More
    KreuLetërsiShënime mbi libraEdona Marku Huqi: Një “udhëtim” në errësirën e mendjes njerëzore

    Edona Marku Huqi: Një “udhëtim” në errësirën e mendjes njerëzore

    Mbi romanin e Daniele Mencarelli-t “Gjithçka kërkon shpëtim” – Botimet Toena, 2024

    Asgjë nuk e ilustron më mirë brishtësinë e qenies njerëzore sesa epoka në të cilën po jetojmë, njerëzit me të cilët ndodh shpesh të jemi të rrethuar, paaftësia që kanë për të përballuar emocionet e mëdha, frikërat e brendshme, trysninë e kohës, sfidat që shpeshherë duhet t’u bëjnë ballë e nuk munden. Ngjan sikur njeriu jeton brenda “katër mureve” të mendjes së tij dhe e ka mjaft të vështirë t’i shohë gjërat në përmasën e tyre reale, sikur jeton pa jetuar dhe lumturia i zgjat vetëm një grimëçast. Kësisoj “Gjithçka kërkon shpëtim”.

    Daniele Mencarelli me romanin e tij autobiografik “Gjithçka kërkon shpëtim”, iu qaset pikërisht këtyre njerëzve, i jep lexuesit një interpretim të jashtëzakonshëm, na thërret secilin të përballet me një realitet që mund të ngjajë i largët, por që në fakt është shumë pranë nesh dhe na rrethon çdo ditë. Cilitdo prej nesh i ndodh që të ketë përballë dikë, i cili në një lloj mënyre, qoftë edhe në subkoshiencën e vet kërkon “shpëtim” dhe ne duhet ta dëgjojmë, të jemi aty dhe të përpiqemi ta ndihmojmë të zgjidhë “fijet e ngatërruara” të mospërputhjes me realitetin dhe vuajtjeve të brendshme që shpesh i ngjajnë të pakapërcyeshme.

    Tani më shumë se kurrë, në këtë botë në dukje pa ekuilibër, pas Covid-it që ka nxjerrë në dritë psikodrama tipike të skenarëve “postapokaliptikë”, ky libër është mjaft aktual dhe duhet lexuar si i tillë, me zemër dhe mendje të hapur.

    Romani i vendosur gjatë verës së vitit 1994, tregon historinë e Danieles, një djali i cili, pas një sulmi zemërimi, i nënshtrohet një trajtimi të detyrueshëm mjekësor në një pavijon psikiatrie. Rrëfimi është i ndarë në shtatë kapituj, numri i ditëve që Daniele qëndron në spital. Jo më kot autori ka përzgjedhur pikërisht numrin shtatë. Simbolika e këtij numri është tejet e interpretuar sipas kulturave dhe religjioneve të ndryshme, por në rastin e Danieles, mendojmë se numri shtatë tregon bashkimin e treshit (që përfaqëson Shpirtin) me katrën (që përfaqëson materien). Ndaj dhe përgjatë gjithë tekstit përsëritet e ripërsëritet si një refren, si një lloj lutje e përshpirtshme, thirrja e njërit prej personazheve “Shën Mëri, kam humbur shpirtin! Më ndihmo, Shën Mëria ime!”

    A është Daniele viktimë e ndjeshmërisë dhe brishtësisë së tij? Dhe sa e shqetëson atë një realitet që duket se nuk i përket? Këto janë disa prej pyetjeve ekzistenciale të romanit. Daniele është një djalë i përkulur nga pesha e një ekzistence tepër komplekse për të, i cili përpiqet të reagojë, por humbet kontrollin, përpiqet të kuptojë dhe humbet mes përgjigjeve që nuk arrin t’i marrë as nga vetja dhe as nga të tjerët, nuk është në gjendje të menaxhojë zemërimin, dhimbjen e të jetuarit dhe dhunën që sikur lëshojnë vetë mendimet e tij. Daniele vuan, ndihet i mbingarkuar, acarohet me këdo dhe gjithçka, ndien dhimbje dhe është i brishtë. Por në ato shtatë ditë shtrimi në spital ai shfaqet i plotë, nuk shtiret, përçon çdo ndjenjë të tij që prej thellësive, ndihet i mirëpritur dhe i pagjykuar nga shoqëruesit e tjerë të pavijonit dhe kërkon “shpëtim” për veten dhe shokët e tij, për të gjithë ata kudo nëpër botë që ndodhen aty ku është ai dhe ndihen si ai.

    Personazhet e librit, që jetojnë në këtë mikrokozmos që është spitali psikiatrik, secili prej tyre jashtëzakonisht i ndryshëm nga tjetri, kanë të gjithë histori tragjike, të dhimbshme, një arsye që i ka shtyrë në atë gjendje. Janë të gjithë pacientë, njerëz që Daniele i njeh aty, miqësohet me ta, mundohet t’i kuptojë dhe herë-herë të futet në nënndërgjegjen e gjithsecilit dhe na mëson t’i njohim për të gjitha aspektet e tyre njerëzore dhe të bukura, të cilat shumë shpesh janë nën hijen e një patologjie që i përcakton. Kësisoj mëshohet fort, ndër të tjera, e vërteta se pacienti ndihet dhe është vetëm, se sa të braktisur janë të sëmurët dhe nevoja e madhe që ata kanë për t’u kapur pas një dore që t’i përkrahë dhe t’i bëjë ta duan jetën e mbi të gjitha veten.

    Personazhet që shpalosen përgjatë këtij afati kohor, pra gjatë shtatë ditëve, marrin më shumë rëndësi në varësi të ditës së analizuar. Mencarelli udhëzon, por vetëm sipërfaqësisht, bën një lloj karakterizimi patologjik të këtyre individëve: bipolariteti, gjendjet depresive, katatonia, ankthi, skizofrenia. Lexuesi heton personazhet së bashku me protagonistin kryesor, patologjia e të cilit është edhe më e vështirë për t’u identifikuar, e mjegullt dhe jokonsistente. Megjithatë tema themelore nuk janë sëmundjet mendore. Spitali, “të çmendurit”, atmosfera e ngujimit dhe e tjetërsimit që ndien i riu Daniele, prezantojnë kontekstin dhe falë këtyre elementeve vizuale dhe hapësinore lexuesi hyn në analizën që protagonisti i bën vetes, e më pas vetë qenies njerëzore. Sepse vetë qenia njerëzore është nyja lidhëse e të gjithë romanit.

    Rrëfimi është linear, rrëfyesi është i njëjti protagonist, i cili shënon dita-ditës ngjarjet dhe ndjesitë që ka gjatë shtrimit në spital. Si një lloj ditari, romani rrëfehet në vetë të parë, me një gjuhë të thjeshtë, por me shumë peshë, ku jo ngjarja, por ndjesia është epiqendra e tij. Përdorimi i dialektit përzier me standardin i referohet ndjenjave më intime, mbrojtjes nga bota e jashtme, nevojës për të përfaqësuar një realitet tjetër, të papërpunuar, atë brenda mureve të një spitali.

    Fitues i çmimit “Strega Giovani” 2020, një libër autentik, i sinqertë, një “udhëtim” në errësirën e mendjes njerëzore; një udhërrëfyes për të gjithë ata që në një moment të caktuar të jetës thyhen, ndihen sikur kanë humbur, nuk e pranojnë realitetin që i rrethon, për të gjithë ata që pyesin dhe nuk marrin përgjigje, që kërkojnë sikurse Daniele “shpëtim”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË