More
    KreuLetërsiBibliotekëArben Velo: Një kafe në "Le Rostand"

    Arben Velo: Një kafe në “Le Rostand”

    Zbres Kodrën e Panteonit, ku  prehen mendjet më të mëdha të Francës, nga Alexandre Dumas, Marie Curie dhe marr përgjatë rrugën ku ndodhet Fakulteti Juridik i Sorbonne University, për të përfunduar në bulevardin “Saint Michel”. Për herë të parë, shëtis në lagjen mitike latine të Parisit dhe më krijohet përshtypja sikur po marr në revistë statujat e mbretëreshave, duke mos shkëmbyer asnjë përshëndetje, jo vetëm me ato, por as me “mbretëreshën e tyre” franko-italiane Marie de` Medici, krijuesen e kopshtit me emrin “Jardin du Luxembourg”. Vej e vij në hapësirat e tij piktoreske, ku janë të vendosura lagjet e shkrimtarëve dhe artistëve me famë botërore që iu dhanë emër edhe kafeneve dhe më në fund, gjej “Eifelin tim”, Kafe Rostand, studioja e punës e të madhit Kadare. Gjithçka ndodh bash në momentin kur dal nga njëra prej portave të kopshtit, me drejtim trotuarin përballë. Që kur kam lexuar “Mëngjese në Kafe Rostand”, kam kureshtje deri në ëndërr të zbuloj e të vizitoj atë kënd si studio moderne, atë kafe misterioze, të mbushur jo vetëm me klientë realë, por sidomos me personazhe të krijuara nga kolosi i letrave shqipe. Janë më shumë këta të dytët që më joshin e më krijojnë atë ndjesi që di ta krijojë vetëm arti kadarean. Ajo botë, lindur nga fronti i brendshëm i kafenesë, ka dhënë, por sidomos për mua dhe lexuesit e planetit Kadare, jo vetëm famë, por edhe frymë, deri në pavdekësi. Ndërsa pres të shuhet ngjyra e kuqe e semaforit, dalloj një zinxhir të gjelbër shkronjash antike. Lexojnë “Le Rostand”. Përnjëherë më shkrep në tru rituali i dasmës në sokakët e Gjirokastrës. Sytë më kthehen në dy kërcimtarë, të mbetur të vetëm në sheshin “Saint Michel”, duke u hedhur gëzueshëm në atë sini të mbushur me tabela me shkronja të alfabetit francez. Përnjëmend koka më ngjan si një tabaka mbushur me gota shkronjash, të prodhuara mjeshtërisht nga dora e Kadaresë dhe unë ndiej që bebëzat dredhin shtatin brenda zgavrës së tyre në një kërcim të çuditshëm.

    Ja ku është! Pesë metra larg meje. Ndodhem midis hyrjes së kopshtit, ku fillon dhe mbaron një ngushticë trotuari. Përballë shfaqen vija të bardha që të drejtojnë te godina e cila, si byzylyk, mban zinxhirin e gjelbër të shkronjave antike. Po përjetoj sikur kam në krah Patrick Modiano-n. Nuk e kuptoj pse po përpiqem ta ndihmoj që ai të kalojë atë vijë fatale trotuari, pikërisht unë, sot, në këtë prag pranvere 2024. Nuk po kuptoj ende çfarë ka ngjarë dhe çfarë e mban atë të bllokuar, të mos e harxhojë ftesë-propozimin për një kafe në “Le Rostand” me Kadarenë. Dua ta ndihmoj të kapërcejë për herë të parë, që nga viti 2011, atë brez vijash të bardha, të dalë pastaj në trotuarin përballë e të ulet atje, në atë kthinë, ku imzot Kadare vijon ta presë për një kafe, pse jo deri në vitin e largët 2036. Dua ta ndihmoj që kjo të ndodhë sot, në fillimpranverën e vitit 2024 dhe të jem unë një nga dëshmitarët e rrallë, në mos i vetmi, i këtij takimi, si një shkes prej Shqipërie. Si shpërblim, nuk dua këpucët që merr kësisoj një mbles, por dua të më rrëfejnë të dy për kafenetë e Parisit. Ia tregoj këtë përfytyrim Idës, bashkëshortes.

    Ajo vë buzën në gaz dhe hedh vështrimin në anën tjetër të rrugës. (Pak çaste më vonë, është ajo që pyet kamerierët e “Le Rostand” për tavolinën-studio të Kadaresë, fillimisht në anglisht dhe më pas në një përpjekje për të ngjallur e për t’i dhënë jetë frëngjishtes së saj.) Përpiqemi së bashku të shkrepim disa selfie me celular dhe nga padurimi, më duket sikur i jap urdhër të më shkrepë disa foto, ku unë të jem i vetëm, përballë kafenesë. Hedh kokën anash me frikën se kam humbur vegimin e Modiano-s. Por ai qëndron ende aty.  

    “Z. Modiano, ju kujtohet Kadareja?”

    “Excusez-moi, à qui je parle?” – më duket sikur më pyet ai.  

    “Jam një shëtitës shqiptar në Paris”.

     “Oh oui bien sûr”, – më kthen përgjigje të dyfishtë, duke buzëqeshur. Nuk do që të përballet me askënd, as të përshëndetet dhe të harxhojë kohën e vet, veç të marrit me letërsi. Le më pastaj të komunikojë me një të panjohur si unë i cili, jo vetëm nuk di frëngjisht, por për herë të parë sheh Parisin. Jam duke pritur përgjigjen kur befas shoh atë të kthehet drejt hyrjes së Kopshtit të Luksemburgut, shpejton hapat, kapërcen livadhin e barit, nën hijen prej rreshtim ushtarësh të pemëve në brendësi, pastaj ngadalë tretet duke shkuar në Montparnasse, në rrugën “Fleuris” nr. 27. Është mesditë, fillim pranvere 2024. Edhe sot ai, pavarësisht dëshirës time, nuk shkoi në “Le Rostand”.

    “Oh oui bien sûr!” – më tingëllon vazhdimisht në vesh. – “Oh oui bien sûr!”

    Bëhem gati për një telefonatë. Një turmë njerëzish që kalon mbi vijat e bardha sikur kalon përmbi mua. I nis disa foto në WhatsApp Bujar Hudhrit. Pas pak bie zilja e telefonit.

     “Ku është tavolina e Kadaresë në ‘Le Rostand’?” – e pyes shpejt e shpejt

     “Sapo hyn nga një deriçkë e vogël, është një kënd në krah të djathtë. Ngjitur me dritaren. Nuk bie shumë në sy. Aty ndodhet, – përgjigjet Bujari, – por mos harro të pyesësh kamerierin”, përfundon bisedën ai.

     Mbyll telefonin. Në hyrjen e jashtme të kafenesë, radhitur në pritje të klientëve, qëndrojnë tavolinat. Kureshtja më shoqëron hap pas hapi. Dy klientë dalin nxitimthi nga dera në momentin kur unë dua të hyj. Nuk di pse më ngjajnë si dy personazhe ende të paskalitura mirë prej penës së Kadaresë, që edhe vetë s’e dinë pse duan të arratisen.

     “Të marrë! O ju jeni të marrë që ikni kështu, nëse jeni lindur për t’u bërë personazhe prej tij!” – sa nuk thirra me zë! – “Ju mund të ikni, maskuar dhe veshur me fraza, imtësi, ngarkuar me rituale e përsiatje, shqetësime e biseda, heshtje e drama, emra groteskë perandorësh, diktatorësh, fraza të ëmbla e të hidhura femrash e të dashurash, por nuk mundeni të merrni me vete bërthamat e librave të ardhshëm, mbështjellë me mëshikëzën e ajrit që avullon nga ekspresi i kafesë. Nga ato bërthamëza, krijuar nga mollëzat e gishtërinjve të gjeniut tonë, do të çelin çdo fund dite të tjera shkrime, libra, veshur me aromën e çokollatave, kroasanëve dhe me sqimë përshëndetjesh fine franceze: “Bonjour Chérie!” “Bonjour mon amour!”

     Ky është përfytyrimi im. Në të vërtetë, ata të dy janë dy klientë të zakonshëm, të veshur çuditshëm të cilët, pasi kanë shijuar kafenë e shoqëruar me ëmbëlsira, nxitojnë të kapin metronë që ndodhet disa qindra metra prej aty.

     Sërish i imagjinoj si personazhe, teksa kalojnë rrethrrotullimin e sheshit “Saint Michel”, që më ngjan si një sini gjirokastrite (tashmë e kuptova sekretin pse mes qindra kafeneve Kadareja ka zgjedhur “Le Rostand”. Panteoni, Saint Michel, Gjirokastra) e nga xhepat e tyre fillojnë të derdhen shkronja, rreshta, që kthehen si në letërsi në dhjetëra trolejbusë, autobusë, që kalojnë me galop përbri kopshtit me luks e burg nga pas, e pasi ngjiten drejt kodrës, shkrofëtijnë përballë memorialëve e nderojnë shkrimtarët që prehen në Panteon. Një duhmë ajri e mbushur me zhurma të lehta bashkëtingëlloresh e zanoresh, krijuar sa nga aroma e ekspresit dhe e parfumeve, aq edhe nga ojnat fonetike hundore franceze, të klientëve të shumtë, të pranishëm, sapo hap derën, hyn në flegërzat e hundës dhe më sjell në vete.

    Më pret një kameriere e hijshme, e cila pyet me një frëngjishte të këndshme. (Më krijohet një bindje që çdo kameriere e bukur patjetër që flet bukur dhe këndshëm.)

    “Ils recherchent M. Kadare!”

    “Zotin Kadare? A nuk ju… thua se ne nuk e dimë vendin se ku ndodhet duke shkruar?” – pyetpërgjigjet një banakier. Nga brendësia e kafenesë pastaj bën ballë kryekamerieri. Kam dëshirë të vë një lloj basti me veten time. A do të mundem të arrij të zbuloj atë vendin, studion tjetër, ku punon aktualisht Kadareja?

    “Urdhëroni! Ju jeni nga…?”

    M’u duk sikur më uron dhe njëherazi më pyet, me një gjuhë flake që rri ndezur në sytë e atij burri.

    “Jemi nga Shqipëria, nga vendlindja e Kadaresë”, – më përmend bashkëshortja.

    “Oh, sa bukur!” – thotë i ngazëllyer. “Ah sa shumë që na mungon Kadareja!” – përsërit, duke drejtuar dorën nga tavolina-studio e shkrimtarit tonë të shquar.

    Vërtet? Të jetë e vërtetë? Tani, oh, po, po, më së fundmi po gjej atë strehë të mbuluar me mister, kthinën, studion më të çuditshme në botë, ngritur brenda një kafeneje. Shoh një karrige të thjeshtë, një tavolinë të rrumbullakët si planeti tokë, aty ku kolosi i letrave ka ndjellë, lëmuar, zbutur, butësisht e gjuhësisht, shkronjat e gjuhës shqipe, për t’i dhënë botës perla artistike. Dua ta ndiej atë tavolinë, të ulem, por aty qëndron një grua e moshës së tretë (dallohet që është një shkrimtare, teksa përpiqet të qetësojë me mollëzat e gishtave një stilolaps tejet të nervozuar me letrat e bardha). Ta marr inat? Pse? Joooo! Me atë kthinë, me atë qoshëz, që rrok e mban mbi shpinë të saj universe, mijëra vjet histori dhe letërsi, po çmallem, sikur të kemi shekuj pa u parë dhe pa u takuar.

     “Na mungon shumë Kadareja! Ka kohë që nuk është dukur këtej” – pëshpërit kryekamerieri.

     M’u duk shumë i afërt teksa përmend këtë emër…

    Sytë e kamerierit janë të thellë, me një ndriçim të pafund. Më shoqëron të ulem në tavolinën përbri. Para meje ndodhet ajo karrige ku dikur është ulur Kadareja. Ulësja është e zbukuruar me ngjyrat e tokës, e kaftë e çelur, me tri brazda jeshile. Mbi karrige tani qëndron një grua e panjohur. Ndërsa mbi tavolinën e rrumbullakët rrinë të hapura disa letra që duket sikur s’kanë lidhje me njëra-tjetrën.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË