More
    KreuLetërsiShënime mbi libraJosif Papagjoni: Midis të vërtetës historike dhe të vërtetës letrare

    Josif Papagjoni: Midis të vërtetës historike dhe të vërtetës letrare

    Mira Meksi duket se është në vlugun e saj si romanciere. Bën një letërsi që ta rrëmben syrin, më së pari, për stilin e saj, gjuhën, fjalorin e pasur, krehjet e hijshme të një rrëfimi e ligjërimi mbresëlënës që epohet kah ngjarje të thukëta të historisë së shqiptarëve, përzier me mite, legjenda, kulturë librore, personazhe të shumënjohur. Kam lexuar disa nga romanet e saj. Më ka lënë mbresa “Frosina e Janinës”, me atë udhëtim liriko-tragjik në ankthin e një dashurie të tradhtuar dhe një krimi përvuajtës; pastaj erdhën romanet “E kuqja e demave”, “Mallkimi i priftëreshave të lirisë”, “Diktatori në kryq”. Romani “Kutia e Agatha Christie” më është dukur një befasi gati e parrokshme, diçka si e padëgjuar për personalitetin dhe dashurinë e njërit prej më të ndriturve të shqiptarëve të fillim shekullit XX, Mit’hat bej Frashërit. Në çdo roman të ri që shkruan ajo duket sikur na thotë zëplot po atë fjalë: “Miq, letërsia është një zonjëz e brishtë plot farfuri, strehëza ime, ajo që e dua fort e ku preh shpirtin tim, ajo që më nxit e më prin udhëve të fantazisë, trillit, hijeshisë së fjalës, rrjedhës së ligjërimit, hip e zbrit ngjarjeve, ca të ndodhura e ca të fantazuara, gdhend karaktere, u jap frymë konflikteve, i kthej situatat nga dukja normale e latente në befasime e thagma çmeritëse, përdor si karrem përkitje të “pabesueshme” që vijnë prej llojit të thrillerit, ku një krim dhe e fshehtë thellë rri veshngritur dhe krijon te ju ankth”.

    Edhe te ky roman i fundit, “Parisi vret”, ndihet se Mira Meksi ka stof letrar. Bën një letërsi të kohës. E ka flakur petkun e vjetër të letërsisë së vjetër dhe një tjetër ka veshur. Menjëherë sa e lexon e ndjen verbin e shkrimtarisë së saj, ndjen koreografinë e fjalës, shijon ecejaket e një semantike që lodron midis të thënës dhe të pathënës, të shndritshmes dhe të errtës. Pastaj, më ngjan, se nga romani në roman ajo di të luaj gjithnjë e më mirë me kureshtjen e lexuesit, e mban nën trysni rrëfimin, krijon ca suspansa që një lexues i kualifikuar vërtet nuk hutohet asish porse, nga ana tjetër, grishet të udhëtojë tok me trillin e shkrimtares viseve të “pashkelura”, aty ku buisin jetë njerëzish të shquar me gjeniumet e tyre profesionale, morale, karakteriale e kombëtare.

    Po këtë ndjesi pata edhe nga leximi i romanit “Parisi vret”. Po pse vret Parisi, ky metropol i luksit, i estetikës, i historisë, i erotizmit, i qelqeve, i modës, i arit dhe i bizhuve; pse vret ky Parisi i kalldrëmeve, kafeneve dhe hoteleve mbushur plot histori, i arkitekturës, i katedraleve dhe pallateve mbretërore? Shkrimtares herë pas here i duhet të shëtis hijeshive të “kryeqyteti të botës”; krijon një farë hutie te lexuesi me përshkrimet e ndezura. Këtë e bën në funksion të subjektit i kthyer në lëndën e një historie të njohur sa dhe të panjohur, e lidhur me emrin e një shkrimtari të shquar shqiptar, që mendja menjëherë të shpie tek Ismail Kadare. Përkitjet janë kaq të shumta dhe kaq të drejtpërdrejta, sa edhe sikur të thuash se ky personazh me emrin Martin Gjergji është një sajesë letërsie, njohja jonë historike dhe krejt aludimi të thonë të kundërtën. Por kjo s’ka rëndësi, jemi në fushën e letërsisë, pra dhe të fantazisë, të mënyrës se si një personazh, qoftë dhe historik, përshtatet me ligjësitë estetike të letërsisë si të tillë, shndërrohet ose në aluzion, ose thjesht i modifikohet emri për të konfirmuar elementet e ngjashmërisë “fenomenale”, e të mundshmes, edhe pse jo gjithçka mëvetësohet aty si kjo apo ajo bëmë e njohur e shkrimtarit tonë. Mëpastaj, përshkrimi i një “Parisi që vret”, pra i një Parisi të kurtheve, kthinave dhe jo i luksit, i bukurisë, shndërrohet enkas në një dekor të mbushur përplot ngjyra e mrekulli sepse, në këtë rast, kjo mënyrë kryen rolin e kontrapunktit, e asaj që fshihet, që krijon ankth, që është përtej dukjes, kredhur thellë, në basifondet e krimit. Unë kam pasur rastin të shkojë me dhjetëra herë në Paris dhe, si të thuash, pejzazhin përshkënditës siç jepet nga pena e Mirës, e përcjell pa mrekullimin e një syri tjetër, që shkel së pari aty. Mbase një vetëpërmbajtje empathie dhe poetizimi mund t’i bënte mirë pandehmës së zymtë që romani e mban si mjet ankthi dhe suspansi. Por siç thashë ky është një “dekor” i qëllimtë, i adresuar për shqiptarët që shkelnin shumë rrallë në atë qytet të ëndërruar asoherë, qytet shprese dhe lirie ku do donin të jetonin e ku përfshihen edhe dy personazhet kryesorë të romanit, shkrimtari Martin Gjergji dhe e dashura e tij Jurendina Muzaka.

    Martin Gjergji, shkrimtari që për politesë nuk po e quajmë Ismail Kadare, pas një kohe privimi për të promovuar letërsinë e tij në Francë, duket se një dorë e pabesë, e kredhur në dyshimet ndaj tij si armik i regjimit, kërkon ta provokojë duke i dhënë lejen e një vizite pune në Paris, por tashmë pa shoqërues, pra ku ai mund të shfaqej e vepronte lirisht jashtë syrit përgjues të policisë sekrete. Jemi në një situatë politike në prag shpërthimesh dhe ndryshimesh të mëdha. Muri i Berlinit ka rënë. Kasta politike e vendit është trembur. Urrejtja vlon, rrebelime dhe akte protestash kanë nisur të shfaqen gjithandej. Udhëheqësi komunist Ramiz Alia provokon intelektualët shqiptarë në një takim të thirrur prej tij për të testuar pulsin se deri ku shkonin kërkesat e disidencës së fshehtë shqiptare: Pluralizëm politik apo pluralizëm “ideologjik”?! Pikërisht në këtë pikë-kthese dhe panik që e kishte përfshirë kastën komuniste, shkrimtarit Martin Gjergji i sajohet enkas një shkuarje në Paris, kinse për të botuar në frengjisht romanin e tij të fundit, por në fakt për ta vrarë atë. Pikërisht këtu nis e bitis një aventurë ecejakesh e retrospektivash, që e sjellin shkrimtarin sa në përjetimet e tij dramatike në Tiranë, sa te një dashuri e lënë peng, sa te dyshimet dhe ankthi që e bart me vete si pamundësi të mbërritjes së lirisë në vendin e tij të vogël nën dhunë, aq dhe në dyshimet që e brejnë për një vrasje të mundshme nga policia e fshehtë, mbase nën petkun e një dashurie hakmarrëse. E gjitha kjo vjen e bashkëshoqëruar nga ankthet që ai përjeton në Parisin shkëlqimtar, po aq të mistershëm e vrastar. Në arkitekturën e romanit shfaqen nyjat dhe pilastrat kryesore: shkrimtari si pika e epërme e vetëdijes së një kombi, dashuria si premisë lartësimi, artisti dhe pushteti, tirania dhe liria, krijimi i pastër dhe kompromentimi i tij nga ideologjia, përkatësia letrare dhe përkatësia politike.

    Brenda kësaj siujdhese marrëdhëniesh të lidhura së bashku, narrativa e Mira Meksit shkon e vjen edhe në ndoca paralele historike, që lidhen tashmë me kodet e fshehta ku të vërtetat mbulohen nga pluhuri i shekujve dhe zgjojnë të tjera pohime e pandehma. Le të kujtojmë, bie fjala, letrën e papës Paulus Secundus që i dërgonte Skënderbeut në motin 1468, për dashurinë që ai kishte patur ndaj një bije të Muzakajve të fuqishëm të Shkodrës, me të cilën thuhej se pat dhe një fëmijë. E vërtetë përvëluese vjen përmes letrës së Papës në një formë top secret, pra e koduar përmes “kodit djallëzor”. Sigurisht kjo pandehmë nuk vihet kot, për kureshtje, por në funksion të asaj çka përfaqësonte Jurendina Muzaka: trashëgiminë dhe fisnikërinë e gjakut të saj të pastër shqiptar (çka do të lidhet më pas me baladën e Kostandinit dhe Doruntinës, kalërimin e të gjallës me të vdekurën, besën dhe pabesinë, si ankthe dhe gjëma shoqëruese të shqiptarëve mes konvertimesh e zhbërjesh historike).

    Majaja ngjizëse e brumit të këtij romani mbetet raporti i vështirë, mistik dhe plot dilema i shkrimtarit Martin me krimin, vrasjen e mundshme prej dikujt, a nga dikah, duke kaluar tanimë përmes një dashurie, edhe kjo e ankthshme. Përherë shkrimtari shoqërohet nga një frikë e brendshme thuajse mistike se dora e fshehtë e sigurimit të shtetit diçka ka përgatitur për ta asgjësuar. Kjo frikë vjen në formë nebuloze metaforike në vargjet e tij “Parisi vret, Parisi verbon…”. Pikërisht, përmes verbimit me të bukurën, Parisi edhe të vriste. Por vetëm kaq, thua?! Ishte dora që e ngulte thikën tinëz, pas shpine, në terr, ajo që vriste. Vriste pushteti. Ky makth rivjen më tutje, kur Martini akomodohet në hotelin më të famshëm të Francës në “Ritz”, teksa e ha pandehma tmerruese e “…gjakut mbretëror i derdhur në Palace Vendome, si një grusht rubinësh të kuq…” Kësodore nënkuptimi i vdekjes së pritshme të shkrimtarit si zë lirie vishet herë pas here me velin e tragjedive shekspiriane dhe pandehmat e tmerrshme me shtriga e paranoja diktatorësh, tretet nëpër mite, rimerret për shpjegime paralele nga legjendat (si ajo e Kostandinit dhe Doruntinës); është e gjitha një kambanë paralajmëruese, ku morti e mban syrin hapur. Një Parthenon me kolona dhe statuja të thyera…

    Përtej kësaj situate frike, ankthi dhe dyshimi, Mira Meksi rreket të shkojë diku më tutje, në një farë transcedence, jo pa një cipëz shpengimi të kahut religjioz, ku shpirti apo fryma qarkullojnë si riciklime eterne a si rimishërime tokë-qiell (gjegjësisht religjioneve të mëdha si krishtërimi, muslimanizmi dhe budizmi). Martin Gjergji, i vetëdijshëm se mund ta vrasin, kërkon ta sublimojë veten jo thjesht te letërsia e tij si “kurmi” i një krijimi dhe fantazie të shpenguar e të pastër, por edhe te kurmi i një femre, i një të dashure-peng jete, ku dëlirësia, spikama e hirit trupor që grish energjinë fallike mashkullore, ndjenja e mbrojtjes së kësaj dashurie dhe e vetëmbrojtjes ndaj saj, të gjitha bashkohen në një pikë: nevojën për tejkalim e superim, për transcedencë, për rimishërim të gjeniumit të vet spiritual në trupin e tjetrës. Romancierja e kap këtë tezë, në thelb religjioze dhe hegeliane, e bën parmendë duke cytur buajt e narratives së saj në lërimin e ideve që ajo dëshiron t’i bëjë kryesore dhe të pushtetshme. Martin Gjergji e njeh gjenialitetin e tij si shkrimtar, aq sa njeh dhe rëndomtësinë njerëzore. Përpara se ta flijojnë për “Zotat e Olimpit” politik të regjimit, ai kërkon të bëjë një farë ekuarestie, tejkalimin e vdekjes së tij të pritshme përmes erotizmit të pastër dhe dashurisë si ringjallje. “Asnjë i vdekur nuk mund të ngjitej gjallë në Olimb”, mendonte ai me vargjet e poeteshës greke Safo. Pra vdis që të bëhesh i pavdekshëm. Vetëm i vdekur arti i tij, dalë prej vuajtjes së mendjes, mund ta çonte më në fund në “Olimpin” e vlerës së përkryerjes, nënkupto të përkryerjes së artit.

    Arkeologjia që M. Meksi krijon duke përzier reljeve e lëndë të ndryshme në shpjegimet e saj, filluar nga informacioni politik i kohës, biografia e shkrimtarit të shquar Kadare, religjioni, mistika, mitet, futur aty edhe një shtresim i letërsisë dedektive të 007-tës, shajni e bëma të habitshme që lidhen në një logjikë rrëfimi bindëse të tipit të thrillerit, misterit, një fare ekzorcizmi psikik mes djallëzive, të cilat edhe të kujtojnë vitin 1990 ku vendosen ngjarjet e romanit, edhe i bishtnojnë atij, sepse kanë prirjen gjeneruese të një narrative ku e fshehta pjell të fshehtën, ngjarja ngjarjen dhe pandehma pandehmën.

    Romani sjell jo pak informacion mbi atë udhë vramendjesh, dyshimesh, kundërshtish dhe ankthesh që kalonte shkrimtari ynë I. Kadare në prag të ndryshimit të madh politik të vitit 1991. Survejimi i tij, frika që kasta komuniste kishte nga fama që ai gëzonte në Francë dhe Evropë, mendjehapja, sidomos letërsia që ai bënte, jo thjesht e talentuar dhe sipërane por po aq dhe kritike, emancipuese dhe formuese për shqiptarët e ngujuar nëpër kulla e bunkerë dogmash e gënjeshtrash, e gjitha kjo krijon në roman një si ndrydhje, një dëshpërim në caqet e traumës. Nën kodet e rrepta ideologjike të realizmit socialist, Kadare (domethënë Martin Gjergji) mundi të bëjë një letërsi të madhe mbushur me dritë, një letërsi të kthyer në fanar për të parë diku tej, në brigjet e një Evrope të lirë e të kamur, në të cilën edhe vendi i tij pat qenë dikur pjesë e atij banketi dhe asaj tryeze. Shkurt, të “bënte një letërsi normale në një vend anormal”, sikurse shprehet ai. E pra duke e ndjerë kërcënimin që i vinte në tri kahe: a) mundësia e një arrestimi apo vrasjeje nga policia sekrete, b) pamundësia e një komunikimi të natyrshëm të gjeniumit të tij artistik me botën (nga ndalimi i librave të  botuar jashtë), c) vuajtja e mungesës së lirisë e ardhur në zgrip të durimit – shkrimtari Martin Gjergji rreket të shkojë drejt një zgjidhjeje me ngarkesë religjioze dhe transcedentale. Ai synon të rimishërohet jo thjesht si burrë që dashuron një grua, por si në një lloj ekuarestie tjetërfarë, duke e ripërtërirë qenien, gjenin e përzgjedhur, pra lëndën superiore të artit, kuintesencën e vet, në mitrën pllenuese të një gruaje. Kjo ide, natyrisht, ka shumë ezoterizëm brenda, sikurse ka dhe një paragjykim mitik, për të mos thënë besëtytni. Kësisoj Meksi e kthen personazhin e vet në bartës të një ideje disi të idealizuar, ku roli i shkrimtarit të ndritur si gjenium, i bashkuar me bukurinë femërore dhe fisnikërinë e kastave të hershme të bujarisë shqiptare në kohën e Skënderbeut, mund të krijonin amalgamën dritësuese të ardhmërisë së kombit, duke e shpëtuar nga çoroditja, rëndomtësia, degradimi dhe shëmtia komuniste. Them se kjo është më shumë një “ide poetike”, disi romantizante, më shumë një metaforë letrare sesa diçka që i shkon më për shtat prozës si narrativë, parashtrim, subjekt etj. Një farë apeli a meraku (nëse mund ta quajmë kështu) se Shqipëria dhe shoqëria jonë nën diktaturë lipsej të ruante kuintesencën lëndore të trashëgimisë së saj më të mirë historike dhe antropologjike, gjenin fisnik dhe farën e shpirtit krijues të lartësuar, në thelb është një mbivendosje filozofike, një dëshirë e bukur, por jo një e vërtetë historike, sidomos me proceset çliruese të shoqërisë demokratike sot, me shanset e barabarta të çdokujt, me liritë dhe të drejtat njerëzore në një shoqëri dhe urbanizëm dinamik si ky që jetojmë.

    Them se dy dashuritë e pamundura të shkrimtarit Martin, e para me Anjeza Shirokën, një vajzë e ardhur nga kupola partiake e vendit dhe e dyta, Jurendina Muzaka, e ardhur nga kupola mbretërore (“gjaku blu”) prej farës së Skënderbeut me vajzën e Muzakajve, janë dy këmbët mbajtëse të urës që shkrimtarja ngre mes domethënieve të dy kohëve, të djeshmes “skënderbejane” dhe të sotmes “komuniste”. Të dyja janë dashuri të pamundura, fatale: e Anjezës si njëra prej vajzave më të bukura të kryeqytetit, bijë e një partiaku të lartë, i cili nuk mund ta pranonte për dhëndër një shkrimtar që ishte kundër regjimit; dhe Jurendinës, që vinte nga një mbiemër historik i bojarëve shqiptarë, nga Muzakajt, të cilës i ngarkohet një mision krimi nga sigurimi i shtetit për të spiunuar dhe vrarë Martin Gjergjin në Paris. Të dyja kanë një fund të trishtë, e para martohet me dikë brenda kastës komuniste që nuk  do, e dyta për dashurinë që ka ndaj shkrimtarit helmohet me striktinë (ndoshta vetëhelmohet, ndoshta e helmoi policia e fshehtë, ndoshta… dhe enigma vazhdon…) Të dyja vajzat janë të dëlirësuara, e para pakëz më naive, që i gëzohet mishit në flakërimën erotike e fallike dhe e dyta më fisnike e më dinjitoze, që i gëzohet adhurimit dhe bukurisë së mendjes dhe artit të shkrimtarit. A janë ato “frymëzimi artistik”, lënda poetike dhe letrare e Martin Gjergjit, apo pellgje frike, dyshimi, tjetërsimi dhe dështimi? Të dyja këto gjësende M. Meksi i pleks dhe i përzien qëllimisht në funksion të idesë, e cila lidhet me të vërtetën e krijimit letrar: Ç’ishte dashuria vallë, vetëm lënda parake e letërsisë apo edhe kodi i përjetshëm i lirisë. Ku ishte dashuria sublime, te jeta apo te vdekja? Ky binom mortor i vret dhe i pamundëson dashuritë e mëdha, siç ngjet dhe me Martinin, por nuk e vret dhe e pamundëson lirinë e artit, përkundrazi arti i madh ushqehet me ankthin, tragjedinë, vetë vdekjen.

    Romani ka çaste ankthi, ëndrrash të frikshme, ku përzihet miti i hershëm hebraik me pandehmat e tmerrshme të mendjes së trazuar që vërshojnë në ëndërr, sikurse na vjen kjo e vizatuar bukur te ëndrra e Jurendinës me kokën e prerë të shkrimtarit mbi tepsi, njëjtë siç pat bërë dikur në rrëfenjën biblike Salomeja. Ajo i kërkoi mbretit Herod kokën e prerë të Gjon Pagëzorit mbi tepsi që të kërcente mes ekstazës fallike e të lemerishme. I gjetur në roman është edhe episodi kur shkrimtari, duke sfiduar frikën, i shkon Anjezës mu në vilën e saj byroiste, si për ta shpëtuar nga burgosja e dashurisë, por tashmë kambanat kishin rënë. Për t’i dhënë mision shëlbyes figurës së Martin Gjergjit, në roman gjejmë edhe përshkrime historike të një grupi grash të njerëzve të fuqishëm të globit, që kanë ndikim në rrjedhën e ngjarjeve pas shembjes së murit të Berlinit, siç është zonja Rotshild dhe shoqet e saj. Shkrimtarit i kërkohet pjesëmarrje aktive në proceset politike që priteshin të ndodhnin në Shqipërinë komuniste për të sjellë një rend të ri, paçka se mes trysnish dhe sakrificash. Diçka e fortë duhet të ndodhte që të përshpejtohej lëvizja demokratike, siç në fakt Ismail Kadare bëri me kërkimin e azilit politik në Francë. Akti i largimit të tij u bë referenca inkurajuese për rininë shqiptare për të përmbysur pushtetin tiranik, ashtu si dikur braktisja që Akili i bëri ushtrisë së udhëhequr nga mbreti tiran Agamemnon i Spartës. Liria kushton. Liria kërkon therori. Liria kërkon dëlirësi. Një nga kromozonet dhe qelizat e pamorta të saj është Arti i pastër, i pakorruptuar…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË