i IAP, Prishtinë, 1982. Me interesim e me përfitim edhe teorik e metodologjik ka qenë edhe libri tjetër i Fazli Sylës”Kënga dhe ngjarja historike” (Rilindja, Prishtinë, 1988). Jam marrë edhe unë vetë,me kundrime rreth gjuhës së foklorit e posaçërisht të vlerave të këngëve popullore edhe për ruajtjen e gjuhës shqipe, dukuri që del bukurazi në thurimën përmbajtësore të studimit të Fazli Sylës.
Natyrisht, një nga veprat e rëndësishme të Fazli Sylës, ku ai ka trajtuar me gjerësi e prurje të vlerësueshme e risi trajtimi mbetet studimi me titullin “Çështje të folklorit shqiptar”(IAP, Prishtinë, 1998), në të cilin jepet një vlerësim objektiv i problematikës folklorike.
Po ashtu, sikundër është theksuar në qarqet shkencore, një ndihmesë në kritikën kulturologike përbën dhe libri i Fazli Sylës më titullin “Vëzhgime dhe kumtime” (Prishtinë, 2007).
Këto dhe shumëçka tjetër me vlera studimore për etnofolklorin dhe kulturologjinë shqiptare i rifreskova edhe nga leximi i librit të mbramë të Fazli Sylës “Në rrjedhat e kohës”, të cilin ma dhuroi Profesor Xhevat Syla, i vëllai i Fazliut, njëherazi dhe shembull i bukur i nderuesit dhe ndjekësit besnik të urtësisë e shtigjeve të jetës së Fazliut, jo vetëm si vëlla, po edhe me miradije e respekt meritor për përjetimet e kontributet që ai i ka lënë Kosovës e familjes së vet.
Xhevat Syla dhe lavrat e tij në dy ara: poet fjalëbukur dhe studiues i palodhshëm i letërsisë për fëmijë
Xhevat Syla është një emër i mirënjohur si njeri i letrave, studiues e poet me sqimë e përkushtim, i pajisur me dije të gjera e formim të mirë filologjik, së pari, nëpërmjet shkollimit e kryerjes së studimeve universitare e pasuniversitare për letërsi dhe gjuhë shqipe në Universitetin e Prishtinës. Aty ai ka kryer e fituar gradat e masterit dhe të doktorit në shkencat filologjike me punime nga fusha e letërsisë për fëmijë. Dhe, në të vërtetë, ai aty ka gjetur edhe “arat e veta”, i është qasur letërsisë për fëmijë dhe, me kohë, natyrisht për hir të talentit, përkushtimit e një kundrimi sa të shktruar e të gjerë, aq edhe të pykëzyar në kundrimin sa më të orientuar të veprave dhe autorëve të letërsisë shqiptare për fëmijë ia ka dalë të jetë tashmë një nga emrat e paktë që e ka bërë letërsinë për fëmijë “kalë beteje”, duke qenë, krahas Astrit Bishqemit, vijues e hulumtues dorëmbarë i pohimit e përnjohjes së vlerave të mëparshme e bashkëkohore të kësaj letërsie.
E ka filluar shkrimtarinë si poet, madje, poezinë e parë e ka botuar më 1966, kur ishte ende djalosh, ndërsa vëllimin me vjersha për fëmijë “Syri i pranverës”, që ishte aq tërheqës qysh nga titulli me atë metaforë bukurane, e ka botuar më 1976, kur ishte vetëm njëzet vjeç. Pra, ai ka ardhur në letrat shqipe me shkëlzim të hershëm e me vlagë pune e ngulmim të përhershëm, madje, duke u bërë tashmë një nga krijuesit më prodhimtarë.
Hera e mbarë e ka prurë që, gjatë verës në Golem, kur dhe Xhevati vinte e vjen për të kaluar disa fundjava në plazh, jemi parë e takuar e gjithmonë bashkë me bisedat e këndshme duke pirë kafe, më ka sjellë gati të gjithë librat e tij dhe të Fasliut, mikut tim të hershëm e të nderuar. Kjo është edhe arsyeja që Xhevat Syla është autori i letërsisë së sotme për fëmijë prej të cilit kam lexuar më shumë.
Vite më parë, kur kisha djemtë të vegjël ua bleja gati të gjitha botimet e reja të kohës dhe shumë syresh edhe ua lexoja për t’i përudhur në ëndjen e të lexuarit. Asohere ishin të kërkuar librat e Bedri Dedjes, Odhise Grillos, Adelina Mamaqit, Skënder Haskos, Astrit Bishqemit etj. Kur kthehesha nga ekspeditat gjuhësore në Kosovë, me gëzim u sillja edhe ndonjë botim të Mark Krasniqit, Rexhep Hoxhës, Rrahman Dedajt, Rifat Kukës, Agim Devës, të Arif Demollit, të Vehbi Kikajt, të Anton Berishës etj. Gati të gjitha i kam me autograf prej autorëve, që me gëzim i takonim te hotel “Bozhuri” pastaj dhe te “Grandi”, ku na prisnin e na mikprisnin zyrtarisht në kuadrin e marrëveshjeve kulturore e shkencore dypalëshe. Aty vinin dhe na takonin shumë studiues e dashamirë, disa prej të cilëve mbasi i takonim për herë të parë vinin përsëri dhe na dhuronin botimet e reja.
Viteve të fundit, kam shkuar rrallë në Kosovë, mbas pensionimit gati krejt kohën e fuqinë që më ka mbetur e kam kryesisht për detyrën si redaktor e bashkautor në Fjalorin e Madh të Gjuhës Shqipe dhe përpajnimin e gatitjen për shtyp të nja dy punimeve të nisura qysh para disa vitesh e që ma ka anda të mos mbeten pa i vënë në letër, po edhe mosha bën të vetën…nuk shkoj më në universitete për ligjerata etj., udhëtoj pak, shumë pak, por sikur më është shtuar malli për të lexuar. Sidomos gjatë verës, nën hije të pishave te “Diamma” lexoj e shumëkujt mbase edhe i vjen çudi e mund të thotë me veten “Po ky, akoma me libra në dorë, pse nuk hyn në fb?”
Dhe, për të ardhur te “dhentë”, po, gjatë verës lexoj mjaft dhe kreun e vendit e zënë librat që m’i kanë dhuruar miqtë e kolegët nga Kosova, si Xhevat Syla, Ibrahim Kadriu dhe i sjellshmi elbasanas, Astrit Bishqemi, pa dyshim njohësi e hartuesi më dormbarë i historisë së letërsisë shqipe për fëmijë e të rinj. Dhe plot të tjerë, sidomos kolegë e ish-studentë botime me studime a doktotatura që mbasi i kanë mbrojtur për gradim, i përgatisin për shtyp dhe raftin e kam plot me sosh. Si thotë fjala e urtë: u shtofshin e blerofshin!
Prej Xhevat Sylës po përmend librat “Syri i pranverës”(1876), “Hyrje në vjeshtë”(1993),” Vjersha e humbur” (1996), “Zilja e fëmijërisë” (2002), “Vel vjeshte”(2009) dhe librat me studime e vështrime letrare “Arti i poezisë-vepra letrare e Vehbi Kikajt”(1998), “Harmonika e atdheut- poezia e Xhevat Beqarajt(2005), “Universi i mirësisë”, vepra letrare e Ymer Elshanit(2009).
Më ka pëlqyer fort libri “Kuvendim poetik- antologji e poezisë shqipe për fëmijë e të rinj” (2010) dhe më duket se është një nga librat e atillë që rrallë del nga dora e një studiuesi, një libër ku jo vetëm janë zgjedhur krijimet më të rëndësishme e përfaqësimtare të jo pak, por të 72 shkrimtarëve, duke nisur nga Naim Frashëri , Filip Shiroka, Anton Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Asdreni etj.deri te të lindurit në vitet’60, pra duke kryer një kundrim përgjithësues gati shterues e pa dyshim edhe aspak të lehtë. Në ribotimin apo në trajtime të tij të ardhshme do të kisha dëshiruar që Xhevati të shtonte në atë varg shkrimtarësh për fëmijë edhe të ndjerin Nikolla Spatharin, poetin e shkrimtarin nga Malësia e Madhe, që e ndau jetën midis Shkodrës e Durrësit, ku edhe u shua vjet, por që poezinë e prozën për fëmijë e të rinj, veçmas “Djemtë e dikurshëm” i ka me palcën e krahinës sonë ku u lind dhe të Shkodrës, ku jetoi e veproi më së shumti.
Librin “Kuvendim poetik” e vlerësoj dhe për idenë e bukur që i ka prirë autorit për t’ua gdhendur në mendje shkollarëve të moshës së re, fëmijëve e të rinjve, jo vetëm cilët kanë qenë etërit e hulliçelësit e poezisë e prozës për fëmijë, po edhe për të përthekuar me atë paraqitje aq të këndshme hierarkizimin a në mos tjetër rendin e prurjeve të tyre gjithmonë të pavdira.
Mbesa ime, Martina, kur ma pa në dorë atë antologji, jo vetëm e lexoi me një frymë, po edhe kërkoi me ngulm ta mbante për vete dhe unë, për hir të së vërtetës, u detyrova t’i kërkoja Xhevatit një kopje tjetër. Dhe ai, natyrisht, me bujarinë e mirësinë e tij karakteristike, ma solli, po më pruri edhe dy vepra të tjera e pikërisht “Më shumë se mbresa”(2016), ku trajton autorë dhe vepra letrare për fëmijë e të rinj, botim i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor, Prishtinë, 2016, një përmbledhje prej 444 faqesh. Dhe librin “Kënaqësia e leximit”- Autorë dhe libra (2023), ku ai, si dashamir i palodhshëm e i pakursyer, ka përmbledhur shkrime e vlerësime për ata autorë librat e të cilëve kanë nxitur kureshtjen e lexuesve me format e shkrimit dhe me përmbajtjet e tyre e që e meritojnë të cilësohen të pëlqyeshëm.
Ka aty recensione të hollësishme për botime të historisë së letërsisë për fëmijë, si për veprat e Astrit Bishqemit “Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë” dhe “Braktisja e Heppy endit, studime letrare”, si dhe një mori shkrimesh për autorë a vepra të veçanta, që japin dorë për një kundrim sa më të plotë e të skajuar të disa prej veprave letrare për fëmijë, si ato të Mark Krasniqit,të Rexhep Hoxhës, për veprën poetike për fëmijë të Ismail Kadaresë, për veprën letrare për fëmijë të Rrahman Dedajt dhe shumë të tjerëve. Aty, ndër të tjera, po kryekreje vlen të theksohet synimi i mbarë i autorit për të qenë sa më gjithpërfshirës si për gjeografinë letrare të autorëve, e cila mëton dhe ia arrin mjaft mirë të jetë mbarëshqiptare, po edhe për objektivitetin e shqyrtimit e të “kutit” të përmasave të shtjellimeve për secilin autor a vepër. Natyrisht, sa shpreha në këta rreshta, nuk synojnë të jap ndonjë përcaktim a shpallim për sa meritojnë krijimtaria poetike dhe studimet e Profesor Xhevat Sylës, punë që i takon një dore më të specializuar e mirëfilli i fushës së historisë së letërsisë e që urojmë ta ndërmarrin pa mënuar dijetarët e fushës.
U lejova të rreshtoj disa ide e përshtypje që mund të mbeten thjesht si “Lesefrukte” e pa kurrnjë lakmi përcaktuese. Po e mbyll duke përmendur një vështrim të studiuesit Maxhun Osmani kushtuar profilit letrar të poetit e studiuesit Xhevat Syla, me rastin e 60-vjetorit të ditëlindjes, i cili duke theksuar se emri tij si krijues ka dy kahe: si poet dhe si studiues i Letërsisë për fëmijë, duke nyjëtuar e përmendur botimet e tij meritore në ato dy fusha e vlerëson se është “ i kursyer në sasi, i vlerësuar për cilësi”. Me të drejtë studiuesit theksojnë se Xhevat Syla ka shkrime e studime që i shquan dashuria për artin letrar, ku vrujon lirizmi i ngrohtë, ëmbëlsia e vargut, vetvetueshmëria e figurave dhe e metaforave, si dhe të shkruarit me përkushtim e me zotërim të plotë apo si do të thuhej me sa përfshihet në termin e akr ibisë shkrimore. Por, le ta themi duke cituar përmbylljen e shkrimit që e cekëm më lart: “Fëmijëria dhe e tashmja janë dy kohët që flenë në temat e autorit, si ruralja apo urbania, familja, shkolla, natyra, jeta në përgjithësi. Ligjërimi poetik shpaloset herë si mesazh, herë si rrëfim poetik.”
Uroj që të ketë edhe më tej vlagë pune për krijime poetike të bukura dhe për studime të mëtejshme për letrat shqipe ashtu si e ka zakon.
Durrës, 7 gusht 2024