More
    KreuLetërsiShënime mbi libraXhahid Bushati: Dom Ndre Zadeja dhe melodrama “Rozafa”, 87 vjet më parë…

    Xhahid Bushati: Dom Ndre Zadeja dhe melodrama “Rozafa”, 87 vjet më parë…

    Autorët shkodranë, në krijimtarinë e tyre, në kohë dhe në hapësirë (edhe pse Koha e Legjendës është shekuj larg…) i janë kthyer historisë së Rozafës, ku legjenda kthehet në kala dhe kalaja kthehet në legjendë; për ta përjetësuar: kush në poezi, kush në tregim, kush në poemë, kush në dramë, kush në roman, kush në letërsi për fëmijë… etj. Ndërsa Dom Ndre Zadeja, me artin e tij të magjishëm, e ka përjetësuar këtë figurë sa legjendare aq dhe mitike në melodramën e tij me tre akte, të titulluar “Rozafa”.

    Nga revistat e kohës, të cilat në faqet e tyre bënë shkrime për këtë Melodramë, mësojmë se, “Rozafa” u shfaq në Shkodër, më 26 prill 1936 nga “Schola Cantorum” të Kathedrales, në nder të dy Shkëlqesive: Imzot Thaçi (Argjipeshkev Metropolit i Shkodrës) e Imzot Prennushi (Ipeshkev i Sapës). Shfaqja u përsërit edhe me 3 e 10 maj. Pati sukses në popull e tek kritika letrare, ndërsa “… shtypi i ynë heshti fare”. Theksojmë se “Cirka” (në numrin e saj të parë) dhe “Gazeta Shqipëtare” e Barit i bënë jehonë kësaj Melodrame. Kurse “Kumbona e së Dielles”, në parathënien e veprës, mes të tjerave thotë: “Na e kemi qitë ceken me i botue të gjitha punimet poetike të Zadêjës. Vepra e tij pergjithsisht nuk asht e njoftun. Ky botim e të tjerat qi kanë me ndjekë, padyshim kanë me interesue boten letrare tonë, qi ka me pá se Zadêja xên nji vend të veçantë, e jo nder të mbrâmët, në letersin shqiptare.”

    Po i rikujtojmë dhe po i përmendim me respekt emrat e interpretuesve të shfaqjes së parë: – Rozafa – Loro Bytyçi; Afrodizi, i shoqi – Nikollë Çuni; – Miri, Frisku, vëllezërit e Afrodizit – Tefë Gjonej, Gjon Kujxhija; – Petriti, kryefetar ilir – Joz Jakova; – Orfeu, këngëtar ilir – Pjetër Gjoka; – Kunata I – Ndoc Jakova; Kunata II – Kolë Naraçi; – Shtriga – Cin Lufi; – Murtati, sundues i territ – Gac Luli.  (Taraboshi, vulkan; Shkerbé; hije; fëmij shkodranë e paranikë ilirë.

    -Nga artikulli kritik mbi melodramën “Rozafa”, publikuar në “Gazeta Shqipëtare”

    Citojmë: “Kjo shfaqje melodramatike u ba nen drejtimin e D. Mikel Koliqit prej kangëtorvet të “Schola Cantorum” e Kathedrales.

    Perpara se me fillue shfaqja e melodramit Kombëtar Auktori mbajti nji parathanje ku pershkoi kohët e bukra Illirjane dhe kulturen e të parvet t’onë e se si të hujt na i kan marrë né shum e shum legenda e ba per vedi. [… …] Akti parë i dam në tri pjesë, e dy aktet tjera u zhvilluen rreth legendet gershetuem me nji fantazí të mrekullueshme prej auktorit, … [… …] Akti sublim i Rozafes dhe trathtija e vllazenvet bane nji pershtypje të thellë në zembrat e spektatorvet. Sa e sa herë asht duertrokitë vepra nuk asht punë qi mbahet mend vetun duhet dijtë se në mbarim u kerkue me insistencë dalja në palk e auktorit me duertrokitje dhe brohori frenetike.”

    -Nga artikulli kritik mbi melodramën “Rozafa” i titulluar: “Shfaqja e nji Melodranit Kombëtar”, publikuar nga “Cirka”

    Citojmë: [… …] “Né na intereson e na gzon në mëndyrë të pá mâsë fakti se letrari i ynë D. Zadêja, mbas kaq vjet heshtimi, po nisë me mârrë persrí aktivitetin e vet aq të çmueshem, aktivitet qi, si patme nderen m’e ndí prej goje s’auktorit vetë, ká m’e vijue mbrênda nji kohe së shkurtë edhè me melodrâma tjerë me permbajtje kombëtare. [… …] Na pikon zêmra gjak kah ndîjmë se si sod rinija e jonë ushqehet e defrehet me kângë e melodina të hueja ase të vjedhuna e të kopjueme prej s’huejsh. Neper rruga, neper shpija, nder oborre, kû deri dje ushtojshin kângët e vallet t’ona kombëtare, s’ndíhet tjeter, por “canzonette” në daç italiane, në daç greke o sllave, por jo shqyptare. Na pikon zêmra gjak kah mêndojmë se deri shumica e melodíve të kângëve t’ona atdhetare, qi mâ parë se kurrgjâ tjeter kishte m’u dasht t’ishin shprehja fjesht shqyptare e ahteve të zêmrave t’ona.”

    Tek melodrama “Rozafa”, këndvështrimi i autorit është i tillë: Legjenda vë përballë aktin sublim me tradhtinë, dashurinë për atdhe me atë prindërore, forcat e dritës: Rozafa, Afrodizi, Petriti, Orfeu me ato të errësirës: Kunatat, shtrigat, Murtatin, Shkerbeun e hijet e vëllezërve besëthyer. Melodramat e Zadejës merrnin jetë nga muzika e hartuar prej Dom Mikel Kolioqit. Partiturat e tri melodramave “Rozafa”, “Rrethimi i Shkodrës” dhe “Ruba e Kuqe” të ruajtura me dashuri prej Koliqit, disa vite më vonë, u përpunuan me mjeshtëri nga kompozitori Tonin Harapi.

    Figura e Dom Ndre Zadejës, veçanërisht krijimtaria letrare, ende, është e panjohur në plotësinë e saj, ende e pastudiuar. Për Dom Ndreun është botuar: “Dom Ndre Zadeja – Veprat -1-, përgatitur prej Lec Zadejës. (Botues: “Lisitan”, Lezhë, 1994. Një botim, me një përgatitje fotografike dhe grafike , inkurajuese).

    Në jetën e aktivitetin e tij artistik, Dom Ndre Zadeja, përmes kulturës së tij, na la një krijimtari (për aq sa e njohim deri tani) që ndrit si një gur i çmuar. Pasuria e tij letraro-muzikore e publistike shtrihet në një kohësi prej 4 dekadash. Kjo periudhë përkon me një jetë kulturore, artistike e shkencore të gjallërueshme në Shkodër. Mjafton të kujtojmë që kishte mbi 10 shtypshkronja. Është për t’u theksuar, se në këtë kohë personaliteti i Fishtës ishte rrezatues. Por, një fenomen i tillë fishtjan, nuk mund të  ekzistonte pa krijues të tjerë. E njëri nga ato ishte dhe Dom Ndre Zadeja. Ishte poet, dhe shkëlqeu me poezitë “Muzhika” dhe “Piktura”. Mendoj se në poezinë lirike elegjiake Zadeja arriti kulmin artistik. Ndrit poema liriko-filozofike “Kunora e bylbylave”, ku motivi romantik mbart edhe filozofi jete. Ishte prozator. Mbartin vlera shkrimet e tij publicistike-pedagogjike. Së bashku me Fishtën ka meritën se kontribuoi me sukses në gjininë e dramatikës, në llojin e melodramës. Të pjesshme apo të plota në shfaqjet skenike, me emrin e Zadejës lidhen melodramat: Ora e Shqypnisë”, “Hijet e Zeza”, “Ruba e Kuqe”, “Rrethimi i Shkodrës”, “Shpella e Bogdanit” (ende e pagjetur).

    Kush ishte Ndre Zadeja? Lindi në Shkodër, më 03.11.1891. Më 25.03.1945, vet i 14-ti ekzekutohet nga komunistët me pa të drejtë, diku mbas varreve të Rrmajit. Ekzekutohet “Poeti i Amëlsisë”. Vdiq në moshën 54-vjeçare. Ishte 45-vjeç, ku u shfaq melodrama “Rozafa”; pa folur për melodramat e tjera e për dorëshkrimet e gjetura dhe, ende, të pagjetura.

    Dom Ndre Zadeja la një opus shkrimor të gjerë, ku janë përballë njëra-tjetrës: e njohura dhe e panjohura. Në dy shkrimet (analizat) që u bënë për melodramën “Rozafa” gjejmë të përbashkët këto dukuri të rëndësishme, analitike, mirëdashëse e mirënjohëse: – Kohën e jetoi si meshtar e si artist. – Gjurmët vlerore duhet t’i kërkojmë e t’i zbulojmë e më pas t’i analizojmë. – Tek artisti, për kontributet e tij nuk duhet të ketë “heshtim” (fjalë që e përmend njëri nga artikullshkruesit).

    Dom Ndre Zadeja duhet të njihet, sepse më shumë njihet trashëgimia e pasur shkodrane dhe panteoni i kulturës shqiptare. Ndre Zadeja ishte poeti i dritës që mund errësirën. Për këtë thënie mjafton të lexoni melodramën “Rozafa”.

    Shkodër, më, 22. 12. 2023  

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË