More
    KreuLetërsiBibliotekëArthur C. Brooks: Pesë parimet e lirisë individuale sipas Fjodor Dostojevskit

    Arthur C. Brooks: Pesë parimet e lirisë individuale sipas Fjodor Dostojevskit

    The Atlantic, 25 korrik 2024.

    Përktheu Jola Tasellari

    Në 22 dhjetor të vitit 1849, shkrimtari rus, Fjodor Dostojevski, asokohe vetëm 28 vjeç, u gjend para togës së pushkatimit për rebelim kundër qeverisë së kohës, së bashku me njëzet e një anëtarët e tjerë të rrethit të Petrashevskit. Me sytë dhe trupin e lidhur pas një shtylle pushkatimi, së bashku me shokët e vet, Dostojevski ruante qetësinë e plotë. “Do të jemi me Krishtin”, thoshte vazhdimisht. Ndonëse askush s’e mendonte, toga u urdhërua të ndalte. Para se të hapnin zjarr, një korrier vjen me urdhrin e pushimit të dënimit, duke ia zëvendësuar këtë të fundit me punë të detyrueshme në kampet e përqendrimit.

    Fakti se Dostojevski ishte aq i qetë, ndonëse me perspektivën e një vdekjeje të afërt, mund të të bëjë të mendosh se ai vetë ish’ njeri i qetë, i përmbajtur dhe pa asnjë dyshim, besimtar i thekur. Për të gjitha këto je gabim:

    Dostojevski ishte një shpirt i torturuar, një mendimtar filozofik që nuk pranonte asgjë dhe vinte në dyshim gjithçka, përfshi këtu edhe besimin e vet. Megjithatë, pikërisht kjo marrëdhënie jo e lehtë me jetën, e kish’ bërë atë të krijonte një shteg dhe të jetonte përmes tij, jo mes rehatisë dhe shijimeve, por përmes kuptimit. Kjo ndjenjë kuptimi i dha atij vetëpërmbajtjen që tregoi në atë që mendohej se do të ishin çastet e fundit të jetës së vet, po aq sa dhe në fundin e vërtetë të tij, tridhjetë e dy vite më vonë.

    Edhe ti mund të kesh nga pak Fjodor brenda vetes. Shumë nga ne kanë: të mos jesh dhe aq rehat me veten, të mos dakordësohesh me botën jashtë, të ndikohesh herë pas here nga një frikë ekzistencialiste…  Një dozë filozofie á la Dostojevski, ndonëse nganjëherë donkishoteske dhe sfiduese, mund të jetë pikërisht ajo që të duhet për të pasur ca paqe me veten, jo vetëm në çastet e fundit të jetës, por tani dhe kurdo.

    Ndryshe nga shumë bashkëkohës të tij, mendimtarë të shekullit të nëntëmbëdhjetë, Dostojevski nuk i hodhi asnjëherë mendimet e veta filozofike në ndonjë tekst specifikisht për atë qëllim. Në vend të kësaj e shpalosi këtë filozofi në romanet e tij, Vëllezërit Karamazov, Idioti dhe një sërë tregimesh, novelash dhe shkrimesh në trajtë eseje. Përmes tematikave të tij shkrimore, frymon sot një tërësi “rregullash” për të jetuar një jetë kuptimplotë:

    1. Vlera e vërtetë është udhëtimi dhe jo destinacioni.

    Në romanin Idioti, botuar në vitit 1869, Dostojevski shfaqet i lëkundur mbi ndjesitë e Kristofor Kolombusit përgjatë udhëtimit të tij mes Atlantiku: “Mund të jesh mjaft i sigurt për faktin se ai e arriti kulmin e lumturisë vetëm tri ditë përpara se të shihte Botën e Re me sytë e vet.”
    E si kështu? “E ç’vlerë ka çfarëdo lloj shpikjeje krahasuar me zbulimin e pafundmë e të vazhdueshëm të jetës?” Dostojevski këtu arrin të identifikojë një nga paradokset më të mëdha të jetës: lumturia kërkon qëllim; qëllimi kërkon drejtim; drejtimi kërkon synim, por lumturia nuk mund të arrihet veçse duke i plotësuar ato qëllime. Shumë njerëz përjetojnë depresionin pas një arritjeje të madhe. Kënaqësia e vërtetë vjen nga progresi ndërkohë që je duke luftuar për qëllimin që ke.

    2.Të jesh gjallë do të thotë  ta përqafosh lirinë.

    Pas romanit Krim dhe Ndëshkim, vepra më e njohur e Dostojevskit është Vëllezërit Karamazov (1880). Në brendësi të atij romani rrëfehet një tregimth me titull “Inkuizitori i madh”, referuar rikthimit të Krishtit në Tokë në kulmin e inkuizicionit spanjoll. Në përballje me Krishtin, inkuizitorët e arrestojnë në emër të besimit të këtij të fundit, se qeniet njerëzore duhet të jenë të lira për të zgjedhur se çfarë është e mira. Jo, kundërshton inkuizitori: kjo rrugë të çon drejt fajit, ankthit, pendimit dhe dyshimit. Për të qenë i lumtur, insiston ai, njerëzit duhet të heqin dorë nga liria e tyre dhe të ndjekin një rrugë të paracaktuar. “E kemi rregulluar këtë punë”, i thotë qetësisht Krishtit, duke e dënuar këtë të fundit me vdekje. 

    Dhe përpara se ta tallësh këtë tregim satirik, mendo se dhe inkuizitori mund të kishte të drejtë. Ne sigurisht që e dimë se sekreti i lumturisë nuk është liria pa kufij. Ashtu siç psikologët kanë nxjerrë prej kohësh në pah, liria, veçanërisht në kulturat individualiste, mund të shndërrohet lehtësisht në tirani për të gjitha arsyet e listuara prej Inkuizitorit të madh. Sekreti i kënaqësisë mund të jetë të mendosh ndryshe, të shtrohesh dhe t’i bindesh rregullave. Po ashtu, bën mirë të qetësohesh dhe të shijosh kapriçot e botës. Dhe mjaft e torturove veten me gjithë këtë boshni filozofike. Sigurisht që Dostojevski nuk ishte dakord; ai ishte me anën e moralit, anën e Krishtit dhe jo të Inkuizitorëve, edhe kur kjo zgjidhje dhembte. Për këtë dhimbje do të flasim më gjerë në pikën e katërt.

    3.Ki kujdes nga pallati i kristaltë.

    Dostojevski besonte se ajo çka bota të ofron në këmbim të lirisë është një diç’ e shtirur, një “pallat i kristaltë” e quan ai në veprën e tij të 1864-ës, “Shënime nga Nëntoka”. Edhe koha e tij, ngjashëm me tonën, dominohej prej utopistëve teknokratë, një besim i përhapur se kompleksiteti i jetës njerëzore dhe dashuria do të mund të thjeshtëzoheshin e zgjidheshin përmes ekspertizës shkencore dhe qeveritare – nëse arrijmë dot t’u bindemi këtyre forcave… Dostojevski nuk e kishte të ardhmen e premtuar; gjërat e gatshme dhe të llogaritura me saktësi matematikore. Përpjekje të tilla, thoshte ai, do të na drogonin dhe zhvishnin nga humanizmi.

    A e kishte gabim? Gjatë këtij një shekulli e gjysmë të fundit, teknologjia ka bërë aq shumë progres sa ka përmirësuar mirëqenien njerëzore në mjaft forma. Por studiuesit sot na paralajmërojnë mbi efektet aspak njerëzore të përdorimit të tepërt të medias digjitale dhe telefonave celularë. Gati sa nuk i kanë zënë vendin raporteve njerëzore me njëri-tjetrin. Dostojevski do të thoshte se të përballesh me ankthin e të qenit plotësisht i gjallë në botën tonë reale është shumë më mirë sesa të qetësohesh i lënguar në pallatin e kristaltë.

    4.Dhimbja është qëllimi.

    Kur bie fjala tek ankthi ekzistencialist, ai argumenton edhe më tej: Edhe sikur të mund ta ndalte, thotë ai, nuk do e bënte, sepse ajo lloj dhimbjeje është e kostoja e pashmangshme dhe e nevojshme e të kuptuarit atë që të gjithë kërkojmë në jetë: dashurinë. Në vitin 1877 Dostojevski boton një tregim me titull “Ëndrra e njeriut qesharak”, ku narratori sheh në ëndërr një botë paralele, fiks si Toka, por pa vuajtje. Ajo çka në dukje duket e bukur, ndërron faqe shpejt, teksa narratori bindet se kjo botë paralele nuk ka vend për dashuri. Në këtë pikë, nis të ndiejë mall për dhimbjen që shoqëron dashurinë. “Kam mall, kam në këtë grimë çasti etje për të puthur me lot në sy tokën që kam lënë”, thotë ai, “dhe nuk dua, nuk do të pranoj të jetoj në asnjë tjetër veç Saj!”

    Përpara se të hedhësh poshtë pretendimin e Dostojevskit se dashuria kërkon vuajtje, mendo pak për agoninë që mund të kesh ndjerë në hapat e parë dhe emocionues të fillimit të romancës tënde të fundit. E nëse ka kaluar shumë kohë për ta mbajtur mend të freskët, ki parasysh faktin se neurologët kanë zbuluar se ne pasqyrojmë ankthin që ndiejmë tek të dashurit tanë (ndonëse jo tek të huajt). Ne gati kudo-kurdo e ndiejmë dhimbjen e tyre: për shembull, nëse do të shihje një foto të të dashurit tënd teksa vuan, ajo foto do të stimulojë korteksin dhe insulën, që përpunojnë dhimbjen mendore.

    5.Hapi sytë.

    Mësimet e deritanishme mund të duken mjaft të vështira për t’u përvetësuar duke marrë parasysh rrethanat empirike të përvojës sonë të përditshme. Duke e ditur këtë, Dostojevski shton se jemi Ne ata që duhet të përshtatemi me dimensionin e mbinatyrshëm të ekzistencës njerëzore, sepse vetëm kështu mund ta kuptojmë se çfarë dëshirojmë vërtet në tërë luftën e jetës. “Për sa kohë që njeriu mbetet i lirë, ai s’mund të përpiqet për asgjë me aq dhimbje sa të gjejë dikë për ta adhuruar”, shkruan ai në Vëllezërit Karamazov. Dhe kjo ish’ një ide e qartë e tij.

    Studiuesit në Universitetin e Oksfordit në vitin 2011 arritën në përfundimin se të besosh në një Zot, Perëndi, apo në jetën e përtejme është diç’ e pashmangshme për natyrën njerëzore. Po ashtu dhe fakti se e konceptojmë mendjen dhe trupin si të ndara, gjë që krijon një besim të përhapur shpirtëror. Bazuar në këtë, por dhe ide të tjera të tij, mund edhe të argumentojmë madje se njerëzit kanë njëfarë “instinkti fetar”. 

    E nëse dyshon tek e mbinatyrshmja? Mirë se erdhe në grup, miku ynë mendimtar. Besimi është çështje zotimi, jo emocioni apo arsyeje, mendonte Dostojevski. Kjo ishte ideja kryesore e besimeve kristiane, që ai i shkroi vetë në shënimet e fundit që mbajti: “I besoj Krishtit dhe nuk i rrëfehem atij si me qenë ndonjë fëmijë: Hosana ime ka kaluar përmes një zjarrmie të madhe dyshimi”. Kjo fjalë e tij, thënë afër ditëve të tij të fundit, na çon dhe një herë mbrapa në kohën e rinisë së vet: Ato që mendonte se ishin fjalët e tij të fundit përpara togës së pushkatimit,  ishin në fakt një shprehje e besimeve që zgjodhi, dhe jo thjesht një shprehi e asaj që mund të kishte ndjerë në ato çaste.

    Nëse ke dhe ti si Dostojevski një shpirt të trazuar, mund të përfitosh duke u përpjekur të ndjekësh rrugën e tij. Nëse do t’i përngjash, ja tek janë pesë përfundime që kanë funksionuar për mua:

    1. Qëllimet e mia në jetë janë synimet e pastra dhe jo fiksimet pas ideve. Do t’u vihem pas sfidave, udhëtimit.

    2. Përputhja e mendimit me veprën është më komode sesa liria, por unë do të dyshoj për gjithçka, dhe do të mendoj e veproj për veten time.

    3. Do të refuzoj kurthet e shpërqendrimit teknologjik që më vjedh kohën dhe vëmendjen në këmbim të lirisë sime të mendimit.

    4. Do të përqafoj vuajtjen që më sjell liria dhe individualiteti, sepse kam nevojë të dashuroj.

    5. Bota që ekziston nuk është fare si ajo që shoh unë, as nuk shpjegon kurrgjë. Transcendenten do ta përqafoj siç arrij unë ta kuptoj.

    Kjo është formula sipas së cilës jetoi vetë Dostojevski, gjer në fund. Kur vdiq në moshën pesëdhjetë e nëntë vjeçare për shkak të një hemorragjie pulmonare, kishte rreth vetes të shoqen, Anën, dhe fëmijët. Nga shtrati i vdekjes lexonte pjesë prej pagëzimit të Krishtit: Fillimisht Gjoni insistoi se duhej pagëzuar ai prej Jezusit, dhe jo anasjelltas, por Jezusi i përgjigjet: “Le të jetë kështu tani, sepse për ne kjo është ajo që duhet për të përmbushur çdo profeci.” Kështu, Gjoni e pagëzoi dhe Jezusi mori gjithë bekimet e Zotit.  

    E pas këtij leximi në lidhje me përsosmërinë e nënshtrimit të njeriut ndaj hyjnores, Dostojevski pa gruan e tij – në të cilën gjeti të përthyer gjatë jetës së tij tokësore një dashuri qiellore, dhe tha: “Të kam dashur me pasion gjithnjë dhe nuk kam qenë kurrë i pabesë ndaj teje, as me mendime.” Me këtë ai dha dhe frymën e fundit. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË