More
    KreuLetërsiShënime mbi libraAlisa Velaj: Analizë e mitit të Narcisit në poetikën e Fatos Arapit

    Alisa Velaj: Analizë e mitit të Narcisit në poetikën e Fatos Arapit

    Miti i Narcizit, ndeshet herë pas here në poezitë e Fatos Arapit. Shenjuesit poetikë vijnë për lexuesin në formën e togfjalëshave të tillë si: “tri drita të narcizta”, “tre kandilë të narciztë”, “kjo dhimbje e narciztë” etj. Gjendet dhe një e vetme poezi me titullin “Narciz”. Arapi në të vërtetë, asnjëherë nuk e rimerr mitin në thelbin e tij real, çka do të nënkuptonte fatin e njeriut që ndëshkohet për shkak të egoizmit ekstrem, dashurisë së fantaksur për veten dhe padashurinë për tjetrin. Narcizi është ai që është. Në fund të fundit, mungesa e dritës në sy, qiejt e tkurrur si shkak i mungesës së saj, ia mpakin në të tillë formë qiejt e ekzistencës, sa ai vdes i vetëm, duke vuajtur me dhimbje titanike dashurinë më të pamundur të gjithë kohërave: bashkimin me shëmbëlltyrën e tij në ujëra. Narcizi në fakt kthjellohet dhe e kupton se është dashuruar me veten, por nuk arrin dot ta ndalë gjithë këtë. Të kthjellohesh, të kuptosh dhe të mos arrish të veprosh është më e kobshmja përmasë e thelbit tragjik të Narcizit. E shprehur me fjalët e poetit kjo do të deshifrohej si mallkim i të qenit “pa guximin e dritës në sy njeriu”. Poezia antologjike “Narciz” e Arapit na e ngjall përfytyrimin e qenies së kthjelluar kur kupton se është dashuruar me veten, por absolutisht të paaftë për ta strehuar në vetvete dritën e të kuptuarit. Kthjellimi sjell kuptimin, por të kuptuarit ka në thelb dashurinë për dritën e kthjellimit. I paaftë ndaj çdo lloj dashurie, Narcizi e vdes shpirtin e tij, edhe atëherë kur i jepet mundësia për ta rilindur përmes të kuptuarit. Siç shihet, poeti i mëshon aspektit më tragjik të qenies: vdekjen e guximit për të pranuar dritën dhe përndritjen.  Po le ta citojmë të plotë poezinë “imcake” që na bymen kaq shumë frymë lirie. 

    NARCIZ

    Si mund ta shoh fytyrën time të bukur?
    Si mund të kthehem në narciz?
    Jo ujëra agimesh të cemta
    gjak të turbullt lirie
    gurgullojnë ditët e mia.

    Poezia vjen e botuar në 2008 në vëllimin “Tragjikisht mirë”. Po të kesh përballë qenien e pakthjelluar i thua se je tragjikisht keq, por Narcizit që s’pranon rilindjen nga drita dhe zgjedh vuajtjen, me ironi therëse mund t’i themi se: “Ti qenia atje je tragjikisht mirë”. Poezia mbahet në këmbë jo përmes asaj çka shenjuesit shpallin, por përmes asaj çka fshehin. Dy pyetjet e njëpasnjëshme retorike: “Si mund ta shoh fytyrën time të bukur? Si mund të kthehem në narciz?”, na kanë shpënë drejt monologut të qenies që ndodhet nën shigjetimin e dritës. Ai e di se fytyra e pasqyruar në ujëra është e tija. Ama nuk arrin kurrsesi t’i largohet pasionit që ia terr e shumëfishon vuajtjet. Lexuesi duhet ta njohë shumë mirë mitin, për ta zbërthyer poezinë. Ujërat janë turbulluar aq shumë për shkak të lotëve të derdhura të qenies, e cila bash në këtë çast, kur edhe është e kthjelluar për për pamundësinë e dashurisë, edhe sërish kërkon me këmbëngulje të ndryshojë të pamundurën, ka humbur pakthim të fundit shans të mosvuajtjes. Nuk i kthen shpinën ujërave kur kthjellohet në mendje dhe ujërat turbullohen bashkë me imazhin e tij, por vë kujen për shëmbëlltyren e humbur. Klith se do të kthehet në narciz. Domethënë se nuk do t’u kthejë shpinën ujërave të turbulluara, të cilat nuk turbullohen më kot. Humbja e kthjelltësisë së tyre ndihmon në kthjelltësimin e qenies, duke i rrëfyer të vërtetën e tmerrshme. Narcizi në vend të heqë dorë kërkon të kthehet prapë në narciz. Nuk zgjedh pra të jetë një tjetër imazh, duke ndryshuar thelbin e tij të padashurisë. Kurrsesi nuk e turbullon atë thelb, as kur i shkrepëtin arsyeja e shëndoshë. Pa guxim e dritës në sy, e sheh kthjellimin jo si bekim, por si frikë se mos humbet figurën e adhuruar të ujërave. Zgjedh të mbetet narciz, të jetë ai që përherë ka qenë. Pyetje retorike “Si mund të kthehem në narciz?” e jep të qartë mesazhin se errësira është më e fortë se drita në shpirtin e tij, përderisa me këmbëngulje profane mbetet në truallin e vuajtjeve, edhe kur i kumtohet se nuk është udha e jetës, por e vdekjes.

    A ka dashur poeti me anën e këtij monologu thjesht të na rrëfejë edhe njëherë mitin e njohur? Sigurisht se jo, për sa kohë e rifunksionalizon thelbin e figurës së Narcizit në funksion të konceptit të lirisë dhe jolirisë. Narcisi jemi ne shqiptarët në tranzicionin tonë të pambarimtë, që nuk kemi guxim drite në sy për të ndryshuar veten dhe të ardhmen tonë, edhe pse nuk na mungon aftësia për t’i lexuar shenjat e së keqes që na mbyt në ekzistencën tragjike, larë me gjak të turbullt lirie. Ne e vrasim çdo ditë lirinë tonë dhe nuk kthjellohemi të veprojmë pasi i kemi lexuar e kuptuar gjithë shenjat që liria na i ka paralajmëruar. Jemi kthjelluar për ta kuptuar se në çfarë ujërash të turbullta ndodhemi, dhe njësoj si Narcizi kemi zgjedhur të vuajmë. Ja pse kjo poezi duhet deshifruar jo për atë çka shenjuesit thonë, por për atë që rreken ta thonë.

    Në dy poezitë e tjera, “U ngrita” dhe “Nuk dua të bëhesh kujtim” shohim se metaforat që rrjedhin prej mbiemrit “i/e narciztë” vijnë të shoqëruara me numrin tre: tri drita të narcizta dhe tre kandilë të narciztë. Poezia e parë është monologu i një të ringjalluri nga vdekja për hir të dashurisë. Heroi i dashurisë i ardhur nga përtejbota ka guxim drite në zgavra. Drita e dashurisë e rilind dhe njësoj si në baladat shqiptare, ai ngrihet nga varri. Dashuria e madhe hap qiejt, nuk i mpak ato. 

    U NGRITA

    U ngrita, e lash varrin.
    Në errësirë të kërkoj
    duke mbajtur në dorë
    llambadar të ndezur
    tri drita të narcizta.

    Të lutem, mbushma syrin
    me buzëqeshjen tënde
    …për ty unë lash varrin.

    Ky i dashuruar është një antinarcizist i thekur. Ai ringjall bashkë me veten dhe tri drita të narcizta, e zhvarros secilën prej tyre nga terri dhe rend me to në dorë për të përndritur shpirtin e vuajtur të errësirës. Dhe terri nis flet gjuhën e dritës, do të thoshim duke perifrazuar Arapin. Me tre kandilë të narciztë heroi i dashurisë ka ngjizur një llampadar drite. Shenjuesi kandil e ka sasinë e dritës shumë më të pakët se shenjuesi llampadar. Numri tre shërben si shenjtërim dhe ringjallje e dritës së mekur në dritë të shumëfishuar.

    Poezia “U ngrita” vjen e botuar në vëllimin “Ne, pikëllimi i dritave”,  në vitin e largët 1993, pak kohë pas rrëzimit të diktaturës komuniste. A do të jetë fundi zyrtar i diktaturës dhe fundi i diktaturës në shpirtrat tanë? A do të ngjallemi dot nga varret e vetvetes duke e mbushur syrin me buzëqeshjen e dashurisë? Apo ne jemi pikëllimi i dritave? Apo ne e pikëllojmë guximin e dritës? Janë këto pyetjet e pafundme që shenjuesit e poezisë së Fatosit formësojnë te ne, lexuesit e tij.

    Në poezinë “Nuk dua të bëhesh kujtim”, cikli “Akeronti rrjedh, po Karont nuk ka” (vëllimi poetik “In – Tenebris”, botuar më 1996), Fatosi i drejtohet Vllas Arapit, vëllait të tij gjenetik dhe heroit të dritës në më të bukurin hymn poetik të tij, me fjalët: 

    “Jemi prej jete, apo jo?
    Buzëqeshja e jote e mënçme, ironike,
    tre kandilë të narciztë
    ndezi te këmbët e vdekjes.

    Afroj duart e nëpër shkrepje të flakës
    dëgjoj vdekjen që po flet me vete.”

    Tre kandilë të narcistë, tri herë drita e shenjtë e thirrur me afsh, në emër të Atit, të Birit dhe të Shpirtit të Shenjtë. Sërish numri tre si vetpërmbushje, si mundje e vdekjes. Sërish asgjë e narciztë në qiejt e mpakur të jolirisë, por një hero që nuk ka pse kthehet në kujtim, nuk ka pse i përket së shkuarës, por shndërrohet në këmbanë lirie të ardhmërisë. Joliria përçart mendjet e qenies që njësoj si Narcizi refuzon me këmbëngulje kthjellimin, ndërsa drita është triumfi mbi vdekjen. Është ajo që e bën vdekjen të flasë me vete. Nuk kemi pse të jemi pra të narciztë, kur mundemi të jemi heronj drite.

    Në poezinë “Sikur bota të ishte e dashurive”, botuar në vëllimin  “Gloria Victis’” në vitin tragjik 1997,  poeti e shpall të vdekur Narcizin e vjetër dhe e çmitizon krejt figurën e tij në funksion të dashurisë që po na braktis parreshtur. 

    “Kjo dhimbje e narciztë që ma shtrin dorën
    drejt teje – dhe ti nuk je.

    – Ah, sikur bota të ishte e dashurive,
    jotja dhe imja të ishte, e dashura ime.

    Pa guximin e dritës në sy njeriu.

    Gjithnjë diku ngrihet një qiell
    një kryq që pret të kryqëzohet shpirti.”

    Dhimbja e narciztë tashme e shtrin dorën drejt tjetrit. Narcizi nuk është më narciz. Ai vuan prej dashurisë përtëritëse, dashurinë që ndërton tjetrin te vetja dhe veten te tjetri, dashurinë gjithëpërfshirëse që do njeriun, dritën e shpirtit të tij. Shpitrat nuk duhet të kryqëzohen dhe konteksti historik kur është shkruar kjo poezi i referohet njërës prej kohëve më të errëta, kur moskuptimi dhe moskthjellimi i llogjikës ndër shqiptarë arriti pikën kulminante. Pikërisht atëherë, Arapi, që gjithashtu po i merrte flakë trualli ku kish lindur e ku kish njerëzit e dashur, me vetëdije të plotë e shpall të vdekur Narcizin mitik. Ky akt vdekje është thirrje për largimin prej frymës së narcizëve qe kanë helmuar përherë shpresën dhe ardhmërinë e shqiptarëve. Sepse sikur bota të jetë e dashurive, sikur dhimbja e narciztë të ndërtojë vetveten, vetëm atëherë do të shpëtojmë si komb nga padashuria që pjell errësirën e tiranisë. 

    Kemi lindur për të qenë të lirë, duket se na thërret sërish sot zëri i Poetit, në të pestën ditëlindje të tij në amëshimin e lirisë absolute!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË