More
    KreuLetërsiShënime mbi libraVangjush Saro: Vangjush Ziko dhe Esmeralda Shpata, sa të ngjashëm, sa të...

    Vangjush Saro: Vangjush Ziko dhe Esmeralda Shpata, sa të ngjashëm, sa të ndryshëm!

    Paralele në krijimtarinë letrare të autorëve

    Vangjush Ziko dhe Esmeralda Shpata janë dy shkrimtarë që bien në sy për arritjet e tyre në lëmin e Letrave Shqip. Njëherësh, ata kanë spikatur edhe me qasjen bindëse në publik, duke ofruar profile që meritojnë vëmendje; jo si qëllim në vetvete, por si përvoja që përbëjnë prurje për Letërsinë dhe Kulturën në tërësi. 

    Mund të duket sikur ky shënim letrar ka nisur me një notë të lartë. Dhe mbase nuk është ai më poshtë përceptimi më i saktë e tabloja më e mirë; por më bëhet se shoh kaq shumë letrarë duke u përpëlitur sikur në një lumë të pabesë, ku vetëm stili, ngulmimi pë të qenë ndryshe, këto janë shpëtimi, trungu, dega ku ata mund të mbahen fort dhe të qëndrojnë një hop për të marrë frymë thellë e për të zbritur pastaj në ‘Tokën e premtuar’ të letrave. Mendoj se të dy, edhe Ziko edhe Shpata e duan atë, kanë bërë çmos për ta pasur, janë duke eksploruar ende; dhe shenjat flasin për mirë. Edhe pse të ngjashëm në këtë vështrim, ata janë kaq të ndryshëm nga njëri-tjetri dhe nga të tjerët; dhe kjo është arritja. (“Dy rrugë ndaheshin atij pylli, unë zgjodha atë që ish më pak e shkelur; dhe kjo bëri ndryshimin.” R. Frost)

    Ziko dhe Shpata janë të ngjashëm në mënyrën se si flasin e shprehen, çka nënkupton së pari vetëpërmbajtjen që i karakterizon dhe modestinë, që të dy e kanë me tepri. Më pëlqen dhe më duket bindëse agjenda e tyre. Janë të ngjashëm në seriozitetin ekstrem me të cilin janë qasur në letërsi; në prirjen për të përzgjedhur mirë fjalën; më në fund, të ngjashëm janë ata edhe në vëmendjen dhe mirëkuptimin ndaj kolegëve të tyre, një sjellje e rrallë kjo, që sa vjen e po humbet. Etika që ata praktikojnë në të shkruar e në replika, në shtyp e në rrjete, është një shembull për qytetarinë shqiptare dhe, në veçanti, për jetën letrare.

    Por sapo kam filluar: Ata në fakt, janë kaq të ndryshëm: në jetët, në historitë dhe në karrierat e tyre letrare, në mënyrën se si bëjnë letërsi. Vangjush Ziko ka studjuar në Rusi. Udha letrare e tij është e gjatë. Njihet së shumti si poet. Është një ndër ata që sollën risi në poezinë shqipe në vitet ‘60, bashkë me I. Kadarenë, D. Agollin, F. Arapin, Dh. Qirjazin, e më pas, J. Bllacin, etj. Ai ka shkruar disa drama, ndër të cilat më e njohura “Motra Katerinë’; ka shkruar e botuar gjithashtu prozë dhe monografi. Studimet letrare janë një nga pasuritë e veçanta të profilit të tij artistik. Më në fund, ai është një nga përkthyesit tanë më të njohur.

    Ndryshe nga Ziko, Esmeralda Shpata është e re; ajo sapo ka hyrë në letërsi. Punon dhe jeton në Gramsh, duke përballur kështu (veç të tjerave) edhe paragjykimin se provinca nuk të jep mundësi të mëdha për të shkruar dhe për t’u afirmuar. (Në fakt, edhe edhe Ziko e ka çuar shumicën e jetës në provincë, në Korçë.) Esmeralda u qas në shtypin shqiptar me disa skica, herë-herë tregime, ku binin në sy kundërshtitë e jetës, pamjet e deformuara të saj, pikëpyetjet e pafund, shfrimet e buta që vetëm një mendje e kulturuar mund t’i artikulojë. Proza e saj thuretnë një mënyrë të tillë që, gjatë leximit, lyp vëmendje të shtuar, ndoshta edhe pak fantazi.

    Motivi tjetër (madje ai i pari) që më shtyu të flas për dy autorët në fjalë, është pikërisht dallimi i dukshëm në stilin e të shkruarit, përkitazi në prozën e tyre. Nuk e fsheh që përpiqem të përzgjedh çfarë mund të lexoj a ndjek, në letërsi dhe në art, duke e parë krijimin – i çfarëdo gjinie a lloji qoftë – si një përpjekje për të vizatuar tablo ku gjenden të ribëra jeta dhe ëndrra, sfida dhe përkëdhelja, tentativa dhe arritja, eksperienca dhe shpërfillja. Jam rrekur gjithnjë të kuptoj si evoluojnë shijet dhe çfarë e vlen më shumë në atë që shfaqet përpara syve tanë.

    E ndërkaq, ndërsa lexon apo ndjek art, bezdia më cfilitëse, droja më e madhe është ngjashmëria ngjethëse në autorë të ndyshëm (!) Mund të thuhet se Ziko e Shpata e davarisin këtë frikë dhe na bëjnë të besojmë se me gjithë grumbullimet e paparashikueshme, në rrjete sidomos, mes nesh ende shfaqen e krijojnë autorë që janë lindur për këtë punë dhe që ndjekin sekush ‘yllin’ e vet. Ndërkohë që poezia e Zikos është e shumëllojshme, në motive dhe në teknika, tregimet e tij – në përshtypjen time autori anon nga Natyralizmi – e përfshijnë shpejt lexuesin, krijojnë një kontakt të menjëhershëm me të. Tregimet e tij, që frymëzohen më së shumti nga jeta në Kanada, në vështrimin tim, janë rrëfime të denja për etyde filmike. I kam përcjellë ato me dëshirë dhe nuk jam ndjerë për asnjë çast i lodhur apo i dyzuar teksa i lexoja; dhe kjo është vërtet një ‘notë’ e lartë. Tregimet, madje edhe esetë e tij, janë të mbushura me mendim, me dlirësi, me dashuri për jetën dhe njerëzit; janë të shkruara mjeshtërisht dhe pa maniera. Në to, nuk ka askund kërkime false e poza, por vetëm pamje të vërteta e meditim bindës, gjuhë të përzgjedhur dhe ëmbëlsi në komunikim e, mbi të gjitha, një thjeshtësi që është vetja e dytë e këtij autori të spikatur. (“Shkëlqimi vdes në çastin që ka lindur, e thjeshta i mbetet botës trashëgimi.” Gëte)

    “Autobuzi”, “Jehona e një kënge”, “Vetmia jonë moderne” “Kanadezja”, “Thërrmimi i Niagarës”, etj., jane të gjitha krijime të hijshme, që të trazojnë e të qetësojnë njëherësh. Në shumë nga këto proza, autori vizaton peizazhe, si te “Simfonia e rrugëve” “Meditim buzë liqenit”, etj. (Jemi gjithë në natyrën e tij poetike.) Tipari tjetër që bie në sy menjëherë, duke shpjeguar qartazi frymën poetike për të cilën u fol më lart, është prania e heroit lirik. (“Windchill”/ Vetmia e trëndafilave”, etj.)

    Temat dhe ngjarjet që sjell autori, diktojnë njëfarësoj edhe në stilin dhe qasjet e tij artistike. Ndonjëherë, në pelikulën e preokupimeve të tij, shohim edhe trishtimin. Në ese si “Gardhet”, “Hosana, internet”, etj. autorin e gjejmë pikërisht të trishtuar, madje mjaft kritik me denigrimin e dëshirës për ndryshime dhe ide të reja; apo ngase teknologjia dhe jeta virtuale e kohës, kur bëhen qëllim në vetvete, dëmtojnë mbretërinë e ndjenjave dhe të intimitetit të vërtetë, duke e deformuar njeriun, qenien si të tillë. Në krijime si “Tempulli”, ai shkruan me një qetësi e butësi të habitshme, të grish në një meditim të përmbajtur, sikur po realizon në heshtje disa vizatime, dhe ato, ashtu sikur brendia e kishës, të çojnë në njëlloj prehjeje…

    Dhe vjen krejt ndryshe proza e Shpatës. ‘Tehu’ i tregimeve të saj, ndonjëherë, është aq i hollë, sa të tremb. Ajo e shqyrton dhe e risjell gjithësinë dhe jetën e vogël në disa mënyra, nga çdo pozicion i mundshëm dhe me të gjitha mjetet e mundshme, duke i këqyrur si me mikroskop personazhet, sendet, mjediset, që pastaj i lë në pakuptimin apo mjerimin e tyre. Tablotë e paqarta, pothuaj gjithnjë në absurd, kthesat e papritura gjatë rrëfimit, përzgjedhja me kokëfortësi e fjalëve, përmbajtja në çdo rast e mërisë a dhimbjes, të gjitha këto të tërheqin, të bëjnë ta shikosh botën e vështirë dhe qeniet e ndryshme të saj edhe nën këtë dritë tjetër…  Në tregimet e saj më të mira, prozatorja Esmeralda Shpata përzgjedh gjendje delikate, ndonjëherë krejt anësore e në dukje të parëndësishme, por që ajo i ndjek me lupën e një vrojtueseje të hollë; imazhet dhe personazhet e saj shpejt humbasin, në mos mbyten a përpëliten në meditime të frikshme, për të shkuar deri në harrim. Autorja pothuaj gjithnjë ia del të mbajë zgjuar kureshtjen e lexuesit dhe shpesh e zhyt atë në mendime.

    Raportet tona me artin e sotëm janë (shpresoj të mos e teproj) të vështira. Dhe unë e pranoj: ka momente që duke lexuar atë, më duhet të ndalem pak e të meditoj njëfarësoj; e ndodh që pyes veten: Çfarë po thotë? Ku e ka fjalën? Ç’duhet të nënkuptosh me këtë skenë? Ajo lëviz kaq tinëz, bukur në të njëjtën kohë, nga absurdi te jeta reale dhe… ansjelltas. Është e paparashikueshme.

    E lashë atje, që ata të dy janë kaq të ndryshëm dhe kaq tërheqës e, më në fund, lumturisht të pranueshëm për çdo lexues; më së pari për atë që ne dikur e quanim… i kultivuar. (Kam parë disa komente kontradiktore për këtë term; doja të gjeja tjetër gjë, por s’arrita.) Ndërkaq, nuk e mohoj; ndonjëherë, mund të mos e kem kuptuar atë, Esmeraldën. Ose ndoshta më është dashur të përsëris që kjo e shkruar nuk është ajo më e pëlqyera për mua… Dhe këtu, e do puna një parantezë. Në Fakultetin Histori-Filologji, ku unë kam kryer studimet e larta në vitet 1971-75, Ismaili ynë na jepte leksione për Letërsinë e Huaj bashkëkohore, që në terma zyrtare cilësohej herë moderniste e herë dekadente. E vërteta është që deri në fillim të viteve ‘60, siç edhe përpiqem të shpjegoj në librin tim “Shqipëria në dy kohë”, falë pranisë së vendit në një botë më të gjerë, anipse të ashtuquajtur komuniste, botimet letrare nuk ishin gjëja më e qortueshme. U botuan Homeri, Eskili dhe Virgjili; mandej Dante, Shekspir, Servantes, Bokaçio e Molier; më tej Pushkini, Tolstoi, Çehovi, Balzaku e Gogoli, si dhe Dikens, Suift, Tuen, Gollsuorth, Pirandelo, Esenin, Hashek, Ekzyperi, Eluar*, etj.Në bibliotekën e fakultetit ne mund të zgjidhnim edhe autorë e libra ‘të ndaluar’ apo që kishin filluar të ndaloheshin, si “Tre shokët” i Remarkut; (le të themi, për shkak të frymës ‘disfatiste’, se… koha kërkonte të tjera qasje).

    Megjithatë, një pjesë e mirë e letërsisë botërore, veças asaj moderne, ishte krejt e panjohur për ne dhe as që mund botohej në Shqipëri; e kam fjalën për autorë si Prust, Kamy, Xhojs, Uajlld, Beket, etj. Kur na binte në dorë ndonjë libër aso, ‘i ndaluar’, nga ato që botoheshin në Kosovë, ne e kalonim dorë më dorë dhe, ndonjëherë, na duhej ta lexonim për gjithë natën. Kështu, mbaj mend, kam lexuar drama të E. Joneskos, cikle me poezi nga S. Kuazimodo, madje edhe romanin “Oh” të Anton Pashkut, etj. Është edhe për këtë arsye që, siç kam shkruar edhe herë tjetër, leksionet e Ismail Kadaresë ndiqeshin jo vetëm nga ne, studentët e tij, por edhe të interesuar të tjerë, nga fakultetet të tjera, nga institucione të tjera; kishte shumë kureshtje për to… Megjithë kufizimet dhe ‘qëndrimet kritike’ ndaj kësaj letërsie, pamja që hapej përpara nesh ishte aq e lakmuar. Në ato leksione, na u shfaq ajo pjesë e botës që na mungonte aq shumë. Shpesh, Ismaili na lexonte tregimet e shkurtra të F. Kafkës, fragmente nga drama si “Në pritje të Godosë”, etj.

    Më pas, këta autorë ‘të vështirë’ u botuan edhe në Shqipëri. Dhe nëse më parë, rrymat e prirjet letrare, gjithaq eksperimentet letrare, shikoheshin me njëlloj frike, u kuptua edhe njëherë që na kishte munguar një pjesë e mirë e kulturës dhe e guximit njerëzor në art. Që të vij prapë në realitetin tonë letrar, lexuesit dhe krijuesit shqiptarë ishin afektuar edhë më herët nga ajo letërsi, por tash u ndikuan edhe më, falë ngjërimit të saj në shqip a në gjuhë të huaja. Shumë autorë, duke filluar nga më të njohurit, përfituan nga ajo letërsi teknika ‘arogante’, por të përshtatura me natyrën njerëzore; një e shkruar që njëfarësoj rivalizonte Realizmin shumëshekullor, një term i çmuar dhe asnjëherë i vdekshëm apo i mposhtur në letra dhe art. Koha bënte apel për larmi. Ashtu si vizatimi modern përpiqet të ikë nga përmasat fikse dhe nga ‘buzëqeshja’ e tepruar e fotografisë, edhe teknikat moderne të të shkruarit rrahin të ndryshojnë ritmin e të lexuarit dhe të menduarit.

    Edhe Esmeralda Shpata, mendoj, e gjen veten përtej Realizmit.  Krahas cungimit të subjekteve – se fundja të treguarit gjerë e gjatë është sikur një video apo disa fotografi – ajo kërkon forma të shprehuri sa më të përkora e të pamërzitshme, edhe pse ndonjëherë të ngjan ngace e tekanjoze. Mënyra se si shkruan, është gjithnjë në kufijtë e pështjellimit; personazhet e saj, ndonjëherë edhe vetja e saj, sikur autorët në një poezi lirike, ‘vuajnë’ nga ato gjëra që është e vështirë të gërmëzohen; pasiguria dhe dyzimi janë të pranishme në të gjitha tregimet e saj: “Demiurgu im”, “Ema”, “Në shoqëri me pemët”, “Përulje”, “Përjashtoma ndërhyrjen”, “Në bisedat e shndritshme”, “Këpucët”, etj.

    Në fillimet e autores, ndonjëherë më linte përshtypjen se imitonte ndonjë ose disa nga autorët e Letërsisë së Absurdit. (Sigurisht, leximet kanë bërë efektin tyre.) Por pastaj, bëhej e vështirë të ndaje qasjen e saj letrare origjinale, nga performanca e një apo disa autorëve të spikatur në ato shkolla letrare (që i përmenda më sipër). Gjithsesi, nga libri i saj “Tregimet e një personazhi” kuptuam që tashmë autorja kishte filluar ta bënte të vetën atë mënyrë të shkruari. Subjektet e paplota apo fabulat e ‘ngatërruara’ dhe thurrjet në një fantazi për t’u admiruar, na bindin gjithnjë e më shumë se ajo ka gjetur këndin e vet të shikimit të dukurive, të jetëve dhe sjelljeve njerëzore. Guxon, jep e merr çuditshëm me personazhet, me gjendjet, me fjalët, duke e trajtuar gjithçka si një lojë apo si një ndeshje pa zhurmë, që e tregon duke qëndruar indiferente në pamje të parë, ndonjëherë disi më e përfshirë, por rëndom me një ironi shpërfillëse.

    Sidoqoftë, Shpata është e veçantë; në rrëfim, vjen e butë dhe e sinqertë, ndryshe nga ç’thotë mbiemrin i vet. Ajo shkruan në një mënyrë kaq të çuditshme dhe është kaq e ngjashme… me veten e vet; që do të thotë se dalëngadalë po krijon profilin e saj letrar. Në një pikëpamje, vajzat dhe gratë që shkruajnë (ashtu si ato më të njohurat, nga Safo te Ahmatova dhe Dikinson) gjithnjë e kanë sfiduar fushën, duke pozuar kundërshtimin ndaj paragjykimeve e presioneve dhe duke shfaqur një forcë të madhe shprehëse. Kështu ndodh me to edhe në letërsinë tonë, nga Elena Kadare, Mira Meksi e Natasha Lako te Luljeta Lleshanaku; nga Zhuljana Jorganxhi e Irma Kurti te Leidi Shqiponja. Shkrimtaret që vijnë nga seksi i bukur na kujtojnë që arti është vetjak dhe si i tillë nuk të jep shumë mundësi për vështrime kritike. Kur diskutohej diku për një libër dhe dikush filloi të formulonte vërejtjet e tij, me të drejtë poeti dhe skenaristi Anton Papleka u hodh e tha që këto ‘pikat e fundit të rendit të ditës’, që… kemi edhe disa vërejtje, këto janë shabllone; le ta marrim krijimin ashtu siç e sjell autori. (Natyrisht, kur fjala autor bën sens.)

    Dhe vërtet, përmendja e episodit të mësipërm më shkarkon nga prirja për të nënvizur edhe të meta apo paplotësi;(bie fjala, teprimi me terma të karakterit administrativo-juridik apo ndërprerja e pamotivuar e fillit të rrëfimit). Ani, tregimet më të mira të saj, mund të interpretohen gjithfarësoj, por nuk lënë shteg për t’i gjetur të paarira artistikisht. Shpata, sikundër edhe Ziko, të bëjnë të besosh se në aradhën e krijuesve, kaq të shtuar në këto kohë, ka asish që na kujtojnë veçanësinë.

    Në parim, të gjithë e dimë që krijimi letrar lipset të jetë i përsosur. (Kjo gjë nuk kërkohet me përdhunë, s’është orë e çast në mendjen e krijuesit, jo; ajo ngjizet vetiu.) Shkrimtari mund të bëjë kompromise për shumëçka, por kurrsesi për fjalën dhe artin. E, më duket, ashtu shkon edhe për autorët që marr në shqyrtim në këtë shënim letrar; ata kanë edhe këtë të përbashkët, që e gjeta me vend ta shtoj në fund: kurojnë me kujdes çdo subjekt, çdo fjali… Po, janë, përpiqen të jenë fjalëthurës gjer në perfeksion. Ata përfaqësojnë dy breza të ndryshëm, por njëherësh vijnë si një model ekuilibri në parime estetike dhe përkujdesjeje ndaj krijimit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË