More
    KreuLetërsiShënime mbi libraBlerina Suta: Për një poetikë krahasimtare në studimet shqipe: perspektiva historiko-letrare e...

    Blerina Suta: Për një poetikë krahasimtare në studimet shqipe: perspektiva historiko-letrare e Ali Xhikut

    Pjesa e parë: Vështrimi alternativ i historisë së letërsisë në qasjen krahasimtare të Ali Xhikut: Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe (1555–1944)

    Historiani i letërsisë dhe studiuesi Ali Xhiku ka botuar së fundmi veprën Një pasqyrë e Shqipërisë letrare 1945–1961 (Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë, 2022), vijim i profilit historik të letërsisë së traditës deri më 1944, Sprovë për një tjetër histori  të letërsisë shqipe 1555–1944 (Albas, 2014), që vjen si ripunim me plotësime i studimit Letërsia shqipe si polifoni (Dituria, Tiranë, 2004), duke përmbushur kështu projektin e tij historiografik, i vetmi deri tani që synon plotësimin e ambicies së krijimit të një historie të plotë të letërsisë shqipe në këndvështrim mbinacional.

    Kjo vepër e re e profesor A. Xhikut, veç vështirësisë së qasjes së objektit letrar të gjysmës së dytë të shekullit XX, siç dihet i karakterizuar nga vizioni “ahistorik” i botës (Erich Auerbach) mbart vështirësitë e dinamikave të artit të realizmit socialist, në funksion tautologjik të riprodhimit të ideologjisë për artin, siç shprehet vetë studiuesi, “duke u nisur prej vetes e duke mbetur po aty”.

    Megjithëse përballë dy realitetesh me “sfond historik të ndryshëm”, qasja historiko-letrare e A. Xhikut, bart në vetvete edhe gjykimin për fazën pararendëse, letërsinë e traditës, objekti letrar i vështrimit historiko-letrar Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe (1555–1944), që përbën objektin e parë të vlerësimit kritik për metodën e përdorur prej tij.

    Modestia e qasjes ndaj lexuesit, e përcjellë nëpërmjet emërtimit “sprovë”, që bart thelbin e ndërgjegjes kritike për krizat e gjeneruara nga metoda e qasjes komparativiste, nuk e pengon lexuesin e specializuar të vërejë se autori e bën të tijën atë krizë, duke e përshkuar e tejkaluar në emër të transmetimit, interpretimit të letërsisë shqipe nëpërmjet një qasjeje mbinacionale si forma më e natyrshme e studimit të letërsisë.

    Një përcaktim i prerjes metodologjike-kritike në këtë vepër, mund të përmblidhet në parimin se poetika e tij komparativiste është pasojë e një përpunimi të vazhdueshëm të qëndrimit materialist për botën.

    Në këndvështrimin e Xhikut, letërsia, në komunikim, krijon vizionin mbi botën (Weltanschauung), “me të cilin e gjithë jeta shpirtërore e një periudhe historike ngjizte unitete (njëjtësi) të dallueshme në pafundësinë e pashmangshme të diversiteteve (ndryshimeve) që e karakterizonin” (f. 7).

    Ndonëse studimet kritiko-letrare të këtyre dhjetë vjetëve të fundit dëshmojnë për kontakt të studiuesve me teoritë krahasimtare bashkëkohore, mungon një paraqitje sistematike e kësaj fushe studimi, që është, para së gjithash, një metodë qëndrimi dhe këndvështrimi ndaj letërsisë më shumë sesa një enëmbajtëse mjetesh konkrete për operim me tekstin letrar.

    Metoda krahasimtare e veprës Sprovë për një tjetër histori të letërsisë shqipe (1555–1944), i jep konceptimit të historisë së letërsisë atë natyrë dinamike e atë prurje të rëndësishme që mund t’ia japë vetëm histori e gjinive, prerje që mëton, siç thotë autori ta shkëpusë letërsinë shqipe nga “izolacionizmi i pakuptimtë”.

    Ideja e autorit se vizioni për letërsinë është ngjizur nga një këndvështrim unik mbi botën, rindërtohet qartësisht sidomos kur bën fjalë për letërsinë e prodhuar gjatë romantizmit dhe fillimit të modernizmit, periudhë-rrymë homogjene, kur kultivohej një profil unik i idesë mbi botën.

    Për periudhën e romantizmit, letërsia shqipe ofron, me profilet e saj letrare, në kuadër të rrjetit ndërletrar të Mesdheut, gjeometri të ndryshme të kontakteve me kulturat e tjera, të kushtëzuara nga bashkëjetesa në të njëjtat komunitete administrative specifike, siç është rasti i perandorive të mëdha në fazën para krijimit të shteteve kombëtare.

    Përkthyes në shqip i veprës më klasike për qasjen krahasimtare në studimin e letërsisë, Letërsia e krahasuar (Albin, 2002), (botuar më 1989-n nga komparatisti i shquar francez Yves Chevrel), profesor Xhiku e konsideron, pikërisht si Chevrel-i, historinë e letërsisë, objektin kryesor të komparativistit, kur pohon, se “me vështrimet e tyre të shtrira në kohë dhe në hapësirë, studimet krahasuese kanë treguar se si takimet me tjetrin dhe ndikimet e lindura që këtej, i hapin rrugë rrymave të mëdha për të shkuar tej një letërsie e për të krijuar vizione artistike mbikombëtare”.

    Komunikimin me tjetrin, studiuesi e sheh si nevojë të lindur të letërsisë vetë, duke hulumtuar një poetikë komprativiste nga shekujt XVI–XVII, periudhë kur letërsia shqipe vjen si jehonë e humanizmit kristian; Prurjeve lindore dhe poezisë së mjediseve myslimane; Lëvizjes kulturore-letrare ortodokse; që bartet gjatë Romantizmit me poezinë dhe poezinë epiko-lirike, lirikën, epikën, dramën; duke vijuar gjysmën e parë të shekullin XX me Fillimet e shpërbërjes së romantizmit dhe ardhjen e një letërsie tjetër; me kultivimin e lirikës (politiko-shoqërore; shoqërore; të mendimit; të dashurisë; të natyrës; erotike); si dhe në trajtimin e çështjeve të raporteve të poetit dhe poezisë, sa dhe hetimin e gjinive përndjekur në hulli të rrymës apo lëvizjes, si: epika, poema dramatike, satirika, proza (novela, tregimi, proza e shkurtër, romani); drama – të gjitha këta kapituj e çështje kyçe në përbërje të studimit.

    Karakteri dinamiko-metodologjik i metodës komparativiste përftuar në sprovën historiko-letrare si arsyetim i takimit me tjetrin, si përqasje mes koncepteve: letërsi e krahasuar, letërsi e përgjithshme, e huaj, kombëtare, përkthim (si mjet i pafund takimesh me një vepër, thënë ndryshe, me një kulturë), imponon një filtrim përkatës për realitete si ai shqiptar, sa europiane aq dhe ballkanike.

    Një ndërmarrje e tillë historiko-letrare, nëpërmjet gjinive, e vendos autorin në një sprovë me disa dimensione që kanë të bëjnë me natyrën asnjëherë statike të gjinisë: vepra në këndvështrim të zhvillimit të gjinisë; gjinia dhe çështja e kanonit; vepra në këndvështrim të zhvillimit të personalitetit krijues të autorit; vepra në këndvështrim të studimit të temave dhe funksioni i tyre në historinë e gjinisë (në realitetin tonë kishte kuptim të flitej për lirikë atdhetare etj.).

    A është e mundur një histori e letërsisë shqipe përmes gjinive? Vepra e profesor A. Xhikut është, ndoshta, e vetmja histori e letërsisë shqipe deri më sot që synon të gjejë në zhvillimin e secilës prej gjinive tiparet që dëshmojnë se vepra asnjëherë nuk përputhet me tiparet e gjinisë, se te thyerja qëndron legjitimiteti i veprës, se një sërë veprash të letërsisë shqipe shfaqin ‘problematika’ në inkuadrimin e tyre brenda një gjinie të vetme dhe se letërsia shqipe e traditës është bartëse e gjinive, që sendërtojnë kuptime të ndryshme në epoka të ndryshme.

    Nuk ka dyshim se studimi historiko-letrar nëpërmjet gjinive shfaqet si perspektivë komplekse e historisë sociale-alternative ndaj eseistikës letrare të tipit monografik, si urë lidhëse mes historisë së mendimit, formave e poetikave; gjinia si e tillë ndërlidh historinë e intelektualëve që propozon historia tradicionale e letërsisë me temat dhe format letrare. Qasje të tilla kanë privilegjin të zgjerojnë perspektivën e vazhdimësisë mbi kategori ngushtësisht filologjike ku të çojnë studimet binare.

    Historiani i letërsisë Ali Xhiku është i bindur se vizioni mbinacional mund ta ruajë të paprekur prurjen e letërsisë shqipe në “detin e rrymave gjithëpërfshirëse europiane”. Teksa arsyeton për letërsinë kombëtare, ai ka parasysh parametrat dhe konkluzionet që Shoqata Ndërkombëtare e Letërsisë së Krahasuar ka parashtruar në programin e Historisë së krahasuar të letërsisë të gjuhëve evropiane, modeli metodologjik që duhej të drejtonte ekipet e studiuesve në punën për krijimin e historisë së letërsisë shqipe.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË