More
    KreuLetërsiShënime mbi libraKujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit,...

    Kujtim Morina: Përsiatje pas leximit të librit me poezi të Donika Dabishevcit, “E gjithkohshmja andërr”

    Pas librit “Kam me ardhë si deka”, botuar në vitin 2015 që besoj se u prit mirë atëhere, me librin e ri “E gjithkohshmja andërr”, botuar nga Literra, 2024, poetja Donika Dabishevci shpërfaq anën e kundërt të dashurisë, vuajtjet e panumërta të njeriut në kohë lufte, vrasjen para syve të njerëzve më të afërm, eksodin, pafuqinë e njeriut përballë makinerisë së shtetit, etj. Me përmbledhjen e re me poezi, autorja i bën një skaner vuajtjeve të panumërta të luftës së Kosovës, kujtesa për të cilën pas 25 vjetësh, ka filluar të zbehet por kjo është fuqia e letërsisë që e risjell nga këndvështrime më të ndryshme sesa historia, duke depërtuar më në thellësi në jetën e individit, jo thjesht të shoqërisë, duke bërë jo përgjithësime por veçanësime në jetën e gjithsecilit, duke synuar detajin e hollë dhe jo sintezën e ngjatjeve.

    Unë e përjetova edhe njëherë luftën e Kosovës në këtë vëllim me poezi, me granatimet, eksodin, urinë, humbjen e shpresës, vdekjet, ëndrrat e pashkatërrueshme, mundimet e pafundme të nënave, baballarëve, masakrat, çmenduritë, përdhunimet, poshtërimet, etj.etj. Duke kapur shumë aspekte të kësaj lufte, mendoj se poetja Dabishevci arrinë ta shfaqë atë në një mozaik të plotë siç ka qenë. Kjo më bëri të shoh edhe vitin e lindjes së autores. A e ka përjetuar vetë luftën apo e ka me të thëna. Shoh se ajo ka qenë 18-19 vjeç gjatë viteve të luftës 98-99, besoj e mjaftueshme për të mbajtur mend shumë gjëra dhe një pjesë edhe përjetuar në kurriz.

    Po sjell vetëm një poezi që po e marr rastësisht nga libri:

    Tuj ikë dekës

    Prej bodrumi n’bodrum, prej katundi n’katund
    Prej shtegu n’shteg, qafmalesh, rranzash
    Pjerrinash, rrëpinash t’thyeshme, Sa k’tu, sa aty
    Përpjetë, tatëpjetë.

    Janë shumë. T’panumërueshëm janë
    Gjithkah, Gjithkund fmijë, gra e pleq
    N’karvan t’pakthimit. Humbtinave
    Kurrë t’njohuna taman.

    Andërrmbytun
    Shpresëvdekun.

    Strajcat n’shpinë, t’vogjlit kalaqafun
    T’plagosunit n’lesë t’sajueme
    T’lodhun e tangall
    T’úritun, të tanë
    Dergjen për një pikë ujë.

    Arnat s’úa mlojnë brinjët, as kockat
    Ftyrëzbardhemt. Syzgavruem.
    Buzëshkrumbuem, Rrashtëkrisun
    T’mavijosun.

    Dielli i përvlon e hana i ngrin
    S’dihet ku ju errë nata e ku ju çelë dita
    Për ku ja kanë mësy e ku kanë me mbërri.

    Ikanak t’zanun n’lak t’kohës s’nemun
    Nënshtruem i janë fatit
    Pa kurrnjifar bese, kurrnjifar dorëzanie
    Pa kurrnji mundësi me u përvijue…

    Ata ik e deka njek!

    Një pasqyrë e eksodit brenda e jashtë vendit me shpëtue shpirtin, një panoramë e varganit të pafund në makina, zetora, në këmbë, në karroceri, në dap-dupe, karroca e çfarë të munden e refugjatëve që më duken se i shoh duke ardhur nga Kosova në Kukës. Ata e dinë prej kah ikin por jo saktë se ku po shkojnë, sa njerëz kanë lënë rrugës, sa të vramë, të përdhunuem, të burgosun, ku do ta kalojnë natën sonte, po nesër? Si ia bëhet sidomos me femijët e vegjël, pleqtë, gratë shtatzana, të gjymtuemit, etj. Po më vjen në mend Visar Zhiti me poezitë e burgut që nuk e di a i ka shkruar në burg apo në vitet e para pas burgut por janë ndjesitë e atyre vuajtjeve që i ka përjetuar vetë, një poezi e Frederik Reshpjes “Të dëbuemit” apo romani “Prishtina” i Mehmet Krajës. Më duket se me këtë përmbledhje me poezi të Donika Dabishevcit hapet një sipar për të gjithë ata shkrimtarë e artistë për ta parë më thellë luftën e Kosovës, për të depërtuar në ndjesitë e asaj kohe, për të sjellë karaktere e personazhe jo sipërfaqësore por që do të mbahen mend gjatë. Sa më shumë kohë, të kalojë, aq më të vështirë do ta kenë. Fantazia punon gjithmonë po varet sa do të ngjizë!
    Duket se ka funksionuar edhe kuadri letrar i kësaj panorame të tmerrshme, një gegnishte e butë, e kuptueshme me një leksik të admirueshëm, një stil tërheqës me enumeracione, reticensa, aliteracione, similituda, etj. Përmbledhja duket si një poemë që shpalohet gradualisht duke rrokur motive të ndryshme që i përbashkon motivi qendror apo si një roman në vargje. Natyshëm se nga lufta dalin motive të pafundme ashtu siç ka vuajtje dhe mundime të pafundme por ky është një fillim i bukur për ruajtjen e kujtesës. Ajo që thotë populli “mos na raftë me e harrue” duket se i shkon kësaj përpjekje të suksesshme të autores. Pra ta njohim më mirë, me të gjitha aspektet dhe t’úa tregojmë të rinjve, pasardhësve, që të shmanget sa mundet e keqja në të ardhmen ose edhe përsëritja e saj. Dhe kur kjo arrihet në letërsi, mesazhi përcillet më bukur, bëhet më i kuptueshëm, më i ndjeshëm, më i afrueshëm, më i qartë dhe më i dukshëm.

    Edhe diçka tjetër. Nga leximi kuptohet se autorja shkruan për luftën e Kosovës por nga ana tjetër është e qartë se synon universalen. Nuk ka patetizëm në këto poezi, nuk ka heronj të fryrë të medias e propagandës por heronj të heshtur që vuajnë dhe synojnë mbi të gjitha me shpëtue jetën se ajo është gjëja më e shtrenjtë. Pra poezitë mund të merren sikur janë shkruar në çdo vend të botës ku ka luftë, përfshirë aktualisht në Ukrainë, Gaza e kudoqoftë. Kjo është thjesht një ese imja nga leximi i kësaj përmbledhje me poezi por e ndjeva si obligim të shkruaja pas asaj që përjetova nga leximi i këtij libri, si një mbamnendje edhe në rastet kur themi “kija inatin por jepi hakun” për diçka të realizuar bukur.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË