More
    KreuLetërsiBibliotekë"Ariu i vogël", tregim nga Aleko Likaj

    “Ariu i vogël”, tregim nga Aleko Likaj

    Kështu ishte Sif Jani i Shpatit. Një goxha burrë i mbushur dhe i gjatë, me pëllëmbë sa të një putre ariu të rritur, dhe me një fytyrë që rrezatonte mirësi e qetësi.

    Ky Sifi na jetonte në një masiv turistik afër Elbasanit. Pas shtëpisë së tij fillonte një pyll i madh me dru halorë. Kishte aty edhe lisa e disa dushqe të vjetër që varreshin më poshtë tek ajo faqe mali, dhe që i jepnin më shumë hijeshi gjithë zonës deri aty ku fillonte të frymonte qyteti. Sifi kishte vetëm një nip e një mbesë me të vogël. Së bashku me Marien, gjyshen e tyre, kujdesej për ta si një prind i vërtetë. I biri, Veniamini, ishte refugjat në Itali që prej disa vitesh. Kishte bërë dokumentet për bashkim familjar dhe priste dita-ditës lejen nga ambasada. Por jetesa ishte vështirësuar. Të gjithë jetonin me të ardhurat që vinin nga përtej detit. Toka e mbjellë rreth shtëpisë bënte pak zarzavate e prodhime stine. Kohën tjetër Sifi e kalonte në pyll. Atë e njihte mirë. I dinte çdo dhëmbë e dhëmballë. Shkonte për gjueti me të cilën siguronte pak mish kafshësh të egra. Po shtëpia nuk mbahej me ato.

    Bëheshin pesë frymë.

     Një ditë prej ditësh mori me vete edhe Stefanin. Nipi i lutej vazhdimisht, por Sifi e konsideronte këtë «punë me rrezik». Bëri si bëri dhe nuk ia prishi atij. U nisën gjysh e nip herët. Ai me armë gjahu në krah dhe i vogli me një shkop në dorë. Ecën nëpër monopate. Bora kish ditë që kish shkrirë e bardhësia i mungonte këtij peisazhi. Pastaj ngjitu në një kodër e zbrit në një lirishtë. Kështu bënë deri afër drekës.

    Ishin përballë një shkëmbi. As njëqind metra larg. Sifi bëri me shenjë që të ndalonin.

     – Është me rrezik, – tha Sifi ngadalë për nipin nëntëvjeçar. – Atje tej, në shpellën që duket nga këtu, jeton një arushë me këlyshin e saj. Ai është shumë i vogël. Ka ardhur në jetë vetëm dy javë më parë. Mezi lëviz. E ëma del për ushqim këtu rrotull dhe kthehet shpejt. I jep që të pijë. Pastaj del sërish. Kështu bën derisa vjen nata.

     – Gjysh, a nuk e marrim në shtëpi që edhe ta rrisim? – pyeti krejt papritur vogëlushi. Sifi e pa drejt e në sy nipin. Nuk dha përgjigje. Hodhi hapin e zbriti më poshtë duke rregulluar armën në sup. – Të lutem, gjysh, ma plotëso këtë dëshirë.

    Sif Jani qëndroi përsëri dhe përsëri e pa drejt e në sy Stefanin.

     – Është me rrezik, o nipçe. Arusha na shqyen që të dy. Bishë. Nuk mund që t’ia marrësh këlyshin asaj. Ajo duhet të jetë këtej rrotull. Ne duhet të lëvizim tani, nëse nuk duam që të përballemi me atë.

     Nipi uli sytë. Zbriti edhe ai duke hedhur me kujdes hapat e vegjël.

     Sifi e kapi për dore dhe nxituan derisa u futën në një lirishtë, që ngrihej përtej një kodrine të butë. Në shtëpi u kthyen pasdite vonë. Për ariun dhe arushin e vogël nuk u fol më. Stefani rrinte dhe ndihmonte nënën, me tri dhi e një grusht delesh që mbanin në vathë, aty në fund të shtëpisë. I kishin për qumësht dhe për të bërë pak djathë, gjalpë e kos. Sifi ishte gjithmonë mysafir i pyllit.

     Dhjetë ditë më vonë Stefani kishte ditëlindjen. U duk se të gjithë e kishin harruar. Atë të shtunë në mëngjes, gjyshi tha se po zbriste në qytet. Fani mendoi: «Ah, sikur të më binte ndonjë dhuratë!» Kishte marrë delet e dhitë dhe kishte zbritur në Fushëkuqe. Kështu quhej ai vend poshtë qytezës atje në male. Aty vinin edhe moshatarë të tjerë. Ishte fundjave, dhe fëmijët rrëmbeheshin edhe pas ndonjë topi. Në mbrëmje djali i vogël e mblodhi bagëtinë dhe e futi në vathën e tij. Ndërsa mbylli lesën, përpara iu shfaq një arush shumë i vogël që mezi e mbanin këmbët.

     Në një çast qëndroi. Nuk mund t’u besonte syve. Pastaj… pastaj e mori në duar. Kafsha e gjorë dridhej. Dukej se kishte ftohtë. Lëvizte turirin e vogël me sytë gjysmë të mbyllur në gjoksin e djalit.

     Te dera e shtëpisë u shfaq Sifi.

     – Gjysh, gjysh, – klithi Fani dhe vrapoi me arushin e vogël në duar.

     E ngriti pak lart sikur donte që t’ia tregonte.

     Ndjehej tepër i lumtur

     – Është dhuratë, – tha Sif Jani. – E bleva në qytet.

     Por Fani nuk u zuri besë fjalëve të gjyshit. Ai e kuptoi se ky arush ishte marrë në strofullën e arushës, atje përtej pyllit. «Gjyshi ka rrezikuar. Këtë e ka bërë për mua».

     Asnjëherë nuk e pyeti më që prej asaj dite se,si e kishte marrë arushin e vogël. Por edhe Sifi nuk shkeli më në pyll. As që u largua edhe nga shtëpia. Menjëherë kafshës së vogël iu afrua qumësht, madje edhe një biberon fëmijësh që kishte mbetur prej vitesh, kur ishte e vogël Saveta. Pas një muaji, vetë Stefani përgatiste përshesh me qumësht në një pjatë të thellë dhe ia vinte përpara arushit. Në fillim ky i bëri disa naze, por pastaj e lëpinte shpejt e shpejt, duke mos lënë asgjë aty. Atëherë Fani i jepte për të dytën herë dhe përsëri… deri sa ngopej. Në muajin e katërt arushi hodhi trup e u bë si i shtëpisë. Një gjuetar, mik i Sif Janit, që kaloi natën aty, tregoi se arrusha nënë ka vuajtur shumë. E ka kërkuar krijesën e saj kudo. Në pyll vetëm britmat e saj dëgjoje. Të këpuste shpirtin. E thërriste fëmijën e saj, ashtu siç bëjnë nënat tona. Kërkonte gjurmët, por Sifi si gjuetar i vjetër, i kish humbur ato. Duhet të këtë kaluar ujëra, përpara se ta sillte në shtëpi. Veçse aty humbasin ato.

     Stefani nuk e harroi këtë. Madje edhe në ëndërr i shfaqej arrusha nënë, ndërsa krijesa e saj rritej çdo ditë… Ishte bërë si një mik e shok i mirë për të vegjëlit e asaj shtëpie, por edhe për më të mëdhenjtë. Gjithë ditën sillej nëpër shtëpi e luante brenda oborrit. Kjo lloj «lumturie» nuk do të zgjaste shumë. Nga Italia sapo erdhën edhe dokumentet e bashkimit familjar. Ambasada italiane lajmëronte se duhej të paraqiteshin atje për të marrë edhe vizat, të gjithë familjarisht.

     Po me arushin çdo të bëhej?

     – E kërkon një miku im poshtë në qytet, – tha një natë Sif Jani.

     Atë mbrëmje nuk foli më njeri për arushin e vogël. Fani vuri hall. Mendjen tek arushi e kishte. Nuk hëngri as drekë e as darkë. Ashtu ra për të fjetur. Por gjumi nuk e zuri deri në agim. Rrotullohej nëpër shtrat. Sifi e shikonte, por nuk i fliste. E kuptonte se nipi po vuante. Fëmija duhej të merrte një vendim. I përkiste atij, sepse djali e kishte kërkuar arushin. Ishte kujdesur për atë si për vëllanë më të vogël.

     Kaloi dhe ajo ditë, kaloi dhe një tjetër. Tashmë në Tiranë ishte marrë edhe viza në ambasadën italiane, madje ishte planifikuar edhe orari i tragetit që do t’i çonte drejt e në Ankona. Aty afër punonte edhe babai i Fanit, Veniamini, në Rimini. Vogëlushi ende nuk kishte vendosur se ç’do të bëhej me arushin. Sifi ishte bërë vuv. Mirë që do t’i ikte nipi, nusja dhe vajza e vogël, por edhe arushi do t’i mungonte këtë herë. Ishin mësuar që të gjithë në shtëpi me kafshën e pyllit.

     – Gjysh, – tha Fani në mbrëmje, – po sikur ta lëmë të lirë? Të shkojë tek nëna e tij. Më duket se ne kemi bërë gabim që e morëm prej saj. Këtu ai i ka pasur gjithë të mirat dhe ne kemi menduar se nuk i ka munguar asgjë, por nënën nuk ia kemi zëvendësuar.

     Sif Jani, i heshtur, i vendosi nipit pëllëmbën mbi kaçurrelat e zeza.

     – Po…. e kemi ndarë. Mbase nuk duhet të bënim kështu…

     Në mbrëmje erdhi përsëri gjuetari si mysafir.

     – Kam gjetur një treg për arushin tuaj. Janë një grup ciganësh atje poshtë buzë qytetit, në Elbasan dhe më thanë se e blejnë sa të kërkosh ti. Kjo është mirë për ju, se edhe hiqni shpenzimet e biletave për në Itali, por edhe ndonjë lek për pleqtë tepron, – iu drejtua Sifit miku.

     – Jo! – bërtiti Fani që ishte aty pranë. – Edhe sikur të mos shkonim në Itali, ne duhet që ta kthejmë arushin te nëna e tij.

     Sifi e mori djalin në kraharor dhe e shtrëngoi duke ia puthur këtë herë kaçurelat. I vogli ndjeu që ishte penduar. Iu duk se kishte ndërhyrë pa të drejtë në jetën e kafshës së vogël të pyllit.

     Të nesërmen, gjysh e nip morën arushin e u futën në pyll. Nuk ishin afruar as edhe në qendër të masivit të blertë, kur përpara u shfaq nëna arushë. E kishte ndier erën e krijesës së saj që shumë larg dhe kishte dalë përpara. Ishin përballë. Arusha lëshoi një britmë gëzimi e u ngrit në këmbë. U duk se ishte dy metra e lartë. Hapi gojën si një shpellë e vërtetë, dhe hungëriu.

     – Mos lëviz! – i tha Sifi të nipit dhe u përkul që të zgjidhte arushin e vogël, i cili ende nuk po reagonte.

     Nuk e mendonin se do të dilte përpara kaq shpejt arusha e pyllit. Po ajo tani priste vetëm disa hapa përpara tyre, duke mos ia ndarë sytë vogëlushit të saj. I dërgonte mesazhe mikluese, por ai në indiferencë të plotë, edhe pse i lirë, tashmë nuk bënte përpara. Në një moment u ngatërrua në këmbët e Fanit sikur kërkonte përkëdheljen e fundit nga ai. Kur u duk se po mungonte kjo, ngriti putrat e vogla dhe i vendosi në gjoksin e tij. Mbështeti kokën e madhe në kraharor e pastaj lëshoi një klithmë të butë. Fani dalloi lot në sytë e kafshës, por nuk guxoi që ta përkëdhelte mikun e tij. Atje tej priste nëna arushë. Dukej sikur i lutej që të kthehej sa më parë në gjirin e saj. Vogëlushi pastaj hoqi putrat nga kraharori i Fanit e zbriti poshtë. Tundi kokën në një çast dhe u nis për te nëna e tij.

     Rrugës së kthimit për në shtëpi Fani u ndje keq. I hipi një ngashërim fëmije përpara lesës së oborrit. Pastaj u ul aty e qau me dënesë. Gjyshja dhe nëna e tij nxituan që t’i dilnin përpara. Ishin të merakosura. Por Sif Jani ua bëri me shenjë që të qëndronin aty

     – Ai ka nevojë për këtë moment, – tha plaku, ndërsa hoqi këpucët qetësisht dhe u fut brenda në shtëpi, si një njeri që i ka kryer të gjitha detyrat e ditës.

     Pas supit, nga qielli i rimtë, filluan të pikojnë pikat e para të shiut.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË