More
    KreuIn memoriamMehmet Elezi: Hamit Aliaj, larg detit dhe larg mbretit

    Mehmet Elezi: Hamit Aliaj, larg detit dhe larg mbretit

    Me rastin e 70-vjetorit të lindjes së poetit të njohur

    1.

    Nuk u integrua në Tiranë. Kishte ardhur vetëm fizikisht, i shtrënguar nga një rrethanë familjare. Zemra i kishte mbetur atje, në Bajram Curr. Më saktë, në Kasaj. Dhe në Gjakovën e ëndërrt. Dukej sikur po të gjuaje me gur nga oborri i tij në Kasaj, mund t’ua thyeje tjegullat shtëpive në rrethinë të Gjakovës. E megjithatë për afër pesëdhjetë vjet vetëm zogjtë kishin kapërcyer atë kufi zemërshkrumbues. Në vetëm tri vargje, në një hajk të vetëm të tij, përmblidhet brenga, që bluan shtat e shpirt.

    Një varr prerë nga kufiri

    I shtrirë në dy shtete

    S’m’u nda në jetë të jetëve

    Duke u larguar për në Tiranë, shkroi poezinë “Porosi në ikje”, një lloj testamenti poetik (në përmbledhjen “100 vjet e martë”, 2005). Në të ndihet malli dhe hija e trishtimit.

    Shtëpinë e vjetër jua lashë

    Veç një dritare mos ma mbyllni kurrë,

    Se vjen ndonjë natë shpirti i babës

    Edhe këqyr a ka hi në votër

    Manin mos ma prisni, as qershinë,

    Janë drurët më fisnikë të jetës:

    Prej manit bëhet çiftelia,

    Prej lëvores së qershisë, tezgjahu i saj

    Kthehet ndonjë ditë një këngëtar i gjakut tim, bre!

    Qenin s’kam ku e çoj në Qytetin e Madh

    Është mësuar me ujq, sështë kone bulevardesh,

    Veç amanet: Lotin e tij

    Mos ma leni të pikojë në prag.

    Kur të më harroni, ai do të më njohë

    Në u kthefsha ndonjëherë në Kasaj-Itakë

    Përveç do miqve në numër të kursyer, Tirana u tregua e pandjeshme, e akullt. Thuajse mospërfillëse ndaj dhimbjes së tij. Ndaj talentit të tij. Pas do vjetësh, kur shëndeti i së bijës më në fundi zdriti në fund të tunelit, mezi priste me u çelë sa grima syri i pranverës dhe mësynte andej kah kish ardhur. Itaka e tij qenë Kasajt. Kasajt dhe Gjakova.

    “Poeti Një u afrua, fytyrëdejun. Dimëronte në kryeqytet. Sa lulonin mollët, dilte te unaza e madhe dhe i nxirrte dorën makinës së parë, që shkonte drejt vendlindjes. Me një çantë të rjepur në sup, mbushur ding me duhan, kthehej në fshatin e fëminisë. Në Itakën e tij. Te pragu e priste qeni i moçëm, duke tundur bishtin. Pinte ujë në gjunjë te gurra në strehë të borës. Zhdukej nëpër trungje, si bubrrecat bythëpërpjetë. Humbte nëpër hije, si bubaç. As laps as letër me vete. Poezitë i shkruante në telefon dhe ua niste botuesve me uotsap”.

    Është fragment nga tregimi “Dridhtoka” (s’e kam botuar ende). Poeti Një aty është personazh artistik. I krijuar mbi një gjedhe, mbi një model. Gjedhja e ka emrin Hamit Aliaj.

    S’kish qenë gati me u zhvendosë në Tiranë. Pa një përgatitje, kryeqyteti të mbyt. Pa banesë e pa një burim jetese ta dan frymën. Ku me banue në Tiranë, ku me e shti kryet? Fillimisht nëpër të afërm. Të afërmit, nga fisi i së shoqes, ishin shtrenjtë për vete, ngushtë, por ia çelën derën krah në krah. Ani pse vetë i pestë. Më pas, duke ndërruar dy-tri banesa me qira në lagjet e rrethinës, ato afër qendrës nuk bëhet fjalë, nuk i hante dot.  Banesa të porsandërtuara nga qytetarë që po mundoheshin me u mëkambë, edhe ata të zhvendosur nga rrethinat. Të ngushta, të papërfunduara, plot lagështi, u vinte era beton. Dyer e dritare të paputhitura. Nëpër të çarat e pambyllura frynte veriu me fishkëllimë. Tre fëmijët në moshë shkollore. E shoqja punësohet diku, laborante në një klinikë mjekësore. Ai herë me punë, herë pa punë.

    Tirana e pas 1997-ës është deprimuese, rrenuese. Politika e kallashëve nuk mund të mbështetë një poet, që s’ka ndihmesa të tjera plotësuese për të. Me përjashtime të vogla, edhe qarqet letrare mbeten të ngushta, të trembura. Të lidhura me protokollet pushtetore e klanore e me hallet e veta. Këqyrin vetëm brenda rrethit të mbyllur. Qokat i ruajnë për ata që sillen brenda rrethit të mbyllur.

    Pranë i gjinden do miq, por miku s’i ka krahët e gjatë të institucioneve. Të mbështet në një rast, në disa raste, nuk mundet në të gjitha rastet. Miqtë nuk mund ta zëvendësojnë shtetin. S’e kanë fuqinë e shtetit.

    Vinte shpesh tek unë, orë e pa orë. Ia beh një ditë i vrarë, i zhgënjyer deri në asht. Qenë javët e para në Tiranë. Ishte shëndeti i së bijës, arsyeja që e detyroi me u zhvendosë ngutshëm aty. Duhej me qenë pranë mjekëve më të kualifikuar. Pranë spitaleve më të mira. Vajza kish filluar shkollën e mesme të gjuhëve të huaja në Shkodër, atje ia kishin caktuar, fëmijët tropojas nuk lejohej me ardhë në të njëjtin profil shkolle në Tiranë, nuk lejohej me e kapërcye Shkodrën. Tashti duhej urgjentisht me u zhvendosë në shkollën homologe në Tiranë, në lojë është jeta e saj. Çështje thjesht administrative, por formalisht për transferimin duhet një vendim ministror. Burokracia e ftohtë, pa ndjenja, e pengon. Kish një shok fakulteti, të afërm me ministrin që duhej të nënshkruante transferimin.  I kërkon me ia thanë një fjalë ministrit, njeriut të vet. Dhe? Hamiti ktheu me fund gotën e rakisë, thithi cigaren fort. Më erdhi rrotull e rrotull, tha për shokun e fakultetit, të afërt me ministrin. Rregullohet më tha, por. Rrotull e rrotull për të dhënë pare!

    Kish nevojë me shfry. Nuk e mbante dot idhnimin, mërzinë.

    I del në rrugë një mik tjetër i lig. E zë ngushtë dhe i qepet. Nuk jam i sigurtë sa pinte në Bajram Curr, por në Tiranë për një farë kohe pothuajse iu dorëzua gotës. E ka nga tronditja, e shfajësonim. Shëndeti i vajzës, ah shëndeti i vajzës! Gjendja e saj në zgrip, tejet në zgrip. Herë-herë duket sikur ai do të fillojë një jetë gjysmëbohemi. Rrallë shihet te Lidhja e Shkrimtarëve – ende ishte Lidhja, më saktë, hija e saj, ku mund të pije një kafe me miq të letrave. Parapëlqente vende e mjedise të tjera. Ulej në klubin e do djemve, në një vend disi të mënjanuar, kish njohje me ta. Dhe pinte. Kur nuk ishte aty, mund të gjindej në do klube rrugicash, të ngushta e të ndriçuara keq, ku nuk dëshiroje me e pa. Ndodhte me u kthye vonë në banesë. Ndodhte që mezi e gjente derën e shtëpisë. Rrugicat e Laprakës në terr. Rrugicat e Laprakës tërë baltë e gropa, mbushur me ujë dimri. Një llampë po, katër a pesë jo. Ham-ham qentë e rrugës, tubë. E shoqja në merak të madh.  Me i ushqye fëmijët, me i qetësue që të flenë, a me dalë nëpër terr me këqyrë ç’u bë Hamiti? Shumë e përkushtuar ajo grua. E durueshme deri ku s’thuhet.

    Edhe duhan pinte shumë. Paketat njëra pas tjetrës. Dukej sikur njësia matëse nuk ishte cigarja. Ishte ajo, paketa.

    Diku mbas vitit 2010 e le pijen. E le? Jo, nuk e le ai pijen. E le pija atë. Pas një krize të rëndë shëndetësore, kur jeta i shkoi në teh të briskut, iu irit pija. Mullithi ia kthente mbrapsht, zgrofi dhe krejt qenia ia kthente mbrapsht. Nuk ia duronte as edhe një met, një hurb, një gllënkë. As me i marrë erë gotës nuk donte. Lere edhe këtë të shkretë duhan, i thoshja. Nuk po e pi ti atë, po të pi ai ty. Po ja, e lashë pijen, nuk mundem të dyja, as trupit nuk i bën mirë me i ndërpre të dyja përnjëherësh. Hamit, leri sofizmat. Dhe mos ia fut kot. Për pijen s’ke meritë ti, meritë ka vetë pija që të la. Me këtë dreq duhani po e çon veten në tehir (zgrip) të keq. Ia thoshnin edhe të tjerët, njerëz të shpisë, të afërm. Qe një dashuri e dhunshme, sadiste, mes tij e cigares. Ky e donte pa kushte, i varur prej saj, ajo e dhunonte pa masë, e trajtonte si skllav. U përhap një lajm në kohë të pandemisë (covid-19) dhe iu duk sikur gjeti një aleat me e mbrojtë këtë dashuri vrastare. Disa njoftime thoshnin se, sipas një studimi, duhantarët vështirë i kap kovidi. Duket se nikotina e grumbulluar në mushkëri e vret virusin ose krijon vështirësi mbijetese, nuk është habitat i përshtatshëm për të. Po i gëzohej një aleati të papritur, krejtësisht të pasigurtë, që e mbështeste në flirtin shkatërrues me duhanin.

    E kaloi kovidin në spital. Shëndeti vetëm po i birrej. Nuk dilte as në oborr, apartamenti pa ashensor, si me i zbritë katër kate shkallë? Gjithçka tek ai preku ky ligështim, përveç poezisë. Përveç shijes artistike. Poezinë e tij nuk e gërryen gjë. Duket sikur ajo këndellet në përpjestim të zhdrejtë me shëndetin, me vetë jetën. Shkruan, nuk e di kur e qysh shkruan. I hedh vargjet drejtpërdrejt në telefon, një pjesë i përcjell në feisbuk. Prodhimtari e pashembullt, rreth treqind poezi në pak vjet, Beskida vazhdon me i nxjerrë me durim prej ngujimit. Telefonin e ka fletore, e ka gazetë, e ka bibliotekë, ku çupurit me lexue diçka të vyer në internet. Hamit, nxirri këto të shkreta poezi, jepu liri. M’i ço me e-mail, po i redaktoj, po i bëj gati për botim.  Një libër, dy libra, tre, sa të dalin. Nuk qe kundër në parim, por nuk u muar me atë punë. Edhe kur ndonjë botues dashamir i kërkonte një cikël për një gazetë a revistë, i thoshte merri në feisbuk.

    Ishte shijues, i hidhte në rrugë ato që shkruante, kush të dojë le t’i mbledhë, thotë Arshi Pipa për Konicën. Në karakter e në gjithçka Hamiti ishte i kundërt me aristokratin par excellence Konica. Veç në një pikë duket se nuk qenë fort larg shoqi-shoqit: në trajtimin e pjellës së vet artisike. Shkruaj dhe lëshoji në rrugë. As librat e tij të botuar nuk i ruante. Vështirë i gjindej një kopje e tyre në shtëpi. Më kërkoi një herë përmbledhjen e vet poetike 100 vjet e martë.  Më duhet për diçka, ta kthej, më tha. I thashë mos ma kthe, ta kam falë, kam dy kopje. Të njëjtën gjë kishte bërë edhe me tim vëlla, Halilin. Edhe atij ia kish kërkuar një kopje të njërit prej librave të vet. Edhe atij më duhet pak, ta kthej, i kishte thënë. Dhe ia kishte kthyer!

    Shijues buzëhollë, i pakompromis. Kishte lexuar romanin e një autori, nga ata të protokollit zyrtar të të gjitha pushteteve, përherë i lavdëruar, i njohur i përbashkët imi dhe i atij. Mediokër, më tha. Kot që e bleva. Lexoje po deshe, dhe mos ma kthe.

    Kishim ndërtuar një marrëdhënie letrare të çuditshme, atipike. Ia çonim shoqi-shoqit dorëshkrimet dhe nuk tregoheshim aspak delikatë në vlerësimet për to. Herë pas here shndërroheshim në redaktorë e oponentë “mizorë”, pa bërë kujdes për taktin. Dihet se shpirti i shkrimtarit, i artistit në përgjithësi, është shumë i ndjeshëm, plagoset lehtësisht. Mes nesh nuk ndodhte kjo. Nuk e di qysh kishim mbërri deri në këtë pikë. Gjithsesi kjo mënyrë komunikimi na ndihmonte me i mbajtë lart shijet artistike dhe kërkesat ndaj vetes. Edhe kur pajtoheshim, edhe kur nuk pajtoheshim. Besoj rrallë ndeshet ky lloj marrëdhënieje.

    Nuk u integrua dot në Tiranë, thashë, mbeti “provincial”?

    Bash këtu shfaqet kontrasti i madh, del në pah epërsia e poezisë së tij, spikatin përmasat e artit të tij poetik.

    “Provincial” në dukje, universal në përmbajtje.

    Vargu i Hamit Alisë sfidon çdo provincializëm, pa pasë nevojë me marrë vizë në kryeqytet. Metropolin e ka në qelizë të veprës. Kumtet mbarënjerëzore të poezisë së tij tronditin.

    Nuk i hyjnë në punë fjalë zbukuruese jashtë poetit, prej atyre që qarkullojnë prej motesh si fotokopje të shpërlara, si: ishte shok i mirë, ishte mësues shembullor, ishte nëpunës i rregullt, ishte familjar i përkushtuar. Të tepërta, të panevojshme. Ashtu siç nuk kanë vlerë fjali llamarine, të zbrazëta, të tipit në poezinë e tij ndihet jehona e bjeshkëve të vendlindjes. Një portret me fotoshop nuk është vlerë e shtuar për të, përkundrazi. I mjafton arti, vargu i mermertë. Është i fortifikuar në Poezinë e tij të pacenueshme. Në lartësitë që e ngre ajo. Gjithçka tjetër që mund të thuhet me tepri jashtë poezisë, jashtë thelbit të saj, është ujë. Ai vetë nuk i do këto hijeshime koti. Paralajmëron:

    Nxirreni prej meje heroin

    Pas vdekjes s’e dua prej statuje

    Dhe më i drejtpërdrejtë:

    Ruajna Zot

    Prej dashursë së vonuar

    Që na jepet pas vdekjes!

    2.

    Në vitin e mbrapshtë 1997 botoi librin Mungon Viti Një. I katërti në rresht, pas përmbledhjeve Bjeshkët janë mbiemri im, E ruaj një fjalë për ty dhe Lotin nuk ta fal. Shkrova për të te gazeta Drita e Lidhjes së Shkrimtarëve e të Artistëve. Mendoj gjithnjë se Mungon Viti Një është ndër gurët e qosheve në krijimtarinë e tij poetike. Është nga përmbledhjet më përfaqësuese.  Ndaj po u rikthehem shenimeve të atëhershme për të.

    Është koha kur të dy vijnë e shkojnë si qenie të padukshme, si hije: ai dhe poezia e tij. Në qoftë dimër, ai vjen me pardesy të ngrënë, gabardinë. Verës me këmishë të çngjyruar. Duket si eremit ose  murg i arratisur prej romaneve të Umberto Ekos. Në rastin më të mirë, si rob i orëve a i ngrafisur i zanave, që ka mundur të shpëtojë nëpërmjet pikturave të Nazmi Hoxhës. Në këtë kohë të vështirë, kur cilido që ka një grusht pare ose kryen një shërbim të caktuar, mund të botojë libra e të shpallet Poet, ai shfaqet jo për me gjetë botues, as recensentë.

    Ai kërkon diçka tjetër, që e di se nuk mund të gjindet kurrë, dhe prapë ngul këmbë. Kërkon Vitin Një. Bën rrush e kumbulla dy lekë që ka kursyer prej pagës së mësuesit, dhe mblidhet sërish, kotullaç si gjarpër-orë që nuk ndihet, në  malet e veta,  për të cilat thjesht kallëzon se janë “të shkreta e të harruara”.

    Harresa i përket tjetërkujt, Poetit jo. Atje ku Valbona përbiron nëpër gjashtë muaj borë,  e gazetat (lumturisht!) mbërrijnë të nesërmen, ai përpunon kumte sigurie:

    Unë gjallë jam

    Gjallë, larg detit e mbretit. Lëvduar qofshin

    Largësitë,

    Gjallë, i dashuri im, mes burrash prej guri

    mes burrash prej bore…  

    Larg mjediseve krijuese e kontakteve të drejtpërdrejta me artin e kohës, larg diskutimeve e thjesht larg kafeve me kolegët, është një kundërprivilegj i dhimbshëm për një njeri të botës së letrave. Nuk mund të besosh se atje ai ndihet i lumtur. Por edhe i mjerë jo. Sepse

    Këtu qentë lehin pa urdhër

    Dhe zogjtë këndojnë pa pagesë

    Këtu gjethja pa leje çel

    Bora bie pa paralajmëruar

    Lisat nuk tremben nga fantazma e karriges

    Që atje kërkon Vitin Një. Viti Një u mungon shqiptarëve, sepse dëshmitarë të fillesës së tyre nuk mund të gjinden. Ata ishin të parët aty ku janë.

    Frymëmarrja e poezisë së tij është në përpjestim të zhdrejtë me hapësirën e ngushtë ku rron e ku shkruan. Kjo nuk ndodh shpesh.

    Qysh në titull guxon me e nisë lojën e pamëshirshme me disa kategori të përjetshme të filozofisë, duke paralajmëruar se nuk është figurë e shkathët e  marketingut letrar të ditës, e aq më pak aventurier i rëndomtë dyluftimesh për fustane çmimesh të keqpërdorura. Sa për honorarët e ndonjë (pseudo)disidence, aq të pranishme në bordello-borderotë e sotme të politikës, as që mund të mendohet.

    E nis, më së pari, me Kohën.

    Brenda një vargu e gjysmë kumton se Koha mund të jetë një ankth sa dhe një liri pa fund. Një përgjumje e kotë mijëvjeçare ose një dendësi prej vrime të zezë:

    …universi në alarm,

    A thua në cilën minutë është fati i botës?

    Poetikisht, në mënyrë të vetvetishme, ka mbërri te përcaktimi i Cvajkut për “orët yjore të njerëzimit”, për ato imta “kaq dramatikisht të tendosura e kaq të pazakonta” që përcaktojnë fatin e qindra brezave, të njerëzve të veçantë, të një populli të tërë ose të mbarë rruzullimit.

    I kthen mbarë e mbrapsht “orët e ndaluara”. Vë re se, ndryshe prej dogmave të fizikës, Koha nuk ka vetëm një drejtim.

    Na ish e rrezikshme gjithçka: bije në gjumë

    E mund të zgjoheshe pas 99 vjetësh

    Në shekullin e ardhshëm, ndoshta në shekullin e shkuar

    Se orët ishin ndalur e koha s’dihej a ecte para a së prapthi

    Pasi shuhet “syri i Shivës”, me urdhër të zotave, të cilët deklaruan se “me tre sy mund të jemi vetëm ne”, thika pas shpine mbeti pa dëshmitarë. 

    Dhe koha mbeti pa dje

    Katër pikat e horizontit u bënë tri

    Tri përmasat e kohës u bënë dy. 

    Heton se si i zbresin vitet e kalendarëve 37, 36, 35, … 20, dhe zgjohet “me ëndrrën e frikshme mos bëhem fëmijë, 10 vjeç”.

    Flet për “Ditën e Tetë të  Botës”, një përmasë që e pranon me bindje vetëm arti, dhe kjo përmasë shtrihet “Përtej Mallkimit” të fisit tonë. Bestytni, shpresë apo besim? Ndërsa vetë  “vdes e rilind brenda një nate”, manipulon me statujat, me Akilin, me Odisenë, me urtakët e moçëm  e me burrat e burrecët e sotëm e me “qerren e shtetit”, me kujtesën e viteve që s’kanë ardhur, të cilën e uron “shpëtoftë”.

    Koha për të është njëherësh edhe e pazëvendësueshme edhe e parëndësishme. “Kjo ditë, që ikën, nesër vjen”.

    Ndërsa hyn e del marrëzisht humboreve (labirinteve) të Kohës, gati symshelë,  me të njëjtën shtysë e lëshon vargun hapësirave të planetit e të Gjithësisë. Dhe është një varg që rrjedh lirshëm. I papërsosur, po aq sa i pakërkuar, burues. As për Hapësirën nuk njeh kufi.

    I vetmi kufi para të cilit ndalet është Guri i Shpuem, “piramida” e kufirit të moçëm shqiptaro-serb. Kur po rrëmihte te ky Gur për me qitë një bunar, “në pashin e shtatë shpërtheu gjaku”.  Kosova është gjithkund në poezinë e tij. Shumëfish e pranishme. Si subjekt, me epikën e saj. Si shpirt, si shije poetike, si ndjesi, si stil. Është lerë në të njëjtin mjedis artistik, është përkundur me të njëjtat këngë gjaku e me të njëjtat kangë të gryta, është rritur në të njëjtat hije të gjelbra bjeshke.   Dhe ka thithur të njëjtin ajër. Emri historik i Tropojës është Malsia e Gjakovës, Tropojë është pagëzuar vonë, nga regjimi komunist. Pse nuk u quajt rrethi i Gjakovës, me Gjakovën qytet të ndarë matanë kufirit, siç u quajt rrethi i Dibrës, me Dibrën qytet të ndarë matanë kufirit? Diku lart mendonin se duhet të harrohet Gjakova, Gjakova nuk duhet të përmendet kurrë. U gjet emri i një fshati të quajtur Tropojë – kish shërbyer herë-herë edhe si qendër e vogël administrative – me e mbulue me të Malsinë historike të Gjakovës. E vogël kjo kapele për Malsinë e Gjakovës. Por nuk e pyeti kush.

    Në krizën e thellë të identitetit që po kalonte shoqëria shqiptare, kur një pikë nacionalizëm qytetar barazohet me një mal herezi, përkushtimi tërësor për Kosovën për shumëkënd mund të vlerësohej demode. Në mos edhe i rrezikshëm.

    Këtë Hamiti  e ndien dhe e  pranon me qetësi: “Ka kohë që mungoj”.  I vetëdijshëm për misionin e Poetit, për misionin e  Njeriut, është gjakftohtë përballë paradokseve tragjikë:

    Në qytetin e Albanopolit më tregojnë me gisht

    Se s’i njoh filozofët e njohur të qytetit:

    Shën Miun që parandien tërmetet, Burrec Bubrrecin…

    Në Sheshin e Lakut jam dehur kaq herë kur askush

    nuk dehej. E më kanë treguar me gisht

    Më vonë janë dehur të gjithë e prapë me gisht më kanë treguar

    Se s’jam dehur atë ditë dehjeje

    Lëviz nëpër kopshtin e vet në katundin e vogël Kasaj, nëpër Ballkan e nëpër kryeqytetet europiane e më tej, duke i çmitizuar idhujt e duke i rrëzuar mitet.

    Nuk shkohet kjo natë kurrsesi në Gjenevë

    Unë jam mendjemadh, s’pi dot kafe me gjithkushin

    Jam dashnor ujkonjash gjakkaltra

    Po aty kumton se

    Do të ketë stinë zhvarrimesh në Europë

    (Bëni gati mishin për skeletet e vdekura!)

    Bi-Bi-Si thotë se u gjet Adolf Hitleri

    Ishte bërë krimb në mollën që hëngri Madona

    Nuk çuditet kurrnjëfije kur dëgjon se “AFP flet për dy shqiptarë klandestinë”:

    Sokole Halili u kap në lagjen e kurvave Pigal

    Në vend të Tanushës po rrëmbente një prostitutë

    Gjergj Elez Alia tregtonte heroinë

    Endet e ndihet (mbi)europian.

    Do të bëjmë dashuri kësaj nate, pa shtrojë e mbulojë,

    Hiqe nga muret hartën e Europës, të ta shtroj përfundi,

    Zhvishu si hëna, krejt, se të virgjëra mbeten vetëm statujat

    Dhe nxirrma trupin e bardhë, t’i sfidoj dogmat, lugetërit, partitë

    Mbi hartën e Europës shtrijmu, le të cijatin maniakët,

    Të kërcasin brinjëve të tua metropolet, të thyhen kufijtë,

    Të shembet Muri, Aushvici, Burreli

    Nën kofshët tua të bardha të vlojë Mesdheu, anijet le të digjen

    Kokën mbështete në Akullnajat, le të shkrihen akullnajat

    Ndihet dinjitoz sipër Kontinentit të Vjetër, çakërqef, ndoshta edhe pak karagjoz, sfidues (me këtë natyrë të poezisë takohet e njatjetohet herë pas here me Ali Podrimen, por mbase jo aq agresiv sa ai). Shqiptar në fund të fundit.

    Shkaqet e këtij qëndrimi, megjithatë janë konkrete e të ndërthurura. Dashuria deri në ëndërr e shqiptarit për Europën, që e “ka pasur dikur” (a nuk jemi bashkëthemelues të qytetërimit europian, në djepin e tij ballkano-mesdhetar?), e pritur prej saj më pas, përgjatë historisë, herë me hjeksi të rënda mbas shpine, e në rastin më të mirë me ftohtësi, nxit, siç ka thënë diku Kadareja, dëshirën për ta zotëruar duke e përdhunuar.

    Apo sepse vetë poeti ndihet më mirë në vetminë e tij të pakorruptueshme, ku është i pranishëm monologu? Se dialogu atje mund të bëhet vetëm me partnerë abstraktë, mbasi, për shkak të lartësisë, edhe ajri edhe njerëzit, ndonëse fort të pastër, janë mjerisht të rrallë. Kësisoj, si dervish bjeshkësh, gjykon gjakftohtësisht për “shtetet gra”  që thjesht “lidhin magjitë e këndojnë lutje të vjetra”.

    Nuk përjashtohet edhe një arsye e tretë, më në hije: ndjenja e inferioritetit e shqiptarëve përballë Europës së sotme, marramendëse me qytetërimin e saj, një ndjenjë e shndërruar nëpër kohë deri në kompleks. Dhe alibia më e besueshme e këtij kompleksi shprehet nëpërmjet ekspozimit të madhështisë, deri në delir.

    Secila prej këtyre mund të jetë e vërtetë ose brenda secilës ka pjesë të së vërtetës.

    Koha dhe hapësira nuk i interesojnë në format e kulluara filozofike. Ato, si figurina plasteline, formohen e shformohen nëpër gishtat e Njeriut, modelohen prej tij. Dhe vetë Njeriu ndihet ngushtë, i paplotë, në gishtat e Poetit, i cili paralajmëron:

    Krijimi i njeriut s’ka mbaruar ende,

    Përderisa bëjmë njerëz prej guri, prej druri, prej balte!

    Duke kërkuar  Vitin Një, Hamit Aliaj i çel hapësirat e poezisë si për të gjallët ashtu edhe për të vdekurit, pa bërë dallim. Me  një logjikë që disi të kujton eremitin plak të Zarathustrës, që u jep bukë njësoj të dyve, të gjallit e të vdekurit, duke deklaruar i ngrysur  se nuk  intereson se njëri merr frymë e tjetri ka ndërruar jetë: “Ai që më troket në derë duhet ta pranojë atë që i ofroj. Hani (të dy), ju bëftë mirë”.

    Tragjedia e Njeriut nuk klith, por ther në gjoks. Një ndishk që rreh paiada.

    Në libër  s’ka një kufi të qartë midis njeriut e njeriut-zot e mit e  kafshë e përbindësh. Në pohimin artistikisht të dyzimit të zi të njeriut nuk ka pikë urrejtjeje për racën njerëzore, ashpërsi po, herë-herë. Rrethanat e kanë çngjizur të shkretin njeri, e kanë zhbërë (apo kësisoj ka qenë, apo pjesërisht ka qenë e pjesërisht është bërë?) dhe ec e gjeje kush është përgjegjës për këtë.

    Unë kam qeshur e Ti brenda meje qaje,

    Ti ke bërë dasmë e Ai brenda teje vdiste,

    Ai ka qenë në pranga, gjysmën e vet e ka pasur gardian!

    Quaje si të duash shkaktarin: në daç dhunë diktatoriale e luftë klasash (pa dyshim, kur flitet për shqiptarët), në daç cen njerëzor a mungesë karakteri, ose thjesht mallkim, ose merri gjerë të tria së bashku:

    Nis e sos mbi jetë një Mos

    Kur fola, u shitova, më thanë “Mos!”

    Kur heshta, gjë s’u deshta, më thanë “Mos!”

    Jam njeri, njeri-Liri thashë, më thanë “Mos!”

    Pra jam ujk mali, natë janari, më thanë “Mos!”

    Për një kec zotat i shes, më thanë “Mos!”

    Në dashuri lind perëndi, më thanë “Mos!”

    Jam e s’jam, kam e s’kam, më thanë “Mos!”

    O të pakohë, o të pakokë, as në qiell, as në tokë!

    Therës e ndoshta pak cinik, ndër rastet shumë të rralla, për të mos thënë në të vetmin rast,  i dhemb keq kur e qorton Odiseun jo për Kalin e Trojës, por për “gabimin fatal” që bëri me Circen e bukur, duke e detyruar që shokët e tij, luftëtarët e bërë derra, t’i shndërronte në njerëz. E tani “ec e gjeje në njerëz derrin, ujkun, qenin”!

     R. Qosja ka shkruar se “Hamit Aliaj është poet që do ta nderonte çdo letërsi europiane”.  Duke iu referuar  një libri të mëparshëm të Hamitit “Lotin nuk ta fal”, ai ka  shprehur keqardhjen “sa shumë jam vonuar të pasurohem: me një pasuri të madhe idesh, mendimesh, ndjenjash, me një pasuri të madhe shpirtërore”.

    Secili libër i tij është shkallë më e lartë në raport me vetveten.  Siç shkruan vetë, krijimi i njeriut nuk ka mbaruar, pra as krijimi i poetit te Hamit Aliaj. Balta e formimit të tij është përherë në ngjizje.

    E gëzon por edhe e shqetëson gufimi i hovshëm, i pakontrolluar, pra i shpërdorur, i Lirisë. Me lirinë nuk merret në rrafsh të ftohtë, filozofik, nuk e sheh atë me akademizëm të ngrirë. As si ëndërr, as si grishje me thurë himne. E sheh ashtu siç është në realitetin shqiptar, me shkapërderdhjen e shfrenuar të saj. 

    Hapësirat u bënë të mëdha,

    Krejt të vogla pushtetet

    (Kur rriten hapësirat, pushtetet zvogëlohen),

    Ç’të bëjmë me lirinë e tepërt,

    Me gjithë këtë dritë, ç’të bëjmë?!

    Haveli e ka krahasuar diku “teprinë” e beftë të lirisë së popujve të sapodalë nga diktaturat, me gjendjen e një ish-të burgosuri, që sapo ka lënë prangat e nuk di ç’të bëjë me këtë liri, i duhet kohë me e mbledhë veten, me iu përshtatë kushteve të reja.

    3.

    Për do vjet u duk se kishte humbur. I vinte jehona e zërit si prej pusi, nuk shihej. Paska qenë rremendje (iluzion). Qe ku ia beh. Duke e rizbuluar veten në tjetër trajtë. Nëpërmjet haikut (Hamit Aliaj, E hëna e përtejbotës, Tiranë, 2017). Ose, siç shkruan në ballinën e brendshme të librit, “Shkurtëza, Urtëza, Bubrrime, Pipëlime, Hajke a si të doni ua vini emrin…”.

    E njohur për kumtet kombëtare e gjithnjerëzore, poezia e tij është e lidhur fort me dejtë e vendlindjes. Me epikën si gjamë burrash, me lirikën si krah blete që dridhet nëpër lule. Do të përshtatet në këtë atdhe të ri poetik?

    Duket se poeti më fort përshtat, se përshtatet. Hajkun e mëson me këndue shqip. Shpesh popuj e kultura, që duken aq të largët ndërveti, gjejnë pakujtimas pika të thella takimi. Në mendim, në etikë, në estetikë. A nuk gjen pika të tilla takimi mes botës së traditës shqiptare dhe botës së traditës japoneze dijetari Kazuhiko Yamamoto? Libri i tij  “Struktura etike e Kanunit dhe nënkuptimet e saj kulturore”, i përkthyer edhe në shqip, është befasues.

    Shtëpia e haikut është kutizë e rreptë, ka vend vetëm për tri vargje. Mes tri vargjeve shkrep një vetëtimë. Një prerje plot nerv e mendimeve dhe shembëllesave (imazheve). Me pikëpyetje filozofike e morale, që rrinë varur. Ndaj haiku rrezikohet veçanërisht prej thatësirës. Prej fantazmës së atyre që quhen vargje të ftohta, cerebrale (zonja Poezi u përket krijesave me gjak të valë). Përballë haikut, hapësira poetike e katër vargjeve të rubaisë së Khajamit duket luks.

    Po te kjo përmbledhje e Hamitit?

    Janë 365 poezi haik. Aq ditë ka motmoti. Rastësi?

    Qysh te ky numër jepet një shenjë. Autori ka sërish punë me Kohën, ka pasur edhe në librat e mëparshëm. Do me i shti brinat prapë me të. Për të vijuar me disa kategori të tjera të përjetshme si Jeta, Vdekja, Dashuria, Gruaja… Duke e naltësuar dhe duke e çmitizuar Kohën. Çmitizimi është çlirim.

    Kohë, mos u mba në të madh, je relative, i thotë.

    Çkohë mat ora

    Në dorën

    E të vdekurit?

    Je e brishtë, e prekshme prej sindromave njerëzore.

    U lajthit koha

    Pyet kalimtarët:

    Si e kam emrin?

    Megjithatë misteri i madh Kohë mbetet. Në trajtë mëdyshjesh dramatike. Ç’do të na dalë përpara nesër?

    Fytyra jonë është e djeshmja

    Sytë, e sotmja

    Çfarë bote shohin?

    E josh filozofia, lëvizja, përmasat e lëndës (a nuk thonë koha nuk është tjetër veçse shndërrim i lëndës?). E joshin paradokset e botës, provokohet prej tyre.

    Sikur bota të ish e panatë

    Tirane e egër do të bëhej

    Drita!

    Brenda kësaj Kohe, është natyra. Mali, lumi, lulja, qielli, dielli, reja, ura, zogu, qyqja që qyqon. Dhe brenda kësaj natyre, disa kategori të përjetshme.

    Nëpër këtë natyrë lëviz Njeriu. Rruzullimi i tij me përmasa sa vetë gjithësia. Dashurinë njerëzore për nënën nuk mund ta zënë qiejt. Hiperbola  përvijohet si lojë fjalësh dhe lëshohet fluturim në hapësirë.

    Veç Zoti nuk ka nënë

    O Zot

    Mos më bëj Zot!

    Nëpër këtë natyrë lëviz edhe përbindëshi që ka njeriu përbrenda. Përbindëshi a qoftëlargu? Vetë qenia njerëzore është dyzim i madh. Është vetja dhe kundërvetja, ëngjëlli dhe djalli.

    Zot i gjithbotshëm, nga ti s’kam frikë

    U trembem atyre

    Që duan të bëhen TI!

    Përballë njeriut të dyzuar stepen ata që  nuk dinë me u stepë, se zotërojnë gjithçka. Ata që njeriun e kanë si bubrrec, bash ata i druhen atij. I rrinë larg, larg.

    Perënditë tuten

    Me zbritë nga qiejt:

    Toka i bën njerëz!

    Nëpër këtë natyrë lëviz Njeriu që vdes për lirinë dhe po ai që lirinë e ha thela-thela, si pjepër.

    Barngrënësit janë të pagjykueshëm

    Për mishngrënësit ka zgjidhje

    Liringrënësit janë çështja!

    Diku duket sikur i ul tonet. Përnjëmend? Përshtypje e rreme, vetëm i ndryshon. Ndihet gazi i idhët ndaj shoqërisë njerëzore. Ironia e akullt, deri në cinizëm:

    U bëra i dashur për të gjithë

    Si një

    I vdekur!

    Pikëpyetja e pamëshirshme mbetet. Ashtu si kërkimi drejt përsosmërisë së njeriut. Në një udhëtim sizifian, pa mbërrimje (përsosmëria, në qoftë diku, është vetëm në qiell).

    Shkela shumë dhera, qiej e dete

    Ende nuk mbërrina

    Te vetvetja

    Endet me vdekjen, miqësor me të. Ia njeh pushtetin absolut, që ua shti merën tërë të gjallëve. Vdekja është e drejtë, gjithsesi. Nuk njeh hierarki, nuk mban me hatër, mbret e lypës i ka njësoj. Kjo cilësi i jep përmasë hyjnore.

    Kurorat dhe fronet dridhen

    Nga perandori i nëndheut

    Krimbi!

    Herë-herë vdekja peshon më rëndë si hije. Fundja hije është ajo, e panjohshme në thelb (nuk e tha greku i lashtë? Kur jam unë, nuk është vdekja, kur është vdekja, nuk jam unë!). Rëndon me pjellën e tjetërsuar, që endet në jetë. Tharmin e vet e shpërndan te të gjallët. I trazon e i pështjellon me fëmijët kundërthënës.

    Vdekja lind veç dy fëmijë:

    Fantazmat dhe statujat

    Të dyja botën pa gjumë e lënë

    Aq sa ia njeh vdekjes monopolin e të gjithëpushtetshmit – qysh mos me ia njohë? – po aq e zhvesh prej tij. Nuk i përulet, e çmitizon. Ti vdekje nuk je mbarimi. Gjithçka është në lëvizje, në lindje prapë.

    Çdo vdekje a jetë

    Veç shtatë ditë jeton

    Të hënën lind e hëna

    Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm, thoshte Konica.

    E këqyr me shpërfillje vdekjen. Duket sikur e mban para duarsh, si foshnjën në lulak, gati me e vu në gjumë në djep.

    Po të mos ish njeriu

    Vdekje

    S’do të kish kurrë

    Pak me thanë e shpërfill. E shpotit ftohtësisht, si dikë të barabartë. Më poshtë se të barabartë, inferior. Guximi dhe dendësia artistike e një tubëze për vdekjen janë dridhërues.

    Vdekja është dashnore e pabesë

    Tri herë më erdhi e s’i dola në takim

    Tashti shkon me të tjerë, përditë!

    Përballë vdekjes veton dashuria, një tjetër përmasë hyjnore e botës tokësore. Idil? E kundërta. Më e thellë se gjithçka. Në botë as në përtejbotë s’ka hapësirë të mjaftueshme për të:

    Kur vdekja vjen një ditë

    Trupat në dhé e shpirtrat shkojnë në qiell

    Ku shkojnë dashuritë?

    Në thelb të dashurisë është gruaja. Në kufij perëndeshe. Tek ajo është zanafilla. “Origjina e botës”, po të huajmë zërin e kryeveprës (aq të diskutuar) të Kurbesë, që shiton sapo shkel në muzeun e artit në Ke d’Orsej. Mbase asnjë artist nuk thotë gjë të re për dashurinë, s’ka më vend për zbulim. Por ka gjithmonë vend me thanë artistikisht në mënyrë të re.

    Çdo zjarr i shuar kthehet në hi

    Zjarret që shuan gruaja

    Bëhen njeri!

    Te bukuria e gruas shkrihet lirizmi i tejdukshëm verior me sublimen e Zotit.

    Edhe Zoti qan, dy lotë ia di

    Njëri lot Valbona

    Tjetri je ti.

    Nëpër këtë dlirësi avullon dhe prapë breron një shpirt i butë, deri në brishtësi.

    E jotja jam, më the

    Vetëm kur zbulove tek unë

    Brenda burrit, fëmijën.

    Vetëm bukuria e shpirtit dhe e shtatit? Cila më frikësuese, energjia e mendjes apo e shtatit prej zane që zanon? Ndoshta shkojnë të dyja krahazi.

    Po të ish një femër në darkën e 13-ve

    Judën do të fuste në shishe

    E s’do të kryqëzohej Krishti!

    Dhe më tej:

    Një ushtri shkrihet

    Për të bërë një hero

    Heroi përgjunjet përpara një gruaje!

    Njerëzim, mos luaj me gruan. Te lisi i saj madhështor, rrënjëngulur, ti nxjerr dërrasat e djepit tënd. Në të njëjtin lis mund të dalin edhe dërrasat e varrit tënd.

    Një grua përdhunohet në periferi

    Roma dridhet në mitrën e saj

    Nga Neroni që u ngjiz aty

    Dhe prapë çmitizimi, papritmas. Dashuria e madhe e ka emrin grua. Brenda dashurive të mëdha edhe tradhtitë e mëdha.

    Në natën e zhvirgjërimit

    Nis rrena e madhe

    E numrit një

    E duam mitin, çmitizimin e duam, e dashkemi edhe rrenën?

    Duke iu kthyer gruas në kundrojën e mëmësisë, poeti na kujton:

    Gratë kanë

    Atdhe tjetër

    Tokën, ku bëhen nëna

    Edhe poezia – arti në tërësi – është si gruaja. Atdheu i saj nuk mund të mbyllet aty ku klithi për herë të parë. Nuk i mjafton aq.

    Me haikun krijimtaria e Hamit Alisë rrit atdheun e vet artistik, mbase e shumëfishon? Guxon me shkelë nëpër do livadhe, ku zakonisht kullotin të mëdhenjtë.

    4.

    Në vitin 2021 boton përmbledhjen “N’Dardani bjen një tupan”.  Aty përvijohet një Hamit sa i njëjtë aq edhe i ndryshëm. Aty zbulon një tjetër faqe të vargut të tij. Faqe të njohur vetëm pjesërisht. Mund të thuhet se asnjë poet shqiptar pas Luftës së Dytë s’ka ditur të zbresë i plotë nga poezia e mirëfilltë te teksti i këngës popullore, pa e bjerrë kurrnjërën dhe pa i ngatërruar me shoqja-shoqen. Vetëm në muzikë ka pasë bërë diçka të përafërt Ramadan Sokoli duke notuar mjeshtërisht sa në pjesët klasike, poema simfonike, rapsodi e balada, në këngët popullore gurgulluese.

    Këtë laradash artistik Hamiti e zotëron mjeshtërisht. Aty është më prekatar (virtuoz) se cilido. Regjistri i poezisë së mirëfilltë dhe regjistri i folklorit janë të ndryshëm. Ai rrëshqet me lehtësi prej njërit te tjetri, laboratori poetik i tij bën kalim të butë nëpër një prag të vështirë. Luan njësoj në rrafshin e të dyve.  E laton metaforën, duke e bërë të përthithshme prej gjithkujt, duke ia ruajtur vezullimin. 

    Mbetet gjithnjë mjeshtër i vargut të ngjeshur epik sa edhe i brishtësisë si petël luleje. Ndërsa në poezinë e mirëfilltë lidh të sotmen me lashtësinë pagane, luan me mitet greke, me zotat e me legjendat shqiptare, epikën e teksteve të këngëve e përafron me psiqikën dhe shijen popullore. Luan kryesisht me Eposin e Kreshnikëve e me baladat e moçme shqiptare. Ngrin e shkrin krushqit në Log të Zanave, ringjall Gjergj Elez Alinë, dridh urat me nuse të muruara. I rimerr kumtet e moçme duke lartësuar shenjtërinë e Lirisë. I përthyen vlerat kombëtare në dritë poetike, pa iu nënshtruar politizimit joartistik të ditës.

    Ani pse me status disi ajror, disa prej këtyre këngëve  qenë shndërruar gati në institucion. Kënga “N’Dardani bie nji tupan”, kompozuar në vitet tetëdhjetë mbi vargjet e Hamit Alisë, kapërcente ilegalisht kufirin shqiptaro-shqiptar dhe përcillte kushtrim Lirie për “gjakun që nuk falet” (A. Podrimja).

    Në lirikat e holla shfrytëzon ngjyrat impresioniste të traditës poetike veriore. Çikës së Tropojës “i piqet molla nën qerpikë”. Çikën e Gashit e “shti në allti në vend të barutit”, çikës së Bytyçit “ia ban hanën unazë gishti”, çika e Krasniqes “i ban zogjtë me fluturue”.Metaforat plot njomështi bashkudhëtojnë me gazin e hollë dhe antitezën e tejdukshme, si nëpër ëndërr.

    Je e zezë si bora në bjeshkë

    Je e keqe si molla në vjeshtë

    Idhtë si mjalta e zi si bora

    Plak u bafsha po të mora!

    Dhe më tej:

    Raftë nji borë e ty të ngriftë

    Raftë nji diell e ty të shkriftë

    Ti n’ma bafsh dasmën në vjeshtë

    Makinë dasme paç nji breshkë!

    Me këngët buruese, kompozuar me vargjet e tij prej kompozitorit Kolë Susaj, dhe me vallet fluturuese të bjeshkëve, ansambli Dardania i Tropojës ka shkëlqyer shumë herë nëpër skenat shqiptare dhe në Europë. Falë këtij vezullimi, autorësia e këngëve u tjetërsua vetvetiu. Iu muar Hamit Alisë e iu dha popullit.

    Fundja çka mund të bëjë koha më shumë për një krijues, se sa ta njëjtësojë me popullin?

    5.

    Libri i Drurët flenë jashtë në natën e botës është botim post mortem. Përfshin 268 poezi, të shkruar vitet e fundit. Vargu në këtë përmbledhje peshon rëndë. Rëndë peshojnë dhimbjet, që përcjell metafora e tij. Kryedhimbja e pandërprerë që e përshkon: Liria, dhunimi i gjithfarshëm i saj.

    Lufta mbaroi.

    Radha u erdhi monumenteve,

    (Kryesisht të komandantëve),

    Librave të historisë me trimërira

    (Kryesisht të komandantëve),

    Këngëve me piskamë, dekoratave

    (Kryesisht për komandantët),

    E sigurisht, karrigeve për fitimtarët e mbetur gjallë

    (Kryesisht komandantë)

    Liria shkundi nga supet luftën

    E hyri në muze

    Përse ndodhi kjo gjamë? Paradoksi gati ta zë frymën:

    Luftën e fituam,

    Nga fitimtarët, asnjë s’u kthye i gjallë!

    Dhe tashti “Hymni i ri i lirisë”, ka “vetëm dy vargje”. Himn ironik, rrëqethës deri në pashpresë:

    “Do vijnë ditë të bukura,

    Gjithë krimbat u bënë flutura”!

    Më fort se ngjyrat e jetës, zinë e dramës së të gjallëve e shpërfaq natyra e tjetërsuar e vdekjes, çka në thelb është tjetërsim i vetë jetës. Kanë vdekur “vdekjet e bukura”!

    Ka vdekur vdekja për Atë e Dhe,

    Vdekja për Liri ka shkuar në mërgatë,

    S’ka më vdekje për bukurinë

    Këmbëzbathur ik maleve

    Vdekja për Fjalën!

    Vetë vdekja

    Kap kryet me duar e vajton pa skaj

    Vetminë e saj

    Ankthi i drurëve që “flenë jashtë në natën e botës” është pasqyrë e makthit të njeriut në kohën e sotme, në të gjitha kohët.

    Sepse drurët:

    S’e dinë çfarë i bën njeriu, ndaj grinden ndërveti,

    Njëri jeton ankthin se do të bëhet kryq,

    O për kryqëzime të reja, o kryq te kryet e një vorri,

    Tjetri pret të bëhet derë,

    Krevat ku shfryhen epshet e botës,

    Trishtohen drurët që do të bëhen karrige

    Ku ulen tiranët që pjellin krime

    Drurët jetojnë dilemën e madhe të kohës kur do bëhen zjarr:

    Flaka e tyre njeriun do të ngrohë, a do djegë qytetërime?

    Lumturohen ngapak drurët që do të bëhen letër

    Ku do të shkruhen lirika dashurie,

    Po prapë i zë ankthi i shkronjës së shpikur nga njeriu,

    Dyshimi i madh, se në cilën letër të dalë nga drurët

    Do të nënshkruhen shpallje lufte a urdhra pushkatimi,

    Drurët trishtohen nëpër qytete

    Kur i mbjellin në rresht e ngjajnë si ushtarë

    Drurët vetëm për një gjë i tuten vdekjes:

    Se vdekja e drurëve është mërgatë e pakthim e zogjve

    A thua jo vetëm drurët, por edhe vetë Njeriu fle jashtë në natën e botës?

    O Njeri, ruaju prej njeriut!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË