More
    KreuLetërsiBibliotekë"Të vdekurit jetojnë në pasqyrë", tregim nga Ervin Nezha

    “Të vdekurit jetojnë në pasqyrë”, tregim nga Ervin Nezha

    Në mëngjes u ngjitëm në mal me Gojonë e Tobar Tolibës. Pasdite e gjetëm grurin e breshkës, që rritet dendur në djerrinat e sipërme. Ajo bimë nuk rritet te ne, se tokat janë pjellore, të dysta dhe me lagështirë, ndaj u detyruam ta kërkonim aq larg.

    – Kjo është? – i thashë Gojosë me habi dhe mora në duar njërën nga bimët.

    – Kjo ore, kjo! – tha Gojoja qejfprishur. – Pse, si mendove ti se është?!

    U zhgënjeva pak me thënë të drejtën, se prisja të qe ndonjë bimë me pamje më të bukur, ndërsa ajo që po më tregonte Gojoja, qe një bimë e shkurtër, me hala të dendura, që po të mos dije gjë për të, nuk të ngjallte ndonjë interes. Ngjante me grurin, veçse qe shumë më e vogël.

    – Edhe dëgjo, – tha Gojoja, – asnjë fjalë me njeri, asnjë fjalë po deshe ta kesh punën mirë me ata “të bekuarit”!

    – Mirë, o mirë, – thashë, – po ma rrëfe marifetin si bëhet!

    – Ja, – tha Gojoja, – kur të perëndojë dielli, do të marrësh një nga këto dhe do t’i zhveshësh halat, gjersa të mbeten tri në majë. Vetëm tri, more vesh!

    – Po pse vetëm tri? – pyeta unë mosbesues.

    – Ahuuuu, – i ra me dorë ballit Gojoja, – po di unë pse tri! Tri duhen edhe pikë ! Edhe hap sytë! Po u trembe, të mori lumi!

    – Nuk trembem, jo, – thashë i vendosur.

    Vonë, në të ngrysur, morëm udhën e kthimit, por ecnim shpejt.

    – Sonte do ta provosh? – më pyeti Gojoja.

    – S’e di a kam më kohë, – i thashë, – por nesër e sigurt që po, – dhe kontrollova me dorë xhepat që i kisha plot me grurë breshke.

    Te gardhi i Dalip Sejkos u ndamë. Ai mori udhën drejt shtëpisë, ndërsa unë drejt simes. Kur hyra në oborr, nënën e gjeta duke qëruar ca fasule. Ajo sa më pa sikur u çlirua dhe më foli:

     – Po nga humbe gjithë ditën, o bir?

    Që pas vdekjes së babait, ajo merakosej shumë për mua. Dhe kërkonte të më kishte përherë para syve.

    Nuk fola, se mendjen e kisha gjetiu. U futa në odën e vjetër të miqve dhe nxora njërën nga fijet e barit dhe nisa ta pastroj nga halat, ashtu siç më këshilloi Gojoja. Fillova nga fundi dhe i hiqja çiftet e halave një e nga një. I hiqja me kujdes, se bima qe e brishtë dhe këputej lehtë.

    Kur më kishin mbetur vetëm pak për të hequr, kërcelli i bimës u këput.

     Më erdhi inat, se më vajti gjithë mundi kot. U nervozova. Pastaj mora një bimë tjetër, por u këput edhe ajo. Pastaj mora dhe një tjetër, por edhe ajo më iku kot. Pastaj edhe një tjetër, derisa kuptova se njëri xhep më qe zbrazur.

    “E po kjo nuk qenka punë!” – thashë me vete. Fillova të dyshoj se ky marifet nuk do të funksiononte dhe ndaj qe sajuar nga njerëzit e fshatit tim, sepse qe e pamundur që grurin e breshkës ta pastroje nga halat pa e këputur kërcellin. Kur gati po hiqja dorë, m’u kujtua historia që më tregoi Gojoja për Delinën e Lytfi Baçit, që qe lodhur, por ia pati arritur që, përmes marifetit, të thërriste të ëmën e vdekur dhe t’i tregonte vuajtjet që hiqte nga njerka. As dy ditë nuk kishte zgjatur puna dhe njerkën e pati vrarë rrufeja në krua. Ndërsa Delina kishte gjetur burrë e tani rronte si zonjë.

    Kështu vrava mendjen dhe e gjeta zgjidhjen. Vajta mora një brisk dhe fillova ta zhvesh bimën nga halat me kujdes. Puna tani po më ecte më mirë dhe e bëra atë që më duhej.  Duhet të gjeja veç një pasqyrë. Edhe atë e gjeta kollaj, se ia hoqa llambës së vajgurit.  Ajo qe një pasqyrë e rëndë në formë rrethi, me kornizë. E vendosa fijen e grurit të breshkës nën jastëk, ndërsa pasqyrën e lashë pranë shtratit. Tani prisja të binte nata.

    Gojoja ma kish thënë qartë, se i vdekuri nuk vinte në shtëpi pa më zënë gjumi. Këtë duhet ta kisha të qartë. Por pasi të më zinte, do të më vinte në ëndërr. Unë do të zgjohesha dhe do të thosha: “Po pate ardhur për të keq, ik ashtu siç erdhe, po pate ardhur për të mirë, rri për nga hera”.

    Atë natë nuk fjeta dot. U përpoqa të fle, por gjumi nuk më zinte dhe kjo më bëri nervoz. U ngrita dhe po lëvizja nëpër shtëpi pa qëllim të qartë. Hapa derën e odës së gjumit ku flinte ime më.  Ajo gërhiste lehtë në errësirë dhe unë u tërhoqa pas, se nuk doja të më ndiente. Pastaj m’u kujtua se ajo përherë trembej nga ëndrrat. Sidomos kur në to i shfaqeshin të afërm që kishin vdekur. Nuk i tregonte kurrë ato ëndrra. Por unë e kuptoja se kur kishte parë një ëndërr të tillë. Se mëngjesin e ditës tjetër ajo punonte shumë, ngaqë nga trembja nuk ndiente as lodhje madje ia kalonte tim ati, që nuk e kishte shokun si punëtor. Si duket, përmes punës donte të humbte mendjen nga ajo që kishte parë në ëndërr.  Aq shumë punonte, sa përherë e detyronte tim atë të shpikte nga një justifikim për të mbajtur të gjallë krenarinë. Për shembull, kur qenë duke korrur misër dhe ky shikonte që gruaja e mbaronte rreshtin më shpejt se ai, thoshte se nuk i priste mirë drapri; kur punonin me bel, se pjesa e tij kishte krisje që duheshin shkulur me duar, rrënjë më rrënjë.

    Nëna nuk thoshte asgjë, vetëm miratonte në heshtje, se ajo nuk donte të matej me tim atë, por thjesht të harronte ëndrrën. Njëherë kur i thashë se pashë vëllanë tim binjak në ëndërr, që paskësh vdekur gjatë lindjes, ajo ma zuri gojën me dorë dhe më tha:

    – Në më do, mos i trego ëndrrat me të vdekur!

    Por unë qeshë fëmijë kureshtar, ndaj këmbëngula të di psenë. Dhe ajo nisi të më tregonte:

    “Një javë para se të lindje ti, më doli gjyshi yt në ëndërr. Ai më thërriste në oborr, se kërkonte ndihmë për të shkarkuar mushkën me dru. Unë dola dhe zgjidha leqen. Krahu im u shkarkua, por i tiji jo, se litari ngeci. Dhe kështu, kur të linda ty dhe tët vëlla, ti jetove se si duket qëllove në krahun tim, ndërsa tjetrin, pra tët vëlla e mbajti ai, prandaj nuk u rrëzuan drutë nga krahu i tij. Ndërsa njëherë pashë gjyshen tënde në ëndërr, tri ditë pasi pati vdekur, që qëronte fasule. Kishte mbushur një thes të tërë dhe unë i thashë:  “Mjaft ke mbushur, moj nënë!” – por ajo nuk foli dhe vazhdonte të mbushte edhe më. Dhe kur hasmi ynë dogji shtëpinë, zjarri nuk mori, se konakët qenë të mbushur me fasule të njoma që nuk digjeshin dhe shtëpia shpëtoi. Pra, gjyshja jote e shpëtoi shtëpinë, se ajo i vuri fasulet brenda, në të gjallë, që të thaheshin. Ndërsa kur vdiq yt atë, një javë përpara më doli në ëndërr prapë gjyshi i vdekur, që priste në oborr. Dhe kur e pyeta pse kishte ardhur, më tha:

    – Thuaji tët shoqi të ngrihet për të lëruar tokën, se e zu dreka!

     Unë ia çova fjalët e gjyshit dhe yt atë doli përjashta dhe i tha se sot nuk do punonte, se do të shkonte të blinte një ka, ndaj qe veshur me rroba të reja.

    – Mirë, – i tha gjyshi, – veç të jetë ka i zi!

    Pas një jave dolëm të dy të lëronim, se qe fund vjeshtë. Po njërin ka, Larushkun, e kishim të sëmurë, se qe ftohur në një shpatull dhe rënkonte si njeri në parmendë. Atëherë yt atë shkoi të marrë hua njërin nga qetë e Ritai Stanës, se ara duhej pluguar. Dhe kur kaloi gardhin, i thirra:

     – Pashë Zotin, merri të kuqin!

    – Po nuk e dua ta çoj krushk, moj grua, – ma ktheu, – parmendën do të tërheqë, në daç i kuqi, në daç i ziu.

    Dhe iku. Unë e prita me zemër të ngrirë dhe sa nuk më ra pika, kur pashë që u kthye me zijoshin për dore.

    – Hajde! – tha se na zu dreka!

    Mua më buçiti në vesh fjala e tim vjehrri, që më tha në ëndërr: “Thuaji tët shoqi të dalë përjashta, se e zu dreka.”

    Dhe teksa punonim, zuri shiu… Por shiu atë ditë qe i çuditshëm. Binte i ndarë në sinorë të ngushtë, sepse ajri qe i ngrohtë, ndërsa retë lëviznin shpejt dhe të çrregullta. Edhe rrufetë shtinin më afër se zakonisht. Ndodhte që njëra arë të zbutej, ndërsa ledhi përfund saj të digjej nga dielli, njëri ka të lagej nga shiu, ndërsa tjetri ta hiqte gjer në fund brazdën në tokë të thatë…

    Qemë në të mbaruar, kur kau zijosh theu dallëndyshen e kularit. Yt atë ndaloi të shihte, por kafsha qe egërsuar, sikur të kishte të paudhin në bark dhe i dha një të shtyrë me brirë, m’u në mes të barkut. Nuk pata kohë as të thërras njeri, se gjaku i mbuloi këmishën e trupit dhe vdiq shpejt dhe mua më la kërcu, ndërsa ty kërthi.

    Kështu, biri im, nuk është mirë të shikosh të vdekurit në ëndërr, se ata nuk janë më si të gjallët, janë tjetërsoj, i tërheqin me vete ata që i duan fort, pa e ditur se sa dhimbje u shkaktojnë të gjallëve.”

    ***

    Gjumi duhej të më ketë marrë vonë, kur dita thuajse po zbardhte. Dhe kur erdhi mëngjesi, u dëshpërova shumë që nata e parë më pati vajtur kot.

    Sa dola në rrugë, pashë Gojonë që kishte hipur mbi manin e Ilo Stengës. Sa më pa, u kacavar poshtë.

    – Hë mo, – tha, – ç’ndodhi?

    – Më zuri gjumi, – thashë, – si i zënë në faj.

    – Ashtu, – më tha Gojoja, – më mirë që paska ndodhur kështu!

    Ky qëndrim i tij më çuditi, sepse kujtoja se do të më zbrazej me zell, duke më thirrur që, si mundej të tregohesha aq merhum dhe të më zinte gjumi para një ngjarjeje të tillë.

    – Dëgjo, – më tha, – më mirë lëre fare atë punë!

    – Jo, – i thashë, – dua të shoh edhe një herë tim atë. Më ka marrë malli, nuk e kupton këtë. Dua t’i tregoj sa jam rritur, t’i tregoj se kalit bardhosh që e rriti që mëz për mua, tani mund t’i hipi pa samar, ashtu siç është dhe ta kalëroj me të katra, ashtu siç kishte dëshirë ai. T’i them se këtë vjeshtë do t’i lëroj vetë tokat se krahu më është forcuar për parmendë.

    – Mirë, mirë, – tha Gojoja fare indiferent, – kjo është puna jote, veç kujdes, vëllaçko!

    Dhe u ndava me të. Pastaj ditën e kalova duke gjuajtur mëllenja. Dhe si rrallëherë nuk vrava asnjë. Si dukej, nuk përqendrohesha dot në shënjestër. Ndërsa mbrëmja më gjeti në oborrin e shtëpisë. Po qëndroja me nënën dhe po qëroja ca thupra shelgu me biçakun e tim ati, për të thurur një koshere të re për të mbajtur bajgat, se i vjetri që kishim, na qe prishur.

     Sime ëme i vajtën lot nga sytë, pastaj më foli ngrohtë:

    – U rrite, të keqen nëna, por mbete vetëm!

    – Pse vetëm, – i thashë, – unë të kam ty,  – por në sy nuk guxova ta shoh. Ajo nuk foli, vetëm liroi shaminë e zezë nga gusha, se nuk u ndie mirë. Desha ta ndihmoja, por nuk më la. Tha se po shkonte të shtrihej, ngaqë qe e lodhur. Unë sapo mbarova purtekat, u futa brenda. Shkova në dhomën time, kontrollova grurin e breshkës poshtë jastëkut, pastaj edhe pasqyrën, pastaj rashë të flija. Nuk di nëse fjeta ose jo, veçse ndjeva derën që u përplas fort. Qe errësirë dhe nuk pashë gjë, dëgjoheshin vetëm nja dy angullima qensh, që i ngjanin një ankthi të gjatë. U kujtova. Ngrita pasqyrën dhe në të pashë fytyrën e tim ati. Ktheva kokën pas dhe ai qëndronte në këmbë m’u në mes të odës.

    – Qenke bërë vërtet burrë, – më tha, – shiko sa qenke rritur!

    U hutova, lëshova pasqyrën dhe desha ta përqafoja, por nuk më la.

    – Dale, – më tha, – thirre nënën dhe pastaj më ke këtu!

    Dhe unë u sula drejt dhomës ku flinte nëna, kalova në korridorin e errët të shtëpisë, duke thirrur:

    – Nënë… nënë… erdhi babai!

    Hapa derën e odës së saj dhe i vendosa duart mbi trup për ta zgjuar. Por ajo nuk lëvizi. Largova batanijen dhe pashë që kishte vdekur. Kur u ktheva në dhomën time, as babai nuk ishte më aty. Thirra me sa fuqi kisha dhe për pak kohë fqinjët erdhën aty.

    Sytë m’u mbushën me lot, kur pashë që gratë po rregullonin trupin e nënës sime. Ndaj dola jashtë të merrja ajër, sepse m’u zu fryma. Në errësirë dëgjova hapa që po afroheshin. Dëgjova edhe kollitjen e Tobar Tolibës, dhe nga pas e ndiqte e shoqja, Dada Zurka. Më pas vinte shpërfillës edhe Gojoja, i biri. Tobari më përkëdheli kokën në shenjë ngushëllimi, ndërsa Zurka u fut brenda te gratë që vajtonin. Në oborr kishim mbetur vetëm unë dhe Gojoja. Ky më hodhi një vështrim të rreptë dhe qortues kur më pa pasqyrën, që për çudi më kishte mbetur në duar dhe nuk munda ta fsheh dot. Ma tërhoqi nga dora kërcënueshëm, e flaku në tokë dhe i vuri këmbën sipër. Pastaj u fut në shtëpinë time, duke më lënë fill të vetëm në oborr.            

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË