More
    KreuLetërsiShënime mbi libraFaruk Myrtaj: “GULAGU” i David Keith e Malcolm MacDowell vs Spaçit të...

    Faruk Myrtaj: “GULAGU” i David Keith e Malcolm MacDowell vs Spaçit të Munguar në Memorien Shqiptare

    Një film i ndjekur me vonesë, si prej të shumtëve të shqiptarëve mbase, pas një ftese të hapur, publike nga Muçi Xhepa, mësues, ish-diplomat dhe autor me banim në USA. Njohës bio i Lindjes së Kuqe, të Shqipërisë së Mbyllur edhe prej Lindjes, në ekstremin e saj ballkanik, si realitete të vështruara prej qëkuri me syrin e një “perëndimori të lindur” në shije përballë anti-njeriut të imponuar si kulturë jete por edhe në vet letërsinë e ati gjysme-shekulli, Muçi Xhepa, i njëjti person qe  rekomandonte pak kohë më parë edhe “Kolyma Tales” të Varlam Shalamov, në përkthimin nga rusishtja të John Glad, të “Penguin Books”.

    Edhe në të shkruarat, provohet pikerisht kjo shije, kjo njohje dhe qëndrim ndaj vijës që ndan dy botët, të dënuara në bashkëjetesë jo gjithnjë humane.

    Fati i Heroit në film është në fund të fundit fati i individit që nuk e lenë të bëj jetën e vet: krejt befas, gjendet i futur në kurthet më të pa-menduara, prej atij vet dhe ndjekësve, shikuesve të vetë:

    Thjesht një Firmë, I kërkojnë në të vërtetë. Vetëm kaq! Një firmë që të provosh se meriton të jetosh në Lindje! Hidhe një firmë dhe vazhdo jetën e mëparshme! Individi I Dosjuar është njësia më e përfolur, më e populluara në Lindje.

    Tërë pushtetet, mbi dosje firmash ngrihen, me to mbeten në pushtet me to rrëzohen. Individët që e hodhën atë firmë, sado në rrethana në justifikuara në dhembshuri njerëzore, zor se e marrin veten më: të shantazhuar nga pushtetarët e radhës, janë të detyruar të heshtin dhe të shërbejnë edhe kundër dëshirës së vet…

    Lindja shkoi edhe më tej: kërkon të marrë firmën edhe të individëve perëndimorë. Dhe, nuk është fjala thjesht si ajo qethja në Rinas që e përmendin deri tani vonë, të vet-rrëfyerit e vonuar, që nuk i provuan vet këto privime…

    Naiv për shkak të pastërtisë së vet, “David Keith” në film reziston, e vonon sa mund hedhjen e firmës, që nëpunësit e pa-ndjesi njerëzore ia kërkojnë më nge. Shko e qetësohu e mendoje dhe një herë në qeli. Vijnë e të shfaqet tërë jeta e bërë në atë beton të përmbyllur lagështire e lotësh dhe si mund te mbetesh ai qe do të mbetesh përballë këtyre bishave?! Është fjala për film me Gulag Rus, por sovjetikët janë kudo njëlloj, shqiptarët e dinë këtë.

    Skenat e përsëritshme për t’ia diktuar marrjen e firmës, me kthime te hera-hershme ne qelinë e hetuesisë, janë ngjethëse. Shqiptaret e të gjithë formacioneve, jo vetëm Vrionët e kthyer në Atdheun e çliruar, më në fund edhe ata që edhe vet e kishin ushtruar këtë zeje kriminale artizanale e provojnë në shpinë të tyre, u ndodhi t’i provojnë këto kurthe.

    Krime të njëjta mbase por që në rastin shqiptar nuk arrijnë te shfaqen dot as te “Shtëpia me Gjethe”, dhe me asnjë lloj gjetheje nuk mbulohen dot, në versionet e tjera të pluhurosjes së memories.

    Në vend te kthehen ne art, ngjarje të tilla, ende mbrohen dhe lëvdohen autorët dhe filmat pa njeri të “Kinostudios Shqipëria Sot”. Është e pa-kollajtë, të jesh I vërtetë dhe I sinqertë, në dëshirë të mirë të mirëkuptohemi, së paku pas kaq dekadash, për atë që ndodhi me Jetët dhe më Filmat për jetët tona reale.

    Kujtesa vërtet artistike, e artistëve të përgjegjshëm dhe të vetëdijshëm për misionin e arteve, duhet ta bëj të vetën Memorien reale Historike. Vetëm kështu, vuajtja dhe privimet, vetëm kështu vitet e mbylljes dhe izolimit, të internimeve, hetuesive dhe burgjeve mund te fillojnë te kthehen në kulture të Njeriut.

    Vetëm kur do arrij të mirë-pranohet si realitet artistik, si kulturë, prej të shumtëve prej nesh, vetëm pas kësaj mund të mos përsëritet më.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË