More
    KreuLetërsiShënime mbi libraMinella Aleksi: A mund të jesh i njëjti pasi ke përjetuar artin...

    Minella Aleksi: A mund të jesh i njëjti pasi ke përjetuar artin e vërtetë?

    Jam rritur me letërsinë e Kadaresë, dëgjon të thuhet rëndom nga një numër shqiptarësh. Kam pyetur veten: ç’do me thënë të rritesh ose të formohesh nga letërsia e një shkrimtari të rëndësishëm në botë? Ndoshta të bën ose jo më të mirë? Shoqëria shqiptare e viteve të diktaturës kishte shumë zymti, trishtim, vrull revolucionar proletar me shumicë, përmbysje klasash, shumë vetmi, por edhe shumë “solidaritet revolucionar sipas parimit një për të gjithë, të gjithë për një. Zemërimi gjallonte natyrshëm në atmosferën ku suksesi kërkohej te lufta e klasave, terren xhelozie, zilie dhe cenesh të tjera njerëzore. Në vitet e gjimnazit përjetova miqësinë e një të njohuri të familjes i cili kish studjuar shkencat humane tre vjet 1940-43 në Romë, me një bibliotekë të pasur letërsi frënge dhe italiane në shtëpi. Më tregoi një libër që në faqe të parë kishte shënimin: “Ti nuk je më i njëjti pasi ke përjetuar artin e vërtetë. Sa herë e kujtoj aq herë pyes, ndodh vërtetë kështu?. A mund të shpëtohej shoqëria shqiptare nga përjetimi i artit të vërtetë, apo nga ajo që e quajmë “kultura”?

    Kur u botua romani “Dimri i vetmisë së madhe” ishte koha e e grupeve të kontrollit nga klasa punëtore, rreziku i “dhjamosjes së revolucionit” prandaj lypsej lufta kundër burokratizmit. Mbizotëronte një atmosferë presioni shumë të madh dhe ankthi shoqërues psikologjik. Farmacistë të vjetër konstatonin rritjen e shitjes së valiumit në farmaci”. Deri atëherë asnjë roman apo vepër tjetër arti nuk kishte ngjallur diskutim aq gjithëpërfshirës. Shkrimtari thërritej në kolektiva të ndërmarrjeve të ndryshme, në Lidhjen e shkrimtarëve sigurisht që diskutimet ishin nga më të rreptat, etj.. U lexua më shumë sesa lexohej deri atëhere por, më të zellshmit në bisedat ishin ata që nuk e kishin lexuar romanin. Një pjesë e mirë qytetarësh në roman gjetën veten e tyre si personazhe. Në roman nuk jepeshin mesazhe, të vërtetat-faktet ishin tronditëse. Po sjell vetëm një prej tyre. Shkrimtari thotë: “Besniku mendonte për luftën midis të aftëve dhe të pa aftëve, një nga luftërat më të egra brënda për brënda socializmit. E keqja është se në këtë luftë, ata që lodhen të parët janë të aftët, tha ai me vete”. Fq,452. Ishte koha kur të aftët silleshin me përunjje ndaj të pa aftëve. Indoktrinimi vrastar komunist shprehej dhunshëm te parula “zëri i masave”. Ndërsehej turma kundër individit. Kjo e vërtetë e thënë kaq brutalisht, asnjëherë deri atëherë nuk ishte hedhur në fushën e mendimit shoqëror. Ky roman tronditës përshpejtoi një zgjim të vrullshëm visceral. Për një kohë të gjatë filluan të qarkullojnë barcaleta apo episode humoristike që pasqyronin kuptimet e ndryshme të tekstit sipas leximeve që i bënin lexues të ndryshëm. Ndodhte pikërisht ajo që Marsel Prust kish theksuar: “Ndërsa lexon, çdo lexues, është në të vërtetë lexues i vetvetes. Vepra artistike e shkrimtarit është thjeshtë një lloj instrumenti optik që ai ia ofron lexuesit, në mënyrë që lexuesi të dallojë atë që, pa këtë libër mund të mos e kishte parë kurrë te vetja”. Komuniteti shqiptar ishte ndarë në kundër dhe pro shkrimtarit Kadare.

    Romani hapi një dritare komunikimi të mendimeve, zgjoi ose nxiti të menduarit kritik te lexuesit. Më vonë këtë tronditje tektonike të mendimit te shqiptarët e perceptova dhe interpretova si tronditja që pëson mushkëria kur, pas frymëmarrjes së zgjatur të ajrit me smog, merr oksigjen të pastër. Natyrisht bisedova me të njohurin e familjes që kish studjuar letërsi në Romë.

    Kur i thashë që romanet e lexuar më parë nuk më kishin “lëvizur” sikurse “Dimri”, më tha: “Nuk ke faj, deri tani ke lexuar “Çlirimtarët”, “Këneta” dhe “Lumi i vdekur” të cilët i keni edhe në provimin e maturës. Akoma nuk e kanë përfshirë në tezat e provimit “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur”. Ti deri tani ke lexuar gjerësisht”. Çdo me thënë kjo? e pyeta. Pas një pauze vazhdoi: “Profesori i letërsisë klasike në Romë na përsëriste: “pse të lexosh gjerësisht kur mund të lexosh thellë? Me “Dimrin” ti ke filluar të lexosh thellë, të ka zgjuar, të ka kapur për dore, të ka hapur derën e madhe të një ndërtese të mrekullueshme gjigande, dhe ti i habitur duke ecur nëpër koridoret e mëdha, hap njërën nga dyert, tjetrën më pas, mrekullohesh nga objektet mistike të së kaluarës antike dhe nis ti eksplorosh”. Ka qënë momenti kur kam ndjerë brenda meje “Uni-n individual”. Kisha ndjesinë se kisha dalë jashtë nje mjegulle. Deri tani kisha ecur brenda mjegullës si një diçka bashkë me shumë diçka-ra të tjera. Me “Uni-n individual” të kritalizuar nëpërmjet romanit fillova të kuptoja domethënien e të menduarit kritik, me syrin e mëndjes po shihja atë që e quajmë “vetja”. Po dalloja atë zërin e vogël brënda kokës sime që më thoshte se tani ti egziston si një qënie e veçantë, d.m.th. i dallueshëm nga disa gjëra, ashtu si të tjerët dallonin prej teje. Realizova së pari se “Uni” është përgjegjës për të marrë vendime në lidhje me veprimet që duhen kryer. Është motorri që më lëviz brënda kokës dy gjëra dhe që i bën lëvizjet në mënyrë të mrekullueshme, tinëzare dhe në errësirë të plotë, të fshehura nga shikimi im. Para së gjithash “Uni” im vuan. Nuk dëshiron të shihet nga vetja ime, urren të shihet dhe më fshihet. Gjëja e dytë që bën është nxjerrja me justifikime mjeshtërore të veprimeve të tij të shëmtuara. Çdo gjë që bën egoja ime është e shëmtuar. Nuk njeh bukuri, dashuri, relaksim, kënaqësi. Vetëm gjykim, urrejtje, xhelozi, tension dhe pakënaqësi. I pëlqen hakmarrja. Egoja gjithmonë, më jep argumente jashtëzakonisht bindëse sesi çdo gjë e shëmtuar që bëj s’është për shkakun tim, është faji i dikujt tjetër. Kështu leximi dhe rileximet e romaneve trillues më fuqizuan mprehtësinë e mëndjes për të zbuluar brënda vetes dy gjëra, antidotët. Së pari të zbuloja se ku zakonisht brënda meje egoja i fshihej vëzhgimit tim dhe së dyti, të zbuloj se në shumicën e rasteve faji ishte i imi dhe jo i dikujt tjetër. Këto dy zbulime më çliruan nga ankthet e Unit, kuptova identitetin tim, se cili jam unë. Më mprehën gjykimin kritik ndaj vetes për zgjidhjen e konflikit tim të përditshëm mes meje dhe Unit tim.

    Te “Dimri” Ismaili ka shpesh referenca dhe kthime komplekse te tragjikët grekë e latinë, te simfonitë e Bethovenit, etj.. Mbas “Dimrit” natyrshëm nisa të lexoj “Gjeneralin e ushtrisë së vdekur” që ish botuar kur isha fëmijë. Ishte koha kur atmosfera kulturore përshkohej nga realizmi socialist. Në roman nuk përmëndej as partia, as slloganet revolucionare komuniste, dhe ndryshe nga atmosfera me diellin komunist e qiellin blu socialist, ngjarjet në roman zhvillohen nën një qiell plot re dhe shi që rrallë pushon. Romani u konsiderua jashtë normave të realizmit socialist dhe sigurisht u kritikua nga kritika zyrtare. Mirëpo në mëndjet e lexuesve romani ishte një alternativë tjetër nga ajo zyrtare, mbizotëronte ideja e rizbulimit të kodit humanist. Më solli në mend frymën humaniste të Rilindjes europiane. Çvarrosja e viktimave të luftës, njerëzimit i kujtonte mësimin universal se, asgjë nuk është më e çmuar se paqja, si pikënisja më themelore për përparimin e njerëzimit. Përjetova emocionet e artit të vërtetë, Më dukej sikur mëndja më ishte shtuar. Luftën dhe pasojat e saj po i shikoja nëpërmjet thjerëzave të romanit. Ashtu si me “Dimrin” shqiptarët që e kuptuan domethënien e romanit nuk ishin më të nëjtët.

    Një herë mësuesi i letërsisë, miku i familjes, më shprehu keqardhjen e thellë që në bibliotekën e qytetit kish lexuar te “Nëntori” vetëm pjesën e fillimit të romanit “Përbindëshi”. Në konfidencë më tha se nuk ia kishin dhënë vazhdimin e “Përbindëshit” ngaqë tashmë ishte nxjerrë nga qarkullimi. Mendonte se Ismaili ishte një shkrimtar shumë i fuqishëm. Ai e quante, shkrimtar me një mëndje dhe stil të kthjellët, imagjinata e të cilit të hapte dyer atje ku nuk egzistonin. Nga këta të tanët nuk ka tjetër të krahasueshëm me të. Më përsëriste se letërsia e Ismailit më sjell në mend këshillat e profesorit që na thoshte: “Nga librat e shkencave egzakte lexoni botimet më të reja, sipas fushës përkatëse dhe sipas preferencave vetjake, ndërsa në letërsi është ndryshe, lexoni ata më të vjetrit”. Nga sa kuptoj Ismaili duket që këtë e bën mirë. Kam bindjen se në thellësinë e mëndjes së tij e ka kuptuar thellësisht se letërsia antike është gjithmonë moderne. Ose ndoshta këtë ia ka këshilluar ndonjë mik i ditur që ka ndjerë te ai shkrimtarin e fuqishëm. Kjo më mundon, këtë jam shumë kurioz ta di”. Vonë, shumë vonë mësova prej vet shkrimtarit që mëndja e tij gjeniale që herët në moshë, kishte zgjedhur të lexonte jo gjerësisht, por shumë thellë. Prandaj e theksonte që, në BS mësova sesi nuk duhej të shkruaja. “Prilli i thyer”, “Kronikë në gurë”, “Dosja H”, “Pallati i ëndrrave” etj, etj,., erdhën në veprën e tij si një gjerdan vlerash botërore.

    Në çdo roman të Kadaresë, referencat nga autorët e vjetër të antikitetit grek e romak, ishin shumë të pranishme. Pas ndryshimit të sistemi shoqëror disa shqiptarë që ranë në kontakt me letërsitë e mëdha arritën të kuptojnë një gjë shumë të rëndësishme se, letërsia që botohet në kohët moderne ringjall dhe ri-dekoron (ri-organizon) idetë e vjetra humaniste, ndryshe nga letërsitë antike greko-romake që vazhdojnë të sugjerojnë dhe të gjallërojnë ide të reja. Shumë kohë më parë më ra në dorë një album që tregonte në oborrin e Tempullit të Apollonit në Greqi një gur të gdhëndur me fjalët “Njih Veten”. Te “Përbindëshi” dhe “Kush e solli Doruntinën” shkrimtari prekte rrënjët e civilizimit perëndimor, themelet emancipuese të shoqërisë njerëzore. Ishte koha që shteti komunist na kishte shpurë në stepat e Siberisë dhe Azinë e largët, sa më larg civilizimit perëndimor i cili kishte në qëndër njeriun. Lënda e letërsisë është njeriu, leximi i saj na ndihmon të njohim veten, shkurt të kuptojmë njeriun.

    E kaluara e largët e antikiteti grek e romak ishte rikthyer në tavolinën e kohës moderne nëpërmjet një porte tjetër. Ata që e lexuan dhe e kuptuan romanin ndjenë edhe një herë se leximi i letërsisë mbetet mjeti më i sigurtë për të arritur të jetosh jetën që filozofi antik grek Sokrati e shpalli të vetmen që ia vlen të jetohet, “Jetën e ekzaminuar”. Sokrati në thelb fliste për vet-reflektim, duke egzaminuar personin që jemi, zgjedhjet që bëjmë dhe llojin e jetës që duam të jetojmë. Kam arsye të pyes: po ata që Kadarenë nuk e kanë lexuar dhe sharjen e tij e kanë qëllim të jetës së tyre, apo ata që e kanë lexuar dhe nuk e kanë kuptuar e po ashtu e shajnë, si dhe ai, sëbashku me ata që kanë thënë të pavërteta si ajo e “Jashtëqitjeve të Kombi” a e kanë pyetur ndonjëherë veten se çfarë njeriu janë dhe a e kanë egzaminuar ndonjëherë jetën e jetuar? A kanë mundur ndonjëherë që të zbulojnë brenda vetes Unin që rri fshehur në shpirtin e tyre, a e kuptojnë se janë të zënë në kurthin e konfliktit midis Unit narcisist, personit dhe vetes që ua mpin aftësinë për autogjykim prandaj dhe fajin kërkojnë gjithmonë t’a gjejnë te të tjerët? Pa aftësia e njeriut për të njohur veten, për të egzaminuar jetën që bën e ka bërë një njeri të ditur që të thotë se ritmi me të cilin maturohet njeriu është në proporcion të drejtë me masën e paturpësisë që i toleron vetes.

    Ndaj dyshoj se asnjëherë nuk kanë ndjerë brenda veten “Uni-n individual”. Vazhdojnë të jenë mjegull, të ecin si mjegull bashkë me shumë gjëra të tjera brenda saj, të pa dallueshme nga njëra tjetra. Nuk thonë kot që mjegulla e turmave e rrudh individualitetin, ndërsa individualiteti e çliron intelektin.

    Për këto gjëra na fliste shkrimtari në kohën kur regjimi diktatorial ëndërronte krijimin e njeriut të ri. Prandaj na solli “Eskili, ky humbës i madh” që të befason me thellësinë e njohjes dhe të interpretimit të tragjedive eskiliane. Mes të tjerash, të lë pa frymë kur pyet mbi një të vërtetë tronditëse: “Si u bë e mundur zhdukja e tragjedive antike? Atë që s’e bëri dot lobi anti-tragjedian në lashtësi, e kreu mesjeta europiane-aziatike. Letërsia e fuqishme antike i bënte konkurencë “Biblës” që feja e kishte shpallur librin e botës. Mirëpo përpara fjalës gjeniale të grekëve të vjetër, “Bibla” nuk qe veçse një libër i rëndomtë. Siç ishte Jezu Krishti përpara heronjve bubullues antik të tipit të Prometeut. Disa tragjedi që kishin mbetur pa djegur në Bibliotekën e Aleksandrisë ishte një tjetër fe që i dogji kësaj here në emër të biblës së vet “Kuranit”. Lënda e tragjedive antike ishte Natyra njerëzore. E drejta e njeriut dhe kundërvënia konfliktit kapital për njeriun e ri”. Letërsia e Kadaresë është interpretim domethënës i shprehjes: Në letërsi mund të gjendet jeta e vërtetë dhe është nën maskën e trillimit që mund të thuash të vërtetën. Me veprën e Kadaresë hipoteka e kulturës shqiptare ka shtuar një pasuri të patundëshme me vlerë për të gjithë njerëzimin. Në atmosferën e suksesit të një artisti të madh pjesa më e vështirë është të përpiqesh të gjesh dikë që është i lumtur për artistin. Përse? Përgjigja është se fama e autorëve të jashtëzakonshëm është plotësisht e pavarur nga shumica e njerëzve të zakonshëm. Besoni se nëse fama e Shekspirit do të varej nga njeriu në rrugë, ajo do të mbijetonte 3-4 javë? Një klasik nuk mbijeton për asnjë arsye etike. Nuk dyshoj se fama e autorëve të mëdhenj fillimisht është bërë dhe ruhet nga disa pasionantë. Shumica, turma mund të bëjë një reputacion, por është shumë e pakujdesshme për ta ruajtur atë. Edhe kur një autor i klasit të parë ka gëzuar sukses të jashtëzakonshëm gjatë jetës së tij, shumica kurrë nuk e kanë vlerësuar atë aq sinqerisht sa kanë vlerësuar krijuesit e klasit të dytë. Pse? Arsyeja është se nuk kanë arritur t’a kuptojnë dhe shijojnë mrekullinë. Pak pasionantë janë që fama e gjeniut mbahet gjallë nga njëri brez në tjetrin, gjithmonë duke rizbuluar gjeniun. Pa atë udhëtim të vazhdueshëm të kujtesës, reputacioni do të binte shpejt në harresë.  Një klasik është një vepër që i jep kënaqësi pakicës, e cila interesohet intensivisht dhe përgjithmonë për letërsinë. Jeton për shkak se pakica, e etur për të ripërtërirë ndjesinë e kënaqësisë, është përjetësisht kurioze dhe për këtë arsye është e angazhuar në një proçes të përjetshëm të rizbulimit. Pasionantët e artit të madh kënaqen me letërsinë ashtu si disa burra i gëzohen pijeve të mira në shoqëri të cigareve të zgjedhura, ashtu si femrat adhurojnë pa pushim bizhutë e parfumet e tyre të preferuara. Përsëritja e kësaj kënaqësie natyrshëm e mban shumë të gjallë interesin e tyre për letërsinë. Një klasik është një i tillë sepse i ka qëndruar provës proverbiale të kohës dhe për ta bërë atë, ka thënë  diçka të thellë për jetën, që na ndihmon të kuptojmë disa të vërteta themelore për njerëzit dhe botën tonë. Shkrimtari Ismail Kadare këtë e bëri si rrallë njerëz në botë. Prandaj Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë më të njëjtët.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË