More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlisa Velaj: Trishtimi si përsiatje e përshkallëzuar

    Alisa Velaj: Trishtimi si përsiatje e përshkallëzuar

    Disa shënime mbi vëllimin me poezi “Dikush i huaj fliste me vetminë”

    “Dikush i huaj fliste me vetminë” është libri i parë i Jorida Satkës. Ka shumë vjet që shkruan, por përherë e mëdyshur për t’i botuar. Kur mbaron së lexuari poezitë e përzgjedhura, mes shumë të tjerash, kupton arsyen e mëdyshjes së saj. Jorida ka një nerv poetik, njësoj si ka çdonjëri prej nesh nervin e gëzimit, trishtimit, inatit, pendesës, pse jo dhe theqafjes për dritëhije që na tejngopin me dukjet e tyre të rreme. Të gjitha këto Jorida di t’i shprehë me një poezi, në damarët e së cilës, ka nerv poezie dhe dashurie të paskaj. Poeti lind, nuk bëhet me patjetër. I gjithë ky vëllim na dëshmon pikërisht këtë fakt. Poezia e Satkës lind pa mundim, rrjedh e pavetëdijshme për kanone që ndjekin shpeshherë jo pak poetë për t’u vetshpallur të tillë. E vetmja gjë që poetja shpall është fjala plot nerv jete.

    A duhet vetëm dhimbja për të jetuar? Patjeter se jo. Ky lloj këndvështrimi vetëm sa e sheh trishtimin si gjendje krejt të pashkak, duke i “rënë në qafë” me pa të drejtë lëndës poetike që kemi në duar. Sipas Robert Frost-it, poezia lind kur emocioni gjen mendimin e tij dhe mendimi gjen fjalët.[1] Vargjet e Satkës kryejnë pikërisht këtë trajektore: emocionin që bën dashuri me mendimin për të nxjerrë në dritë fjalën. Fjala në anë tjetër është e mbushur me atë lloj trishtimi që vezullon vetëm falë përsiatjeve mbi qenien, tjetrin, të huajin brenda vetes, veten brenda të huajit të njohur prej kohësh dhe tëhuajzimit të realitetit deri në pikën ku damarët përskuqen si tulipanë.[2]

    ÇIKRIK

    Qëndisja mishin tim me fije dhimbjesh

    ku çdo fjalë hapte një vrimë,

    ku çdo sy vinte një gjilpërë,

    e në darkë duhet të shtrydhja plagët

    për të ushqyer veten në agoni,

    po me dhimbjen që më ishte shkaktuar,

    shëroheshe ti.

    E unë prisja me një këmbë në prag të derës,

    me një krah në dritaren e pluhurosur

    nga fluturzat e bardha të pritjes.

    Stomakun si një bishtajë e kisha lënë mbi tavolinë,

    të ushqehej zemra duke i përtypur cipën…

    E verdha e rrezes në mëngjes

    më plotësonte përsëri…

    Mokra e mullirit të jetës vërtitej e vërtitej…

    Zemra e bluar klithte mëngjeseve

    në mungesë të dhimbjes…

    .

    Poezia “Çikrik” e përfaqëson më së miri mënyrën si vjen metafora e jetës dhe poezisë së jetës te lexuesi. Ka një lloj horrori nëpër vargje[3]. Horrori është mjegulla që mbështjell shumë nga poezitë e saj. Metaforat konceptuale ose e ngjizin gjendjen e tmerrit nga shumatorja e tyre kuptimore, ose kemi të bëjmë me përjetimin e gjendjeve eksituese të tmerrit që përshkallëzohet nga një metaforë te tjetra, ose lemeria shfaqet aty për aty në një metaforë të vetme, e cila më pas e tejçon absurdin e gjendjeve dhe situatave në krejt ashtin e poezisë.

    Te poezia e lartpërmendur, tmerri (horrori) si shumatore edhe e përshkallëzuar nga përsiatja/soditja/analiza e realitetit vjen e mbrohet te lexuesi përmes metodës induktive ose deduktive. Në rastin e parë, kalimi nga e veçantja tek e përgjithshmja (abstragimi poetik si mesazh i thelbit të poezisë). Tmerri i shpirtit të trazuar të poetes tejçohet te lexuesi përmes elementësh që pikësëpari shkaktojnë vuajtje te vet uni lirik. Vuajtje në shpirtin dhe trupin e poetes, gjë për të cilën ajo bëhet e vetëdijshme vetëm pasi i ka pësuar. Bukuria e shpirtit vritet, uni lirik trishtohet dhe kupton se e bukura ose e ka vrarë ose është e vrarë prej fillimit.

    Në pesë vargjet e para të poezisë shohim se si bukuria vret. E qendisura është një zeje nga më të bukurat, por të qëndisësh mishin me fije dhimbjesh është tragjedi. Rrëfimi i unit lirik i referohet kohës së shkuar, çka e shtyn lexuesin të hamendësojë se kthjellimi i subjektit për dhimbjen ka qenë më i plotë pasi gjithçka ka kaluar. Madje, në krye të herës, është ndodhur përpara një shëmtie që çorodiste me trajta të së bukurës. Vargjet “por me dhimbjen që mē ishte shkaktuar ushqeheshe ti” dhe “e verdha e rrezes në mëngjes më plotësonte përsëri”, përmbushin mozaikun e trishtimit pikëllimtar jo vetëm me pasojat, por edhe me shkakësinë e tyre: mbytjen e qenies tjetër përmes litarëve vrastarë të skllavërisë të humanizmit modern. Dashurisë hipokrite të njeriut plot pathos që vret me egoizmin e tij tjetrin dhe veten. Dlirësia shpërblehet për sa kohë dhimbja durohet dhe qenia e gjen diellin sërish, ndërsa mjeranët që ushqehen me dhimbjen e tjetrit mbeten të huaj edhe me veten…

    Duke iu referuar njërit prej kuptimeve të fjalës çikrik lexojme: mjet i tillë ku mblidhet litari i kovës së pusit. Pjesa dërrmuese e poezive të Satkës është ndërtuar me të tillë leksik dhe forma stilistikore, që na zbulojnë mjetet absurde ku mblidhet litari i kovës së jetës. Kovë ku uji i dashurisë është shterrur, ndërsa çikriku ngre lart shpirtrat e vrarë, apo neve, qeniet e zbrazura, si kova pa ujë jete. Ka një sarkazëm të zezë, të mprehtë si majëthike në gjithë këtë tmerr. Ja si e ndërton kësaj rradhe në mënyrë deduktive udhën kuptimore për te lexuesi uni lirik.

    DIELLIT T’I SHKUL LOTËT

    Të nëpërkëmbura fjalët e mia.

    Mbillen në fushën ku korbat ushqehen

    e përdhunohen për një përqafim që të rriten…

    Dua t’ia shkul lotët diellit të sotëm,

    dhe t’i këndoj duke i ulëritur tokës së virgjër.

    Të dëgjoj mallin e apokalipsit që shkaktoi

    varrin e largësisë.

    Sot ulërima ime do mbështjellë 

    trishtimin e shpirtit tënd…

                Uni lirik e shpall që në krye nëpërkëmbjen. Për sa kohë qenies i nepërkëmben fjalët, atëherë qenia është mohuar si qenie dhe për dashurinë nuk ka më vend aty. Dashuria, thënë ndryshe me fjalët e poetes, është tkurrur sa një vrimë. Nuk kemi më shenjues të përshkallëzuar që ndërtojnë kuptimin. Përkundrazi, poetja e nis poezinë me një kuptim shterrues: të nëpërkëmbura fjalët e mia. Abstragimi i kodeve morale të ekzistencës shpesh jepet që në vargun e parë në një pjesë të poezive të Satkës dhe mandej zbërthehet në nënkuptime të tjera, në shërbim të kuptimit thelbēsor të shpallur prej fillimit të monologëve të saj dramatikë apo narracioneve të tjera lirike. Për lexuesin me përvojë kemi kalimin nga deduksioni në induksion të ndërtimit të kuptimeve poetike përmes sekuencave ku fotografohen imazhe shterpe të padashurisë.
               

    Njeriu është qumështi i fjalës së tij. Fjala është e drejta për të shprehur mendimin e lirë dhe për të vendosur ura komunikimi me qeniet e tjera. Çfarë mbetet nëse nepërkëmbet fjala? Padyshim se mohoet në mënyrë absolute ekzistenca dhe i thuren hymne makabre vdekjes. Prandaj pas vdekjes së lirisë, i bie që mbjella e fjalëve të ndodhë në tokën e korbave. Poezia është e thurur me bota elegjiake e mund edhe të përjetohet si elegji. Uni lirik i përmbys të gjitha kuptimet standarde të shenjuesve leksikorë. Dielli si simbol jete është gjithashtu shpërfillës. Pamja paraqitet apokaliptike, prandaj dhe poetja klith: “dua t’i shkul lotët diellit të sotëm”. Dielli i saj është vrarë pak më parë, dielli i saj lotues. Ky diell i sotëm shpërfillës iu përket atyre që i nëpërkëmbën fjalët. Diell vrastar që i duhen shkulur lotët, i duhen gjetur ku i ka varrosur rrënjët e dashurisë e ngrohtësisë për jetët tona.

    Vëllimi me poezi “Dikush i huaj fliste me vetminë” përmbyllet me një grup poezish imcake, tejet interesante dhe plot denduri kuptimore. 

    “Buzët e tua…

    Aromë shegësh në duart e mia.

    Shije vjeshte në shpirt.”

    “Në brendinë e një kafazi kërkonin lirinë.

    Fantazma për role kryesore/

    vraponin mbi të njëjtën tokë të vjetër shterpë.”

    Vargje plot nerv, këngë e klithma të vogla për lirinë, si dhe ode dhimbjebukura për dashurinë e një burri. Njësoj si në pjesën tjetër të poezive, erotikja te Satka vjen si kaos “me një arkitekturë të përsosur”. Ajo, dashuria, njëherazi është dhe nuk është, britmë inati e pasioni çmendurak e ëmbëlak. Unin lirik e përndjek si hije herë një burrë pa trajtë dhe herë një qenie e mallkuar. Sido t’i vijë, është eliksir jete dashuria. Tingull që ngjiz aromat më jetëdhënëse, në një truall ekzistence ku dhe këmbanat kullojnë gjak dhe ku qenia nuk ndihet e panjohur vetëm me vetminë…


    [1] Robert Frost, poet i shquar amerikan. Një nga thëniet e tij më të famshme mbi artin e poezisë është: “Poetry is ëhen an emotion has found its thought and the thought has found ëords”.

    [2] Damarë përskuqur si tulipanë është varg i poetes në poezinë me të njëjtin titull.

    [3] Për herë të parë praninë e gjendjes së horrorit në poezinë e Satkës e ka nënvizuar Edmond Kaçeli në shkrimin “Jorida Satka, bukuroshja e poezisë horror, botuar në platformën online “Pamfleti”. https://pamfleti.net/jorida-satka-bukuroshja-e-poezisë-horror

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË