More
    KreuIn memoriamBehar Gjoka: Fatmir Alimani – dashnor i fjalës letrare

    Behar Gjoka: Fatmir Alimani – dashnor i fjalës letrare

    Më 13 gusht 2024, pas një sëmundje të rëndë dhe të zgjatur në kohë, ndërroi jetë para kohe Fatmir Alimani. Ikja në amshim, në rastin e artistëve dhe shkrimtarëve, pamëdyshje që është më tepër fizike, sepse kontibuti i çmuar në lëvrimin e letërsisë, në dimensionet më të gjera të mundshme, ëndrra më e madhe e shkrimtarit, sërish e vijon shtegtimin për te lexuesi, si një kumt shpirtëror përjetësie, e cila është e ngurtësuar në germa. Jeta e tij, në lidhje me letërsinë si ëndërr parake, vetiu më ndërmend pohimin: “Mos pusho kurrë së ëndërruari, sepse tek ëndrra është liria e njeriut…” e Uollt Uitman. Kujtesa e njeriut, sidomos kujtesa e pashmangshme e teksteve, të laryshisë letrare të lëna trashëgim, tanimë piktakohen si një rebues shkrimi që në lexim dhe rilexim, zbulon anë të tjera, të shenjave estetike.

    Në mes gazetarisë dhe letërsisë

    Fatmir Alimani, u diplomua për gazetari, pra e deshi si lami e fjalës, ndonëse thellësi të botës autoriale, përpushet nëpër ethet e përlindjes, dashuria e madhe për letërsinë, që e ndoqi në të gjitha çapet e hedhura, gjer në frymën e mbrame. Për disa kohë punoi si gazetar i ATSH, në rrethet Dibër, Mat dhe Mirëditë, një përvojë e vyer për njohur nga afër jetën, karakteret dhe atmosferën e kohës, por mbi të gjitha duke marrë dhe bartur në shkrimet e tij, cilësinë e shkrimit konciz, të natyrës së lajmit. Për një periudhë jo të vogël kohore, punon në televizionin shtetëror, duke qenë redaktori i parë i fjalës artistike, në këtë televizon. Prania e fjalës artistike, realisht krijon një hapësirë komunikimi më të plotë për poezinë dhe letersinë shqipe. Për disa kohë punon në Kinostudio si skenarist filmash, gjë që e hodhi përfundimisht në krahët e letërsisë. Në distancë kohore, në lëmin e publicitikës, me vlerë historike dhe emblematike, mbetet intervista e pazakontë me Martin Camajn, realizuar në fillim të viteve ’90, pasi Fatmiri kishte lënë Shqipërinë dhe ishte vendosur në Belgjikë. Me 50 pyetjet dhe përgjigjet e Camajt, poetit, prozatorit, dramaturgut, gjuhëtarit, mjeshtrit të fjalës, në kuptimin real dhe metaforik, më në fund e ktheu në panteonin e letrave shqipe.

    Letërsia – vatra më e dashur

    Dikur nën zë, duke bërë sikur nuk shohin, e tani po zëshmohet, se Fatmir Alimani, para së gjithash ishte dhe do të mbetet, i lidhur ngushtësisht me letërsinë, madje letërsia në kuptimin e parë, ishte ëndrra dhe kryeëndrra e jetës së shkrimtarit. Ende mbahet mend si lexues i rrallë, i literaturës në gjuhën shqipe dhe të huaj, në Bibliotekën Kombëtare. Do të theksoja, në mes të tjerash, ekuilibri i pazakontë i marrëdhënies me letërsinë, së pari i leximit skrupuloz të kryeveprave të letërsisë botërore, të autorëve të letërsisë shqipe, sidomos të shkrimtarëve të Kosovës, duke mbetur edhe sot e gjithë ditën si njëri nga njohësit më të rrallë, të vlerave të saj. Së dyti, me shkrimin letrar, kur mbushej me frymëzim, në të gjitha lamitë e letrares, në rrafshet e ligjërimit të letërsisë. Shkrimi ishte arratisje për te vetja, gjithnjë në kërkim të lexuesit. Nëse shkrimi letrar, pra procesi mbetet një mister, që përgjithësisht shkrimtarët e marrin me vete në përjetësi, kurse librat, lamitë e shkrimtarisë, gjenden në morinë e librave të botuar, e lexuesi ka kohë që ta zbulojë shenjën letrare, ose kujtesën e pashmangshme, të cilën e bartin përvojat e shkrimit letrar.

    Larmia e shkrimit letrar

    Tipari ma qenësor, i përvojës së gjatë shkrimore të Alimanit, është interesimi i gjerë për letërsinë si e tillë, e derdhur në të gjitha përmasat kezistenciale të saj, në morinë e librave të shkruara. Fillesat me poezinë, siç ka ngjarë me shumë shkrimtarë, të letërsisë shqipe dhe më gjerë, në librat e botuar, që vjen më e plotë në përmbledhjet “Fillim sitne”, “I dashuri i fundit i Deas”, vëllimit të përzgjedhur “Ora botërore”, 1990 – 2000, “Autopësia e të gjallëve dhe universeve”, 2000 – 2010, për të ardhur deri të poema “Bota si karantinë”, e botuar në vitin  2024 në gazetën ExLibris, vjen e shqiptohet si dëshmi e lidhjes së fortë me poezinë. Materia poetike, e librave të shkruar, zbulon një botëpërceptim autorial, nginjur në ngjyresa metaforike, e cila anësohet nga lavërimi modern, pasojë e leximit të letërsisë botërore. Krijimtaria poetike, e paraqitur në këto libra, me tone epike dhe lirike, me shkrimin e poezive të shkurtra dhe të poemës, është pjesë e letërsisë së sotme shqipe, e cila do të duhet të zbulohet nga lexuesi, përmes rimarrjes dhe rileximit.

    Interesim të veçantë Fatmir Alimani, ka patur edhe për dramatikën, të cilën e ka lëvruar gjerësisht. Libri “Dymbëdhjetë drama”, tregon më së miri për kontributin e lënë si trashëgimi, në fushën e dramaturgjisë. Në këto tekste ndeshim laryshi tipologjike, gdhendje të karaktereve, e mbi të gjitha sendërgjimin e dramatikëës përmes marrëdhënies organike të fjalës, pra të dialogut të personazheve, me veprimin, tekste që zgjerojnë ndihmesën e dhënë në shkrimin e kaq veprave dramatike.

    Profil romancieri

    Shkrimi i prozës prej autorit, njeh edhe rastin e shkrimit të tregimeve, çka materializohet në vëllimin “Hamleti dhe Mona Liza”, si një tramplinë për të kaluar në shkrimin e prozës së gjatë. Varësisht numrit të romaneve, e mbi të gjitha të cilësisë shkrimit, puna më e vyer, të mbërrimet letrare të autorit spikaten në shkrimin e romaneve, në tipologji të ndryshme. Tekste të tilla: “Shtëpia në ëndërr”, “Iluzioni i dashurisë”, “Nuda Veritas”, “Amor fati”, “Sokrati dhe Don Kishoti”, “Panteoni i mungesave”, “Fundosja”, “Vdekja e armikut tim”, “Kazinoja”, “Epitaf për gadishullin misterioz”, “Zdrala”, “Lumi i parajsës”, etj. , përbëjnë një përvojë të çmuar të shkrimit të romanit, si dhe një pikë reference për letërsinë e sotme, jo vetëm duke u nisur nga numri, por sidomos nga sendërgjimi estetik, në hapsirën tekstologjike. Bazuar në njohjen e krijimtarisë së gjerë letrare, të larmishme madje, leximit të herëpashershëm të saj, kam bindjen që proza, veçmas zhanri romanor, përplotëson dhe përfaqëson nivelin më të ngritur letrar, të rrokshme në krijimtarinë e tyre letrare. Në mesin e romaneve të shkruara prej tij, kam shkruar tekste kritike dhe studimore, për romanin: “Parisi i Tretë”, një trajtim i beftë, derdhur në botën romanore, plotë kolorit, ku skaliten ngjarjet dhe personazhet, një roman me ngjyresa moderne dhe postmoderne. Megjithatë, në shijen time, mbështetur në leximin e përqëndruar, puna më e arrirë në shkrimin e prozë së gjatë, është romani “Vdekjet e gjeneralit”, e përcjellur me shkrim të gjerë, një punë sizifiane, në strukturë dhe botëperceptim, në skalitjen e figurave, e sidomos në shprehësinë gjuhësore dhe letrare, duke hyrë në fondin e romanit shqiptar të letërsisë bashkëkohore.

    Eseist dhe përkthyes

    Pjesë e zejesë shkrimore të Fatmir Alimanit, që e konturojnë të plotë kontributin e tij në letrat shqipe, janë edhe dy lami të tjera, të parapëlqyera dhe të shoqëruara me tekste të ndryshëm. Është fjala për zgjerimin e hapësirave të komunikimit me lexuesin:

    – Me anë të eseistikës, ku në krye qëndron libri “Katër K” ese, për trajtimin e katër mjeshtrave të shkrimit letrar të shekullit të njëzet. Figurimi i Kafkës, Kamysë, Kadaresë dhe Kunderës, parashtruar në optikë eseistike, nga njëra anë, simbas trajtesës eseistike, përveçon katër autorë të rëndësishëm të letërsisë, sendërton përqasjen e ndërmjetshme, dhe me e rëndësishmja e sheh krijimtarinë e Kadaresë, në kuadrin e letërsisë europiane dhe botërore, duke i parë në rrafshet e ligjërimit unik të secilit shkrimtar. Pjesë e trajtimeve eseistike janë edhe shkrimet për Ismail Kadare: “Kadare, për një vepër universale”, po ashtu për poezinë e Ledia Dushit, rreth përmbledhjes së mbrame me poezi, për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, posaçërisht për shkrimin: “Martin Wasler, e pashpjegueshmja dhe pavarësia absolute”.

    – Me ndihmesën e dhënë në përkthimin e dhjetëra autorëve gjermanë, duke sjellë për lexuesin tonë, përvojën e shkrimit të kaq shumë shkrimtarëve. Kjo përvojë është shpalosur ndër vite në revistën Mehr Licht dhe te gazeta ExLibris, por edhe në organe të tjera. Përkthimi më i fundit prej tij, është proza “Artist i urisë” i shkrimtarit Franz Kafka, që ka ardhur në një shqipe, gati të përkorë.

    Disa radhë, në përkujtim të Fatmir Alimanit, lindur me 15 qershor 1954 dhe ndarë nga jeta me 13 gusht 2024, si skicimi i profilit të shkrimtarit, e dikur do të duhet rimarrë, rilexuar për të hyrë në labirinthin e shkrimit të larmisë letrare, që na e la trashëgim.  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË