More
    KreuLetërsiBibliotekëJames Joyce: Epifani

    James Joyce: Epifani

    Përktheu: Qerim Raqi

    Epifani i quajti James Joyce një sërë tekstesh të shkurtëra në prozë që i shkroi kur ishte i ri, gjithsej 40, të cilat i ruante në fletoren e tij.

    Ato përmbajnë imazhe lirike, skena të shkurtra dramatike dhe përshkrime ëndrrash. Përmbajtja e tyre është autobiografike, shpesh jsnë vrojtime të mprehta të autorit mbi jetën shoqërore në Dublin. Nën sipërfaqen e përditshmërisë, shfaqet  një kontekst më i gjerë i jetës, në shkëndijime të shpejta. Epifanitë synonin të formonin një libër më vete; në vend të kësaj, Joyce përdori një numër prej tyre në veprat e tij të mëvonshme, kryesisht në veprën Portreti një artistiti të ri.

    Këto janë imazhe të veçanta, detaje, situata të mëvetësishme ose gjeste të pavullnetshme që sugjerojnë në çast, një histori të tërë ose karakterin dhe botën e brendshme të një personi.

    Shumica e studiuesve i kanë konsideruar epifanitë pikërisht si lëndë të parë, si fragmente që arrijnë vlerën e tyre të plotë, fuqinë e tyre zbuluese në një kontekst më të gjerë.

    I.

    [BRAY: DHOMA E BUKUR NË MARTELLO TERRACE]

    Z. Vance (vjen me një shkop): … Por e shihni, ai duhet të kërkojë falje, zonja Joyce.

    Zonja Joyce: Po, sigurisht… E dëgjuat këtë, Jim?

    Z. Vance: Përndryshe – nëse ai nuk e bën këtë – ky shkop do ta bëj të derdh lot.

    Zonja Joyce: Oh, por jam e sigurt që ai do të kërkoj falje.

    Joyce (nën tavolinë, me vete):

    Të shkrehesh në vaj,

    të thuash më fal

    të thuash më fal,

    të shkrehesh në vaj.

    Të thuash më fal,

    të shkrehesh në vaj,

    të shkrehesh në vaj,

    të thuash më fal.

    2.

    NESËR S’KA MËSIM: është natë, e shtunë dhe dimër: jam ulur pranë oxhakut. Së shpejti ata do kthehen në shtëpi me pazaret e fundjavës – mish dhe perime, çaj, bukë dhe gjalpë, salsiçe të fërguara në tigan… Jam ulur dhe lexoj një histori nga Alsace, shfletoj faqet e zverdhura, shoh burrat dhe gratë në kostumet e tyre të çuditshme. Më pëlqen të lexoj për zakonet e tyre; kështu më duket sikur prek jetën e një vendi tjetër dhe vij në kontakt me popullin gjerman. E dashur imagjinatë, e besuara e rinisë sime!… Në të unë kam parë veten time. Jetët tona janë akoma të bekuara në afinitetin e tyre të ngushtë. Unë jam me të natën kur ai lexon veprat e filozofëve ose ndonjë histori të kohëve të shkuara. Jam me të kur ai ecën vetëm ose me dikë që nuk e ka parë kurrë, vajzën e re që i vë dorën në qafë, e cila nuk ka qëllime të liga, që i ofron dashurinë e saj të thjeshtë e të bollshme, që dëgjon dhe i përgjigjet shpirtit të tij pa e kuptuar si.

    3.

    FËMIJËT QË KANË QËNDRUAR MË SË GJATI veshin rrobat e tyre të jashtme, sepse festa ka mbaruar. Ky është tramvaji i fundit. Kuajt e dobët ngjyrë kafe e dinë këtë dhe tundin këmbanat e tyre si një paralajmërim për mbrëmjen e ndritshme. Konduktori flet me shoferin; të dytë shpesh tundin kokat nën dritën jeshile të llambës. S’ka njeri aty afër. Na duket se po dëgjojmë, unë në shkallën e sipërme dhe ajo në atë të poshtme. Ajo vjen shpesh në shkallën time dhe pastaj zbret përsëri midis frazave, por disa herë harron të zbresë dhe qëndron në anën time, dhe pastaj zbret… Prit, prit … Dhe tani nuk vërehet sqima dhe krekosja – mbi fustanin e saj të bukur, brezin dhe çorapet e gjata të zeza – se tani (mençuria e fëmijës) duket se ne e dimë se ky fund do të na tërheqë më shumë se çdo fund që e kemi kërkuar.

    4.

    [DUBLIN: NË MOUNTJOY SQUARE]

    Joyce (konstaton): … Bëjnë dyzet mijë paund.

    Tetoja Lilli (qesh): O Zot!… Unë isha njësoj… Kur isha e vogël edhe unë isha e sigurt se do të martohesha me një kont… apo diç të tillë…

    Joyce (duke menduar): A është e mundur që ajo krahason veten me mua?

    5. LARTË NË SHTËPINË E VJETËR me dritare të errëta: drita e zjarrit në dhomën e ngushtë: jashtë ka rënë muzgu. Një grua e moshuar nxiton të bëjë çaj; ajo tregon për gjithçka që ka ndryshuar, për zakonet e saj të çuditshme dhe atë që tha prifti dhe doktori… I dëgjoj fjalët e saj nga larg. Eci mes prushit të ndezur, përgjatë shtigjeve të aventurës… Zoti im! Ç’është ajo në derë?… Një kafkë – një majmun; një qenie e tërhequr deri këtu te zjarri, tek zërat: një qenie e paarsyeshme.

    – A është Mary Ellen?

     – Jo Eliza, është Jim-i.

    – Oh… Natën e mirë, Jim…

    –  Doje ndonjë gjë, Eliza?

     – Mendova se ishte Mary Ellen… Mendova se ti ishe Mary Ellen, Jim..

    6.

    NJË FUSHË E VOGËL me egjra dhe gjemba të thatë të mbushur me forma të paqarta, gjysmë-njerëz, gjysmë- cjepër. Bishtat e gjatë i tërheqin pas dhe ata lëvizin në mënyrë agresive aty- këtu. Kanë mjekra të vogla me majë, gri si goma. Një sekret mëkati personal i drejton hapat e tyre dhe i detyron si pamëshirshëm në ligësi të vazhdueshme. Njëri ka mbështjellë një këmishë fanelle të grisur rreth trupit, tjetri ankohet në mënyrë monotone kur mjekra i ngec në fijet e forta të barit. Ata lëvizin rreth meje, më rrethojnë, mëkati i vjetër mpreh shikimin e tyre drejt mizorisë, ata nxitojnë nëpër fushë në rrathë të ngadaltë, duke shtrirë fytyrat e tyre të tmerrshme lart. Ndihmë!

    7.

    ËSHTË KOHA TË SHKOJMË TANI – mëngjesi po na pret. Unë vetëm do të bëj edhe një lutje….. jam e uritur; megjithatë do të doja të qëndroja këtu në këtë kishëz të heshtur, ku mesha është zhvilluar kaq qetë… Përshëndetje, ti Mbretëresha e Qiellit, Nënë e Mëshirës, ti jeta jonë, lumturia jonë dhe shpresa jonë! Nesër dhe çdo ditë pastaj, shpresoj t›ju sjell një veprim të virtytshëm si sakrificë, sepse e di se do të jeni e kënaqur me mua nëse e bëj. Dhe tani lamtumirë për këtë herë… Oh, shkëlqimi i bukur i diellit tani në bulevard dhe oh, dielli në zemrën time

    8

    RETË E HIRTA MBUSHIN QIELIN. Aty ku takohen tre rrugë, përballë një plazhi moçalor, një qen i madh qëndron shtrirë kruspull. Herë pas here ai ngre turirin dhe lëshon një ulërimë të gjatë dhe të trishtuar. Njerëzit ndalojnë për ta shikuar dhe vazhdojnë; disa qëndrojnë aty, ndoshta të pranguar nga ajo ulërimë në të cilën ata mendojnë se dëgjojnë pikëllimin e tyre që dikur kishte një zë, por tani është memec, një lakej i ditëve të mundimshme. Fillon të bie shi.

    9.

     [REFLEKTIME: NJË E DIEL NË KORRIK: MESI I DITËS]

    Tobin-i (duke ecur me çizme të mëdha që kërcasin në zhavorrin e rrugës, duke goditur me bastun): … Oh, nuk ka asgjë si martesa kur vjen puna për të vendosur një burrë. Para se të filloja të punoja në The Examiner, pija dhe rrija me miqtë e mi…

    Tani kam një shtëpi të madhe dhe…shkoj në shtëpi në mbrëmje dhe nëse dua të pi një pije… mirë, e bëj… Këshilla ime për çdo burrë të ri, nëse i ka mundësitë, është: martohu i ri.

    10.

    [DUBLIN: NË “THE STAG’S, DAME LANE”]

    O’Mahony: A është ai prifti i vogël atje që shkruan poezi – At Russell? Joyce: Epo, sigurisht… Kam dëgjuar që ai ka shkruar vargje.

    O’Mahoney (buzëqesh me dinakëri): Vargje, po… kjo është fjala e duhur për këtë…

    11.

     [DUBLINI: NË FAMILJEN SHEEHY, BELVEDERE PLACE]

    Joyce: E kuptova që e kishe fjalën për të. Por e keni gabuar moshën e tij. Maggie Sheehy (përkulet përpara dhe thotë seriozisht): Sa vjeç është atëherë?

    Joyce: Shtatëdhjetë e dy.

    Maggie Sheehy: A është ai?

    12.

    [DUBLIN: NË FAMILJEN SHEEHY, BELVEDERE PLACE]

    O’Reilly (me një ton serioz)… Tani është radha ime, mendoj… (shumë seriozisht)… Kush është poeti juaj i preferuar?

                   (Puzë)

    Hanna Sheehy: … Gjermane?

    O’Reilly: … Po.

                     (heshtje)

    Hanna Sheehy: … Mendoj se është… Goethe…

    13.

    [DUBLIN: NË FAMILJEN SHEEHY, BELVEDERE PLACE]

    Fallon-i (ndërsa kalon): Më kërkuan të të përgëzoj veçanërisht për performancën.

    Joyce: Faleminderit shumë.

    Blake (pas një pauze): Unë kurrë nuk do ta këshilloja askënd që të… Oh, kjo është një jetë e tmerrshme!… Joyce: Ka.

    Blake (duke fryrë në tub): Sigurisht… duket e mira nga jashtë… për atë që nuk di asgje… Por sikur ta dije… është vërter e tmerrshme. Një copë drite, jo… darkë, e mjerë… varfëri. Ti thjesht nuk e kupton…

    14.

    [DUBLIN: NË FAMILJEN SHEEHY, BELVEDERE PLACE]

    Dick Sheehy: Çfarë do të ishte një gënjeshtër? Zoti Kryetar, më duhet të pyes…

    Z. Sheehy: Urdhëroni!

    Fallon-i: Ti e di që është gënjeshtër! Z. Sheehy: Zotriu im, ju duhet të tërhiqni deklaratën tuaj.

    Dick Sheehy: Siç thashë…

    Fallon-i: Nuk do ta bëj.

    Z. Sheehy: Unë do t’ia lë fjalën deputetit të nderuae për Denbigh… Për rregullim!…

    15.

    [NË PËRSIATJE: NJË MBRËMJE NË VJESHTE]

    Lypësi i çalë (duke rrëmbyer bastunin): … Ju ishit ata që më thirrët më emër dje.

    Dy fëmijët (duke e vështruar): Jo, zotëri.

    Lypësi i çalë: Po ashtu ishte… (ngre dhe ul shkopin) tani… E shikoni këtë shkop?

    Dy fëmijët: Po, zotëri.

    Lypësi i çalë: Nëse bërtisni pas meje edhe një herë, do të të hap barkun me atë shkop. Do t’ ju pres mëlçinë… (sqaron). Dëgjuat? Do t’ ju hap barkun. Do t’ ju pres mëlçinë dhe jetën.

    16.

    NJË MJEGULL E BARDHË BIE në shtëllunga të ngadalta. Rruga më çon poshtë në një pellg të errët. Diçka lëviz në ujë: është një bishë arktike me gëzof të verdhë të trashë. Unë e prek me shkop dhe ai ngrihet nga uji shoh që shpinën e ka të gjatë dhe se lëviz shumë plogësht. Unë nuk kam frikë, por e josh të afrohet me goditje të mira me bastun. Ai i ngre kthetrat rëndë dhe mërmëritë fjalë në një gjuhë që nuk e kuptoj.

    17.

    [DUBLIN: NË FAMILJEN SHEEHY, BELVEDERE PLACE]

    Hanna Sheehy: Oh, me siguri do të ketë shumë njerëz atje.

    Skeffington: Në të vërtetë, siç do të thoshte miku ynë Jocax, do të jetë një ditë turmash.

    Maggie Sheehy (deklamon): Ndoshta turma është tashmë në portë!

    18.

    NË [DUBLIN: në  NORTH CIRCULAR ROAD: KRISHTLINDJE]

    Zonja O’Callaghan (murmurit): Unë thashë si quhej – “Murgesha e arratisur”.

    Dick Sheehy (me zë të lartë): Oh, nuk do të lexoja kurrë një libër i tillë… Do të duhet ta pyesim Joyce. A dëgjon, Joyce, e keni lexuar “Murgeshën e arratisur”?

    Joyce: Vëj re se një fenomen i caktuar ndodh në këtë kohë.

    Dick Sheehy: Çfarë fenomeni?

    Joyce: Oh… ndizen yjet.

    Dick Sheehy (zonjushës O’Callaghan): … A e keni vënë re ndonjëherë se… yjet ndizen në hundën e Joyce në këtë kohë? … (ajo buzëqesh) …. Sepse ky është një fenomen që e vërej.

    19.

    [DUBLIN: NË SHTËPINË GLENGARIFF PARADE: MBRËMJE]

    Zonja Joyce (fytyrëskuqur, duke u dridhur, shfaqet në hyrje në dhomën e bukur): … Jim!

    Joyce (në piano): Po?

    Zonja Joyce: A dini ndonjë gjë për trupin?…

    Çfarë të bëj? … Diç po rrjedh nga vrima në barkun e Georgies …A ke dëgjuar se mund të ndodhë një gjë e tille?

    Joyce (i habitur): Nuk e di…

    Zonja Joyce: A të dërgoj për doktorin, si thua?

    Joyce: Nuk e di… Çfarë vrime?

    Zonja Joyce (me padurim): … Vrima që kemi të gjithë … këtu … (tregon me gisht)

    AJoyce (ngrihet në këmbë)

    20.

    TË GJITHË FLENË. Unë të ngrihem tani… Ai është shtrirë në shtratin tim ku kam qenë shtrirë mbrëmë: i kanë shtrirë një çarçaf dhe i kanë mbyllur qepallat me qindarka… I gjori vogëlush! Ne kemi qeshur shpesh bashkë – gjithçka e merrte të lehtë në këtë jetë… Më vjen shumë keq që vdiq. Nuk mund të lutem për të si të tjerët… I gjori vogëlush!

    Gjithçka është e pasigurtë!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË