More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. Dr. Resmi Osmani: Këndvështrime për eposin e kreshnikëve

    Prof. Dr. Resmi Osmani: Këndvështrime për eposin e kreshnikëve

    Me eposin e kreshnikëve, ku më së shumti i kendohet bëmave trimërore të tyre, jam njohur qe në rininë e hershme. Gjatë viteve, leximi i tyre, duke iu kthyer herë pas here, mu kthye në kënaqësi dhe magjepsje, burim ku gjeja shumçka trimerore, burrerore dhe te dhënë me nje art te pashoq që i jepte krahë për fluturim fantazisë sime.

     Së voni, me botimet e kolanës “Visaret e Kombit”, ”Kangë kreshnikësh dhe legjenda”, botimet Françeskane, Shkodër, 2007, i gjeta në një vëllim 34 këngë të kreshnikëve dhe i lexova dhe rilexova me zell fundekrye, ( por tashmë në tjetër moshë, shkallë njohjeje e përvojë jetësore ), disi ndryshe , më të thelluar, me tjetër përqëndrim e gjykim.

     Për Eposin e Kreshnikëve,janë të shumta studimet dhe konsideratat shkencore, e intyerpretimet të shprehura nga shumë dijetarë, por pavarësisht këtij fakti, mendova te shpreh disa kendveshtrime dhe opinione, në të cilat, nuk kam pretendime studimore apo kundërvënie, prandaj mungojnë edhe referencat.

    1.Kreshnikët. Janë heronj epik të rapsodive, ku kryen e vendit e zenë Gjeto Basho Muji dhe i vëllai, Halili, por edhe të tjerë shokë e bashkluftëtarë të tyre. Kanë disa veçanti të përbashkëta: janë trupmëdhenj,shtatlartë, një kreshnik sa tre burra të zakonshëm. Mustaqet e Mujit janë sa “dy desh galena”, me forcë të jashtëzakonëshme e me veti përrallore, që kryejnë vepra heroike. Në imagjinatën popullore Kreshniku është trim i pashoq, shpirtpaepur e fisnik, që kryen vepra të larta heroizmi për të mirën e njerëzve dhe vendit. I parë dhe prijetar i fisit apo bajrakut. Çifti i kreshnikëve vëllezër, Gjeto Basho Muji dhe Sokole Halili, janë personifikimi i gjithë vlerave të shquara kreshnike: Muji: i mençur,i fuqishëm, trim i çartur, i pamposhtur, luftëtar , guximtar, mbrojtës i trojeve, lirisë dhe nderit të gjindjes së cilës i takon. Dhe Jo kushdo mund të jetë kreshnik.Sokole Halili, përveç cilsive kreshnike, ështe edhe i hijshëm, pamjebukur. Ja si jepet pamja e Halilit nga shoqet e Tanushës( veshur si vajzë që të mos e njihnin): Syni i saj si syni i Zanës;/Balli i saj si balli i hanës/Shtati i saj porsi hala në bjeshkë;/Kurrkund shoqen nën kët diell se paska” dhe në një këngë tjetër:”Po, qaj asht, oj bi, Sokole Halili /Djalë ma t’hijshëm kun në dyje nuk ka/N’shtatë kralit ai syretin e ka. Pa se ishte i tillë, kur e pa Tanusha e kralit(atëhere kur kishin paqe me krali u dashurua me Halilin. Kreshnikët janë edhe të mençur, gjejne zgjidhje dhe u japin udhë, situatave të vështira, që nuk duan vetëm trimëri.

     Me gjithë cilësitë e shquara, kreshnikët janë njerëz. Ata vuajnë, plagosen,lëngojnë…..vdesin, por gjithëçka edhe në pësimet gjatë bëmave të tyre, është e veçantë , heroike dhe e lavdishme që për gjindjen bëhet burim frymëzimi me moton : “Me e dhanë jetën si me le”

    Emri Kreshnik,në ditët tona, nga prindërit u vihet djemve, si nje shpresë që ata të kenë virtytet e tyre më të mira.

     Pyetja kryesore që mund të bëhet për kreshnikët është: Përse në mitologjinë tonë dhe në eposin heroik, është krijuar miti i kreshnikut? Përgjigja është e thjeshtë. Jo vetëm për hir të traditës, që është e lashtë edhe në popuj të tjerë, por për të shërbyer si shembull vyrtytesh, krenarie, atdhetarie e trimërie e për të burrëruar dëgjuesin e këngëvë apo prrallave e legjendave, për t’i trimëruar e dhënë guxim e vetbesim brezave të rinj, për t’u shtuar mundësinë dhe besimin në fitore dhe për të ngjallur bindjen se nuk ka fitore që nuk arrihet,në mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë, sado e vështirë që të duket dhe sado i fuqishëm të jetë kundërshtari.

     2. Zanat, ose Orët. Janë të pranishme në shumë këngë. Po çfarë janë zanat? Qënie mitologjike, të padukshme, që banojnë në vende të bukura, në bjeshkë, në burime e livadhe plot lule, që e çojnë jetën me këngë e valle dhe që kur duan ato u shfaqen njerëzve dhe bëhen të dukshme. Ato janë të gjendshme në tërë krahinat shqiptare. Në Çamëri quhen “Zëra”, por edhe “Vitore” në veri, ”Orë”, “Zana”, por edhe “Shtojzavalle”. Atyre u vishen cilsi nga më të mirat: bukuria, trimëria, mençuria dhe bëma nga më të pamundëshmet dhe të çuditshmet. Ato ngrijnë e gurosin njerëzit e kuajt (Krushqit e Mujit), shërojnë të pashërueshmit dhe ngjallin të vdekurit. Lum kush i ka mike dhe mjer kush i bën armike. Emri i tyre u vihet vajzave, thuhet kur duhet të shprehet bukuria”E bukur si zanë” dhe për burrat luftëtarë “Trim si Zana” Në përfytyrimin mitologjik ato janë një botë ekzistente por e padukshme, si perënditë olimpike në eposin Homerik. Zanat janë femra, gra dhe vajza, hanë dhe pijnë, gëzojnë, këndojnë dhe vallzojnë. U dëgjohen zërat, por syri nuk i sheh, prandaj quhen edhe Zana-Zëra. Në Çamëri ka gojdhana se Zërat martoheshin me barinj dhe e çonin jetën me ta në stane dhe ata çliroheshin nga ajo martesë kur Zëra vdiste! Në atë botë të padukshme, në bashkësinë e zanave, ka dhe meshkuj, por që nuk përmenden, pasi Zanat lindin fëmijë, por ata janë të parëndësishëm(Si meshkujt e bletës). Ato i dhanë fuqinë kreshnike Mujit, me qumshtin e gjirit, pasi ai u kujdes për fëmijët e tyre ne djepe. Zanat lidhin besën me njerëzit, u rrinë në krahë dhe u gjenden në vështirësi, i këshillojnë dhe u japin ment, por vetë nuk angazhohen kur kreshnikët bien ngusht. Rastis që edhe Zanat të jenë të prekshme dhe të dhunueshme. Paj Harambashi i dërrmoi krahun Zanës së madhe, kur ajo nuk pranoj t’i gjendej në krahë kundër Gjeto Basho Mujit. Ajo i drejtohet Mujit për ndihmë.

     Por si dhe kur ka lindur miti i Zanave, dhe pse ato janë femra, gra dhe vajza? Na lejohet të mendojmë se miti vjen nga historia e lashtë njerëzore, nga koha e matriarkatit, kur gruaja kishte sundimin dhe forcën vendimmarrëse brenda bashkësive primitive, kur ende nuk ishte vendosur institucioni i martesës. Me evoluimin e shoqërisë njerëzore, vendosjen e institucionit të martesës, sundimit të burrit, pra vendosjes së patriarkatit, gruaja iu nënshtrua sundimit të burrit dhe humbi pushtetin dhe shumë nga të drejtat e saj. Këto të drejta, që ajo tashmë i kishte bjerrur, dhe shumë cilësi që ato do të donin t’i kishin, reale apo fantastike, jua veshi qënieve të padukshme por të besueshme të kohëve mitike: Zanave që u bënë pjesë e tregimeve, përrallave gojdhanave dhe u kaluan nga breznia në brezni, deri në ditët e sotme.

    3.Lashtësia e këngëve kreshnike. Në përcaktimin e kohës së zhvillimit të bëmave të kreshnikëve, ka disa vështirësi dhe shtresëzime. Të shumtat e përpjekjeve, zhvillohen kundër ardhacakëve sllavë (Shkjeh) që janë dyndur dhe kërkojnë pushtimin dhe zotërimin e hapësirave jetike të bashkësisë vendëse të cilës i përkasin kreshnikët. Sllavët janë të organizuar në Krajli (përmenden shtatë të tilla),pra jemi në kohën kur sllavët janë vendosur në kufi, fillimi i shekullit të shtatë, ndërsa bashkësia vendëse arbërore, nuk ka formacion shtetëror por një organizim fisnor në bajrak, kur te arbërorët nuk ishin krijuar ende principatat. Por në epos, perfliten edhe dyluftimet (bejlegët) me bajlozët që dalin nga deti, që u takojnë etnive jo sllave dhe që e shtyjnë kohën e krijimit të eposit më thellë në kohë. Me kalimin e kohëve, përcjelljen gojore të këngëve të eposit nga brezi në brez, janë ndërfutur element përditësimi të zhvillimeve historiko-shoqërore, që e bëjnë të duket më të vonshme ngjizjen e tyre. Si shembull mund të sillen armët që përdoren. Rëndom luftohet me mëzdrak(heshtë, shtizë), me topuz hekuri dhe shpatë,çka është në të mirë të lashtësisë kalorsiake, por dalin dhe armët e zjarrit, pushkët dhe baruti. Muji, kur do që të thërrasë çetën për të çetuar, zbraz për kushtrim nga ballkoni i kullës pushkën habertare, por përdor edhe barutin për të hedhur në erë kullat e krajlit. Dihet që këto armë u futën në përdorim aty nga fillimi i shekullit të XIV-XV. Si pjesë e jetës së përditshme, në shtëpitë e kreshnikëve pihet kafe me sheqer dhe kreshnikët tymosin duhan me llullë. Kafja u fut në Europë në shekullin e XVI, kurse duhani erdhi pas kolonizimit të Amerikës. Po të gjykojmë nga emrat: Mujë, Halil, Arnaut Osmani etj, të shumtit të përdorur nga besimi islam, le të kuptohet se ngjarjet zhvillohen në kohën e konvertimeve në besimin Islam. Nga sllavët e krajlisë, jutbinasit quhen “Turq”, kuptohet ngatërrohet qëllimisht feja me kombësinë ç’ka e hasim, si një absurditet, edhe në ditët tona. Në njerën nga rapsoditë, kreshniku ftohet në oborrin e Sulltanit. Por këto janë shtesa të vonshme, për të madhuar peshën dhe personalitetin e Gjeto Basho Mujit dhe të vëllait Halilit, që nuk përputhen me kohën dhe ngjarjeve zanafillore, që tregohen. Nga gjithë zhvillimi I ngjarjeve, mund të jetë e besueshme, që zanafilla e këngëve kreshnike përkon me shekujt VI -VII, kur janë konsoliduar bashkësitë etniko-politike të Iliro-Arbërorëve, me dyndjet sllave dhe mbyllet në shekullin e XIV, me futjen në përdorim të armëve të zjarrit. Kreshnikët tërhiqen dhe Muji e Halili mbyllen në shpellë.Kreshnikët janë të pavdekshëm, por edhe kur vdesin, ata ringjallen!

     4.Gjeografia e hapësirës së zhvillimit të ngjarjëve. Çeta e kreshnikëve ka për vendbanim Jutbinen , Klladushen dhe si hapësirë ekonomike bjeshkët, Lugjet e Verdha(Jeshile} dhe Krahinën . Jutbina na ravijëzohet nëpër vargjet e këngëve si një qytezë komunitare , me lagje, rrugë, treg, me artizanat , armëtarë ,kulla banimi të gurta trikatëshe dhe veprimtari ekonomike. Kreshnikët dhe pasuesit e tyre, herë tridhjet e herë treqind, e nganjëherë trimijë, trima të çartur e të besës, kanë pasuri, mall e gjë. Nga studjuesit, Jutbina gjendet në Kroacinë e sotme, diku në vist veri-perndimore te trojeve te etnisë iliro-arbërore, në kufi të zotrimeve sllave, të përfituara nga pushtimet e dyndjeve. Jutbina është, si të thuash rajoni kufitar midis dy etnive: njëra në sulm e tjetra në mbrojtje. Veprimtaritë luftarake, zhvillohen në bjeshkë, në Lugjet e Verdha, por edhe në zotrimet e krajlisë, Kotorret e Reja, Zaharë, në brigjet e Tunës (Danubit) dhe bregdet. Vetiu lind pyetja: përse kjo hapsirë e ngushtë,e veprimit të kreshnikëve, në një kohë që trojet e banuara nga etnia Iliro- arbërore, zinin hapësirë të madhe, nga Preveza në jugë, rajonet e brendshme e deri në veri në brigjet danubiane(Tunës)? Për mendimin tim, kjo e ka një përgjigje. Jo se nuk ka patur edhe ne krahina te tjera trima të çartur dhe kreshnikë, por ata nuk luftonin brenda etnisë së tyre, kundër atyre që ishin të një gjaku, por edhe nëse luftonin, për arsyen që u sipërtha, nuk përjetësoheshin në këngë. Kurse në Jutbinë, bjeshkë, Kotorret e Reja, Zaharë, luftohej kundër një etnije të huaj, që ishte agresive e pushtuese, një luftë mbrojtëse e trojeve, pronës dhe nderit. Këto këngë, edhe pse të veshura me legjenda dhe bëma të jashtëzakonëshme, të kënduara me lahutë nga rapsodët, në odat e burrave, në kuvendet por edhe në luftëra, ngjallnin krenari, trimëri dhe burrëri te dëgjuesit e veçanërisht brezi i ri. Ishin pjesë e historisë heroike.

    Mbledhësit dhe transkriptuesit e këngëve të kreshnikëve, etërit françeskanë, At Bernardin Palaj dhe At Donat Kurti, thonë që shumicën e tyre e kanë mbledhur në Curraj të Epërm,Nikaj-Mërtur, kryesisht në Bytyç e Dukagjin.Pra, në një hapësirë relativisht të ngushtë gjeografike. Janë mbledhur afro treqind këngë, prej tyre u përzgjedhën tridhjet e katër. Të tjerat, sido që të jenë e ç’vlerë që të kenë, në rast se gjenden në arkiva, jo vetëm duhen ruajtur por edhe studjuar nga dijetarët e fushës, për të thelluar dijet për këngët kreshnike. Pas mbledhjes dhe publikimit të tyre në “Visaret e Kombit”, gjithësej 34 këngë, mesa duket, puna për këngët kreshnike u quajt e shterruar. Ruaj të drejtën të mendoj, se eposi i Kreshnikëve, sapo është “gërvishur”. Në Malësitë e Veriut dhe në Kosovë, duhet të ketë ende, këngë kreshnike apo motërzime të tyre të pa zbuluara dhe që presin hulumtimet e kërkuesve të folklorit. Një fakt për këtë është libri ”Këngë të kreshnikëve”, pergatitur nga Dr.Zymer Neziri, botuar nga Shtëpia e Librit Shkollor, Prishtinë.

    Këngët e kreshnikëve dhe motërzimet e tyre, me të tjerë kreshnikë e me të tjerë emra, e të tjera bëma, këndohen nga lahutarë e rapsodë edhe në Bosnje e Serbi, por nuk duhet dyshuar se rrënjët e tyre burimore janë Iliro-Arbërore dhe se Sllavët fqinjë, i kanë marrë prej tyre dhe i kanë përshtatur e përkthyer. Kjo dëshmohet me fakte nga studjuesit tanë të folklorit.

    5.Luftërat e kreshnikëve dhe shkaqet e tyre. Ka disa shkaqe për luftën dhe bejlegët e kreshnikëve. Së shumti është ruajtja e lirisë, territoreve jetike, pronave, të bjeshkëve, zabeleve, pyjeve, burimeve, kullotave ku kullosin e mrizojnë bagëtia që janë bazë e ekonomisë baritore (Edhe Muji, para se të merrte fuqi kreshnike nga Zanat ishte bari lopësh). Është lufta për ruajtjen e hapësirës jetike, e vendit të cilit ata i përkisnin dhe që u përkiste. Shkak i dytë janë martesat, rrëmbimi i grave. Njëra nga këngët më të bukura ”Martesa e Halilit” ka këtë motiv, ajo e rrëmbimit të Tanushës, apo gruas së Krajle Kapidanit, të vajzave të Behurit nga ana e Mujit, Por edhe nga ana e shkjeve është lakmia e rrëmbimit të grave dhe vajzave jutbinase, siç është rasti i rrëmbimit të gruas apo motrës së Mujit, Kunës, nuses së Ali Bajraktarit nga Hyso Radoica. Ashtu siç vepron Halili, në rastin e Tanushës, është edhe e kundëtrta, shkjau Bani Zadrili, betohet se s’do të martohet veç me Kunën, motrën e Mujit. Mesa duket, kemi të bëjmë me dukurinë e ekzogamisë, për të mos u martuar me vajza nga fisi, sepse ato konsiderohen si motra! Për rrëmbimin e vajzave dhe grave ndizet luftë e egër dhe e pergjakshme nga të dy krahët, pasi ajo është një çështje nderi. Dhe janë të shumta shkinat që merren për gra nga jutbinasit, aq sa me të drejtë, në komentet që bëjnë mbledhësit e këngëve, martesat e arbërorëve me gratë sllave, i konsiderojnë si një nga mënyrat e bjerrjes së gjuhës dhe asimilimit të ngadaltë të tyre prej sllavëve në rajonet veriore; ”Mjeti i përpajnimit të slavizmit ndër ne, nuk kje shpata aq fort sa grueja”Kjo dukuri vazhdon edhe në ditët tona me shqiptarët e trojeve të mbetura brenda Malit të Zi dhe Serbisë e Bosnjës, ku edhe si shkak i martesave të përziera, po bjerret gjuha shqipe dhe banorët deklarohen bosnjakë!. Por shpesh, çetimi, dalja në bjeshkë të armatosur, shihet edhe si një sport, shenjë burrërie, për gjah apo në kërkim të armikut dhe shkak për dyluftime. Pavarësisht nga shkaqet, dyluftimi apo luftimi i çetave është i rreptë, i egër, i pamëshirshëm heroik, që përfundon me kokat e prera të armikut dhe në të shumtat e herëve jutbinasit dhe kreshnikët dalin fitimtarë dhe shkjetë e krajli humbës. Në opusin e këngëve, veç atyre me karakter luftarak, ka edhe të tjera që lidhen me besën e dhënë, shkeljen e besës, thyerjen e të drejtave zakonore e të moralit të kohës, që rrëfejnë për normat parakanunore të rregullimit të jetës së komunitetit jutbinas e më gjerë.

    6.Kundërshtarët. Kundërshtarët, sido që të urryer, nuk përbuzen, nuk fyhen, ata paraqiten të denjë për të qënë kundërshtarë të kreshnikëve, midis tyre ka po aq kreshnikë e trima të çartur sa edhe te jutbinasit. Midis tyre ka edhe dragonj, që në bark kanë gjarpërinj. Luftojnë trimërisht dhe egërsisht, ani pse në fund munden dhe humbin. Shkjau e ze rob kreshnik Mujin dhe duhet të shkojë Halili ta lirojë. Behuri i shkon në shpatë tridhjetë agët e Arnaut Osmanit dhe vetë atë. E tillë paraqitje e kundërshtarit, besoj se bëhet për t’i rritur vlerën fitoreve dhe se luftohet e fitohet kundër një armiku po aq trim e guximtar sa edhe kreshnikët jutbinas. Burrat luftojnë me burrat! E njëjta mund të thuhet edhe për bajlozët aventurierë, që vijnë nga deti për dyluftime me kreshnikët dhe lenë kokën në bejleg. Kjo edhe për të ngjallur besimin te dëgjuesit e çdo brezi veçanërisht te të rinjtë, se sado i fuqishëm të jetë armiku, kur luftohet me zemër e trimëri dhe lufta bëhet për dinjitet, mbrojtjen e nderit,të familjes, të pronës dhe lirisë ,arrihet edhe fitorja.

    7. Vendi i gruas dhe martesat në këngët kreshnike. Nga shqyrtimi i kujdesëshëm i këngëve, del se gruaja (femra) si vajzë, e martuar dhe nënë, haset gjithandej dhe trajtimi i saj është i ndryshëm në varësi nga gjendja e saj familiare dhe komunitetit të cilit ajo i përket etnikisht. Në këngët kreshnike ka gjurmë të matriarkatit. Nëna e kreshnikëve gjendet në shumë syresh, kurse babai i kreshnikëve nuk del asgjëkundi.

     Femrat vlerësohen edhe për bukurinë. Te martesa e Halilit, përshkrimi i bukurisë femrore, të Tanushës, arrin lartësi të pakrahasueshme për figuracionin dhe mjetet shprehëse të së bukurës, që rrallë e gjejmë në folklorin tonë, aq sa ajo është e krahasueshme me bukurinë e nuses, të shprehur te poema biblike“Kënga e këngëve”.

    Martesat. Duhen vënë në dukje dy dukuri, ajo e martesës me gra jashtë fisit, e njohur si ekzogami, e që e ruan shfaqien e saj edhe sot e kësaj dite, sido si një shfaqie atavike në Mirditë dhe malësitë e veriut. Kjo shfaqet te martesa e Halilit e thënë shprehimisht, se gjithë vajzat e Jutbinës i duken si motra. Gratë, kur kishte paqe me krajli, merreshin me krushqi, siç është rasti i martesës së Mujit, që i nis krushqit për të marrë nusen që kishte zënë në krajli. Në kushte kur paqja prishesh, nga të dy palët, gratë rrëmbeheshin me luftë, me dredhi, ose thjesht ishin plaçkë lufte, robina, që kur nuk mbaheshin për vete nga rrëmbyesi, i jepeshin ndonjë djali jutbinas.

     Përsa i takon martesës,në kushte normale, për nusen paguhej një shumë e madhe (treqind dukat flori) dhe për dasmën gjithashtu bëheshin shpenzime të rënda. Në të dy rastet, edhe kur ”Blihesh” edhe kur merrej robinë, gruaja trajtohej thjesht si plaçkë e pa të drejta, edhe kur bëhej nënë (rasti i Ajkunës) ashtu si më vonë në kanun cilsohej ”Si calik për me bajtë”e për të shtuar familjen. Nga shqyrtimi i ndodhive, vihet re se te kreshniket jutbinas, egziston poligamia. Muji e Halili marrin disa gra apo vajza nga te rrembyerat dhe bejnë dasmë të madhe, nëntë dit e nëntë net për çdo rast! Halili, përveç Tanushes, rrëmben gruan e Paji Harambashit, dhe një tjetër që ia bën dhuratë Muji, gra të tij bëhen edhe Rusha dhe Gjelina e bardhë. Zakon ky që s’ka qënë ndër arbërorët, por që shfaqet pas islamizimit, tipi i haremit lindor.

    Në mënyrën e sjelljes ndaj grave ka dallime: për vajzat, motrën, nusen dhe nënën. Vajzat përshkruhen gazmore e të dëlira kur dalin në kroje e livadhe. Për shkinat, bijat e shkinave ka tjetër vlerësim. Shkinat, pre e dhunës së rrëmbimeve, s’kanë si t’I duan burrat e tyre, në çdo rast ato i tradhëtojnë dhe bëhen palë me shkjetë. Për motrat e kreshnikëve jutbinas, mbahet një tjetër qëndrim, trajtohen me dashuri e nderim. Te kënga e “Omerit të Ri”, vajza shkon në bejleg në vend të të atit dhe i prêt kryet bajlozit. Me shumë dashuri është dhënë motra e Gjergj Elez Alisë. Për nënat, tregohet respekt dhe nderim, u merret mendim dhe u kërkohen këshilla për zgjidhjen e punëve të vështira. Kështu veprojnë Muji dhe Halili që këshillohen me nënën e tyre sesi të veprojnë kur i thërret mbreti. Nëna është e lidhur me familjen dhe fëmijët. Vaji i Ajkunës dhe dhimbja e saj për vrasjen e të birit, Omerit, ndryshe nga zemërgurësia e shtirë e Mujit, është një nga gjërat më tronditëse të folklorit tonë, monument i ngritur me lot e dhimbje shpirti, me përmasa kozmike, që trondit qiell e dhe, të nënës dhe gjithë nënave për vdekjen e fëmijës.

     8.Nëmja e bjeshkëve. Me emërvendin “Bjeshkët e nëmura”,quhet një pjesë e masivit të Alpeve që ndodhet në kufijtë gjeografikë të Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi. Shpesh bëhet pyetja: përse quhen “Të nëmura”? Përgjigjen e gjejmë te eposi i kreshnikëve. Bjeshkët, në lartësi, atje ku fillon pjesa e kullotave, si pjesë e rëndësishme e ekonomisë blegtorale, kanë qënë të lakmuara nga të dy komunitetet, arbërorët si pjesë e trashëgimit të tyre historik dhe sllavet me lakminë e pushtuesit. Bjeshkët kanë qënë arenë e luftërave, ndeshjeve dhe dyluftimeve edhe të mëvonshme, kuptohet që eshte derdhur gjak dhe jane shkymur jetë, atje juanë hapur varret e trimave. Aty janë varrosur tetë Omerët (djemtë) e Mujit, i fundit ishte Omeri i Ri. Dhe bjeshka është nëmur, jo vetëm nga nënat, por edhe nga luftëtarët, kur në to nuk kanë gjetur as ujë as gjah, as ushqim.Në shumë këngë gjendet nëma ”Mallkue kjofshi ju o mori bjeshkë”Mjafton këtu të përmendim nëmën e Mujit:

    Hej medet-tha- mori bjeshkë

    Se tetë Omera t’mirë si i paçë

    E tetë Omera ndër ju t’dekun i laçë.

    Ju u thaçin Bjeshkët e thata,

    Dushk as bar ndër ju kurr mos daltë,

    As uj ndër ju kurrë mos u piftë!

     Por emërvendi “Bjeshkët e Nëmura”, me të cilin quhen edhe sot, është dëshmi se në to kanë ndodhur shumë ngjarje nga ato që u këndohen në eposin e kreshnikëve.

    9. Bukuria e këngëve kreshnike.Artistikisht, këngët e kreshnikëve janë nga më të bukurat. Ajo që dua të ve në dukje është ekonomia e fjalës. Asgjë e tepërt. Me pak fjalë thuhet shumë. Mund të sillja shembuj të shumtë. Figura krijon imazhin dhe përfytyrimin, e shpie dëgjuesin apo lexuesin në atë botë legjendare së cilës i këndohet. Vargjet janë të ngjeshur e sintetike. Figurat, krahasimet, metaforat për të shprehur gjendjet emocionale janë nga më të gjeturat. Një pleksje e çuditshme e reales me surealen dhe fantastiken, e të besueshmes me të pabesueshmen, e toksores me qielloren,e kohës me parakohën dhe paskohën, animizmin e elementeve kozmikë, të gurëve dhe drurëve, zogjve dhe kafshëve. Në këtë mjedis të pazakontë veprojnë e luftojnë kreshnikët. Bashkë me ta edhe ne si lexues apo dëgjues kur këngët këndohen me lahutë.

     Duhet vënë në dukje se rapsodi, në krye të këngës, para se të rrëfejë ngjarjen ve vargjet: ”Lum e lum për t’Lumin Zot/Nu jem kanë e Zoti na ka dhanë”. E kjo për ti rrëfyer lexuesit apo dëgjuesit, se gjithçka do të dëgjojë, për bëmën e kreshnikut-ve për fuqinë e tyre është vepër-mrekulli e Zotit. Kurse në mbyllje, shpesh janë vargjet: ”Kshtu m’kanë thanë se atje nu’jam kanë/ Por kush ndigjoftë, zëmra i kndoftë!” ose: Se atje nuk jam kanë, /si kam ndie e si m’kanë thanë,/ Se kto janë prralla prej motit/Ndimën paçim na prej Zotit” Duke dashur kësisoj, të vënë në dukje legjendaritetin e eposit.

     Këngët janë thurur kryesisht me vargje dhjetërrokshe, të pandarë në strofa. Janë kombinuar vargjet e bardha me ato të rimuara, me rimë të puthur,që e bëjnë të zbutur e të pëlqyeshëm tingëllimin dhe kumbimin e vargjeve. Leximi i këngëve të eposit të kreshnikëve, na jep rastin të shijojmë dialektin gegërisht të mirfilltë të para më shumë se një shekull, dialekt i shqipes që duket si i krijuar enkas për epikën legjendare.

    Tiranë, mars 2019-korrik 2024

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË