More
    KreuIn memoriamFernando Ramos: Nostalgji për vdekjen e G. G. Márquez-it

    Fernando Ramos: Nostalgji për vdekjen e G. G. Márquez-it

    Në përvjetorin e García Márquez-it, kujtojmë se si atij i pëlqente gjithmonë të njihej dhe të kujtohej si djali i telegrafistit nga Aracataca, gjë që zbulon një pjesë të karakterit, përunjësisë dhe madhështisë së tij.

    Prindërit, Gabriel Eligio García dhe, Luisa Santiaga Márquez, e lanë që në moshë shumë të vogël nën kujdesin e gjyshit, kolonelit Nicolás Márquez dhe gruas së tij Tranquilina Iguarán. Veterani i luftës ishte një nga të parët që zgjoi në Gabo pasionin për tregimet, gazetarinë dhe letërsinë. Doña Tranquilina Iguarán kishte probleme me shikimin, por historitë, fabulat dhe legjendat e mrekullueshme që i tregoi nipit, shumë prej tyre imagjinare, frymëzuan disa nga veprat e autorit më universal kolumbian.

    Fëmijëria e Gabriel García Márquez-it kaloi në bregun verior, në Karaiben kolumbiane, mes nevojave të një familjeje me të ardhura të pakëta që bëri gjithë çka ishte e mundur për t’i siguruar atij një arsimim të mirë. Nga ato toka festive e të nxehta plot hijeshi tropikale, falë një burse, ai vazhdoi studimet në vitin 1940 në qytetin e ftohtë të Andeve, Zipaquirá, në qendër të vendit.

    Në vitin 1947, erdhi në Bogota për të studiuar Drejtësi në Universitetin Kombëtar. Qe ajo koha kur Gabo botoi tregimin e tij të parë në gazetën El Espectador: “Dorëheqja e tretë”. Aty do të fillonte karrierën si reporter, pa dyshim një nga më të mirët në historinë e Kolumbisë. Ai nuk u diplomua kurrë si jurist; më pas filloi si kolumnist në gazetën El Universal të Kartagjenës.

    Qe e njëjta kohë kur Gabriel García Márquez-i takoi disa nga ata që do të bëheshin miqtë e tij më të mirë, në të ashtuquajturin Grupi Barranquilla. Ata ishin gllabërues të rinj të letërsisë, asaj klasike e së resë, që takoheshin për të folur rreth asaj çka më së shumti pëlqenin: Librat.

    Jetuan në diskutime të pashtershme rreth veprës së William Faulkner-it, Virginia Woolf-it dhe Albert Camus, mes sa e sa të tjerëve, në një bar të quajtur La Cueva, i cili ekziston ende në Barranquilla. Ajo periudhë do ta shenjonte edhe si dashnor bohem të muzikës së mirë, vizitor të shpeshtë të klubeve të lagjeve dhe hoteleve me pak yje. Shumë nga këto vende janë referenca të zakonshme në veprën e tij letrare.

    Pas një dekade, në fillim të vitit 1950, filloi të shkruante romanin e tij të parë, i cili në krye të herës u titullua La Casa dhe më vonë e ndryshoi titullin në La Hojarasca. Të gjitha të frymëzuara nga vendlindja e tij Aracataca, e cila pak nga pak po kthehej në Macondo.

    Por Gabo me të vërtetë e arriti kulmin në vitin 1967 me Njëqind vjet vetmi, kryevepra e tij e përkthyer në 50 gjuhë dhe e shitur në më shumë se 50 milionë kopje. Në vitin 2007, gjatë një vlerësimi nga Akademia Mbretërore e Gjuhës Spanjolle, García Márquez-i lexoi paragrafin e parë të romanit dhe tregoi një anekdotë se si e shkroi atë.

    Shumë vjet më vonë, përballë togës së pushkatimit, kolonel Aureliano Buendía-s do t’i kujtohej ajo pasdite e largët kur i ati e çoi të shihte akullin. Nuk e kisha idenë për kuptimin dhe origjinën e asaj fraze ose se ku duhet të më çonte. Çfarë di sot është se nuk ndalova së shkruari asnjë ditë të vetme për 18 ditë derisa mbarova librin.”

    Romancieri, gazetari dhe krijuesi i lëvizjes letrare të njohur si realizmi magjik, udhëtoi nëpër botë dhe mësoi për shumë kultura, çka shërbeu si limfë shkrimeve të tij me histori të mrekullueshme.

    Duke iu referuar një prej kryeveprave të García Márquez-it, ish-presidenti Álvaro Uribe tha se “rrëfimi i ngjarjeve historike, zakoneve dhe përshkrimi i mënyrës sonë të të qenit mori një përmasë epike në Njëqind vjet vetmi. Vepra e García Márquez lindi sepse ‘aty është populli i madh i Kolumbisë që frymëzoi krijimin e saj.’”

    Gabo ishte mik i shumë njerëzve të fuqishëm, ama e urrente pushtetin. Marrëdhënia e tij e ngushtë me udhëheqësin kuban Fidel Castro i solli shumë kritika. Por ai ishte i afërt edhe me presidentët e 6 dekadave të fundit në Kolumbi, me ish-presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës Latine, me mbretër dhe biznesmenë. Veçanërisht, ishte mik i kolegëve të tij romancierë. Binte në sy afërsia me meksikanin Carlos Fuentes dhe gjithashtu mosmarrëveshjet me shkrimtarin peruan Mario Vargas Llosa, të cilat kurrë nuk depërtuan edhe në nivel letrar.

    Mbreti Juan Carlos i Spanjës tha për Gabo-n se “ai është në vetvete, në karrierën e tij krijuese, një shembull i gjallë i unitetit të spanjishtes në diversitetin e saj. Një nga figurat më të shquara të letërsisë spanjolle. Të tijat janë këto fjalë: ‘Le të mos flasim më veçmas për letërsinë latino-amerikane dhe veçmas për atë letërsinë spanjolle. Thjesht letërsi në spanjisht’.”

    Gabos i pëlqente muzika vallenato, të cilën e shijonte në festa të paharrueshme sa herë që kthehej në Kolumbi. Aty ku nuk i pëlqente vërtet të kthehej ishte Aracataca, qyteti i tij. Ndoshta për shkak të nostalgjisë që i shkaktonin kujtimet e fëmijërisë. Po ashtu, kishte gjithmonë një vend të veçantë për vendin e vet, megjithëse e kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij në Meksikë.

    “Këto ditë kam menduar një gjë, do të doja që Kolumbia të ishte një vend tjetër: Kolumbia që është sot pa të këqijat e saja.” tha ai më 1992.

    Gabriel García Márquez jepte pak intervista. Në vitin 2004 botoi veprën e tij të fundit, Kujtim kurvash të trishta. Pesha e viteve dhe sëmundjet tipike të moshës e penguan të vazhdonte të botonte romane. Megjithatë, janë të shumta shkrimet e tij të pabotuara që i mbante me vete shoqëruesja dhe bashkëpunëtorja e përjetshme, Mercedes Barcha, bashkëshortja që e shoqëronte përherë në të gjitha vendet e botës që vizitonte. Që e njohu në mungesë dhe në lavdi. Dhe që i ishte pranë deri në ditët e fundit si një tjetër protagoniste e romaneve të tij. Gjashtë vjet më vonë, më 15 gusht 2020, Mercedesi i tij i dashur vdiq në moshën 87-vjeçare në Mexico City.

    Më 6 mars, si pjesë e homazhe për dhjetëvjetorin e vdekjes, u botua post mortum romani i tij Shihemi në gusht. Një vepër që fituesi i çmimit Nobel në Letërsi nuk e mbaroi kurrë dhe që sipas djalit të tij Rodrigo García “nuk është aq i lëmuar sa kryeveprat e tij”. Por është një mënyrë për ta mbajtur gjallë kujtimin e një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË