More
    KreuKinematografiTimo Flloko: Si aktorë të rinj, kishim si model interpretimin e Brandos...

    Timo Flloko: Si aktorë të rinj, kishim si model interpretimin e Brandos në film

    Njëqind vite më parë, më 3 prill 1924 lindi Magjia e Kinemasë Marlon Brando

    Brando pati jetën e një djaloshi të thjeshtë, nga rrethinat e një qyteti provincial të shtetit Ilinois, i cili brenda një kohe shumë të shkurtër, pa i mbushur të tridhjetat, u bë i njohur e i famshëm në të gjithë Amerikën dhe anembanë botës.

    Në karrierën e tij të jashtëzakonshme, ai mori dy çmime “Oscar”, me Teri Malloin, një boksier dhe natyrë e komplikuar, në filmin Në ballë të portit dhe me bosin e mafies, Vito Korleone, te Kumbari. Qysh në fillesë (në fillim të viteve `50), Brando, si asnjë aktor tjetër, pati katër nominime radhazi si Aktori më i Mirë për çmimin e akademisë “Oscar”, që nisi me Një tramvaj i quajtur dëshirë, Rroftë Zapata! dhe Jul Cezari. Marlon Brando luajti në 41 filma, në 54 vjet karrierë.

    Kur isha student në Akademinë e Arteve, një nga kurset më me interes ishte ai i filmit, që e zhvillonte regjisori Piro Milkani. Në një prej shfaqjeve të javës në Kinostudio, pamë filmin Rroftë Zapata!, me regji të Elia Kazanit. Edhe sot e kam të gjallë impaktin që krijoi Emiliano Zapata porsa u shfaq në ekran mes turmës së kryengritësve meksikanë, befasues, imponues, mbresëlënës, me një portret sa i gjithë ekrani, sytërhequr, si të ngjitur në qepalla. Mbetëm pa frymë. Pakkush e kishte parë atë në ndonjë film – televizorët asokohe numëroheshin me gishta, në kinema nuk shfaqeshin filma amerikanë, madje edhe ky variant i blerë nga francezët ishte i dubluar në frëngjisht, nga një aktor francez me zë baritoni të thellë, që nuk përqasej me zërin origjinal të Brandos. Loja e tij në atë film na tronditi e na lëkundi bindjet, u bë një objekt studimi dhe krahasimesh për stilin e lojës së aktorëve në film që kishim parë deri atëherë dhe Brando nga ai çast u bë një idhull, model imitimi.

    Në një orë mësimi, pedagogia e aktrimit, Drita Agolli, e cila veç dashurisë dhe përkushtimit ndaj profesionit na kultivoi edhe ndjenjën ndaj së bukurës në art, na pyeti se përse Zapata i kishte sytë ashtu të tërhequr e misteriozë. Pasi ne s’dhamë atë përgjigje që ajo priste, na thotë: “Më tepër se një tipar i natyrës a i racës, forma e tërhequr e syve në portretin e aktorit shpreh zgjuarsinë popullore te prijësi meksikan, thelbin e karakterit. Mos harroni, loja e aktorit dhe gjithçka, çdo detaj e gjetje, duhet t’i shërbejë natyrës së karakterit.”

    Në diskutimet tona si studentë dhe shakave spontane, na pëlqente të imitonim dikush Brandon, dikush Kuinin, me pasionin e aktorit të ri, të etur për t’u transformuar nga vetja në tjetrin, që është thelbi i këtij arti.

    Sa herë shfaqet Brando, përfytyroj “inskenimet” që bënim asokohe me Niko Kanxherin, shokun e kursit, aktorin brilant; unë imitoja Brandon, te Zapata, duke përthyer me gishta qepallat nën rrathët e syve, në mënyrë që ato të merrnin formën e syve të Brandos në rol, kurse Niko krijonte plastikën e çlirët të Kuinit në rolin e Manos, vëllait të Zapatës, duke i rënduar duart e duke zbritur zërin 1-2 oktavë më poshtë. Ishte një lojë zbavitëse, që u kthye në zakon mes nesh. Qeshnim.

    Kur pas disa vitesh regjisori Sajmir Kumbaro, shoku ynë i kursit, na vuri përballë njëri-tjetrit, në dy role kundërshtare, te filmi Vdekja e kalit (filmi i parë pa censurë pas rënies së regjimit komunist në Shqipëri), i thashë Nikos se ato prova që bënim atëherë kishin qenë së paku një shenjë parathënëse për një kohë tjetër, kur do të luanim si partnerë dramën shqiptare të njeriut nën diktaturë njëmend, duke i lënë imitimet.

    Po çfarë kishte në interpretimin e Marlon Brandos që na rrëmbeu si magji? Lojë e përmbajtur, në nënshtresë, si “e fshehtë”, e qetë në sipërfaqe, por e beftë dhe shpërthyese si uragan në çastet kulmore. Brando sillte si askush tjetër një realizëm të paparë në ekran deri atëherë, me një proces të brendshëm të përmbajtur, por intensiv, atë që më vonë do ta mësonim si tipar kryesor i lojës së aktorëve të Metodës, të shkollës së aktrimit sipas parimeve të Stanislavskit, të gjeneruara në teatrin amerikan nga Stela Adler, Li Strasberg, Elia Kazan etj., me kampionë aktorësh si Xhejms Dini, Merlin Monro, më vonë Xhek Nikolson, Robert de Niro, Robert Duval, Dastin Hofman dhe Al Paçino, mes të cilëve shembulli më përfaqësues ishte dhe mbeti Marlon Brando.

    Brando u shkollua me Stela Adlerin në Studion e Aktorëve në Nju-Jork, parimi bazë i së cilës ishte transformimi artistik i aktorit në rolin që interpreton. Arsyeja pse Brando ishte më i miri qëndron në atë se ai i ndërtonte karakteret së brendshmi, duke i përmbajtur emocionet për momentet më kulmore, të cilat krijonin shpërthimin e madh. Ai e bëri këtë me aq përsosmëri në filmat e tij të parë, sa e ngriti stekën e “kërcimit” shumë lart, madje edhe për veten e tij. Tango e fundit në Paris, që doli në të njëjtin vit me Kumbarin, është filmi më personal i të gjithë filmave të tij, ku emocionet, përmes një teknike të përsosur, vijnë nga brendësia në sipërfaqe bindshëm, të gjalla, përpara syve tanë. Brando solli një koncept të natyrshëm e realist pranë psikologjisë njerëzore në karakteret që luante, sa vështirë të dallohet në ta loja, teknika profesionale, truket e artificet dhe vështirë ta ndash për nga vërtetësia artistin në rol nga njeriu në jetë; ai e fshin atë kufi.

    Është e njohur polemika që pati Marlon Brando me Lorenc Oliverin, kolosin e teatrit dhe filmit anglez, mbi parimet e interpretimit në film. Oliveri nuk pranonte ta “ulte” personalitetin krijues të aktorit në nivelet e një loje në nënshtresë (parimi i ajsbergut, 1/4 në sipërfaqe dhe 3/4 e pashfaqshme, nën ujë), natyrale në skaj, që ishte njëhershëm thelb e stil i parimeve të Metodës. Sigurisht, të dy kolosët i respektonin principet e artit të njëri-tjetrit dhe ajo polemikë zhvillohej midis dy majave nga më të lartat që ka njohur teatri dhe filmi ndonjëherë.

    “Po të ishte ndarë nga jeta pas filmit Në ballë të portit më 1954, miti i tij do ta kapërcente atë të Xhejms Dinit dhe të Merlin Monrosë, të marrë së bashku. Brando ishte simboli i parë i rebelimit rinor të pasluftës, seks-simboli i parë, djaloshi që çdo i ri ëndërronte t’i ngjante”, – shkruante për të Daily News.

    Si aktorë të rinj, disa prej nesh kishim si model interpretimin e Brandos në film.

    Në fillim të viteve shtatëdhjetë, kur sapo kisha mbaruar Akademinë, fati e solli të luaja një rol, të cilin e kishte luajtur Brando në film, atë të Val Ksavie, tek Orfeu zbret në Ferr të Tenesi Uiliamsit, me partnere kryesore në rolin e Ledit, Margarita Xhepa. Për fat të keq, rolin e luajta deri në provën gjenerale, sepse pjesa u ndalua nga censura e asaj kohe dhe regjisori Mihal Luarasi u burgos si armik i regjimit dhe i metodës së realizmit socialist. E mora si shembull, sepse roli im ishte kryefund një imitim (s’mund të them as për humor, si një “variacion” mbi lojën e Brandos!) i bërë me zell e ngulm për t’i ngjarë sa më shumë atij, në lëvizje, në plastikë, në reagimet psikologjike. E adhuroja Brandon si besimtari Zotin, por synimi për ta imituar ishte i gabuar (arti nuk është imitim, por krijim), edhe pse imitimi më shërbeu për ta vënë veten në provë se sa i aftë isha ta bëja atë gjë. E vetmja gjë që vlente ishte modeli i përsosur që kisha zgjedhur, Brando, por krejt e gabuar në principin krijues. Me mendjen time kujtoja se sa më shumë t’i ngjaja modelit aq më shumë isha brenda karakterit që luaja. Është e kuptueshme, shkrirja me modelin e ëndërruar, nëse ndodh, u takon fillimeve të krijimtarisë, kur nuk e ke krijuar ende personalitetin si artist dhe je nën ndikimin e idhujve të adhuruar, si në këtë rast.

    Kolegu dhe miku im i paharruar, Bujar Lako, e adhuronte Brandon si dhe unë, mos edhe më shumë. Bujari pati një sukses të bujshëm me filma, si Gjeneral Gramafoni, Udha e shkronjave, por jo rrallë zëra xhelozësh pëshpëritnin se Bujari luan si Brando. Absurde ta mendosh! Bujari, pavarësisht adhurimit ndaj Brandos, kishte prirje ndaj një loje të përmbajtur e psikologjike para kamerës, që ishte veçori e natyrës së tij si aktor, një aktor i madh, që e kishte bërë të shquhej mbi të tjerët.

    Në vitet kur isha pedagog i ri i mjeshtërisë së aktorit në Akademinë e Arteve, në një nga orët e leksioneve të lëndës, referoja për një temë që lidhej me krijimin e rolit nga artisti i metodës së realizmit socialist e se si kjo metodë e kushtëzon nivelin artistik të krijimit dhe se sipas saj vetëm një artist me botëkuptim marksist-leninist është i aftë ta përkryejë procesin mishërues të rolit, perspektivën e tij. Në auditor u krijua një heshtje e pezmët dhe pas pak studenti më kurajoz mes tyre pyeti: “Më falni, profesor, po si e shpjegoni ju faktin që Marlon Brando e ka luajtur Emiliano Zapatën në film në mënyrën më të përsosur, ai nuk është aktor i metodës së realizmit socialist dhe nuk ka botëkuptim marksist…?!” Pyetja, edhe pse delikate e sfiduese, pritej, por unë “dredhova” duke përmendur atë që kishte thënë Engelsi për Balzakun, se ka raste që vepra e shkruar i imponohet artistit, pavarësisht botëkuptimit, se: “Balzaku e kishte tradhtuar pa e kuptuar kauzën e vet.” Atë pyetje ma bënin çdoherë studentët te leksioni mbi karakterin, sa herë shtrohej si çështje. Unë e pëlqeja atë sfidë dhe e sillja shembullin në auditor enkas, që pyetja të bëhej patjetër e të zinte vend. Ishte një rebelim brenda meje i artistit ndaj absurditetit të metodës socrealiste, ku ngadhënjyes dilte artisti, ndërkohë që lektorit skematik i binte argumenti e zihej mat si një shahist i pazot dhe përligjej e vërteta mbi mashtrimin.

    Më tej akoma, si për ta eksportuar fenomenin përtej auditorit në opinionin më të gjerë, m’u kërkua të kumtoj në një sesion shkencor në nivel akademie mbi interpretimin e aktorit të metodës së realizmit socialist. Në kumtesë shtrova pa nguruar të njëjtin problem. Mora si shembull dy role të Brandos dhe i vura përballë. Zapatën, të pranuar nga opinioni si një realizim të suksesshëm, por duke vënë theksin mbi botëformimin dhe idealet e luftës për liri të prijësit popullor, të cilat e kishin kushtëzuar suksesin në rol. Si shembull kundërvënës mora Polin te Një tango në Paris, një personazh pa moral shoqëror, të degraduar dhe pa të ardhme, një shembull degjenerues ndaj brezit të ri. (Për paradoks, karakteri i Polit ishte një nga rolet e Brandos që çmoja profesionalisht më shumë.) Hipokrizi nga ana ime, pa dyshim, që e dëmtonte imazhin tim, por kjo nuk kishte aq rëndësi në atë sistem hipokrit, rëndësi merrte ai trajtim ambig, vënia në dyshim e metodës përmes dy roleve të kundërta të Brandos në opinion, ku suksesi i aktorit në secilin hidhte përtokë absurditetin e metodës socrealiste. Pas sesionit, ndonjë aparatçik më shtrëngoi dorën, të tjerë heshtnin në mospranim, një shok më tha: “Vërtet mendon ashtu?!”, kurse profesori dhe kritiku i shquar i teatrit, Kudret Velça, më tërhoqi mënjanë dhe më tha: “Do të të qortoja nëse do të kisha bindjen se mendon ashtu, në atë që kumtove s’kishe argument.”

    Në vitet pas rënies së diktaturës e kam trajtuar rishtas të njëjtën çështje në auditor, duke e ironizuar pozicionin dhe ligjërimin tim absurd e pa argument në të shkuarën, duke përqeshur madje edhe veten. Shembull më të mirë në përvojën time si profesor i aktrimit rreth skematizmit të asaj metode absurde rrallë se gjendej. Brandos ia shleva borxhin me përkthimin e autobiografisë së tij, që e botova në vitin 2003.

    Në librat që u botuan për të, admiruesit e tij zbuluan një Brando të vërtetë, një fëmijë i egër që e thërrisnin Bad, rebel dhe i pashtruar…

    Marlon Brando ishte i njohur për karakterin e tij kryengritës ndaj autoritaritetit qysh nga shkolla fillore, kundërshtues ndaj tutelës së komandimit dhe urdhrit arbitrar në ushtri, në shkollën ushtarake, nga ku edhe e përzunë (ai s’pranoi të kthehej më kur e kërkuan).

    Brando ishte nga të parët që iu kundërvu rregullave të ngurta shfrytëzuese të studiove të Hollivudit. Përpara dinjitetit vetjak ai nuk vinte asgjë dhe dëshpërohej në rastet kur shihte se si kolegët e tij, për të siguruar një rol në mëshirë të studiove, shisnin personalitetin. “Hollivudi drejtohet nga frika dhe etja për para, – do të deklaronte Brando në një intervistë, – por nuk mund të më drejtojë mua; unë nuk kam frikë nga asgjë dhe nuk jam i etur për para”.

    Brando u rebelua ndaj konvencioneve të Hollivudit dhe nuk pranoi të luante në jetë rolin e një ylli kinemaje. Arsyeja që e interpretoi boksierin Teri Malloi me aq vërtetësi qe se “ai ishte një luftëtar si asnjë tjetër”, shprehet në një intervistë Iva Maria Seint, partnerja e tij te filmi Në ballë të portit. Ai luajti një galeri rolesh, të cilat e tronditën traditën e deriatëhershme të filmave të Hollivudit dhe sollën një model të ri, të pashfaqur më parë. Në një nga rolet më të rëndësishme, Vito Korleone, një karakterizim artistik i guximshëm e me risk, me atë zërin frymor e të shuar, gjysmëbelbëzues, u shfaq një nga karakteret më të famshme e më të papërsëritshme në kinema, maja e piramidës në artin e aktorit për nga mjeshtëria e gjenialiteti krijues, rol që i dha atij “Oscar”-in e dytë, të cilin Brando e refuzoi si protestë ndaj keqtrajtimit të indianëve të Amerikës nga shteti federal.

    Krijimtaria e një artisti gjykohet nga arritjet. Ja një vlerësim, sipas kritikës, i dhjetë roleve më të realizuara të Marlon Brandos:

    Një tramvaj i quajtur dëshirë, 1951

    Në ballë të portit, 1954

    Kumbari, 1972

    Xheku me një sy, 1961

    Tangoja e fundit në Paris, 1972

    Jul Cezari, 1953

    Rroftë Zapata!, 1950

    Apokalipsi sot, 1979

    I egri, 1953

    Don Juan de Marko, 1995

    Brando gjithë jetën u qëndroi besnik parimeve të tij, në mbrojtje të interesave të popullatës indigjene dhe zezakëve të Amerikës, idealit të lirisë së tyre; realizoi dhe ndonjë film dokumentar për të drejtat e përkëmbura dhe pabarazinë sociale, duke udhëtuar deri në Indi. Ai ishte i pranishëm fizikisht në tribunën e fjalimit të famshëm të Martin Luther King-ut, “I have a dream”.

    Origjinaliteti i tij ishte unik, pa kurrfarë snobizmi, siç është paragjykuar jo rrallë si snob nga kundërshtarët dhe nga ata që s’e njihnin personalitetin e tij. Brando nuk shtirej as kur thoshte se arti i aktorit ishte puna më e dobishme që mund të bënte për t’i siguruar jetesën atij, familjes, miqve të vet, madje edhe botës. “Ai e urrente famën që kishte”, – thotë Stela Adler, mësuesja e vet, të cilën ai e adhuronte dhe e çmonte profesionalisht mbi këdo tjetër. “Brando nuk kishte më jetë të vetën pasi u bë i famshëm”, – shprehej ajo.

    Një artisti të këtyre përmasave, veç të tjerash, iu desh të përballej me ngjarje të rënda, shqetësime dhe drama familjare, të cilat, për fat të keq, e ndoqën gjatë gjithë jetës. Tri herë i martuar dhe baba i nëntë fëmijëve… Kristiani, djali i parë, i shtiu fatalisht të dashurit të motrës (nga i ati). Më 1995, vajza më e dashur e Brandos, Keien, kreu vetëvrasje në moshën 25-vjeçare… Natyrisht, të tilla fatkeqësi e rrënuan shpirtërisht. Vitet e fundit të jetës, edhe pse ai shquhej për guxim dhe kurajë për ta pirë kupën e jetës deri në fund, me të mirat dhe hidhësitë e veta, Brando u mbyll në vete, larg ishullit të tij në mes të Oqeanit Paqësor, Teti’aroa, ku dikur kalonte net të tëra duke soditur yjet si një Robinson Kruzo i kohëve moderne, në një izolim parajsor, larg botës së rrëmujshme dhe përpirëse. “Rrallë u end jashtë shtëpisë së tij modeste në Los Anxheles, ku më së shumti fliste në telefon dhe dërgonte fakse në emër të qenit të tij, Doktor Tim”, – shkruan po asokohe Daily News.

    Kur banoja në Los Anxheles (365 S Doheny Drive, BH), më takonte të ngisja shpesh makinën në anën perëndimore të qytetit dhe jo rrallëherë e ktheja timonin në majë të kodrës në Mulholand Drive, drejt shtëpisë së Marlon Brandos dhe fqinjit të tij, Xhek Nikolson. Ndaloja përballë asaj porte pak çaste, si para një tempulli dhe sodisja. Bëja çudi ato çaste se sa pak hapa ndodh t’i ndajnë të zakonshmit nga mitet (të famshmit), realitetin nga ëndrra, ashtu si drita e një fari në net, sa më pranë ke iluzionin se i afrohesh, aq më shumë ai far ikën larg, si infiniti. Me dëshirën (ndoshta në dehje) për të trokitur një herë a për të prekur atë portë, me atë drojën misterioze që na ndan si një mur kinez nga madhështia, ndërroja mendje, shkelja vrullshëm pedalin e gazit dhe humbja tutje. Zotat kanë qiejt e vet!

    Përherë kam pasur një bindje se gjërat, kur s’ndodhin, janë më të shenjtëruara (mjafton të besosh në këtë, e vlen).

    Brando mbylli një epokë; arti i interpretimit në film i niveleve më të epërme mban vulën e tij.

    Këtu e njëzet vjet më parë, gjatë përkthimit të autobiografisë së Marlon Brandos, Këngët që më mësoi nëna (The Songs My Mother Taught Me, me titull në shqip Përtej famës) e kam ndier asohere atë si një krijim timin nga adhurimi i paskaj ndaj Brandos, frymëzuesi im mbi gjithçka, për ta sjellë sa më të vërtetë përmasën e personalitetit të tij për artistët shqiptarë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË