More
    KreuIntervistaLuljeta Dano: Letërsia vjen si katarsis i asaj që ka ndodhur me...

    Luljeta Dano: Letërsia vjen si katarsis i asaj që ka ndodhur me individin dhe shoqërinë

    Bisedoi Andreas Dushi

    A.D.: Gjatë leximit, romanet e vendosura në një sfond të caktuar historik më krijojnë idenë sikur janë të thurura prej të gjitha përmasave të punës së mendjes njerëzore. Dua të them, aty ka krijim patjetër, ka histori të mësuar, ka kujtesë të vërtetë ose të supozuar dhe sidomos kjo e fundit, më ngacmon shumë pasi nuk është trillim, por marifet i vetë kujtesës e cila jo vetëm lexuesit, por edhe autorit ia paraqet një ngjarje si të jetuar, kur në fakt është e imagjinuar, e ëndërruar. Zanafilla e këtij romani pra, është e ndërlikuar. Procesi i shkrimit a vijon të jetë një tjetër kalim nëpër këto shtigje të ngatërruara, apo përkundrazi, një mundësi më e gjerë për ta jetuar lirinë e plotë që të jep akti i krijimit?

    L.D.: Po. Historia nuk ka nevojë vetëm për historianët për ta mësuar. Ajo ka nevojë veçanërisht për shkrimtarët, nëpërmjet letërsisë realizohet kompromisi i qytetërimit njerëzor me historinë gjakatare. Epokat e errësirës, diktaturat, epidemitë, luftërat deformojnë jetën njerëzore të brezave, e ballafaquar me historinë për atë që ndodhi, letërsia mbetet gjithsesi, purifikuese e dhembjes njerëzore.

    Dikur në rininë e hershme nga fundi i viteve “80, kam bërë provë të shkruaj një novelëz me një titull të gjatë “Jam shumë gra, por më shumë nga të gjitha jam Tatjana Fedorovna me dorën në faqe në pezul të dritares”, ku personazhi kryesor që rrëfente vazhdimisht përjetimet e saj ishte një grua e pamoshë, e pakohë dhe pa një vendndodhje. Pavarësisht se në atë dorëshkrim të pabotuar ka ende pas kaq kohe pjesë të vogla ishullore që mund të shpëtohen, e që përshkruan dhembshurisht në titull një fotografi reale, imazhin e nënës së Sergej Eseninit, Tatjana Fedorovnës (1875 – 1955), në pleqërinë e saj me dorën në faqe në një dritare, (Fedorovnën në moshën e shtyrë e kanë vizituar edhe studentë shqiptarë në Bashkimin Sovjetik. Ajo u shiste pelegrinëve për pak kopekë fotografi apo shënime të të birit të adhuruar nga tërë bota që Parkat ia kishin paracaktuar fillin e jetës të shkurtër, vetëm tridhjetë vite), por kjo prozë ka diçka thelbësore që i mungon për të qenë një prozë më e gjatë se një skicë apo tregim i vogël që nuk është.

    Roli i sfondit historik, i kornizave antropologjike, i kohës është hapësira e nevojshme rrotulluese që i duhet materies letrare, veçanërisht prozës për të qenë. Për letërsinë nuk është aspak e rëndësishme nëse subjekti është i jetuar apo produkt i përfytyrimeve, por që subjekti i trajtuar në zhanrin letrar përkatës të gjenerojë ide dhe struktura të normave morale, kategorive estetike që mbrojnë jetën, njeriun, e që mbeten të pathyera nëpër kohë.

    Kam në dorëshkrime e në proces pune një seri romanesh të shkurtër, ose më mirë t’i quaj novela, me një gamë të gjerë kohore duke filluar nga Lufta e Trojës. Gjithnjë nuk e ndaj dot, atë mahnì, që më shkakton bashkëjetesa e pandryshuar e koklavitjes së dashurisë me atë që ka shkruar shkruesi anonim i fateve njerëzore, ku dashuria ndodh, jeta ndodh e lidhur ngushtësisht me kufijtë e zakoneve, historisë, objektet e përdorimit në veshje, stolisje, armatim, objektet e kultit, këngët, vallet, ushqimin, me aftësitë e natyrshme dhe të mbinatyrshme njerëzore për mbijetesën në raport me llojin e vet. Letërsia vjen si katarsis i asaj që ka ndodhur me individin dhe shoqërinë, si një korrigjim për ta përmirësuar.

    A.D.: Shtegtimi i subjektit të krijimtarisë popullore është një dukuri e natyrshme. Kujtoj se si te Prralla Kombtare, atë Donat Kurti disa syresh u vendos në titull një yllth dhe poshtë shënon se i njëjti subjekt gjendet edhe në një prej përrallave të Vëllezërve Grimm. Në veçanësitë që dallojnë këto variante, a mund të gjendet një objekt për shkrimin e një teksti të ri, të pavarur?

    L.D.: Trashëgimia shpirtërore dhe materiale e njerëzimit ka shtegtuar cep më cep planetit, në distanca nga më të pabesueshmet. Edhe nga fondi i artë i letërsisë botërore është kaq i shpeshtë fenomeni i rimarrjes së temës për një krijim të ri. Aty ku Borghes – i është mbreti.

    Në botimin e Argjënd/MAESTRI ARGENTIERI IN ALBANIA E KOSOVO, Torino, 2000, nga Museo Nazionale della Montagna “Duca degli Abruzio”, Prof. Agim Bido më ka shkruar autografin: Luljetës, me dhembje që këto vlera flenë, ende pa rrëfenjën historike.

    Shumë pak histori kam mbledhur nga objektet e koleksionit. Ndonëse historia e tyre ka humbur në errësirën e kohërave, energjia e historisë së tyre është e pranishme. Unë e ndiej dhe përpiqem ta zbardh nëpërmjet përjetimit letrar atë histori.

    Në një ditë me shi të prillit 2007 më kanë ardhur nga Malësia tri xhubleta të një nuseje që kishte varur veten natën e martesës rreth pesëdhjetë e pesë vite më parë, sepse donte dikë tjetër dhe po martohej me shkuesi. I hapa si parashuta ato tri xhubleta në shtëpi, ishin aq të reja dhe të mirëmbajtura sikur nuk kishte kaluar asnjë ditë. Të dekoruara me qëndisje ari, ngjyra blu e të manushaqta, pafta e filigrama me larje ari tregonin një status të lartë shoqëror të familjes së kësaj nuseje. Më shkaktuan një gjendje ngrirjeje fizike dhe emocionale, si ajo e një shoku anafilaktik.

    Nga libri tjetër i At Donat Kurtit dhe At Benardin Palajt “Kangë kreshnikësh dhe legjenda”, kam marrë finalen e Ciklit të Kreshnikëve, e cila është gojëdhanë e rrëfyer nga lahutari dhe jo e kënduar si mijëra vargjet e tjera të eposit të veriut: Në shpellën e Kreshnikëve. Duke e veshur me elementë etnologjikë të trevës, duke shkëlqyer kuptimet e fshehta që nga kuota jonë kohore marrin domethënie më intriguese, me ilustrimet e mrekullueshme nga piktorja Anila Zajmi – Katanolli të kthyera në vizatime në fund të librit që fëmijët t’i ngjyrosin vetë me fantazinë e tyre, kemi botuar librin për fëmijë: Në Shpellën e Kreshnikëve, për grupmoshën 5 – 8 vjeç. Në këtë librushkë fëmijët do të takojnë superheronjtë shqiptarë, kreshnikët e maleve në shpellën ku janë mbyllur, do të mësojnë si i fituan superfuqitë e tyre dhe kur do të kthehen sërish mes nesh. Nga takimet e shpeshta që kemi pasur me fëmijët, të dyja me Anilën kemi marrë një gëzim të veçantë nga pyetjet, përfytyrimet e tyre të dlira e të padoktrinuara nga gjërat që nguliten gabim gjatë rritjes së fëmijës.

    A.D.: Mund të jetë letërsia një përvojë antropologjike?

    L.D.: Letërsia jeton në simbiozë të antropologjisë kulturore, siç jetojnë bletët të pandara me kullotat e luleve. Antropologjia është shkenca e qenies njerëzore. Letërsia është arti i kësaj shkence.

    Gazetari dhe shkrimtari italian, Enzo Biagi i mirënjohur për kthjelltësinë e rrokshme prej tij, ka një cikël dokumentarësh televizivë: Shkrimtarë të mëdhenj. Shkrimtari i ulur mbi një karrige, me një kuadër të xhveshur pa sfond zhurmues, për të mos humbur fokusin kryesor që është ajo çfarë ka për të thënë shkrimtari i kohës tonë, pa iu përmendur emri gjatë intervistës, pa ndonjë ndikim tjetër duke iu referuar veprës së autorit në fjalë, sepse ajo është një bisedë me cilësim – është fjala e një shkrimtari autoritar në botë mbi krizat e shoqërisë tonë dhe rolin e letërsisë në paralajmërimin, mjekimin dhe shërimin e këtyre krizave. Duhet të picëroje sy e veshë të kuptoje nga nëntekstet, pa ia njohur portretin më parë se kush ishte ai shkrimtar i famshëm, që merrej i mirëqenë, sepse ajo që kishte për të thënë, si medium qe më e rëndësishme se emri i tij dhe vepra, në hatër të intervistuesit.

    A.D.: Krijimi i koleksioneve etnografike, a e ka ndikuar letërsinë që krijoni? Keni gjetur mes tipareve të xhubletës apo të të tjera veshjeve dhe objekteve material nxitës për një tekst apo fragment ose varg?

    L.D.: Pa këtë njohje të përfituar nga të jetuarit me objektet etnografike, dukuritë bashkëshoqëruese të mjedisit dhe kohës kur këto objekte kanë qenë në jetën e gjallë, vetëdija ime letrare do të ishte e mangët. Kërkimi diturak në përpjekje për “të lexuar” atë gjuhë piktografike, më ka çuar larg. Kjo ka pasur koston e saj se kam humbur njëfarësoj koherencën me botimet më të mira të letërsisë, biblioteka ime tanimë është shkartisur me më shumë libra mbi fusha të tjera, por prej impulseve nxitëse për letërsinë të përftuara nga puna me objektet e koleksioneve, ndjehem shumë mirë.

    A.D.: Herë pas here, jeni e detyruar të punoni në restaurimin e koleksionit tuaj, të cilin faktori kohë e ka dëmtuar. Ndërkohë, edhe tekstet me siguri i ripunoni pas një farë kohe. Por ama ka një ndryshim thelbësor, mendoj unë: Restaurimi i një veshjeje synon ta kthejë atë sa më pranë së shkuarës, datës së origjinës ndërsa “restaurimi” i një teksti, ta shpiejë sa më thellë në të ardhmen, që t’u flasë brezave edhe për shumë kohë. Një proces për t’i dhënë jetë më të gjatë produktit, i cili ndodh në dy kahe krejt të kundërta. Si mund ta përshkruani përjetimin e këtij dyzimi?

    L.D.: Të falenderoj, Andreas për këtë pyetje që veçon dy kahet e përjetimeve, sipas vargut dytehësh, nga Rumi: Ku e ke shpenzuar shikimin e syve të tu? Se, shohim me sytë e ballit dhe me sytë e shpirtit.

    Në këto njëzet vite kur intesiteti më i madh i punës time është në lidhje me objektet fizike, më ka lidhur puna me gjithfarë specialistësh vendas dhe të huaj, që kontribuojnë për muzeumologjinë, etnoantropologjinë, arkivat, dijet okulte, kiminë, artizanatet, etj. etj. kam pasur rast të shoh, të prek, të mësoj nga praktikat e botës për fondet etnografike, për klasifikimin dhe konservimin e artefakteve. Po ta shprehja me një metaforë poetike, do thosha: Asgjë nuk ka humbur nga Biblioteka e Aleksandrisë! Arkivat e muzeve më të rëndësishëm të botës, arkiva të tjera private aristokratësh të vjetër, katedralesh, universitetesh, bibliotekash… janë përplot dhe të pahapura për publikun. Asgjë nuk është e humbur. Për mua ka qenë një emocion i tejfortë kur mësova se aty ku ruhen kryeveprat e trashëgimisë kulturore të njerëzimit në rast katastrofe planetare është zgjedhur, çuar edhe vallja dyshe e burrave të Myzeqesë, e cila kërcehej në dasmat e shpeshta ku shkoja me familjen në fëmijërinë time.

    Shkrimtarët janë restauratorët e historisë së fateve njerëzorë për t’u dhënë kuptimin më të mirë. Kthehemi sërish te Borghes – i që është madje dhe restaurator i kryeveprave të letërsisë botërore. Shembuj kemi plot, çdo shkrimtar i vlerësuar zotëron aftësitë për të qenë një restaurator i gjenive, duke sjellë një vepër të re me personazhet monumentalë të titujve klasikë.

    Po rishkruaj pas njëzet e pesë – tridhjetë vitesh romanin “Orët e shahut”, novelën “Afati i Akilit” dhe dramën historike “Plakonjat”. Restaurimi i krijimit letrar është krejt i tjetërllojtë nga restaurimi i objektit muzeor, tek i cili nuk cënohet aspak identiteti i objektit. Restaurimi letrar i ngjan më shumë një laboratori të mjeksisë molekulare dhe është i natyrës botëkrijuese.

    A.D.: Larushia e angazhimeve tuaja më shtyn t’ju bëj një pyetje: Cili/cilët është/janë profesioni/et dhe Cili/cilët është/janë pasioni/et tuaja? Si ndërtohet dhe ruhet raporti mes tyre?

    L.D.: Ndoshta ngjaj pak me atë personazhin e Gorkit, i cili u gjykua të mos dënohej me vdekje, por me liri. Se për natyrën e tij qe më i madh se dënimi me vdekje, dënimi me liri. Natyrisht që kam dhe unë objektivat e mia të punës ditore, si me krijimin letrar dhe projektet për të cilat punoj, Xhubleta është kryefjala, por edhe në projekte më të vogla në lidhje me trashëgiminë kulturore. Por përgjithësisht e ruaj lirinë kur hap sytë në mëngjes, në atë ditë të re do të ndjek dëshirën për të bërë një punë që kam frymëzim për ta bërë atë ditë, e cila mund të jetë shkrimi, shërbimet e mirëmbajtjes që kërkon koleksioni etnografik, mund të jetë udhëtimi, kërkimi i ndonjë objekti në tregjet e antikuaratit apo koleksione private që plotëson diçka të munguar në koleksionin tim, leximet, koha familjare… gjërat e vogla të rutinës së bekuar.

    A.D.: Xhubleta u pranua në UNESCO. Së pari, ju ka shqetësuar kthimi i gjithë vëmendjes mediatike njëherazi mbi punën tuaj të heshtur në mbrojtjen e saj dhe si anëtare e grupit të specialistëve që përgatitën dosjen? Dhe së dyti, shumë mirë, u pranua. Po tani?

    Vëmendja mediatike për mua është gjithmonë angari, ndonëse kam punuar edhe vetë gazetare. Unë dua kohë të lirshme për një punë, jo në ngut të kohës së shtrënguar që është sindrom i medias eletronike. Do të preferoja zhanrin e filmit dokumentar, apo dhe të medias së shkruar për një paraqitje jo aq të sipërfaqshme, për të shmangur trajtimin e njëanshëm të problematikave.

    Po tani? Ah, po tani! Xhubleta për tre vjet, gjer në fund të vitit 2025 ndodhet në kohën e provës për të ngritur e funksionalizuar sistemin e teknologjive artizanale në gjithë fazat e prodhimit të dijebërjes së Xhubletës, sipas atyre origjinale të shekujve të shkuar. Nëse institucionet e larta përgjegjëse nuk i përmbushin detyrat, Xhubleta e humbet atë që fitoi dhe emri i saj nuk do të jetë më pjesë e listës së UNESCO – s, si pasuri e qytetërimit njerëzor. Me shpresë se, rreziku dhe vonesat do të superohen nga institucionet në finale!

    A.D.: Përrallat me nacionalizma dhe vjetërsi e vazhdimësi mijëravjeçare të gjuhës sonë nga burimi i të cilës janë marrë fjalë, dije dhe themele kulturore prej gjithë Evropës marrin përgjigje vetëm nëpërmjet studimeve serioze antropologjike, apo jo? Si e shihni lukuninë e çuditshme të një mbështetjeje deri diku të konsiderueshme të këtyre teorive absurde dhe shumë shpesh qesharake e fëminore? A nevojitet t’u jepet përgjigje, apo do t’i fashisë koha vetë?

    L.D.: Kuptimi më absolut i gjërave është ai që na çon me përulësi tek universalja, shpirti i Anima Mundi. Edhe në retorikën publike mbi këto probleme që përmendët dominon “xanxa”, tipike shqiptare që na le mbrapa e më mbrapa. Besoj, jo sot, por që në kohërat parahistorike ka pasur një luftë të vijueshme të globalizmit ndaj natives që reziston. Po të marrim p.sh. pranëvënien, ballafaqimin e tri antropologjive kulturore: Etnokultura e Marokut, Algjerisë dhe fiseve berbere. Fqinjërojnë si detet, ngjitur, por secila me tiparet e veta specifike, të ndryshme, pa u përzier aspak me njera – tjetrën. Edhe çfarë është arbëroro – shqiptare do të rrinte shumë bukur, si e përveçme e ballafaquar me antropologjitë kulturore të popujve mesdhetarë e ballkanikë.

    Unë i përkas një brezi që ka pasur fatin, në degën e gjuhësisë në fakultet të ketë tekstet dhe profesorët e lëndëve nga emrat më të shkëlqyer të gjuhësisë shqiptare. Prof. Rami Memushaj, që të nesërmen që mbushi moshën ligjore të pensionit, 63 vjeç e hoqën nga universiteti. Si mund të largosh nga katedra atë bankë diturie linguistike, si Prof. Rami Memushaj… etj. etj. Mungesa dëshpëruese e fondeve për kërkimin shkencor, për përditësimin me arritjet më të fundit të shkencës botërore në universitetet dhe institucionet e tjera shkencore tonat është një nga nyjet më në urgjencë për t’u zgjidhur. Nuk kam njohjen e nevojshme për t’u përfshirë në diskutimet mbi gjuhësinë, por është kaq dëshpëruese situata kaotike ku etimologjia vulgare është në revansh agresiv dhe merr zjarr lehtësisht prej rrjeteve sociale dhe studimet akademike bashkëkohore shqiptare e kanë humbur autoritetin e tyre në opinionin publik për shkaqe joakademike. Një zgjidhje do jetë kur gjenealogjia gjuhësore botërore do ngjisë nivele më të larta në zbulimet e saj do të përfitojë nga kjo edhe gjuha shqipe. Sot për sot edhe aty ku e kanë vendosur të pavarur pranë greqishtes së vjetër, armenishtes e gjuhës hitite, pranë rrënjëve indeoevropiane që fillojnë me sanskritishten vedike, gjuha shqipe është shumë mirë, si një nga gjuhët më të vjetra.

    Në gjuhën rome, popullatë që konsiderohet e fillimit të kohërave, si fjalë për dy konceptet: dje dhe nesër, përdorin të njëjtën fjalë. Ndoshta filozofia e një gjuhe do të jetë një disiplinë e re e nevojshme e studimeve gjuhësore. Shpresoj, të mos tingëllojë shumë poetike kjo.

    A.D.: Të rikthehemi prap te letërsia dhe antropologjia. Kush është shkrimtari/shkrimtarja shqiptar/e që antropologjinë e kombit e përfshin më së miri në veprat e tij/saj?

    L.D.: Vetëm një hulumtim i gjerë i trashëgimisë së letërsisë shqipe do ta shteronte këtë pyetje që do të përfshinte gjithë emrat dhe titujt e unazës së artë që i përkasin historisë së letërsisë shqipe gjer tek autorët bashkëkohorë më përfaqësues. Kemi fatin, të vemë në dukje një marrëdhënie të begatë mes letërsisë shqipe dhe dukurive antropologjike të kombit shqiptar, nga mund të vilen pafund skeda për lëmin e etnologjisë. Ky përpjestim i çmuar meriton studime të tëra.

    Do të veçoja diçka tjetër, një tregim të gjatë ose një novelë, më mirë, nga autori francez P. H. Constant, “Maxa”, botuar në Revue des Deux mondes, t. XLV, 1881, të cilën e quan: Tregim për doket në Shqipërinë e Veriut dhe konsiderohet një përvojë e jetuar nga autori. Maxa është një shtatëmbëdhjetëvjeçare nga Nikaj – Mërturi që ka zbritur në qytetin e Shkodrës për të punuar në një familje të pasur shkodrane para se të martohej. Aty dashurohet me të huajin qiraxhi, ndoshta. Ajo arratiset natën e dasmës nëpër malet e egra alpine për të zbritur në Shkodër, se nga i huaji ka një premtim për martesë dhe jete të përbashkët në Evropë. Burri që e kishte blerë që në djep e përndjek dhe e dënon për gjithë jetën me dhunë më të rëndë se vdekja. “Maxa” është si një kapsulë kohe për një ekspeditë etnologjie. Madje aty autori shënon një të dhënë për gjizën, si një produkt unik ushqimor tipik shqiptar, ende e panjohur edhe sot e kësaj dite në artin kulinar perëndimor. Me këtë rast, kam një ide – propozim për institucionet përkatëse që Gjiza dhe e famshmja e staneve të Labërisë, gjizë e kaçupit(1, meritojnë kërkesën zyrtare për t’ia bashkangjitur listës së UNESCO – s. Fqinjët tanë kanë mjaft ushqime dhe pije të mbrojtura në listën ndërkombëtare të vlerave. Produkti i gjizës shqiptare, si një ushqim fort i shëndetshëm, i përmbush krejt lehtësisht kriteret e pranimit në UNESCO.

    A.D.: Keni thënë diku se koleksionin tuaj nuk e keni të trashëguar, por të krijuar me sakrifica të mëdha që unë vetëm mund t’i imagjinoj. Si u ndërtua? Dhe mbi të gjitha, si e bindët veten dhe familjen për ta vijuar akoma më tej?

    L.D.: Në fakt, kam vite që i kam mbyllur blerjet për koleksionin tim dhe viteve të para kur u formësua, duken të largëta sot. Natyra e atij koleksioni është përtej asaj që mund të jetë një koleksion familjar i trashëgueshëm. I kategorizuar si koleksion privat imi dhe i OJF-së që kam themeluar dhe drejtoj duke punuar me projektin “Qendra Antropologjike XHUBLETA”, ky koleksion ka statusin legal të një koleksioni privat, por moralisht është një koleksion etnografik, një thesar i përzgjedhur dedikuar universit të Xhubletës, pronë e popullit shqiptar. Prandaj destinacioni i tij fundor (që nesër mund të jetë edhe në pronësi të institucioneve të tjera që kanë objekt trashëgiminë kulturore, sepse mosha e xhubletës nuk pyet, por unë shumë shpejt nuk do mundem dot më fizikisht ta menaxhoj dhe familjarët e mi kanë interesa të ndryshme profesionale), pra, destinacioni i tij nuk mund të jetë tjetër përveçse të qenit i ekspozuar, i hapur për t’u vizituar mga publiku dhe si lëndë origjinale e konservuar brenda parametrave muzeorë për studiesit.

    Bashkëshorti im, Arturi rrjedh nga një familje e vjetër shkodrane, me një pemë gjenealogjike, të pashkëputur prej fillimit të 1700-ës, që fillon me të parin, Gjon Suma. Zbritën në Shkodër, si një fis i njohur me origjinë nga Suma e Drishtit, gjysma e të cilit mbeti katolike me mbiemrin Suma dhe gjysma u konvertua në islam me mbiemrin Sokoli, përmendur me historinë e tyre nga albanologët: konsulli francez në Shkodër në mesin e shek. XIX, Hyacinthe Hecquard në librin “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose Gegnisë”, 1858; nga konsulli austriak, në fund të shek. XIX, Teodor Ippen, në librin e botuar në shqip, më 2015 “Shqipëria e vjetër” dhe nga baroni Franz Nopcsa, në fillim të shek. XX, në librin “Fiset e Malësisë së Shqipërisë Veriore dhe e drejta zakonore e tyre”. Bijtë e fisit Sokoli, i kanë dhënë shumë historisë së Shkodrës dhe asaj shqiptare. Haxhi Myftar Sokoli, stërgjyshi i pestë i drejtpërdrejtë në pemën gjenealogjike të Sokolajve, ka qenë këshilltar dhe ambasador kryesor i Mustafa Pashë Bushatlliut(2, i cili i kishte deleguar Haxhi Myftarit të drejtën të fliste dhe të vuloste në emrin e pashait plak. Isuf Sokoli, djali i Haxhi Myftarit është një tjetër figurë me emër për historinë shqiptare. Isuf Sokoli ka qenë titullar osman, guvernator me termat e sotme i Mirditës, i Malësisë së Madhe, kryetar i Grupit të Shkodrës në Lidhjen e Prizrenit, grup që membërritjen e tij orientoi dhe i dha tonin drejt rezistencës kombëtare takimit të parisë së katër vilajeteve shqiptare në Lidhjen e Prizrenit, më 1878. Isuf Sokoli ishte kryekomandant i ushtrisë shqiptare për mbrojtjen e Plavës, Gucisë si dhe në luftën e Ulqinit, ku u plagos rëndë nga murtaja. Shkodranët për dy netë rresht kanë qëndruar jashtë me flakadanë ndezur, gjersa Isuf Sokoli mbaroi. Armët e çmuara të Isuf Sokolit qenë objekte të Muzeut të Lidhjes në Prizren, por u zhdukën gjatë luftës së Kosovës, 1999. Sarajet e Sokolajve ishin me emër, si mikpritëse të shqiptarëve të të gjithë trevave, burrat e tyre ndikonin që gjyqësitë e hasmërisë, gjakmarrjes dhe çështjeve të tjera civile të zgjidheshin me dakortësi, pajtim e paqe. Një tjetër figurë historike me staturë të lartë është Hodo Pashë Sokoli, stërgjyshi i etnologut të njohur, Ramadan Sokoli. Hodo Pashë Sokoli është trashëgimtar biologjik i një familjeje malazeze që luftoi për jetë a vdekje me pushtuesit osmanë. Gjithë njerëzit e tij u vranë dhe u shuan, vetëm një djalë i vogël dymbëdhjetëvjeçar mbërriti në Shkodër, ku u birësua nga familja e njohur Sokoli, për respekt të së cilës ai dhe pasardhësit e tij morën mbiemrin Sokoli.

    Ndër gjeneratat e tyre, fisi Sokoli përmendet jo vetëm për veprimtarinë kombëtare, por edhe për dashurinë, bijtë e tij kanë preferuar të marrin nuse nga larg, nga jugu i Shqipërisë, por edhe të huaja. Disa këngë për ta janë të shënuara në volumet e “Shkodra dhe motet”. Abdullah Sokoli qe aq i kujtuar për dashurinë e tij për bashkëshorten toske, sa ia shkruan emrin mbi gurin e varrit, Dule Tosku. Vëllai i Isuf Sokolit, Selmani, djali tjetër i Haxhi Myftarit kishte dhomë tregtare në Venecia, nga ku solli nuse, katoliken Izabela që kujtohet në Shkodër dhe sot për mobilimin e shtëpisë në stilin e qytetit nga erdhi. Një këngë shkodrane e shek. XIX, thotë: Të rejat e Haxhi Myftarit/Pesëqind grosh armaçt’ e arit.

    Mbështetja e tim shoqi dhe dashamirësia e dy motrave të tij për punën time dhe koleksionin ka qenë krejt e natyrshme, qëkur unë filloja të shtoja objekte të reja ndaj atyre që ishin të trashëguara në familje, jo thjesht, si për një pasuri antikuariati, porse ky koleksion po ngrihej në emër të një fryme identiteti kombëtar. Gjyshi i tyre, Dan Sokoli, ka pasur një nga ato dyqane që në Pazarin famëmadh të Shkodrës kishin tabelën “Çikrrimtar”, por tregtonin stoli të burrave dhe grave nga argjendarët shkodranë, metrazhe luksi importi italiane dhe orendi të tjera artizanale.

    A.D.: Si shkodran, nuk e shmang dot pyetjen, sepse nuk dua, pyetjen për këtë qytet, aq të përmendur nga ju nëpër dalje publike, intervista apo biseda, si frymëzues dhe frymëdhënës për ju. Më çudit shumë se si një territor aq i ngushtë, në mesjetë ja ka dalë të prodhojë dy libra ligjesh krejt të ndryshëm për nga mënyra e funksionimit të shoqërisë: Statutët e Shkodrës dhe Kanunin. Çfarë e bën këtë qytet të jetë kaq “pjellor” në çdo fushë dhe në çdo kohë?

    L.D.: Andreas, në fillim të viteve ’90 kur banoja në Shkodër doja të inventarizoja gjithë varrezën e vjetër katolike të Shkodrës ngaqë më mahniste pasuria e vdekuregjallë e saj. Me kalimin e viteve, duke menduar, se e njoh Shkodrën, por sa herë shkoj zbuloj diçka të re që më le pa mend.

    Shkodra, kryeqendra e shtetit ilir në antikitet, që arriti të ishte superfuqi e botës mesdhetarenën Mbretërinë Ardiane, si dhe një nga katër pashallëqet shqiptare(3 në kohën e Perandorisë Osmane, pashallëku i vetëm me qendër në hartën e sotme të Shqipërisë, gjithashtu e përmendur si, kryeqendër e katolicizmit arbëror – shqiptar, si një metropol mesjetar(4 dhe udhëkryq i rëndësishëm evropian për në Orientin mbarë, paramendohet se ajo çfarë Shkodra ka qenë është fundosur në thellësinë e kohërave për t’u zbuluar vetëm nga studimet e ardhshme shkencore: arkeologjike, historike, etnologjike, gjuhësore, etj. Si e thamë metaforën: Asgjë nuk është humbur nga Biblioteka e Aleksandrisë! Besoj se, në arkivat më të rëndësishme të botës është e mirëruajtur ajo çfarë Shkodra ka qenë.

    Ndoshta Kanuni burimor nuk është një libër i vetëm, por një përmbledhje ligjesh të vjetra, siç është Besëlidhja e Vjetër dhe Besëlidhja e Re. Dr. Aurel Plasari tek “Gjakmarrja midis realitetit dhe retorikës” numëron mjaft dokumente që dëshmojnë një pjesë të mirë të trashëgimnisë shqiptare të së drejtës dokësore: botimet e françeskanëve shqiptarë në revistën “Hylli i dritës” dhe mandej nën titullin Kanuni i Lekë Dukagjinit (Shkodër 1933)… Kanuni anonim 1868 – s, Kanuni i mbetur në boca i E. Cozzi – t, apo Kanuni i përgatitur prej baronit Nopsca, që ruheshin në arkivat e françeskanëve ose të jezuitëve, ashtu sikurse dorëshkrime si Kanuni i Skënderbeut, mbledhur e kodifikuar prej Dom Frano Ilisë, Kanuni i Pukës, mbledhur e kodifikuar nga Xhemal Meçi, Kanuni i Lumës, mbledhur e kodifikuar nga Shefqet Hoxha, Kanuni i Labërisë, mbledhur nga etnografi Rrok Zojzi, etj.

    Ky inventar i pasur kanunor tek shqiptarët është tregues i një tradite që vjen nga kohëra të kahmotshme.  Kanuni i Lekës së Madh apo i Lekë Dukagjinit, ngre pyetjen në favor të Aleksandrit të Madh, historiani Dr. Kasem Biçoku, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, 2005 – 2009.

    Rezervoj të drejtën për një intervistë të posaçme mbi një vështrim krahasimor të statuteve të Shkodrës dhe Durrësit, së bashku me lëndën e disa kodikëve të kishave mesjetare shqiptare, sesi rregullohej mënyra e jetesës tek shqiptarët, nëpërmjet kulturës së traditës së ligjit.

    ____________

    Elektra dhe Stefan Çapaliku, “Shije, pije dhe aroma në letërsinë dhe artin shqiptar”, botimet Fishta, 2024, fq. 178. Shkëputur nga romani në dorëshkrim “Arka e kohës”, nga L. Dano, pjesë nga përshkrimi i plotë i procesit arkaik të fermentimit të gjizës së kaçupit në stanet e Akrokerauneve.

    Të dhënat historike për familjen e njohur shkodrane Sokoli janë nxjerrë nga tre volumet “Shkodra dhe motet” të autorit Hamdi Bushati, shtëpia botuese “Idromeno”, Shkodër, 1999; nga libri “Isuf Sokoli dhe lufta për mbrojtjen e Ulqinit”, autor Xhevat Repishti, shtëpia botuese “8 nëntori”, Tiranë, 1979.

    Stavri N. Naçi, Pashallëku i Shkodrës (1796 – 1831), Akademia e Shkencave të RPS të Shqipërisë, Tiranë, 1986.

    Adrian PAPAJANI, Veprimtaria ekonomike e firmave tregtare shkodrane Çoba – Bianki, (1795 – 1912), Pegi, Tiranë, 1998.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË