More
    KreuIn memoriamNurie Emrullai: Requiem për Lindita Ahmetin

    Nurie Emrullai: Requiem për Lindita Ahmetin

    Që nga dje, e sotshmja do të jetë krejtësisht ndryshe… Ndryshe do të jetë tashmë takimi me miqtë, ndryshe do të jenë bisedat me profesorët, ndryshe do të jenë ligjeratat me studentët, ndryshe do të jetë kritika jonë letrare. Në gjithçka që na rrethon është hapur një vrimë, si ajo Vrima e zezë që “këndova” dy javë më parë këtu…

    Është hapur vrimë që na e ka gllabëruar krahun tonë të fuqishëm, atë që e kishim shembull, që e kishim motiv e që e kishim shtyllë…

    Lindita Ahmeti lidhi shpirtin e saj për poezinë, ndonëse fizikisht nuk është me ne.

    Linditën e kam takuar disa herë gjatë studimeve dhe pas asaj kohe më shumë kanë qenë takime mes miqsh. Lindita kishte gjithçka të veçantë, që nga mënyra se si ajo vështronte të tjerët kur i drejtoheshin, me atë kërshëri të pamatë dhe me një mirësi krejtësisht të pastër, sa ngrohtësisht e priste çdo fjalë me buzëqeshjen që i ravijëzohej nëpër gjithë fytyrën dhe kjo ndodhte kështu deri në momentin kur ajo fillonte të lexonte ndonjë prej poezive të saj… Në atë çast si një lloj rituali, zëri i saj drithërues, nuk ishte më i njëjti me atë që pak minuta më parë na kishte folur, por ishte një zë ardhur prej lashtësie, nga atje ku sa herë përmes poezisë së saj na ka treguar që i flente shpirti në antikitet, me një peshë që na e rëndonte dhe na e lehtësonte ajrin përreth, që na trazonte e na ngjallte përnjëherë.

    Kurrë nuk do ta harroj mënyrën se si ajo interpretonte apo thënë më mirë se si ajo i ngjallte poezitë e saj e përnjëmend vishte krahët e Irisit…

    Por, përsëri më vjen ndër mend fjala zbrazëti, një zbrazëti që m’u krijua pse prej madhështisë që ndjeja ndaj saj, kujtoj se shumë pak arrita t’ia shpreh admirimin, respektin dhe dashurinë që e kisha ndaj krijimtarisë së saj, po kështu më ndodh rëndom kur gjendem pranë dikujt që mendoj se fjalët e zbehin atë që ndjehet, sepse gjithmonë mendoja se do të vinte koha e duhur për t’ia thënë e unë do ta besoja veten se jam e denjë për t’ia thënë.

    Gjatë studimeve, bisedat tona për letërsinë kurrë nuk fillonin pa mos u referuar në ndonjë varg të krijimtarisë së saj ose nga ndonjë vepër që Lindita e kishte përkthyer dhe për këtë u jam shumë mirënjohëse profesorëve dhe gjithë atyre, që na njoftuan dhe afruan me poeten tonë më të mirë. Lindita na mësoi ta duam jetën pavarësisht me çfarë pengesash mësohemi të jetojmë, e të dimë të mbahemi fort pas saj edhe kur gjithçka na ik prej duarsh. Natyra e saj e qetë, tepër kureshtare dhe kurrë mohuese na ofronte vazhdimisht pranë për ta kundruar ndritësimin që e rrethonte…

    Lindita jonë e dashur, ti ishe krenaria jonë, ti ishe ambasadore e fjalës, ti na e hape rrugën të gjithëve, ti tregove se dhe këndej flejnë muzat dhe sa gjallënisht rrojnë mbi ne e në ne.

     Linditë e dashur, jo më larg se ditën e kobshme të ikjes tënde, të shkrova për të më përkthyer disa poezi, sepse t’i ishe njohëse e mirë e shumë gjuhëve dhe gjithnjë ne referoheshim te ty. Dhe prita gjithë pasditen që të merrja një konfirmim prej teje… por… si gur i rënë prej qielli ra ai lajm…

    Poezia jote do të mbetet nga më të bukurat shenja që denjon të theksojë se arti është më i bukuri shpëtimtar i këtij realiteti të patrajtë, e mbi të gjitha e ndjej të nevojshme të të them Lindita, falemnderit që na e fale emocionin tënd, vërtetësinë tënde, të papërsëritshmen vete…

    I pavdekshëm do të jetë kujtimi për ty!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË