More
    KreuLetërsiShënime mbi libraTefë Topalli: Jup Kastrati dhe studimet deradiane

    Tefë Topalli: Jup Kastrati dhe studimet deradiane

      “Poezi shqipe të shekullit XV  “Kangë të Milosaut “ Transliterue, përshtatë në gjuhën e sotme dhe komentue nga Jup Kastrati (Tiranë, 1956).

    Kështu duhet quajtur vepra e parë e një studimi të plotë të romanit lirik “Këngët e Milosaut”, hartuar nga prof.Jup Kastrati, për poemën aq të njohur të apostullit të shqiptarizmit, Jeronim de Radës, publikuar më 1836, kur intelektualët, pedagogët dhe dijetarët arbëreshë, jo vetëm u shfaqen, por u bënë protagonistë të idealeve të Rilindjs sonë Kombëtare. Krijimet e tyre letrare e gjuhësore u përfshin nëpër tekstet shkollore të Shqipërisë gjatë viteve 1930-1944, nga tekstologë të nderuar si J.Rrota dhe E.Çabej. Me këtë fakt lidhet edhe botimi monografik i mësuesit të njohur të gjimnazit të shtetit në Shkodër, Jup Kastrati, kur përshtati me gjuhën e sotme, (në variantin letrar të Jugut) poemën-roman “Kangët e Milosaut”, 1956. Për këtë gjuhëtar albanolog, studiuesit e veprës së tij, kanë theksuar se në periudhën e parë të punimeve shkencore të gjuhëtarit të ri, 1944 – 1960, ai hartoi dhe nxori në qarkullim monografinë Dramatika shqiptare (1940), kur ishte në moshën 16 vjeç: më pas përgatit Vepra të zgjedhura të Faik Konicës (1952), si dhe veprën letrare-gjuhësore “Poezi shqipe: Kangë të Milosaut- bir i sundimtarit të Shkodrës” (1956). Brenda vitit 1960, ai do të përgatitë për botim Buletinin e ILP të Shkodrës, përkthen përmbledhjen me fabula të Fedrit (1958), boton një vëllim me vjersha e tregime të shkrimtarit të ri shkodran Kolë Mirdita “Trëndafila që s’çelin për ne” (1959), publikon “Bibliografinë shqipe” (1950), për të vijuar me 6 bibliografi të tjera: për Shuteriqin, Dramatikën shqiptare, për Narrativën shqipe, bibliogarfi për Shtypin shqiptar dhe Organet e shtypit, bibliografi për Gramatikat dhe Fjalorët e shqipes, bibliografi për revistën “Hosteni” etj. Në këtë dhjetëvjeçar bën botime në lëmë të gjuhësisë, studime monografike për Pashko Vasën, Zef Jubanin, Daut Boriçin etj. Kontributet e prof.Jup Kastratit, sidomos në themelimin e katedrës së Gjuhës shqipe dhe Letërsisë në ILP të Shkodrës, do të dalin më në pah me botimin e plotë të trashëgimisë arsimore dhe pedagogjike, letrare e shkencore për rreth 4 dekada, jo vetëm në këtë institucion të lartë shkencor, por në disa Universitete të vendit dhe jashtë – në Prishtinë e në botën arbëreshe, për 100-vjetorin e lindjes (15 prill 1924).

    Për poemën “Milosao”, duhet të shënojmë se hulumtimet e pjesshme kanë nisur qysh para Luftës II Botërore, në vendin tonë (fragmente dhe vetëm pak këngë të veprës), si nga L.Gurakuqi, I.Bebeziqi, A.Xhuvani, Z.Kodra, G.Meyer, Tagliavini etj.  kurse në vitet pas, studimet vijuan me përshtatjet e bëra nga prof. Jup Kastrati, më 1956, ndjekin më vonë përshtatjet nga prof. Dh.Shuteriqi (1964), poeti Andrea Varfi (1974) dhe prof. Gjergj Zheji (2009). Vepra e J.Kastratit dallon prej botimeve të tjera, jo veç në përmasat e saj, por njëherësh në gjerësinë e trajtimit të çështjeve alfabetike, leksikore, tekstore (nga origjinali tek përshtatja), interpretimet gramatikore me aq shumë shpjegime, për bibliografinë e mbështetur etj. Nga 204 faqe të monografisë, 4 janë të Parathënies, studimi hyrës me titull “Kangët e Milosaut” shtrihet në 28 faqe, 67 i takojnë tekstit origjinal dhe përshtatjes, 98 faqe përbëjnë lëndën për alfabetin dhe shënimet gjuhësore në disa disiplina: fonetike, të leksikut, morfologjisë e sintaksës. Autori shënon me plot poni: “Vepra, mbasi u krye iu dha për kontroll prof. Kolë Kamsit, Dr. Eqrem Çabejt dhe Mahir Domit. I falënderojmë nga zemra botnisht.” (f. 9) Ndër këta, Kamsi kishte kryer studime në Kolegjin e Shën Adrianit dhe kishte mbledhur lëndë për Fjalorin arbërisht-shqip, që do të shihte dritën e botimit vetëm në vitin 2009, me kujdesin e familjes së tij. Studiuesi dhe botuesi i mjaft veprave të J.Kastratit, prof. B.Baliu shënon se poema e përshtatur Milosao, pa asnjë ndryshim, është botuar edhe në Prishtinë (1965) në Shkup (1968) dhe për së dyti në Prishtinë (1969). Prej 7 vitesh, kemi në dorë veprën akademike, të shkëlqyer,  Opera Omnia II, Canti di Milosao- Edizione critica e traduzione italiana a cura di Francesco Altimari, Con DVD allegato, Rubbetino Editore, 2017, 484 f., sjellë për studiuesit e sotëm si punim filologjik, me metodat bashkëkohore të analizës së tekstit

    ***

    Vepra e transliteruar “Kangët e Milosaut”, nga teksti origjinal i edicionit të parë, 1836,  u mendua prej autorit të përshtatej në të folmen e sotme, me bazë toskërishten, pse, siç dihet, dialekti arbëresh në përqindje të madhe i afrohet atij të jugut. Ishte një gjykim shkencor dhe parashikim se varianti i shkruar i toskërishtes do të vihej mbi bazën e gjuhës letrare, pas 16 vitesh, më 1972. Gjithçka poetike e De Radës na vjen në arbërishte, kurse dallojmë me bindje penën e studiuesit Kastrati, me një variant shkrimi që tejkalon të folmen e Gropës së Shkodrës. Ai synonte që përshtatja të ishte sa më poetike, të ruhej fryma krijuese e poetit të Makit, ritmi i veçantë i poezisë së tij dhe elipsi sintaksor, stili konçiz dhe leksiku deradian. Nuk kemi si të mos përcjellim ato karakterizime të ndjera për gjuhën dhe shprehjen plot oshëtimë të rilindësit të madh arbëresh: “Kur jeton me Milosaun dhe të bijën e Kologresë, Rinën, kur dëgjon bisedat e tyne të nxehta, fjalët e tyne të kthjellta, frazeologjinë e tyne, ndjenjën e tyne të ngrohtë, kur shijon edhe ti atë  ndjeshmëni të hollë, atë lirizëm, që e përshkon veprën fillim e mbarim, kur vren, posaçërisht, atë rrobe elegante, atë metrike, me të cilën e mveshi poeti këtë poemë dhe roman në vargje, atëherë e çmon edhe ma tepër këtë vepër madhore, e cila inauguron letërsinë tonë reflekse, atëherë e çmon edhe ti ashtu siç e vlersuen Lamartinë, Hugo, Mistral, Camet, Tommaseo, Cantu, Benloew, Meardi, Marchiano, Stratigo, Bugliari, Gualtieri e të tjerë auktorin e saj.” (f. 8) 

    Ne sot, pas gati 70 vjetësh, duhet të vështrojmë me vëmendje verbin e shkruar të prof. J.Kastratit në analizën e thellë që bën ai në zbërthimin e plotë të veprës në sythin “Kangët e Milosaut” f.11-37, brenda të cilit gjejmë edhe përkthimin e fjalës-kushtesë që drejton De Rada për mikun e vet Rafael Zagarese, kur kalonte ditë me Antonin dhe Ëngjëllin pranë mureve të Shën Adrianit. Autori ynë jep të dhëna për tre botimet e Kangjellave të poemës, shqip e të përkthyera italisht në prozë, në korelatë kohore me rendin kronologjik të poemës së dashunisë, kohë që prof.Altimari më vonë, e shënon për këngët paramilosaike, brenda një periudhe prej nandëmbëdhjetë vjetësh 1405 deri me 1423, marrun me mend në Shkodër, historikisht në Maki, vendlindja e poetit. (f. 15). Vende-vende, pena e gjuhëtarit tonë na sjell bukurinë dhe ndjesinë e prozës plot poezi, figuracion dhe shprehësi, si në këtë frazë:

    një mëngjez, kur zgjohet nga gjumi dhe hap dritaren e dhomës, prej frushullimës krahëve të vidës, sheh natyrën e stolisun e të lulëzueme edhe për largu detin e kaltër Jon. I zbulohet, si kurr s’i kish pa ma parë atdheu me shtëpia dhe deti. Dhe poeti, nga harmonia imitative e shushurimës krahëve të pëllumbit me qelqet e dritares, na përshkruen një tabllo mbushë me fantazmagori ngjyrash dhe dritash: të bardha lulet e linit, si zemra e vetë riut, simbol pastërtie dhe sinqeriteti; të kaltërt ujnat e detit dhe mbarë qielli; në ngjyrë ari fushat e mbjelluna me grunë. Gjithëshka asht e pregatitun për lindjen e dashunisë; zemra asht e pastërt e plot haré, e mendja âsht krejt e humbun në vështrimin e natyrës bukur, e nuk kujton brengat njerëzore. Pranëvera, përjashta, gazullon: lulet e linit në çeluna, era i përkundë e ato duket se vallëzojnë e qeshin. Edhe qielli âsht i qeshun porsi lulet. Krejt natyra âsht e lumtun. I lumtun âsht edhe poeti…. (f. 17)

    Edhe skenat e ëmbla të jetës së re në çift, vijnë e sillen prej autorit studiues plot “pervigilium Veneris”, si shkruan ai, dhe paraqiten me një sfumaturë në mes romanticizmit dhe të sensualizmit. Pas shfaqjes sublime të dashurisë në këngën e parë, autori ynë shpjegon se hyrja në poemë bëhet në kangjellin e dytë, kur ngjet edhe takimi i parë i heroit (Milosaut) me të bijën e Kologresë, Rinën e bukur me bishtaleca, tek kroi i fshatit. De Rada ndjek një traditë këngësh në këtë simbol poetik, qysh nga Eposi ynë, kur nusja e Mujit, grabitur nga Zanat e malit, takohet dhe njihet me të shoqin, i cili e mëson si t’u shpëtojë të Mirave Shtojzovalle! Kroin e fshatit për dashurinë e vashave e ka në vargjet brilante edhe Lazgushi ynë; edhe në prozë, Kadareja, e përshkruan mahnitjen e Sjellësit të Fatkeqësisë para vajzave të lira e të gëzueshme shqiptare, pranë një kroi, në novelën e mësipërme;  ndërsa karvani i tij po sillte në Arbëri  simbolin, që për disa shekuj, do të quhej Islamo nox…..Lexojmë përgjatë shpjegimeve këngë për këngë, të dhëna letrare, kulturore, me emra e vepra klasikësh të antikitetit grek e romak, emra shkrimtarësh të rramave e drejtimeve artistike të mëvonshme, si: Anakreonti, Safoja, Gualtieri, Tommaseo, emra vendesh e fshatrash nga hapësira ku banojnë arbëreshët; Mistrali përmendet me thënien e tij “Quel delicieux tableau ! Cela a le parfume idilles oblique et la rêve de langue vierge !“ (Sa tabllo i kandshëm. Kjo ka aromën e idileve biblike dhe të jetës virgjineshë !” (përkthim i autorit), kur zë e ravijëzon bukurinë e Rinës, kur De Rada tregon jetën e ditës dhe të katundit me përfytyrime të kërcyeshme. Kangjellë pas kangjelle, lexuesi sikur humbet në kënaqësinë e valleve djem e vajza, pranë detit, në skenat e natyres së gjallë e me ngjyra gjithnduerësh, mbi të gjitha, nuk na ndahet përjetimi për gëzimin e njerëzve që kënaqen e hidhen lart shpirtërisht kur shohin të rinj të lumtur, optimizmin e jetës, nanat me fëmijët e vet ngrykë, … “ e poezija, në këtë pikë, ka ngjyrën e poezisë së Tirteut”, (një poet i Greqisë së lashtë, që jetoi në shek. VII, para Krishtit), etj. Në segmente të ndryshme shpjegimi ka edhe krahasime të vargjeve apo këngëve sipas botimeve të ndryshme që i janë bërë poemit prej vetë poetit; në mbyllje të komentit, njihemi me gjykimin se autori i kësaj përshtatjeje, e sheh krejt të arsyeshme atë mënyrë të foluni eliptik (dhe elipsi âsht  gjâ e domosdoshme e poezisë dhe e të folunit njerëzuer…); ai na njeh me letrën që poeti i Makit i dërgon Nikolla Tomaseo-t, vijon me krahasime të veprës në vargje me nymfa të Horaci-t dhe citime prej Dante-s….edhe prej mësuesit të tij te Komedia Hyjnore, Virgjilit, si: “ hic inte flumina nota, et fontes sacros” (këtu ndërmjet lumejvet të njohtun e gurrfave shenjte). Në fund të kësaj kornize komenti të frymëzuar e poetik, autori i librit  kujton Dorothenë e Goethës, duke e përqasur me vashën arbëreshe, e cila, “me njenën dorë mbante të ngritun mbi veshin e bardhë si bora flokët e lëshueme, me tjetrën nxori dy mollë dhe ia lëshoi në dorën e tij dhe u skuq.” Dhe mbyllet kjo paraqitje për një veprë që prof.Kastrati jo vetëm e publikoi para shumë viteve, por e deshi si art i paarrirë për kohën kur u shkrua, nga pena e atij që gjuhëtari dhe albanologu ynë, i kushtoi një jetë të gjatë studimi të gjitha veprave: De Radës: “Dikush tjetër thotë, se kangët e tija janë tepër të coptueme. Por ai që sjell ndër mendë pëllumbeshën e pavdekshme t’Anakreontit, më ban me dijtë, se nuk mund të takohemi me fillin retorik të fluturuesve. Tjetër fill shoh tash unë, që e shtërngoi atë, qysh në vitin 1839; dhe shoh se zemra e tij qe shembull përkurmënie dhe vendosmënie njëherit. Në zemrën e tij âsht dëshirë e përvûjtë për të mirën, sepse âsht plot dashuni për jetën….”

    Në këtë shkrim modest, si peng nderimi për dijetarin e madh të filologjisë dhe albanologjisë shqiptare, në këtë 100-vjetor të lindjes, më pëlqen të kujtoj sentencën e semiotistit dhe tekstologut U. Eco, i cili nënvizonte se, kur përkthejmë nga një gjuhë në tjetrën, le të mundohemi të themi gati të njëjtin gjë; por, në rastin tonë, kur përshtatim gjuhën e një autori, siç është De Rada, me gjuhën e sotme, duhet përpjekur të themi, jo gati, por krejtësisht të njëjtën gjë, siç ka arritur prof.J.Kastrati me poemën-roman idilik “Kangët e Milosaut”, dhe asnjëherë të bëhen përshtatje të përafërta, të tjetërsuara apo edhe devijime të papranueshme. 

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË