More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAvni Halimi: Bota mito-poetike

    Avni Halimi: Bota mito-poetike

    Bota mitologjike ka qenë, është dhe do të ngelë terren me elementë të pashtershëm për krijimtarinë artistike. Nëse flasim për shtrirjen supstituive të mitit në vepër, në fakt do të bëhet fjalë për përshkrimin e ngjarjeve mitike, për përfshirjen e personazheve dhe karaktereve mitike gati të ngjashëm në shumë vepra të ndryshme dhe, dallimin e bën vetëm stili, gjuha, narracioni dhe mjeshtëria e krijuesit për ta transponuar në vepër me vlera universale (demitizimi i kohës dhe hapësirës që gjendet nëpër motivet biblike-mitologjike). Kësisoj na sillen vepra me përmbajtje krejtësisht të reja dhe autonome.

    Në periudhën e Renesancës në pikturë e skulpturë, ndërsa kah shekulli XIX dhe në fillim të shekullit XX në letërsi, kemi përpjekje të theksuara për një rimitologjizim të krijimtarisë, respektivisht për lindjen e fenomenit estetik që kritika e krijimtarisë artistike do ta nënvizojë si mitopoetikë!

    Elementet mitologjike, krahas të legjendave dhe eposit nacional, i gjejmë ngjeshur gjithandej edhe në krijimtarinë artistike shqiptare. Natyrisht, më shumë në roman, në dramë, në pikturë e skulpturë dhe, shumë më pak në poezi, sidomos në atë bashkëkohore.

    Kohë më parë, Shtëpia Botuese “ARMAGEDONI” e Prishtinës, botoi përmbledhjen me poezi “EDHE PERËNDITË PUSHOJNË TË SHTUNËN”, të poetes tashmë të mirënjohur, Neviana Shehi. Qysh në titull vërehet intenca e shpirtit krijues për ta demitizuar kohën-një ditë, e cila duhet t’i falet dashurisë: “koha e dashurisë/ patjetër duhet të jetë e shtuna/ sepse të shtunën / edhe perënditë bëjnë pushim”

    Bota mito-poetike në përmbledhjen e Shehit është relativisht prezent. Autorja tashmë e dëshmuar si mjeshtre e ndërtimit estetik përmes tropeve të ndryshme që i vë në funksion të shtimit të fuqisë shprehëse të ligjërimit poetik, nuk vjel nga mitet ngjarje për t’ia sjellë recipientit në format poetik që e kërkon struktura e poezisë moderne. Poetja nuk flet për një ngjarje që ka ndodhur në kohën shumë të lashtë e që e përdor për ndonjë paralele apo krahasim! Autorja nuk mëton të sjellë te lexuesi informacione të rëndomta mbi personazhet mitike që kanë vepruar në një kohë e hapësirë imagjinare. Neviana Shehi, përmes poezisë së vet, na sjell mjaft ndodhi, ngjarje e personazhe, të cilët, tashmë, ose kanë marrë karakterin e figurave mitike, ose në një kohë tjetër, pas shumë mileniumeve, mund edhe të rrëfehen si mite të kohës së sotme. Si një mjeshtre e rrallë e poezisë bashkëkohore shqipe, Shehi përmes vargut të vet, fuqishëm depërton në mite e legjenda dhe nga aty nuk del pa i kthjelluar burimet e shkaqeve që sjellin deri te ndodhitë e së sotmes. Këtë gjakim të krijueses e hasim që në njësinë hyrëse në përmbledhjen, “Ne s’kishim këngë…” Ndonëse dëshmohet me dhembje e pa patetikë, me sinqeritet e me bindje, autorja shpalos një histori të gjatë sa dhjetë stina të acarta, që e pohojnë një fakt të pamohueshëm, sa të saktë aq edhe epokal: “Zoti na kishte dënuar/ të mos ishim endacakë”! Por, me rrënjë të përforcuar për trualli pritej ajo këngë që na kishte munguar. Pritej liria, e cila, hipur mbi kuajt e eposit, kishte marrë udhë dhe do të vinte! Për të ardhur liria duhet që një popull ta vuajë mallkimin e të mosqenët endacak, por të përforcuar për atdheun, kënga do të vinte e do ta flakte dhembjen, vajin, kujën, trishtimin. “Ne s’kishim këngën/ por e ndienim, në zemër/ në shpirt/ e ndienim se do të vijë/ me kuajt e eposit”! Pra, autorja këmbëngulë se historia e jetës thotë: si nëpër gojëdhëna, ashtu edhe ndër shekuj, liria është nisur me kuajt e luftës dhe, përtej mjegullnajave dhe dimrave të acartë, ajo do të vije, siç vjen kënga që i jep kuptim jetës, ngjashëm si liria. Kjo është enigma e mitit, zgjidhja e së cilës na e jep definicionin e tij. Pra, miti është rrëfim i cili mëton të ofrojë shpjegime mbi shfaqjen e sërë besimeve dhe fenomeneve natyrore. Nëse nuk besohet se liria është nisur me kuajt e eposeve nëpër dhjetëra dimra të acartë, atëherë përjetë do të lëngojë shpirti i kryqëzuar i cili, nga dhembja e trishtë nuk e ndjenë këngën as edhe ekzistimin e saj. Kurse liria shfaqet bashkë me Zotin! Neviana Shehi, në këtë pikë, si në nyjet filmike që ndajnë ngjarjen prej ngjarjes, tërheq kufirin në mes të mitit dhe legjendës. Derisa legjendat ngrenë rrëfimet inekzistente mbi heronjtë dhe qeniet njerëzore, miti më tepër jepet pas qenieve dhe fenomeneve të hyjnishme. Liria erdhi me Zotin, por dhe kënga ka Perëndinë e vet. Që të dyja këto vlera të hyjnishme i dedikohen popullit të dënuar që të mos jetë endacak; për endacakët që ikin nga liria, është vetëm trishtimi, dhembja, vaji.

    Një prej krijimeve më mitopoetike në poezinë shqipe, e cila, veç të tjerash dëshmon edhe për mjeshtërinë e rrallë të Neviana Shehit në zbërthimin e fenomeneve prej pikës fillestare, pra, hapësirës apo “vendit të shenjtë”, e deri te “Dora e Zotit” që e rregullon kaosin, gjegjësisht kosmosin në pikën fillestare, është poezia antologjike “Gjeneza”! Gjithçka në këtë botë fillin e ka nga Toka dhe nga Gruaja, trupi i së cilës është vetëm një zgjatim i tokës dhe anasjelltas. Madje, edhe gjethet që e mbulonin këtë trup kishin po të njëjtën ngjyrë dhe klorofil si të pyllit, gjethe këto që ishin fotografi të para të shkrepura nga pranvera, nga kjo stinë që i jep fund kaosit e që zbullon fillin e gjenezës: “Ky ishte dhe shkaku që ai peizazh/ i bukur dhe vallja mistike/ e vajzës së panjohur prej gjethesh/ i rikujtoi pyllit dhe tokës/ se kufiri mes tyre/ s’kishte ekzistuar asnjëherë/ se gjeneza është e njëjtë/ për të dyja”!

    Po kaq e fuqishme është edhe poezia “Rikthimi në gjenezë”, e cila përbehet nga pamjet që shfletohen në retrospektivë, nga pika e fundit drejt pikës së parë, por që, diku rrugës, shpërfaqen fenomene që e pamundësojnë arritjen te elementi i parë: “Tash që faji/është bërë shkëmb/ rikthimi i juaj në gjenezë/ është diçka e pamundur”!

    Sprovën e autores për rikëndim, madje edhe për rikrijim të legjendës, e hasim në çdo cikël të kësaj përmbledhje dhe, pa mëdyshje, duhet pranuar se në krijimtarinë letrare tash e kemi edhe angazhimin për rindërtim të legjendës, të legjendave të njohura për lexuesin shqiptar, por që asnjëherë nuk është kapur për dore ky lexues e nuk është shpjerë në kohën dhe hapësirën kur ka ndodhur ajo. Krijuesi dhe lexuesi zbresin në legjendë, marrin pjesë në ngjarje. Në momentin kur na dalin si vëzhgues të ngjarjeve, marrin pamjen e qenieve të rëndomtë, pa forcë për t’i besuar syve për atë që shohin dhe të pafuqishëm për t’ju besuar të gjitha informacioneve dhe, siç thotë autorja: “Përpara se ta besoj këtë/ më mirë po i mbyll veshët”!     

    Natyrisht, Neviana Shehi, në këtë përmbledhje nuk kapet vetëm për një lajtmotiv që vjen nga lashtësia mitike apo epike! Kapet edhe për problemet aktuale, porse, gjithsesi, edhe këtyre problemeve i jep peshë dhe përmasa epike e mitologjike. Poetesha është çame dhe, në të gjitha përmbledhjet e saj ajo i ka kënduar Çamërisë, vajzës çame, popullit çam dhe, së fundmi edhe dallëndyshes çame që pret zotin e vet ulur në degën e ullirit pa zot në tokën e vet çame! Poezia “Vdekja e ullirit të lashtë dhe dallëndyshes çame” është një prej metaforave më të fuqishme në poezinë shqiptare kushtuar Çamërisë dhe etnitetit çam, metaforë që zbërthen shmangien shqiptare nga kjo hallkë e identitetit kombëtar, vrasjen e kujtimit (dallëndyshes) dhe të qëndresës (ullirit) kombëtare, nga njëra anë dhe, nga ana tjetër, zhgënjim dhe protestë krijuese që personifikon revoltën kombëtare kundër çdo përpjeke për t’i dhënë problemit çam pamjen e një medaljoni që në të dy faqen e saj paraqet pikëllim: “Një kokë e ngrirë dallëndysheje/ mbi një degë të tharë ulliri”!

    Neviana Shehi me sukses provon edhe “afinitetin hyjnor” duke u dhënë shpirt figurave-personazheve të saj. Kësaj ia del duke u zhytur brenda figurave-personazheve, madje, përveç kësaj, ia del që edhe fenomenet natyrore t’i zbërthejë në qenie të padukshme, të mbinatyrshme, me fuqi hyji, dhe të duken si personazhe me pamje mjegulle, me fuqinë e kujtimit, me forcën dëshpëruese të trishtimit. Nga njëra poezi në tjetrën shëtisin: “banori i heshtjes”, “fisi i letrës”, “fytyra e vonesës”, “kukullat kineze”, “të çmendurit”, ushtari prej plasteline”, “ushtarët e shiut”, “burra porcelani”, “butak shiu”, “gruaja”, “kaligula”, “madam hëna”, “njerëzit prej guri”, pastaj: “libra ujorë”, “vdekja e gjinkallave”, “detet e natës”, “zbritja e engjëjve të bekimit”, “deti në dimër”, “biblioteka e vogël e restorantit”, “e shtuna e dashurisë” etj. Dhe, për tërë këtë botë fiktive, me plotë shpirtra, erëra e ngjyra, autorja thotë: “Çdo çast nga gjuha e tyre/ del nga një curril i zjarrtë, që mund ta djeg ajrin/ dhe mua”, apo: “Kufoma shkrimtarësh/ dhe poetësh të mëdhenj/ shtrirë mbi pluhur rënkojnë”, apo: “Logjika e letrës nuk është vetëm shfletimi/ por edhe biseda gojë më gojë me germat”…

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË