More
    KreuLetërsiBibliotekëViktor Eftimiu: Takimet e mia me Luigi Pirandello-n

    Viktor Eftimiu: Takimet e mia me Luigi Pirandello-n

    Përktheu nga gjuha rumune Pandi Bello

    Nuk më kujtohet në ç’rrethana i jam prezantuar. E di se ndodhi në Paris rreth vitit 1930. Në ndonjë provë gjenerale? Ndoshta. Për mua, Pirandello përfaqësonte shkëlqesinë e fundit botërore, shkrimtari i cili solli një notë të re në dramaturgjinë bashkëkohëse. Nuk mund të mos kërkoja ta njihja.

     Për të unë isha një publicist ballkanas i paqartë, drejtor apo sipërmarrës teatri, i cili nuk i kishte paguar honoraret dhe mund të luante me të, sigurisht duke i paguar detyrimet monetare.

     Vetëm kur rron jashtë vendit kupton se sa pak vlen një shkrimtar nga një vend i vogël dhe sa kalimtare është lavdia e dobët që gëzon në atdhe. Afrohesh pranë njerëzve të mëdhenj, duke iu zgjuar vëmendjen për një interes personal.

    Kështu, fjalët me të cilat më priti Pirandello ishin:

    – Më janë luajtur disa pjesë në Bukuresht dhe nuk kam marrë asnjë para…

    Replika nuk më befasoi, sepse Pirandello ishte i pari dramaturg i huaj i cili reklamonte të drejtat e autorit dhe nuk kuptonte pse i ishin konfiskuar nga drejtorët bukureshtean.

     Evreinov edhe sot pret atë që i takon për pjesën Komedia e lumturisë. Ndërsa nëse një avokat i aftë do të ndiqte teatrot tona, vetëm për Bernard Shaw-un do të fitonte disa qindra mijëra lei.

     (Midis dokumenteve me të cilat “më mbante në dorë” i ndjeri Mavrodi, ishte edhe një faturë me 1000 franga franceze të dhëna Hugo Hoffmannsthal-it për pjesën Elektra, të luajtur gjatë drejtimit tim të parë në Teatrin Kombëtar. Shtypi më sulmoi menjëherë për këtë “abuzim”.)

     Kur ke vizituar Marinettin, i cili është një vullkan me shpërthime të vazhdueshme, shpërthyes i lartë dhe entuziast, i paparashikueshëm dhe i pastër (ka pak kohë që Marinetti më duket i lodhur dhe përgjumet ku të mundet), i njohuri i Pirandello-s fillon një hyrje e re në genin e madh dhe të ndritshëm italian, në lojën me të pakuptueshmen, të jashtëzakonshme dhe të pa vlefshme për njeriun lindor që nuk beson.

     Por Pirandello nuk kishte asgjë nga jugu akrobatik që e jepte emri i tij me tingëllimë trompete. Ishte një burrë në moshë të madhe me trupin e dobësuar, i përmbajtur, ngjante në fytyrë me mareshalin Presan. Në sjellje dhe buzëqeshje, ngjante me dashamirësinë dhe kujdesin e G.Taushan.

     Nuk më tha asnjëherë gjëra të jashtëzakonshme. Ndoshta nuk kishte asgjë për të treguar ose i ruante për vete. Vetëm një herë tha diçka që dilte nga e zakonshmja: Në përfundim të një të ngrëne ngrinim të dy duart me një gotë prej kristali në fund të së cilës lëkundej pak konjak. Duke përfunduar ceremoninë këndonim me zë të ulët masat e fundit të Parsifal-it (Opera e fundit e kompozitorit Rikard Wagner, shënim i përkthyesit).

     – Wagner nuk është një kompozitor i madh… Bellini – ja muzikanti! – më tha plot melankoli Pirandello.

     Një kohë takoheshim shpesh. I interesoja si sipërmarës. Shihte tek unë njeriun që mund të organizonte një turne në jug-lindjen europiane për aktoren me të cilën ishte i dashuruar.

     Gjithashtu një njeri i shkëlqyer i teatrit francez më dërgoi para 10 vitesh të bëja me zonjën Noyka-Iniota, valltarja e cila kishte qenë para disa ditësh në Bukuresht, një seri me spektakle nëpër vendet tona më pak të vizituara. Gjithmonë sipërmarrës. Vetëm Isai Racaciunin e marrin drejtorët parisienë në stacioni i trenit dhe i kërkojnë libra për ta prezantuar.

     E takoja Pirandello-n në teatër ose hanim bashkë në një restorant italian pranë Champs Elysee. Fillova të sillem me të si Marinetti, domethënë të flas vetëm unë, t’i tregoj gjëra të jashtëzakonshme. Kisha një pasuri ekstreme në të folur. Isha një lloj Pirandello autentik që e ngryste atë që kisha përballë. I bëja një terror të ëmbël mjeshtrit të butë aq kurioz në vepra dhe aq i thjeshtë në jetën e përditshme.

     Një zakon i keq më shtynte të shijoj nga pjata e të tjerëve. E kuptoi vesin Pirandello. Porsa i sillej ushqimi më ndante një pjesë dhe ma afronte. Faleminderit mjeshtër! i thashë një herë. Rri i qetë se unë të ha vetëm makaronat, por të tjerët të vjedhin pjesët dhe personazhet!

     Ishte i dashuruar me një aktore përballë së cilës bëhej i vogël. Diçka si baba shumë i ndjeshëm, si fëmijë i trembur dhe si dashnor i zbuar, në gjithë sjelljen e tij përballë kësaj gruaje që mungonte gjithmonë me sy prej somnambule dhe me qëndrime me kërcënime të vazhdueshme si të një maceje të egër.

     Porsa nuk flitej për të, për lavdinë e saj të ardhshme universale, për turnetë në Europën Lindore, na kthente kurrizin të gjithëve dhe shikonte ventilatorin. Që ta risillte mes nesh i shkreti Pirandello fillonte ta lavdëronte përsëri të fliste për triumfet që e prisnin në vende ku Eleonora Duse dhe Emma Gramatica – aktore inferiore në raport me të – ishin pritur aq shkëlqyer.

     Duke abuzuar me pasionin që ia shfaqte ky njeri, i goditur rëndë nga dëshira për martesë, komedianja e çuditshme sillej si një mbretëreshë me një djalosh fisnik të dashuruar. Për francezët e moderuar dhe të sjellshëm kjo frymë prej zanatçieje të përkëdhelur kishte diçka barbare dhe arkaike..

    Nuk e kam kuptuar asnjëherë më mirë sensin e fjalës meteque se sa në kohën kur kam parë një aktore të zakonshme duke fyer, me anë të sjelljes së saj ndaj dramaturgut më të shkëlqyer të epokës, Parisin e dashur e të sjellshëm, ku ekstravaganca nuk ka ç’të kërkojë, ku njeriu duhet të jetë miqësor, i përmbajtur dhe më pak i pa vërtetë se kudo.

     Pirandello nuk e kuptoi asnjëherë pirandelizmin, domethënë atë lojë me personazhe imagjinare, rezultat i një loje ideshë, jo e realitetit të vrojtuar.

     Origjinaliteti i Pirandello-s nuk ishte një djallëzi mendore, një mekanikë e të pavërtetës, por kopja e thjeshtë e një realiteti tragjik Ajo qenie e cila është dhe nuk është vetë ai i çmendur apo ajo e çmendur, ajo krijesë që e ka humbur personalitetin dhe del gati në të gjitha dramat e Pirandello-s nuk është veçse gruaja fatkeqe e dramaturgut. Ka shumë vite që kur zonja Pirandello është mbyllur në një sanatorium. Turbullimi i kësaj gruaje të shkretë, reagimet e saj shpirtërore, largimet e saj në botë imagjinare kanë krijuar të gjithë letërsinë dramatike të të ndjerit siçilian. Përtej këtij depërtimi turbullues të disa të zotëruarve, vepra e Pirandello-s nuk ndryshon në asgjë me shkrimin e ndershëm të një shkrimtari të mirë realist.

    Asgjë e jashtëzakonshme, as në konstruksion, as në idetë, as në dialogun e Pirandello-s. Hiqni gjykimin e dobët dhe do mbetet e përditshmja.

     Ja pse vetë Pirandello nuk e konsideronte veten një shpikës i madh teatri, një vizionar, një impresionues. Ai ka kopjuar deri në fund një model tragjik. Vetëm atyre që nuk kanë njohur enigmën mund t’ju duket pirandelismi një formulë arti e re.

     E kam takuar herën e fundit në Theatre de Mathurins në mbrëmjen kur intelektualiteti francez i festonte Çmimin Nobel.

     Nuk mbaj mend groposje më të tmerrshme se sa ky festim. Ishin shumë njerëz, nga më të zgjedhurit, pra nga ata më të ngarkuarit me elektricitet, autoritete, autorë, kritikë. Pirandello i vodhi secilit çmimin e shpikësit të dinamitit. Shumë vetëve i u ra shpejt një pjesë.

    Një italiani i organizonte festën një armen rus. Pitoeff nuk ishte një organizator tavolinash që të entusiazmonte një Paris të tërë që kishte nisur qëndrime kundër të huajve.

    Atmosfera nuk ishte nga ato më të favorshmet për pasionin e madh kolektiv. Pjesa që do luhej, Në këtë mbrëmje do improvizojmë, ishte fantazia e fundit dramatike e Pirandello-s dhe ribotonte temën e tij të preferuar: “ Unë nuk jam unë. Ajo që besoni se është teatër ndodh qartë, ndërsa ajo që ju duket realitet është thjesht falsitet”.

     Shumë e komplikuar. Heronjtë ishin dhe nuk ishin realë, si në ato Gjashtë personazhe në kërkim të një autori. Në një moment aktorët nuk luanin më me tekstin dhe flisnin me emrat e tyre:

     -Nuk ke të drejtë i dashur Pitoeff!

    Ose:

     -Dëgjo Fainsilber!

    Ose:

     -Ljudmilla, mos luaj me kaq sinqeritet, sepse do të ndihesh keq.

    (Në një moment, zonja Pitoeff u ndje vërtet keq, por nuk dihet nëse ishte e vërtetë apo ishte një i fikët i parashikuar në pjesë).

     I gjithë ky veprim, në dukje i mrekullueshëm, do të vazhdonte në tre akte. Por spektakli do të fillonte në orën 10, në mënyrë që të mbaronte pas mesit të natës, kur aktorët që e kishin interpretuar më parë Pirandello-n bënin riprezantimin në teatri respektiv dhe vinin të nderonin mjeshtrin, duke luajtur skenat më të rëndësishme të sukseseve të vjetra.

     Pitoeff, drejtori i trupës dhe organizatori i festes, e quajti të domosdoshme të mbajë një referat për artin e Pirandello-s,si duhet kuptuar teatri, falsi në realitet, realiteti në fals, që nga pantomimë në barok ose diçka të tillë.

     Pitoeff ngatërrohej, përsëriste dhe pas gjysmë ore pasi na mësoi se në Pirandello unë nuk jam unë, ndërsa ajo që besoni se është e qartë nuk është veçse false etj., arriti ta bëjë sallën të padisponueshme për gjithë mbrëmjen.

     –Ky është i mërzitshëm! – Protestonte tepër fort në lozhën e afërt një zotëri plak dhe i shëndoshë, i veshur me frak, me pamjen e një borgjezi të harruar në teatër.

     -Kush është zotëria? – e pyeta zonjën Benjamin Cremieux, e cila më pranoi miqësisht në lozhën e saj.

     – Mareshali Franchet d’Esperay! – më tha me zë të ulët Anne-Marie Comnene.

     Në një konjukturë kaq të fryrë u luajt e pavlefshmja Në këtë mbrëmje do improvizojmë, nga e cila askujt nuk i mbeti asgjë.

     Në pauzë, një ministër dekoroi të festuarin me një lloj trëndafili të Legjionit të Nderit.

     Kjo u krye në formë konfidenciale në një qoshe të sallës. Pas mesit të natës filluan të arrijnë edhe aktorët e shquar duke luajtur pa makiazh dhe kostume skenat kryesore të pjesëve të dikurshme.

     Të gjithë thoshin gati të njëjtë gjë:

     – Unë nuk jam unë…Ajo që ti beson nuk është e vërtetë…Çmenduria ime është shumë më logjike se sa mençuria jote…

     Ngjante si një revistë ngjyrë gri, parodi e genit Pirandello dhe më e rëndë sepse zgjati deri më dy të mëngjesit.

     Në lozhën tonë ishte edhe aktorja për të cilën ju fola. U prezantua dhe ajo, pa një sukses special, si një numër Pirandello.

    Dukej më humane se herët e tjera. Kaloi dhe ajo disa vjet, ndërsa lavdia universale nuk i erdhi. Bota merrej me Greta Garbo-n dhe Marlene Dietrich.

     Eleonora Duse arriti kohë më të favorshme për aktoret me temperament. Tani jetojmë në kohën e ansamblit të vlerave të ekranit.

     Erdhi edhe Pirandello të na thoshte mirë mbrëma. Nuk e kisha parë prej shumë kohe. Ishte më i verdhë dhe më melankolik se çdo herë.

     Kujtoja se më kishte harruar. Por jo. U përkul në parmaku i lozhës dhe më shtrëngoi dorën për herë të fundit:

     Natën e mirë zoti Eftimiu!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË