More
    KreuLetërsiBibliotekë"Mallkimi i Malit të Harresës", tregim nga Xheni Shehaj

    “Mallkimi i Malit të Harresës”, tregim nga Xheni Shehaj

    Nuk kisha shkelur kurrë më parë në Malin e Harresës. Legjenda thotë se kushdo që shkel në të harron kush është. Manastiri ku bujtja prej gati një jave nuk ishte shumë larg Malit. Murgeshat më shoqëronin thuajse në çdo hap. Në mensë, bibliotekë, kopësht, faltore. Mëngjesi më gjeti në bibliotekë tek shfletoja një dorëshkrim tejet interesant. E përhumbur në lexim nuk e ndjeva vajzën që rrinte pas meje. Vetëm kur lëshoi frymën mbi flokët e mia ia ndjeva praninë. Ktheva kokën dhe pashë një bukuroshe dhe në çast mendova (Zoti më ndjeftë) se ishte mëkat që ish veshur murgeshë.

    Quhej Dina dhe ishte 20 vjeç. Më ftoi të bënim një shëtitje dhe s’do mend që pranova. Mëngjesi ishte i qetë, dielli shndrinte dhe ajri ishte i pastër. Dina dhe unë morëm udhën mes kopshtit. Sapo u futëm pak më thellë në kopshtin e manastirit, Dina më kapi dorën dhe duke m’i ngulur sytë më pyeti:

    – Ke dëshirë të shkosh në Malin e Harresës?

    Diçka kisha dëgjuar për legjendën e atij Mali por nuk i kisha kushtuar shumë rëndësi ndaj për t’u informuar më tepër e pyeta:

    – Nuk di çfarë të them. Më trego diçka më shumë. Si është historia e tij?

    Dina nënqeshi.

    – Shiko, ty të pëlqen vetja? Domethënë, je rehat me veten, apo dëshiron të harrosh se kush je.

    – Epo, mua më pëlqen deri diku. Ka raste që dua të zhdukem, të tjera herë ndihem e humbur, e të tjera herë akoma fatkeqe. Por në thelb, po, më pëlqen vetja. Nuk ndihem gjithmonë mirë me të por më pëlqen.

    Dina sikur e humbi disi. Largoi sytë dhe tha:

    – Mendoja se nuk ndiheshe rehat me veten. Paskam gabuar.

    – Ç’të bën të mendosh kështu?

    – Po ja, kur mësova se një shkrimtare do vinte për disa kohë në manastir u gëzova. Ju shkrimtarët jeni të veçantë, jeni ndryshe. Aty gëzoni, aty pezmatoheni, çirreni, qani e triumfoni. Ndaj mendova se ndoshta do të dëshiroje të harroje se kush ishe.

    – Dhe ti mendon se duke hipur në Malin e Harresës njerëzit harrojnë se kush janë?! – e pyeta e çuditur. Dina, është një legjendë. Asgjë më shumë.

    Vajza uli kokën, por arrita t’ia shoh sytë e përlotur. E mora për krahu dhe u kthyem përmes kopshtit. Në korridorin e gjatë teksa bëhesha gati të merrja drejtimin e bibliotekës iu afrova dhe i pëshpërita:

    – Sonte në darkë eja tek dhoma ime.

    Habia në fytyrën e saj më bëri për të qeshur.

    Kur ora ra 22:00 në derën e dhomës sime (ndryshe nga qelat e manastirit, unë bujtja në një dhomë të rehatshme, të cilën murgeshat e përdornin vetëm për miqtë) u dëgjua një trokitje e lehtë. U ngrita, rrotullova çelësin dhe Dina hyri brenda aq shpejt sa më bëri çudi. U ul në cep të krevatit, kryqëzoi gishtat dhe mori një pozë si të donte të më thoshte “Ja ku jam!”.

    – Dina, – ia nisa – përsa i përket Malin të Harresës, unë të besoj. Që kur e kam dëgjuar për herë të parë legjendën për Malin e kam besuar. Dhe po, në të vërtetë do të doja shumë të ngjitesha në majë, të harroja veten. Nuk e di nëse ndodh vërtet të harrosh veten duke ngjitur Malin po unë dua ta provoj.

    Fjalët e mia duket se goditën në shenjë. Dina ishte ngritur dhe ecejakte nëpër dhomë. Zemra i gufonte dhe arrija t’ia ndieja rrahjet. E megjithatë nuk doja që ajo të ngutej. Ishte mjaft e re për të dëshiruar harresën e vetvetes. U ula dhe me shikim i kërkova të ulej dhe ajo. U qas më pranë por nuk u ul.

    – Dina, më thuaj diçka. Përse dëshiron të harrosh veten?

    – Sepse legjenda thotë: Kush ngjit Malin e Harresës harron veten, kthehet në njeri pa kujtesë dhe fill pas kësaj rilind si dikush që dëshiron të jetë.

    – Oh, Dina, por unë nuk e dija këtë pjesë të legjendës.

    Befas ndjeva të eksitohesha vetëm duke menduar se mund të rilindja si një tjetër njeri. Dina e ndjeu rrënqethjen që më mbërtheu. Pa folur, kaloi dorën e saj mbi kofshën time dhe energjia që shkëmbyem ishte drithëruese. Më vinte ta puthja. E largova nga koka këtë mendim dhe brofa në këmbë.

    Duke u parë në sy kuptuam se kishim vendosur të ngjisnim Malin. Ajo bëri për nga dera por e ndalova duke e kapur për dore.

    – Prit! Kemi një problem që mendoj se duhet ta diskutojmë. – i thashë.

    – Ç’problem?

    – Kur të rilindim si kush do të bëhesh ti? Ke zgjedhur një model? Unë nuk e kisha menduar se nuk e dija pjesën tjetër të legjendës.

    Dina u mbështet pas derës dhe qeshi.

    – Mos mendo për rilindjen time. Mendo më mirë se në cilën do të shndërrohesh ti. Nesër pa dalë dielli nisemi drejt Malit.

    Kaq tha dhe doli. Kisha mbetur pas dere me mendjen ngarkuar plot mendime. U shtriva në shtrat, i ngula sytë tavanit dhe nisa të sillja nëpër mend gjithë shkrimtaret e mëdha. Nuk kisha dyshim që do bëhesha një prej tyre. Do të rilindja si dikush që kishte jetuar mijëra vite më parë. Do të kisha të njëjtën famë, sukses, të njëjtat sfida e probleme. Atëherë më duhej të zgjidhja me kujdes. Të gjeja dikë që kishte kaluar pak probleme e që kish patur një jetë të mirë e pa shumë telashe. Deri më tani më dilnin boll telashet e mia.

    Kalova në mendje gjithë shkrimtaret gra e në fund nxora përfundimin që secila kish pasur një jetë të vështirë. Burrat, kuptohet që nuk i zgjidhja dot. E rraskapitur nga mendimet e trazuara vendosa të flija e t’ia lija në dorë rastësisë. Nuk do ta vrisja mendjen më gjatë. U ktheva në një anë dhe mbylla sytë. Gjumi nuk vonoi të më merrte.

    Një trokitje e lehtë më zgjoi. Në prag ishte Dina. Sytë i kishin marrë një shkëlqim të frikshëm. Dukej sikur kishte ethe. U përshëndetëm dhe pa e zgjatur më tej dolëm në heshtje të plotë njëra pas tjetrës. Ajo më pëshpëriti që të mos flisnim derisa të dilnim nga manastiri. Nga porta kryesore nuk dilnim dot por Dina njihte një shteg sekret i cili të nxirrte në udhë të madhe nga ku mund të ecje në drejtim të malit. Më vonë më shpjegoi se atë shteg e kishte zbuluar teksa ruante një nga motrat e cila fuste natën në dhomë një djalë me të cilin bënte dashuri. Dina e kishte zbuluar rastësisht ngjarjen e që prej asaj dite e ndiqte me përpikmëri të fshehtën e tyre. Nuk e kishte raportuar motrën dhe as nuk i kishte thënë se e dinte sekretin, por vijonte ta ndiqte në heshtje.

    Pasi kaluam shtegun dhe dolëm nga kufiri i manastirit, morëm rrugën drejt Malit. Dielli tashmë ishte ngritur dhe na shoqëronte. Tek ecnim vendosa ta pyes vajzën për jetën e saj. Dhe ashtu kaluam një copë rrugë, ajo duke rrëfyer, unë duke dëgjuar.

    Dreka na zuri në rrugë. U ndalëm për të pushuar. Megjithatë nuk e zgjatëm shumë pushimin pasi Dina kishte ngut të madh t’i ngjitej Malit. E ndoqa pas.

    Ende pa perënduar dielli dhe ne ishim gati në majë. Prisja të kisha më shumë emocione por duket se ato ishin shterur. Ndërsa Dina, eh, Dina ishte në kulmin e eksitimit. Me fytyrë të përskuqur, sy që i xixëllonin, duar e ballin mbuluar me djersë, Dina dihaste me sytë drej majës.

    Isha disi e hutuar ndaj dhe e pyeta Dinën se si do vazhdonim.

    – Do ngjitem unë e para – ma ktheu ajo, – vepro siç bëj unë. Pasi të ngjitem, do ti vendos këmbët në ato dy pllakat që sheh. Aty nis gjithçka pastaj. Ti qëndro këtu, shih dhe bëj si unë por vetëm pasi të jem larguar nga pllakat.

    Tunda kokën dhe prita. Dina u mbush me frymë, shkundi rrobën e murgeshës dhe filloi të shkonte drejt pllakave. Pa pulitur ende sytë e pashë tek i vendoste këmbët mbi pllaka. Zemra më rrihte si e çmendur. Një dritë u lëshua në trupin e Dinës, aq shpejt sa nuk munda ta shihja nga erdhi. U plandos përtokë dhe drita u shua. Nuk mundesha ti afrohesha Dinës. Në përpjekje me veten për të vendosur t’i afrohesha apo jo, befas pashë Dinën të ngrihej. Trupi ishte i njëjti, por dukej se ajo vetë, e brendshmja e saj kishte ndryshuar. Nuk gjeja më vajzën e brishtë. Egërsia e syve, tiparet e ashpërsuara rrëfenin një tjetër njeri.

    Ajo u ngrit, eci drejt meje dhe pa më vështruar fare nisi të zbriste Malin. Ishte radha ime të ndiqja hapat e ritualit. Pak me drojë e frikë u avita drejt pllakave.

    I dhashë vetes kurajë dhe me sytë përtokë i shkela ato. E njëjta dritë më goditi dhe mua. Ndjeva trupin tek lëshohej përdhé. Drita, ndryshe nga disa çaste më parë nuk u zhduk. Qëndronte mbi mua. E ndjeja të më digjte trupin por nuk kuptoja përse nuk largohej. Mendja nuk më punonte aq sa për të kuptuar se unë nuk e kisha përfunduar procesin pasi nuk kisha zgjedhur se si cila duhej të rilindja. Por këtë e kuptova pak më vonë, kur intesiteti me të cilin digjte drita u bë i padurueshëm. Mendja u qartësua disi dhe vendosa të mendoja emrin e personit që dëshiroja të isha. Për dreq nuk kisha asnjë emër konkret ndaj dhe mërmërita:

    – Si askush.

    Kaq u desh që drita të zbuste djegien që po shkaktonte e ndërkohë që ajo tërhiqej ngadalë unë ndjeva lotët mbi faqe dhe zërin tim që vijonte të mërmëriste:

    – Nuk e di si kush dua të rilind. Nuk e di. Nuk e di.

    Kur drita ishte larguar njëherë e mirë ndjeva një lehtësim. U ngrita ngadalë e hodha sytë qark. Errësira kish mbuluar tokën. Nuk m’u desh shumë të kuptoja se nuk kisha më një trup. Nuk e kisha kryer si duhej ritualin ndaj dhe Mali më kishte mallkuar. Tashmë isha një e mallkuar pa trup, me një shpirt anonim me të cilin duhej të kaloja përjetësinë. Nuk e kisha humbur kujtesën, nuk isha dënuar me harresë por isha mallkuar me anonimitet. Isha kthyer në hije. Zbrita Malin dhe këmbët më çuan drejt manastirit. Hyra brenda pasi askush nuk më ndalonte, as që mund të më shihnin. Nuk lashë skutë pa u futur, njoha gjithë murgeshat. U futa dhe në dhomën e murgeshës që fuste natën një djalë. I gjeta në shtrat të dy, tek lëpinin organet gjenitale të njëri – tjetrit. Dola që aty dhe nxitova për tek qela e Dinës. Ishte bosh.

    Natën e kalova duke u futur sa në një qelë, në një tjetër. Pasi i vizitova të gjitha u ndala tek dhoma e miqve, aty ku kisha bujtur dhe vetë. Kur u gdhi dita dola nga dhoma dhe ndoqa murgeshat gjatë lutjeve. Ç’të shihja! Lutjet i drejtonte Dina. Por nuk ishte më Dina që kisha njohur unë. Ajo tashmë ishte një grua e madhërishme, e frikshme, e tmerrshme. Lutjet që dilnin nga goja e saj nuk ishin të ëmbla, të qeta, shpresëdhënëse. Ato ishin të mbushura me urrejtje, tmerre e gjak. Dina lutej për ardhjen e Djallit. Lutej për gjëmimet e topave, për pushtimin, për vrasjen, përdhunimin, masakrat; lutej për gjarpërinjtë e kuçedrat, dragonjtë e lugatët; Dina lutej për vdekjen.

    Dina kish zgjedhur të rilindte si një grua që e ka mbuluar terri. Dina kish zgjedhur Errësirën, Ligësinë, të Keqen. Dina kish zgjedhur Djallin. E shihja tek nxirrte fjalë të ashpra, tek mbillte dhunë e terror, tek ndizte gjakra e urrejtje dhe ndjeja neveri.

    Po unë? Unë që isha dënuar të mos rilindja. Unë që përjetësisht do të endesha si hije mes njerëzve. Mos vallë isha më mirë unë?

    Në djall!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË