More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFrano Kulli: At’ Pjetër Mëshkalla nuk ka shkruar vetëm një letër…

    Frano Kulli: At’ Pjetër Mëshkalla nuk ka shkruar vetëm një letër…

    Letra

    Shumëkush, që e ka ndeshë edhe përkitazi emrin e jezuitit At Pjeter Mëshkalla e ka njësuar emrin e tij autorial me autorësinë e një letre që i shkruan kryeministrit gjakatar të diktaturës, Mehmet Shehu. Një letër, me të vërtetë e denjë për t’u marrë si vepër e si kryevepër, ndoshta njëra ndër “blasfemitë” më të mëdha që ka ngjarë kundër diktaturës, si kurrajë siprore e inteligjencës shqiptare asohere. Njësh me fjalën e qëndresën e krejt martirëve të kishës në të vërtetë, porse ka ngjarë nja dy dekada ma vonë, kur tashma dhuna ia kishte vu përfundimisht thundrën e egër në fyt popullit që sundonte. Për ata, që e kanë prekë me të gjitha shqisat e shpirtit e në të gjitha indet e korpit atë kohë sidomos, ende sot mbetet gati e mistershme fuqia e personit-autor të asaj letre, që merr kurrajon me bá debat me xhelatin, me shtrue arsyen përballë rregjimit që e ka përjashtuar arsyen si ekzistencë e le më si veprim, me shkue i vetëdijshëm drejt dhunimit të vetvehtes, në rrespekt të lirisë për vehte e përtej saj , për të tjerët. Një qëndresë në kufijtë e mistikes. Që nuk zë fill atë ditë , me 5 prill të vitit të mbrapshtë 1967 kur shkruhet letra. Ani pse ai e kishte të provuar mbrenda qenies së vet provën e kalvarit të mundimeve në burgjet e ferrit.

     Shembuj prej jetës së tij na thonë se Ai qe gjithherë i padashtun me perandoritë në kohën e të cilave e jetoi jetën e vet; asaj otomane në fillim, që ia ndjeu shtypjen qysh kur ishte fëmijë, por gjithëaq edhe me sundimtarët që qarkuan ngjarjet e mbas pavarësisë e përpjekjeve për formësimin e Shqipërisë së pavarur. Në periudhën e luftës së dytë u përball aktivisht me fashizmin dhe nazizmin. Por ajo çka rrodhi më vonë, mbaslufta që nuk solli Paqe, mbasi bashkatdhetarët prijësa, që vendosën diktaturën e të pafeve, dhe e shpallën Shqipërinë si vendin e parë dhe të vetëm ateist në botë, qe kalvari i pambarimtë për té. Atë Pjetër Meshkallën e dënuan atëherë jo vetëm si kundërshtar, por si misionar të Krishtit, dy herë e dënuan si e pamjaftueshme e para , herën e parë i dhanë 15 vjet burg e herën e dytë 10 vjet të tjera e ai, aq sa i përunjur, po aq dhe i pamposhtur u shfaq. Gjithëherë për karshi, e qëndrestar i paepur në idealin e vet, e bën Fjala e Hyjit: “Qe, unë po ju dërgoj porsi kingjat midis ujqve! Ruejuni prej njerëzve: mbasi do t’ju pandehin në gjyqe…! Për shkak témin do t’ju qesin para sundimtarëve dhe mbretenve, që të dëshmoni para tyne dhe para paganëve… mos u shqetësoni se çka dhe si do të flisni, sepse në atë moment do t’ju jap çka duhet të thoni, mbasi nuk do jeni ju që do të flisni, por Shpirti i Atit tuej ka me folë nëpër ju”. (Mt 10, 16-20)…

    Por ai personi thatim, i dobët kockë e lëkurë , që na shfaqet në foton e fundme të tij, gjithëaq i papërkulur, kishte qenë student i shkëlqyer në Austri në vitet ‘20 të shekullit të shkuar e masandej me studimet për  teologji e filozofi në Gorizia, asokohe e Sllovenisë e në Napoli në Itali… Nëse je, sado pak kurreshtar me dijtë pak ma shumë për këtë emër meshtari jezuit, zbulon tek Atë Pjetër Meshkalla intelektualin, mendimtarin, historianin, gjuhëtarin, njohësin e thellë të letërsive të mira europiane e bashkëkohëse, gjithëaq.

    Nistorët e botimit të veprës letrare të Mëshkallës

    Por ai na ka lanë edhe dëshminë e Poetit. Një mjeshtër i poezisë , po aq i përshpirtshëm e i përvujtë, Poeti Visar Zhiti na ka sjellë një parathënie me fjalë vezulluese si hyrje në veprën letrare të Mëshkallës, (pjesa e parë-poezia) të botuar tani së fundi, nën përcaktorin e vlerësimit të epërm: Poezia qiellore e Atë Pjetër Mëshkallës. Nji poezi krejt e panjohur deri tash, të cilën e paska hulumtuar shkrimtari i ri Andreas Dushi; në fillesë prej nji dorëshkrimi amanetqar të zotnisë shkodran Paulin Ujka e masandej gjurmët e kishin çue te dorëshkrimi origjinal i vetë autorit Mëshkalla.

    Nistor i këtij botimi është famullitari i sotëm i Shkodrës, don Vlash Palaj. Me një ndjesí përtej të qenit aty, përtej fillesës së rrugës së shkollimit në shkollën që së voni është pagëzuar me emrin e Mëshkallës, mësuesit të letërsisë në Seminarin Papnor të atëhershëm, në vitet ‘31 e deri në vitin 1946, kur do ta syrgjynosin në errësirën e burgjeve komuniste për 15 vjet. Simpatia e përndritëshme për  vetë Mëshkallën, ka dritësuar edhe thirrjen e tij, siç ai vetë e thotë, për t’iu kushtue Hyjit. Arsyet që më shtynë me botue dhe promovue … prozën dhe poezitë e Padër Pjetër Meshkallës janë të lidhuna ngushtë me atë takim providencial që besoj se ndikoi aq shumë në thirrjen e jetës teme drejt të njëjtit mision me atë të Padrit. Ai takim ishte taman si ai i Kushtimit të Krishtit në Tempull. Ndodhi, falë ndërmjetësisë së prindërve të mi, që vazhdimisht frekuentonin Padrin, sidomos Nana, që nji ditë të mirë, të asaj periudhë të vështirë të vitit 1983, më mori përdore e me çoi tek Padri me më beku e me më shenju për krejt jeten…! 

    Nga ai takim shpërtheu nji si luftë mbrenda meje, ku mësova me kërku e me e gjetë veten, mes presionit të pandërpremë ideologjik, nëpërmjet nji propagande në limitet e djallëzores, e mbështetun nga çdo makinacion shtetnor dhe antagonizmit të paepur, i bazuem mbi forcën e arsyes dhe të besimit, që shfaqej dukshëm, madhështor në shproporcion me vogëlsisë fizike të Pader Meshkallës

    Kritikë, polemikë, apologji- si prozë filozofike

    Ajo çka përbën prozën e Mëshkallës, e hallakatun nëpër periodikët kulturorë më në zë të kohës:”LEKA” (akronim i Lidhjes së Edukatës Kulturës dhe Argëtimit), “Kumona e së diellës”, po edhe te “Tomorri i vogël”, e përdyjavëshme kulturale e rinisë shqiptare, vjen si traktate filozofike ma së pari, si një njohje e thellë e rendit të gjërave nëpërmjet analizave të thukëta , si depërtim në psikologjinë e personës që merr në analizë . Por edhe si persiatje estetike që lexohet me ëndje e interes edhe sot. “Hart e moralitet”, “Kritikë ndertuese”, “Fushata e fisnikisë së krishtenë”…

    Ase debati thellësisht filozofik, gjithëaq edhe real në përkim me kohën e vendin ku së bashku jetojnë, me Tajar Zavalanin (1903-1966), për shembull,  publicist, përkthyes dhe shkrimtar , i cili sipërkthyes njihet, posë të tjerash edhe se ka sjellë në shqip romanin “Nëna” të Gorkit dhe “Manifestin komunist” të Marksit… shpërfaqur në revistën kulturore LEKA (Vjeti VI, Nr. V, maj 1934, fq. 151 – 156).

    Është një ballafaqje idesh të përkundërta, thellësisht të përkundërta nën okelion: Plak a i ri , ku përplasen dy shikime të kundruallta të botës shqiptare të vitet ‘30–40.

    Formulen “natura non procedit per saltus”(latinisht: natyra nuk kalon nëpër pyll), nuk e perdorme, si don me besue Tajari, per me provue se brêznìt e ndryshme nuk dahen në mënyrë të préme, pse kjo e vertetë s’ká nevojë per provë: mjeft me çilë sŷt. Po perkundra ishte dashtë të terhiqshin vrejtjen e Tajarit dý pëvetjet me të cillat na lypshim skjarim mâ të madh mbi dý probleme, njêni lânë prej tij në terr e në konfuzjon, e tjetri me kontradikcjon. Dý pëvetjet kjene: Cilla âsht kjo brêzni e ré? Të rijt a do t’a marrin fuqín në dorë sot a por neser? Ani, së dytës s’i lshoj Tajari dritë të ré, e sá per të paren – sikur do të shofim – kontradikcjonet s’ na lanë të kuptojmë. E prá e para pëvetje ká pasë nji randsí parimore, e e dyta nji randsí praktike jo fort per t’u perbuzë!

    Porse edhe një “apologji” për Atë Gjergj Fishtën, me titullin “Poeti i Kombit” e fillon me kundërvendosjen: “Pse të quhet Atë Gjergji Poeti Kombëtar, kurse aj asht vetem Poeti i nji pjeses së Shqipnis së Veriut ?…”, vjelë nga  dialogu me një arsimtar që ai e  çmon si “të vëlefshëm”. I drejt për drejt me të, ani pse vlerësimi i tij ishte krejt i përkundërt me mitin që ishte krijue për Poetin. Pa kurrfarë droje për ndeshjen. Me vetvehten së pari dhe me mitin përtej vehtes, gjithashtu. E në vijim të përballjes së vlerësimeve të përkundërta ai për vehte, domethanë për personat të cilëve iua kumton kumtin e vet, shpërfaq përfundimin:

    Atë Gjergji kje Poeti qi, me fuqin e Gjenit të vet, dijti me nxjerrun prej pejzave t’idealit e të realit, të gjitha notat e harmonis ma të plotë  t’Atdheut. E duket se vetë natyra e kishte pasë pregatitë per ketë misjon: mamendje e mahnitshme, fuqi asimiluese, gojtari e pashterrshme e pushtuese, shpirt hartisti, ndjesi sa burrnore aq edhe e njomë, veshtrim i thellë psyhologu, djalektikë dermuese e metafyzikë e patrembshme, plotsue prej njaj kulture të gjanë e të hieshme! …

    Përtej një letre shëmbëlltyre e rrallë qëndrese, At Mëshkalla pati një papërkulje gjithëaq të rrallë të respektit për idetë dhe shkrimësinë e vet.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË