More
    KreuOpinionBledar Kurti: Kadareja është plotësia e trinisë kombëtare

    Bledar Kurti: Kadareja është plotësia e trinisë kombëtare

    Pa Ismail Kadarenë, letrat ndërshekullore shqipe do të ishin thjesht një holokaust mendimi dhe një abort intelektual. Talenti, pena dhe forca e tij e mendimit janë exclusif.

    Ismail Kadare ka exclusivité të ketë një forcë të fjalës e cila ka frymëzuar pothuajse të gjithë shkrimtarët aktualë shqiptarë të bëhen njerëz të librave dhe me mijëra të tjerë që aspirojnë të hynë në këtë udhëtim. Askush tjetër nuk e ka patur e nuk e ka një pushtet të tillë. Askush tjetër nuk ka frymëzuar kaq shumë njerëz të lexojnë apo të shkruajnë, apo të dashurohen me letërsinë.

    Forca e Kadaresë është fjala. Ajo lind, krijon dhe kapërcen muret e mijëvjeçarëve. Fjala është exclusivité, një urë lidhëse e realitetit me mbretërinë e qiejve, ndaj edhe ajo ishte që nga fillimi dhe do të jetë deri në fund. Kush e kupton është exclusif, kush e transmeton është i parazgjedhur, kush e kërkon është i ndriçuar. Të tjerët, ata që janë larg fjalës, lindin e ngordhin në shurdhi e shkretinë. Ndaj edhe thuhet:

    Në fillim ishte Fjala dhe Fjala ishte pranë Perëndisë, dhe Fjala ishte Perëndi. Ai (fjala) ishte në fillim me Perëndinë.

    Sigurisht që këtu flitet për Perëndinë dhe Krishtin, jo për mjeshtrin Kadare, por gjithsesi koncepti, zbatueshmëria dhe rekuizimi mbi fjalën mbetet edhe për vdekatarët. Ajo ka atributet e krijimit dhe shpengimit. Ndaj edhe Kadareja, pavarësisht se do të ishte tërësisht e pavend të vishej me petkun e mitit dhe për më tepër herezi të përshkruhej me ngjyra hyjnie, nuk ka asnjë dyshim që, sikurse e gjitha elita botërore e letërsisë, nuk është thjesht skrib, por një levit i fjalës.

    Të gjithë mund të hynin në tempull, të gjithë mund të adhuronin në të, por ishte vetëm një fis i caktuar që mund të hynte në tebernakull, në shenjtoren e tempullit. Këta ishin levitët. Dhe çfarë gjendej në vendin më të shenjtë të të shenjtëve? Arka e Besëlidhjes. Dhe çfarë kishte brenda arkës? Dy rrasa guri me dhjetë urdhëresa. Pra, fjalë të gdhendura në gurë. Prandaj edhe fjala është exclusivité. Prandaj edhe Kadareja është leviti i vetëm me shërbesë universale në historinë e letrave shqipe. Ka pasur edhe levitë të tjerë që u kanë shërbyer nevojave të këtij vendi e këtij populli dhe pa asnjë dyshim gjithsecili prej nesh duhet t’u jetë mirënjohës, por Kadareja ka qenë dhe do të mbetet leviti që frymëzon aventura në fantazinë e fjalëve, udhëtime ndërhapësinore historike dhe kulturore, dhe paraqet si asnjë penë tjetër shqipe faktin më themeltar që harrohet nga çdo shkrimtar shqiptar, që fjala nuk mund të banojë dot brenda kufijve. Qofshin ata gjeografikë apo mendorë.

    Pena e tij është ngjizur në Shqipëri, por vendmbërritja e fjalëve të tij shkon përtej kohës dhe hapësirës. Dy nga përbërësit e vetë universit tonë dhe pa dyshim atij letrar, xhelozojnë cilindo mekanizëm mendor që funksionon me lëvizje të avashtë.

    Në periudhën e errët të regjimit komunist, nën dekadat e mortit të shpresës, një penë dhe një dorë e thjeshtë frymëzoi shqiptarët të bëhen shkrimtarë e mendimtarë. Disa ia dolën të afirmohen e disa jo por ne lexuam, ëndërruam, pamë një univers tjetër në çdo faqe të librave të Kadaresë. Lexuam Pallati i Ëndrrave dhe kuptuam që në momentet kur e liga të censuron edhe ëndrrat, gjëja më e keqe që mund të bëjë një njeri është të bëjë asgjë. Kadareja e përshkroi atë institucion varrmihës të ëndrrave në ditët e veta më të forta. Një akt guximi që frymëzoi dhe u manifestua më pas edhe në shkrimet e shumë shkrimtarëve të tjerë.

    Pallati i Ëndrrave ishte shuplaka më e madhe ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Kjo vepër frymëzoi shumë intelektualë të kohës dhe u la të kuptojnë që vetëm peshku i ngordhur shkon me rrjedhën. Pjesa më e madhe e artistëve të atyre viteve ishin konformistë, sado të vegjël apo të mëdhenj, fanatikë të kuq apo oportunistë privilegjesh. Sot ne e dimë, por edhe vetë ata e kuptojnë, që nuk ishin tjetër veçse peshq të ngordhur. Nën atë marrëzi nuk kishte rregulla. Nuk kishte një udhëzues apo protokoll që duhej të ndiqej sesi të mbeteshe i papërlyer nën diktaturën më të ashpër të Europës.

    E vetmja gjë që udhëhiqte mendjen, zemrën dhe vullnetin, ishte instinkti i mbijetesës. Megjithatë, kërkohej vetëm një akt shpagimi për të ecur kryelartë e pa turp drejt së ardhmes. Ashtu si keqbërësi i kryqëzuar në krah të Krishtit u shpëtua vetëm me një akt të vetëm kur tha: “Zot, kujtohu për mua kur të vish në mbretërinë tënde”, ashtu edhe disa shkrimtarë shqiptarë u shpaguan përpara historisë dhe së ardhmes përmes penës së tyre. Ata të tjerët që nuk e morën këtë guxim, sidomos ata që ende jetojnë dhe krijojnë edhe sot, duhet të jenë modestë në kujtimet e tyre dhe për asnjë moment nuk duhet të shiten për atë çfarë nuk kanë qenë kurrë: levitë të fjalës dhe lirisë. Me Pallati i Ëndrrave i vitit 1981, kur Përbindëshi ishte edhe më i rrjedhur dhe paranojak sesa më parë, pena e Kadaresë i dha dy sinjale të fuqishme atij regjimi: që nuk jeni të paprekshëm dhe se edhe kur prekeni, jeni aq injorantë e të trashë, saqë nuk arrini ta kuptoni talljen e një shkrimtari me ju.

    Kur ne ishim më lindorë në mendim sesa më lindorët gjeografikisht, Kadareja të yshtte me një refleks Perëndimi. Të gjitha personazhet e penës së tij janë civilë e sharmantë, të hirshëm, tërheqës, disi të ftohtë e të përmbajtur, aspak ballkanikë e provincialë, por gjithnjë plot kulturë e intelekt. Të gjithë shkrimtarët e tjerë ranë pre e barazisë së klasave dhe e provincializmit. Komunizmi i ngrinte mendjen karrocierit se ishte filozof dhe bujkut se ishte poet, pa kuptuar ata mjeranë se kjo dredhi nuk bëhej për t’i ngritur vlerat e tyre, por për të ulur vlerat e filozofëve, poetëve dhe shkrimtarëve të vërtetë. Por Kadareja arrinte gjithmonë të kapërcente gravitetet e censurës dhe sterrosjen e regjimit, duke krijuar personazhe dhe koncepte të mëdha që vetëm sa nxirrnin zbuluar injorancën dhe privimin e talentit tek ata që u bënin recensione veprave të tij, që e denonconin atë apo që mundoheshin t’ia ndalonin botimet.

    Në pikun e asaj marrëzisë, Kadareja shkruante në disa nivele të perceptimit letrar, prej të cilave disa kuptoheshin nga regjimi e disa të tjera jo. Shumë shkrime ishin të shigjetuara ndaj vetë diktaturës, me një ton prej disidenti kolosal, si te vepra Dimri i Vetmisë së Madhe, e cila fliste pikërisht për diktatorin famëkeq, E. Hoxha.

    Kadareja është ndërgjegja e kombit tonë. Për më tepër, veprat e tij kanë shërbyer e do mbeten një portë yjesh. Falë tij Shqipëria e vogël dhe periferike, ritet tona, tradita jonë, qytete tona si Gjirokastra, prej dekadash janë në duart e lexuesve në mbarë globin. Me dhjetra kombësi kanë Kronikë Në Gur e janë mahnitur qysh në faqet e para:

    Duke ruajtur me vështirësi jetën njerëzore në gjymtyrët dhe nën lëvozhgën e tij të ngurtë, qyteti i shkaktonte asaj padashur shumë dhimbje, gërvishtje dhe plagë, dhe kjo ishte një gjë e natyrshme, përderisa ky ishte një qytet prej guri dhe çdo prekje e tij ishte e ashpër dhe e ftohtë. Ishte e vështirë të ishe fëmijë në këtë qytet.

    Rrallë mund të gjendet një përshkrim i tillë i një qyteti në mbarë universin e letrave. Ky përshkrim i Gjirokastrës, që në faqet e para të librit e liston penën e Kadaresë në elitat e letërsisë botërore. Por, përtej artit per se, ka shërbyer edhe si far orientues mbi botëkuptimin sesi vende dhe shoqëri të ndryshme e shohin pozicionin që zënë ata në raport me mbarë rruzullin.

    Ishte Ernest Hemingway ai që i joshi dhe i ngashënjeu amerikanët me aromën europiane, u zbuloi atyre se çfarë kulturash, traditash, pasionesh, qytetërimesh dhe bukurish gjenden jashtë kufijve. Veprat e tij bënë që Spanja, Afrika, Italia, Franca, Havana, demat, toreadorët, peshkimi, gjuetia e elefantëve, përçudnitë, tmerret e luftës dhe e gjithë bota me bukurinë dhe trishtimin e saj të vinte te lexuesi amerikan. Të njëjtën gjë ka bërë edhe Kadareja, por në mënyrë të anasjelltë. I tregoi mbarë botës se kush është Shqipëria, Gjirokastra, natyra dhe tradita e shqiptarit, soji i rrallë i komunizmit që u mbart dhe u kultivua këtu për gjysmë shekulli, dhe detaje të tjera të cilat jo vetëm bota, por edhe vetë të lindurit e kësaj toke nuk do t’i kishin vënë re kurrë. Dhe lexuesit, nga çdo skutë dhe skaj i globit, e kishin të voglën Shqipëri në studion e tyre, në xhepin e tyre, në çantën e tyre, në duart dhe në mendjen e tyre, të manifestuar e të zbuluar në mënyrë madhështore.

    Ismail Kadare është i vetmi në Shqipëri që e ofron këtë portë yjesh. Asnjë shkrimtar tjetër, asnjë artist, muzikant, aktor, etj, nuk të përball me një pasqyrë boshe ku ti sheh pak nga pak pjesë nga vetja dhe kombi nga ku vjen, në varësi të perceptimit që të ofrohet nga ajo çfarë reflekton pas pasqyrës. Kjo është magji. Ky është gjenialitet. Të gjithë shkrimtarët dhe artistët shqiptarë të shekullit të njëzetë, por edhe më herët, pa asnjë përjashtim, e hapën kompasin e mendjes, talentit dhe ndikimit deri në kufijtë e këtij shteti të vogël. Fatkeqësisht, shkrimtarët vendas të këtij shekulli të ri e kanë shtrirjen e kompasit edhe më të ngushtë. Ata matin veten sa lart e gjerë, në zbulim të rolit që luajnë si individë në një shoqëri vendase e krahinore, ndërkohë që misioni i shkrimtarit është të përshkojë dimensione dhe universe të tjera të cilat shtrihen përtej gjeografisë, madje edhe vetë realitetit.

    Shkrimtarët dhe artistët janë exclusivité e një shoqërie. Ata më gjenialët janë levitë të parazgjedhur të fjalës. Për ta fjala është më e shenjta e së shenjtës. Ata janë në shërbim të rrasave të Besëlidhjes midis njeriut dhe krijuesit të njeriut. Si levitë, janë ndërgjegjja e një kombi. Ata i shërbejnë Arkës së Besëlidhjes, ose Arka e Dëshmisë, siç njihet ndryshe. Ndaj shkrimtarët e kalibrit të Kadaresë e kanë si mision të tyre të dëshmojnë. George Orwell dëshmonte për atë që shihte në të ardhmen, ndërsa Kadareja dëshmon për atë që përjetoi në të tashmen e tij dhe në të shkuarën tonë si një komb. Të dy këta, bashkë me shumë pena të tjera mbarëbotërore, janë levitë në tebernakullin e letërsisë dhe qytetërimit. Brenda Arkës së Dëshmisë gjendeshin rrasat mbi të cilat ishin shkruar dhjetë urdhëresat, por gjithashtu kishte edhe një enë të artë me mana, si edhe shkopi i Aaronit. Ndaj një penë si e Kadaresë dëshmon përpara mbarë botës forcën e fjalës, mrekullinë e manës, ushqimit dhe çlirimit që ra nga qielli edhe kur marrëzia i shpalli luftë Perëndisë në vitin 1967 dhe shërben si ndërgjegjja e një kombi, ashtu siç shërbente shkopi i Aaronit. Ndaj vepra të Kadaresë, si Piramida, Hija, Shkaba, Spiritus, Vajza e Agamemnonit, Pasardhësi, Darka e Gabuar, E penguara: Rekuiem për Linda B., Aksidenti, Kukulla, Mëngjeset në Kafe Rostand etj., vazhdojnë të dëshmojnë për historinë, botëkuptimin dhe karakteristikat e Shqipërisë.

    Së fundmi, Ismail Kadare është plotësia e trinisë kombëtare. Nëse Gjergj Kastrioti është simbol i guximit dhe qëndresës së popullit tonë, Nënë Tereza, zemra e madhe e Shqipërisë, Ismail Kadare është mendja dhe pena e ndritur e kombit shqiptar. 

    Gëzuar 88 vjetorin e lindjes Ismail Kadare.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË