More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRizah Sheqiri: August Strindberg – ndër shkrimtarët më të njohur dhe më...

    Rizah Sheqiri: August Strindberg – ndër shkrimtarët më të njohur dhe më produktivë suedezë

    August Strindberg (u lind më 22 janar 1849 në Stockholm, dhe vdiq më 14 maj  1912 poashtu në Stockholm)  është njëri nga shkrimtarët suedez më të njohur, më të përfolur, më të diskutuar  dhe më produktiv. A. Strindbergu shkroi rreth gjashtëdhjetë drama, dhjetë romane, dhjetë përmbledhje tregimesh dhe më së paku tetëmijë letra. Shumë i njohur edhe jashtë kufinjëve të Suedisë dhe njëri nga  shtatë shkrimtarët më të përkthyer suedez. Ai përveç në suedisht shkroi edhe në frangjisht e në gjermanisht. Përveç në Suedi ai një kohë të jetës e kaloi në Francë, në Zvicër, në Austri e Gjermani. Në spektrin internacional, kryesisht, është shumë  i njohur si dramaturg e deri diku edhe si romansier. Por ai përveç që njihet si dramaturg e romansier,  ai u mor edhe me arte tjera; si me pikturë, pastaj  tregoi edhe interesime të veçanta për fotografi, muzikë, etj. 

    Përveç gjithë kësaj ai padyshim është edhe një mjeshtër i madh krijimit të poezisë. Në krahasim me zhanret tjera të letërsisë ai ka shkruar relativisht pak poezi, për të gjallë të tij ai botoi vetëm tre përmbledhje poezish,  por ato ngërthejnë në vete të bukurën artistike dhe mjeshtrinë e thurjes së tyre. Megjithatë poezia e këtij krijuesi të madh, e këtij mjeshtri të shkathët të vargëzimit e të ndërtimit të poezisë, është e krijuar në forma e mënyra të ndryshme. Por, poezia e tij sikur ka mbetur e pa studiuar dhe e pa zbërthyer aq sa e meriton. Dhe kjo ka ngjarë, mendoj unë, ngase kritika i është përkushtuar më tepër studimit dhe zbërthimit  si dhe vërjes në dukje të vlerave letrare që ai ka sjellur kryesisht në  dramat dhe romanet e tij.

    Por, konsideroj unë, August Strinberg është po aqë i madh dhe i vlefshëm në letërsinë suedeze edhe si poet. Poezia e August Strindbergut padyshim është një minierë  ari që pret kritikën për ta hulumtuar, për ta zbuluar, për ta studiuar dhe për ta vënë në dritë,  që ashtu pastaj të marrë atë shkëlqimin e merituar.

    Për nder të prvjetorit të 175 – vjetorit  të lindjes së tij dhe 112 –vjetorit të vdekjes  për lexuesin shqiptar, ua solla këtu në gjuhën shqipe  njërën nga poezitë e tij ”Barnen Sjunga”( Fëmijët këndojnë), një poezi plot shpresë e gjallëri, një poezi që ka përmbajtje, që ka strukturë, që  ka ritëm të brendshëm dhe një rimë të jashtme, para së gjithash një poezi për natyrën e për njeriun në ripërtritje.  Një poezi që tek lexuesi transmeton një emocion të veçantë ringjallëje, ripërtrirje, rizgjimi,  një poezi e mbushur me ndjenjë gëzimi e ngrohtësie.


    August Strindberg

    Fëmijët këndojnë
    (Barnen sjunga)

    Mirë se erdhe përsëri o diell i uruar
    Ti që përzure erëveriun plot ftohtësi
    Mjaft ke fjetur që nga viti i shkuar
    Dhe faqekuq zgjohesh përsëri.

    Të rritet thekra tokës ngrohtësi i falë
    Fshatari t’i mbush hambaret plot
    Ngrohë gjire gryka erë dhe valë
    Të shkojmë në det e të bëjmë not.

    Mirë se erdhe përsëri diell i uruar
    Mbi tokë e ujë hedh shkëlqim
    Tash kënga jehon, violina akorduar
    Tash gjithë natën shkrihemi në vallëzim.

    Nga suedishtja shqipëroi:
    Rizah Sheqiri

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË