More
    KreuLetërsiShënime mbi libraNdue Dedaj: Fjala si “simfoni” e të shkuarës dhe e të sotmes

    Ndue Dedaj: Fjala si “simfoni” e të shkuarës dhe e të sotmes

    Publicistika e Frano Kullit nuk e ka shterruar vevteven, përkundrazi e ka pasuruar nga koha në kohë. Të shkruarit për të është pasion i hershem, por dhe kërkim në dokumente e biblioteka, çka disa prej shkrimeve të tij u jep një profil eseistik e studimor. Libri i ri “Nëpër djerrinat e fjalës” është mishërim i kësaj natyre të shkruari. Mundet që këtë përmasë e ka fituar nga marrja këmbëngultas me nxjerrjen nga harresa të së ndaluarës, të panjohurës dhe të pathënës shqiptare të shekullit XX, përmes dëshmive shpesh tronditëse dhe figurave më përfaqësuese kulturore, çka as sot e kësaj dite nuk ia kemi mbërritë plotësisht, përderisa Anton Harapi, i rrokur dhe në këtë libër, ende nuk është në panteon. Me sa duket do të presim që njëherë të lumnohen e shenjtërohen disa nga dishepujt e shqiptarisë, që pastaj t’i vendosim në piedestalin kombëtar ku e kanë meritimin. Në këtë mënyrë, ashtu si dhe botimet e mëparshme, ky libër i ri i këtij autori është himn për korifeun shqiptar të nëpërkëmbur politikisht nga e djeshmja komuniste. Jo rastësisht njëra nga pjesët e librit titullohet “Simfoni për martirët”, ndërkohë që i gjithi është një simfoni e njeriut.

    1

    Frano Kulli është njëri nga emrat e ridimensionimit të kulturës shqiptare në periudhën e demokracisë, në radhë të parë për shkak të asaj që ka bërë për rikthimin e Gjergj Fishtës, si botues e gradualisht dhe studiues i veprës së tij. Duket e pabesueshme, por e vërtetë: “Ndërsa për asnjërën prej veprave të Gjergj Fishtës – poet kombëtar i shqiptarëve, cilësuar si i tillë që në gjallje të vet, nuk është dhënë asnjë parà nga shteti i shqiptarëve”. Dhe atë që nuk e ka bërë shteti, universitetet dhe akadademitë e shkencave në Tiranë e Prishtinë, e ka bërë një individ pa financa të mjaftueshme, përmes shtëpisë së tij botuese, që mban emrin e Fishtës. Nuk do ta donte Franoja këtë sipërmarrje, që i tejkalon të gjithë, do t’i mjaftonte ndihmesa e tij si një publicist e studiues mbi “rileximin e Fishtës në kohën e lirisë”. Ai para një çerek shekulli mundi të përbashkonte një grup studiuesish vullnetmirë për botimin e korpusit të plotë të veprës së Fishtës në dhjetë vëllime (2012), si Dr. Tonin Çobani, Dr. Ndue Zef Toma, Prof. Tefë Topalli, Prof. Stefan Çapaliku dhe Prof. Hamit Boriçi, ani se duke mos pasur mirëkuptimin e misionarëve françeskanë, që më 2020 do ta botonin dhe ata vetë në shtatë vëllime veprën e At Fishtës. Fishta, si apogjeu i kombit shqiptar, nuk mund të mos tërhiqte vëmendjen e mjaft studiuesve, përfshi dhe të vetë Kullit.

    Nuk është e rastit kjo vëmendje e Kullit ndaj Gjergj Fishtës, porse poeti kombëtar që i dha emrin shekullit të vet si asnjë tjetër, vijon të rrezatojë dhe në këtë shekull, jo vetëm për shkak të ndalimit që iu bë, por prej personalitetit të tij të pazakontë. Duhet ngulitur fort se mbas Heroit Kombëtar, bardi epokal i “Lahutës së Malcis” është njëri ndër shqiptarët e mëdhenj, krahas De Radës, Aleksandër Moisiut, vëllezërve Frashëri, Ismail Qemalit, Fan Nolit, Ismail Kadaresë, Ibrahim Rugovës, Nënë Terezës etj. “Fishta, rileximi në kohën e lirisë” (2022) nuk do të ishte shkruar nëse autori nuk do të ndiente se ai vazhdonte me qenë i keqkuptuar, kinse ishte i palexueshëm nga lexuesi i sotëm, një “mallkim” që gjithsesi atij i vinte nga agjit-propi i regjimit të kaluar. Edhe pse autori i quan ese artikujt e tij, libri është fundekrye një polemikë e fortë, e denjë dhe profesionale për një botues që ka barrën t’i sjellë publikut gjithnjë gjënë e lexueshme. Pasi përshkruan dhe argumenton përmes dokumentesh arkivore, disa që botohen për herë të parë, monumentin që na ka lënë Fishta, polemisti shkruan “Dyzimi: fjalë monumentale… a monument pa fjalë për Fishtën e ka një kufi. Ai s’mund të gjallojë pambarim kështu. Se pamëshira e kohës ndodh që raportet i përmbys. Dhe unë besoj se jemi në këtë pikë. Ka ardhë koha e bile ka kaluar, që dyzimi të bjerë. Duhet të kthehemi tek përkujdesja për monumentin e merituar të Fishtës në vend të fjalëve monumentale për të…” (Fishta, rileximi…, f. 32.) Në vazhdën e polemikës vjen shkrimi “A mund të receprohet Fishta me receptorë të fikur…, që të kujton shkrimet më solide të këtij lloji në gjysmën e parë të shekullit XX prej misëve të shquar të fjalës. Nisma për t’i hyrë punës për “Fjalor i veprës së Fishtës” (2021) e fut Kullin në një hulli tjetër, që mbase as e kishte menduar ndonjëherë, atë të gjuhësisë, posaçërisht leksikologjisë, duke dëshmuar shkencërisht atë që thuhej si “gojëdhënë” se Fishta kishte përdorur në veprën e tij mbi njëzet mijë fjalë e shprehje frazeologjike, sa asnjë shkrimtar tjetër në shqipe. Pra, ka gjasë që as këtë vepër autori të mos e kishte shkruar nëse nuk do të vërente jo pa pezm “hendekun” mes “pasurisë leksikore të autorit (Fishtës) dhe “varfërisë leksikore të lexuesit të sotëm”. Kësisoj Frano Kulli e ka rreshtuar veten me botuesit dhe studiuesit më në zë të veprës së Fishtës në të dy kohët e tij, atë të gjalljes dhe këtë të pavdekësisë.

    Projekti i këtij bashkdhetari të Fishtës për rikthimin e kolosit të letrave shqipe përmes ribotimit dhe rileximit kishte nisur tridhjetë vjet më parë, me fillimet e pluralizmit, në Lezhë, kur shtëpinë e tij botuese do ta pagëzonte “At Gjergj Fishta”. Ndërsa në Tiranë elita intelektuale po sillte në shqip librat e Perëndimit për një shoqëri të hapur, aq të nevojshëm për kohën e re të shqiptarëve, një gazetar në provincë përpiqej “i vetëm trim në luftë” të ringrinte nga dheu një shkrimtar të rangut europian, që kishte qenë kandidat për çmimin “Nobël”.

    Kambana e ringjalljes së At Fishtës kishte rënë që në vitin 1991, përmes një peligrinazhi nëpër Shqipëri të treshes së mirënjohur: Ndrekë Luca, Aurel Plasari dhe Rudolf Marku, por ishin të nevojshme nismat konkrete për ta futur nëpër shkolla, biblioteka, mediume etj.

    2

    Edhe pse marrja me botimet ka qenë një punë e mundimshme për Franon, ai iu rikthye publicistikës hovshëm, duke e afirmuar dhe njëherë veten si publicist, dëshmi e së cilës është dhe libri “Kohë e përlyeme” (2018). Publicistika e tij dallon pikërisht nga formatimi i saj në vite, në “ishullin” e vet të së pathënës sa i përket ravës së krishtërimit ndër shqiptarë, profileve të misionarëve të paepur si Dom Ernest Troshani, At Zef Pllumi etj. Publicistika e fokusuar te kritika e qeverisjes është një tipar i tij, kurse libri “Nëpër djerrinat e fjalës” nuk është i qasjes politike, edhe pse nervi i saj ndihet aty – këtu. Ky libër është dhe një enciklopedi njerëzish të shquar të Shkodrës, Lezhës, Zadrimës etj. Kalohet aq natyrshëm nga njëri individualitet te tjetri, nga të sotmit te të djeshmit. Për të njeriu i mirë nuk ka kohë, ai ka qenë dje, është sot e do të jetë dhe nesër. “Arra” na çon te profili i veçantë i një dijetari si Ahmet Osja, që kishte sjellë një fidan arre nga Amerika për ta mbjellë këtu, duke nxjerr në pah ndihmesën shkencore të Institutit të Misrit dhe Orizit në Shkodër, ndërlidhur me përvojën e Altin Prengës dhe Mrizit të Zanave për mbjelljen e orizit në kohën e sotme, si një mesazh se asgjë nuk bëhet pa guxuar e punuar fort, edhe pse mungon krejtësisht mbështetja e nevojshme. Kjo i vjen përshtat aq mirë një mjedisi si Zadrima ku shkohet vetëm në zheg, pasi kohën tjetër zadrimorët janë në punë. Vetëm një gazetar e ka luksin të “shëtisë” në problematika nga më të ndryshmet të shoqërisë, kësisoj dhe Kulli lëviz sa në një stacion në një tjetër si lavdërues apo qortues. “Një diplomat shqiptar në Vatikan”, i kushtohet Willy Kamsit, që “ka qenë përfaqësimi ynë me të vërtetë i denjë, me një qytetari e kulturë oksidentale të shkallës së epërme…”, por që së voni ambasada jonë atje nuk arriti të kishte një emër. Përtej Çun Lajçit si individ, që si një bohem shet libra rrugëve të Tiranës e Shkodrës, publicisti kritikon institucionet që nuk janë të ndjeshme ndaj vlerave njerëzore si ai dhe mbi të gjitha ndaj botimeve që përfaqësojnë kombin, republikën, shqiptarët në botë.

    Në kreun e dytë të titulluar “Mbamendje”, Kulli ndalet fillimisht te libri i Ardian Ndrecës “Pa pikë, pa presje”, ku autori, “përmes mbamendjeve të veta na ban nji ftesë dashamire për me vizitue nji tjetër kohë, até të 40 – 50 vjetëve të shkueme, një kohë e lingatueme keqas… me tragjiken e me komiken e saj”. Profesor A. Ndreca jo vetëm sjell kujtimet e veta në një libër, por si studiues i njohur dhe botues i revistës “Shejzat”, ka një kontribut fort të lavdërueshëm në botimin e mjaft “mbamendjeve” nga e shkuara – të personaliteteve si Gjovalin Gjadri, Jakov Milaj, Ernesto Koci, (Ernesto Cozzi) Shuk Gurakuqi, Cuk Simoni etj. Për Kullin dhe jo vetëm atë, Tom Kuka (Enkel Demi) është romancier i një prurje të veçantë artistike në dekadën e fundit, ku “Rrethimi” është romani i Shkodrës së një shekulli më parë, ngjarjet e të cilit “diku të vërteta e diku fiction, sikurse edhe personazhet mbartës e livrues (lëvizës) të këtyre ngjarjeve, gjithashtu të dyzuar, zënë fill prej historisë së një fotografie”, duke e ftuar lexuesin ta marrë vetë në duar romanin. Si botues e tërheqin veçmas botimet specifike, si libri i Elektra Çapalikut me pesëqind objekte nga jeta në regjimin e djeshëm, përndryshe “komunizmi si “magazinë rraqesh” etj.

    “Nëpë djerrinat e fjalës” ndalet te një bashkëbisedim në demokraci i Pjetër Arbnorit me Gjon Përjakun, me fokus “si bëhej politikë në burgjet komuniste”, vijon me kujtimet e vetë Kullit nga fillimet e tij të gazetarisë në shkrimin “Nishanet” e Hamit Boriçit, për të na njohur me “Dyqind arsimtarët e Ernest Koliqit në Kosovë”. Mbamendje është një rubrikë e vetë autorit dhe njëherësh e të tjerëve për gjëra që nuk mund të harrohen. Vërtet përkujtohet Dom Ndre Zadeja, por nuk mund të jetë pa pezm një shkrimtar bashkëkohor si Zija Vuka kur sheh se vorri i shkrimtarit martir asht “i mbuluem prej barit dhe i rrethuem me papërkujdesje…” Për publicistin, që ndjek me vëmendje çdo zhvillim të ri në rrafshin kishtar e kulturor, është një lajm i gëzueshëm “rikthimi” i Gazullorëve në Dajç të Zadrimës përmes një objekti përkujtimor të ideuar e realizuar nga Dom Nikë Ukgjini dhe memorialit të skulptorit Sadik Spahia. Ashtu si në shkrimin “Tefë Palushi  i… Tefë Çapalikut” evokohet një prej figurave më të spikatura të Shkodrës. Nuk mund t’i shpëtojnë publicistikës së Kullit as figura të tjera shkodrane, kësaj here të Lezhës, si Nush Radovani, Agim Velaj, Gjergj Lacaj etj.

    “Amaneti i bjerrun” është një tjetër lajtmotiv i publicistikës së Frano Kullit, ku njihemi me Mark Shllakun, i dënuar politik i regjimit komunist dhe amanetin e tij të mbramë, që është një letër para ekzekutimit drejtuar të shoqes, Angjes, që t’i ruhet varri!? “Tri stinët e Lek Përvizit” është saga jetësore e një jetë të travluar njeriu dhe artisti (piktor dhe poet), që përfundon në kampin famkeq të Tepelenës, po ku për të do të ndodhte një “mrekulli”, një vajzë që do t’i shpëtonte aty vdekjes, njëzet vjet më vonë të do të bëhej gruaja e tij, në një tjetër kamp internimi, në Lushnje, një histori që do të “zbehte” çdo roman apo apo film artistik. Nacionalisti Ejëll Çoba, me “jetë e humbun” do t’i shtohet galerisë së intelektualëve të paepur shqiptarë të salvuar nga diktatura. Në një mënyrë mjaft interesante vjen figura e At Anton Harapit, përqasur me atë të monsinjor Alojzije Stepinac, argjipeshkvi i Zagrebit, objekt i librit të autorit Nikollë Berishaj.

    “Simfoni për martirët” është kreu përmbyllës i këtij libri publicistik, që nis me “simfoni për martirët shqiptarë në Bari”, vijon “në kishën mesjetare të Balldrenit… me flaut dhe kitarë”, ndalon te “eposi i kreshnikëve, gojë më gojë deri te at Benardin Palaj…”, përmbyllet me “requiem për motrën Marije, që përloti papa Françeskun në Tiranë” etj. Për një gazetar është fat të rrojë në të njëjtën kohë me njerëz si motër Marija Kaleta dhe ta përcjellë atë në amshim me fjalët e tij dhe të prelatëve të kishës: “Nuk kam ardhë të lutem për të – do të thoshte atë ditë dom Gjergj Meta, Ipeshkvi i Rrëshenit, – po kam ardhë t’i lutem asaj, që të lutet për ne”; teksa Dom Simoni, ipeshkvi i Sapës, në kohën e diktaturës, kishte pasur fatin të pagëzohej prej saj.

    Për një autor që ka një gjysmë shekulli si punëtor i përvutë i kulturës, shkrimit e botimit, që dikur ka shkruar e botuar dhe poezi, shqyrtimi i stilit krijues është i pashmangshëm, pasi stili e përveçon çdonjërin nga krijuesit. Frano Kulli është publicist e eseist, por është njëherësh dhe studiues e botues.

    Do të skiconim disa veçori të stilit publicistik të autorit, që në këtë libër shfaqen më së miri, si: rrëfimet e së kaluarës shpesh vijnë për publikun gërshetuar me situata evokuese bashkëkohore: një dokument i zbuluar rishtas, një libër i botuar së fundi, një memorial përkujtimor etj.;

    përdorimi me mjeshtri i detajit gazetaresk: një arrë e mbjellë, sendurinat e komunizmit në një botim, pëllumbat e Lecit si shkas për kujtesën e qytetit, letra e një disidenti për gruan para se të ekzekutohej etj.;

    sjellja në vijimësi e një informacioni të përzgjedhur kulturologjik të gjithnurshëm, pa krijuar në asnjë rast mbingarkesë;

    përvijimi i një galerie personalitetesh të hershëm, në “harmoni” me të sotmit: Osja – Prenga, Palushi – Çapaliku, Zadeja – Vuka etj.;

    ironia, deri në sarkazëm, është një tipar mjaft dallues i stilit publicistik të autorit: “Kemi filluar të duam më shumë qentë, qyshsekur urrejmë më shumë njerëzit – thotë një miku im, që mban dy qen…” etj.

    Gjuha e zgjedhur dhe ndërthurja me elemente të gegnishtes letrare në shkrimet publicistike dhe ato të karakterit studimor nga Kulli,  përbën një kontribut të ndjeshëm në letrat shqipe.

    Nisur nga shkrimet e dendura në shtyp dhe librat e botuar së voni, Frano Kulli si autor shihet qartë se është një “projekt” i papërfundur, edhe pse asnjëherë nuk e lajmëron botimin e radhës.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË