More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAnton Nikë Berisha: Drama e jetës përballë dramës së vdekjes shprehur përmes...

    Anton Nikë Berisha: Drama e jetës përballë dramës së vdekjes shprehur përmes artit

    Rreth disa veçantive dhe vlerave të tregimeve të Nasi Lerës

    Botë e përftuar nga të shprehurit gjuhësor

    Ky mendim i Cvajgut për tregimet e Tolstojt[2], i vënë në krye të punimit, lidhet ngushtë me botën shprehëse poetike të tregimeve të Nasi Lerës[3], siç ndodh dhe me novelat[4] dhe me romanet e tij[5]. Në to autori bën objekt vështrimi poetik aspekte dhe dukuri të ndryshme të jetës konkrete, i shqipton dramat e njerëzve në rrethana të veçanta, synimet, brengat, trazimet, dashuritë, pastaj përpjekjet për ta dëshmuar vetën dhe për të përjetuar jetën, po dhe dramën përballë vdekjes dhe ballafaqimin me tmerrin që ajo shkakton.

    Përmes tekstit poetik të tregimeve të shtjelluara me mjeshtëri, Lera gërmon në të veçantat dhe të panjohurat e jetës e të shpirtit të personazheve dhe jo vetëm zbulon shumëçka të asaj bote përplot fshehtësi, po përmes tyre dhe shpreh karakterin e rrethanave shoqërore e kulturore të kohës e të mjedisit përkatës shqiptar. Për shkrimtarin tonë s’ka tema të mëdha e të vogla, po synimi i tij është që gjithë atë që e shpreh ta thotë në mënyrën sa më poetike. Pra, për Nasi Lerën heq peshë fakti se si thuhet një dukuri. Për t’ia dalë kësaj ai përdor një gjuhë shqipe të pasur poetike dhe të nuancuar kuptimisht. Çështjet vështrohen dhe shprehen sidomos në formën e ballafaqimit e të kundërvënies, me ç’rast ndriçimi dhe komunikimi i tyre bëhet më i plotë dhe më i thellë dhe, natyrisht, edhe ndikimi estetik në marrësin më i madh[6].

    Tregimtari Lera asnjëherë nuk i zhvesh dukuritë, nuk i sjell në rrafshin e kumtit të zakonshëm, nuk i shpjegon dhe nuk i sqaron ato. Bën të kundërtën: përmes gjuhës dhe të shprehurit poetik, përmes tekstit, e ndërton një realitet të veçantë, që është krejtësisht tjetër në krahasim me atë nga është nisur dhe nga mund të jetë frymëzuar: ndërton një realitet gjuhësor, realitet të fjalëve dhe të shprehjeve nga të cilat dalin kuptime të shumta e të ndryshme[7]. Ky realitet përftohet dhe funksionon krejtësisht ndryshe përballë atij konkret; krijohet mbi bazën e afrisë, ngjashmërisë dhe përngjasimit të realitetit burimor dhe del më i pasur nga se është fryt i mendjes, i përfytyrimit dhe imagjinatës. Me fjalë të tjera, realiteti i ri të rikthen te realiteti nga mund të jetë nxitur ose ta ketë përjetuar autori si të tillë. Them kështu nga se shkrimtari, pra dhe Nasi Lera, gjithçka krijon përmes mendjes së tij dhe pastaj e konkretizon përmes tekstit poetik. Ndodh ajo që thoshte shkrimtari i shquar amerikan, Ernest Hemiguej: “Në të gjitha tregimet e mia unë përpiqem të jap ndjesinë e jetës së vërtetë, jo thjeshtë ta përshkruaj jetën ose ta kritikoj, por faktikisht ta bëj atë të gjallë. Kështu që ti, kur të lexosh diçka timen, ta përjetosh me të vërtetë atë që lexon”. Këtë mënyrë veprimi Nasi Lera e zbaton me mjeshtëri të madhe.

    Që realiteti i përftuar përmes gjuhës të jetë sa më i përfillshëm dhe të krijojë ndjenjësimin se gjithçka ka ndodhur ose mund të ndodhë ashtu edhe në jetë, Nasi Lera zgjedh dhe rrëfen për dukuri e ngjarje që janë dhe tunduese dhe dramatike, që mund t’i kenë takuar ose mund t’i përkasin secilit njeri, në çdo kohë e në çdo vend ku gjallon e vepron. Kjo gjë ndikon që tregimet e shkrimtarit tonë të lexohen me kërshëri e kënaqësi; rrëfehen ngjarje dhe dukurit që të mbajnë e të bëjnë për vete nga fillimi deri në fund. Pra, tregimet e tij, me kumtet poetike, që bëjnë qenësinë e tyre, e pushtojnë marrësin dhe bëhen natyrshëm pjesë e tij.

    Tregimet e Nasi Lerës nuk ndërtohen mbi një model të caktuar, nuk u nënshtrohen rregullave dhe përcaktimeve. Secili tregim synon të ndërtojë dhe të shprehë një botë të mëvetësishme, të komunikojë në mënyrë sa më gjallërike me marrësin; t’ia pasurojë përvojën jetësore dhe ta kredhë sa më thellësisht në botën e jashtme dhe të brendshme të botës së njeriut. I vetmi përbërës që i përshkon dhe është pjesë e pandashme e secilit prej tregimeve është të shprehurit poetik që nxit një komunikim shumësor dhe të rëndësishëm.

    Dukuri që përligjin veçantitë e shtjellimit të tekstit

    Janë disa dukuri që i përnjësojnë dhe i përligjin veçantitë e tregimeve të Nasi Lerës si, fjala vjen, hyrja dhe mbarimi.

    Me fjalinë e parë autori rëndom hyn në atë që do ta bëjë objekt poetik. Pra, nuk bën hyrje të gjata dhe përshkrime të veçanta, që zakonisht i përdorin disa tregimtarë. Këto hyrje s’kanë një model të caktuar, po janë të ndryshme dhe përdoren sipas rastit dhe dukurisë që rrëfehet. Nuk përdoren fjalë të mëdha as retorikë e zbrazët, po bëhet hyrje e natyrshme dhe pikërisht me vetë hyrje autori zgjon kureshtjen dhe interesimin e marrësit që ta vazhdojë deri në fund leximin e tekstit.

    Përfundimet e tregimeve të Nasi Lerës dëshmojnë, po ashtu, për mëvetësi: në to asnjëherë nuk përdoret këshilla, as porosia; nuk zhveshët dhe nuk sqarohet kuptimi i asaj që është rrëfyer, por me shumë mjeshtri autori jep vetëm atë tekst që e vë marrësin para përsiatjeve, para dyshimit e mundësive të shumta. Pra, lihet mundësia që vetë lexuesi të sjellë përfundimin ose përfundimet për atë që është rrëfyer; të përcaktohet se ka mundur të ndodhë një gjë ose një tjetër. Me këtë mënyrë përfundimi të tregimit marrësi i jep jetë rrëfimit të vet, qoftë duke përkuar me atë që ka menduar autori, qoftë duke shfrytëzuar rrugë e mënyra të tjera, siç ngjet në tregimin Plaku dhe liqeni: “Kur doli dielli, përshkënditi flokët e thinjur të plakut. Atij nuk i ishte shuar ende buzëqeshja kur e gjetën peshkatarët. Asnjëri nuk e kuptoi kujt i buzëqeshte ashtu peshkatari plak. Ata vështruan përqark, por nuk dalluan gjë. Vetëm liqeni shtrihej i heshtur, duke lëkundur tapat e grepave pa karrem”[8].

     Përfundimet e këtilla kanë një rëndësi të shumëfishtë dhe u japin teksteve sa mëvetësinë aq edhe vlerën.

    Edhe vetë teksti i tregimeve të Nasi Lerës, që i ndërlidh fillimin dhe mbarimin, cilësohet me shtjellim dhe të shprehur poetik të bërë me përkushtim, siç thoshte Markezi (Marquez) “S’ka gjë më të mirë sesa një gjë e shkruar bukur”, qoftë kur teksti shqipton konkretësinë e të përditshmes, qoftë kur i jep jetë përfytyrimit dhe imagjinatës, ose kur gërshetohen e zakonshmja dhe bota përfytyruese, bota e ëndrrës dhe bota e të vdekurve (“Ajo ndaloi e trembur. Kishte bërë tërë atë rrugë pa ecur”[9]; “Ndoshta brenda tij shiu ishte më i lashtë”[10]).

    Në raste të këtilla të shprehurit poetik merr përmasë sa të gjerë aq dhe të ndjeshme; që mundëson edhe përftimin e një realitet më të ndërliqshëm, rrjedhimisht me këtë dhe me mundësi ndikimi më të madh.

    Rrëfimi i Nasi Lerës nuk është i thjeshtë, nuk është një drejtimesh dhe i thatë, por gërshetohet me nën rrëfime, me degëzime, qofshin dhe të shkurtra, për diçka që ka ndodhur ose që ka mundur të ndodhë, që e bëjnë rrëfimin të pasur dhe tërheqës.

    Nasi Lera i shqipton dukuritë dhe ngjarjet brenda dramatikes së tyre, po njëherit përmes shtjellimit dhe të shprehurit poetik, e krijon atë dramatikë, u jep atë përmasë dhe atë cilësi e shumësi kuptimore që nuk e kanë në rrafshin konkret jetësor. Së këndejmi, autori nuk është përshkrues i tyre, po krijues, prandaj shpesh përsërit fjalë e shprehje për ta ngritur e shtresuar tundimin dhe dramën e asaj që rrëfehet, edhe duke bërë krahasime që e thellojnë atë që bëhet qenësi e tregimit.

    Autori shquan çështje dhe aspekte të mëvetësishme; shpreh diçka që lexuesin e vë para përsiatjeve të shumta, para varianteve të ndryshme që mund të përfillën ose të prapësohen, gjë që shkakton një nëntekst shumësor, të thuash të pafund të tekstit.

    Krahas faktit se i kushton rëndësinë kryesore mënyrës se si i shpreh dukuritë, pra sistemit të të shprehurit poetik, megjithatë Lera gjithnjë synon që në secilin tregim të vështrojë diçka që heq peshë, që lidhet me jetën, me fatin dhe me botën shpirtërore të njeriut.

    Në thelbin e tyre tregimet e Nasi Lerës shprehin dhe shpalosin marrëdhëniet e jetës me vdekjen, dy përbërës të rëndësishëm të gjallimit të njeriut[11]. Gjithçka ndodh, ballafaqohet e përplaset në rrjedhshmërinë e tyre, ku ato i japin dhe i marrin njëra – tjetrës. Asnjëra nuk do të kishte vlerë pa tjetrën; jeta i jep vdekjes rëndësinë e vet, siç e përligj vdekja rëndësinë e jetës. Këtë ballafaqim autori e shpreh në mënyrë të veçantë dhe me një gjuhë poetike të pasur.

     Ata pleq të lodhur, që kur filluan të rregullonin burimet, harruan atë që i përgjonte nga pranë, vdekjen[12].

    *

    Ajo që nuk ka ditëlindje, nuk ka as ditë vdekjeje[13].

    *

    Atje ku kishte vdekur diçka e bukur që duhej të vdiste e fundit. Duke heshtur dhe mbytur të vërtetën do shihja si ecja drejt maces dhe macja drejt njeriut. Kur të vdisja asnjë nuk do ta kuptonte se ajo nuk ishte vdekja ime e parë. Ne asnjëherë nuk e kemi varrosur vdekjen tonë të parë, që është dhe vdekja e vërtetë (isha aq shumë i lodhur sa nuk e shmangia dot atë fjalë) por kemi varrosur vdekjen tonë të fundit. Dhe kjo ishte njëlloj si të fusje në varr një arkivol të zbraztë[14].

    *

    Ftonjtë zverdhnin duke rënduar mbi avllitë e shtëpive si yje të trishtuar. Ishte një natë e qetë, tërë dritë, një natë kur vdekja është gjëja më e huaj dhe më e papranueshme. Ecja i hutuar drejt shtëpisë së Drinit dhe nuk më besohej ajo që kishte ndodhur. Nuk doja të mendoja se në një natë aq të bukur, kur avllitë e shtëpive rëndohen nga ftonjtë, kishte vdekur ajo që më donte njëlloj si nëna ime[15].

    *

    Deti ishte si një fytyrë e zymtë dhe e nxehur. Zhurma e tij mbarte kujën e një vdekjeje të largët. Kujtesa ime ishte e zbraztë si një guaskë mishin e së cilës e kishin ngrënë peshqit dhe dallgët e kishin flakëritur në një breg të vdekur, ku disa gaforre të pështira më vërtiteshin si hije të vdekurish para njëqind vjetësh apo që vdisnin sapo i shihja. Përveç gaforreve asgjë tjetër nuk lëvizte në kujtesën time[16].

    *

    Nëna po vdiste si fiket një rreze dielli mbi vesën e mëngjeseve. Sa e padukshme, sa pa peshë, sa e heshtur qenka vdekja e nënës![17]

    Krahas kësaj autori i bën pjesë të rrëfimit dhe dukuri dhe ide të tjera si, fjala vjen, të keqen dhe egërsinë që njeriu e ka brenda tij dhe të cilën e dëshmon në marrëdhënie me tjetrin, pastaj rëndësinë, mirësinë dhe mirëkuptimit midis njerëzve në rrethana të caktuara, po dhe fisnikërinë dhe dashurinë ndaj kafshëve, sidomos ndaj qenit (Shih tregimin Sytë e qenit).

    Poetikja – qenësi e tekstit letrar

    Mënyrat se si Nasi Lera e ndërton tekstin poetik të tregimeve janë të shumta e të ndryshme, po synimi kryesor i autorit është që struktura gjuhësore shprehëse të jetë sa më cilësore dhe sa më e lartësuar, t’i ofrojë marrësit me sa më pak fjalë (tekst) sa më shumë kuptime (Poradeci thoshte “[…] poeti duhet të jetë kursimtar i madh në fjalë, të thotë maksimumin e ndjenjave me minimumin e fjalëve[18]”). Këtë mund të bëjë vetëm një tekst që ndërtohet përmes gjuhës së pasur figurative, ku përmes simbolikës, krahasimit e metaforikes përligjet shumësia kuptimore, e panjohura dhe e pazakonshmja.

    Po sjell disa shembuj që e dëshmojnë këtë mirëfilltë.

    Era e mëngjesit rrëshqiste mbi sipërfaqen e tij të lëmuar si ta puthte lehtë. Valët treteshin në bregun e gurtë të dehura nga gjumi i thellë që kishin bërë gjatë natës. Kallamishtet tundeshin të menduara, ndërsa nën ujë peshqit dhe sidomos koranët, shndrisnin sikur kishin thithur në trupin e tyre shiun e kuq të yjeve që ishin tretur në qiellin e përgjumur[19].

    *

    Deti dhe hëna ishin dehur. Gruas iu duk sikur po i ikte gjaku nga këmbët dhe trupi. Në vend të tij nëpër vena po rridhte drita pa peshë e natës. Dhe sapo u mbështet te trupi i burrit, kuptoi se e njëjta gjë po ndodhte edhe me të. Veshjet po u zinin frymën. Ata u zhveshën dhe mbyllën sytë kur u ngjeshën pas njëri-tjetrit. Dhe përtej syve të mbyllur i përmbyti dhe i mori me vete drita e natës. Asnjëherë nuk kishin pasur aq shumë dritë në sytë e tyre të mbyllur. Kur u shtrinë në shtrat nuk u dëgjua asnjë zhurmë. Ata bënë dashuri jo si një qenie njerëzore por si dy qenie të lindura nga puthja e hënës me detin[20].

    *

    Plaku nuk e kishte dëgjuar kurrë atë zë. Dhe asnjë zë nuk e kishte tronditur si zëri që sapo dëgjoi. Plaku ngriu dhe po kërkonte të gjente nga e kishin thirrur. U kthye nga shtëpitë e fqinjëve, por ato ishin të veshura me heshtjen e gurit. U kthye nga plaka, ajo po flinte. Mbi shallin e saj të zi kishin rënë disa petale me një ngjyrë të tejdukshme trëndafili. Ato ishin shkëputur nga lulet e mollës. Fytyra e saj ishte e qetë […] Dhe harroi zërin që e kishte thirrur. Po kur preku belin, zëri u vërtit brenda tij si një shpend i egër, i plagosur. Atëherë e kuptoi kush e kishte thirrur dhe donte të qante. Nuk kishte më as lot. Eci ngadalë drejt plakës dhe vuri kokën në prehrin e saj[21].

    *

    Dhe po kuptoja se njeriu nuk ishte gjë tjetër veçse një shpellë e errët ku hyjnë të vërtetat e të tjerëve për t’u përpëlitur si të vërtetat e secilit. Ato humbasin atë që u takonte të tjerëve dhe mbeten lakuriq si të vërtetat e atij njeriu ku kishin hyrë.[22]

    Tregimet e Nasi Lerës cilësohen me shprehurit poetik të pasur e të lartësuar, po ngërthejnë dhe mendime të rëndësishme. Po sjell pak shembuj nga se të tillë ka shumë:

    Ka humbje ku ndjehesh më shumë fitues; fitorja gjendet edhe në humbjen më të madhe; dashuria e njeriut shpesh është një shtytje për t’u shkrirë me natyrën; të vërtetat lindin vetëm për të vrarë brenda nesh diçka që e kemi dashur; më pëlqente të jetoja brenda natës sime të përhershme; Po m’i hante të gjallë vetmia e vdekjes; Nën kërcënimin e vdekjes çdo gjë o bëhet shumë fatale o shumë e bukur; Nuk po shihja qenin por dilemën e tij; vetëm të vdekurit kanë çdo moshë që mund t’iu japësh; shpirti i njeriut, në është i mirë apo i keq, duket dhe nga ëndrrat që sheh; Ishte i kënaqur që nuk e kishte braktisur vetveten; Unë kam shkruar nën buzëqeshjen e një të vdekuri!; habia është edhe dashuri, ashtu si është edhe përbuzje; Gjithmonë kishte besuar se urrejtja nuk është ndjenjë njerëzore; Kjo nuk ishte tragjedia e saj, kjo ishte jeta e saj.

    *

    Në bazë të vlerave poetike që i kanë tregimet e Nasi Lerës, të përfshira në këtë vëllim, pa mëdyshje se ato hyjnë në rrethin më të ngushtë të vlerave të këtij lloji që janë botuara në gjuhën tonë dhe e radhitin autorin ndër tregimtarët tanë më të shquar bashkëkohorë dhe, njëherit, e lartësojnë këtë lloj letrar të artit tonë të fjalës.

    Prishtinë, fillim nëntori 2023


    [1]  Stefan Cvajg, Lev Toslstoi. Onufri, Tiranë 2000, f. 41 dhe f. 32.

    [2]  Shih punimin tim “Ndriçime të qenësishme të fshehtësive të shpirtit të femrës” për romanin e Lev Tolstoit, Lumturia martesore. Përktheu nga origjinali Bujar Hudhri. Onufi, Tiranë 2020. Në Exlibris nr. 249, Tiranë 2023, f. 8 – 9.

    [3]  Për këtë punim jam mbështetur në tregimet e Nasi Lerës të hartuara në hapësirën kohore 1970 – 1997, të përfshira në vëllimin Përtej dritares ishte nata. Tregime dhe novela. Onufri, Tiranë 2021.

    [4]  Shih Nasi Lera, Frynte shumë erë. Tri novela. Zgjodhi dhe përgatiti për botim Anton Nikë Berisha, Shtëpia botuese Beqir Musliu, Gjilan 2023.

    [5]  Shih punimin tim Tri romane që bëjnë një botë tërësore dhe të lartësuar poetike. N veprën time “Rreth disa kryeveprave të letërsisë sonë”. Faik Konica, Prishtinë 2023, f. 373 – 390.

    [6]  Rreth estetikës dhe estetikës së letërsisë shih librin Anton Nikë Berisha & Labinot Berisha, Estetika dhe estetika e letërsisë. Tekst për studentë. Faik Konica, Prishtinë 2018.

    [7]  Rreth tekstit poetik librin shih Anton Nikë Berisha & Labinot Berisha Ligjërime rreth tekstit letrar poetik. Faik Konica, Prishtinë 2017.

    [8]  Nasi Lera, Përtej dritares ishte nata. Tregime dhe novela. Onufri, Tiranë 2021, f. 37.

    [9]  Nasi Lera, Përtej dritares ishte nata, vep. e përm., f. 53.

    [10]  Po aty, f. 79.

    [11]  Në Epin e Gilgameshit rreth lindjes dhe vdekjes thuhet:

    A nuk përngjajnë vallë njëri n’tjetrin

    fëmija i porsalindur dhe vdekja?

    Me njolla t’vdekjes njëjtë a s’janë t’shënuar?

    Shih Epi i Gilgameshit. Përkthimin nga gjermanishtja, parathënien dhe plotësimin me shënime nga A. N. Berisha. “Rilindja”, Prishtinë 1984. Botimi i dytë “Naim Frashëri”, Tiranë 1990. Botimi i tretë i rishikuar “Argeta – LMG”, Tiranë 2008B. Botimi i katërt nga i njëjti botues në vitin 2016.

    [12]  Nasi Lera, Përtej dritares ishte nata, vep. e përm., f. 18.

    [13]  Po aty, f.18.

    [14]  Po aty, f. 87.

    [15]  Po aty, f. 109.

    [16]  Po aty, f. 127.

    [17]  Po aty, f. 21.

    [18]  Petraq Kolevica, Lasgushi më ka thënë…Shënime nga bisedat me Lasgush Poradecin. Botimi i dytë i plotësuar. “Toena”, Tiranë 1999, f. 82.

    [19]  Nasi Lera, Përtej dritares ishte nata, vep. e përm., f. 32.

    [20]  Po aty, f. 42.

    [21]  Po aty, f. 72.

    [22]  Po aty, f. 87.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË