More
    KreuIntervistaPetro Çerkezi: Pengu im ështëse ende nuk i kam dhënë lexuesit tim...

    Petro Çerkezi: Pengu im ështëse ende nuk i kam dhënë lexuesit tim shqiptar asnjë nga pesë romanet që kam botuar greqisht, në Athinë

    Bisedoi Jani Malo

    1.Kthimi im në gazetari dhe çfarë shtyu të mos e mendoj dy herë propozimin e Bujar Hudhrit për një intervistë me Petro Çerkezin: sepse jemi nga e njëjta trevë, apo sepse jam botuesi yt.

    Përgjigje: Besoj se bashkëbisedimi me një mik është kënaqësi, ose po ta integrojmë në planin profesional të intervistosh një bashkëpuntor me stazh të gjatë bashkëpunimi të suksesshëm që e njeh mirë  dhe i ke botuar disa vepra origjinale apo përkthime ka vlerë të veçantë. Ndërkohë duke qënë nga e njëjta trevë, nga Pogoni mes katër maleve me shumë histori dhe drama njerëzore e natyrëshme është që intervista të marrë brendi më të thellë, se na bashkojnë ura shpirtërore. Pastaj Jani Malo është sprovuar në profesionin e gazetarit në një organ me veçori satiriko-humoristike siç ishte revista Hosteni dhe besoj se është e nevojëshme herë pas here t’i rikthehemi gazetarisë qoftë dhe nëpërmjet intervistave. Të falenderoj që pranove propozimin e zotit Hudhri për një intervistë për gazetën prestigjoze kulturore Exlibris që në një farë mënyre ka zevendësuar gazetën DRITA.   

    2.Vendlindja, ndikimi i saj në rrugën letrare të Petros

    Kam lindur në një trevë me shtat të madh e reliev të ashpër në Pogonin malor të Epirit. Krenaria dhe dinjiteti, mirësia dhe butësia në kundërshtim me ngurtësinë e relievit, janë karakteristika natyrore të njerëzve të rajonit, të cilat padyshim nuk janë pasqyrë e peizazhit gjeopolitik. Tri janë karakteristikat e bashkëfshatarëve të mi: kanë qënë përherë qytetarë të botës, kozmopolitë do t’i përcaktoja, se kanë kaluar universitetin mundimmadh të mërgimit. E dyta ishin mendjehapur, të lapsit, të praktikës, tregëtisë dhe e treta, megjithëse rronin në vende të varfëra, ku ha pula strrall, siç thonë, nuk e braktisën kurrë këngën dhe gëzimet e jetës. Emigrimin e parë banorët e fshatit tim e kanë përjetuar rreth viteve 1635 – 1665 të kërcënuar nga invazioni turk. Pjesa më e madhe e fshatit ngarkoi kuajt, i mbathi me thasë kashte që mos dëgjohej troku dhe iku fshehurazi natën. Në fshat mbetën vetën dhjetë familje, ato që s’kishin mundësi të largoheshin se kishin të sëmurë, apo ishin pleq. Rruga i nxori në Rumani pranë Bukureshtit, ku themeluan komunitetin me emrin Poliani, që vazhdoi për 300 e më shumë vjet të mbante lidhje e të dërgonte ndihma për fshatin që lanë në Epir për të mbajtur me rrogë mësuesin, priftin, apo për të bërë bamirësira. Nga ky komunitet, i cili me punë dhe tregëti u pasurua dhe u begatua dolën njerëz të shquar që u bënë vojvodë dhe aritën deri në poste ministrale në qeveritë Rumune. Në të njëjtën periudhë kemi dhe një figurë të madhe emblematike peshkopin e Drinupolit dhe Gjirokastrës i cili braktisi fronin e e peshkopatës dhe u shigurua murg në Manastirin e Shën Thanasit në Poliçan, ku në 1671 themeloi shkollë, bibliotekë dhe me veprimtarinë  e tij shpëtoi krahinat e Pogonit, Zagorisë dhe Rrëzës nga muslimanizimi, madje duke organizuar  dhe çeta të armatëosura.  Eshtrat e tij ruhen në kishën e fshatit dhe shënjt çudibërës i çonin shpesh në shtëpi të të sëmurëve. Nga fundi i shekullit të 19-të dhe fillimi i shekullit të 20-të filloi emigrimi masiv në pesë kontinentet në Amerikë, në Stamboll, Rumani, Odesë, Misir, Rusi, Francë e gjetkë. Veçoria e këtij emigrimi ishte se emigrantët ktheheshin një herë në katër vjet në panairet dhe festat e mëdha të Qefallohorit (kryefshat), të rinjtë beqarë martoheshin dhe iknin sërish. Kjo lloj marrëdhënie me botën e jashtme sillte paranë, por edhe kullturën, civilizimin në mënyrën e jetesës. Burrat që mbeteshin preferonin kurbetin e brendshëm. Nuk ka fshat të Labërisë e të Vlorës ku nuk punësoheshin polçanjotë. Gjyshi im kishte hapur një një dyqan bakalli në Bolenë të Vlorës. Për t’u ktyer në fshat njoftonin dhe bashkëfshatarët e tjerë dhe bëheshin karvan për të përballuar hajdutët, rrinin disa ditë pranë familjes, furnizoheshin dhe ktheheshin sërish në punët e tyre. Madje që të fitonin kohën e humbur nuk flinin nëpër hane, por mbaheshin pas bishtit të mushkës dhe ecnin me një sy flinin dhe me tjetrin përgjonin. Pas çlirimit shumë bashkëfshatarë u transferuan në qytete të ndryshme si në Gjirokstër, Tiranë e Vlorë. Komuniteti me madh ishte në Vlorë, një fshat i tërë, gati 130 familje. Gjatë luftës së dytë Botërore, fshati që ngjante i papushtueshëm u bë baza e Komandës së Qarkut Vlorë-Gjirokastër dhe gjatë operacioneve gjermane u dogj dhe o bombardua në mënyrë më mizore. Pa mbyllur ende plagët e luftës në vitin 1947 pati dhe një përmbytje me humbje të jashtëzakonëshme. Duke qënë një fshat me origjinë greke edhe gjatë përiudhës se diktaturës komuniste pjesa më e madhe e inteligjencës, e shkolluar në akademi të ndryshme të Greqisë u pëndoq dhe u burgos. Kështu ky fshat, kryeqëndra dhe krenaria e Pogonit që arriti të lulëzonte  në vitet 30 si një qytezë me një zhvillim unik u kthye në një gërmadhë dhimbjeje dhe lotësh.  Si thua ti, a nuk janë tema të mëdha për letërsinë këto? Shumë ngjarje dhe personazhe nga sa thashë më lart kanë zënë vend në romanet e mia, disa të shkruara dhe të botuara, të tjera në bocet.

    3.Diçka për fillimet e krijimtarisë suaj.

    Përgjigje: Studioja ime e parë poetike u bë kënga polifonike, popullore. Në mënyrë të çuditshme, fshati im, Poliçani i Pogonit, në kushtet më të vështira të varfërisë, persekutimit dhe epokave delirante, ishte një skenë e hapur që gumëzhinte gjatë gjithë kohës nga këngët polifonike të Epirit, një shartim i çuditshëm midis këngës unike greke që fqinjëronte disi me polifoninë labe. I rrënjosur në rrëzë të malit Nemerçkë fshati ngjante si një fole bilbilash. Të gjithë këndonin. Çdo shtëpi kishte këngët  e preferuara dhe bilbilat e veta. Në fëmijërinë time, im at, i cili mbante emrin e njërit prej heronjve mitikë të Iliadës, Akilit, më rrëfente si përrallë dy veprat homerike. Ndërsa për vajzën time rrëfimi ishte bërë art përralltari të vërtetë. Nëna ime deri në fund të jetës së saj me gjithë problemet shëndetësore nuk harronte të çfletoste repertorin e saj e ta digjte në tavolinë kur e sillte rasti për t›u mbledhur për ngjarje të gëzueshme familjare. Kështu kënga popullore hyri në gjakun tim. Në momentet më të vështira, jo vetëm në ato të lumtura, gjithmonë pëshpëris këngë të ndryshme, duke marrë forcë dhe duke gjetur lehtësim.

    Dhjetë vjeç kur ende nuk e dija çfarë do të thotë poezi dhe letërsi, dija shumë këngë polifonike, pothuajse gjithçka që këndonin të rriturit. Kur kthehesha natën vonë nga kullota me “kopenë” time të përbërë nga nëntë qengja dhe tre kecë, shpërtheja në këngë, nën një hënë të madhe si sini të kalaisur. Kënga ime jehonte nëpër hone e lugina dhe më kthehej sërish, ndaj gjithmonë ndjeja  se këndoja duet apo trio kur frynte era. Me të kënduar e mprehja zërin dhe trembja frikën, sepse gjithmonë kisha shoqëri. Jo vetëm kaq, por këngët kisha nisur t’i ribëja me fjalë dhe përmbajtje të re, sepse nuk më përshtateshin ashtu siç ishin, “njerëzit që i shkruanin nuk i kishin shkruar mirë”, thoshte mendja ime naive. Shumë herë më kujtohen vargje të asaj kohe dhe qesh me guximin e çmendur të fëmijërisë. Shembull nga një këngë e bukur: “Vendosa të vij një natë/ dhe filloi të bjerë shi/ i lutesha perëndisë/ të të gjej në vetmi…” Dhe ristrukturimi im: “Pse të vij natën me shi/ kur do të shoh në mëngjes/ dhe do më sjellësh në klasë/ trandafil të kuq me vesë”. Kur u larguam nga fshati dhe u vendosëm në qytetin e Gjirokastrës, adoleshent tashme, kuptova që kisha një dhunti, të thurja vargje. Dy poetë të mëdhenj hynë në jetën time, i paimitueshmi Jani Ricos që më mësoi thellësinë e mendimit, dhe figurën dimensionale, shpirtin dhe simbolikën njerëzore dhe poeti i madh rus Sergei Jesenin që më mësoi lirizmin, ëmbëlsinë dhe bukurinë e vargut. Dhe poetë të tjerë i lexoja me pasion dhe i përpija marrëzisht.

    4.Në sa faza do e ndaje rrugën krijuese

    Përgjigje: Një pyetje e tillë të vë në mendim dhe të detyron të kthesh kokën pas. Besoj se nuk ka asnjë dyshim  se shumë prej krijuesve që jetuan dhe krijuan nën diktaturë do e veçonin periudhën deri në vitin 90-të dhe periudhën postkomuniste, periudha e një fillimi të ri, e lirisë së mendimit dhe e demokracisë. Realizmi socialist ishte një kostum i ngushtë dhe demode që pjesën më të madhe të krijuesve i ngushtonte, gati e mbyste. Lapsi i çensorit ishte kamë e mprehtë që i ngulej në zemër poetit. Shumë krijues kanë paguar haraç të madh, në dëm të cilësisë, të tematikës dhe të vlerave të vërteta leterare. Ndonjëherë kur çfletos vëllimet e atëherëshme poetike dhe ato të pabotuara në arkivin personal, ndjej një keqardhje dhe rëndesë në shpirt. Dëshira e zjarrtë për të botuar një libër poetik binte ndesh me pedantizmin ekstrem të redaktorit që të shfaqej i armatosur si legjionar romak dhe i ndihmuar nga reçencat e thata e rutinore që i jepnin dorë redaktorit të bëhej bashkëkrijues banal e vandal në librin tënd. Kështu çensura dhe kallëpet e ngushta të dogmës binin si shpatë mbi poezitë më të mira dhe mbateshin ato pa “klorofil”. O do ta mirrje librin nën sqetull e do ikje, o do t’i nënështroheshe çensurës dhe sugjerimeve pa ide, thjeshtë për të botuar. Kështu vritej, mekej e shuhej dëshira për të botuar një libër poetik.  Në 1969 kur isha në vitin e fundit të universitetit paraqita për botim në shtëpinë botuese Naim Frashëri një vëllim poetik me poezi lirike, rinore me titull “Statuja pa piedestale”, me katër cikle:

    “Statujat e detit”, “Trandafila dhe lotë”, “Mjalt i hidhur”, “Apoteozë bjonde”.

    Librin ma kthyen me një kritikë tepër të ashpër, shkatërruese me konkluzion “poezia është arti i madh i klasës puntore dhe nuk është lajle-lule, poezitë tuaja janë të zbehta, pa mish e kockë, me mjaft zhgaravina mbi libër, me nënëshkrimin “e dobët, nuk bën, e dobët pa subjekt, figura abstrakte, metafora të shkalafytura” etj. E zhubrosa librin dhe e hodha në kosh me vendimin të mos shkruaj më. Në vitin 83 kisha nisur një roman. Sapo kishte lindur im bir dhe unë me një makinë të vjetër shkrimi Remington, që kish sjellë im vëlla nga Mirdita ku punonte si mësues e mbaja në gjunjë dhe shkruaja. Shkruaja dhe çak-çuku i makinës së shkrimit sikur e qetësonte tim bir. Kur niste e qante unë nisja sërish çak-çukun loja e ankthit tim të krijimit dhe loja e argëtimit të foshnjes dëgjoheshin në shtëpi edhe kur nuk kisha ç’të shkruaja. Në fund të 84 e çova romanin në shtpinë botuese. Ma kthyen me reçensa të hallakatura pa e kuptuar se ku zhvilloheshin ngjarjet, njera i vendoste në Myzeqe dhe tjetra në Korçë. I mora parasysh disa vrejtje të redaktorit dhe e ripunova. E çova sërish dhe ma rikthyen. Duke mposhtur zemërimin e ripashë dhe e çova për të tretën herë. Ja thashë gjithë ngjarjen Ismailit se ja kisha treguar bocetin e romanit para se ta shkruaja. Mos u mërzit tha, do të shkoj ta marr unë nesër për reçensë. E mori dhe shkroi një reçencë që e shpëtoi romanin. Ndër to nënvizonte:

    “Rrëfimi i P. Çerkezit është një roman shumëplanësh me temën e tokës, të antagonizmit të përjetshëm të fshatarëve me pronarët e tokave, çifligarët. Secili ka pjesën e vet të fajit, vuajtjes, hidhërimit dhe fatit. Në këtë betejë Prometejane sërish taksa e gjakut është e rëndë.

    Tema e tokës është lëruar nga shumë shkrimtarë, është shumë joshëse dhe mund të të çojë në shumë kurthe. Sidoqoftë, Çerkezi sjell grurin e vet, miellin e vet, gatuan brumin e tij dhe na ofron bukën e tij të avulluar nga një tokë pjellore me mite dhe histori, duke ndërthurur elementët tragjikë me përditshmërinë. Çerkezi në këtë vepër sjell një tablo shoqërore me ngjyra të ndezura, luginën e gjerë të Drinos, lëruar nga parmenda deri në rrënjët e saj më të thella, duke dhënë personazhe dhe peizazhe të epokës së konflikteve të mëdha…

    Heronjtë kanë një erë trimërie dhe madhështie që të kujtojnë Kazantzakin, nga një zonë e njohur e minoritetit grek siç është Dropulli. Dropulitët i njihja që në fëmijëri, ata vinin për të shitur produktet e tyre në pazarin  e Gjirokastrës. Ata dallonin nga banorët e trevave të tjera, veçanërisht gratë, të cilat dalloheshin jo vetëm nga veshja tradicionale dhe shamitë e bardha, por kryesisht për moralin dhe fisnikërinë e tyre. Burrat në shumicë punonin në mërgim, një tjetër dramë e prekur thellë nga autori…

    Miti dhe realiteti janë koncentruar dhe pasuruar realisht në tekst. Një frymëmarrje lirike me një freski që sensibilizon dhe mbush shpirtin e çdo njeriu. Një penë e suksesëshme me prozën e parë. Çerkezi edhe në prozë është poet”.

    Romani kaloi, e redaktoi Donika Omari dhe e firmosi faqe më faqe. Sorollatja vazhdoi pesë vjet dhe në vitin 89 shkova në Tiaranë me shpresën e marrë të marr kopjet e librit të botuar sipas parashikimeve që më kishin dhënë. Redaktorja më çoi te drejtori. Drejtori nuk më hidhte sytë. Vuri dorën mbi një stivë me dorëshkrime mbi tavolinë dhe tërhoqi të dytin. Siç e sheh është gati tha, por mjerisht kombinati plografik nuk punon. Nuk e di si u mbajta dhe nuk u rrokullisa në dysheme. Ndoshta isha zverdhur, duart më dridheshin, isha mbytur në djersë. Mos u mërzit, tha, ndodhin këto s’kemi ç’të bëjmë. Unë mendoj ta marrësh se nuk dihet ç’ndodh. Le të shpresojmë se do vinë kohë më të mira. Duke u kthyer me autobuz në Gjirokastër mbaja në gjunjë romanin e më rëndonte sikur të mbaja një të vdekur. Kanë kaluar 40 vjet. Ka moshën e tim biri, nuk e preka kurrë më me dorë atë letër të zverdhur e të firmusur në çdo faqe. Kështu na i vrau shumë dashuri ajo kohë e mallkuar. Franc Kafka thotë si t’i thyesh prangat që nuk i sheh. Autoçensura, ato privime absurde  na ndoqën për një kohë të gjatë. Padyshim faza e dytë, ajo pas 90-tës është faza e krijimtarisë sime të vërtetë e me vlerë, të lirë, të pacunguar e të padiskutueshme.

    5.Duke marrë shkas nga detaji për Ismail kadarenë, mund të na flisni për miqësinë me të.

    Përgjigje: Takimi i parë me shkrimtarin gjenial të letrave shqipe ka ndodhur në prill ose maj 1965. Maturant atëherë në liceun “Asim Zeneli” në Gjirokastër isha kryetari i rrethit letrar të shkollës dhe sapo kisha publikuar ciklet e para në gazetën “Zëri i Rinisë”. Kishim ftuar tre-katër shkrimtarë për takime. Kishim bërë biseda me Zihni Sakon, Qamil Buxhelin, Dritëro Agollin dhe i katërti ishte Kadareja, i cili në atë periudhë kishte një bagazh të madh botimesh në poezi “Frymëzimet djaloshare” 1954, “Ëndërrimet” 1957, “Shekulli im” 1961, “Përse mendohen këto male” 1964. Dy vëllimet e fundit ne rinia e atëherëshme të etur për poezinë i kishim përpirë dhe një pjesë të madhe të poezive i dinim përmendësh. Por takimi do të zhvillohej për romanin “Gjenerali i Ushtrisë së vdekur” që kishte bërë shumë bujë dhe e kishin mbështjellë Kadarenë me një mantel magjie tek ne të rinjtë që e shihnim si profet, por dhe me një mjegull dyshimi për arsye të kritikave dogmatike e tendecioze që i ishin bërë, duke pasur parasysh dhe vepra të ndaluara si “Përbindshi”. Në takim morën pjesë përveç rrethit letrar që ishte zgjeruar mjaft edhe nxënës të tjerë. Unë fola gjatë për romanin. Në fillim kisha shumë emocione, por kur hodha sytë të shkrimtari i cili më buzëqeshi e më tundi kokën mora zemër. Pati shumë pyetje në lidhje me kritikat që i ishin bërë. Ju përgjegj duke bërë analizë të thellë për letërsinë realiste. Ndërsa për recensionin tim tha: Ky djalë bëri një recensë dinjitoze, më të mirë se gjithë kritika jonë e çoroditur. Me siguri do vazhdosh universitetin për letërsi, më tha kur u ndamë. Kur të vish në Tiranë të vish të më takosh.

    6.Ishte letrare vetëm apo diçka përtej saj kjo miqësi.

    Përgjigje: Kadare “u përpoq të shkruante letërsi normale në një vend jo normal”, siç pohon vetë. Shkrimtarë si Kadare, Agolli, Arapi të brumosur me letërsinë perendimore u ndërgjegjësuan herët se s’mund t’ua linin letërsinë jeniçerëve, bajlozëve butaforikë me koncepte arkaikë të një letërsie bukolike e me mentalitet primitiv. Kështjella e letërsisë duhej pushtuar nga të gjithë dhe sidomos nga brezi i ri. Në katër vjet të jetës studentore takohesha shpesh me Kadarenë. Ne ishim një grup të rinjsh të apasionuar pas letërsisë. Siç tha dhe zoti Bujar në takimin tonë në kafe Juvenilja më 9 prill “këta ishin njerëzit e tu më të afërt që të donim me shpirt”. Kadareja tund kokën dhe buzëqesh. Është e vërtetë pëshpërit.  Ne shihnim tek ai magun e letërsisë së vërtetë, mbështetësin e zjarrtë në rrugën tonë dhe mbrojtësin e padiskutueshëm. Në shumë raste e plenume ishte ai që mirrte batarete goditëse mbi vete për të na mbrojtur ne. Për mua shtëpia kadarejane ishte tempulli më i ndritur letrar, Delfi ynë. Fjala e tij ishte etalon. Për të thoshin se ishte i vështirë në komunikim, unë nuk e kam ndjerë kurrë një gjë të tillë. Me mua, Thanas Dinon, Moikom Zeqon e mjaft të tjerë ka qënë i afërt dhe i komunikueshëm. Nuk na paragjykoi kurrë për prejardhjen tonë greke. Sa herë shkoja me shërbim në Tiranë, apo për të ndjekur ecurinë e ndonjë libri në shtëpinë botuese Naim Frashëri puna e parë që do të bëja ishte takimi me Kadarenë. Herë takoja Helenën që punonte në shtpinë botuese 8 Nëntori, apo  do t’i telefonoja Iamailit, e do takoheshim të pinim kafe, do ta takoja në gazetën “Drita”, do trokisja në derën e shtëpisë së vjetër tek Mapot, apo në tjetrën te Rruga e Dibrës. Dhe isha gjithmonë i mirëpritur prej tij, bënim shëtitje në Bulevardin e Madh gjer në universitet, pyeste për ngjarjet në provincë, në Gjirokastër, për persona e ngjarje që i interesonin, pjesa me të madhe bisedave vërtitej siç ishte e natyrëshme rreth letërsisë dhe botës letrare, madje dhe letërsisë së huaj dhe temave që i interesonin.

    7.Ke ndonjë kujtim që ka lidhje me krijimtarinë e Kadaresë?

    Përgjigje: Kadareja në përgjithësi nuk dëshironte të zbulonte temat që shkruante e të diskutonte për to gjatë proçesit shkrimor. Por ne i dinim disa nga projektet e tij që kur ishin në bocet. Në një nga shërbimet e mia kur u tekuam dhe e pyeta çfarë shkruante, më tha se donte të shkruante një novelë a roman për një familje 200 vjeçare gjirokastrite, diçka mes realitetit dhe mitit. Ishte periudha që dhe unë vrapoja pas dramave dhe historive me idenë për të shkruar një roman nga minoriteti, Dropulli e Pogoni dhe i thashë ca histori për Shemo hajdutin dhe një histori për dy fshatra labe që ishin vrarë e prerë dhe vazhdonte vendeta për mushatë (kullotat) se cilit fshat i përkisnin. Përfaqësuesit e të dy fshatrave shkuan tek babai i teqesë dhe e vunë të betohej mbi tokën e sherrit se cilit fshat i takonte. Ai bëri benë e reme duke vënë baltë në shuajt e këpucëve, kështu u shua gjakmarrja. I pëlqeu shumë kjo histori. A mund ta përdor tha, më hyn në roman. Patjetër, i thashë. Dhe e përdori kaq mjeshtërisht tek romani “Breznia e Hankonatëve”. Isha nga të parët që e lexova atë vepër që në dorëshkrim. Ja fala me gjithë zemër atë fakt dramatik, se unë isha akoma i ngathët në prozë dhe nuk më hynte në veprën që përpiqesha të shkruaja.

    Në takimin tonë në datën 9 prill në drekë të pirë një kafe me Kadarenë e pyeta Ismailin si ishte Elena. Nuk është mirë, tha, është pa qejf. Jepi të falat e mia të përzemërta, i thashë duke i falur dy vëllimet e mia poetike: “Qiell barok melankolie” dhe “Ti më këshillon të blej një bilbil”. Të nesërmen Thanas Dino duke biseduar në telefon ajo i tha “mësova se erdhi Petrua. Si është? Jepi të fala! Kemi kujtime të bukura prej jush.

    8. Si mendon çfarë u ka dhnë Kadareja krijueve të brezit tuaj?

    Përgjigje: Ndërsa gjithë vendi ishte i mbyllur hermetikisht me kufi me tel me gjëmba, një burg vigan dhe gjithçka ishte e ndaluar dhe e mbytur me një eufori propagandistike anormale, me asnjë kontakt me botën e huaj kulturore, vepra e Kadaresë nuk kishte kufij, ishte e hapur si horizonti. Me poezinë e tij vizionare, farkëtoi një ngrehinë të fortë poetike, të cilës i shërbeu me qëndrueshmëri të admirueshme artistike dhe morale. Vepra e tij si poetike dhe aq më tepër në prozë është një dëshmi e vazhdueshme rezistence, në të gjitha nivelet dhe drejtimet ndaj të gjithë mekanizmave që tentonin të banalizojnë jetën dhe të zhveshin gjer në kockë njeriun anonim. Kjo e fundit është për poetin, në mënyrë të palëkundur, fokusi i synimit të tij. Poezia që na sillte Kadareja, për mua ishte një nga format më të larta të shprehjes së artit të fjalës dhe të rezistencës, në radhë të parë me mesazhe të fshehta dhe ide kundër pushtetit, emblemave të tij, idhujve të rreme, maskave dhe ritualeve të tij: me pak fjalë, kundërshtimi ndaj gjithçkaje që gjithmonë e ka mohuar njeriun në çdo manifestim dhe diferencim diktatorial. Kori i liliputeve i hipokritëve dhe ziliqarëve mediokër gjen përherë diçka për të lehur, sulmuar e denigruar, por ai tashmë është kaq lart sa nuk mund ta harrijnë. Kadareja emancipoi gjithë letërsisnë shqiptare, na emancipoi të gjithë ne. Ricosi i ri që sapo kishte botuar poezitë e para, i çoi Pallamsit, poetit kombëtar një tufë vjershash. Pallamasi i madh tha: do të mënjanohemi që të kalosh! Kadare nuk hapi vetëm rrugën e vet, por na hapi rrugën ne të gjithëve, rinovoi gjirthë botën letrare shqiptare. Padyshim nuk dua të mohoj e të minimizoj veprën e Dritëro Agollit, Fatos Arapit apo gjithë tjerëve që vinin pas, por ai u ndesh me Zeusin, ishte toreadori që u ndesh me gjithë demat e pushtetit. U plagos shumë herë, por nuk u thye. Pas kaq shumë veprash të ndaluara në diktaturë, kritikash të pafundme denigruese, askush nuk do të duronte, do të thyhej, do të ishte bërë një Xhordano Bruno, por Kadareja ishte zjarrdurues prometejan, se e bënte të tillë fuqia e artit të madh.

    Erdhi një kohë që marrëdhëniet me familjen Kadare u bënë më të ngushta, më njrëzore. Është folur shumë, madje është shpërfolur për ardhjen e çiftit Kadare në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës në vitin 1983. Përherë ka patur urdhëra nga lart për ta denigruar e shpërfyllur shkrimtarin e madh, për ta detyruar të ulë kokën. Për t’i treguar se diktatura mund të bëjë gjithçka me të. E kishin ftuar ndërkohë në festival, por e kishin caktuar të flinte në Tepelenë. Ma kishte thënë këtë kur isha në Tiranë dhe unë i premtova se kisha shtëpi të mirë e të bollëshme dhe mund të flinte sa netë të donte. Atëhere sa na kishte lindur djali, nuk ishte as dy muaj dhe patëm frikë mos i shqetësonte me të qarat natën. Shtëpinë time në Varosh e ndante përroi me shtëpinë e Kadarenjve. Isamaili me Helenën erdhën dhe i vumë të flinin në dhomën e mirë me dru pishe tavan e dysheme që u pëlqeu shumë, prindërit e mi fisnikë dhe gjithë familja i pritëm me shumë respekt. Djali qau një-dy herë natën dhe përpiqeshim ta qetësonim. Kur ime shoqe i pyeti në mëngjes se si fjetën, mos i shqëtësoi e qara e djalit, Helena tha: Nuk dëgjuam asgjë, bëmë gjumë mbretëror.  Helenës ndërkohë i pëlqeu shumë qilimi ornamental 4×4 shtruar në dhomë që nëna ime kishte punuar me dorë me lesh deveje e akrilik. Kjo është një vepër arti, për sa kohë e qëndise, pyeti Helena nënën time. “Ndoshta 6-7 muaj, tha nëna, punoja mbasditeve kur kthehesha nga puna. Vemi kaq larg te Penelopa e Homerit dhe themi “ua”  sa durim që ka patur duke thurrur qëndizmën gjithë ditën dhe nuk shohim Penelopat duararta që kemi përpara syve, të lumshin duar tha, kurse Ismaili tha: “është e natyrëshme që nga një familje fisnike si e juaja të dalë një shkrimtar dhe njerëz inteligjentë e të kulturuar”.

    9. Qipro dhe letërsia e saj

    Përgjigje: Qiproja është një vend i vogël që lufton të mbijetojë. Një ishull që gjëndet në udhëkryq mes lindjes dhe perëndimit, pranë Lindjes së Mesme, atje ku sot zhvillohet teatri më i ashpër i luftës, ku fryjnë shumë erëra të rrezikëshme interesash. Një shtet që sivjet feston 20 vjetorin e integrimit në Komunitetin Evropian. Sot Qiproja, Megalonisi (ishulli i madh) siç e karakterizojnë shpesh, dhe tema që parapëlqen çdo autor është ajo politiko-sociale për ndarjen dhe pushtimin. Tragjeditë etnike janë lumenj të vrullshëm që burojnë nga shtërngatat dhe përplasjet e mëdha dhe krijojnë erozionet historike. Magma që zien në gjirin e një shoqërie nga faktorë të brendshëm dhe të jashtëm bëhet llavë dhe shpërthen e me kalimin e kohës ngrin, bëhet hi duke lënë pas humnera, shkretëtirë dhe vdekje. Konflikte të tilla formojnë dhe gdhendin përmes ngjarjeve të mprehta,  trazimeve tronditëse dhe dallgëve të papërmbajtura armiqësie dhe urrejtjeje si me majë shpatë murale të gjëra, portretin e kohës dhe të njerëzve. Ato gryejnë ndërgjegjet dhe krijojnë trauma të  thella shoqërore dhe njerëzore që është vështirë të hidhen ura e të bashkohen. Një shembull i gjallë dhe i prekshëm është Qiproja e hedhur mbi det “si një gjethe e gjelbërt”, e puthur nga deti më i kaltër në botë,  me bukuri të rralla, por e pushtuar, e ndarë më dysh dhe me drama të mëdha politiko-shoqërore. Qiproja me një paqe të thyer e të cunguar me tela me gjemba, me ushtarë të huaj dhe trupa të OKB-së, me baza ushtarake angleze dhe e kërcënuar përherë. Në një klimë të tillë politike pushtimi dhe kërcënimi, ndërgjegja njërëzore prishet si një busull pa orientim. Padyshim një gjendje e tillë lë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në shpirtin dhe në veprat e krijuesve vendas që i përjetuan këto ngjarje dhe u ra barra të përjetësojnë këto drama etnike. Jeta, integriteti dhe kultura e ishujve si Qiproja duke u ndodhur në udhëkryq mes  mes erërave dhe synimeve të ndryshme strategjike të të fuqishmëve të botës ishte gjithmonë nën kërcënim. Pasiguria dhe rreziku vinin gjithmonë nga deti. Historiani francez Fernand Braudel shkruan për ishujt e Mesdheut: “Fati i ishujve është të jetojnë jetë të pasigurt, të kufizuar, të frikësuar. Kjo është jeta e tyre e brendshme, nëse mund ta perceptoni. Por jeta e tyre e jashtme, roli i tyre në planin e parë historik ka një gjerësi që askush nuk do ta priste nga botra të tilla të varfëra në sfond. Në të vërtetë, historia e madhe shpesh kalon nëpër ishuj. Ose më mirë, përdor ishujt”. Dhe do të shtoja këtu se krijuesit e vërtetë me veprën e tyre serioze janë pasqyra e këtij lavjersi shpirtëror, apo e këtij sismografi që edhe vibrimi më i vogël i detyron të kapin penën, jo vetëm të pasqyrojnë realitetin, por edhe të bëjnë përpjekje mitike për të hedhur ura lidhëse për të sjellë më afër bashkëkombësit e tyre për bashkim dhe vllazërim. Gjithë letërsinë qipriote e përshkojnë këto mesazhe për të gjetur një terren të përbashkët paqeje  midis dy komuniteteve.  Letërsia e Qipros është letërsia e dhimbjes, e trishtimit, e lëndimit dhe e mallit si në poezi dhe në prozë dhe ka profilin e saj pavarësisht se shkruahet në gjuhën greke.

    10. Pena si Mihalis Pjeris, Emilio Solomu, Kristos Haxhipapas e së fundi turko qiprioti Mehmet Jasin: cila është shtysa për t’u marrë me ta?

    Përgjigje: Që kur shkela këmbën në Qipro në maj 1994,  duke jetuar 200 metra larg telit me gjëmba, ndjeva menjëherë atë erën e kërcënimit që vërtitej në atmosferë, ashtu siç ndjen kërcënimin e bishës në errësirë. Me kohë kapa pulsin e shoqërisë me persona të zhdukur dhe 200 mijë refugjatë me nëna e motra tragjike që grumbulloheshin në mitingje zie me fotot e të zhdukurve në Lidra Pallas, kur bënim shëtitjen e mbrëmjes në shëtitoren kryesore Lidra, Brodueit të Nikosisë siç e quanin, këmbët ndaleshin befasisht pranë telit me gjëmba. Një rrugë e prerë në mes, Nikosia një kryeqytet i ndarë. Një qytet i vdekur, Famagusta, qyteti më i madh, perla e Mesdheut që me gjithë vendimet e peticionet e OKB-së nuk egziston dëshira e mirë të hapet, të rindërtohet e  t’u  rikthehet banorëve të ligjshëm. Prezenca e ushtarëve të OKB-së, njohja dhe kontakti me dramën njerëzore aq të gjallë e të prekëshme, shpesh më sillnin ndërmend kujtime e drama të tjera të përjetuara në Shqipërinë diktatoriale. Ajo që më ndihmoi vëçanarisht për të njohur gjeografinë fizike dhe bukuritë e Qipros ishte punësimi im në një shoqatë që shiste enciklopedi në fshatrat e ishullit. Dhe jo vetëm, por njoha dhe kompleksin shpirtëror të ishullorëve. Nga të parët krijues cilësorë që njoha ishin prozatori Kristo Haxhipapa dhe poeti Jiorgo Molesqi të vlerësuar dhe të përkthyer në mjaft gjuhë, të njohur dhe në Shqipëri. U njoha me poetin e shquar Kosta Monti, i propozuar për çmimin nobël, i cili ishte nga të parët që vlerësoi pesë vëllimet e mia poetike botuar në Qipro me një shënim entusiast. Por të parin poet që përktheva ishte Mihalis Pieris me atologjinë poetike “Metamorfozë qytetesh”, me një poezi moderne, akademik, teatrolog, njohësi dhe analisti më i mirë i veprës së Kavafit dhe Seferit, përkthyer në mbi 15 gjuhë. Pas tij vijuan vëllimi me tregime “Dashnorë nga raca armiqësore” i K. Haxhipait, një tregimtar brilant, romani: “Fluturoi shpejt si Harabel” i Emilio Solomosit i vlerësuar me çmim evropian, me romanet të përkthyer në 12 gjuhë, disa prej tyre edhe në shqip dhe së fundi antologjia poetike e Mehmet Jasinit “Engjëj hakmarrës” që sapo promovuam, ndoshta poeti më i njohur qipriot në botë, përkthyer edhe ky në 12 gjuhë. Janë në proçes dy vepra të tjera romani i Kosta Limpurit dhe tragimet e Jorgo Molesqit. Veprat që kam përkthyer janë pasqyrë e jetës dhe historisë qipriote me mesazhe pannjerëzore për bashkëjetësën paqësore dhe veçoria që më kanë detyruar t’u kushtoj vëmendje është se fqinjërojnë  tematikisht me strukturën shpirtërore të botës shqiptare.

    11.Letërsia ruse dhe ajo greke pikat e tua të takimit me to.

    Përgjigje: Besoj se isha me fat që njihja dy gjuhët greken dhe rusen. Gjuhët janë universite për krijuesin. Në rusisht përveç veprave që ishin në programin universitar si Çehovi, Tolstoi etj. atëhere kur Dostojevski ishte ndaluar tek ne pata mundësinë të lexoja “Idiotin” dhe “Lojtarin”, po kështu u njoha thellësisht me poetë si Pushkini, Esenini, Blloku, Majakovski, Jeftushenko, Voznesenski e poetë të t tjerë nga letërsia botërore. Apo vepra të realizmit magjik si “Kolonelit askush nuk i shkruan” të Markesit, “Papa Jeshil” të Aturiasit, apo tregimet e Kortasarit. Këto atëhere kur fare pak krijues i njihnin në Shqipëri. Megjithëse më kishin rënë në dorë poetë si Kavafi, apo poetë të tjerë modernë grekë, disa nga veprat më të mira të letërsisë greke si “Krishti rikryqëzohet” të Kazanxakit, apo “Një djalë numëron yjet” të Ludemisit, vëllimet poetike “Vargje” të J.Ricos, e t Zhak Preverit, L. Aragoniτ e N. Hiqmetiτ, poetes Japoneze Sumako Fukao e mjaft të tjerë i kam lexuar në gjuhën ruse, disa në revistën “Inostranaja literatura”. Kontakti me këtë lloj letërsie ishte shkollë konceptimi që i ndikuar prej saj mësova një lloj tjetër stili që më ndihmoi për veprat postkomuniste, por më dogji disa vepra, të cilat m’i kthyen me kritika të ashpra, deziluzionuese që më thyen dëshirën për ripunim se ngjanin të pariparueshme.

    12. Cili mund te quhet pengu yt në jetë dhe veçanërisht në letërsi?

    Përgjigje: Pengu i parë është se akoma nuk i kam dhënë lexuesit tim shqiptar asnjë nga 5 romanet që kam botuar në gjuhën greke, në Athinë dhe janë mirëpritur. Kështu i mbetem borxhli lexuesit tim shqiptar.  I shkrova  dhe i botova në gjuhën greke se pari doja të perfeksionoja gjuhën letrare greke, së dyti t’u tregoja lexuesve grekë se letërsia e kësaj pakice greke, është një letërsi ndryshe, e vërtetë me jetë dhe dramë dhe jo rakitike dhe klinike siç shkruhen disa nga romanet pa shtyllë kurrizore dhe plagiaturë sot. Pengu i dytë është që më nxorën dallgët e jetës larg në Qipro, një vend i ndarë me tel me gjemba që më kujton gjithmonë fatin tonë të keq. Megjithë se kam udhëtuar vit për vit dhe madje dy herë në vit në Gjirokastër e Shqipëri, duke qënë kaq larg, mundësitë e kontaktit dhe udhëtimeve për marrëdhënie krijuese janë më të kufizuara si me Athinën dhe me Tiranën. Sot teknika i ka zgjidhur këto, por kontaktet njerëzore me shumë miq të vjetër më mungojnë. Promovimi i fundit në Tiranë ishte panigjirik, u takova me shumë miq e të njohur, i tillë ishte dhe ai i Athinës apo promovimet e herëpasherëshme në Korinth, Janinë apo Gjirokastër. Këto lloj takimesh më japin flatra. Nuk më mungojnë as në Qipro. Edhe atje vepra ime është pritur dhe diskutuar me interes të veçantë.

    13.Stomaku  popujve  vuan çorbën nacionaliste që politika i jep për të ngrënë në çdo kohë. Sa e dukshme është kjo në një vend si Qipro?

    Përgjigje: Fakti që Qiproja mbetet 50 vjet e ndarë është për arsyen e thjeshtë të nacionalizmit ekstrem. Politikat dhe politikanët helmojnë mendjen dhe shpirtin e njerëzve të thjeshtë dhe ngjallin armiqësi, urrejtje dhe zhgënjim. Kështu qelizat e shpresës vdesin dalngadalë nga qelizat kanceroze të megalomanisë dhe urrejtjes dhe popujt mbeten të ndarë. Kur u hapën barrikadat në vitet 2003 -2004 pati një lloj diplomacie popullore që u shoqërua me një lloj euforie dhe shpresë se gjithçka po hynte në rrugë të mbarë dhe do vinte zgjidhja e çështjes qipriote. Shumë njerëz shpejtuan në tokat e pushtuara të shohin shtëpitë e tyre të braktisura, të takohen me miqte e vjetër të krishterë e myslimanë, disa kishin dhe kumbarë myslimanë. Po e gjithë kjo ishte një zhgjendër se në planin politik e diplomatik nuk ndryshoi asgjë, asnjë hap mbrapa.  

    14.       Ku e gjen energjinë që në një javë të bësh aktivitet në Athinë për të folur për një mik, takim me lexuesit e tu në Korinth dhe menjëherë në Tiranë.

    Përgjigje: Besoj se energjinë ta jep vepra që duhet të vejë te lexuesi. Dëshira për t’u takuar e për t’u ndodhur pranë miqve e lexuesve është dhe kjo pjesë e proçesit të veprimtarisë krijuese. Pa lexues nuk ka letërsi. Takimi me lexuesit është si takimi me një të dashur të vjetër. Ftesa për këtë udhëtim më erdhi nga Dino Kubati që sapo i kishte qarkulluar libri bilingual përkthyer prej meje “Të dashurisë dhe jetës” promovimi i të cilit u bë më 31 mars në sallën historike të Shoqatës së shkrimtarëve Greke. I premtova se do të shkoja dhe do diskutoja në gjuhën shqipe dhe greke siç dëshironte. Duke qënë se sapo kishin qarkulluar dy libra nga krijimtaria ime në Athinë vëllimi poetik “Requiem për qytetet e humbur” dhe romani “Arqitekti i Piramidës” e quajta të domosdoshme organizimin e dy  promovimeve për to në Athinë e në Korinth. Për promovimin në Tiranë shkas u bë qarkullimi i antologjisë poetike të poetit qipriot Mehmet Jasin, “Engjëj hakmarrës” nga botimet Neraida, shqipëruar prej meje, duke e kombinuar dhe me promovimin e dy vëllimeve të mia poetike nga i njëjti botues. Në një 15 ditësh 8 ditë ishin udhëtime, një turne i vrullshëm që suksesoi dhe më fali përjetime të rralla.  

    15.Nga puna ime për përgatitjen e takimit me ju këtu në Tiranë konstatova se miqt e tu  shumica të përbashkët – e pritën më shumë kënaqësi ftesën për veprimtarinë që lidhej me krijimtarinë tuaj letrare. Thuajse të gjithë evidentonin pamjen dhe sjelljen tuaj fisnike. Ç’mendoni se e bën fisnik njeriun?

    Përgjigje: E bën fisnik mirësia. Një njeri narcis, pa humanizëm dhe respekt për tjetrin nuk mund të jetë shkrimtar i mirë. Mirësia, sinqeriteti janë karakteristikat primare  të shkrimtarit. Egoizmi, zilia, meskiniteti, shpirtvogëlsia, rendja pas lavdisë së reme, mëndjemadhësia boshe, ambiciet dhe fodullëku janë fatale, e vrasin shkrimtarin, e largojnë nga lexuesi. Unë jam natyrë oprimiste, madje shpesh me një romantizëm ekstrem që është i dëmshëm për njeriun e letrave. E respektoj personalitetin e tjetrit, kushdoqoftë ai. Shpesh këto karakteristikat e mia e çarmatosin tjetrin. Në jetën time private dhe në atë krijuese më kanë rrethuar njerëz të mirë e fisnikë, sepse i besoj njeriut, e dua dhe e respekoj. Dhe ata më përgjigjen reciprokisht siç ndodh në jetë. Në promovimin e Tiranës erdha nga promovimi i Athinës. Megjithëse në Athinë kam bërë pothuajse vit për vit promovime pritja ishte tepër miqësore, më nderuan shumë miq dhe lexues. Kjo pritje padyshim ka lidhje me cilësinë e veprave të mia, romaneve dhe vëllimeve poetike që kanë gjetur lexuesin e vet të përhershëm tashmë në Greqi.  Ky event i promovimit të librave të mia në Tiranë bëhet pas gjashtë vjetësh dhe më fali një kënaqësi të veçantë. Në maj të vitit 18-të bëmë promovimin e antologjisë poetike “Metamorfozë qytetesh” të poetit të shquar qipriot Mihalis Pjeris. Botimi juaj sërish, i dashur Jsni. Bashkë e organizuam eventin, ku ishte prezent dhe poeti. Mbaj mend se poeti në fjalën e tij midis të tjerash tha: “Ky takim poetik këtu në Tiranë është një surprizë që më la përshtypje të pashlyeshme. Shqipëria e do librin e mirë se ka dalë nga një diktaturë e gjatë ku çensura i varej shkrimtarit mbi kokë si shpata e demokleut, ku demokracia ishte vetëm një sllogan. Liria tashmë ju hapi të gjitha portat. Është kjo arsyeja që lexuesi është kaq i etur për letërsinë e mirë, të ndaluar në të kaluarën. Janë bërë promovime për veprën time në Paris, në Romë, në Petrograd, në Barcelonë, në 15 vënde të huaja, por ky i Tiranës është më i suksesëshmi, më suprizoi këndshëm se u njoha me disa shkrimtarë me emër, me letërsi cilësore e me synime evropiane”.     

    16.As unë nuk i shpëtoj rutinës në bërjen e pyetjeve lidhur më angazhimin tuaj të ardhëm. Vjen një moshë kur shkrimtari zakonisht shkruan kujtimet, madje mund të ketë edhe gjëra që nuk do t’i botojë. Pa dashur të bëj asnjë paralelizëm, kujtoj Markezin dhe librin e tij të fundit. Me shpresë se Petro ka ende rrugë për të shkuar tek kujtimet, a mund t’ia shuani lexuesit kuriozitetin duke treguar çfarë keni në dorë?

    Përgjigje: Nuk e di në se do të shkruaj kujtime, nuk më ka shkuar ende ndërmend. Por unë shumë çaste biografike, familjare dhe intime, por dhe shoqërore i kam hedhur herë pas here në veprat e mia, e në parathëniet e librave që i shoqëroj. Ajo që desha të theksoj unë jam fans i diplomacisë kulturore dhe besoj se letërsia e përkthyer, veprimtaritë e ndryshme kulturore janë ura paqeje që i sjellin pranë popujt dhe njerëzit. Në 30 libra e mia që egzistojnë në kompjuter, shumica e mbaruar, përveç letërsisë origjinale kam dhe disa përkthime për botime bilinguale. Duke njohur thellësisht letërsinë shqipe, them se ka vlera të mirëqëna e të qëndrueshme që duhen përkthyer në gjuhët evropiane, po kështu dhe në gjuhën fqinje greke. Botimin i parë bilingual e kam bërë në vitin 2010 të poetes nga Korinthi Margarita Mataçi. Nga viti 2020 kam filluar një punë më intensive dhe më të organizuar botimesh vit për vit. Atë vit u botua në Athinë vëllimi bilingual i poetes Miranda Içi, “Evropë Epokash anonime” një poete nga Gjirokastra që rron në Bruksel, me poezi lirike moderne. Në vitin 2021 vëllimin antologjik “Magjia e Infinitit” e Moikom Zeqos. Në vitin 2022 vëllimi antologjik “Qiell Evrope” të Natasha Lakos, në 2023 “Rrathë të brendashkruar” të poetit laurat Rudolf Marku. Të katërta bilinguale dhe të mirëpritura nga lexuesit greko-shqiptarë dhe në vitin 2024 librin bilingual “Të dshurisë dhe jetës” të botuar në Tiranë të poetit grek Dino Kubati i njohur me disa vepra të përkthyra në Shqipëri. Kam një antologji voluminoze të poezisë moderne shqipe përkthyer prej meje në gjuhën greke, 110 poetë, 600 faqe, por që ka mbetur tek botuesi për arsye sponsorizimi. Ju drejtova Qëndrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, por nuk dënjuan të më kthejnë asnjë përgjigje. Miku im i jetës dhe i letrave shkrimtari Thanas Dino ka një korpus romanesh interesante që kalojnë në heshtje në Shqipëri. Dy prej tyre janë përkthyer e botuar në gjuhën greke, me siguri do përkthej ndonjë prej tyre. Në intervistë u zgjata disi tepër për Kadarenë. Në jetën time 50 vjeçare krijuese kam patur shumë takime me Kadarenjtë dhe kam hedhur shumë shënime, madje kam përkthyer një pjesë të madhe të poezive të tij në gjuhën greke. Kam publikuar disa dhe njerëzit kujtojnë se Kadareja i ka shkruar greqisht. Dhe ky libër me poezi dhe shënime është i planet e mia të afërta. Mendoja ta botoj vetëm në gjuhën greke. Mendimi i zotit Bujar për ta botuar bilingual më pëlqeu padyshim. Pse jo, do ta mendoj se kam lexues të mirë në të dy gjuhët. 

    Ju falenderoj përzemërsisht, miq botues Jani Malo dhe Bujar Hudhri që më dhatë mundësinë e  kësaj interviste të gjerë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË